PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (2)

Pashtriku.org, 08. 05. 2015 – (2. PIKËPAMJET E GAZETËS “LIRIA” , NR 2. DHE ORGANIZATA E OMLK-së) – Pas një muajit të daljes së numrit të parë të revistës “Liria”, ajo përsëri befasoi këndshëm anëtarët e vet me daljen e numrit të dytë të saj. Numri i dytë doli në dhjetor të vitit 1980. Më herët është sqaruar që të gjithë numrat janë përgatitur brenda, kurse jashtë është bërë shtypja(bashkë me përgatitjen teknike). Kadri Zeka dhe më vonë Jusuf Gërvalla kanë shkruar artikuj për “Lirin’”. Artikujt që u botuan në atë kohë patën jehonë të madhe tek anëtarësia por edhe te organet e sigurimit. Me fuqinë që kishin dhe demaskimin që i bënin armikut, ajo dhe autorët që i shkruanin ato gëzonin një përkrahje të madhe tek populli.
2. 1. Gjahu ndaj shqiptarëve dhe angazhimi i revistës për rezistencë
Revistës “Liria” nr. 2 i paraprin shkrimi shumë me interes dhe me një titull interesant “Kush janë luftëtarët e lirisë në Kosovë dhe ç‘duan ata” shkruar nga Mehmet Hajrizi. Autori në fillim të tij na dëften se “Një luftë e ashpër po zhvillohet kudo në Kosovë kundër “irredentizmit” dhe “nacionalizmit”, kundër “irredentistëve” dhe “nacionalistëve”, kundër “reaksionarëve” e “armiqve të të gjithë (sic) popullit shqiptar” etj… Këtë front aq të gjerë lufte e kanë hapur prej kohësh në Kosovë armiqtë e vërtetë të saj, okupuesit dhe shërbëtoret e tyre. Sa fjalime të zjarrta u mbajtën për të “demaskuar” “irredentistët”, në pikëpamje “ideologjike” e “politike”, sa artikuj u shkruan në gazetat zyrtare e të kohës kundër ”nacionalizmit shqiptar”, sa “vizita” të krerëve të Beogradit u bënë (bile edhe vetë Titua zbriti në Kosovë për këtë qëllim ), dhe në fund, sa arrestime, sa bastisje e sa dënime u shqiptuan ndaj bijve e bijave të popullit shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi që të qërohen hesapet përfundimisht me “irredentizmin”, që si një “epidemi” thoshin pushtetarët, u përhapte te shqiptaret.

Kadri Zeka ~ 1953 – 1982

Udhëheqësit nga Beogradi , krerë e ministra të mbrojtjes e sigurimit të shtetit në përgjithësi ishin ndarë të kënaqur nga mjetet e format e luftës që përdornin bashkëpunëtorët e tyre kundër popullit të vet , bile kohë pas kohe edhe i lavdëronin dhe i shpërblenin në mënyra të ndryshme, por më vonë, me rezultatet e kësaj lufte nuk qenë të kënaqur as pushteti e as bashkëpunëtorët, ngase ilegalja për çdo ditë ishte edhe më aktive.
Me kohë populli pyeste, po çka do të thotë “irredentizëm” e “nacionalizëm ” dhe kush janë ata në Kosovë? në gjuhën e okupatorëve dhe të bashkëpunëtorëve të tyre “irredentistë e nacionalist” quheshin të gjithë ata patriotë liridashës , revolucionarë, që nuk duronin robërinë shekullore, quheshin luftëtarët e lirisë së Kosovës, që u përpiqeshin për të drejtat e popullit të robëruar, për lirin e tij, për bashkimin kombëtar. Në fushatën që kishin ndërmarrë, ata propagandonin dhe me të madhe trumbetonin se këta njerëz në Kosovë ishin “të pakët”, dhe “janë njerëz që nuk ia duan të mirën popullit të vet”, janë ”njerëz pa ndikim në popull”, të cilët “nxisin nacionalizmin dhe irredentizmin në popullsinë shqiptare”, “janë reaksionarë të ndihmuar nga jashtë” dhe “ se duan me qëllim të shkatërrojnë e tërë atë që e ka arritur me shumë mund populli shqiptar, vëllazërim- bashkimin e popujve në Jugosllavi, socializmin vetëqeverisës” etj…Prandaj thonë pushtetarët si “armiq jo vetëm të regjimit por edhe të vetë popullit shqiptar duhet të luftohen nga vetë populli”.
Është krejt e kuptueshme pse ata patriot nuk u quanin me emrin e vërtet. Po populli ishte mësuar me politikën përçarëse që aplikonte pushteti, se kështu kishin vepruar edhe më herët paraardhësit e tyre që t’iu kishte efekt propaganda në popull. Ishte po ashtu e natyrshme që ata të zgjedhin emrat më të urryer dhe më të vrazhdë për ne, me qëllim njollosjeje të idealeve liridashëse, qëllimeve supreme të popullit. Irredentizëm! Ishte fjala më e preferuar në fjalorin e pushtuesve e shërbëtorëve të tyre. Autori në shkrimin e vet me një tonë urdhërues iu drejtohet pushtetarëve se është e mira së mirës që ju të “Shfletoni fjalorin dhe të kërkoni këtë fjalëz absurde për realitetin tonë. Të paktën dy fakte të domosdoshme duhet ti keni parasysh : nuk mund të quhet “irredentist” një popull i tërë që nuk donë të jetojë në robëri dhe trojet e këtij populli nuk janë pjesë të vogla toke të shpërndarë, por gjysma e Atdheut të tij që padrejtësisht u shkel nga këmba okupuese fashiste e mbretërisë revizioniste të Titos. Faktet historike nuk mbulohen dhe nuk zhduken dot me një fjalëz qesharake, me një propagandë të shfrenuar dhe as me dhunë fashiste sado e tërbuar të jetë ajo. Një popull, si ky i yni, që ne shekuj kurrë nuk e ka pushuar luftën për liri, të drejta e demokraci, që rrugën e historisë së tij e ka qarë me shpatë në dorë, nuk mashtrohet e nuk përulet dot sado dinak e i egër të jetë armiku i tij. Tokat e më shumë se dy milionëve shqiptarë të robëruar nga Jugosllavia titiste, përbëjnë një tërësi të vetme dhe janë ndarë artificialisht nëpër republika jugosllave për t’i sunduar më lehtë ato dhe për t’i kënaqur interesat historike të shovinistëve dhe grabitqarë të këtyre republikave. Kërkesa e popullit tonë të robëruar që të bashkohen trojet e tij në një njësi të vetme administrative është e drejt dhe e ligjshme.”
Ndjenja e patriotizmit dhe e lirisë tek shqiptaret në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi nëpër vite ishte shtuar dhe ishte shumë e fuqishme. Kështu, po të shprehemi me fjalë të armikut, ata thoshin, “i gjithë populli është i “infektuar” nga “ irredentizmi dhe nacionalizmi”. Me këtë fakt, ata në një mënyrë legalizonin intensifikimin e dhunës dhe të luftës së ashpër që bënin pushtuesit dhe tradhtarët kundër popullit sidomos pas viteve të tetëdhjeta. Por udëbashët mundohen ta fshehin të vërtetën. Ata gënjejnë me të madhe dhe pa u skuqur fare. Gjëja se njerëzit që arrestojnë, bastisin e persekutojnë në Kosovë, nuk janë disa, thuajse populli nuk e dinte se ata ishin me mija që u dënonin me vite burgu marramendës. Me dhjeta mija dosje u hapen nga organet titiste, të dhunës për patriotë e revolucionarë shqiptarë në Kosovë dhe gjithandej ku jetonin shqiptarët. Gjatë fushatës së arrestimeve të shumta që u bënë në popullsinë shqiptare, pas vizitës së fundit të Titos në Kosovë, p.sh. burgjet nuk i zinin të burgosurit politikë shqiptarë. Këtë më së miri e di populli i ynë i shumë vuajtur. Por me gjithë masat fashiste represive, patriotët e revolucionaret nuk u zhduken, e më vonë edhe më me ngulm vazhduan punën ilegale në të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët, sepse vetë populli i ynë ishte patriot e atdhetar se lirin e kishin gjakuar me shekuj . Bijtë e Kosovës së okupuar , që këto troje i kishin trashëguar të lara me gjakun e baballarëve të tyre, kurrë nuk do t’i shesin as nuk do ti falin këto troje.
Populli shqiptarë dihet historikisht, jo vetëm që nuk “nxiten” “ nacionalizëm” e “irredentizëm” në popull, por rezistencën e luftën që e bënë kundër regjimit , në forma e me mjete të ndryshme, ata e bënë me vet organizim dhe pa nxitjen e askujt. Ilegalja nëpër mes shtypit kishte shpallur hapur se do të ndihmojë gjerë në fund këtë luftë. Nëpër mes propagandës shpifëse e mashtrues, pushtetarët e tradhtarët poshtë e lartë nëpër Kosovë mundoheshin ta bindnin popullin se gjoja ilegalja e ilegalistët na qenkan “reaksionarë” të lidhur me forcat reaksionare jashtë vendit, dhe janë të ndihmuar prej tyre dhe se ata dashkan që t’i shesin interesat e popullit tek të huajt. Se sa shumë ka pasur efekt propaganda antishqiptare e dëshmon më së miri organi informativ i organizatës ilegale OMLK, “Liria”. Armiku do të dëshironte sigurisht që populli shqiptarë këtë organ ta hidhëte tej, të mos e lexonte dhe t’ia dorëzonte organeve të sigurimit. Por, ç’ndodhi me këtë gazetë informative, populli e merrte këtë gazetë ilegale “Lirinë”, e lexonte dhe e përcillte dorë më dorë, dhe e ruanin si gjënë më të shtrenjtë që të mos binte në duar të armikut, bile kishte raste të shpeshta kur njerëzit e merrnin dhe e shumëzonin në kopje të reja. Nëse armiku ka arritur të shtije në dorë ndonjë kopje, kjo ka ardhur nga pakujdesia e ndonjë lexuesi.
Gjatë hulumtimeve që kam bërë në teren, kemi të dhëna se populli e ruante dhe e lexonte me ëndje këtë revistë. Ngase, ai ( shqiptari) e kishte të qartë se “Liria” nuk ishte gazetë e armiqve të popullit, por e bijve të vërtetë të tij . Ajo dilte nga vetë populli dhe populli ishte i gatshëm ta mbronte atë në çdo kohë. I ndodhur në një robëri të egër, në një shfrytëzim kolonial, i shtypur deri në palcë nga një dhunë fashiste, populli i ynë si në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, po e kuptonte gjithnjë e më shumë se të drejtat e tij me dhunë i janë rrëmbyer dhe se vetëm me dhunë mund të fitohen , se nevoja e luftës kundër regjimit gjakatar është e domosdoshme për të shporrur pushtuesin, për të hequr qafe një herë e përgjithmonë robërinë, skamjen, varfërinë, kurbetin e zi e paditurin , dhe për të jetuar të lirë dhe sovran në atdheun e shtrenjtë. Propaganda demagogjike e shfrenuar, arrestimet në masë, torturat e mjetet tjera të represionit fashist të armikut, ato nuk po e ulnin urrejtjen, por përkundrazi po e shtonin akoma më shumë atë. Në vitet e mëvonshme lufta e popullit tonë për të drejta e liri, po merrte hov gjithnjë e më të madh, dhe nuk kishte asnjë forcë e terror që mund ta ndalte
2. 2. Apeli që bënte ilegalja
Një shkrim tjetër në revistë, që kishte një titull shumë domethënës “Të burgosurit kosovarë të kthehen në Kosovë”! shkruar nga Hydajet Hyseni. Autori me një gjuhë të mprehtë, kërkon që në emër të popullit shqiptarë që të gjithë të burgosurit shqiptar që dergjen nëpër burgjet jashtë Kosove, në një afat të caktuar të kthehen në Kosovë, ngase “Me mija kosovarë po kalben sot nëpër qelitë e errëta të burgjeve të shumta anë e këndë Jugosllavisë. Organet e pushtetit tradhtar të Kosovës dhe gjykatat që i kanë dënuar ata me faj, me fakte e pa fakte, jo vetëm nuk çajnë fare kokën për ta, por “kujdesën” që të dënojnë sa më shumë kosovarë të tjerë dhe tua japin për ti “riedukuar” shtëpive ndëshkimore fashiste të republikave jugosllave. Lihen kështu me mija kosovarë në “mëshirën” e shovinistëve, rankoviqistëve, çetnikëve e ustashëve nga më të tërbuarit të Jugosllavisë.
Të burgosurit e republikave të Jugosllavisë dhe ata të Krahinës së Vojvodinës nuk dërgohen kështu nëpër burgjet e republikave tjera , por mbajnë burgun në republikën apo krahinën e vet. Vetëm krerët tradhtar të Kosovës janë kaq “bujar” e “zemërgjerë” sa tu dërgojë xhelatëve të burgjeve jugosllave me mijëra shqiptarë që tua thithin , siç dinë vetëm ata, edhe pikën e fundit të djersës e gjakut.” Bënë apel autori
Me mija të burgosur shqiptar me vite të tëra gjatë okupimit jugosllav derdhnin djersën dhe kohën më të mirë të jetës po e linin nëpër punishtet e shumta të burgjeve jugosllave. “Përse ky lum i madh djerse të derdhet në republikat jugosllave e jo në Kosovën tonë të varfër.?” , bënte pyetje autori i shkrimit.
Autori, theksonte se pikërisht jeta e të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet jugosllave ishte tepër e mundimshme, por të burgosurit politik kishin një tretman të posaçëm dhe vazhdimisht ishin të rrezikuar. Mbi ta u ushtronte dhunë e përmasave ç’njerëzore, çfarë nuk kishin ushtruar as nazistët hitlerianë ndaj të burgosurve dhe robërve të luftës. Gjatë viteve sa ishte Kosova nën okupimin jugosllav nuk ishin të pakta rastet kur policia jugosllave kishte bërë masakra të vërteta mbi të burgosurit shqiptarë. Nuk ishin të pakta rastet kur të burgosurit shqiptarë kishin mbetur të plagosur, të gjymtuar e të vrarë mizorisht në këto kasaphana kriminale dhe askush nuk dha llogari.
Shkrimi në fjalë fund e krye është i argumentuar me të dhëna të bollshme, dhe vërtet përse liheshin me mija shqiptarë në duart e përgjakura të kriminelëve e xhelatëve gjakpirës të Jugosllavisë që të shfryjnë sa të duan dhe si të duan mllefin çmendurak mbi trupat e lidhur të bijave e bijve tanë?
Ishin vetë ata- organet e burgjeve jugosllave që nxisin, përgatisnin e organizonin përleshje të përgjakshme në mes të burgosurve shqiptarë dhe atyre jugosllavë. Këto ata i bënin me paramendim që më vonë të “arsyetojnë masakrat që bënin pastaj mbi të burgosurit shqiptarë dhe, njëkohësisht ti armiqësojnë, në këtë mënyrë, të burgosurit dhe nëpërmjet tyre edhe popujt jugosllavë me të burgosurit dhe gjithë popullin shqiptar. Në ketë mënyrë duke i paraqitur të burgosurit shqiptarë si shkaktarë të turbullirave e përleshjeve nëpër burgje, ata mundoheshin ti bindin popujt jugosllavë se, jemi ne shqiptarët “fajtorë” edhe për mos stabilitetin, pasigurinë dhe të këqijat tjera që e mundonin Jugosllavinë. Bëhet pyetja, nëse vërtet të burgosurit shqiptarë qenkan shkaktarë të përleshjeve të përgjakshme të Nishit, Idrizovës, Titogradit, Pozharevcit etj., atëherë përse nuk sillen ata në Kosovë, por lihen atje, që të “shkaktojnë” gjakderdhje të tjera .
Të burgosurit shqiptarë duke qenë kështu të shkapërderdhur nëpër skajet më të largëta të Jugosllavisë, atyre dhe familjeve të tyre u bëhet edhe një dënim tjetër edhe më i rëndë. Për ti shkuar njeriut të tyre në vizitë, familjeve të shumta i u duhet të kalojnë qindra kilometra rrugë, dhe të harxhojnë shuma të mëdha parash. E ku t’i merrnin paratë familjet e të dënuarve, pasi se dihej çfarë sanksione të rëndë ndërmerrte pushteti okupues jugosllav? Nuk ishin të pakta familjet, të cilat, në mungesë të parave, me gjithë mallin e madh që kishin, detyroheshin ti vizitonin shumë rrallë ose fare, njerëzit e tyre të dashur . Nënat e baballarët vdisnin pa i parë djemtë e tyre të burgosur…
Nën pretekstin se burgjet jugosllave nuk kishin përkthyes (që ti censuronte bisedat), të burgosurve shqiptarë dhe familjeve të tyre u kërkohej që edhe në ato takime të shkurtra e të rralla që u lejohej, të flasin jo në gjuhën shqipe, në gjuhën e nënës, por në gjuhën serbokroate, “në gjuhën që e kuptonte edhe zoti” siç thoshin ata. Ç’dënim i rëndë! Të detyrohet shqiptari të flasë në gjuhë të huaj me prindërit e tij, me vëllezërit e motrat e tij, me gruan e fëmijët e tij! Të flasin në gjuhë të huaj edhe ata që po kalben burgjeve pikërisht ata që nuk e pranuan kurrë këtë gjuhë nepërke që nxiste urrejtje, të flasin në ketë gjuhë të huaj edhe ata që nuk dininë asnjë gjuhë të huaj…! Gjatë vizitave që bënin familjarët të afërmve të tyre që ndodheshin nëpër burgje anë e kënd Jugosllavisë, shpesh ka ndodhur që sa e sa familje të kthehen prapa pa këmbyer asnjë fjalë me djemtë e tyre.
Përse të mbaheshin të burgosurit shqiptarë nëpër burgje jugosllave ku “ nuk ka” (dhe nuk po mundkan të sigurohen) përkthyes! Përse njerëzit tanë të detyrohen të flasin në mes veti në gjuhë të huaj? Përse të burgosurit kosovarë nuk kthehen në Kosovë? Këtë pyetje e bënte me të drejt si të burgosurit, si familjaret, po ashtu e bënte edhe populli liridashës i Kosovës.
Të vetmen “arsyeja” që e sjellin pushtetarët, ishte se gjëja në Kosovë nuk na paska mjaft burgje, çfarë zbulimi epokal!!! Dhe kjo e dhënë nga ana e pushtetarëve sa është ironike aq është edhe e pa bazë. Ç’është e vërteta në Kosovë kishte pak shkolla, kishte pak spitale, kishte pak shtëpi kulture, kishte pak biblioteka, kishte pak muzeume e çerdhe fëmijësh, se sa për burgje e stacione policesh nuk na kalonte kush. Burg në atë kohë ishte e gjithë Kosova.
Të burgosurit kosovarë me vite kishin kërkuar që të ktheheshin në Kosovë. Për këto kërkesa ata kishin shkruar shumë shkresa e ankesa organeve kompetente të burgjeve dhe pushtetarëve të shumtë, por si gjithmonë ato hasën në veshë të shurdhër, dhe nuk dhanë rezultate të duhura. Kërkesa e tyre për të mbajtur burgun në vendin e tyre, për të derdhur djersën në tokën e tyre… ishte një e drejtë e pamohueshme dhe kjo kërkesë kishte përkrahjen e gjithë popullit . Kërkesat e tyre ishin kërkesa edhe të familjarëve të tyre. Luftës heroike që bënin bijtë, vëllezërit e shokët tanë që po treteshin nëpër burgjet e errëta jugosllave, iu bashkua çdo kosovar që e donte lirinë, duke kërkuar me këmbëngulje që të burgosurit kosovarë të kthehen në Kosovë.

2. 3. Biseda e Enver Hoxhës me Stalinin për Kosovën
Në faqet e revistës “Liria” vend të veçantë zinin shkrimet, intervistat, dhe debatet e Enver Hoxhës për dhe rreth Kosovës. Në shkrimin “…Plagë e hapët që kërkon shërim” , jepet në pasuse të shkurtra, pjesë të librit “Me Stalinin” (kujtime), dhe në këtë rubrikë “Shoku Enver Hoxha për Kosovën”, bëhet prezantimi i shumë të dhënave për takimin që kishte pasur E. Hoxha me udhëheqësin komunist Rusë –Stalinin . Për kohën kur u botua kjo revistë për opinionin e gjerë ishin me shumë interes ngase bllokada informative ishte në një nivel të pa konceptueshme për momentin. Vlen të cekët se si mbas një të dhëne, se gjatë një bisede që kishte pasur E. Hoxha me Stalinin, ai e kishte pyetur se “Jetojnë shumë shqiptarë në Jugosllavi? Dhe ç’far besimi fetar kanë ata? Ai iu kishte përgjigjur se “Më tepër se një milion shqiptarë, ndërsa bashkëpunëtori i tij ( Vishinski), thuhej në tekst se kishte pas ngelur i habitur, për këtë numër kaq të madh të shqiptarëve . Thuajse që të gjithë janë të fesë myslimane dhe gjatë gjithë kohërave janë shquar për patriotizëm të zjarrtë dhe lidhjet e fuqishme me atdheun dhe me bashkatdhetarët e tyre. Ata kurdoherë i janë kundërvënë me forcë përpjekjeve të ethshme ekspansioniste e asimiluese të reaksionarëve serbomëdhenj dhe kanë ruajtur me fanatizëm identitetin e tyre shqiptar në çdo pikëpamje, u është përgjigjur E. Hoxha në pyetjen e Stalinit se si nuk janë asimiluar shqiptaret nga sllavet në Kosovë . Ndërsa në bisedë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë zhvillohet ky dialog: “ Sidoqoftë në vitet e para pas luftës ne akoma e quanim Partinë Komuniste të Jugosllavisë një parti motër dhe shpresonim se çështja e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare do të gjente zgjidhjen e drejtë sapo të krijohej momenti i përshtatshëm. Ky moment menduam se u krijua në kohën e nënshkrimit të traktatit (Është fjala për Traktatin e miqësisë, të bashkëpunimit dhe të ndihmës reciproke midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, që u nënshkrua në korrik të vitit 1946 ). Me Jugosllavinë dhe në atë kohë unë ia shtrova Titosë këtë problem. Titoja më pyeti se çmendoja unë për Kosovën. “Kosova e viset e tjera me popullsi shqiptare në Jugosllavi i thashë unë, janë toka shqiptare që fuqitë e mëdha padrejtësisht ia shkëputën Shqipërisë, ato i përkasin Shqipërisë dhe duhet ti kthehen Shqipërisë. Tani që na jemi dy vende socialiste janë kushtet që ky problem të zgjidhet drejt”. Titoja më tha : “ Jam dakord, ne e dëshirojmë këtë, por tash për tash nuk mund të bëjmë gjë , sepse nuk e kuptojnë dot serbet një gjë të tillë”, “ Në rast se nuk e kuptojnë sot, i thashë unë, duhet ta kuptojnë nesër”, për të vazhduar më vonë se “problemi i Kosovës dhe i popullsisë shqiptare me banim në viset të tjera të Jugosllavisë, e ardhmja e tij mbetet një çështje për të cilën i takon të vendosë vetë populli i Kosovës dhe i viseve të tjera . Por ne, nga ana e jonë, pa ndërhyrë kurrsesi në punët e brendshme të Jugosllavisë, asnjëherë s’do të pushojmë së përkrahuri të drejtat e vëllezërve tanë të një gjaku me banim në Jugosllavi, ne do të ngremë zërin kundër terrorit dhe politikës së shfarosjes që ndjek ndaj tyre klika Tito- Rankoviq” . Në bazë të këtij shkrimi, që na i prezanton ilegalja mund të përfundojmë se edhe Stalini pas vitit 1948 , pas prishjeve të marrëdhënieve me Jugosllavin ( Sulmit të Byrosë Informative ndaj PKJ-së), ai e përkrahte idenë e vetëvendosjes së shqiptarëve ,dhe krejt në fund i jep ketë përgjigje udhëheqësit të Shqipërisë,”Jam i një mendimi me ju, se çështjen e së ardhmes së tij e vendos e do të vendos vetë populli i Kosovës” e mbyll shkrimin e vet autori
2. 4. Shënim përvjetorësh
Me rastin e 80 vjetorit të lindjes së patriotit të shquar Ali Kelmendi, në faqen e gjashtë të revistës jepet shkrimi i Kadri Zekës, me titull “Çështja për të cilën luftoi Ali Kelmendi do të triumfojë edhe në Kosovë”.Veç shënimeve biografike që përfshihen në tekst, autori na prezanton edhe një çështje që ishte jetike për patriotin e madh. Çështja për të cilën Ali Kelmendi shkriu të gjitha energjitë e tij intelektuale e materiale, ajo triumfoi në RPS të Shqipërisë por jo edhe në Kosovën e tij të dashur. Tradhtia e titistëve dhe të disa sahanlëpirësve shqiptar bëri që populli martir i Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi, me gjithë gjakun që derdhi si lumë të mbetej përsëri në robëri, në shtypje e shfrytëzim të egër, në errësirë, skamje e mjerim, nën aneksimin e Serbisë.
Armiqtë dhe tradhtarët ishin munduar ta bënin popullin tonë të robëruar që ta harrojë birin e tij të shtrenjtë dhe çështjen e madhe për të cilën punoi dhe luftoi ai. Por, këtij qëllimi nuk ia arritën kurrë. Emri dhe vepra e Ali Kelmendit ishin të gjalla dhe të shtrenjta në zemrat e gjithë klasës punëtore, patriotëve e komunistëve të Kosovës, ishin burim i madh frymëzimi në luftën e madhe të popullit tonë për liri… Për çështjen për të cilën punoi dhe luftoi Ali Kelmendi… , përfundon triumfushëm autori.
2. 5. Tendencat për demaskimin e politikës asimiluese
Përpjekjet e pushtetarëve për të asimiluar popullin shqiptar kudo që ndodhej, paraqitën në shkrimin e Hydajet Hysenit “Jemi shqiptarë e asgjë tjetër” , që nëpër mes të këtij shkrimi, popullit shqiptar i bëhej me dije se ka përpjekje nga zyrtarët jugosllav, se me rastin e regjistrimit të popullsisë gjatë gjysmës së dytë të muajit prill ( 1981), në Jugosllavi do të mundohej që të luhej një lojë jo e ndershme me popullin shqiptar dhe ekziston mundësia që popullata të regjistrohet në bazë të fesë e jo në baza kombëtare. Këto regjistrime të tilla, për regjimin titist nuk është ndonjë risi, ngase në këtë mënyrë i ka bërë gjithmonë për hesape dhe llogari të veta dhe më qëllim të caktuara politike. Pos tjerash, pushtetarët jugosllavë i kanë shfrytëzuar ato edhe për qëllime antishqiptare. Me anë të mashtrimeve, presioneve, spekulimeve e falsifikimeve të ndryshme ata kanë bërë që gjatë çdo regjistrimi shumë shqiptarë të mos “regjistrohen” fare ose të regjistrohen jo shqiptarë, si “turq. “myslimanë”,” serbë”, “maqedonë” e “malazez”. Në këtë mënyrë numri i shqiptarëve në Jugosllavi, sipas statistikave, ishte gjithmonë shumë më i vogël se numri i vërtetë i tyre.
Në shkrim qartësohej se shqiptaret nuk janë jugosllavë, por qëllimet që fshiheshin edhe pas regjistrimit të prillit 1981. Jo rastësisht në shtypin jugosllav, kishte kohë që ishte shtruar çështja e deklarimit të pjesëtarëve të kombeve të ndryshme si “jugosllavë” . Propaganduesit dhe përkrahësit e një deklarimi të tillë mundohen ta arsyetojnë atë me “ përzierjen e popullsisë në Jugosllavi”, me “ndjenjën e patriotizmit jugosllavë”, me “rëndësinë që do të kishte një deklarim i tillë për forcimin e vëllazërim – bashkimit” etj… por në të vërtet, pas idesë për tu deklaruar “jugosllavë” fshiheshin qëllime të rrezikshme shoviniste e reaksionare.
Shovinistët serbomëdhenj gjithmonë gjatë historisë ishin përpjekur për një Jugosllavi unitariste, ku nuk do të kishte kombe e kombësi të ndryshme, por të gjithë do të ishin e do të quheshin “jugosllavë”, e dihej pastaj se e kujt do të ishte një Jugosllavi e tillë. Qëllime të tilla shoviniste kishte edhe kërkesa që në regjistrimin e popullsisë njerëzit në vend të përkatësisë së tyre kombëtare të shënojnë “jugosllavë”
Në pamje të parë dukej (dhe lënë të kuptohet), sikur kjo çështje ishte shtruar pa ndonjë qëllim të keq dhe jo nga ndonjë organ a personalitet shtetëror por si mendime dhe dëshira spontane të lexuesve dhe individëve të ndryshëm. Po në fakt, po të shikohet thellë kjo çështje, del çartë se ajo jo vetëm që është e organizuar, por edhe burimi i këtij helmi gjendet në qarqet reaksionare të udhëheqjes më të lartë të Jugosllavisë. Vetë kryerevizionisti Tito, në një intervistë të dhënë me rastin e Ditës së Republikës, dhënë gazetës “ Mlladost”, theksonte se i kishte pëlqyer shumë, kur “qysh para dhjetë vitesh kishte lexuar se të rinjtë në numër të madh deklaroheshin për jugosllavizëm” (za jugosllovenstvo),…në të gjithë në të njëjtën kohë, shtonte ai, jemi jugosllav” . Ndërsa shtypi jugosllav, duke u mbështetur në këto “deklarime avangarde të Titos” shkon edhe më larg, duke theksuar se “… çdo deklarim tjetër, do të ishte i zbehtë dhe pothuajse i parëndësishëm”
Autori i shkrimit komenton se për shqiptaret nuk ishte aq e rëndësishme se si do të deklaroheshin popujt tjerë në Jugosllavi Ajo ishte çështje e vetë këtyre popujve dhe ata me siguri nuk do të lejonin të bien në kurthet e rrezikshme që u kishin ngrehur shovinistët.
Sipas shkrimit të botuar në këtë revistë, ishte absurde që këto “këshilla avangarde “ të shiten tek populli shqiptar në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në Maqedoni , Serbi e Mal të Zi. “Jugosllav” do të thotë sllav i jugut, e dihej botërisht se ne jo vetëm që nuk jemi sllavë të jugut, por nuk jemi fare sllav. Ne nuk jemi sllavë të jugut, por jemi shqiptarë të veriut. Fakti që ne jemi të pushtuar nga Jugosllavia , këtu nuk ndryshon asgjë. Në trojet tona kanë ardhur e kanë shkuar shumë pushtues, por ne kemi qenë dhe kemi mbetur shqiptarë. Prandaj, të deklarohesh në ç’far do mënyre një shqiptar “ jugosllav”, kjo do të thotë që ai të mohojë gjakun e tij shqiptarë, të mohojë prejardhjen e tij , të mohojë gjuhën shqipe… do të thotë të mos jetë më shqiptar. E të mohosh atë që të parët tanë e kanë ruajtur në shekuj me aq shumë gjak e sakrifica, është një ligësi dhe poshtërsi e madhe. “Shqiptarë” të tillë sot ka shumë pak, dhe, nëse ka ndonjë, ai meriton urrejtjen dhe përbuzjen më të madhe të të gjithëve. Mjerë nënat që kanë lindur “shqiptarë” të tillë e mbyll artikullin autori, duke përcjell mesazhe të qarta.
Qëllimi i pushtetarëve ishte që gjatë regjistrimit të popullsisë të bëjë ngatërrimin e fesë me kombin dhe kështu në këtë mënyrë të krijojë huti dhe t’i mashtrojë shqiptaret që të regjistrohen si “turq”, “mysliman” etj. Por, ilegalja shqiptare nuk do të ishte atdhetare sikur të mos apelonte tek popullata se duhet pasur kujdes që të mos i ngatërrojmë kombin e fenë se këto dy nocione nuk janë e njëjta gjë. Porosisin ata nëpër mes shtypit se kur nga ju në regjistrim kërkohet përkatësia kombëtare, kjo nuk ka të bëjë fare me besimin fetar që kanë banoret, por me kombin e tyre, me gjakun që kanë, me gjuhën, zakonet etj. Nëse një shqiptarë deklarohet se është “turk” apo “mysliman” kjo nuk do të thotë se ai u shkrua si besimtar i fesë islame, por llogaritet se nuk është shqiptar, por pjesëtar i një kombi tjetër, i kombit turk, boshnjak , mysliman etj. Të gjithë ata që do të regjistrohen kështu bëjnë vetëm një gabim shumë të madh, e që ishte edhe qëllimi i shtetit jugosllav, që në masë të madhe të zvogëlohet numri i vërtet i shqiptarëve në Jugosllavi .
Tek intelektualet dhe shqiptaret në përgjithësi dominonte frika e arsyeshme se regjistrimi që u përgatitët të bëhej nuk ishte një regjistrim i thjeshtë i popullsisë, nuk ishte vetëm një çështje statistike e demografike, por ishte edhe një çështje me rëndësi të madhe politike për të ardhmen e popullit të Kosovës. Prandaj, apelohej te të gjithë populli i Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi që të mos mashtrohen nga propaganda e rrezikshme e pushtetarëve tanë , që në shekuj janë munduar të na zhdukin e shkombëtarizojnë. Ishin të vetëdijshëm dhe e dinin shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi se nuk ishin as jugosllavë, as turq dhe as myslimanë” (boshnjak), prandaj shumica dërmuese nuk u deklaruan si të tillë. Ne ishim vetëm shqiptarë dhe në rubrikën ku shënohej përkatësia kombëtare, të gjithë u shënuan- Shqiptar dhe asgjë tjetër. Ja, pra këto ishin në pika të shkurtra rekomandimet e ilegales shqiptare e cila ishte vigjilente për çdo shantazh që ndërmerrte armiku, mirëpo ajo çdoherë qëndronte e zgjuar për të ruajtur popullin e saj nga “kurthet ” që i përgatiste ma mjeshtëri armiku i përbetuar jugosllav.
Një tjetër punim që tërheqë vëmendjen e lexuesit, është punimi i Jakup Krasniqit “Hapat kilometër të Shqipërisë socialiste”, dhe përsëri me laps grafiti është i shkruar emri i Jakup Krasniqit, por me një “ç” të fortë ngase nga kjo kuptojmë se hetuesi ishte një njohës i dobët i gjuhës shqipe. Është për të ardhur mirë se me çfarë të dhënash e njohurish historike është i brumosur autori i tekstit. Fillimisht jepet një historik i shkurtër i Shqipërisë, lufta çlirimtare, ndërtimi dhe rindërtimi i vendit. Më vonë jepen të dhëna të bollshme për zhvillimin e industrisë, shëndetësisë, arsimit, kulturës dhe bujqësisë. Autori e përshkruan Shqipërinë se “ Ëndrrat e saja shekullore të popullit shqiptar për liri , pavarësi e përparim shoqëror u bënë realitet vetëm me fitoren e revolucionit popullor. Shqipëria e para çlirimit ishte vendi më i prapambetur në Evropë si në pikëpamje ekonomike, ashtu edhe në at arsimore, kulturore, sociale, e shëndetësore. Populli jetonte në skamje e mjerim, kurse pasuritë e tij i shfrytëzonin e i grabitnin të huajt dhe regjimi satrap i Zogut.” , për të vazhduar se “Vetëm 36 vjet kanë kaluar prej atyre kohëve të vështira, por transformimet që kanë ndodhur në Shqipërinë socialiste mund të maten vetëm me shekuj. Shqipëria e kandilit, sëmundjeve dhe e legjendave të misrit, sot është shndërruar në vend socialist me ekonomi të zhvilluar e dinamike, me nivel arsimor e kulturor të lartë dhe me një mbrojtje të fuqishme e të sigurt.
Më vonë autori jep në vazhdimësi se si janë plotësuar dhe realizuar të gjitha planet pesëvjeçare.”Edhe gjatë pesëvjeçarit të ardhshëm, të shtatit me radhë, populli në Shqipërinë Socialiste do të mobilizohet dhe do të realizojë me sukses detyrat e caktuara për zhvillimin ekonomik – shoqëror të vendit dhe mbrojtjen e atdheut. Viti 1980 është viti i parë i Pesëvjeçarit të shtatë, i cili hartohet duke u mbështetur krejtësisht në forcat e veta dhe pa asnjë ndihmë e kredi të huaj. Ky plan do të jetë plani më madhështor që ka hartuar gjerë tani Shqipëria. Ai parasheh të ndërtohen vepra industriale, bujqësore, arsimore, kulturore, shëndetësore etj. aq sa janë ndërtuar gjatë katër pesëvjeçarëve të parë të marr së bashku (1950 – 1970)”.
Si në numrin e parë të revistës, edhe në këtë jepet programi i Radio Tiranës, dhe këshillohen qytetaret që ta dëgjojnë me rregull këtë stacion informativ. Propozohet që të përcillen me kujdes sidomos lajmet që i përgatiteshin gazetarët nga tereni.

2. 6. Situata ekonomike e Kosovës

Në vazhdim (sipas të dhënave të hetuesve që i kanë shënua në faqet e revistës, shenjë që me shumë kujdes e kishin hulumtuar shtypin ilegal), na del se shkrimi që fliste për situatën ekonomike ishte i Berat Luzhës , që hetuesit kishin arritur ta deshifrojnë, ishte punimi me titull “Krizë e degjenerim në Jugosllavinë titiste”. Shkrimi në fjalë përfshinte situatën ekonomike të Kosovës në vitet e tetëdhjeta, dhe autori thotë se “Jugosllavia titiste është mbërthyer sot nga një krizë e thellë dhe e gjithanshme. Kjo krizë sa vjen edhe thellohet duke e bërë kështu jetën gjithnjë e më të vështirë e të pa durueshme. Në këtë krizë kaq të thellë të sistemit anarko – sindikalist “vetadministrues” jugosllav e solli zhvillimi në rrugë kapitaliste i ekonomisë dhe i sferave të tjera të jetesës. Si rrjedhim , sistemi jugosllav vuan nga plagë të njëjta e të pashërueshme të sistemit kapitalistë- revizionist.” .
Karakteristik e ekonomisë jugosllave në ato vite jo vetëm që ishte zhvillimi i dobët e disproporcional, por edhe mosrealizimi i planeve të prodhimit e humbjet përditë e më të mëdha. Gjatë vitit 1979 ekonomia jugosllave kishte rreth 19 miliardë dinarë humbje, që ishin 23% më të mëdha se sa ato të një viti më parë. Ndërkaq, vetëm për nëntë muajt e parë të vitit 1980 humbjet kapnin shumën prej 2o,0 e miliardë dinarësh (30% më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit 1979) . Këto humbje u krijuan në degët dhe sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, në industrinë ushqimore e atë të jometaleve, bujqësi etj.
Humbjet e vazhdueshme thotë autori i tekstit, gjithnjë në rritje bien mbi kurrizin e punëtorëve dhe të masave tjera punonjëse. Për ti mbuluar humbjet, ndërmarrjet u futeshin në borxhe të reja te bankat, apo i harxhonin rezervat e tyre të fundit, i ulnin pagat e punëtorëve etj. Megjithatë humbjet e vitit 1979 ishin mbuluar vetëm 84% ( më se 90% e mjeteve për mbulimin e humbjeve ishin nga kredit “sanuese” të bankave me afate të shkurtra kthimi e kamata të larta) .
Edhe pse Jugosllavia kishte kushte të përshtatshme për kultivimin e drithërave, gjatë gjithë periudhës së pasluftës ajo ishte importuese e tyre. Bujqësia jugosllave ishte në shkatërrim e sipër, kështu që nuk i plotëson as për së afërmi kërkesat e tregut, jo vetëm për drithëra, por edhe për bimë industriale, si luledielli e panxharsheqeri dhe shumë prodhime tjera bujqësore e blegtorale. Aktualisht mbi 700 mijë hektarë tokë e punueshme nuk u punonte fare dhe në po aq sipërfaqe, sipas shtypit jugosllav, mezi punoheshin diçka. Bujqësia jugosllave zhvillohej mbi bazën e pronës private. Sektori privat përfshinte më se 90% të tokave të punueshme, në Jugosllavi.
Autori cek se në një gjendje të mjerueshme që e ka sjellë Jugosllavin është edhe shkalla e madhe e papunësisë dhe e emigracionit ekonomik që është gjithnjë në rritje. Në Jugosllavinë titiste në atë periudhë ( 1980), kishte mbi një milionë të papunë ( vetëm në Maqedoni janë 120.000 me rritje të shkallës së papunësisë 7%) dhe mbi 1 milion e 300 mijë kurbetçinj të cilët e kanë marrë botën në sy për bukën e gojës. Numri i vërtet i tyre, sigurisht , është shumë më i madh, pasi shumë prej tyre emigrojnë pa ndërmjetësimin e organeve shtetërore. Numri i të papunëve dhe i të mërguarve ekonomik rritej gjithnjë e më tepër. Po ashtu rritej edhe numri i punëtorëve me mëditje, i shërbëtorëve etj. Vetëm në Serbi te punëdhënësit punonin rreth 40 mijë vetë. Në sistemin e kalbur “vetadministrues” jugosllav sundojnë ligjet e xhunglës, konkurrenca e egër në treg bënë që ndërmarrje të tëra të falimentojnë ose të detyrohen të “integrohen” me ndërmarrje më të mëdha. Përveç konkurrencës në treg manipulohej lirshëm edhe me çmime, maliverzohej me artikuj konsumues etj. Në bazë të të dhënave që na i ofron artikullshkruesi, del se njeriu i rëndomtë, në horizont e me një farë mënyre e shef se Jugosllavia si një krijesë artificiale që ishte po i numëroheshin ditët dhe për çdo moment priteshin çrregullira sociale, e mos të flasim për pakënaqësitë që ishin grumbulluar tek populli shqiptar.
2. 7. Konferencat ndërkombëtare në pendën e një ilegalisti
Në faqen e fundit (12) të revistës, ishte punimi “Maskaradë e pasigurisë evropiane”, dhe mbi titull të punimit qëndron e shkruar me laps të thjesht nismëtoret –H. Hyseni , dhe nga kjo kuptojmë se edhe ky punim ishte deshifruar nga hetuesit e shumtë që i kishte angazhuar okupuesi që të bëjë zbulimin e grupit “Marksistë- Leninist të Kosovës”.
Autori bënë prezantimin e shkurtër për formimin dhe mbajtjen e konferencave ndërkombëtare. Shkrimi fillon që nga Konferenca e Helsinkit, e quajtur “Konferencë mbi sigurimin dhe bashkëpunimin në Evropë”, e cila ishte mbajtur para pesë viteve dhe në të cilën morën pjesë 33 vende evropiane, SH. B. A dhe Kanadaja. Autori shton se” Nuk kaluan veçse dy vite nga Helsinki dhe pjesëmarrësit e konferencës u mblodhën prapë, kësaj here në Beograd, për të parë “zbatimin në praktik të klauzolave të Mbledhjes së Helsinkit. Dhe patën ç’të shihnin. Me javë të tëra u grindën në mes veti, përfaqësuesit e vendeve imperialiste dhe sidomos ata të superfuqive, duke u munduar që secili ta bënte fajtorë tjetrin për gjendjen e rëndë të krijuar në Evropë, për tensionin dhe pasigurinë, që pas Helsinkit ishin shtuar edhe më shumë. Vetë pjesëmarrësit e mbledhjes u detyruan ta pranojnë dështimin e saj, kurse shtypi borgjez e quante atë “një mbledhje për asgjë” .

LIRIA – DHJETOR 1980, Nr.2

I vetmi vendim konkret që u mor në Beograd ishte ai për tu mbledhur edhe një herë, pas dy viteve, në Madrid. Megjithatë, propaganda borgjeze e revizioniste vazhdonte të bëjë zhurmë rreth “rëndësisë” së kësaj mbledhjeje “historike” .
Por realiteti në Evropë dhe botë, pas mbledhjes së Beogradit demaskonte më së miri, këtë maskaradë dhe zhurmën që bëhej rreth saj. Pas mbledhjes së Beogradit , ashtu si edhe pas asaj të Helsinkit, gjendja në Evropë erdhi e u bë gjithnjë më e rëndë e më e turbullt, tensioni, jo vetëm nuk u ulë, por u shtua edhe më shumë, kurse gara e armatimeve mori përmasa të papara. Në aleancë dhe rivalitet, dy superfuqitë ndërmorën akte të reja ndërhyrjeje në vende të ndryshme të botës, kurse manovrat ushtarake e shpërthimet bërthamore u bënë edhe më të shpeshta…
Autori, konferencat ndërkombëtare i shihte dhe i shpjegonte se ”Në këto rrethana u mblodh në Madrid mbledhja tjetër e “sigurimit dhe bashkëpunimit evropian” dhe ishte e qartë se në të s’mund të bëhej tjetër, pos muhabete pa bukë. Ka muaj të tërë që atje bëhen akuza e kundër akuza të shumta, propozime e kundërpropozime të njëpasnjëshme, dhe në fakt nuk vendoset gjë . Pjesëmarrësve iu desh të ndalnin orën që të fillonte “me kohë” ky “ kuvend i paqes”, kurse me javë të tëra ata nuk mundën të vendosin as rendin e ditës! I ashtuquajturi akt i tretë i kësaj mbledhjeje që po mbahet në Madrid dëshmon më së miri fundin e turpshëm të kësaj komedie të vërtetë të dy superfuqive .duke aluduar vazhdimisht se për Kosovën dhe çështjen shqiptare nuk vendosnin asgjë.

(VIJON…)

***
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (3)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3991

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura