PROF.DR.VANGJEL KICI: DISA VËREJTJE MBI INTERVISTËN E ZOTIT ADIL NEZIRAJ – ‘MILIONA DOLLARË NËN TOKË’

Toronto (Kanada), 08. 07. 2013 – Në Gazetën Tema të datës 6 korrik 2013 lexova artikullin me titull: “Miliona ‘dollarë’ nën tokë”. Ky artikull bënë fjalë mbi intervistën që ka dhënë për ‘AS’ zoti Adil Neziraj (Drejtor i Përgjithshëm i Politikave në METE)
Qysh në fillim dua të sqarojë se zotin Adil e kam pasur koleg pune në Institutin e Kërkimeve Gjeologjike në Tiranë. E njoh si një njeri shumë të mirë dhe babaxhan. Ai është tropojan, kurse unë jam myzeqar. Të dy, qysh në fillim u lidhëm me Partinë Demokratike. Unë u zhgënjeva shumë shpejt, dhe brenda pak muajësh e flaka teserën e Partisë Demokratike.
Pse e flaka?
Sepse në krye të lëvizjes demokratike pashë komunistët dhe sigurimsat e djeshëm. Krerët e lëvizjes demokratike dalloheshin, sepse Ramiz Alija i kishte veshur me kapardinë të bardhë, që t’i dallonte sigurimi i shtetit dhe të mos i prekte. Kush doli pa kapardinë të bardhë në krye të turmave, u likuidua, sepse ishte i paautorizuar nga lartë. Në fillim, me shumë dyshime, besova. Pas pak kohësh vërejta se në krye të punëve qendronin prap komunistat e djeshëm, të cilët ishin “rinovuar” dhe ishin bërë “demokratë”.

Adil Neziraj – Drejtor i Përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Ekonomisë,

Tregëtisë dhe Energjitikës (METE)

*   *   *

Adili vazhdoj si militant besnik i Partisë Demokratike. Kjo është e drejta e tij. Nga ky militantizëm ai nuk pati humbje. Shumë vite ishte Drejtor i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Kohët e fundit qënka bërë Drejtor i Përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës (METE). Në intervistë zoti Adil deklaron se Shqipëria ka ende miliona tonë minerale të pashfrytëzuara dhe se nxjerrja e tyre nga nëntoka përkthehet në miliona dollarë të ardhura për buxhetin e shtetit. Këto të ardhura vijnë nga renta (qiraja) minerare, pagesa e taksave, apo punësimi. Ai tregon sa rezerva mineralesh dhe nafte ndodhen akoma nën tokë dhe se shfrytëzimi i naftës, nga kompanitë e huaja, është bërë shumë pak.
Unë kam këto pyetje:
– Pse u mbyllën të gjitha minierat, me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet? Të gjitha minierat e kromit, bakrit, qymyrit etj., ishin pa leverdi ekonomike dhe prandaj u mbyllën?
Po i përgjigjem vet:
Shumica e tyre u mbyllën që të “privatizoheshin”, domethënë të shiteshin dhe grabiteshin nëpërmjet “privatizimeve”. E dini Ju zoti Adil se ku shkuan të gjithë ata mijëra minatorë? Mbetën rrugëve, dhe familjet e tyre në mjerim. Është mbushur Mirdita me “Lula të vocërr” të Migjenit…
– Pse nuk jepni shifra, sa fitonte në vit buxheti i shtetit nga kromi, bakri, nafta etj., dhe sa fiton tani?
– Pse nuk jepni shifra, sa fiton në vit Shqipëria nga vendburimi i Patos-Marinzës në marrëveshjen me kompanin Bankers, dhe sa fiton kjo kompani në vit?
Nafta e Patos-Marinzës u zbulua nga shqiptarët, u shpuan gjithë ata puse, me pajisjet nëntokësore dhe mbitokësore dhe u vunë në shfrytëzim. Për këto vendburime janë bërë shpenzime kolosale. Çfarë investimesh ka bërë Bankers, që po e merr pothuajse të gjithë naftën qyl?
Ju thoni se kompanitë e huaja të naftës kanë shfrytëzuar shumë pak naftë. E dini Ju, se kompania Bankers nxjerr çdo ditë 17 800 barela naftë nga Patos-Marinza? Ju këtë e quani pak? (me këto ritme nxirren rreth 1 milion tonë naftë në vit).
Unë kam shkruar në gazetë kundër shitjes (“privatizimit”) të Albpetrolit, dhe këtë shitje e kam quajtur tradhëti kombëtare.
Ju, dhe disa shokë të tjerë tropojanë, më keni quajtur enverist.
Pse?
Sepse kërkoja dhe kërkoj që nafta të jetë pasuri shtetrore.
Pyes:
Po Norvegjezët, që naftën dhe gazin i kanë pasuri shtetërore, enverista janë?
Ju nuk mbroni parimet, por ish kryeministrin nga bajraku juaj. Populli është varfëruar në kulm, kurse ju mbroni këto grabitje dhe krime tepër të shëmtuara.
– Autori është gjeolog i shquar, jeton në Toronto të Kanadasë.

PROF.DR.VANGJEL KICI: NAFTA SHQIPTARE DHE POLITIKANËT E KORRUPTUAR
KLIKONI: https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=1762

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

MUSTAFA SHTEGËTARI

MUSTAFA SHTEGËTARI! Nga Sheradin Berisha, FB 20.12.2020 – Pashtriku 16.01.2023 Shtegëtari i partive politike, teologu Mustafa Bajrami tashmë…