PROF.MURAT GECAJ: ‘SHPIRTIN E KAM PËRRHERË TE KËTO VEPRIMTARI DHE ATY GJEJ KËNAQËSI…’

Tiranë – Ulqin, 31. 05. 2016: (Bisedë me Luljeta Avdiu-Cura, kryetare e Shoqatës “Labeatët” dhe e Shoqërisë Kulturore-Artistike “Ana e Malit”, Ulqin) –
1. Shprehi kënaqësinë për këtë bisedë edhe nga fakti se ti, Luljeta, jeton në Ulqin, qytet që unë e kam vizituar dy herë dhe ruaj përshtypjet më të mira…A mund të më tregosh, se cilat janë veçoritë kryesore të këtij vendbanimi shqiptar, sidomos në fushën e arsimit e kulturës?
Luljeta Avdiu-Cura : Edhe pse Ulqini është qytet me numër të vogël të banorëve, njerëzit e arsimuar nuk mungojnë. Të rinjtë e të rejat, pasi i mbarojnë këtu shkollat e mesme, dita-ditës diplomohen në fakultete të vendeve të ndryshme.
Funksionojnë disa institucione, si: shkolla të ndryshme, qendra e kulturës, një bibliotekë e pasur, muzeu historik me kalanë e tij të lashtë etj. Po ashtu, banorët e qytetit tonë i ndjekin me dëshirë veprimtaritë e larmishme dhe të bukura kulturore-artistike, që organizohen, si nga vendësit, por dhe nga grupe, që vijnë të ftuar këtu.
2.Ti je mësuese në një fshat afër Ulqinit…Dëshirojmë të na thuash ndonjë gjë për jetën mësimore-edukative aty, për veprimtaritë që organizohen etj.
Luljeta Avdiu-Cura: Po, kam afër 10 vite, që punoj në arsim.(Në vitet 2000-2005, kam qenë spikere në Radio-Ulqini). Krahas mësimit, në shkollën tonë të fshatit Katërkollë, zhvillohen edhe veprimtari kulturore-artistike, sidomos në data të caktuara. Në kuadër të orëve të lira, unë vetë kam dëshirë që me nxënësit të organizoj veprimtari sa më tërheqëse për ata. Sepse jam e bindur që, veprimtari të tilla, i ndihmojnë nxënësit në zgjerimin e njohurive të tyre dhe për lidhjen e mësimit me jetën e përditëshme.

Luljeta Avdiu-Cura

3.Sidomos, përmes të dhënave në FB, por dhe nga shkëmbimi i mesazheve tona, kam mësuar se ti je një veprimtare aktive në jetën e qytetit të Ulqinit, gjë për të cilën të përgëzoj, sinqerisht! Prandaj lexuesit duan të dinë diçka më tepër në këtë drejtim…Pra, cila është shoqata, që ti drejton dhe kur u krijua e çfarë veprimtarishë keni zhvilluar, që nga krijimi i saj?
Luljeta Avdiu-Cura: Përveç punës në arsim, i përkushtohem edhe veprimtarive kulturore-artistike. Me këtë gjë, kam qenë e pasionuar që në fëmijëri dhe këtë punë e vazhdoj, deri sot. Kam vepruar si individ, por edhe në përbërje të një shoqate joqevritare. Me nismën time, në vitin 2012 u themelua Shoqata Kulturore “Labeatët”. Në kuader të saj, në bashkëpunim me Shoqatën e Artizanëve në Anë të Malit, për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizuam me sukses “Panairin Mbarëkombëtar të Artizanatit”.

Në “Panairin Mbarëkombëtar të Artizanatit”…
Më tej, në vitin 2013, në Galerinë e Qendrës së Kulturës, realizuam ekspoziten me punime të fotografit të parë, nga treva e jonë, të ndjerit Dan Xhurretës. Për kohën, kur ka punuar dhe vepruar, ai ka qenë i veçantë në stilin e tij.
Këtë vit, me rastin e 7 Marsit, “Ditës së Arsimit Kombëtar Shqiptar”, Shoqata jonë mblodhi veteranët e arsimit të trevës sonë. Aty u nderuan figurat e atyre mësuesve, të cilët, në kushte të vështira shoqërore-politike dhe ekonomike, dhanë shumë për zhvillimin e arsimit shqip.
Ndërsa veprimtaria më e fundit, e shoqatës sonë “Labeatët”, ishte organizimi i sfilatës me veshje popullore kombëtare. Pjesëmarrësit ishin nga disa treva të Kosovës dhe Shqipërisë, përfshirë këtu edhe veshjet e shqiptarëve nga Mali i Zi.
4.Po jashtë Ulqinit a keni udhëtuar, me anëtarët e Shoqatës suaj dhe çfarë përshtypjesh u kanë lënë ato?
Luljeta Avdiu-Cura: Për shkak të detyrime me fëmijët e mi dhe sidomos me djalin tim të vogël, Albanin (20 muajsh), nuk kam mundur t’i ndjek fizikisht, në çdo hap, veprimtaritë e zhvilluara jashtë Ulqinit nga Shoqëria Kulturore-Artstike “Ana e Malit”, ku jam kryetare. Ndërsa, shpirtërisht, kam qenë me ata, në çdo çast. Por dhe kam patur kënaqësinë të udhëtoj e të shoh nga afër, vitin e kaluar, Festivalin e organizuar në Kaçanik dhe jam kthyer me përshtypjet më të mira.
5.Kam lexuar se ju, në Ulqin, u ka ardhur një ftesë, për në “Festivalin e kulturës shqiptare, në Mantova-Itali”…A do të shkoni atje dhe çfarë përgatitjesh po bëhen tani, se koha erdhi?
Luljeta Avdiu-Cura: Po, ishte pikërisht miku Ndue Lazri, i cili ishte i gatshëm për bashkëpunim dhe Shoqëria Kulturore “Ana e Malit” mori ftesën për të qenë e pranishme në “Ditet e Kulturës Shqiptare”, në Mantova. Qëllimi është për të paraqitur atje folklorin tradicional të trevës sonë, pse jo, edhe nga ndonjë trevë tjeter shqiptare. Siç dihet, për veprimtari të tilla duhet përkrahje financiare, sepse zakonisht oraganizatorët mbulojnë vetëm shpenzimet e fjetjes e ushqimit, ndërsa për udhëtimin dhe çështje të tjera duhet të gjindet mbështetje, në rastin konkret, nga institucionet përgjegjëse në Ulqin.
6.Sigurisht, tërë kjo punë vullnetare dhe e papaguar është çmuar e vlerësuar, jo vetëm nga banorët e Ulqinit, por dhe më gjerë…Çfarë mund të tregosh, në këtë drejtim?
Luljeta Avdiu-Cura: Kam sakrifikuar shumë nga vetja, kur kam dashur të realizoj diçka. Prandaj shpirtin e kam përherë te këto veprimtari kulturore-artistike dhe aty gjej kënaqësi. Jam ndier e vlerësuar, kur kam marrë “Mirënjohje” për punën time, në ruajtjen e traditës dhe vlerave kulturore. Kjo gjë më ka motivuar që të punoj edhe më shumë.Ne ia kemi borxh vendlindjes, që ta japim gjithë ndihmesën tone, për traditat tona kombëtare shqiptare.

Në “Festivalin Folklorik Kombëtar” (Gjirokastër, 2015)
7.Kërkesa ime e fundit, por jo nga rendësia e saj, është: Çfarë mund të na thuash për jetën tënde, si vetjake dhe familjare?
Luljeta Avdiu-Cura: U tregova në fillim të bisedës sonë, që jam mësuese në një shkollë, në afërsi të qytetit Ulqin. Jam nënë e dy fëmijëve, Arbanës (shtatë vjet e gjysëm) dhe Albanit (20 muajsh). Pas orarit të punës, më pelqen t’i përkushtohem familjes sime. Gjithmonë kam menduar, se një femër nuk mund të jetë e suksesshme, nëse nuk ka në krah një bashkëshort, që e përkrahë vazhdimisht. Pra, një pjesë të arritjeve të mia modeste, ia kushtoj edhe bashkëshortit tim, Besimit. Shpresoj që femijët tanë, kur të rriten, do të marrin më të mirat, nga prindërit e tyre.
Ju faleminderit për ftesën tuaj dhe ishte kënaqësi, që pata privilegjin ta bëjmë këtë bisedë sëbashku!
Prof.Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë – Tiranë-Ulqin, 30 maj 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura