Tiranë, 18. 02. 2017:“Reportazhi” i gjallë dhe i flakët i Murat Gecajt për Kosovën, përfaqëson një ndihmesë të rëndësishme, e cila u jep mundësi lexuesve shqiptarë këtej kufirit, po edhe kosovarëve e bashkatdhetarëve tjerë në trevat e Ballkanit, që të njohin më në thellësi sakrificat e mëdha të popullit tonë për këto ditë, që jetojmë sot, solidaritetin mbarëshqiptar dhe vizionet historike për të ardhmen. (Prof.Bedri Dedja-Akademik, Tiranë, shtator 2000)
1.
Edhe kur ngjiteshim me “mikrobuzin” tonë në Qafën e Morinës, vështrimin përpiqesha ta përqëndroja diku larg dhe të dalloja sadopak qytetin e Gjakovës. Emri i tij lidhet ngusht me kujtimet e fëminisë sime. Siç dihet, deri më 1948 kufiri ndërmjet Malësisë së Gjakovës (Tropojë) dhe Kosovës ishte i hapur. Pra, lirisht mund të shkonin malësorët atje për tregti, vizita mjekësore etj. Kur isha i vogël, mbaj mend se nëna ime, Suta vuante nga sytë, por dhe nga malarja, e cila i solli vdekjen në moshë fare të re. Rrija me ankth, kur ajo shkonte për t’u vizituar në Gjakovë dhe e prisja krahëhapur. Kështu edhe babai im e merrte atë rrugë shpesh dhe andej na sillte simite të butë, të cilët gjithmonë i kujtoj nga vitet e fëminisë. Por, kryesorja, me emrin e këtij qyteti më lidhin më tepër figurat e shquara historike të Kombit tonë, që lindën e u rritën aty dhe zhvilluan veprimtari të shquar atdhetare, në periudha të ndryshme të luftërave të shqiptarëve për mbijetesë. Kështu, qyshë i vogël kam dëgjuar babain të tregojë episode nga jeta dhe lufta e Plakut të Maleve ose, siç i thonë ndryshe, “Dragoit të Dragobisë”, Bajram Curri. Flitej se e kishte origjinën nga një fshat i Nikaj-Mërturit, Curraj i Epërm. Ndoshta, pasi dhe mbiemri i tij ruan diçka të ngjashme. Kështu, nën udhëheqjen e tij, ashtu si mjaft luftëtarë nga Malësia, babai im kishte marrë pjesë në Luftën e Çabratit, për mbrojtjen e tokës amtare, në maj të vitit 1912. Në kujtimin e mëvonshëm, ai tregonte: “Asqeri i Vesel Pashës a hi në Gjakovë dhe dojshin me na shkelë vendin e me na marrë sylahin (armët) dhe me na shtërngue me shkue nizamë e me dhanë xhelep e vergji. Atëherë i asht qitë potera (kushtrimi) Malësisë, me i dalë asqerit para dhe me e pritë. Kush mujti me ecë e kush ka pasë shëndet, u bashkue me nji fjalë, “në shtatë e në shtatëdhetë”. Ali Binaku i Mulosmanaje e Mehmet Binaku i Dojane janë kanë të parët. Kur jena shkue na, lufta ish ka bahet prej Qafës së Prushit e deri n’ Çobrat t ‘ Gjakovës.
Bytyçi, Berisha, Hasi dhe Reka i thyen turqit n’ Qafë të Prushit dhe i shtinë në Gjakovë. Gashi e Krasniqja, Nikajt e Mërturi dhe Reka e Epërme i thyen në Çobrat. Këtu kena luftue 24 sahat, me martina e pushkë të gjata e me huta. Turqit ishin ma shumë dhe gjuejshin me manxerre mbreti (turke).
Në atë luftë, Papuça i Dojane e vrau bimbashin, por mbet dhe vetë i vramë. Ma vonë populli i këndoi kështu: “Qaj Papuça, djal’ i ri/ fort po qet kapakli,/ i bjen bimbashit bri në bri;/ ban bimbashi “hajmedet,/ ç’ më përpoq në kët’ milet!”. Aty u vra edhe Ndue Zeneli, prej Lekbibajve të Nikajve. Ushtria turke iku dhe aty mbet topaxhia. Atëherë, Ndou shkoi me pushkë në dorë kah ai. Të dy e qilluen sho-shojnë dhe mbetën dekun. Në Luftën e Çobratit u vranë dhe shumë turq. Mbasi i shtimë turqit në Gjakovë, shumica u kthyem nëpër shpijat tona”. (Z. Gecaj, nga libri “Lufta për çlirimin kombëtar, në vitet 1878-1912”, faqe 445; përgatitur nga Petraq Pepo).
Bacë Bajram Curri, në vitet që luftonte dhe ndiqej nga armiqtë, gjeti strehë edhe në kasollen tonë të thjeshte. Ja, për vite me radhë, ka qenë në Shqipëri një copë këndimi, për nxënësit e klasave të katërta. Ajo mbante titullin: “Plaku tregon…”. Në të shkruhej ky episode…” Plaku 75-vjeçar nisi të tregojë: …Bënte dimër i fortë. Suferina fishkëllente si e tërbuar nëpër grykat e maleve. Në kasollen tonë lokja ndezi bishtukun e bëri një zjarr të madh. Atë natë, te ne ishte musafir Bajram Curri. Ndejtëm deri vonë duke biseduar. Atë e ndiqnin këmba-këmbës që ta kapnin të gjallë. Një njoftim, sado i vogël, do ta rrezikonte jetën e tij, por dhe tonën. Por populli e mbronte dhe e donte Bjram Currin, sepese ai gjithë jetën u mundua për lirinë dhe lumturinë e popullit.
Të nesërmen, pa rënë mirë dita, mbasi na përqafoi të gjithëve, u nis bashkë me shokët, duke kaluar nëpër një përrua të thellë. Ata morën një rrugë të largët.
Unë, me litar në dorë e pushkën në krah, u nisa të marr dushk të thatë për dhitë. Prej së largu dallova tek po vinin katër veta, veshur me uniformë ushtarake. Me të shpejtë hodha pushkën në një hendek dhe vazhdova rrugën. Në atë kohë, po të gjenin me armë, të arrestonin e, bile, të pushkatonin.
Në krye të atyre të katërve vinte një shok “besnik” i Bajramit. Ai mezi merrte frymë nga frika, se mos Bajrami ishte aty. Më bëri shenjë prej së largu që të mernim masa. Po ashtu, me shenjë, i dhashë të kuptojë se Plaku i Maleve ishte larguar. U takova me ta dhe pastaj sëbashku shkuam në shtëpi, ku xhandarët bënë një kontroll të rrebtë. Në fund, ata të egërsuar lidhën kusheririn tim plak, M. Halilin. Njëri nga xhandarët e shtyri me forcë dhe ai ra përmbys në borën e ngrirë. Nga buza i rrodhi gjak, i cili e skuqi borën e bardhë. Atë e liruan nga burgu, vetëm atëherë kur Bajram Curri u vra në Shpellën e Dragobisë…”.( Nga teksti “Këndimi”, klasa IV, Tiranë, 1959-1963 ).
Po sa herë më kishte folur babai edhe për cilësitë e rralla, që gëzonte Bajram Curri. Ndër të tjera, tregontë për të: “Ishte i pashëm, si lisi me rrema; i thjeshtë e zemërgjanë; burrë trim e guximtar; ishte bujar e ta dinte nderën…Një herë, shkova në Gjakovë me ble misër a grunë, se nuk kishim bukë me hangër. Por as në treg nuk gjeta me ble. U ktheva duarthatë te shtëpia e Begut. E mori vesh hallin tem e më ndali me fjetë atë natë aty. Muhabeti- deri në gju… Në mëngjes dola në oborr. I thirri dikuj e ma sollën mushkun tim. Pashë se i kishin futë 100 kile grunë në dy thasë. Sa u gëzova! Por Bajrami nuk pranoi të merrte asnji lek prej meje. Bile, m’u drejtue si me ngërmim:- A, ty që më kie pritë e përcjellë dhe kie rrezikue kryet për mue, disa herë, me të marrë pare-a?!” U pikëllua pa masë, kur i varën në litarë bashkëpunëtorët e ngushtë të Bajram Currit, prijësit e krahinave të Bytyçit e Nikaj-Mërturit, Hoxhë Zogun e Tarçuk Ramën. Gjithashtu, provoi dhimbje të madhe, kur vranë prijësin e Gashit, Tarçuk Ramën dhe më 29 mars 1925 vranë pabesisht udhëheqësin e madh të Kosovës e mbarë Shqipërisë, Bajram Currin.
Babai më kishte treguar edhe ngjarje të tjera, me të cilat nuk dua ta lodh këtu lexuesin. Por po përmend vetëm se unë, kur isha i ri, u njoha: me bashkëshorten e Bajram Currit, nënë Dervishen; me dy të bijat, Feriden e Hajrinë (kjo tani e moshuar, jeton në Shkodër), si dhe me mbesat, Valdeten (vdekur sivjet) e Mimozën dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje të nderuar, sot me banim në Shkodër. Gjithnjë e kam patur aty derën të hapur, më kanë pritur me respekt e dashamirësi.
Por, nuk mund të lë pa shënuar këtu, se me Gjakovën më lidhte edhe kujtimi i viteve të Luftës NcÇl. Megjithëse isha i vogël, mbaj mend përfshirjen në luftën për liri të vëllait tim të madh, i cili quhej Xhemë, me pseudonimin “Shkumbini”. Ishte i lidhur me partizanë të formacioneve të ndryshme në Malësinë e Gjakovës, por dhe në Kosovë. Njihte nga afër Emin Durakun, Xheladin Hanën etj. Shpesh e kishin ngarkuar me detyra: për të tërhequr makina shkrimi, radio të ndryshme etj. në Gjakovë dhe t’i dërgonte në ndihmë të shtabeve partizane në Malësi. Nuk do të zgjatem këtu, por kujtoj një rast, gjatë Operacionit të Dimrit 1943-1944, kur mori në shtëpinë e Xh. Hanës një radio marrëse-dhënëse e disa mjete të tjera. Por, pasi hyri në Malësi, në një rrugë malore plot me borë, u diktua nga pararoja gjermane. Hodhën lart raketa shumëngjyrëshe dhe e bënë vendin si ditë dhe pastaj qëlluan me breshëri armësh. Pasi u dha parullën, “Shkumbini”, në një kthesë rruge dhe hëngri një të sharë nga udhërrëfyesi i gjermanëvë, zbriti poshtë me shpejtësi. Megjithëse i ngarkuar rëndë, vrapin e ndali në fshatin Geghysen. Aty i hapi derën një nënë burrneshë dhe kështu e shpëtoi nga gjermnanët. Pastaj, ai nxitoi të dërgonte në Shtabin Epror të partizanëve kosovarë, me vend-ndodhje në Curraj Epërm, materialet e tërhequra në Gjakovë..
Ballina e parë e librit,”Si e pashë unë Kosovën”(Tiranë,2000),me autor Murat Gecaj.
2.
Këto e të tjera episode e ngjarje, më vijnë ndërmend ndërsa udhëtojmë nga Deçani në drejtim të qytetit historik të Gjakovës. Ky vërtet meriton një përmendore lavdie, pasi është larë ndër mote “me kova gjaku” të bijve e bijave të tij, ndër më të mirët, për t’i mbrojtur të paprekura: tokën dhe traditat më të qenësishme të tij, të simboleve të shenjta kombëtare, të cilat kanë qenë kurdoherë objekt i synimeve e shkatërrimeve të armiqëve pushtues. Kjo gjë u vërejt dukshëm edhe në luftën e fundit, kundër pushtuesve serbë, në vitet 1998-1999, të mbarë kosovarëve për pavarësi e liri.
Rrugës për në Gjakovë, drejtuesi i mjetit, Qerimi më tregon fshatin Carabreg i Epërm, i cili është djegur e shkatërruar pa masë nga serbët. Pastaj vjen ura mbi lumin Bistricë. Në të dyja anët, shtrihen fusha të minuara nga serbët. Specialistët anti-minë e paralajmërojnë popullatën për t’u mbrojtur prej tyre: me anën e shigjetave, shiritave të kuq apo tabelave me mbishkrimet: “Mina!”, “Ruajuni nga minat!” etj. Zona e minuar këtu është si një shirit i madh, që zbret që lart, nga fshati Voksh dhe zbret në Drenoc e Lloqan e vazhdon fushës, në të majtë, për në fshtarat e tjerë të krahinës: Prelep, Irzniq, Gllogjan e Jabllanicë dhe shtrihet deri në zonën martire të Drenicës. Në Prelep bie në sy dëmtimi masiv i shtëpive të fshatarëve nga granatimet serbe dhe, më pas, nga djegia e tyre e pamëshirshme. Për të kuptuar se sa të mëdha janë dëmtimet, shihet mirë nga grumbujt e mëdhenj të mbteturinave, që hiqen nga buldozerët e makinat disatonëshe. Pothuajse të gjitha shtëpitë po rindërtohen nga themeli.
Në të djathtë, rruga të çon për në Junik, ndërsa majtas shtrihet fshati Rostovicë. Gjelbërimi i pafund lejon vetëm të shikosh çatite e kuqe të shtëpive të padëmtuara ose të atyre, që janë ngritur të reja tani, pasi edhe këtu dëmtimet e tyre ishin masive. Më tej, afër 500 m larg, po majtas për në Baballoq, shtrihen dhjetëra shtëpi të njëllojta në një lagje, ku kanë banuar refugjatët e ardhur nga Vraka. Tani aty janë vendosur kryesisht familje të dëshmorëve, pjesëtarëve të UÇK-së ose me mundësi të pakta ekonomike. Si në shumë pika të akseve rrugore në Kosovë, para na del një postbllok i ushtarëve italianë të KFOR-it. Përshëndetemi me ta dhe japin sinjalin për vazhdimin, pa probleme, të udhëtimit tonë. “Këta janë më të mirë e më të sjellshëm”-pohon Qerimi. Kur kalojmë afër fshatit Hereq, shohim tej në horizont Sukën e Hereqit, aq e njohur në luftërat e shqiptarave kundër pushtuesve të huaj, pra dhe në këtë të viteve të fundit.
Më të moshuarit këtej, rrëfejnë: “Një pasha turk, kishte ardhur në këto anë që ta bënte “zap” popullin: ta nënështronte me çdo mjet, t’i merrte djemtë ushtarë, të mblidhte taksa të rënda…Por, një fjalë e urtë thotë: “kadalë beg, se ka hendek”! Shqiptarët e rrethuan pashain turk, aty në Sukën e Hereqit, si në një darë të hekurt. Vendi ishte mjaft i thatë e pa ujë. Bukën nuk kishin nga ta merrnin, po kështu fishekët…Pashai nuk kishte qenë asnjëherë më ngushtë në jetën e tij. Dhe i mbeti vetëm të dorëzohej, të kapitullonte! Prandaj, kaloi nga brezi në brez thënia kuptimplote e, njëkohësisht, aq therëse: “Si Pasha në Sukë!…”
Majtas, lëmë pas fshatin Dujakë, ku duket mirë ndërtesa e shkollës 8-vjeçare dhe djathtas, fshatin Plangçor. Duke kaluar përmes fshatit Skivjan, shohim rrënojat e një shtëpie të madhe, që e dogjën pas luftës. Para se të hyjmë në Gjakovë, shohim fabrikën e frutave, që u bombardua gjatë luftës nga NATO-ja, pasi aty ishin fshehur forcat ushtarake serbe. Sa keq të vjen, për këtë dëm ekonomik! Por lufta i ka këto. Gjithashtu, shohin ndërtesat e mëdha të Kombinatit të Tekstileve “Emin Duraku”, ku ende nuk ka nisur puna…
Në afërsi të Hotelit “Pashtriku”, në qendër të Gjakovës, takojmë pedagogun e psikologjisë, në shkollën e mesme mjekësore, Gjergj Gojanin. Shohim se këtu janë vendosur dhe forca të KFOR-it. Në pjesën e Çarshisë së Vogël, në lokalin e bukur e të freskët “Aida”, takohem me mikun e prof. Bedri Dedja, Qazim Bytyçin. Pasi përshëndetemi, bisedojmë për 3.000 mijë copë të romanit të njohur, “Një udhëtim i rrezikshëm”. Ia ka dërguar për t’ua shpërndarë falas fëmijëve kosovarë, në Gjakovë dhe në Prishtinë. Baca Qazim ka qenë vetë arsimtar dhe e kupton mirë rëndësinë e një gjesti të tillë domethënës të shkrimtarit tonë të njohur të letërsisë për fëmijë. Prandaj shprehet se, sa më shpejt që të jetë e mundur, do ta realizojë këtë punë të dobishme. Për këtë gjë, do të bashkëpunojë me kolegët e Drejtorisë së Arsimit dhe Shkencës, këtu në Gjakovë dhe me të njohur të tij, në Prishtinë. Sidoqoftë, shënoj këtu se kam bindjen që, si fëmijët në Kosovë dhe ata në Shqipëri, kanë nevojë të njohin sa më shpejt e më mirë letërsinë e ndërsjelltë, të krijuar posaçërisht për moshën e tyre.
Për të shkuar në Çarshinë e Vjetër, na u desh të kalojmë rrugicë më rrugicë me makinën tonë. Ndodhi kështu, pasi po bëhej gati një manifestim proteste në qendër të qytetit, për të sensibilizuar opinionin e brendshëm e të jashtëm ndërkombëtar, që të gjinden të zhdukurit dhe të lirohen të burgosurit politikë. Demonstrata të tilla, pamë që u zhvilluan shpesh, me të drejtë edhe në qytete tjera e në fshatra të ndryshme të Kosovës.
Sa herë e kam parë, në fotografi a filma dokumentarë, këtë pjesë karakteristike të Gjakovës, e cila i ngjan Shkodrës, Elbasanit a Beratit të vjetër. Janë ruajtur e janë restauruar me kujdes ndër mote: shtëpitë e banimit, dyqanet, pikat e punimeve zejtare, objeket e kultit, ndërtesat historike etj. Ndërsa gjatë luftës, agresorët serbë u futën tinzisht, si gjarpërinj helmues a bolla, nëpër këto rrugica dhe nga goja vollën zjarr. Flakët morën dyshemetë, dyert e dritaret, çatitë…Se ata mendonin, me djallëzi, që kështu nuk do të lenin gjurmë pa zhdukur, të identitetit kombëtar të shqiptarëve! Sigurisht, kjo ishte vetëm një utupi. Tani, ne bëhemi dëshmitarë të faktit se ndërtesat karakteristike, të të gjitha llojeve në Çarshinë e Vjetër, po riparohen ose rindërtohen, duke u bërë ashtu siç kanë qenë ose më të bukura. Ndërsa unë, me apratin fotografik, mundohem të fikësoj gjurmët e shkatërrimit të atyre barbarëve.
Këtu shohim dhe ndërtesën e Shkollës së Lartë Pedagogjike “Bajram Curri”, e cila ka dhnë e po jep një ndihmesë të çmuar si vatër e përgatitjes së brezave të rinj të mësimdhënësve për shkollat shqipe në Kosovë. Janë të shumtë pedagogët e përkushtuar të saj, studiues dhe botues të disa librave me vlerë. Në afërsi, ndalemi para një Përmendoreje të rrëzuar. U kushtohej luftërave shumëshekullore të popullit tonë, për liri e pavarësi. Serbët e kishin granatuar si sadistë dhe e kishin hedhur poshtë. Por ata qëlluan pa mëshirë e me urrejtje të papërmbajtur dhe mbi minaren e Xhamisë së vjetër, që e këputën mëdyshë!
Me egërsi, serbët u përpoqën të digjnin e të shkatërronin çdo gjë të traditës shqiptare edhe nëpër fshatra. Këto ditë kam parë, psh, në zonën e Junikut, kulla të bukura karakteristike, të punuara me gurë e me dru të zgjedhur etj. Këto monumente historike të arkitekturës popullore shqiptare, i kanë djegur dhe shkatërruar me egërsi vandalët serbë. Po sa puna artistike, mendja e djersa, duhen që të kthehen në origjinalitetin e tyre! Fotografova ndonjërën prej këtyre kullave, ashtu të dëmtuar. Por, mendoj se me këtë veprimtari kërkohet të merren studiues e specialistë të fushave të: historisë, arkitekturës, etnografisë etj., fotografë e operatorë, piktorë e skulptorë të afirmuar. Se kemi patur humbje të pallogaritshme nga traditat tona materiale. Por, me gjithë vështirësitë e ndryshme, ekonomike etj., mund e duhet të vihën në vendin e vet, sa më shpejt, të jetë e mundur.
Në këtë pjesë të Gjakovës shohim dhe shtëpitë e Abdulla pashë Drenit e të Sulejman Vokshit. Janë figura të shquara të historisë sonë kombëtare. Prandaj përulemi me respekt të thellë para jetës dhe veprës së tyre. Rastësisht, këtu takoj studiuesin Nesim Vala, gjeograf veteran, me të cilin bëjmë një fotografi pranë mureve të shtëpisë së S. Vokshit. Ai më pyet për disa kolegë e të njohur të tij: prof. Bedri Dedja e prof. Nuri Abdiu, si dhe kujton me nderim prof. Shaban Baxhakun e prof. Vehbi Balën, që tani nuk jetojnë. Sapo kalojmë urën, fiksoj dhe një varr të vjetër: atë të Mehmet Ali pashës ose Maxharr pashës, siç e njohu populli. E vranë, pikërisht në këtë vend, më 6 shtator 1878. Secili shqiptar, instiktivisht edhe këtu mendon: “Kështu do t’i lenë kockat, të gjithë pushtuesit!…”.
3.
Një “pikë e dobët” e vizitës sime në Gjakovë, por dhe kudo nëpër Kosovë, është rruga e shkollës shqipe, zhvillimi arsimor. Siç është përmendur në hyrje të këtij libri, kam mbrojtur disertacionin për ndihmesën e disa mësuesve veteranë kosovarë, në çeljen dhe funksionimin e shkollave shqipe. Ndër të tjera, sipas dëshmive e dokumenteve të mbledhura, del se në vitin 1915 u hap shkolla shqipe edhe në qytetin e Gjakovës. Pas shkollës së parë shqipe, që ishte hapur më 1 maj 1889, në qytetin historik të Prizrenit, nga mësuesit atdhetarë Mati Logoreci e Lazër Lumezi, ajo ishte një ndër ngjarjet më madhore në historinë e arsimit shqip në Kosovë. Ja, tani unë ndodhem pranë ndërtesës së ish-mejtepit, që shërbeu si shkollë e parë shqipe. Pranë, ruhet dhe ndërtesa e mëvonshme e kësaj shkolle. Siç është e kuptueshme, për të arritur deri aty, por dhe për ta mbajtur të hapur shkollën shqipe, u deshën energjitë mendore e fizike të atdhetarëve më në zë, si Bajram Curri e Hasan Prishtina, por dhe të mjaft mësuesve atdhetarë. Në vitin l9l5, një gazetë e kohës shkruante edhe këta rreshta:
”Një grup mësuesish, kryesisht gjakovarë, me në krye Niman Ferizin e Sali Morinën,vendosi që të shfrytëzojë situatën dhe të hapë shkollën shqipe në Gjakovë.Vendimi u muar në shtëpinë e Niman Ferizit dhe në praninë e mësuesve patriotë: Niman Ferizi, Ferid Imami, Sali Morina, Ibrahim Fehmiu, Qazim Bakalli, Ibrahim Kolçi, Man Osa, Isuf Puka, Murat Muhaxhiri e Lush Noca…Mësuesit punonin vullnetarisht, pa pretendim, por me qëllimin e lartë të edukimit të fëmijëve me frymën kombëtare”.( Gaz. “Mësuesi”, Tiranë, 19.04.1972, faqe 8).
Kjo shkollë u pagëzua me emrin domethënës “Skënderbeg” dhe u përkrah gjerësisht nga klubi shqiptar “Besa Kombiare”. Drejtor i parë u caktua Mësuesi i Popullit Sali Morina. Numri i nxënësve të regjistruar ishte afër 350 dhe, ndër ta, kishte një klasë me 30 vajza. Gjithashtu, u regjistruan dhe vijuan mësimin e shqipes mbrëmjeve, afër 300 veta. Shpejt, shkolla fillore e Gjakovës u shndërrua në 6-klasëshe. Synimi ishte që të sigurohej personeli i nevojshëm për administratën në gjuhën shqipe. Në këtë drejtim u treguan të palodhur disa mësues atdhetarë të kësaj shkolle, që ishin arsimuar në Normalet e Shkupit, Elbasanit e Beratit. Ndonjëri prej tyre bëri të mundur dhe hapjen e shkollës shqipe në rrethinat e Gjakovës. Kështu, siç dëshmohet në një broshurë (Gjakovë, 1995), të përgatitur nga arsimtarët e pasionuar të saj, Zef Osmani e Salih Kokalla, një shkollë e tillë u hap, në vitin arsimor 1915-1916 edhe në fshatin Cërmjan, të zonës së Dushkajës. Mësues i parë i saj u caktua Muharrem Domi. Shkolla e vazhdoi jetën e saj deri në vitin 1918, kur u larguan pushtuesit austro-hungarezë. Ndërsa më vonë, aty shërbyen mësues e drejtues: Asllan Hoxha, Basri Kryeziu, Hysen Roka, Mustafë Basha, Selim Beka, Halit Isufi, Binak Luma etj.
Mësuesit veteranë, që u shkolluan në Kosovë, Shkup a gjetkë dhe u kualifikuan më tej në Normalet e Elbasanit, Beratit, Shkodrës etj., shërbyen pa u lodhur edhe për përhapjen e arsimit dhe të diturisë në shkolla të qyteteve e fshatrave të ndryshme të Shqipërisë. Të shumtë janë ata, por po përmendim disa emra të tyre: Mësuesit e Popullit Shtjefën Gjeçovi, Qamil Bala, Sali Gjuka, Sali Morina, Ahmet Gashi, Avni Zajmi, Niman Ferizi, Sadi Pejani, Isuf Puka e Zekeria Rexha; Mësuesi i merituar Ferid Imami, Mësuesi i merituar dhe Piktor i Popullit Abdurrahim Buza; mësuesit dëshmorë Xheladin Hana e Ramiz Treni; mësuesit veteranë Ibrahim Fehmiu, Hajdar e Myrteza Shedula, Murat Muhaxhiri-Gjakova, Minush Shala, Sulejman Shala, Ibrahim Kolçi, Jonuz Blakçori; Demush Taha, Ahmet Imami, Hajdar Çaushi, Luigj Shala, Sabrie Boletini, Abdurrahman Çavolli, Mehmet Vokshi, Beqir Kastrati dhe shumë të tjerë.
Shkolla shqipe në Gjakovë dhe në mbarë Kosovën përjetoi ngjarje të shënuara. Sidomos në vitet e fundit të shekullit XX, u përball me vështirësitë e shumta, që sollën pushtuesit serbë. Por, megjithatë, ajo mbijetoi. Tani, në liri, drejtuesit e arsimit, mësuesit, nxënësit e prindërit, po përpiqen që shkolla shqipe të ecë në rrugë të mbarë, duke zvogëluar gradualisht vështirësitë e paevitueshme, që dalin përpara. Ata janë të vetëdijshëm se, në themelet e shkollës së re, janë mundi, djersa e gjaku i luftatarëve të lirisë, i atyre që nuk kursyen asgjë që vendi të çlirohej nga vargonjtë e robërisë serbe. Si homazh madhështor janë përkujtimet, që u bëhen të të rënëve në fushën e betejave. Se ata e meritojnë plotësisht një gjë të tillë. Kur shkruaj këto radhë, më kujtohet biseda e zhvilluar në oborrin e tij, aty në fshatin Drenoc, me mësuesin veteran, Bajram Alaj. Ai u shpreh, pak a shumë kështu, për rolin e madh të armatës së arsimtarëve, në kundërshtimin me çdo mjet dhe luftën e vendosur kundër rregjimit pushtues serb:
“Vezët a gështenjat, në prushin e tangarit, të parët ia kanë futë serbit, arsimtarët shqiptarë. Pra, “pushkën” e parë kundër pushtuesve serbë e kanë “zbrazë” mësuesit tanë. Nuk thonë kot: fjala vret më shumë se plumbi! Në fletoret tona, ne e shkruanim ditarin, sipas plan-programeve serbe; ndërsa ndryshe ua shpjegonim nxënësve në klasë, pra me frymë atdhetare e vetëm me ndjenja kombëtare shqiptare. Populli ynë ka një fjalë të urtë:- Dy duar, për një krye janë! Qëndresa e parë, pasive dhe aktive, në çdo anë të Kosovës, e ka burimin e bardhë në mendjen dhe veprën e ndritur të arsimtarëve shqiptarë”. Ndërsa baca Qerim, ia pret aty për aty: “Unë nuk shërbej në fushën e arsimit. Megjithatë, për mësuesit jam i gatshëm që të jap ndihmesën time dhe të sakrifikoj për ta, sipas mundësive të mia familjare. Ja, po sjell ndonjë shembull nga komuna e Deçanit. Dy vjet shërbeu pa u paguar dhe pa munguar asnjë ditë, mësuesi 50-vjeçar Sokol Shala. Shkonte çdo ditë, 15 km larg, nga Prapaçani në shkollat e Vokshit e Drenocit. Megjithëse ishte me rroba e këpucë jo të mira dhe ushqim të pamjaftueshëm, asnjëherë nuk u ankua. Kështu, po nga Drenoci ishte 30-vjeçarja Florie Alaj dhe jeptë lëndët e fizikës e kimisë për nxënësit e shkollës në Maznik. E sa e sa shembuj të tillë mund të tregosh! Mësuesit tanë nuk e kursyen as jetën për lirinë e tokës amtare…”.
4.
Domethënëse është dhe fakti që, në përgjithësi, janë evidentuar të gjithë mësuesit e nxënësit, që u vranë, u burgosën ose që janë zhdukur gjatë luftës me serbët, në Kosovë. Punonjësi i Drejtorisë së Arsimit dhe Shkëncës në komunën e Gjakovës, Zef Osmani, më dha emrat e punonjësve të fushës së arsimit, që janë vrarë gjatë luftës. Duke u përulur me nderim para kujtimit të tyre, po i rendis si më poshtë:
Mustaf Bobi, Jusuf Dafota, Neki Pula, Ali Beqa, Shahindre Hoxha, Dritan Zeneli, Daniell Berisha, Isuf Ahmeti(drejtor shkolle,Ponoshec), Rexhep Syla, Hysen Avdyli, Rexhep Sadiku, Hasan Osmani, Shyt Hasanaj, Pjetër Abazi, Hysen Arifi, Gaspër Karaqi, Ali Feraj (drejtor shkolle, Goden), Bashkim Osmani, Mehmet Osmanaj, Skënder Fatahu, Valbone Vejsa, Xhavit Fetahu, Gjokë Ndrecaj, Ali Hasi, Arsim Rama, Hajdin Haziri, Sadri Zeneli, Mustafë Abazi e Mark Malota. -I paharruar qoftë kujtimi i tyre!
Nga kjo komunë, janë të njohur edhe emrat e 21 nxënësve të vrarë gjatë luftës dhe 9 të zhdukurve. Gjithashtu, të zhdukur janë 24 arsimtarë; ndërsa të burgosur: 9 arsimtarë e 2 nxënës. Ja, ky është “bilanci” tragjik i genocidit të pamëshirshëm dhe të pashëmbullt serb, vetëm në zonën e Gjakovës, por i shumëfishuar në mbarë Kosovën! Shkolla shqipe ndjen dhimbje, por dhe krenari të ligjshme për martirët e saj. Brezat e mësuesve e nxënësve, në vitin arsimor që kaloi, punuan shumë për ta rritur nivelin e punës edukative dhe mësimore. Për këtë gjë flasin qartë “evidencat” zyrtare, që mora në Drejtorinë e Arsimit dhe Shkencës të Gjakovës. Janë bërë e po bëhen mjaft ndërtime të reja shkollore, meremetime e përshtatje. Do të shtohet basa materiale e didaktike, do të plotësohen nevojat me tekste të reja. Së shpejti, në shkollat e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, nxënësit do të mësojnë me Abetaren e njësuar shqipe. Ky është hapi i parë, në integrimin mbarëkombëtar të arsimit dhe të shkollës shqipe. Pra, të gjithë jemi optimistë, se arritje më të mira do të shënohen në vitin e ri shkollor 2000-2001 dhe në vazhdimësi.
Ndiej kënaqësi, kur e di se në Drejtorinë Arsimore dhe në shkollat e Gjakovës, tani me përgjegjës Feti Dashin, shërbejnë specialistë dhe mësues të pasionuar të fushës së arsimit. Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe studimet e botimet serioze të disave prej tyre, për të cilat kemi bërë shënime modeste në faqet e gazetës “Mësuesi”, organ i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ku unë punoj. Kështu, drejtori i SHLP “Bajram Curri”, Mr.sc. Hilmi Hasimja ka botuar librin “Praktikumi i kimisë së përgjithëshme dhe inorganike” dhe prof. Besim Dyla ka botuar librat: “Pedagogjia”, “Didaktika”, “Didaktika e vlerësimit të përparimit të nxënësve” (bashkautor me Dr. Bardhyl Musain) dhe, së fundi, “Struktura e elementëve mësimorë”. Ndërsa pedagogu i shkollës së mesme mjekësore, Gjergj Gojani, përveç një fjalori për mësimin e gjermanishtes, ka botuar sivjet librin me vlerë “Kultura e të folurit te fëmijët”. Sigurisht, ka dhe autorë te tjerë botimesh nga fusha e arsimit dhe ju kërkoj ndjesë, që nuk po i shënoj këtu emrat e tyre.
Është gjë e bukur e domethënëse se, pas luftës, po vendosen lidhje të ndërsjellta ndërmjet shkollave të Kosovës dhe të Shqipërisë. Janë organizuar edhe vizita të ndryshme. Kështu, po përmend vetëm dy raste. Siç sdihet, Qafa e Prushit i ndan banorët e fshatit Zogaj, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) dhe atë të rrethinave të Gjakovës. Sivjet, mësuesit e nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Hoxha Zogu” realizuan një vizitë të paharruar dhe u takuan me kolegët e tyre të shkollës së mesme “Hajdar Dushi” të Gjakovës”. Bënë fotografi të përbashkëta dhe u ndanë si vëllezër të një gjaku. Por kështu, një vizitë interesantë dhe plot mbesa bënë në Kosovë edhe mësuesit e nxënësit e shkollës së mesme Teknologjike të Tiranës, me drejtor Naum Kulen. Vizituan Gjakovën, por dhe më tej: Rrafshin e Dukagjinit, Pejën dhe pastaj kreyeqendrën, Prishtinën. Kudo gjetën njerëz mikpritës, të dashur dhe u ndanë me përzemërsi. E kështu mund të flasim për të tjera udhëtime të tilla, që po i afrojnë më shumë shqiptarët e shkollave, qyteteve dhe fshatrave tona. Po kështu, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në Tiranë, kanë ardhur për të biseduar e bashkrenduar punët figura të njohura të arsimit e shkencës së Kosovës, ndër të cilët prof. Agim Vinca, Xhevat Sylaj, Qamil Batalli e të tjerë. Po kështu, kanë shkuar e do të vijojnë të shkojnë studiues e zyrtarë të arsimit e shkencës, nga Tirana në Prishtinë. Tashmë, kjo praktikë do të jetë e natyrshme, në të gjitha fushat e jetës.
5.
… Në kthim, nga Gjakova për në Deçan, ne morëm djathtas, për në fshatin Baballoq. Në fundin e Sukës së Hereqit janë Varrezat e Dëshmorëve, mbuluar plot me lule shumëngjyrëshe. Aty valëvitet krenar Flamuri ynë Kombëtar, i cili ua shton lavdinë të rënëve. Përulemi me nderim të thellë, para kujtimit të tyre të paharruar. Përmes gjelbërimit të pafund të këtyre fshatrave, në horizont shohim Bjeshkët e Nemuna: Rrasën e Zogit, Bjeshkën e Gjerovicës, Majën e Strellcit. Shihet dhe fshati Koshare, legjendë e gjallë e luftës për liri e pavarësi. NË PRILL TË VITIT 1999, atje u zhvillua beteja madhështore e forcave shqiptare, e cila bëri të mundur që të zbrapseshin në vijë fronti, prej disa km, agresorët serbë, të përqëndruar në kufirin me Shqipërinë. Ndodhi ajo, që do të përkujtohet kurdoherë në historinë tonë të bashkimit: U morën postat kufitare serbe, nga forcat tona dhe u hoqën përgjithnjë gurët e ndarjes: të rëndë, shekullorë…Kështu: RA MURI I “BERLINIT” SHQIPTAR! Deri në Junik e më tej, nuk u pa më këmbë armiku. Prandaj, sivjet, pas një viti aty u bë festë e bukur popullore përkujtimore. Me siguri, kjo ngjarje do të marrë përherë e më tëpër përmasa më të mëdha. Se gjithë ajo ish-zonë kufitare u la me gjakun e sa e sa djemëve trima, nga Kosova e Shqipëria. Aty ranë mbi 120 trima luftëtarë, në kujtim të të cilëve lartësohen lapidarë të bardhë, me grumbuj lulesh-simbole të mirënjohjes mbarëshqiptare.
Sapo lemë prapa fshatin Baballoq, ndalemi pak në fshatin Dubravë. Këtu shohim pikën për trajnimin e njerëzve, në luftën anti-mina, si dhe mjetet speciale për këtë aksion sa human, aq të rrezikshëm. Ndërkaq, më kujtohen ato që më tregonte këto ditë kolegu e miku im, nga Zogajt e Malësisë së Gjakovës, Ibrahim Hajdarmataj. Ai është arsimtar, por dhe veprimtar i dalluar i shoqatës anti-minë “Kerri”, me qendër në Kukës. Ja, faktet që ai më dëshmoi: “Në fshtrat e brezit kufitar të rrethit tonë, kanë mbetur në mina 25 veta dhe janë plagosur mbi 90 të tjerë, 23 prej të cilëve fëmijë e nxënës. Ndër të plagosurit, ka nga ata që kanë humbur dorë, këmbë ose sy, duke mbetur të gjëmtuar për gjithë jetën. Pushtuesit serbë arritën ta minonin gjithë brezin kufitar të rretheve Kukës, Has e Tropojë, deri 1 km në brendësi të tokës sonë. Dëmtime të mëdha janë shkaktuar edhe në ekonomi. Kështu, u prishën afër 20 % e shtëpive të brezit kufitar. Nga shkaku i minimit të tokës, kanë mbetur pa u shfrytëzuar livadhet për barë, pyjet për dushk e dru. Vështirësi janë krijuar për sigurimin e ujit të pishëm dhe për ujitjen e tokave të punushme, në kalimin normal nga një fshat në tjetrin. Për të përballuar këtë situatë, ka dhënë ndihma Kryqi i Kuq: në ushqime, ilaçe etj.”
Duke menduar për këto pasoja nga minat, si në Kosovë e në Shqipëri, në të hyrë të fshatit Gllogjan, aq i dëgjuar për luftën dhe qëndresën antiserbe, pak djathtas shohim një shtëpi, ku valëvitet Flamuri Kombëtar. “Aty jeton babai i komandantit legjendar të Zonës së 3-të Operative të Rrafshit të Dukagjinit, Ramush Hajredinaj”,-më shpjegon Qerimi. Ndërkaq, përpiqem të kaloj në kujtesë episode nga libri, në formë interviste, shkruar nga Bardh Hamzaj. Ai mban titullin “Rrëfim për luftën dhe lirinë” (Dialog me komandantin Ramush Hajradinaj), të cilin e kisha lexuar që në Shqipëri. Por është e shpjegueshme se përse tani ato, që përshkruhen në atë botim, më duken më të afërta dhe më “të kapshme”. Kjo sepse po njihem me fshatrat e vendet, ku janë zhvilluar luftime të përgjakshme kundër armikut, aty ku janë provuar shija e ëmbël e fitores, nga kosovarët dhe shija aq e hidhur e humbjes, nga pushtuesit serbë. Pavarësisht nga subjektivizmi, që mbartin botime të tilla, libri në fjalë mendoj se është mjaft interesant. Vlera e tij lidhet me dokumentimin e ngjarjeve tragjike e heroike dhe të luftës titanike, që përjetoi gjoksi-çelik i shqiptarëve të Kosovës, i përballur me agresionin barbar të Serbisë së militarizuar, deri në dhëmbë. Me pak fjalë, është një libër që lexohet me kureshtje, sepse u kushtohet: luftës, fitores së merituar dhe paqes, që e dëshirojnë aq shumë popujt, pra dhe shqiptarët liridashës e krenarë.
Siç është tashmë e njohur, sulmi i parë serb mbi fshatin Gllogjan u bë më 24 mars 1998. Atë ditë u vra një polic serb dhe pastaj u ndërmor një ofensivë e madhe policore e ushtarake ndaj këtij fshati të pambrojtur. Atë ditë ranë tre dëshmorët e parë të UÇK-së, e cila po konsolidohej si shpresë për popullin dhe tmerr për armikun pushtues. Në një kodër të vogël të Gllogjanit, janë varret e 22 dëshmorëve të lirisë, pjesëtarë të UÇK-së. Aty, përballë më tërheq vëmendjen një shtëpi, ku ka të stolisur në ballë Flamurin Kombëtar, me një shqiponjë të madhe. “Në kohën e sundimit serb,- sqaron Qerimi,- i zoti i shtëpisë u detyrua ta mbulonte me llaç!” Ndërsa tani, ja edhe aty, Shqiponja fluturon e lirë e krenare…
Kalojmë nëpër fshatin Irzniq, ku bien në sy djegie e shkatërrime të mëdha nga lufta. Por kudo njerëzit punojnë dhe ndjehen të lumtur e krenarë, se janë të lirë nga “shkjau”. Dalim përsëri në rrugën për në Prelep dhe arrijmë në Deçan. Ky, tashmë, më ngjan si një vend-lindje e dytë.
…Në mbrëmje, si dhe ditët e tjera, bëjmë biseda me temë të ndryshme. Por dhe përpiqemi të marrim njoftime për gjendjen në Shqipëri. Shfrytëzojmë lajmet e “TV-Kukësi”, i vetëmi stacion që mund të merret disi këtu. Sakaq, bie zilja e telefonit dhe në linjë na del Tirana. Është kunata ime, Lena Milo, e cila si thonë fjalës, “ta kalon ditën në kali”, me shakatë e saj. Kjo na thotë se i ka mirë në familje: bashkëshortin, Taqon, si dhe fëmijët, tashmë të rritur: Manjolën, Migenën e Marion. Na tregon edhe se e ka takuar vajzën tonë, Mirelën e është mirë, si kjo dhe Shpëtimi e Devisi. Sapo mbarojmë këtë bisedë, përsëri bie zilja e telefonit. Tani është vëllai i gruas, Gjovalin Zhuri, nga qyteti Avelino i Italisë, ku jeton me bashkëshorten, Lizën e fëmijët: Kozetën dhe Erionin. Na njofton se kanë biseduar me djemtë tanë dhe këta janë shëndosh e mirë, si Ariani me Anilën e Mattinë, në Asti të Italisë dhe Altini, në Besançon të Francës. Sigurisht, këto biseda telefonike sikur na “freskojnë” pak e na çlodhin, por dhe na ngjallin emocione e përmallime. Përsëri mendoj sonte me dhembje, se plagët e kurbetit ose të emigracionit, siç i thonë, janë hapur tani kudo në vatrat e Shqipërisë, si dhe në ato të Kosovës, por këtu diçka më parë.
(Murat Gecaj, libri “Si e pashë unë Kosovën…”, Tiranë, 2000, faqe 50-70)