PROF.ENVER REXHAJ: LOGJIKA E DEPOLITIZIMIT TË ARSIMIT!

Prizren, 29 qershor 2018:
PARTIZIMI I ARSIMIT
Vetëdija për rolin dhe rëndësinë e arsimit, edukimit dhe të shkollës përpos komponentit të njohjes së këtij roli (si vlerë e përgjithshme) ka edhe vlera të tjera që shtrihen në vetëdijesimin e të gjithëve si faktor për integrime politike, ekonomike, kulturore – evropiane dhe mbarëkombëtare.

Në këndvështrimet e sotme dhe në trendet evropiane dhe globale që duhet t’i ndjekim, ata që kanë si synim për të reformuar institucionet e arsimit, dhe jo vetëm, nuk duhet harruar se çdo gjë sot është çështje politike. Politika dhe arsimi, sado që dikujt mund t’i duket që nuk duhet të jenë të lidhura, ato domosdoshmërisht duhet të jenë – por në atë mënyrë që (politika) të mundësojë krijimin e një sistemi arsimor të mirëfilltë, që iu përgjigjet nevojave të kohës. Edhe sistemi i arsimit kërkon politika zhvillimore bashkëkohore dhe, njëkohësisht, kërkon që edhe drejtuesit e këtyre institucioneve të dinë të mendojnë institucionalisht.
Duke u bazuar në deklaratat e shpeshta që i dëgjojmë për depolitizimin e arsimit, të krijohet përshtypja se deklaruesit kanë mungesë të edukimit politik. Të dish të mendosh institucionalisht nënkupton që detyrat për zhvillimin e arsimit duhet t’i bëjnë forumet profesionale me kompetencë për këto çështje.
Po t’i referohemi thënies së Aristotelit se “Njeriu është qenie shoqërore e politikës”, depolitizimi i arsimit apo i sektorëve të tjerë pothuajse është i pamundur.

Prof.Enver Rexhaj

Sidoqoftë, ideja për depolitizim të arsimit duhet ta nënkuptojë fenomenin që veçse ekziston tek ne, e ky fenomen është PARTIZIMI I ARSIMIT; prandaj pikërisht depolitizimi (term, të cilin e zëmë në gojë aq shpesh dhe aq shumë) duhet ta nënkuptojë fokusimin tonë (praktik, real) në DEPARTIZIMIN E ARSIMIT apo thjesht: NXJERRJEN E SISTEMIT TË ARSIMIT NGA KTHETRAT E PARTITOKRACISË. Shikuar nga perspektiva e sotme, duke analizuar thënien e Aristotelit se njeriu është qenie shoqërore e politikës, mund të vijmë në përfundimin se: Partitë politike kanë krijuar nënproduktin e tyre që për hir të saktësisë mund të quhen GJALLESA PARTIAKE. Rekrutimi i këtyre gjallesave si personel apo drejtues të institucioneve shkollore, kanë bërë që shkollat tona të shndërrohen në vrasës të kreativitetit, individualitetit, të abuzimeve intelektuale, si pasojë e ndërhyrjes politiko-partiake.
Është paradoksale dhe jo pak e trishtueshme kur sheh se si personeli arsimor, të ashtuquajturit intelektualë, janë aq oportunistë dhe në mënyrë të mjerueshme i nënshtrohen vullnetit të këtyre gjallesave partiake, saqë institucionet e arsimit i kanë nxjerrë jashtë ligjit të ambicieve, jashtë çdo mendimi për zhvillimin e arsimit dhe të shkollës si faktorë parësor strategjik dhe integrues.
Në çdo diskutim mbi mësimet e shkencave humane dhe sociale, domosdoshmërisht këto i referohen edukimit politik dhe kjo situatë është e ngjashme edhe me edukim estetik.
Edukimi politik nuk duhet të kuptohet apo të merret si një alarm zjarrfikësish, por duhet të jetë një strategji afatgjate për zhvillim shoqëror.
ARSIMIMI – është thënë disa herë – ËSHTË BAZA E NJË SHOQËRIE TË SHËNDOSHË, por derisa nuk jemi të përgatitur edhe politikisht të luftojmë për dije, e ardhmja jonë nuk mund të jetë kualitative.
Kjo është në përputhje me faktin se nuk ka mungesë të deklaratave, programeve dhe koncepteve didaktike, as të ekzaminimeve empirike dhe kritike të praktikës, por të suksesit të dëshiruar.
Ka disa arsye për këtë. Një dhe jo e fundit është në vetë sistemin shkollor. Ndihma për edukim politik duhet të sillet në formën e një subjekti të vetëqëndrueshëm me objektiva specifike të mësimit dhe me dëshmi të arritjeve. Me pak fjalë, ajo duhet të urdhërojë formimin e një vendimi politik në edukimin qytetar për të synuar gjykimin dhe problemet e tij të veçanta që duhen të diskutohen.
Së pari problemi shtrohet lidhur me NXËNËSIT E VJETËR (mësimdhënësit) që, historikisht, vetëm egzistencialisht ballafaqohen me realitetin shoqëror, një realitet dhe ndjesi për të cilën ata trajnohen vetëm me kusht.
Së dyti, jeta shoqërore, kuptimi dhe vlerësimi i tyre duhet të bazohet në njohuri të matura të çështjeve aktuale politike, ekonomike, sociale dhe ekologjike, duke përfshirë ndërlidhjen e tyre me njëra-tjetrën, si veprimtari me vlerë të posaçme shoqërore, si fenomene pedagogjike-androgogjike, përkatësisht në unitetin e tyre të varshmërisë së ndërsjellë që nuk është detyrë e një dite të veçantë të javës.
Së treti, një udhëzim ndërdisiplinor e ndihmon më tej këtë qëllim për të krijuar një sistem arsimor të mirëfilltë, që mos të bie pre e drejtuesve partiakë – çështje kjo e cila në vazhdimësi ka qenë dhe mbetet një problem që shpesh ngrihet mbi shkollat, kundër kësaj vepre kolektive, duke ua imponuar terrin kundrejt dritës dhe progresit të dijes.
Çfarë po ndodhë me këtë qenie njerëzore?
Çfarë ndryshimesh duhet të realizojë në vetvete, për të bërë dallimin në mes të dy epokave politike të së kaluarës dhe të së tashmes me qëllim të ndryshimit të tipareve karakteriale të njeriut në dy sisteme sociale.
RRUGËDALJA NGA KJO GJENDJE
Rrugëdaljen nga kjo gjendje e mjerë duhet kërkuar në njohjen e sistemit të vlerave të demokracisë, duke mishëruar cilësi pozitive kundrejt cilësive negative të trashëguara nga sistemet e mëparshme; duke eliminuar frikën që është kthyer në institucion, me anë të besimit në vetvete dhe duke vepruar në saje të parimeve mendore; duke e përballë lirinë si sferë e veprimtarisë së njeriut kundrejt varësisë që e ndrydhë dhe e pengon shfaqjen e njerëzores.
Me anë të antagonizmit dhe dialogut të bëhet shkoqitja e bindjes së verbër dhe e heshtjes, që ka krijuar arketipin njerëzor tërësisht të depersonalizuar me një paaftësi logjike e mosdije, që është i pranishëm brenda mendjes – si moment që e kufizon fuqinë kritike intelektuale.
Në këtë mënyrë, mungesa e koncepteve të qarta politike apo konceptet e gabuara të saj kanë bërë që në sistemin tonë arsimor të çoroditen raportet shoqërore, që janë fundament për dijen, arsimin dhe edukimin në shkolla tona. Kështu, duke mos iu dhënë asnjë rol të veçantë profesionistëve, vendimmarrja dhe drejtimi i punëve në shkolla tona dhe në gjithë sistemin arsimor ka rënë viktimë e partitokracisë dhe tarafeve brenda tyre, e provincializmit e gjysmanalfabetëve që drejtojnë shkollat tona ose, në rastin më të mirë, e mediokritetit.
Mediokriteti, nuk thuhet kot, shpeshherë e gjen veten më shpejt dhe kudo për arsyen e mungesës së vetëdijes që e ka!
Konformizmi, serviliteti dhe politikat e ulëta janë pastaj përcjellësit e procesit (edukativ-arsimor) që udhëheqë mediokriteti, që pasohet pastaj me humbjen e ndjenjës së përgjegjësisë morale apo, thënë troç: me mungesën e ndjenjës së turpit. Këto dukuri kanë bërë që në shoqërinë tonë, edhe në sistemin arsimor, të krijohet një kastë e rrezikshme, arrogante, e kalitur, e aftë për të vjedhur e linçuar madje edhe kundërshtarët që kanë mendim ndryshe!
Politizimi në kuptimin e partitokracisë është një shëmtim. Reforma e arsimit si një problem teorik dhe praktik – nga studimi i historisë së sistemit tonë shkollor, nga analiza e sistemit të arsimit dhe ngatërresa e saj me sistemet e tjera të shoqërisë, por dhe analiza e mësimit aktual vetë-tregon se reformat në këtë fushë nuk janë efikase dhe ato të duhurat. Problemi nuk qëndron tek mungesa e hapësirave apo objekteve shkollore, por tek kursi ideor me të cilin udhëheqin drejtuesit e institucioneve përkatës për Arsim. Thjesht, reforma nuk mund të bëhet vetëm me rregullore, por mbi bazë të gjykimeve në hapësirat shkollore për formë dhe përmbajtje të procese edukativ-arsimore nga njëra anë, si dhe duke u përcaktua saktë integrimi i saj në sistemin politik dhe administrativ, duke u përfshirë aty dhe politika e ekonomisë, si dhe duke u arritur në këtë mënyrë formimi profesional adekuat.
Përpjekja për të reformuar sistemin e arsimit shikuar përgjithësisht nuk është edhe aq e keqe në vete, por kemi qasje politike të keqe. Këtu nuk është fjala për politikë të paarsimuar, por për një politikë që ndërhyn në arsim përmes mekanizmave partiakë.
Heshtja e intelektualëve përballë kësaj dukurie, lënia e arsimit në duart e këtyre gjallesave partiake do të bëjë që shkollarëve apo nxënësve që konsiderohen kudo në botë si e ardhmja e një shoqërie, t’iu krijohet një botë fallso, e pandershme, e pasinqertë, e pasigurt, mediokre, ku ata duhet të hedhin bazën për krijimin e shoqërisë së ardhshme të tyre, por për pasojë edhe tonën.
Nëse do të vazhdohet në këtë rrugë, rezultatet do të jenë këto që i kemi: NË SHKOLLAT TONA NXËNËSIT DO TË VAZHDOJNË TË MËSOJNË SI TË JETOJNË DHE JO SI DUHET TË JETË JETA. E “si të jetojnë” do të thotë si të jenë të korruptuar, si të vlerësohen pa merita, si të punësohen pa diploma apo me libreza partiake. Me një fjalë, shikuar nga ky aspekt, nxënësit në vend se t’i mësojmë që të jenë të përgatitur sesi të mendojnë, nga ata ne krijojmë njerëz të dëgjueshëm!
Aplikimi i standardit bashkëkohor të arsimit, i kurrikulave, kërkon edhe përgatitjet që do ta përcjellin atë, me anë të analizave, testimit, verifikimit etj., që është ekskluzivisht detyrë e profesionistëve kompetentë, e jo detyrë e vendimmarrësve politikë apo partiakë, shumica prej të cilëve – asnjë ditë nuk kanë qenë në MËSIMDHËNIE.
Kurrikulat fokusohen – jo në atë se çfarë ne nxënësve duam t’u shpjegojmë, por në atë çfarë nxënësit duhet të dinë dhe të arrijnë në përfundim të ciklit fillor apo të mesëm. Problemi këtu qëndron në faktin se fokusohemi në akumulimin e dijes, kuantitative dhe kualitative. Shekulli XXI e shfrytëzon kualitetin e dijeve. Nuk është e mjaftueshme ta kesh dhe ta shfaqësh dijen, çështja është ta përdorësh dijen.
IDEJA E ARSIMIMIT NUK ËSHTË VETËM ÇËSHTJE PUNE, POR – PARA SË GJITHASH – ËSHTË MISION, E NË MISIONE TË TILLA HYHET ME KOKË, DHE STATUSI I MËSIMDHËNËSIT NUK ËSHTË ÇËSHTJE KARRIERE, POR ËSHTË KAUZË.
Në një pritje të dhënë me rastin e fitores kundër Francës, kancelari Oto fon Bizmark kërkoi nga të gjithë të ftuarit të ngrisnin një dolli për ata që e fituan luftën. Ai tha: “Për ata që fituan luftën, për mësuesit gjermanë, që mundën mësuesit francez…”
– Autori është sociolog.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura