DOLI NGA SHTYPI LIBRI: ‘KONVENTA JUGOSLLAVO-TURKE PËR SHPËRNGULJEN E SHQIPTARËVE NË ANADOLL NË VITIN 1938’ I PROF.DR.HAKIF BAJRAMIT

Pashtriku.org, 22. 10. 2013 – Doli nga shtypi libri: Konventa Jugosllavo turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll në vitin 1938. Studiuesi dhe hulumtuesi i zellshëm i historisë shqiptare, prof, dr. Hakif Bajrami ka botuar “Konventën Jugosllavo Turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi në vitin 1938” . Në këtë libër janë evidentuar edhe krimet e masakrat që kishte kryer Mbretëria jugosllave kundër shqiptarëve me qëllim që ata, shpëtimin e vetëm nga shfarosja kolektive ta kërkonin duke ikur nga trojet e tyre stërgjyshore. Autori në veprën e tij ka sjellë një dyzinë faktesh të argumentuara shkencore dhe lëndë të pasur dokumentare që dëshmojnë për krimet monstruoze që ka kryer regjimi okupator jugosllav kundër shqiptarëve, sidomos në rajonet e Dukagjinit, Rugovës, Plavës e Gucisë, Sanxhakut, Llapit por edhe në trojet e tjera shqiptare të okupuara nga Serbia. Libri studimor “Konventa…” paraqet gjendjen tragjike të shqiptarëve, paraqet dhunën kolektive dhe mizoritë e panumërta që ka kryer regjimi serb, me qëllim të spastrimit etnik të trojeve shqiptare dhe të kolonizimit të tyre me elementin serb. Në këtë libër janë prezantuar emrat e mijëra të vrarëve, të pushkatuarve e të masakruarve, dëshmi autentike, të publikuara nga Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe në shtypin e kohës. Kjo vepër paraqet një kontribut të veçantë për historinë tonë kombëtare dhe një ndihmesë evidente, të faktuar e të dokumentuar që ka të bëjë me çështjen e Kosovës në veçanti dhe me çështjen e pazgjidhur shqiptare në përgjithësi. Libri ka 154 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi Shkrola në Prishtinë.
Një libër për krimet dhe dëbimet që kurrë nuk duhet të harrohen
Me një qëndrim të fortë realist kombëtar, (pa i shpëtuar ndonjëherë edhe dajakut të ideologjizimit partiak, që ishte jo vetëm preferencë por dhe domosdoshmëri për të gjithë studiuesit në kohën e monizmit jugosllav), profesor doktor Hakif Bajrami, ka hulumtuar dhe ka ndriçuar shumë segmente të së kaluarës, qofshin ato të diplomacisë së përgjithshme karshi çështjes shqiptare, e sidomos ka hulumtuar qëndrimin antishqiptar të qarqeve serbe e pro serbe, qysh prej gjysmës së dytë të shekullit të 19-të e deri në ditët tona, në veçanti krimet barbaroide e fashiste që në mënyrë institucionale dhe sistematike ka kryer Serbia kundër shqiptarëve prej vitit 1877 e deri në vitin 1999 si dhe dëbimin e shqiptarëve për në Turqi.

Puna e tij e palodhshme prej hulumtuesi shkencor, përkushtimi për të ndriçuar të vërtetën historike me qëllim që ajo t’ iu shërbejë brazave për ta mësuar mirë historinë, për të mos u lejuar përsëritja e saj, afiniteti për të gjurmuar tema me interes, bëjnë që profesor Bajrami të mbetet studiues i përkushtuar i historisë kombëtare dhe përkrahës i të gjitha lëvizjeve çlirimtare kombëtare, të cilat me pozitivitetin e tyre kanë ndikuar në zgjimin dhe ndërgjegjësimin e shqiptarëve në luftën e tyre të drejtë për liri dhe pavarësi.
Në vitin 1984, derisa ndodhesha në Burgun e Gjurakocit, ku ishim rreth 60 të burgosur politikë, profesor Bajrami kishte botuar në “Rilindjen” e asaj kohe një shkrim afirmativ për qëndrimin e drejtë dhe parimor të Kongresit të Katërt të Partisë Komuniste jugosllave, ku ishte ngritur për shqyrtim edhe çështja shqiptare në Kosovë e më gjerë. Në kohën kur në Kosovë dhe në Jugosllavi ishte vënë në zbatim platforma e LKJ-së për luftë kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe kur bëheshin përpjekje të pandërprera për ta diskredituar kërkesën për “Kosovën Republikë”, profesor Bajrami shpaloste faqet pozitive të PKJ-së, ku flitej për të drejtën e popujve për vetëvendosje, por dhe për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për t’ u bashkuar me Shqipërinë. Asokohe, unë dhe disa bashkëvuajtës, e kemi përshëndetur qëndrimin e guximshëm të profesor Bajramit, i cili me gjuhën e fakteve kishte nxjerrë në dritë një segment të historisë afirmative të PKJ-së, që nuk binte ndesh me kërkesat tona programatike për krijimin e Republikës së Kosovës ku do të përfaqësoheshin të gjithë shqiptarët. Ia kam pasur borxh këtë rrëfim opinionit për profesor Bajramin, sepse asokohe kemi debatuar gjerë e gjatë lidhur me studimin dhe arsyetimin krejt hapur, me mbështetje të dokumentuar në programin e LKJ-së, që ai i bënte kërkesave të drejta gjithëpopullore për liri, barazi dhe vetëvendosje. Shkrimet e tilla afirmative e mbanin gjallë moralin e të burgosurve politikë, sidomos kur ata përkraheshin nga inteligjencia shqiptare, e cila në kushte dhe rrethana të represionit, ishte detyruar të heshte, por atë heshtje indolente e kishin prishur herë pas herë, disa nga profesorët, studiuesit, gazetarët, për dallim nga studiuesit poltronë të regjimit.
Po ashtu i burgosuri politik, N.N. gjatë një bisede mes mureve më kishte treguar që profesor, Bajrami i kishte thënë se kërkesa për Kosovën Republikë, jo vetëm që është e drejtë, ajo është një kërkesë minimale, por strategjike për kohën dhe në të cilën duhet insistuar në të gjitha mënyrat.
Duke komentuar me shokët e burgut qëndrimin e tillë të një profesori të Universitetit, në princip shtohej pyetja, çka bënin të tjerët, çka bënte klasa politike e Azem Vllasit e Fadil Hoxhës, e cila nuk ishte në gjendje të mbështeste qëndrimin parimor të hershëm të PKJ-së, qëndrim i cili më vonë kishte devalvuar, por që mund dhe duhej të rikthehej për shqyrtim për të demonstruar një të vërtetë, e cila fliste për deformimet që më vonë iu bënë qëndrimeve parimore mbi të drejtën e vetëvendosjes së popujve, i cili kishte qenë qëndrim afirmativ pozitiv i shumicës dërrmues të partive të majta socialiste, e komuniste, kudo në botë, pas Luftës së Dytë Botërore.
I veçova këto dy elemente për të ballafaquar dy botë, dy mendësi të studiuesve dhe intelektualëve shqiptarë, në të kaluarën, shumica e të cilëve u gjet e pa përgatitur për t’u ballafaquar me kryengritjen shqiptare të marsit e prillit të vitit 1981 dhe me periudhën e represionit masiv që degradoi deri në suspendimin e autonomisë së Kosovës në vitin 1989-1990.
Profesor Bajrami, përmes lidhjeve të tij dhe mbështetjes që në këtë drejtim i kishte dhënë një segment i klasës politike e kohës, ishte lejuar të futej në arkivat e shtetit, ku edhe kishte gjurmuar fakte e dokumente të shumta e të ndryshme, në radhë të parë, ato që kishin të bënin me çështjen shqiptare, e cila asnjëherë nuk ishte shtruar, madje nuk po shtrohet as sot për një zgjidhje të drejtë, parimore, mbi principet universale afirmative të së drejtës së popujve për vetëvendosje.
Duke qenë autor i më shumë se 40 veprave të botuara dhe i qindra studimeve të publikuara në disa dekada, profesor, doktor, Hakif Bajrami tashmë ka krijuar një opus të gjerë të veprimtarisë hulumtuese shkencore, e cila ka begatuar dhe po e begaton literaturën historike dhe publicistike, që po botohet pas luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë.
Libri studimor, “Konventa” është një sagë tragjike e shqiptarëve, tragjedi kolektive e fatit të shqiptarëve e filluar në gjysmën e dytë të shekullit 19 dhe e vazhduar në kushte dhe rrethana të njohura historike deri në qershor të vitit 1999, kur Serbia, serbizimi, dhuna, masakrat e serbëve kundër shqiptarëve morën fund njëherë e përgjithmonë. Në këtë kohë të avansimit të çështjes shqiptare, në konsolidimin për ditë e më shumë të vetëdijes për bashkim kombëtar apo për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë, ky libër paraqet një material bazë, për të parë dhe për t’ u bindur se qëllimet e të gjitha qeverive të deritanishme serbe e sllave, fatkeqësisht të pëkrahura edhe nga shumë shtete demokratike të Evropës dhe botës, kanë pasur dhe kanë një qëllim, likuidimin, asgjësimin dhe ngulfatjen e shqiptarëve. Ky sindrom sllav e serb, më së miri hetohet pasi ta keni lexuar këtë libër fragmentar në dukje por shumë kuptimplotë në brendi e sidomos në porosinë, që i jep çdo shqiptari liridashës, për të mos e harruar të kaluarën, për të mësuar nga ajo dhe për të mos lejuar në asnjë kusht dhe në asnjë rethanë që ajo të përsëritet.
Politika jugosllave serbo-madhe kundër shqiptarëve ishte politikë infanticide, politikë e vrasjes së fëmijëve shqiptarë dhe zhdukjes kolektive të një populli. (Ahmet Qeriqi)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura