PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (6)

Pashtriku.org, 10. 05. 2015 – (4. 2. Një historik i shkurtër i padrejtësive të shumta ndaj popullit shqiptar të Kosovës) – Kosova – Republikë! Kjo ishte kërkesë, që dominoi në demonstratat historike që u bënë gjatë pranverës së këtij viti (1981) anembanë Kosovës dhe në shumë vende të botës ku kishte shqiptarë. Këtë kërkesë të drejtë po e shprehte populli ynë në mbledhjet e shumta që po organizonte armiku, në traktet që po shpërndaheshin gjithkund apo në parullat e panumërta që po qëndisnin rrugët, muret e ndërtesave dhe lëndinat tona, dhe për të vazhduar më vonë në tekstin “Populli shqiptar në Jugosllavi asnjëherë nuk vendosi për fatin e tij”, ishte i shkruar nga autori Berat Luzha.
Duke mos pasur asnjë arsye bindëse për ta hedhur poshtë kërkesën e ligjshme për Kosovën- republikë, serbomëdhenjtë u mundonin të spekulonin jo vetëm me të sotmen, por edhe me të kaluarën e ndritshme të popullit tonë. Duke e mohuar, falsifikuar e shtrembëruar në mënyrë të palejueshme të vërtetën historike armiqtë tanë të urryer dhe shërbëtoret e tyre po mundoheshin të na bindnin se gjoja vetë populli ynë paska vendosur të jetë kështu, siç është, nën zgjedhën e huaj, të jetë i robëruar, i ndarë e i copëtuar , njoftonte me të drejt autori.
Në nëntitullin “Si mbeti Kosova nën sundimin e Serbisë”, autori fliste për copëtimin dhe nxjerrjen në ankand të trojeve shqiptare, e cila kishte filluar para mase një shekulli, kur fuqitë e atëhershme të mëdha dhe shtetet shoviniste fqinje nisen thurjen e komploteve në dëm të popullit shqiptar. Pazarllëqet më serioze në trojet shqiptare kishin filluar me të ashtuquajturin Traktat i Shën Stefanit, që ishte bërë në mars të vitit 1878 në mes të Rusisë dhe Turqisë. Sipas këtij traktati famëkeq, Bullgarisë, përveç krahinave të tjera në Ballkan, i jepeshin edhe tokat shqiptare që shkonin deri në malet e Vaskopojës (shovinistet bullgarë i ëndërrojnë edhe sot e kësaj dite tokat që dikur iu kishte dhuruar Rusia cariste). Ndërkaq, Malit të Zi Traktati i njihte sovranitetin mbi Ulqinin, Krajën, Anomalin, Hotin, Grudën, Kelmendin, Vermoshin, Plavën, Gucinë e Rugovën, kurse Serbia zgjerohej në sanxhakun e Prishtinës dhe në një pjesë të rrethit të Mitrovicës .
Meqenëse vendimet e traktatit të Shën Stefanit nuk u pranuan nga fuqitë e mëdha të kohës, sepse ishin të njëanshme dhe të diktuara arbitrarisht nga Rusia cariste, për ti rishikuar ato u thirr Kongresi i Berlinit. Vendimet kryesore të këtij kongresi, që filloi punën më 13 qershor 1878, ishin marrë qysh më parë në bisedime të fshehta , Serbia dhe Mali i Zi, nëpërmjet Rusisë, kishin fituar pozita të mira për të aneksuar territoret shqiptare. Fuqitë e mëdha e mohuan në tersi çështjen shqiptare, kurse Shqipërinë e quajtën “shprehje gjeografike”. Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Abdyl Frashëri, u refuzua të merrte pjesë në kongres, ku vendosej për fatet e Shqipërisë. Në këto rrethana, copëtimi i atdheut u bë fakt i kryer.

Kundër copëtimit të tokave shqiptare, i bashkuar si një trup i vetëm, qe ngritur gjithë populli shqiptar, në të gjitha vilajetet. Më 10 qershor 1878, në Prizren, themelohej Lidhja Shqiptare, e cila shënonte faqe të lavdishme në historinë shekullore të popullit tonë. Me heroizëm të pashoq të ushtrisë së Lidhjes, vullnetarëve dhe të vetë banorëve, u mbrojtën me sukses Plava, Gucia, Hoti e Gruda që i ishin caktuar për aneksim Malit të Zi. Vetëm në nëntor të vitit 1880 ushtria turke mundi tua merrte nga duart kryengritësve qytetin e Ulqinit dhe t’ia dorëzonte ushtrisë malazeze. Po Mali i Zi nuk mjaftohej me kaq, por donte me çdo kusht edhe Shkodren dhe territore të tjera shqiptare, deri në lumin Dri, në jug ,dhe deri në Gjakovë – në lindje. Qarqet shoviniste serbe, nga ana e tyre, i kishin vënë syrin tërë Kosovës, Dibrës, Shqipërisë së veriut, me një dalje në det etj.
Për këto kërkesa, në mungesë të argumenteve të tjera, shovinistet serbë bazoheshin në “argumente” gjoja historike, sepse prej shekullit XIII – XV në këto krahina kishte sunduar Serbia, e këto “argumente” krerët e Beogradit i përdorin edhe sot për të “mbrojtur” “Kosovën serbe” si “djepin e Serbisë”.
Politika pushtuese ndaj tokave shqiptare, e filluar nga kryeministri serb Garashanini, qysh në vitin 1847 ka vazhduar duke përdorur kurdoherë kundër popullsisë së pafajshme shqiptare dhunën dhe terrorin më të egër. Politika shfarosëse si ajo e knjaz Milanit, i cili bashkë me urdhëratë ushtarëve të tij u jepte edhe porosinë: “sa më shumë shqiptarë që të shpërngulën, aq më të mëdha do të jenë meritat tuaja para atdheut”, vazhdoi edhe në Jugosllavinë e re të Titos, gjë që u vërtetua edhe gjatë ngjarjeve të fundit në Kosovë. Politika shoviniste kërkonte kthimin e përbërjes etnike të krahinave të pushtuara në favor të elementit sllav. Prandaj, përveç shfarosjes përmes terrorit e masakrimit u aplikua edhe dëbimi i dhunshëm i shqiptarëve jashtë trojeve të tyre . Por, megjithatë, Kosova dhe krahinat e tjera shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi mbetën dhe do të mbesin gjithmonë shqiptare.
Lufta e pandërprerë e popullit shqiptar për liri e pavarësi u kurorëzua në 28 Nëntorin historik të vitit 1912, kur i urti Ismail Qemali e ngriti, pas afër pesë shekuj robërie, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut. Vendimi i 28 Nëntorit kishte rëndësi edhe më të madhe pasi drejtohej kundër interesave të fuqive të mëdha imperialiste dhe synimeve të liga të monarkive të Ballkanit.
Lëvizja Kombëtare shqiptare, e mbushur përplot luftëra të gjata e të përgjakshme për liri e vetëvendosje, historiografia borgjeze u mundonte ta paraqiste sikur ajo paska qenë reaksionare, primitive, e drejtuar kundër reformave “përparimtare” turke, kundër ushtrive “çlirimtare” të shteteve fqinje dhe e quajtën atë vepër të të huajve apo të një grushti njerëzish, bile agjentësh të huaj. Shpallja e pavarësisë nuk ishte vepër e të huajve , as e një grupi të veçantë patriotësh, po vepër e një kuvendi kombëtar me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, që erdhi pas luftës dhe përpjekjeve më se shtatëdhjetëvjeçare. Kosovën në këtë kuvend siç dihej e përfaqësonte trimi i madh Isa Boletini. Pavarësia u shpall njëkohësisht për të gjitha krahinat me popullsi etnike shqiptare. Por, që të fitohej pavarësia e vërtetë, popullit tonë do t’i duhej të bëjë edhe shumë luftëra të tjera. Do ti duhej të derdhë shumë gjak të bijve të tij më të mirë .
Pjesë e këtij shkrimi, ishte edhe nëntitulli “Thika e diplomacisë evropiane copëton atdheun tonë”, ku bënë fjalë kryekëput për ndarjen e atdheut-Shqipërisë në shumë shtete fqinje. Vetëm 19 ditë pas shpalljes së pavarësisë në Londër u mblodh Konferenca e Ambasadorëve. Ajo ishte mbledhur gjoja për të caktuar kufijtë e Shqipërisë, por në të vërtetë qëllimi i saj ishte ndarja e tokave tona që “ kishin mbetur pa zot” pas mundjes së Turqisë nga Aleanca Ballkanike . Pa pritur vendimet e Konferencës, ushtritë e shteteve fqinje vërshuan në trojet shqiptare, duke shfrytëzuar pa aftësinë e Vlorës së sapoformuar, e cila ende nuk ishte konsoliduar, si dhe lodhjen e popullit shqiptar nga luftërat e mëdha me pushtuesit turq. Ushtria serbe pushtoi Kosovën, Shqipërinë e mesme e kishte dal në Durrës. Ndërkaq , Mali i Zi po bënte çmos që ta pushtonte Shkodrën e pamposhtur. Luma, nga ana tjetër, kacafytej me hordhitë e panumërta të ushtrisë serbe dhe, siç thotë kënga popullore, “ia mbushte asaj shpinën plot me plumba…”
Me copëtimin e tokave shqiptare, populli shqiptar nuk ishte pajtuar kurrë. Vendimet e padrejta të kësaj konference, patriotët tanë të mëdhenj si Ismail Qemali, Isa Boletini e Luigj Gurakuqi i hodhën poshtë që në Londër.
Nën udhëheqjen e Isa Boletinit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës etj… në Kosovë kishte filluar organizimi i kryengritjes për çlirimin nga zgjedha e re, që ishte edhe më e rëndë se ajo turke. Më 22 shtator 1913, populli i Dibrës i dëboi pushtuesit serbë dhe në qytet ngriti flamurin kombëtar. Trupat serbe ishin dëbuar edhe nga Struga e Ohri, ndërsa vullnetaret shqiptar kishin sulmuar Tetovën dhe Gostivarin, e më vonë edhe Gjakovën. Mirëpo, me anën e një ofensive kundër kryengritësve dhe popullit, ushtria serbe ,pas luftimesh të ashpra, i kishte shkelur ato përsëri, duke masakruar barbarisht popullsinë e duke lënë pas vete vetëm gërmadha. Një ushtarak serb, në një letër të botuar në gazetën socialiste “Radniçke novine” (22 tetor 1913) shkruante : “…mund të them se këtu po bëhen gjëra të tmerrshme. Jam i tmerruar dhe pyes gjithnjë se si njerëzit mund të jenë kaq barbarë për të kryer të tilla mizori… Mund të them se Luma… nuk ekziston më. Nuk ka veçse kufoma, pluhur e hi”. Socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq dhe gazeta e tij “Radniçke novine” e dënuan borgjezin serbe për këto ndërmarrje pushtuese, ndërsa “Rabotniçeski vesnik”, organ i socialistëve bullgar, ato ditë kishte shkruar: “Serbia mobilizoi përsëri ushtrinë për ta goditur Shqipërinë, e cila kërkon çlirimin kombëtar dhe vetëvendosjen.”
Edhe pas okupimit të Kosovës dhe krahinave të tjera shqiptare nën sundimin serbo- malazez, rezistenca dhe lëvizja kundër regjimit të ri nuk pushoi asnjëherë. Çeta të shumta patriotesh si ajo e Azem Bejtë- Galicës organizoheshin në krahina të ndryshme, si në Drenicë, Moravë, Llap etj. Për të organizuar më mirë këtë luftë, formohet më 1918 në Shkodër Komiteti “Mbrojtja kombëtare e Kosovës” .
Një pazarllëk tjetër me tokat shqiptare nga fuqitë e mëdha u bë më 1915, kur u nënshkrua traktati i fshehët i Londrës. Sipas, këtij traktati, Shqipëria duhej të copëtohej përsëri mes Italisë, Malit të Zi, Serbisë e Greqisë. Traktati i Londrës ishte një traktat imperialist, i cili shkelte në mënyrat më brutale pavarësinë dhe tersin tokësore të Shqipërisë dhe merrte nëpër këmbë të drejtat sovrane të popullit shqiptar.
Çështja e kufijve të Shqipërisë u shtrua edhe më 1919 në Konferencën e Paqes në Paris (Paqja e Versajit), e cila kishte filluar punimet më 18 janar të atij viti. Kjo konferencë në vend që ti rishikonte vendimet e padrejta të konferencave dhe trakteve të mëparshme , i kishte rikonfirmuar ato, bile edhe mori vendime për një copëtim të ri të Shqipërisë. Planet djallëzore të Konferencës së Paqes për copëtimin e atdheut u hodhën poshtë nga populli shqiptarë nëpër mjetë të Kongresit të Lushnjes të vitit 1920 . Ky kongres shpallte se shqiptaret ishin të gatshëm të bënin të gjitha sakrificat dhe të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut kundër çdo vendimi që vinte në rrezik tersin tokësore dhe pavarësinë e atdheut .
Më tutje ky kongres shpallte se “Shqiptaret dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë te tjetra, si tufë delesh e të bëhen plaçkë e atyre që drejtojnë sot diplomacinë e Evropës.” Megjithëkëtë, në një konferencë të mëvonshme të ambasadorëve të organizuar nga fuqitë e mëdha, në vitin 1921 ,u mor edhe një vendim që i shkëpuste atdheut një pjesë të krahinës së Lumës, Hasit dhe Gollobërdës. Në një protestë të kohës thuhej : “Mjerisht, po bëhej e treta herë që thika e ftohët e diplomacisë po pret në mish të gjallë të atdheut tonë, e që na këputen vise të çmueshme , të cilat, nga çdo pikëpamje që të vështrohen, nuk mund ti mohohen kurrsesi Shqipërisë, kështu që të ndarit e tyre prej trupit të saj formon patjetër një padrejtësi të hapët” .
Edhe më vonë politika pushtuese e qarqeve shoviniste të Serbisë ndaj Shqipërisë nuk kishte pushuar asnjëherë. Ishte i njohur intervenimi jugosllav nga vitit 1924, për përmbysjen e qeverisë demokratike të Fan Nolit dhe kthimit në pushtet të Ahmet Zogut . “Kthesa kundërrevolucionare e Ahmet Zogut në Shqipëri, shkruante asokohe Gjergj Dimitrovi, e kryer me ndihmën e Jugosllavisë dhe me forcat e saja të armatosura , zgjeroi frontin e reaksionit ballkanik deri në Detin Adriatik…”
Bashkë me Italinë, e cila po përgatitej të pushtonte Shqipërinë, ortake në këtë ndërmarrje donte të bëhej edhe Jugosllavia e Stojadinoviqëve dhe kral Aleksandrit. Mirëpo, Italia në atë kohë nuk pranonte ortak në Shqipëri, sepse konsideronte ta ketë atë një koloni për vete.
Gjatë gjithë sundimit të regjimit borgjez të Jugosllavisë së vjetër, krahinat e banuara me shqiptarë, si Kosova, Maqedonia Perëndimore, një pjesë e Malit të Zi, krahinat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, dhe Peshterit bënin pjesë në viset më të pazhvilluara dhe më të prapambetura të Jugosllavisë, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe nga ai kulturor, arsimor etj. Kjo gjendje, para se gjithash, ishte pasojë e politikës shtypëse dhe shfrytëzuese të borgjezisë serbo- malazeze. Duke i bërë planet jo vetëm për shfrytëzimin e tyre, por edhe për asimilimin dhe dëbimin e popullit shqiptar, Nikolla Pashiqi planifikonte që për 20 – 30 vjet popullin shqiptar ta asimilojë në pikëpamje kulturore e kombëtare. Sipas tij, “ shkrirja e këtyre viseve në Serbi duhej të kryhej në mënyrë të plotë siç janë shkrirë pas 1878-s Nishi, Leskoci dhe Vranja” . Duke zbatuar planet e saja, qeveria shoviniste jugosllave shpërnguli për Turqi dhe vende të tjera qindra mija shqiptar, e në vend të tyre solli kolon të elementit sllavë.
Por, edhe kjo politik asimiluese nuk ngeli pa rezistencë të popullatës shqiptare. Lufta e shqiptarëve duhej tu shërbente qarqeve serbe si mësim “ se janë vjetruar metodat e Miloshit të vitit 1883 dhe ato të Ristiqit të viteve 1878- 1879 për Maqedoninë dhe Kosovën”
Ndërkohë, krahina shqiptare në mbretërinë jugosllave , ishin përfshirë prej kohësh nga veprimet dhe luftimet e çetave kryengritëse (komitëve), të cilat sulmonin njësi dhe reparte të ushtrisë e të policisë armike.
Si Shqipëria, ashtu edhe Jugosllavia, gjatë Luftës së Dytë Botërore u sulmuan dhe u pushtuan nga fuqitë e atëhershme nazifashiste. Popujt e këtyre dy shteteve fqinje u hodhën në luftën nacional-çlirimtare, krah për krah njeri tjetrit, kundër armikut të përbashkët. Mirëpo, qysh gjatë luftës , në udhëheqjen e PKJ-së u vërejtën shenja të shovinizmit dhe të mendjemadhësisë. Udhëheqja e PKJ-së, nëpër mjetë përfaqësuesve të saj në Shqipëri, si Dushan Mugosha, Velimir Stojniçi dhe agjentëve si Koçi Xoxe etj… kishin filluar punën e tyre sabotuese dhe përgatiteshin terrenin për aneksimin e Shqipërisë nga Jugosllavia. Ky komplot i rrezikshëm u duk që në Plenumin e Beratit që u mbajt në vitin 1944. Qëllimet e mbrapshta të këtij plenumi dhe vendimet e tij të nxitura nga përfaqësuesi jugosllav, u zbuluan dhe u demaskuan nga Partia e udhëheqësi i saj” .
Udhëheqja jugosllave, jo vetëm që nuk e kishte pasur ndërmend të zgjidhte drejtë çështjen e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, në bazë të së drejtës të kombeve për vetëvendosje deri në shkëputje , por kishte kurdisur plane të rrezikshme për gllabërimin e të gjithë Shqipërisë, për shndërrimin e saj në një republikë të Jugosllavisë. Për këtë qëllim, udhëheqja e PKJ-së kishte punuar nën rrogoz një kohë të gjatë dhe kishte arritur që me anë të agjentëve të siguronte shumicën në udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare. Dhe në rrethana të tilla, Shqipëria megjithatë mundi të shpëtojë nga pushtimi i sërishëm …”
Edhe pas luftës, ndërhyrjet, shantazhet e kërcënimet e jugosllavëve kundër Shqipërisë socialiste nuk kishin pushuar asnjëherë. Përmes diversioneve e provokacioneve të pa ndërprera, klika Tito- Rankoviç ndërmori edhe hapa të tillë si përpjekja për invadim në Shqipëri, gjoja për të mbrojtur atë nga pushtimi grek, komploti i vitit 1956 në Konferencën e Tiranës etj. Dëshmi e kësaj politike antishqiptare ishin edhe sulmet, provokacionet, intrigat e kërcënimet, që po bënin kundër Shqipërisë pas demonstratave të Kosovës.
Çështja për vetëvendosje , kuptohet të Kosovës para dhe gjatë luftës, si u trajtonte në dokumentet partiake të ish-Jugosllavisë, autori na jep një pasqyrë të shkurtër në nëntitullin “Si e shihte PKJ të drejtën për vetëvendosje, para dhe gjatë luftës”,në kundërshtim me borgjezin serbe, e cila kishte aspirata të vazhdueshme dhe përpiqej me të gjitha forcat për të aneksuar sa më shumë territore shqiptare. Partia Socialdemokrate e Serbisë mbajti qëndrim afirmativ ndaj luftës së popullit shqiptar për liri dhe bashkim kombëtar. Udhëheqësi i kësaj partie, D. Tucoviq, ishte kundër aneksimit të Kosovës nga Serbia dhe e dënoi borgjezin serbomadhe për ndërmarrjet pushtuese në krahinat shqiptare.
Edhe Partia Komuniste e Jugosllavisë, më vonë mbajti gjithashtu qëndrim pozitiv ndaj të drejtës së popullit shqiptar në Jugosllavi për vetëvendosje. Në Konferencën e saj të III-të ajo dënoi borgjezin serbe për “politikën pushtuese dhe koloniale në Maqedoni dhe kundër Shqipërisë”. Ajo kërkonte që ti njihej çdo populli e drejta e sovranitetit në caktimin e marrëdhënieve të veta, prandaj edhe e drejta e shkëputjes së lirë dhe e formimit të shteteve të tyre , respektivisht e bashkimit me shtetet e tyre amë” . Nga ana tjetër, Kongresi i IV-të i PKJ-së, mes tjerash, thërret klasën punëtore jugosllave që “ta ndihmojë nga të gjitha anët luftën e popullit shqiptar të copëtuar dhe të shtypur, për një Shqipëri të pavarur dhe të njësuar” (“Kosova” 2,1973).
Duke dhënë iniciativën për rregullimin e ardhshëm federativ, PKJ vendosi që më 1937 të formojë Komitetin Qendror për Slloveninë e Kroacinë dhe Komitetin Krahinor për Kosovën , i cili prej vitit 1940 lidhet drejtpërdrejt me KQ të PKJ-së dhe kishte të gjitha të drejtat dhe atributet që kishin edhe komitetet e organizatave partiake të Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi etj. Në këtë mënyrë ishte i lidhur gjatë luftës edhe Shtabi i UNÇ-së për Kosovë e Metohi. “Gjatë LNÇ-së, shqiptarët në Jugosllavi kanë pasur trajtim të njëjtë në çdo pikëpamje, e edhe sa i përket të drejtës për vetëvendosje, sikur të gjithë popujt e Jugosllavisë” (“Kosova”,2, 1973)
Lidhur me çështjen e vetëvendosjes së kombeve, në një artikull programatik në gazetën “Proleter” nr. 16, 1942 , vetë Titua shkruante se “çështja e Maqedonisë, çështja e Kosovës e Metohisë, çështja e Malit të Zi, çështja e Serbisë, çështja e Kroacisë, çështja e Sllovenisë, çështja e Bosnjës e Hercegovinës do të zgjidhën lehët, duke i kënaqur të gjithë”. Gjatë luftës , duke folur për çështjen e vetëvendosjes së kombeve të veçanta pas çlirimit, Titua deklaron :”Populli maqedonas, ka të drejtë të vetëvendosë, e madje edhe të shkëputet… Por, populli maqedonas, sovran në të drejtat e veta, ka të drejtë edhe të bashkohet në bashkësinë federative të popujve të tjerë… Në mënyrë të ngjashme duhet shtruar edhe çështjen e Kosovës e Metohisë”. (Letër e Titos dërguar Tempos, 1943) .
Kështu e shtronin atëherë çështjen kombëtare krerët e PKJ-së, por praktika tregonte se ata nuk mendonin kështu. Ata përpiqeshin të krijonin përshtypjen se kishin qëndrim të drejtë ndaj çështjes së pazgjidhur kombëtare në Jugosllavi, por në të vërtetë ata zbatonin qëndrimin e hershëm të Simiçit me shokë, të cilat ishin kritikuar ashpër nga Kominterni dhe Stalini, si qëndrime që s’kishin asgjë të përbashkët me zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare .
Qëndrimet e AVNOJ-it dhe të Konferencës së Bujanit autori i prezanton në nëntitullin “Çka u vendos në “AVNOJ” dhe çka në Bujan”. Qëndrimet e vërteta të PKJ-së rreth çështjes kombëtare, e sidomos rreth asaj shqiptare, dalin në shesh edhe në ndërhyrjen brutale në punët e brendshme të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e sidomos gjen shprehje në të ashtuquajturën “Mbledhje të AVNOIJ-it”. Në këtë mbledhje, populli i ynë, edhe pse pa asnjë delegat shqiptar , “vendosi dhe shprehu vullnetin e tij të lirë” që të mbetet ashtu siç ishte më parë!
Edhe pse populli shqiptarë në Jugosllavi ishte si për nga numri, ashtu edhe për nga territori ku jeton, më i madh se disa kombe jugosllave që fituan të drejtën për republikë, ata u deshtë të “kënaqen” vetëm me konstatimin demagogjik se pakicat nacionale u janë njohur të gjitha të drejtat nacionale . Duke e klasifikuar si “pakicë kombëtare”, ose “popullsi” (“narodnost”!), popullin shqiptare e ç’veshin nga shumë të drejta të tij të ligjshme, të cilat i ishin premtuar me kohë nga udhëheqja e Partisë Komuniste Jugosllave. Populli shqiptar ishte i privuar në Jugosllavi nga shumë të drejta që të vendoste vetë për fatin e vet .
Në zjarrin e luftës, kur popujt e Jugosllavisë dhe të botës vendosnin për fatin e tyre dhe formonin organet e pushtetit popullor, më 31. XII 1943, u mblodhën në Bunjaj të Malësisë së Gjakovës përfaqësuesit e popullit të Kosovës, në Konferencën e Parë të Këshillit Nacional- Çlirimtar. Konferenca në të cilën merrnin pjesë 49 delegatë, përfaqësues të popullit dhe njësive partizane (nga të cilët 6 ishin serbë e malazezë) , në Rezolutën që u aprovua, konkludohej se : “Kosova e Metohia është regjion në të cilin jeton, në pjesën më të madhe, populli shqiptar, i cili si gjithmonë, ashtu edhe sot dëshiron të bashkohet me Shqipërinë, prandaj ndjejmë për detyrë të vëmë në dukje rrugën e drejtë, të cilën duhet ndjek populli shqiptar, që shqiptaret e Kosovës e Metohisë të bashkohen me Shqipërinë, kjo është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë, kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tij të vendit, sepse kjo është e vetmja rrugë që të fitohet liria, kur të gjithë popujt, prandaj edhe shqiptaret do shprehen për fatin e tyre me të drejt të vetëvendosjes deri në shkëputje. Garanci për të gjitha këto janë UNÇ e Jugosllavisë dhe UNÇ e Shqipërisë, me të cilën ishte e lidhur ngushtë. Përveç kësaj, janë garanci aleatet tanë të mëdhenj. Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit), (“Kosova”, nr 2, 1973) .
Edhe pse ky vendim ishte i drejtë, ishte shprehje e lirë e fatit të popullit tonë, e në përputhje me dokumentet e PKJ-së për vetëvendosje , ky u kundërshtua dhe u kritikua nga udhëheqja e partisë jugosllave dhe nga vetë Titua, si “vendim që është në kundërshtim me vendimet e “AVNOJ-it”.
Në një letër dërguar Komitetit Krahinor, Titua ua tërheq vërejtjen komunistëve kosovar se “sot nuk është fjala për caktimin e kufijve në mes të Shqipërisë e Jugosllavisë të dyja vendeve të pushtuara, por, për çlirimin e tyre me luftë të armatosur…Pra, sot do të ishte krejt gabim të parashtrohen dhe të zgjidhen në mënyrë të drejtë vetëm nga ana e popujve të lirë”, kështu, kur ia donte puna , Titua me demagogji deklaronte se “punët që sot nuk mund ti zgjidhim , do ti zgjidhim nesër, pas lufte” . Duke iu kundërvënë vendosjes së pushtetit popullor me kompetenca të plota për qeverisje në Kosovë, Tito i porosiste “shokët” kosovarë se “nuk duhej ta krijonin komitetin provincial, për shkak se krahina juaj nuk është një qark kompakt e i veçantë. Ky këshill mund të jetë vetëm iniciator, vetëm organ i unitetit politik të masave, por nuk duhet ti japim atij karakter pushteti” etj.
Deri sa organet partiake jugosllave ose heshtnin ose e përcillnin punën “për nesër” populli kosovar, komunistet dhe simpatizuesit e LNÇ-së kërkonin qëndrim të prerë për fatin e shqiptarëve. Komiteti i partisë për rrethin e Prizrenit , në një letër dërguar Komitetit Krahinor, vë në dukje se simpatizuesit e LNÇ-së nuk e kuptojnë çështjen e vetëvendosjes ashtu si e shpjegojnë ata dhe thonë :”Ne u flasim se vetë populli do të vendosë për fatin e vet, por atyre u duket e çuditshme kjo përgjigje, sepse kërkojnë që tu thuhet se a do ti bashkohet Kosova Shqipërisë në kohën e pasluftës”. Edhe Milladin Popoviqi, qysh në vitin 1943 i dërgoi një letër Komitetit Qendror të PKJ-së, ku kërkonte që të përcaktohej përmbajtja konkrete e vetëvendosjes dhe mënyra se si të zbatohej ky parim te shqiptaret e Kosovës. “Ne kemi theksuar gjithnjë parullën e vetëvendosjes , për nesër. Në këtë mënyrë nuk kishte mundur edhe të mobilizohej populli shqiptar kundër pushtuesit”. Më vonë, Milladin Popoviçi kërkon që KQ i PKJ-së të mbajë një qëndrim konkret dhe të përcaktojë formën e vetëvendosjes së shqiptarëve në Jugosllavi. Megjithëse çështja e Kosovës kishte ngelur ende e pazgjidhur, kosovarët e vazhdonin luftën , duke shpresuar që së paku pas lufte do ti fitonin të drejtat e veta kombëtare. Lufta po intensifikohej gjithnjë e më tepër, dhe nga fundi i saj formacionet luftarake në Kosovë numëronin rreth 50 mijë luftëtar që luftuan deri në krahinën më të largët të Jugosllavisë. Kosova, luftës i kishte dhënë mbi 6 mijë dëshmorë, por kur i shtohet edhe ata mijëra të tjerë të vrarë nga ushtria e “re” jugosllave, ky numër u shumëfishonte. Deri sa brigadat kosovare luftonin anembanë Jugosllavisë, në Kosovë, gjatë vitit 1945, ishin vërsulur divizionet serbe, malazez e maqedonase, që vranë dhe masakruan popullsinë shqiptare .
Ç’ndodhi më vonë me fatin e Kosovës dhe popullit të saj, autori na jep të dhëna të bollshme në nëntitullin “Pas “çlirimit”, Kosova përsëri në ankand”. Derisa në Kosovë ishte vendosur sundimi i egër i administrimit ushtarak jugosllav, në Beograd ishte vënë në ankand e tërë Kosova dhe krahinat e tjera shqiptare në Jugosllavi. Kujt do ti takonin krahinat shqiptare? Ishte udhëheqja “ e re” e Jugosllavisë “socialiste” ajo që e shtronte tani këtë pyetje, që e kishin shtruar sa e sa herë ujqit shovinistë serbë .
Në Jugosllavi kishte edhe probleme të tjera të pazgjidhura thotë autori, por pazarllëqet më të mëdha u benën si zakonisht, rreth tokave shqiptare, dhe pikërisht rreth Kosovës, pasi që krahinat e tjera , pa diskutim ,u ndan në mes tri republikave të sapoformuara jugosllave, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Varianti i parë që u propozua në udhëheqjen jugosllave ishte se Kosova duhej të ndahej në mes tri republikave, që e rrethonin. Ndërkohë pas një konsultimit me Titon, doli vendimi se Kosova duhet të gëzojë statusin e autonomisë në kuadër të federatës jugosllave, por megjithatë, kjo “autonomi” do të ishte gjysmake, pasi Kosova duhej ti bashkohej si njësi autonome njërës nga njësit federale- republikave. Por, cilës republikë t’i bashkohej? Shtrohej pyetja tjetër që u shtrua në Beograd.
-Ka pasur mendime (kuptohet të udhëheqjes jugosllave) se Kosova duhet ti bashkohet Malit të Zi, me arsyetim se kishte një traditë të lidhjes së Komitetit Krahinor për PKJ për Kosovë e Metohi me Komitetin provincial të Malit të Zi, Bokës dhe Sanxhakut, prej vitit 1937 deri më 1940, si dhe për shkak të “ mentalitetit të ngjashëm të popullit shqiptar dhe atij malazez”!
-Kanë ekzistuar mendime për bashkimin e Kosovës me Maqedoninë, sepse populli shqiptar dhe ai maqedonas, sipas udhëheqjes jugosllave, ishin të ngjashëm për nga numri, se në të kaluarën kanë pasur fat të ngjashëm dhe se ekziston lidhshmëria e Kosovës me Maqedoninë.
-Kosova sipas disa mendimeve, duhej ti bashkohej Serbisë. Si arsyetim u morën një mori “faktesh”: se në Kosovë rreth 20% të popullsisë ishte popullsi serbe, që synonin të jetonin në kuadër të Serbisë, se Vojvodina duhet ti takonte Serbisë për shkak të përbërjes nacionale, prandaj të dy autonomit duhej të ishin në kuadrin e një njësi federale, se Kosova ishte më e pazhvilluar në Jugosllavi, e Serbia njësia më e madhe, kështu që do të mund të jepte “ndihmë të rëndësishme ekonomike” për zhvillimin e shpejtuar të Kosovës, sepse, “nga motivet e internacionalistëve dhe komunistëve të nacionalitetit shqiptar dhe të atij serb për bashkim me Serbinë federale, kishte nevojë që , me anën e një jete të përbashkët, të afrohen populli shqiptar dhe ai serb, të cilët në të kaluarën, për shkak të politikës së qarqeve sunduese, kanë vepruar kundër njëri- tjetrit! Nga ana tjetër, bashkimi me Serbinë federale “ka qenë deri diku kompromis ndaj paragjykimeve të vjetra për Kosovën serbe, me të cilat kanë qenë të ngarkuar jo vetëm disa shtresa sociale të Serbisë, por edhe një numër komunistësh dhe njerëzish udhëheqës të kësaj njësie federale” (“Kosova” nr. 2.1973)
Kështu, në bazë të të gjitha këtyre “argumenteve” e “fakteve”, në favorin e Serbisë, nuk pat se si të mos fitojë propozimi i tretë, që Kosova ti bashkëngjitej Serbisë. Aneksimi arbitrar i Kosovës, i vendosur, nga qarqet e larta udhëheqëse të partisë dhe të shtetit jugosllav, ishte plotësim i aspiratave shoviniste serbomëdha. Vetë A. Rankoviqi, i cili edhe ishte autor kryesor i këtij aneksimi , në prill të vitit 1945, deklaronte me mburrje se “ ky aneksim është përgjigja më e mirë për ata që trumbetojnë rrezikun e copëtimit të tokës serbe, që akuzojnë LNÇ-në sikur do ti dobësojë serbët për llogari të kroatëve e të tjerëve” .
Aneksimi dhe shitja e Kosovës te shovinistet serbë sipas autorit “ishte edhe një vepër e një grushti udhëheqësish tradhtar të Kosovës. Të cilët, ashtu si Koçi Xoxe me shokë, ishin vënë në shërbim të plotë të klikës Tito- Rankoviç.
Populli i Kosovës, gjatë pranverës së vitit 1945 thotë autori i shkrimit se “nuk dinte se ç’po bëhej me fatin e tij në Beograd. Në prill të këtij viti, Dushan Mugosha, që atëherë ishte sekretar i Komitetit Krahinor për parti, shpreh “dëshirën” e Këshillit Nacional-çlirimtar për Kosovë e Metohin, që edhe “ ne, popujt e Kosovës e Metohisë, ti aneksohemi Serbisë federative motër”. Kjo deklaratë e një shovinisti të tërbuar në Mbledhjen e Këshillit Antifashist të popullit të Serbisë më vonë u bë “shprehje e vullnetit të lirë dhe e vetëvendosjes së popujve të Kosovës”. Më 9 prill 1945, gazeta “Borba” njoftonte se “ Mbledhja e Këshillit Antifashist të popullit të Serbisë pranoi dëshirën e popullit të Kosovës e Metohisë për bashkim me Serbinë federale”. Mirëpo, po kjo gazetë, duke harruar çka kishte thënë njëherë, botoi me 30 qershor 1945 vazhdimin e fjalës së Dushan Mugoshës, ku ky zbulonte se Kosova nuk kishte bërë asnjë kërkesë dhe nuk kishte marrë asnjë vendim në kuvendin tonë, sepse në Kosovë e Metohi vepronte pushteti ushtarak. Në rastin e parë, sapo të hiqet pushteti ushtarak në Kosovë e Metohi, ne do të vendosim në kuvendin tonë që ti aneksohemi Serbisë federative” .
Në bazë të këtyre dallavereve thotë autori, nga më të ndryshmet,, nga të cilat ishte vendosur që Kosova të mbetej nën Serbi, u bë edhe Konferenca e Dytë e Këshillit Antifashist të Kosovës e Metohisë rreth përcaktimit të fatit të Kosovës, vetëm sa për t’iu bërë “aminin” asaj që ishte vendosur në Beograd. Dhe populli e di mirë se në çfarë rrethanash u zhvillua kjo konferencë (Konferenca e Prizrenit), ku delegatet hapur u kërcënuan nga njerëzit e OZNA-së se, po të mos deklarohen “pro”, nuk do të kthehen në shtëpitë e veta. Dhe, vërtetë, shumë delegatë që votuan kundër vendimeve të Beogradit, nuk u kthyen më kurrë që andej. Vendimi “historik” i kësaj konference propagandohej edhe sot nga tradhtarët si “shprehje e vullnetit dhe e dëshirës së popullit të Kosovës që ta lidhë fatin e vet me Serbinë dhe në kuadrin e saj – me Jugosllavinë.
Nga të gjitha që u thanë dhe u vendosën për Kosovën, asnjëherë nuk doli në shesh arsyeja, nuk u fol për të drejtën e popullit të Kosovës për të vetëvendosur për fatin e tij, që Kosova kishte të drejtë edhe të të shkëputej edhe të mbetej në kuadrin e federatës jugosllave, me të drejta të barabarta me popujt e tjerë të kësaj federate.
Këto të drejta ia propozonte popullit tonë gjaku i mija dëshmorëve i derdhur para dhe gjatë LNÇ-së, ia garantonte lufta e bërë, ia premtonte edhe vetë udhëheqja e PKJ-së. Sa për krahinat tjera shqiptare jashtë Kosovës, në udhëheqje jugosllave as që u fol- por arbitrarisht u vendos që ato të ndahen në mes të tri republikave jugosllave. Edhe vetë Kosova pothuajse nuk fitoi gjë, ajo mbeti pa deshën e saj, një “obllast” i republikës së Serbisë dhe asgjë më tepër.
Arsyet dhe shkaqet që e detyruan popullin shqiptar që të qohet në demonstrata ishin të shumta dhe shumë të arsyeshme për të parashtruar kërkesën që Kosova të shpallej republikë në kuadrin e Jugosllavisë. Për ngjarjet e më vonshme autori i sqaronte në vazhdim në pjesën me titull “Kërkesa për Republikë është e drejtë dhe do të triumfojë”.Populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi me shekuj ka luftuar për lirinë e tij, për të drejtat që i takonin . Nga këto aspirata ai kurrë nuk hiqte dorë, pa marrë parasysh se më kë kishte të bënte. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, populli nuk u mashtrua me regjimin e ri, që ishte po aq i egër e i urryer sa edhe ai i Pashiqit, por e vazhdonte luftën për të drejtat e tij, pra edhe për të drejtën e vetëvendosjes. Pa marr parasysh kushtet e rënda të sundimit okupues, si dhuna e terrori , dëbimi i dhunshëm, prapambetja e theksuar ekonomike, prapambetja arsimore e kulturore, populli shqiptar asnjëherë nuk pushoi së kërkuari të drejtat e tij të ligjshme, statusin e republikës në kuadër të Jugosllavisë etj.
Çështja e statusit të republikës u shtrua sidomos në vitin 1968, me rastin e përgatitjeve të disa amendamenteve të kushtetutës së Jugosllavisë. Përveç se në shumë tubime , këtë kërkesë ia paraqiti Titos një delegacion krahinor. Por Titua kishte refuzuar ti përgjigjej një kërkese të tillë, duke u arsyetuar se “republika nuk ishte faktor i vetëm i cili i zgjidhte të gjitha problemet” (“Rilindja”, 4.XI. 1968). Ishte e qartë se udhëheqja jugosllave nuk kishte ndërmend të përgjigjej në kërkesën e kosovarëve. Prandaj, në nëntor të vitit 1968 shpërthyen demonstratat e mëdha të rinisë dhe popullit . Demonstruesit pos të drejtës për vetëvendosje, kërkuan edhe njohjen e statusit të republikës, barazinë e përdorimit të gjuhës shqipe me atë serbokroate, hapjen e Universitetit të Kosovës, etj. Demonstratat ishin shuar me gjak nga forcat policore. Por, pas tyre, udhëheqja jugosllave u detyrua ti plotësonte disa nga kërkesat, si lejimin e përdorimit të flamurit kombëtar, barazinë e gjuhëve, hapjen e universitetit, por kërkesat për republikë nuk ishin pranuar, veç se, si satisfakcion , ishte sforcua statusi i autonomisë dhe, nga një “obllast” , Kosova u shndërruar në një Krahinë Autonome dhe u bë element konstituiv i federatës.
Kosova kishte fituar “autonomin”, por, megjithatë, ajo kishte mbetur një koloni e thjeshtë e Serbisë dhe e republikave të tjera, kurse pozita e shqiptarëve në republikat e tjera pothuajse nuk ndryshoi fare. Mbi popullin tonë edhe më tej vazhdonte shtypja dhe shfrytëzimi i egër kapitalist e kolonial.
Populli shqiptarë në Jugosllavi dhe rinia e tij heroike, nuk ishin pajtuar dhe nuk pajtoheshin kurrë me një pozitë dhe trajtim të tillë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare . Prandaj, ai asnjëherë nuk e pushoi luftën e tij për të drejta e liri. Kjo ishte edhe arsyeja që populli i ynë, i bashkuar si një trup i vetëm, gjatë pranverës ‘81, kishte vërshuar rrugëve të qyteteve e fshatrave të Kosovës, duke brohoritur : “Kosova është jona”, “Trepça është jona”, “Kosova- kosovarëve”, “Mjaftë me shtypje e shfrytëzim”, “Kosova- Republikë”, “Republikë, Republikë” etj. Me këto parulla në gojë populli ishte përleshur heroikisht me kordonët e policës serb, u përleshën me ushtrinë fashiste të Jugosllavisë e me tanket e tyre.

Pamje nga demonstrata në Gjenevë, më 30 maj 1981.

Kërkesa e popullit shqiptar në Jugosllavi për vetëvendosje e republikë, ishte e drejtë dhe krejt e ligjshme shkruante autori i shkrimit. Për këtë të drejtë populli kishte luftuar shekuj me radhë, për të luftonte pa marrë parasysh asnjë sakrificë, deri në realizimin e saj të plotë, deri sa ai të bëhej zot i tokave dhe i fatit të tij .
Kosova dhe tokat e tjera shqiptare në Jugosllavi ishin të atyre që jetonin në to, dhe vetëm ata kishin të drejtë të vendoseshin për fatin e tyre.
4.3. Tradhtarët, petkun e ndërronin por veset jo
Autori Jusuf Gërvalla, në tekstin “Tradhtarët e vjetër dhe tradhtarët e rinj”, në mes tjerash shkruante “çdo pushtues, për të bërë zap popullsinë e pushtuar, rekruton në organet e pushtetit të vet një numër vendësish, të cilët bëhen përgjegjës të politikës, të ideologjisë dhe të urdhrave të atij pushteti .
Nga viti 1912, kur tokat shqiptare në Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit, në Maqedoni, Mal të Zi si dhe ato në Serbinë e sotme iu shkëputën padrejtësisht trungut shqiptar dhe hynë nën zgjedhën e egër serbo-malazeze, në shërbim të pushtetit të huaj hynë edhe njerëz nga radhët e popullsisë vendëse shqiptare, që nga “poverenikët” më të thjeshtë e deri te deputetet në parlament. Në kohën e Jugosllavisë së vjetër kishte ndodhur që populli shqiptar, duke u nisur nga të drejtat formale që garantonte kushtetuta e atëhershme, bënte edhe përpjekje për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në organet e pushtetit (rasti i Zef Lush Markut, Lufta e Baranit e 1937-së) dhe, për ta realizuar këtë të drejtë, ishte përgjakur sa e sa herë me pushtetin shovinist.
Ndërkaq, në Jugosllavinë e Titosë, pushteti e kishte kursyer popullin : ai ishte kujdesur vetë për njerëzit që do të zgjidhen në organet shtetërore. “Poverenikët” dhe deputetet shqiptar në “parlamentin” titist i gjenim në një pozitë më të mirë se ata në Jugosllavinë mbretërore: këta s’kishin nevojë as të luanin veshin për të bërë çka do për popullin në mënyrë që të fitonin simpatinë e tij. Mjafton që tu përgjigjeshin kërkesave të pushtuesit dhe e kishin të siguruar kolltukun e butë. Vullneti i popullit përjashtohej fare , sepse, në vende udhëheqëse (qoftë edhe për një drejtor të thjeshtë), funksionaret nuk zgjidheshin por emëroheshin nga forumet e larta lokale dhe qendrore. Pasi ti kishin zgjedhur për qejfi, pushteti i quante këta njerëz- përfaqësues, sipas praktikës së atëhershme, ishte e nevojshme të japësh provime të shumta të gatishmërisë për të bërë politikë antishqiptare, ani pastaj të të emëronin pushtetarët në ndonjë organ lokal apo qendror.
S’kishte tjetër emër për këta sahanlëpirës që i shërbenin me besnikërinë e robit, jo populli, nga gjiri i të cilit kishin dalë, po regjimit të egër antipopullor e antishqiptar, te i cili ishin shitur badihava. Ata ishin bërë thjeshtë një vegël e verbër në realizimin e politikës shoviniste dhe të gjenocidit mbi shqiptaret .
Me pajtimin e plotë të këtyre tradhtarëve u masakruan, më 1945, popullsia shqiptare në Drenicë e Gjilan, në Tetovë e gjetkë. Me heshtjen e tyre aprovuese u likuiduan dhjeta mija partizanë shqiptarë në Tivarë, në Srem e Slloveni, ku kishin vajtur për tu dal në ndihmë popujve fqinjë jugosllavë në dëbimin e çizmes fashiste. “Poverenikët” dhe funksionarët titistë ishin kokë e këmbë të pranishëm kur u shkel me të dy këmbët vullneti i popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, i shprehur në Rezolutën e Konferencës së Bujanit, më 1943, e cila shqiptarëve u garantonte të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje dhe bashkimin me vendin amë, Shqipërinë , e që ishte aspiratë e natyrshme shekullore e popullit tonë të martirizuar.
Në vend që të viheshin me guxim në ballë të popullit tonë të shkretë e të dërmuar luftërash, masakrimesh e skamjeje, ti prinin atij në rrugën e mëtejshme të çlirimit kombëtar dhe klasor (kur Jugosllavia shkeli të drejtën e premtuar , për të cilat populli i ynë pat derdhur pa kursim gjakun e bijve tanë më të mirë), tradhtarët me shokë, parapëlqyen qyqarin dhe pajtimin në heshtje me të gjitha të zezat që kishin përgatitur për shqiptaret klika titiste. Ata ishin këtu edhe kur zbriten dhe shkelën për më se 20 vjet flamuri shqiptar. Ata nuk paraqitën kundërshtimin më të vogël as më 1947, kur u zbrazën drithnikët e Kosovës dhe populli i uritur u detyrua të ushqehej me barishte, se kopallat dhe demagogjitë e pushtetarëve nuk jepnin bukë. Për më tepër , kur dihej se njerëzit tanë u ndodheshin në krye të detyrës për realizimin e aksionit famëkeq të armëve, më 1956, kur populli shqiptar u masakrua, kur dinjiteti i popullit u kërcënua të ulej deri në baltë nga zullumet e gjakpirësve titistë- rankoviqistë. Qyqarin e tyre nuk e preku as vajtimi i djepave shqiptare, as loti i nënave, as malli i burrave shqiptarë, që u dëbuan nga vatrat stërgjyshore dhe morën në sy shkretëtirat e Anadollit. Tradhtarët ishin gjithnjë këtu, të pranishëm kudo, dhe bënin jetën e tyre të rehatshme në kushtet e “vëllazërim- bashkimit” të xhelatit me viktimën. Dhe për këtë merrnin shpërblim racionin e turpshëm prej sahanlëpirësish: së pari në triska të majme për ushqim e veshmbathje, pastaj në shtëpi të mëdha e apartamente, e më vonë në vila e vetura. Kur krimet individuale e masive të ushtruara nga klika titiste mbi popullin shqiptarë, si prekën dot pushtetarët shqiptarë, marrëzia më e madhe ishte kur prej tyre u prite që të prekeshin nga pabarazitë ekonomike, shoqërore e kulturore nën regjimin titist. Natyrisht, ata assesi nuk përkrahnin interesat dhe kërkesat e popullit se ishte më me rëndësi fotelia se sa interesi mbar shqiptar . Dhe, kur të mos iu mjaftojnë milicia dhe ushtria e stacionuar në tokat shqiptare të robëruara, ata shkonin aq larg sa mund të thërrisnin edhe milicinë dhe ushtrinë e Beogradit. E dinin se, për të bërë zap shqiptarët, Beogradi nuk kursente ushtrinë e as milicin, tanket e as avionët, helikopterët e as municionin.
Kjo gjë ç’ishte e vërteta, dihej mirëfilli. Ishte parë në ngjarjet e 1945-së e në ato të të 1968-së. U pa edhe në tragjedinë më të re të Kosovës, në mars e prill- 1981-it.
Por ishte e panjohur një gjë tjetër. Me gjithë besnikërinë e tyre të pashoq ndaj Beogradit thoshte autori i shkrimit ”tradhtarët shqiptarë… a e meritonin atë që Beogradi ti nxirrte në rrugën e madhe? Dyzet vjet lufte antishqiptare Beogradi nuk iu siguroi as një pension të rehatshëm, thoshte autori i shkrimit, në gazetën “Liria”.
Shqiptari liridashës gjithmonë e kishte urryer regjimin antipopullor jugosllav, i cili mbante nën thundrën e vet të përgjakshme edhe popujt e tjerë të këtij mozaiku artificial, por që dëmtonte veçanërisht shqiptarin. Po kjo urrejtje kishte dal haptazi dhe ishte bërë mur i pa kapërcyeshëm për pushtuesin dhe tradhtarët e vendit . Në ngjarjet e marsit e të prillit, populli i ynë kishte thënë njëherë dhe përfundimisht: jo! Kjo i kishte kushtua me gjak. Ndërmjet shqiptarëve dhe qeverisë së Beogradit kishte hyrë gjaku i bijve të shtrenjtë të popullit tonë. Dhe ky gjak ishte ai që i fshinte të gjitha perspektivat e kthimit në gjendjen e mëparshme. Beogradi kërcënohej haptazi me gjakderdhje të reja. Por, si bënte dobi. “Zemra e jonë ka gjak sa gurra!” thoshin të rinjtë. Dhe mbi gjakun e derdhur forcoheshin edhe më shumë themelet e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve të robëruar. Ndjenja e fuqishme e lirisë e kishte bashkuar popullin trim si një trup të vetëm. Me tanket e aeroplanët , me helikopterët e mitralozat, me ushtrinë e milicinë speciale, Beogradi s’bëri gjë tjetër po që dogji etapat e luftës të pashmangshme dhe na ndihmoi shumë në afrimin sa më të shpejtë kah dita e fitores së sigurt.
E dinte mirë Beogradi se nuk gjendej dot ilaç për ta shëruar te populli kujtimin e vrasjeve e të plagosjeve, as akullin e burgjeve. Andaj, përsëri do të kthehemi te tradhtarët e popullit, dhe se populli edhe për ta po përgatiste, atë që po i përgatite okupuesit dhe nuk do ti harronte kurrë, dhe do të ngeleshin të njollosur nga vet populli liridashës.
Si në çdo numër të mëparshëm, edhe në këtë numër të revistës jepeshin disa të dhëna për fjalimet e Enver Hoxhës që i kishte dhënë në diskutime dhe në libra të ndryshëm për Kosovën. Në shkrimin “Jugosllavët të vrasin natën e të qajnë ditën”, autori e përshkruan situatën e Konferencës së Parë të Vendit ku marrin pjesë jugosllavët : Bllazho Jovanoviqi dhe Milladin Popoviqi dhe në pika të shkurtra paraqite se si i prezantonte vet Enver Hoxha: “Midis të tjerash, në mendje më ka mbetur edhe një moment tjetër gjatë Konferencës që tregon më së miri se kush qe Milladin Popoviqi. Në përshëndetjen e tij Bllazho Jovanoviqi, pasi vlerësoi punën dhe veprimtarin e partisë sonë Komuniste, foli edhe për Milladinin dhe Dushan Mugoshën dhe në njëfarë mënyre bëri aluzion se këta ishin “krijuesit” e Partisë sonë. Milladini, si internacionalist që ishte , duke qenë kundër pikëpamjeve të tilla, në ndërhyrjen e tij theksoi: Askujt nuk duhet ti shkojë ndër mend se Partinë Komuniste të Shqipërisë e kemi krijuar ne dy të dërguar të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Jo, e vërteta është se Partinë Komuniste të Shqipërisë e krijuat vetë ju, komunistet shqiptarë dhe, nëse duhet folur për rolin tim, ose të çdokujt tjetër nga jashtë ky rol s’është gjë tjetër veçse ajo që në marrëdhëniet midis partive motra quhet ndihmë e përkrahje internacionaliste, vëllazërore. Partinë tuaj Komuniste ju do ta krijonit siç e krijuat, edhe sikur të mos vinim ne këtu .
I tillë qe Milladin Popoviqi, prandaj ne e nderonim dhe e respektonim atë për cilësitë e tij të larta dhe për mirëkuptimin që arrinim, kur bisedonim për njërin apo për tjetrin problem. Siç thashë, në ato vite, ne qemë njohur edhe me Dushan Mugoshën dhe në prag e gjatë punimeve të Konferencës, edhe me Bllazho Jovanoviqin. Dushani qëndroi në Shqipëri pothuaj deri në prag të çlirimit, por nuk i afrohej Milladinit as nga kapaciteti, as nga kultura, as nga bonsensi e thellësia e mendimit dhe as nga karakteri. Milladini ishte i çiltër , i dashur me shokë, i rreptë me armiqtë, njeri me kulturë dhe me horizont të gjerë, komunist nga zemra dhe botëkuptimi, kurse Dushani, pa ia mohuar që ishte trim e punëtor, ishte i ngushtë, sektar, i përciptë, i nxituar dhe që me intrigat e tij, ç’orientoi e dëmtoi shumë organizata e kuadro. Por, fytyrën e tij të ndyrë prej shovinisti e titisti, të një agjenti të ultë të Rankoviqit e armiku të përbetuar kundër shqiptarëve të Kosovës, ai e tregoi më mirë kur Partia Bolshevike e Stalini i madh dhe pas saj, Partia e jonë demaskuan klikën trockiste të Titos .
Gjatë ditëve që ishte në Shqipëri, siç thashë, ne njohëm edhe Bllazho Jovanoviqin. Në një bisedë që patëm me të ky “shfaqi mendimin” se në ndonjë rast Partia jonë kishte rënë në “sektarizëm”… Ne ia kundërshtuam me forcë Bllazho Jovanoviqit thëniet e tij, argumentuam se si qëndronte e vërteta mbi të ashtuquajturat çeta të partisë dhe u duk se ky ra dakord me ne. Më pas, mbaj mend që as unë,as Miladini nuk patëm me të ndonjë fërkim a mosmarrëveshje, ai qëndroi brenda funksioneve të tij, bile megjithëse ishte anëtar i KQ të PKJ-së. Ai dëgjonte me vëmendje bisedat, argumentet, raportimet etj. Të Miladinit se e shihte që ky e njihte mirë gjendjen e Partisë e të luftës në Shqipëri dhe, siç thashë, në përshëndetjen që i bëri Konferencës së Parë të Vendit , vlerësoi lartë realizimet që ishin arritur nga Partia e jonë e re, si në ngritjen e forcimin e saj, ashtu dhe në zhvillimin e luftës antifashiste të popullit shqiptar.  (VIJON…)

***
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (7)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3995

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura