PROF.DR.HAKIF BAJRAMI: 100 VJET NGA TRAKTATI I FSHEHTË I LONDRËS (26 PRILL 1915 – 26 PRILL 2015) (1)

Prishtinë, 26. 04. 2015 – Institucionet serbe dhe jugosllave kanë publikuar deri me tash afro 200 tituj dokumentesh lidhur me Luftën e Parë Botërore. Dokumentet janë botuar në mënyrë selektive, duke shfaqur dhe përshkruar vetëm “vuajtjet dhe pësimet e ushtrisë dhe popullit të tyre”. Në dokumente dhe “analiza“ nga kujtimet e shumta të oficerëve dhe ushtarëve, dominon një vajtim emocional për “golgotën” që ua solli ushtria Austro-Hungareze dhe Gjermane gjatë viteve 1914-1918. Çudi. Askund këta “bijë“ të shën Savës që vet ia nxorën sytë (Rastkos) dhe pastaj e konvertuan në të “shenjët”, nuk i përshkruajnë MIZORITË që i bënë ndaj shqiptarëve duar thatë në Kosovë, në Lumë, në Dibër dhe në Shqipërinë e Mesme, ku i vranë edhe barinjët, për t`ua grabitë bagëtinë për ushqim. Kjo akuzë del nga vet dokumentacioni i tyre. Si duket serbët, nga historia nuk kanë mësuar asgjë ende. Po e them këtë sepse për çdo ditë mjetet e informimit (2015), po lajmërojnë se trupa të pajetë të shqiptarëve po gjenden në varreza masive nëpër Serbi. Po, po, oficerët serb më 1998/99 kanë bartë kufoma të shqiptarëve nga Kosova dhe i kanë maskuar, atje nëpër Serbi për të humbur gjurmë. Dhe, prapë kërcënohen. Pse, sepse i ka lavdëruar Evropa Plakë. Ah, AT Fishtë, mos t`u harroftë emri kurrë.

Menjëherë pas Kongresit të Berlini (1878), më 1879 do të lidhet aleanca në mes Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. Në vijim, më 1882 do lidhet aleanca në mes Gjermanisë dhe Italisë. Kurse më 1897 do të pasojë aleanca në mes Italisë dhe Austro-Hungarisë. Kjo aleancë: Gjermani-Austro-Hungari-Itali, do të dëshmoi një politikë të diktatit ekonomik me konotacion agresiv në rrafshin ushtarak ndaj fuqive tjera evropiane. Sipas dokumenteve sekrete, qëllimi i kësaj aleance ishte që të dominojë ekonomikisht dhe ushtarakisht në Mesëdhe, me orientim të fundit që imperializmi rus, anglez dhe francez të dytësohen në rrafshin gjeostrategjik për përqëndrim në Lindjen e Afërt. E vërteta, apetitet e këtij blloku nuk pushonin sa për t`u “rrezitur të lirë në ujërat e Mesdheut”. Orekset e mëtejme të këtij blloku politik dhe ushtark ishin për t`u shtrirë deri në Jug të Afrikës, dhe në Lindje deri te kufijtë e Iranit. Ish perandoria Osmane sipas gjeostartegjisë së këtij pakti duhej të shkonte në “muzeun e ish Perandorisë bizantine”. Duhej të harrohej de fakto. Me fjalë të tjera ky pakt ishte fare i tejdukshëm se ishte krijuar për të zbatuar politikë agresive imperialiste. (Hakif Bajrami, Kosova njëzetë shekuj në luftë për liri, Prishtinë 2001; Programi kombëtar politik i shqiptarëve, Prishtinë, 2002, f. 22).

Si reaksion, jo për dashuri, por për t`i ruajtur pozicionet koloniale do të krijohet aleanca e quajtur në histori Antantë. Së pari do të lidhet aleanca Francë-Rusi më 1893. Pastaj do të lidhet aleanca Francë-Angli me 1904. Në vijim do të lidhet aleanca Angli-Rusi më 1907. Kështu Evropa do të diferencohet në dy blloqe kundërshtare që me të gjita mjetet do ta luftojnë njëra tjetrën, kuptohet për përfitime territoriale strategjike koloniale. (H. Bajrami, Lufta e parë botërore dhe pasojat 1914-1918, dorëshkrim).
Ky polarizim do t’i ketë dy etapa. Etapa e parë e polarizimit ishte deri në përfundimin e Luftës së Parë ballkanike, ku këto fuqi kishin realitivisht një synim që lirishtë mund të quhet Kryqzata më e suksesëshme në histori, sepse së bashku me eksponentët ballkanik do ta largojnë Pernadorin e “baba dovletit” nga Ballkani. Etapa e dytë do të vijëzohet nga viti 1914-1918, që do të mbyllet me humbje të luftës më të egër deri në atë kohë në histori, me humbje totale të Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Kjo luftë do të mbyllet në “Paqën e Versajit“ më 1919, pikërisht në atë pallat ku Bizmarku më 1871 e kishte shpallë bashkimin e Gjermanisë. Kohët ndryshojnë. (Arkivi i Francës, Paqa e Versajit, dokumente të aktiviteteve ditore në Versaj 1918-1919, fotokopje, 1-586; Paqa e Versajit dhe Shqiptarët, shtatë vllime në serbishte, frengjishte dhe anglishte, të lidhura si skripta).
Me 2 gusht 1914 Italia e shpallë neutralitetin në luftë
Sipas dokumenteve, Aleancën Berlinë-Wjenë-Romë do ta prish Italia më 2 gusht 1914 duke shpallë neutralitet, kohë kjo kur Lufta e Parë botërore po i merrte kornizat vendimtare. Aleanca e Dytë Paris-Londër-Peterburg do të luhatet në fillim të vitit 1916, por do të prishet defintivisht në tetor 1917, kohë kjo kur në Rusinë cariste shpërthen lufta qytetare me që rast rrëzohet monarkia dhe vjen në pushtet e majta republikane, madje e një pushteti komunist të paparë deri atëherë në Evropë, pas Komunës së Parist (1789). Lidhur me këtë, në këtë studim kemi për qëllim të sheshzojmë se në politikë nuk ka miqësi dhe dashuri, nuk ka “BESË” dhe burrëri në mes fuqive cilado qoftë. Në politikë ka vetëm INTERES. Të mjerët popujtë e vegjël nëse u nënshtrohen ndrydhjeve të këtyre interesave bllokiste të alenacave. Shkurt, fati i popujve të vegjël po nuk u organizuan dhe ndërgjegjësuan ishte dhe mbetet sa një bujshkë. (Po aty, Raportet në Paqen e Versajit me analizat politike të pjesëmarrësve 1918-1919).
Nikolla Pashiqi e vizaton hartën e Jugosllavisë qysh më 1914
Mbretëria e Serbisë ishte bërë e njohur si shoqëri e militarizuar me plotë organizata terroriste, që mbaheshin si “partiotike”. Ky militarizim i kishte dy etapa. Etapa e parë fillon më 1882 dhe mbaron më 1903, kur me grushtshtet-atetntat ndryshohet Dinastia e obrenoviqëve. Kjo etapë karakterizohet me mardhënie të shkëlqyera të Austro-Hungarisë me Serbinë. E vërteta, këto dy shtete më 28. VI. 1881, do të lidhin Marrëveshje sekrete për 20 vjetë në mënyrë që Austro-Hungaria mos ta pengojë ekspanzionin e Serbisë në Jug kah Kosova në drejtim të Selanikut dhe Durrësit. Ndërsa Serbia mos ta pengojë Wjenën në aneksimin e Bosnjes dhe Hercegovinës. Kundër këtij projekti nuk ishte i entuziazmuar Mali i Zi, por idenë e pansllavizimit e deshironte, duke mos e ditur se do ta humbas dinastinë dhe shtetin kral Nikolla. (Shiqo: Konventa sekrete, fotip në: H.Bajrami, Si e okupi Serbia Kosovën,1., Prishtinë,2003, f.28 në origjinal dhe të përkthyer – po aty).
Më 1903 Mbretëria e Serbisë do të ndryshojë kursin politik me Dinastinë e re të Karagjorgjeviqëve, duke u orientuar politikisht kah Rusia cariste dhe Franca republikane, politikë kjo që automatikisht e inkudronte si shtet piemont për bashkimin e sllavëve të Ballkanit nën tutelën e Antantës (Rusi, Francë, Angli). Duke notuar kështu me mjaftë sukses, sidomos kah jugu 1908-1912 me moton: “në luftë për jetë a vdekje për ta përzënë Perandronë Osmane nga Evropa”, Serbia do të përkrahet në qendrat e gjashtë Fuqive evropiane si prijetare e një kryqzate më të sukseshme në histori. Kjo histori tragjike, sidomos për shqiptarët, do të bëhet realitet duke i dërguar Fuqitë evropiane 620 oficerë të lartë në shërbim të ushtrisë së Mbretërisë serbe, për ta luftuar “turkun dhe arrnautin e islamizuar”. (shiqo: Notesi i Nikolla Pashiqit, kur Austro-Hungaria e aneksoi Bosnjen dhe Hercegovinën 1908-1912).
Etapa e dytë politike e ekspanzionit serb, metastatzon nga viti 1903 e deri më 1914. Në Këtë kohë Serbia “evropiane” do të mbushet me organizata terroriste si: “Mlada Bosna”, “Ujedinjenje ili smrt” (1911) e të tjra. Pas tyre vinin “Bella Ruka”, “Crna ruka”, Narodna Odbrana”, organizata këto që nuk kanë datë të fillimit organizativ, sepse vepronin në konspiracion të thellë. Lidhur me këtë, duke u vrarë shpesh edhe në mes veti, datat e themlimit mbeteshin pa identitet. Në këto rreshtime terroriste , grupore dhe individuale, sidomos në Bosnje do të shquhet “Mlada Bosna” e cila më 28. VI. 1914 në shenjë “patriotizmi” do të bëjë atentat në Franc Ferdinantin, vrasje kjo që e shpie Serbinë në luftë të hapur ushtarke me Wjenën dhe Gjermaninë (1914-1918). E vërteta – më 31 mars 1909 Wjena dhe Beogradi kishin një marrëveshje për luftimin e organizatave terroriste, të cilat në B dhe H. kishin shënuar disa ndërmarrje terroriste, të cilat Wjena nuk mund t`i duronte. Prandaj atentati i 28. VI. 1914 nuk ishte i pari në territorin e Monarkisë dualiste. (Dokumenti: O spolnoj politici Serbije, K.VII, sv. 2. Beograd 1980).
Ultimatumi i Wjenës pas atentatit në Sarajevë
Më 12 korrik 1914 (pas një note të A. Hungarisë më 23. VI. 1914) Qeveria e Serbisë publikoi një manifest për të mbjellë mjegulla politike në radhët e Fuqive të Mëdha evropiane, nga i cili disa u ngazllyen e disa u dëshpëruan. Lidhur me këtë, edhe pse Manifesti i drejtohej popullit serb, dinakëria e Pashiqit shkoi deri aty për t`i përfituar kundërshtarët e brendshëm në një anë dhe për ta forcuar Aleancën balkanike të Sllavëve të Jugut në anën tjetër, si të “rrezikuar për vdekje”. Manifesti kishte për qëllim sigurimin ushtrak, politik dhe diplomatik, gjithnjë në favor të idesë panësllave si epidemi, që gjeneronte në fillim të shekullt XX kudo në Evropë, e servuar nga Rusia, si “pengesë natyrale për depërtimin e kapitalit gjerman në Lindje”. Lidhur me këtë, ideja e paraqitjes për bashkimin e sllavëve të jugut në Manifestin e Serbisë në prag të Luftës botërore, rrënjët i kishte pikërisht në Luftën e Parë ballkanike më 1912. Me këtë kornizim mbaron parafaza e kësaj politike makiaveliste e Nikolla Pashiqit, për t`ia lëshuar rrugën fazës tjetër për t`i joshë Kroatët dhe Sllovenët për pajtim në formimin e shtetit të përbashkët, që do të quhet Jugosllavi. (shiqo: Deklarata e Nishit më 7. XII. 1914, “Srpske Novine” nr.282, Nish, 8. XII. 1914).
Si vajti shpallja zyrtare e luftës në mes Serbisë dhe Austro-Hungarisë, më 28 korrik 1914?
Më 28 korrik 1914 Wjena zyrtare i shpallë luftë Serbisë, për ta bërë edhe më të fuqishme shpalljen, Franjo Josipi më 29 korrik 1914. Kështu luftën e bënë obligim për çdo qyetarë të monarkisë dyaliste. E vërteta, nga “Naçertania“ 1844 e Ilija Garashaninit, Serbia aspironte në variantin e zgjërimit lindor, duke e përfshirë në rend të parë Bullgarinë, pra kishte rezerva në sllavët e ritit katolik, në perëndim. Natyrisht duke mos i lënë edhe ata pa ndikimin e Beogradit dhe Vaselenës së Stambollit. Në fakt pas marrëveshjes së Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë në Berlin, më 5-6 korrik 1914 që këto me të gjitha mjetet ta sulmojnë Mbretërinë e Serbisë, kjo e fundit (Serbia) do të kthehet kah Sllavët e Ballkanit Perendimor, duke kërkuar hapur dhe në shkallë institucionale bashkimin e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve në një shtet që do të quhet Jugosllavi. E vërteta kjo ide dihet e nuk dihet a erdhi nga Lindja si çështje panësllaviste, apo erdhi nga Perendimi si çështje “civilizuese” me prapavi “piemontiste”. (shiqo: Ferdo Shshiq, Dokumenti o stavranju Jugosllvije, Beograd, dorshkrim në ish DASIP. B. f. 29; B. Petranoviq, Jugoslavija, 1918-19188, Beograd 1988, f. 30).
Duke e vërejtur se qeveria e Nikolla Pashiqit po bënte salto diplomatike nëpër kryeqendrat e Fuqive të Antantës, më 23 korrik 1914 Wjena do t`i dërgojë ultimatum Beogradit se “ideja për atentat në Sarajevë ka ardhur nga Serbia”. Me që kushtet e hetimit të krimit në Sarajevë, madje edhe në Serbi, Serbia nuk do t`i pranojë. Operacionet luftarake do të fillojnë më 12 gusht 1914. Armata e V-të e Austro-Hungarisë për një kohë të shkurtër do ta detyrojë Armatën e III-të të Serbisë në tërhiekje serioze nga popzitat që i kishte në fillim. Lidhur me këtë Wjena do ta sulmojë me tërë Korpusin 16-të nga Armata e VI-të më 15 gusht edhe Malin e Zi. Pas pesë ditësh luftimesh frontale ushtria Wieneze në frontin me Serbinë do të zbrapset seriozisht në Betejën e Cerit (20 gusht). Me këtë fitore qeveria e N. Pashiqit do të trimërohet dhe në frontin malazez do të dërgojë për ta komanduar luftën, gjenralin e njohur për krime në Kosovë më 1912 Bozhidar Jankoviqin. Ky oficer i karierës do të emërohet në Kryeshef të Shtabit të ushtrisë malazeze. Në këtë riorganizim gjenrali i “krimeve” si e quanin gazetarët Jankoviqin (më 1912), do të arrijë disa përparime, sidomos në Plevle. Por, ky “riorganizim” ushtark në Mal të Zi nuk do të pritet me entuziazëm, sepse me Deklaratën e Nishit (7. XII. 1914) Qeveria e Serbisë do ta shpalosë rreshtimin e saj për bashkim të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Në këtë dokument, çështja malazeze mjegullohej dhe injorohej, apo konsiderohej si çështje serbe. E vërteta – Mbreti Nikolla Petroviq i Malit të Zi si dhe qeveia e tij kishin apetite që të zgjërohen në trevat e Hercegovinës, deri te Sarajeva. Madje aspironin që ta aneksojnë Splitin me rrethinë. Me këto ide imperiale synohej në anën tjetër që Shkodra të ngritet në kryeqytet të Mbretërisë së Kral Nikollës (Malit Zi). Në anën tjetër Mbrtetëria e Serbisë ishte trimëruar me disa marrëveshje si ajo: Konkordati me Vatikanin më 24 VI 1914; me Esat Pashën më 17 nëntor 1914; me Deklaratën e Nishit më 7 XII 1914, me të cilën Kroatët dhe Sllovenët, çarqet politike nën Austro-Hungarinë kishin shprehë pajtim të plotë. Sidomos ideja e Jugosllavisë integrale ishte përkrahë në diasporën e fuqishme sllave npër Evropë dhe Amarikë. (Shiqo: B. Petranoviq, Jugosllavija 1918… Beograd 1988, f. 30-45).
Në janar 1915 qeveria e Malit të Zi (L. Mijushkoviq) së bashku me Mbretin Nikolla Petroviq do të arratisen nga vendi për mos me u kthyer më kurrë, por duke e humbur edhe shtetësinë e Malit të Zi. (shiqi: Korespodenca e ambasadorit rus në Beograd me kryetarin e qeverisë ruse Sazanovin, 13-30 janar 1915).
Përkundër katastrofës ushtarake, Qeveria e mbretërisë serbe do të mbetet në saje të francezëve në lojën e madhe të “pokerit” të Antantës deri në janar 1916, po edhe më tutje si shtet që zhvillon luftë të drejtë për qëllimet politike të Francezëve dhe Anglezëve. Lidhur me këtë, me Marrëveshjen e fshehtë të Londrës, më 26 prill 1915 Anglia, Franca dhe Rusia do ta shpërblejnë Italinë me teritore në bregdetin Lindor të Adriatikut, me çka Serbia nuk do të mbetet e entuziazmuar, por do të detyrohet t`i pranoi kushtet e lojës diplomatiko – politike dhe fuqinë e muskujve ushtark. Shqiptarët në këto rrethana do të gëzohen për humbjet katastrofale të Serbisë dhe Malit të Zi, si armike të mikut të tyre Austro-Hungarisë. (shiko: Dokumenti o postanku Jugosllovenskog blloka i ideje 1915-1917, në AVIIB. P. 17. K.1-8).

Italia në fillim të Luftës P. Botërore ishte në Paktin tripalësh (Wjenë-Berlin-Romë), por në saje të pazareve sekrete që filluan edhe para se të fillonte lufta, Antanta i ofroi pozicion neutral me barasvlerë që do t`i dhurohen: Vlora, Trieshta dhe Trentono. Me këtë vlerë, qeveria italiane më 2 gusht 1914 do ta shpallë për fillim neutralitetin në luftë e pastaj do të ngjitet në “qerren” e Atnatës. Lidhur me këtë, sipas dokumenteve sekrete qysh në mars 1915 Italia kishte hy në bisedime n`anën tjetër me Austro Hungarinë duke kërkuar ZGJERIM në Bregdetin lindor të Adriatikut. Pikërishtë më 5 mars 1915 përmes kanaleve diplomatike nga Roma do të dërgohen në Londër KUSHTET me të cilat Italia do të anëtarësohet në aleancë me Rusinë, Francën dhe Anglinë. Me kushtet e shtruara në fillim do të kundërshtohet nga Rusia (që kishte toka sa të dojë, por jo koloni jashtë kufijëve të saj gjithëashtu kolonial). Franca në bisedimet e para nuk ishte e entuziazmuar që Italisë t`i jipeshin shpërblime aq të vlefshme për apetitet e saj në Adriatikun Lindor, sepse nuk donte dominim në Mesdhe. E vërteta – Franca dhe Anglia e kundërshtonin çdo dominim të Italisë në Dardanele dhe Bosfor. Toleranca që kishte Rusia në këto pazare mosntruoze ishte e kushtëzuar, orientimi italian për bisedime të mëtejme të tipit të pazareve me Austro Hungarinë. Për Rusinë Italia nuk ishte një aleat i sigurt. Por, me Marrëveshjen e 26 prillit 1915 Italisë iu plotësuan të gjitha kërkesat, madje doli pazar më profitabil se sa që e kishte menduar Roma zyrtare. Pas kësaj Marrëveshje sekrete, Italia më 4 maj 1915 shpalli daljen nga Pakti me Wjenën dhe Berlinin. Ndërsa më 24 maj 1915 Italia de jure i shpallë luftë Austro-Hungarisë. Kështu, Marrëveshja me Antantën i shkatrroi marrëdhëniet e Italisë me Serbinë, diplomacia e së cilës informohej nga Rusia për çdo imtësi të kufijëve në Ballkan. Këto pozicione do ta ngadalësojnë shkatërrimin e Serbisë, të paktën deri në fillim të vitit 1916. (Shiqo: Ferdo Shishiq, Dokumneti o stvaranju Jugosllavije, gjerësisht; B. Petreanoviq, Jugosllvija 1918-..f. 56-57).
Në arkiva ka mbetë telegrami historik i Franjo Supillos për qëndrimin e tij në Petrograd gjatë shkurtit, marsit dhe prillit 1915, për ta bindë diplomacinë ruse që ta prkrahë Bashkimin e sllavëve të jugut në një shtet. Orientimin e vet F. Supillo e mbështeste në faktin se krijimi i Jugosllavisë do ta pengonte EKSPAMNZIONIN gjerman në Lindje. Por, Franjo Supillo në Petrograd do të mësojë se Rusia mendon në ZGJERIM të Serbisë e jo në bashkim të sllavëve të jugut në një shtet që do të quhej Jugosllavi. Lidhur me këtë, përfaqsuesi i Serbisë në Petrograd e njohtonte Sazanovin se Nikolla Pashiqi qysh më 6 prill 1915 në Londër po bënte pazare për ndarjen e tokave jugosllve në favor të Italisë. Ne e kundërshtojmë planin rus, do të shpërthej N. Pashiqi në Londër, por rusët asesi të zbuten, sepse nuk dëshironin të ndryshojnë kurs me atë që e kishin me Mbretërinë e Serbisë. Ma në fund Petrogradi do të japi sinjale pozitive me kusht që emri Serbi të fshihet (asgjasohet), duke e zavedësuar me termin Jugosllavi, por dinastia e karagjorgjeviqëve të “konvertohet”. Edhe më qartë, më 9 prill 1915 përfaqsuesi i Serbisë në Petrograd, Spallajkoviq e informonte Sazanovin: “Kam kuptuar se po zhvillohen bisedime diplomatike, nga fillimi i luftës në lidhje me qëndrimin e Italisë që ka të bëjë me rregullimin e ardhmërisë së rregullimit në Evropë. Bisedimet po marrin formën përfundimtare. Tani po mbahen bisedime lidhur me shpërblimin e Italisë për neutralitetin e saj ose për pozicionimin kundër Austrisë dhe Gjermanisë, gjithnjë në llogari të tokave që i aspirojnë Serbët, Kroatët dhe Sllovenët. Qeveria e Serbisë konsideron detyrë të saj që ta përcjellë çdo marrëveshje të Treshës (Rusi, Francë, Angli). Pastaj Beogradi do të reflektoi. Spallajkoviq do të vazhdoi, Marrëveshja e Treshës e ka filluar këtë luftë, ashtu si shpesh e ka potencuar për çlirimin e popujve nga robëria gjermane me qëllim që të krijoi bazën e fortë për paqe të mëtejshme dhe të gjatë pas kësaj lufte. Ne e kuptojmë se dëshira e Marrëveshjes është që në Evropë të krijohet një gjendje në të cilën do të sigurohen liritë e të gjithë popujve dhe paqa e ardhëshme të mbretrojë me lumturi të brendëshme, përmes rregullimit të përbashkët kulturor. Sipas pikpamjes sonë, ky qëllim nuk mund të arrihet nëse sistemi shoqëror në Evropë bazohet në atë nëse një populli apo një tjetri i jipen territore të huaja si shpërblim për shërbimet e bëra. Nëse Italisë i falen toka të banuara me Serbë, Kroatë dhe Sllovenë do të shkatojnë paknaqësi zingjirore në të gjitha trojet e sllavëve të jugut e pastaj do të kemi luftëra të reja në Ballkan, po edhe në Evropë. Me këto shpërblime do të arrihet e kundërta çka kërkon Marrëveshja e Treshës. Baza italiane në Adriatik është baraspesha. Austria dhe Gjermania kanë punuar posaqërisht në vitet e fundit të krijojnë dominim të tyre në Detin Adriatik, ndërsa shtetet e Marrëveshjes së Treshës nga ana e tyre kanë konsideruar që Deti Adriatik duhet të mbetet hapësirë tregtare botërore, që është det i hapur në shërbim të të gjithëve. Serbët, Kroatët dhe Sllovenët kërkojnë në tërësi t`i largojnë Gjermanët nga Adriatiku, prandaj sllavët e jugut janë armiqë natyror të depërtimit të kapitalit ekspansionist gjerman kah Deti Adriatik. Sllavët e Jugut mund të jenë të besueshëm dhe miqësor me Italinë, vetëm në atë rast, nëse ata pas lufte të fitojnë lirinë në bregdetin e tyre të Adriatikut. Serbët, Kroatët dhe Sllovenët e bashkuar që jetojnë në Serbi, Mal të Zi, Hercegopvinë, Bosnje, Kroaci, Dalmaci, Slloveni, Istër, Korushkë dhe Krainë do të krijojnë për Italinë një mburojë të fortë ndaj presionit Gjerman. Të lidhur miqësisht me Italinë, të gjithë ata popuj së bashku do të munden t`i mbrojnë të gjitha ato çështje që i konsiderojnë të rrezikshme që Gjermanët të depërtojnë në Detin Mesdhe. Nëse një pjesë e kombit tonë do t`i dorëzohet Italisë së bashku me territoret përkatëse, ngjarjet do të zhvillohet në kahje tërësisht tjetër. I lusim shtetet e Marrëveshjes Tripalëshe që mos të lejojnë që provincat jugosllave të shërbejnë si mjet i pazareve në mes shteteve të Marrëveshjes Tripalëshe me Italinë, në dëmë të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, në dëm të Evropës dhe tërë botës. (A. Mandiç, Fragmenti za historiju ujedinenja, Zagreb, 1956).
Po sa u prezentua një dokument diplomatikë politik me “orientime“ për krijimin e Jugosllavisë homogjene dhe për Serbinë integrale, diploamcia ruse ose nuk e dinte ose nuk e kuptonte se në Beograd (Nish) ashtu si mendonte Nikolla Pashiqi (Qeveria e Serbisë e lidhur pas qerres ruse, franceze dhe angleze) ishte shumë mirë i informuar. Si mendonte Nikolla Pashiqi nuk mendonte Kral Petri (Dinastia e lidhur vetëm pas qeres ruse). Por mbretin e smurë dhe shumë të painformuar nuk e konsiderinte Pashiqi si barierë.
Po shqiptarët ku ishin në këto pazare?
Sa i takon parisë politike shqiptare, nëse çështja e ekzistencës së kombit do të varej më 1914-1915 prej tyre, kombi shqiptar sot do të ishte i ndarë copa-copa, në oaza kah i drejtonin bajraktarët shqiptar punëdhënsit e tyre, natyrisht me disa përjashtime si Hasan Prishtina me disa bashkëmendimtarë. Sa i takon qëndrimit të Antantës dhe italisë, fati i trojeve shqiptare ishte vënë në sprovën ma të madhe në histori, të coptohen në mes fqinjëve dhe interesave të tyre. Në këtë kaos, kur trojet shqiptare “qeveriseshin” prej 23 politikanëve- bajraktarë dhe politikanë të zanatit dhe tezgës. Por, në këto mjegulla në qiellin shqiptar do të arrijë një shkendi. Në Stamboll dhe në Sofje më 25 janar 1914 do të lidhet një Konventë ushtarke me destinacion sekret. Konventa i ka 12 nene. Por për fatin e Shqipërisë Etnike është shumë me rëndësi të citohet neni 9 tekstualisht: “Të dyja palët e larta kontraktuese duke ruajtur brenda mundësive parimin etnik, pranojnë të njohin se territoret që ndodhën mbi vijën Ohër, Dibër, Prizren, dhe Prishtinë nuk janë, përderisa janë banuar nga shqiptarë prej feje muslimane, të përfshira në sferat e tyre të veprimit përkatës. Të drejtat e shtetit të pavarur të Shqipërisë mbi këto territore NJIHEN në PARIM”. (Mezhdunarodnie otoshnenija v epohu imperializma, 1878-1917, serija III, tom I, pag.595-596. Cituar sipas Arben Putos, çështja sshqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së Imperializmit, Tiranë 1987, f. 624).
Lidhur me këtë që u tha më lartë shpresëdhënse ishte edhe takimi Berhtold (m. p. j. i Austro-Hungarisë) dhe San Xhulianos mbi fatin e Shqipërisë më 18 prill 1914 në Abaica. Këto Fuqi evropiane (Wjena dhe Roma) do të deklarohen se duhet ruajtur “ekuilibrin në Adriatik”, prandaj princ “Widi duhet të marrë komandën e trupave në mënyrë që të mos lejojë forcimin e tepërt të Esat Pashës”. Si duket këto qendra të fuqisë e kishin izoluar tradhtinë e pashait që herë lakonte në Romë, herë në Selanik, herë në Nish, për të gjatuar kush po e paguan më tepër për shitjen e trojeve arbërore. Bisedimet e këtyre ministave të punëve të jashtëme të Wjenës dhe Romës ishin mbyllë me një ekuilibrim të qëndrimeve se në Shqipëri duhet dërguar speialistë në rrolin e këshilltarëve që do të ndihmonin dikasteret: 1. Punët botore: ndërtimin e rrugëve, ndërtim portesh, me përparësi që Italia të mbetet punëkryese 2. Dikasteri për prodhime primare në-bujqësi, pyje dhe minjera, ku Iatlisë do t’i mbetej e drejta e zgjidhjes; 3. Dikasteri i komunikacioneve – siç është administrimi i porteve, i post-telegrafit, ku do të caktonte prioritetet Wjena. (Arben Puto, çështja shqiptare… f.625-629-teksti i plotë).
Këto orientime sado civilizuese dhe nga këndi i kohës “racionale” me premisa intersash do të plandosen për toke në Nish, më 17 shtaor 1914 me Marrëveshjen Esat Toptani me Nikolla Pashiqin. Në këtë marrëveshje është indikative nga këndi i dhelpërisë sllave por edhe i tradhtisë së Pashait shqiptar kur pranon, neni 11 i marrëveshjes: “Shqipëria merr mbi vete obligim se nuk do t`i kudërshtojë Serbisë në ndërtimin e hekurudhës së Adriatikut gjer në Durrës, pasi kjo të marrë obligim që t`ua kompensojë pronarëve për tokën që ua merrë për nevoja të hekurudhës.” (Shukri Rrahimi, Marrëvesjet e qeverisë serbe me Esat Pashë Topatanin gjatë viteve 1914-1915”, “Gjurmime albanologjike” nr.VI,. Prishtinë, 1977, f.125-127). Ky konkludim do të thotë se nëpër tokën shqiptare Serbia synonte dhe lejohej që të dali në Adriatik. Kuptohet se rrethanat historike diktuan ndryshe këtë Pazar të turpshëm për pashain. E vërteta, gjatë dhjetorit 1915 dhe janarit 1916 pjesa më e madhe e Ushtrisë serbe ishte e vendosur nëpër Shqipërinë bregdetare, buzë shkatrrimit total nga sëmundjet. Ajo ushtri gjysëm e shkatrruar po lëvizte ngadal kah deti, duke u ndihmuar sidomos nga “pushteti” i Esat Pashës. Pashai tradhtar i Shqipërisë e “ndihmonte Serbinë më tepër për inatë të Italisë” do të shkruaj Dr. Arçibad Rajs, porfesor i kriminalistikës në Lozanë të Zvicrës, njëherit korespodent i luftës.

(VIJON…)

__________________________

PJESA E DYTË:
PROF.DR.HAKIF BAJRAMI: 100 VJET NGA TRAKTATI I FSHEHTË I LONDRËS (26 PRILL 1915 – 26 PRILL 2015) (2)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3925

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura