PROF.DR.VEBI XHEMAILI: JETA DHE VEPRIMTARIA KOMBËTARE E MYRTEZA BAJRAKTARI – ‘KRESHNIK POLLLOGU’

Tetovë, 22. 03. 2015 – (Veprimtaria atdhetare e Murteza Bajraktarit për Shqipërinë Etnike) – Myrteza Bajraktari lindi me 15. 04. 1933 në një familje me tradita atdhetare në Gostivar. Shkollën fillore e 7-vjeçare i kreu në vendlindje, gjimnazin në Tetovë dhe Shkup. Në vitin 1952, regjistrohet në Universitetin e Shkupit në Degën e Filozofisë, paralelisht, punësohet në gazetën “Flaka e Vëllazërimit “që dilte në Shkup. Shkruan një artikull kundër shpërnguljes së Shqiptareve në Turqi dhe hapjes së Shkollave turke në territoret e banuara nga shqiptarët. E largojnë nga gazeta si i pa përshtatshëm.
Për nevoja ekonomike nis punën si mësues në fshatin Kumanovë. Në Shkup me disa shok kishin formuar grupin ilegal “Shkëndija ”, programi final i të cilit ishte ideja e “Shqipërisë Etnike ” dhe kundërshtim ndaj hapjes së shkollave turke e dëbim me dhunë të shqiptarëve në Turqi.
Në këtë grup ilegal bënin pjesë rreth 20 studentë dhe mësues të shpërndarë në 7-treshe. Treshja ishte e mbyllur, nuk kishin asnjë njohje me grupet e tjera. Kryetar për të gjitha grupet ishte Kreshnik-Pollogu (Myrteza Bajraktari). Ai mbante lidhje me secilin grup e drejtonte veprimtarinë e tyre. Këto grupe vepronin në Gostivar, Prizren, Tetovë, Shkup etj.
Pas disa vitesh këto grupe u zbërthyen, njëra pas tjetrës nga sigurimi, shumë prej anëtarëve të tyre vuajtën burgjeve, ose u detyruan të largoheshin nga Jugosllavia. Fatkeqësisht midis tyre u gjenden edhe të tillë si Xhemal Pozhorani, ish anëtar i treshes me Myrtezain, Xhemal Pozhorani i cili ose ish përgatitur dhe infiltruar në grup si informator ose person, i cili nuk i përballoi presionet, torturat e përndjekjen e të afërmëve dhe pranoi bashkëpunim me sigurimin serbo-maqedonas. Xhemal Porozhani, në vitin 1952 ka rënë në burg, ku ka qëndruar gjashtë muaj dhe është liruar. Është ky person i cili ka asistuar në gjyqin e me uniformë ushtarake në qytetin e Shkupit.(1)

Dihet se veprimtaria e nacionalisteve shqiptar në Kosovë e Maqedoni ka qenë e gjerë dhe e pa ndërprerë. Krahas grupit ilegal “Shkëndija” vepronin edhe “Shkëndija” të tjera “bashkësi ilegale” e deri tek grupimi më i madh, organizata Nacional-Demokratike Shqiptare, me kryetar Azem Moranen i cili, pas zbulimit të këtij grupimi është pushkatuar, së bashku me drejtues të tjerë. Pjesa më e madhe prej tyre kanë vuajtur në burgun e Idrizovës.
Sidoqoftë, për këto grupe nacionaliste: pëshpëritej, bënin bujë qëndrimet burrërore të anëtarëve të tyre dhe guximi në gjyqet që zhvilloheshin kundër tyre, shkruhej për to në shtyp, angazhonin forca të shumta qeveritare për ti zbuluar e dënuar, bënin jehonë etj. E tërë kjo ishte investim për çështjen kombëtare, efektet e së cilës dhanë frute më vonë.
Prenk Gruda në librin “Ditari i një zemrës së lëndueme” kujton: “Serbët nuk lanë gjë pa bë kundër shqiptarëve për me ua mërzitë jetën, për me i detyrua me i lëshua vatrat e të parëve …”Në këto vjetët e fundit kanë hapë shkolla turqisht dhe përdhunisht i detyrojnë shqiptarët me i çu fëmijët, ashtu sikurse me detyrim po i dëbojnë me mija familje nga vatrat e veta dhe i përcjellin për në Turqi, ku i presin mjerimet e fushave të shkreta të Anadollit. Populli e arsimtarët kundërshtuan dhe demonstruan për mos me i hekë fëmijët prej shkollave.(2)
Të parët mësues të burgosur në Tetovë e në Gostivar kundër shkollave turqisht qenë: Myrteza Bajraktari, Murat Isaku, Myzafer Tufa etj. Ata para gjyqit, kanë qëndrua burrërisht për ta mbrojt çështjen kombëtare. Prokurori pati kërkua dënim me vdekje …Ata nuk janë tundë aspak dhe me guxim janë përgjigj: ”Na jemi të lumtur që vdesim për atdheun tonë! ”Serbët tronditen nga qëndrimi heroik i këtyre arsimtareve gjatë torturave e para gjyqit. Gjykimi bëri bujë të madhe në Jugosllavi, e sidomos, kudo në rrethe e shqiptarëve, e kështu dënimi me vdekje qe pezullua.
Në vitin 1953, nga një ish anëtarë i grupit “Shkëndija ”Naxhi Purde krijohet në Zagreb një grup tjetër ilegal, po me idenë e Shqipërisë Etnike dhe properëndimore. Ai vazhdoi veprimtarinë ilegale deri në vitin 1956 në Kosovë e Maqedoni … Medi Bajraktari vëllai i vogël i Myrtezait ka qenë anëtar i këtij grupi ilegal. Për rrjedhoje pat përfunduar në burgun e Idrizovës. Me rastin e pranimit në këtë grup ilegal, anëtari i ri, me dorën vendosur mbi një revole e pranë flamurit shqiptar betohej :”Unë si shqiptar do të jem gati kurdoherë të luftojë për bashkimin e gjithë shqiptarëve, në veçanti të atyre që janë nën robëri të sllaveve, në një Shqipëri të vërtetë, do ti mbroj interesat e popullit shqiptar dhe do të kem parasysh luftën e përhershme kundër tradhtarëve të kombit”.(3)
Zbulohet “Shkëndija” dhe iniciatori e kryetari i saj Myrteza Bajraktari, arrestohet me 12 Janar 1953, përpara dyerve të shkollës së Kumanovës, ku për tre muaj kryente detyrën e mësuesit. Mësuesi i ri ende nuk i kishte mbushur të 20-tatë.
Nga muaj janar-tetor 1953, për 9 muaj radhazi, në hetuesin serbo-maqedonase në Kalanë e Shkupit iu nënshtrua torturave çnjerëzore (tortura brutale deri në thyerje kockash, pagjumësi deri në humbje të vetëdijes, qëndrime në birucat pa dritë e pa ngrohje, vendosje të shufrës së hekurt nën këmbë nga sadistët serbo-maqedonas etj. Presionet dhe terrori psikologjik, cinizmi i egër, sharjet e ndyra etj, përmbajnë kapitull në vete). Mendja ta do, së këtë kala simbol të qendrës maqedonasit e kishin zgjedhur jo pa qëllim. Synimi i tyre ish të përdhosnin krenarinë shqiptare dhe të thyenin qëndresën e tyre. E gjymtuan fizikisht Myrtezain, duke i thyer para krahun, e lanë katër muaj pa mjekuar me qëllim që ti gangrenizohej krahu. Por organizmi i ri bëri punën e vet: kocka vetë ngjitet, veçse shtrembër për ta lanë nacionalistin shqiptar invalid për gjithë jetën. Torturat fizike, nga më çnjerëzoret që kryenin sadistet serbo maqedonas, presionet dhe terrori psikologjik nuk arritën ta thyen moralisht kreshnikun e ri të Gostivarit.
BURG NË SHKUP BURG NË SHQIPËRI
Nga 1953-1958, vuan 5 vjet heqje lirie në burgun famëkeq të Idrizovës. Më 1960-1962 dënohet përsëri edhe 2 vjet të tjera, të cilat i vuan, po në Idrizovë burg i destinuar për nacionalistët shqiptar.
Për qëndresën burrërore të tij në këtë burg dëshmon në gjyq bashkëvuajtësi Abdurahman Haxhialili; ”Në burgun jugosllav të Idrizovës, me mbi 3000 të burgosur, deklaron ai, Myrtezai ka qenë simboli i qendrës që ka mbajtur moralisht të gjithë të burgosurit shqiptar ”! Bashkëvuajtësit pohojnë; se Myrtezai ka qenë iniciator i bojkotimit nga të burgosurit dhe demaskimin e disa të burgosurve të cilët nuk përballuan dot vuajtjet e presionet e administratës së burgut dhe shndërroheshin në bashkëpunëtor të sigurimit.
Në burgun e Idrizovës u bë legjendë grupi prej 40 të burgosurve “të rrezikshëm” të cilët i kishin izoluar në katin e pestë të njërës prej godinave të burgut. Në këtë grup, përveç shqiptarëve bënin pjesë edhe anëtarë të organizatës ilegale maqedonase “VMRO” të cilët ishin kundër regjimit në fuqi.
Këtij grupi i ndalohej çdo takim me të burgosurit e tjerë. Ata kishin të drejtë, vetëm një herë në javë të bënin shëtitje në oborr të burgut shëtitjen që quhej “merta shetmja ”,alias “shëtitje e vdekur ”me duar prapa dhe kokën ulur .Në rast se dikush nga të burgosurit e tjerë ,gjatë hyrje daljeve në oborr drejtonte vështrimin ,ose i përshëndeste të “rrezikshmit” denjohej me “14 ditë biruce ”.Këtij grupi i lejohej vetëm një takim me të afërmit prej 5 minutash ,një herë në muaj. Në këtë grup të të “rrezikshmeve ”bënte pjesë edhe i riu gostivaras Myrteza Bajraktari. Nga burgu i Idrizovës Myrtezai ruan një kujtim Kthesë shënues në botë kuptimin e tij kishte ndikuar besimi fetar i prindërve, por edhe ateizmi i vëllait të madh. Por jeta e vështirë e hetuesive dhe burgjeve, për vite me radhe shoqërohej edhe me ndryshimet botëkuptimore, madje edhe bindjet e njeriut. Për rrjedhojë –kujton Myrtezai, pa gjetur rrugëdalje tjetër nisa ti lutesha Zotit që të më jepte forcë dhe kthjelltësi mendimi, vetëm që të mos tradhtoja shokët që ishin në 7 grupe, të mos tradhtoja idealin kombëtar dhe betimin e dhënë. Kështu dalëngadalë mu kthye besimi tek zoti. Ky besim më mbante gjallë, më jepte forcë, më frymëzonte për të përballuar në hetuesi torturat nga më çnjerëzoret, për 9 muaj pa ndërprerë. Kjo ka qenë dhe mbetet një nga kënaqësitë më të madha dhe krenaria e jetës sime. Nuk është pak që në kushte të rënda të natyrës sadiste të mos nxjerrësh asnjë nga grupet tua. Grupet dolën më vonë, pas tre vjetësh nga burime të tjera. Në fillim u zbulua një treshe e pastaj njëra pas tjetrës.(4)
Në vitin 1962, pas daljes nga burgu, me guxim kalon kufirin dhe hidhet në Shqipëri. Nga 1962 -1966, pas 5 muajve hetuesie komuniste në Shijak e bashkojnë me 230 djem kosovar që vuanin në Kampin e Internimit të Semanit në Fier. Aty e mbajtën 4 vite dhe 4 muaj. Ky kamp ishte më i keq se burgu, përveç të tjerash aty nuk kishte afat të përcaktuar lirimi. Në këtë kamp, shoku im …kalon në depresion dhe prej andej në çmendim.(5)
Ndërhyrja e miqve: Abduraman Haxhihalili dhe Idris Lleshi, me të cilët kishte vuajtur në burgun e Idrizovës bën të mundur nxjerrjen e tij nga kampi i Semanit. Shtator 1966-1970, regjistrohet në fakultet dhe mbaron shkëlqyeshëm degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, në moshën 33 vjeçare. Ky qe një nga rastet e pakta fatlume në jetën e Myrtezait. Edhe kjo u bë e mundur në saje të asaj të ndërhyrjes këmbëngulëse të dy shokëve të tij të përmendur më lartë.
Arrestimi i Dytë:
Më datën 12 nëntor 1970, arrestohet dhe nis hetuesia. Më datën 12-04-1971, pason akt-akuza: I pandehuri Myrteza Bajraktari, si element me pikëpamje nacionaliste dhe kundërshtare i sistemit socialist …shprehet se gjoja partia dhe pushteti popullor jo vetëm që emigracionin kosovar në Shqipëri e trajtojnë keq, por edhe nuk interesohen për të drejtat e popullit kosovar”, tërë kjo do të thotë se ai ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. “Fatura” tjetër e komunistëve shqiptar plotësin të parën dhe 3 vjet të tjera burg duke provuar Spaçin, Vlorën dhe Ballshin.
Përfundimi:14 vjet burg, prej të cilave 7 nga ish-Jugosllavia titiste dhe 7 të tjera në Shqipërinë Enveriste. Pasi lirohet nga burgu i mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit të mësuesit për të cilën ishte diplomuar shkëlqyeshëm. E lanë 5 vjet pa punë, detyrohet të kryej punë të rënda.
Korrik 1990, Myrtezai bëhet protagonist i një iniciative evropiane. Nga Zvicra vjen Hasan Kadriu, me babain e të cilit Skender Kadri Presheva, Myrtezai kishte qenë bashkëvuajtës në burgun e Idrizovës. Formojnë grupin ilegal “Fronti Antikomunist Tanshqiptar” prej 20 anëtarësh, grupi i cili formulon dhe shpërndan një trak në Tiranë Qytetin Studenti, Shkodër, Lushnjë, Kavaje etj. Trakti u bënte thirrje tanë shqiptarëve për “Bashkim Antikomunist, për pluralizëm Politik e Demokraci ”. Një kopje i dërgohet për “dijeni ”edhe Ramiz Alisë, kalon në gjendje gjysmë Ilegale. Nuk është vështirë të vërehet se kemi të bëjmë me vazhdimësi të mëtejshme të veprimtarisë së grupit të dikurshëm ilegal “Shkëndija ” të Shkupit.
Në tetor të vitit 1990 Myrtezai arrin të largohet, së bashku me familjen për në Zvicër në rolin e emigrantit politik. Në vitin 1992 nuk pranon azilin politik sepse e thërrasin në Tiranë. Në janar të vitit 1993 Qeveria Demokratike e emëron Konsull të Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane. Angazhimi i këtij atdhetari në Zvicër përbën një kapitull të veçantë të veprimtarisë së tij prej nacionalisti demokrat, me disa shokë besnik nxjerrin revistën “Mërgimi” ku boton artikuj të ndryshëm për gjendjen në Shqipëri pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike.
Pas 8 muajsh punë si konsull, me urdhër të presidentit Sali Berisha thirret në Tiranë dhe padrejtësisht e nxjerrin në asistencë, të cilën e kundërshton me neveri. Kam një jetë të tërë-deklaron Myrtezai, që e kam formuar idealin tim. Nuk pranova të bëj kompromis sot me diktaturën në Maqedoni e në Shqipëri me Enverin s’kam si të bëj kompromis sot me demokracinë e Serreqit apo të Berishës. Në shtator të vitit 1993, pikërisht, kur Myrtezai pushohet nga puna, vëllai i tij Xhemal Bajraktari gjendet i vrarë në apartamentin e tij në Beograd me plumb në ballë. Vallë të jetë rastësi e rëndomtë kjo koincidencë. Zbardhja e kësaj enigme mbetet në ndërgjegjen e administratës të asaj kohe të qeverisë Berisha dhe asaj të Beogradit.
Në kundërshtim me këtë e zgjedhim “Anëtar Nderi” Të Shoqatës Kombëtare të ish të dënuarve dhe të persekutuarëve politikë të Shqipërisë. Aty përcaktohej se “Zotin Myrteza Bajraktarin e vlerësojmë si një figurë të ndritur e misionarit të lartë human dhe patriotik dhe për këtë meriton plotësisht të jetë vëllai i ynë i nderuar duke na përfaqësuar kurdoherë denjësisht në tërë botën (Kryetari Osman Kazazi, Tiranë 1992). Njëkosisht zgjidhet në kryesinë e Partisë “Rimëkëmbja Shqiptare ”dhe propozohet kandidat për deputet i kësaj partie. Në atë kohë, ngrihet një Komision i posaçëm i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë për të verifikuar pastërtinë e figurave të propozuara nga partitë politike për kandidatë për deputet në organin më të lartë të shtetit shqiptar. Kërkohej të sqarohej se kandidatet kanë qenë të implikuar në shërbimet sekrete të shtetit komunist, apo të shteteve të tjera. Nga verifikimi i kryer prej këtij komisioni presticioz rezulton se Myrteza Bajraktari kishte figurë të pastër moralo politike, të denjë për deputet të Kuvendit të Shqipërisë.
Rast i dytë fatlum për Myrteza Bajraktari, sepse lidhet me nderin e dinjitetin e tij personal të nëpërkëmbur nga sigurimi shqiptar i cili e kishte etiketuar “spiun serb” nga që pikëpamjet e tij nacionaliste binin ndesh me internacionalizmin proletar. Kjo shpifje e ndyrë përhapej, nga njerëz të caktuar që nga viti 1962 ku kishte ardhur në Shqipëri. Ajo e ka ndjekur atë si hije e zezë gjatë tërë kohës dhe kudo që ka vajtur.
Me dhimbje të thellë pohon Myrtezai kjo ,… ka qenë gjëja më tragjike e jetës time dhe pjesës më të shëndoshë të bashkëpatriotëve kosovar të ardhur në Shqipëri ”Dhe me zemër të lënduar pohon :”Ajo që më prek thellë e mi shton brengat është dinakëria e trashëguar staliniste. Në qoftë se SHIK-u apo dikush tjetër ka diçka kundër meje le ti bëjë ato dokumente publike, le ti botojë. Unë skam frikë nga e vërteta dhe jetën time nuk kam asnjë minutë që të kem turp ta kujtoj përkundrazi”.
Cili do të ishte vallë ai që do të vinte në dyshim sinqeritetin e këtij burri shqiptar përpara shpifjeve të ulëta të sigurimit enverist, kësaj “vrime të zezë”, të universit shqiptar?. E si mund të akuzohej një njeri i cili në adoleshencën dhe rinin e vet kishte parë së bashku me bashkëmoshatarët trupat e shqiptareve të masakruar nga serbet që mbushnin sipërfaqen e Vardarit?. Kufomat dalloheshin nga kostumet e tyre kombëtare shqiptare. A mund të harroheshin prej tij masakrat e brigadave maqedonase ndaj shqiptareve mbas Luftës së Dytë Botërore, prej të cilat kanë qenë në dijeni, fort mirë shtabet e brigadave partizane shqiptare?. Si ka mundësi që bashkëpunëtorët e tyre, siç shpifte sigurimi shqiptar, serbet ti masakronin të vëllain në mes të Beogradit. Ja këto janë ato paradokset që prodhonte diktatura enveriste. Dhe dyshimi të ndiqte pas si hije e zezë.
, në fillim Partia e Rimëkëmbjes Shqiptare nuk aprovohet nga Ministria e Drejtësisë, sepse kishte në Program “Bashkimin e Trojeve Shqiptare”. Kjo-shkruan Myrtezai, është e vetmja parti që mashtron me vërtetësi çështjen e shenjtë mbarëkombëtare. Myrtezai ka qenë zgjedhur me kryesinë e kësaj partie, por më vonë u largua për shkaqe shëndetësore Në vitin 1998, emigron në Belgjik, ku vazhdon veprimtarinë kombëtare.
Myrteza Bajraktari, që në moshë të re, i brumosur me idealin e Rilindësve, i futet rrugës së vështirë të militantit anti serbo-sllavë. Për këtë ideal kombëtar ai la pengë vitet më të mira burgjeve dhe kampeve shfarosëse të punës sllavo-komuniste. Hetuesitë çnjerëzore serbo-maqedonase, burgjet e rënda ,”guhaket -ferr”sllavo -komuniste nuk arritën ti thyenin nacionalistët e vendosur. Përkundrazi vuajtjet çimentuan tek ata karakteret dhe brumosen kundërshtar të paepur ndaj diktaturës komuniste. Një ndër këta të pamposhtur ka qenë edhe Myrtezai. Ai, edhe në kushtet e burgut mbahej i paepur, dinjitoz, i matur, gojëmbël e optimist me secilin prej të dënuarve. Bashkëvuajtësit atij nuk i drejtoheshin me emër por me respekt “profesori”, Gardianët e burgut i trembeshin autoritetit që gëzonte ai midis të burgosurve.
Në Spaç të Mirëditës erdhi një kohë kur shpirti njerëzor nuk mbante më. Njerëzit e sfilitur nga vuajtjet, puna prej skllavi në minierë dhe torturat për çdo “dyshim” kishin humbur, gjënë më të çmueshme për të burgosurin shpresën. Midis të rinjve filloi të përhapej epidemia e depresionit, nisi vargu e vetëvrasjeve. Personelit të burgut kjo nuk i bënte as më të voglën përshtypje. Çfarë të bënim? Mundësitë tona ishin në kufirin e minimales. Për të ndikuar sado pak, këtë detyrë të rëndë ia besuan profesorit, të cilit i zinte fjala vend tek të rinjtë. Me individë e grupe të vogla profesori përcillte “Lajmin e mirë ” nisen pëshpëritjet se “diçka po lëviz ”, se Evropa ka kthye vështrimin o prej nesh ” se komunizmi po lëkundet ”, ”se nuk do të jetë e largët dita e lirisë etj. E këto lajme nuk i përhap kushdo, i thoshte profesori i ditur i cili kishte lidhje të fshehta. Ky lajm “tepër sekret” duke kaluar gojë më gojë pasurohej, zbukurohej e bëhej shpresë ndjellës. Si një rrjedhë e nëndheshme nisi të ndjehej kjo në fytyrat, lëvizjet, qëndrimet dhe veprimet e të burgosurve. Filloi, dalëngadalë të rikthehej shpresa. Gradualisht po binte numri i vetëvrasjeve dera sa u pakësua ndjeshëm. Për çudinë dhe fatin tonë epidemia u zmbraps. Shqiponja edhe në kafaz i ngul kthetrat diku mbi një shkëmb ose mbi degët e ndonjë trungu, nuk zvarritet në baltë. Ajo mund të vështrojë vetëm nga lart dhe si gjithnjë krenare. Forcat e errëta i pamundësuan ushtrimin e profesionit të mësuesit të gjuhës shqipe për të cilin ishte përgatitur me kujdes e përkushtim. Në kundërshtim më këtë i dhanë “privilegjin “që të bëhej profesor i qindra mijëra të burgosurve politik shqiptarë në burgjet e Maqedonisë dhe ato të Shqipërisë. Në Idrizovë, në Seman, në Spaç dhe në Ballsh. Ata me respekt dhe konsideratë e thërrisnin “profesori ”dhe fjala e tij e matur zinte vend tek bashkë vuajtësit për meritat e tij intelektuale dhe qëndresën e kurajën civile në jetën e burgjeve. Intelektualët e shumtë me të cilët është takuar dhe ka vuajtur burgjeve e donin dhe respektonin mendimin e tij, për problemet e mëdha të kombit. Jeta e solli që kandidati për mësues të nxënësve në shkollë të shendohej në mësues për të burgosur bashkëvuajtës me ta, të kthehej në mësues të njerëzve të vuajtur duke u ngjallur shpresa për të ardhmen e tyre dhe të vendit. Kemi të bëjmë këtu me një rast që ndeshet rrallë në jetë. Për dënim politik e largojnë padrejtësisht nga nxënësit, nga mësimi nga shkolla dhe pa ditur e kthejnë në mësues të masave, mësues të popullit të vet.
Me përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri ,Myrtezai rreshtohet midis luftëtarëve të paepur për liri e demokraci. Përveç veprimtarisë aktive militante i përkushtohet edhe gazetarisë si armë kundër diktaturës komuniste. Pamfletet e revistat: “Urtia”, “Republika”, “Liria”, “Mërgimi”, “Rilindja”, “E Djathta Kombëtare”, “Balli Kombëtar ”, “Kosova”, “Rimëkëmba” , “Bota Sot”, që botoheshin në Tiranë, Zvicër, Bruksel etj.
Sjellim diçka nga tematika politike, thellësisht kombëtare: Grupi ilegal “Shkëndija ”nga Gostivari (1950-1952), Ramiz Alia, fytyra e tradhtisë dhe hipokrizisë, “Demokracia dhe shteti Juridik shqiptar ”,”Kushtetuta ,çështja shqiptare dhe Evropa ”,”Shqiptarovrasësitë e Beogradit ”, ”Përballë tradhtisë së pushtetarëve –zgjimi kombëtar ”,me nën çështje të tilla :Kreta greminë për Shqipërinë humnerë për Kosovën, kuislingët ,protektorati dhe kolonizimi ,Kosovës i propaganduan paqen dhe i përgatiten luftën ,Kosova pjesë jetike e Shqipërisë ,Pansllavizmi armiku shekullor i shqiptarëve dhe Perse duhet të luftojnë shqiptaret? :Partia e Rimëkëmbjes Kombëtare ,Dy fjalë për Shqipërinë dhe shqiptarët ,si dhe intervista në organe të ndryshme shtypi në Shqipëri ,Zagreb ,Zvicër etj .,biseda në radion e Zagrebit dhe së fundi peticioni i tij etj.
Në kujtimet e veta për kohën e diktaturës në të dy anët e kufirit Myrtezai shkruan: ”Andej kufirit vazhdonte robëria e egër dhe barbare sllave, me vrasje, burgosje e shpërngulje në masë për në Turqi. Këndej kufirit brezi im ka bërë një jetë tepër të vështirë, jo vetëm i zhytur në një varfëri të skajshme, por edhe në kontekst shoqëror dhe politik, moral dhe kulturor, që ia kalonte madje edhe obskurantizmi mesjetar. Ai ishte i kuq, gjakësor, ku sundonte vetëm urdhri i “Zeusit” e jo ligjet e njerëzimit.
Si mund të quhet romantik nacionalizmi një komb i copëtuar në katër shtete? Përderisa objektivat e Lidhjes së Prizrenit nuk janë arritur si mund të quhet romantike ideja për tu bashkuar në një shtet të vetëm ? Në këtë rast mendja ta do të mendosh se çështja shqiptare është shitur nga vetë shqipëfolsit”.
Bashkimi i kombit është domosdoshmëri historike dhe njerëzore .Ai i shërben rajonit të Mesdheut ,Ballkanit dhe Evropës ..Rajoni i Ballkanit nuk mund të jetë i qetë pa u bërë shqiptarët të barabartë si komb me kombet e tjera ,pa u bashkuar me shtetin e tyre amë.
Atdheu do bashkohet duan apo s’duan qeveritarët kudo qofshin ata. Shqipëria etnike do të krijohet si baraspeshë dhe si ekuilibër natyror në gadishullin Ballkanik kundër barbarisë agresive sllavo- Bizantine. Mjerë ata që janë në rrugën e tradhtisë: ”Janë, injorantë politikë të gjithë ata që ëndërrojnë akoma për aleancën sllavo-komuniste në Shqipëri, Bullgari e Maqedoni dhe që kanë nostalgji për politikën bizantine ortodokse, sepse këta popuj e shtete përfundimisht janë përfshirë në hemisferën perëndimore dhe ky është një fat i madh për ne.
Uran Kalakula, ish i burgosur politik e quan Myrtezain “Kalorësi i nacionalizmit mbarëkombëtar ” dhe pohon …unë për vete ndjehem krenarë që kam një mik të tillë ,patriot ,idealist ,të mençur e të urtë ,të ditur e të vendosur, me shpirt të pastër si burimet e maleve tona, gjithnjë i madh në punë të mëdha, por gjithnjë i thjeshtë dhe modest, pa kërkuar asgjë për vete, por veç për popullin, për kombin.(6)
Myrteza Bajraktari një jetë të gjatë e të dhimbshme e kalon përmes një kaluari torturash e vuajtjesh fizike e shpirtërore në hetuesit dhe në burgjet serbo-maqedonase e ato sllavo-komuniste shqiptare. Rrugë vuajtjesh, ndalimesh e privacionësh, vetë sakrificash, por rrugë e lavdishme, jetë e denjë prej heroi.
Ndërmarrja nga Myrtezai e aksioneve politike të guximshme ende pa i mbushur të 20-tat, përballimi i torturave dhe qëndresa burrërore në burgje dhe internime, përpjekjet e suksesshme atdhetare tërë jeta e vendosur në altarin e bashkimit kombëtar nuk kanë vajtur kot. Shumëçka nga ideali i tij është arritur dhe të tjerat janë futur në rrugën e zgjidhjes së pashmangshme, në favor të ështjes së madhe etnike mbarëkombëtare.
Rëndësi ka që ideali kombëtar të realizohet. Historia nuk ngutet Ajo i bën llogaritë me shekuj duke i kthyer idealet njerëzore në realitet në intervalet e veta, por edhe pa i harruar ata që bënë sakrifica të mëdha. Ideali kombëtar edhe referenca morale më e sigurt dhe udhërrëfyesi i pa gabueshëm në jetën e çdo njeriu. Lum ai që i përkushtohet në kohën e duhur idealit kombëtar!
Për një pjesë të madhe të heronjve, mbase më të shquar vlerësimi nis nga fundi, për tu dhënë atyre vendin e merituar në histori. Ata ruajnë vlera dhe mbeten krenari e kombit. Atdheu nuk i harron, pavarësisht nga stuhitë që kalojnë. Individë të tillë përbëjnë një qelizë të shëndetshme të kombit që përfaqësojnë. Për të gjitha këto meriton ,të shkruhet ,një monografi solide ,si homazh për meritat e tij të veçanta.
Pa dyshim midis atyre idealisteve të përkushtuar të çështjes së bashkimit të trojeve Etnike në një shtet të vetëm shqiptar radhitet, me dinjitet edhe nacionalizmi i “pandreqshëm”, i Myrteza Bajraktarit nga Shqipëria Lindore.

– Kontakti me autorin: [email protected]

____________
Fusnotat:
1. Murteza Bajraktari deklaratë e tij në Tetovë v. 2008.
2. Mehmet Gega, ndër të parët e çoi zërin kundër kësaj propagande sllave. Tetovë 1999.
3. Tome Batkovski, Veliko Allbanska igra vo Makedonija, Shkup 1986.
4. Dëshmi të Murteza Bajraktarit. Tiranë 1992.
5. Dëshmi të Idriz Lleshit që njihej me Murteza Bajraktarin nga burgu i Idrizovës.
6. Gazeta “Liria ” ,Tiranë ,dt .18 nëntor dhe 2 dhjetor 1996. Në jetën e tij të mundimshme vend të veçantë zënë prindërit, nëna dhe babai, katër motrat, dy vëllezër, familja me bashkëshorten profesoreshë për violinë, me fëmijët shpresë mëdhenj. Në këtë kostelacion të një familje të vërtetë shqiptare, sy yll i karvanit ndriçon motra e madhe Myeseri. Që në fillimet e para ajo, jo vetëm e përkrahu “lojën ” e vëllait me “zjarrin” për qëllime kombëtare, por bëhet edhe bashkëluftëtare e denjë. Përkushtimi i saj ndaj vëllait të syrgjynosur burgjeve e kampeve të përqendrimit në Maqedoni dhe ardhja, disa herë në Shqipëri (1974,1980,) pra, jo me raste, por një jetë të tërë, pa ndërprerje dhe me rreziqet serioze, përkujdesjet gjatë tërë kohës së qëndrimit të tij në burg në Maqedoni. Dhënia e ndihmës ekonomike të vazhdueshëm familjes në Shqipëri deri sa u takuan, më në fund motër e vëlla në Zvicër në vitin 1990, duket se përbën rast proverbial …Vetëm një pendë kadareane do të mund të paraqiste figurën e saj me përkushtimin vetëmohues, dashurinë e thellë për vëllain, e cila shprehej me vepra ashtu në heshtje, me vetëpërmbajtjen tipike, siç e kanë zakon motrat e vërteta shqiptare, trashëgimtare të denja të virtyteve të femrës ilire.
Një paradoks i habitshëm. Motra e Myrtezait (Myeseri), tregon: Pasi kisha bërë shumë herë kërkesa këmbëngulëse pranë përfaqësisë shqiptare për të ardhur në Shqipëri, më në fund, në vitin 1974, mua dhe vëllain tim na pret sekretari i parë i ambasadës sonë në Beograd, për habinë tonë ,vazhdon ajo, sekretari jo vetëm na pret me ngrohtësi e konsideratë por na shtron edhe një koktej të thjeshtë ku, midis të tjerash na deklaron: Burgosja e Myrtezait është aksident dhe për familjen e tyre patriotike, Shqipëria do të ishte vazhdimisht e hapur !..
Ne i jemi mirënjohës atij zyrtari për pritjen dhe konsideratën e shprehur !Po si duhen kuptuar fjalët e tij krahasuar me internimin ,burgosjen dhe trajtimin e Myrtezait !? Në këtë rast përveç demagogjisë e hipokrizës sllavo – komuniste a mund të ketë ndonjë shpjegim tjetër ? Vështirë të thuhet !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura