(Tiranë, 18. 12. 2012) – Gjatë një fjalimi patetik në parlamentin grek, në vitin 1844, kryeministri grek J. Koletis deklaronte si “toka irredente”, që shpejt a vonë i duheshin aneksuar Greqisë, provincat otomane të Thesalisë, Epirit, Maqedonisë, Thrakës, Ishujt Jonianë, Kretës, bregdetit perëndimor të Azisë së vogël dhe ishujt pranë tij dhe, më në fund, Kostantinopojës, “forca tërheqëse dhe shpresa e gjithë helenëve”. Ky ishte programi i “Megali Idesë”, dmth i projektit nacionalist që synonte shtrirjen e shtetit grek në kufijtë e Perandorisë mesjetare Bizantine. Mitizimi i së shkuarës, kjo sëmundje e vjetër e politikës greke, që kritikë të saj e kanë quajtur ancestoritis (apo progonopleksia), dhe kthimi i “Megali Idesë” në një ideologji shtetërore, e orientoi shtetin grek, qysh me krijimin e tij, drejt rivendikimesh territoriale të pafundme. Të cilat, sigurisht, kishin shans të realizoheshin falë mbështetjes së fuqive “protektore”, para së gjithash Anglisë, Francës e Rusisë, që asistonin shtetin e ri grek që nga koha e krijimit të tij, pas vitit 1821.
EPIRI, PJESË E ILIRIKUMIT 315 – 379…
…………………………………….
Megali Idea, ekspansioni grek
Në atë kohë, historiani gjerman J. Ph. Fallmerayer ishte ndër të paktët evropianë, që denoncoi “demonin” ekspansionist të shtetit grek si dhe përgjegjësinë e fuqive evropiane në tolerimin e në mos kuptimin e rreziqeve që fshiheshin pas rivendikimeve tashmë të hapura të Greqisë: “Ndërkohë që ata vetë nuk japin e nuk bëjnë asgjë, grekët dëshërojnë gjithnjë vetëm të rrëmbejnë dhe praktikisht prej tridhjetë vjetësh ata nuk pushojnë së ankuari e së kërkuari para, ndere, privilegje e territore… Grekët pretendojnë se ata nuk do mund të shënojnë asnjë përparim në jetën politike dhe se vendi do vazhdojë të jetë i kontrolluar nga bandat e kusarëve, përsa kohë atyre nuk do t’u jepet edhe Epiri e Thesalia… Por, provoni t’ua jepni Epirin dhe Thesalinë dhe do shihni se ç’do të ndodhë.
Për të qenë plotësisht e definitivisht të sinqertë, do t’ju thonë grekërit, duhet të na jepni edhe Maqedoninë, edhe Thrakën, madje edhe Stambollin. Por edhe sikur gjithshka t’u japësh, ata do të mbeten po ata që kanë qenë qysh nga koha e Paleologëve: një turmë barbareskash të krishtera, që kanë mbetur të pandëshkuar vetëm për shkak të dobësive foshnjore të politikës evropiane” (J.Ph. Fallmerayer, Gesammelte Werke, II. Band, Leipzig, 1861, f. 145).
Rreth 30 vjet më vonë, në Kongresin e Berlinit, përfaqësuesi turk, Safet Pasha u deklaronte të mëdhenjve të Evropës se kërkesa e Greqisë për të aneksuar Epirin e Thesalinë ishte thjesht kërkesë e radhës, që nuk do të vononte të pasohej nga të tjera, porsa të ishte bërë ky hap i parë… Në fakt, ndodhi pikërisht ashtu.
Greqia i avancoi vazhdimish pretendimet e saj territoriale dhe arriti t’i marrë pothuaj të gjitha territoret e përmendura nga Koleti e nga Fallmerayer, jo aq me mund e luftë, sa me protokolle që ju imponuan Turqisë nga protektorët e saj, Anglia, Franca e sidomos Rusia. Dhe në vitin 1920, duke përfituar nga kaosi që kishte përfshirë Perandorinë Osmane, tashmë në shpërbërje e sipër, trupat greke zbarkuan në Izmir, duke iu afruar qëllimit të madh, pushtimit të Kostantinopojës, qytetit të ëndrrave megaloideiste. Atë kohë afishe të panumërta të ngjitura në muret e Athinës, përshëndesnin Eleuther Venizellosin, “krijuesin e Greqisë së dy kontinenteve e të pesë detrave”. Ngazëllim jetëshkurtër, pasi dihet që aventura e ushtrisë greke në Azinë e Vogël u kthye në një tragjedi të vërtetë kombëtare, kur ushtritë helenike u thyen keqas nga trupat vullnetare turke, të riorganizuara e të motivuara nga një gjeneral i ri, Kemal Ataturku (1922).
EPIRI,VIKTIMË E NJË ARKOLOGU TË RREMË
– Por le të kthehemi në vitet 1878-1879, kur u shtrua për herë të parë çështja e Epirit, aso kohe një provincë e Perandorisë Osmane. Dokumentet e hartat evropiane të kohës nuk e njihnin këtë emër arkaizant, por e quanin Epirin me emrin Shqipëri e Poshtme (Bassa Albania-Low Albania-Basse Albanie). Në ato vite, kur betejat për krijimin e shteteve kombëtare kishin marrë hov edhe në Ballkan, patriotët shqiptarë Abdyl Frashëri e Mehmet Ali Vrioni iniciuan bisedime me përfaqësuesit e Athinës zyrtare, Mavromatin e Skouloudin, lidhur me mundësinë e një bashkëpunimi shqiptaro-grek për çlirimin nga zgjedha osmane.
U bisedua edhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe përfaqësuesit grek bënë të qartë se Greqia nuk do të pranonte kurrë krijimin e një shteti shqiptar, që të përfshinte në kufijtë e tij Epirin, i cili, sipas tyre, i duhej bashkuar pa tjetër Greqisë. Mospërputhja e ideve mbi Epirin (apo “Shqipërinë e Poshtme”), shënon fillimin e betejave politike, ushtarake, diplomatike, shkencore e kulturore mes grekëve e shqiptarëve. Historia e trajtimit të çështjes së Epirit në Kongresin e Berlinit, 1878, do të mbetej e mangët, nëqoftëse jashtë saj do të liheshin intrigat dhe “diplomacia e fshehtë”, që zhvilloi në marzhet e këtij kongresi, një personazh përndryshe i errët, që me makinacionet e tij arriti të “blejë” mëndjen dhe favoret e disa prej protagonistëve të këtij forumi.
Kostantin Karapanos projektuesi i “Megalo Idesë”
…………………………………….
Fjala është për Kostantin Karapanos, një tregtar vllaho-grek nga Arta, që më vonë, si shpërblim për shërbimet e çmuara që i bëri Greqisë në Kongresin e Berlinit, arriti të ngjisë shkallët më të larta në administratën greke. Rasti e kishte sjellë, që Karapanos të kishte qenë shok shkolle në gjimnazin “Zosimea” të Janinës me Ismail Qemalin, i cili, me sa duket, nuk mundi ta njohë deri në fund personalitetin e mikut të tij të fëmijërisë. Të paktën, jo aq sa zëvendëskonsulli francez i Janinës, Moreau, i cili në raportet e tij për Parisin shprehte konsiderata të ulta për Karapanosin, të cilin, veç të tjerash, e akuzonte “për rrugët e pandershme”, me të cilat ky personazh kishte mundur të ngrinte pasurinë e tij të dyshimtë.
Gjatë një qëndrimi disavjeçar në Paris, tregtari nga Arta, në fakt agjent i Ministrisë së Jashtme greke, njohu lordin Waddington dhe Leon Gambettan, dy personalitete politike, që aty e ndonjë vit më vonë do të drejtojnë fijet e politikës franceze. Historia e marrëdhënieve personale të Karapanosit me ta pati një rëndësi të jashtëzakonshme për çështjen tonë. I informuar për pasionin e miqve të tij francezë mbi arkeologjinë, Karapanos kthehet menjëherë në Epir dhe, pasi siguroi një leje nga qeveria turke, fillon gërmimet në tempullin pellazgjik të Dodonës. Për ironi të fatit, në këtë histori të errët implikohet padashur Ismail Qemali ynë, që përveç lidhjeve të vjetra nga koha e shkollës, tani kishte edhe lidhje pune me Karapanosin: në fakt, ai e kishte pajtuar Karapanosin si administrator të minierave të tij të Selenicës.
Në “Kujtimet” e tij, Ismail Qemali tregon se në vitin 1866, ndërsa ishte këshilltar politik i valiut të Janinës, gjatë një vizite tek pronat e një miku të tij në fshatin Melingus, kishte dalluar disa rrënoja, që ai, Ismail Qemali, i lidhi menjëherë me tempullin antik të Dodonës. Dhjetë vjet më vonë, tregon Ismaili, isha në Vlorë kur ja tregova mikut tim Karapanos këtë zbulim timin. Kështu, Karapanosi “që shquhej për shpirtin e iniciativës”, filloi menjëherë gërmimet në Dodonë, duke nxjerrë në dritë tempullin si dhe një sasi thesaresh arkeologjike me vlerë të jashtëzakonshme. Kështu Ismail Qemali… Por ai nuk e dinte, dhe ndoshta nuk e mësoi kurrë, se interesat e Karapanosit për tempullin e Dodonës e kapërcenin kuadrin arkeologjik. Në vitin 1877, në prag të Kongresit të Berlinit, Karapanosi i paraqiti rezultatet e gërmimeve të tij diletanteske përpara Akademisë Franceze, anëtarë të së cilës, vetëkuptohet, ishin Waddington e Gambetta.
Në fakt, qëllimi i ekspozesë së “arkeologut-sharlatan”, siç do ta quante atë zvëndës konsulli francez, Moreau, nuk ishte të njihte të pranishmit me rezultatet e dyshimta shkencore të “gërmimeve” të tij, por t’i sugjestiononte ata, veçanërisht politikanët filohelenë Gambetta e Waddington, mbi “karakterin e stërlashtë grek” të Epirit. Nuk mund të themi që Karapanosi nuk ia arriti këtij qëllimi, aq më shumë kur ai u shpërndau me bujari filohelenëve Waddington e Gambetta antika të shumta nga Dodona, me të cilat ata pasuruan koleksionet e tyre. Fakti është se qoftë Waddingtoni, kryeministër e ministër i Jashtëm i Francës gjatë Kongresit të Berlinit, e qoftë Leon Gambetta, kryetari i Asamblesë së Deputetëve, u bënë mbrojësit më të zjarrtë të pretendimeve greke në këtë forum të lartë evropian.
Leon Gambetta, kryetari i Asamblesë së Deputetëve në Angli dhe William Henry Waddington, kryeministër e ministër i Jashtëm i Francës.
………………………………………
KARAPANOSI GREK NË KONGRESIN E BERLINIT
Kërkesa greke për aneksimin e Epirit…!!!
Fillimet e punimeve të Kongresit, që duhet t’i jepte një zgjidhje Krizës Lindore, e gjetën Karapanosin në Berlin. Nuk ishte vetëm. Në këtë mision prej “diplomacie të fshehtë”, shoqërohej nga tre emisarë të Patrikanës së Stambollit, të dërguar enkas për të mbështetur kërkesën greke për aneksimin e Epirit. Në fakt, siç vëren studiuesja greke E. Nikolaidou, ishte një praktikë e njohur që “qeveria greke t’i përcillte pretendimet e veta politike nëpërmjet Patrikanës Ekumenike të Stambollit”. Gjë që do ta bëjë sistematikisht edhe më vonë, sidomos në çështje që lidheshin me Shqipërinë.
Nga Berlini, Karapanosi i shoqëronte takimet e veta “informale” me raporte të rregullta për Ministrinë e Jashtme Greke, ku siguronte Athinën se kishte marrë garanci të plotë nga Waddingtoni e Gambetta për angazhimin e plotë të tyre në favor të kauzës greke. Kuptohet atëherë, se përse gjatë ditëve të Kongresit të Berlinit, fotografitë e dy politikaneve francezë zbukuronin edhe në mejhanet më të humbura të Athinës. Dhe jo pa të drejtë. Në fakt, ishte pikërisht Waddington ai që hartoi dhe propozoi Protokollin 13 të këtij Kongresi, ku bëhej fjalë posaçërisht për zgjerimin territorial të Greqisë në Epir e në Thesali.
Greqia, që nuk ishte lejuar të merrte pjesë në Kongres, u ndje më së miri e përfaqsuar në atë forum. Argumentet me të cilat Waddington mbrojti pretendimet greke përpara përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha, ishin kryekëput ato që i kishte ofruar Karapanosi. Përveç “dëshmive” arkeologjike mbi “helenizmin” e pretenduar të Epirit, ky i kishte dorëzuar bamirësit francez një të ashtuquajtur “Raport mbi Shqiptarët”, ku tregonte se këta qenë një popull i përzier, gjysmë sllav e gjysmë grek, pa një ndërgjegje kombëtare, pra që nuk meritonte të llogaritej në transaksione ndërkombëtare, si ato të Kongresit të Berlinit. Por megjithatë, Karapanosi nuk mungonte të shprehte në atë “studim” të tij preokupimin se mos aneksimi i Epirit nga Greqia do të mund të shkaktonte reagimin e popullsisë së atyshme, sidomos të asaj myslimane.
Në mënyrë tinzare ai kërkonte të angazhonte Fuqitë në kalimin “pa incidente” të aneksimit, duke dërguar një skuadër detare në ujërat e Prevezës për të dekurajuar çdo përpjekje të shqiptarëve për t’ju kundërvënë me armë aneksimit grek. Interesante është që edhe këtë sygjerim të formuluar nga Karapanosi në “Raportin mbi Shqiptarët”, Waddington u përpoq ta kalojë nëpërmjet Kongresit, duke shkaktuar pakënaqësi tek bashkëbiseduesit e tjerë, veçanërisht tek lordi Beaconsfield i Britanisë së Madhe. Ky e humbi aq shumë durimin nga ekseset franko-greke, sa u detyrua t’i kujtonte kolegut francez se Protokolli 13, i propozuar prej Waddingtonit vetë, vetëm sa i rekomandonte Turqisë që të bisedonte me Greqinë për rregullimin eventual të problemeve kufitare: ai nuk përmbante një vendim taksativ, i cili do të justifikonte një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Fuqive.
Por angazhimi i jashtëzakonshëm i Gambettas e i Waddingtonit në favor të interesave greke, ngjalli kriticizëm edhe në Francë, ku kjo dyshe Kastor-Pollux e kauzës greke u akuzua se “po ndiqte një politikë personale në çështjet e Greqisë, duke dëmtuar interesat e vërteta të kombit francez”. Gjithsesi, Franca i mbështeti fort pretendimet greke në Kongresin e Berlinit, dhe kjo mbështetje përfaqson rikthimin e saj në fushën e politikës ndërkombëtare, pas poshtërimit që kishte pësuar në vitin 1871 prej Prusisë së kancelarit Bismark.
Intrigantët e vegjël ballkanikë
Bisedimet greko-turke, që pasuan punimet e Kongresit të Berlinit, rezultuan me lëshimin në favor të Greqisë të krahinës së Thesalisë. “Rekomandimi” tjetër i Protokollit 13, që kishte të bënte me lëshimin e Epirit, u kundërshtua ashpër nga shqiptarët, gjë që në fund të fundit përfaqësuesi i Prusisë, von Bülow, e kishte parashikuar, kur kishte deklaruar në Berlin se Epiri duhej të konsiderohej një “noli me tangere” (“një send që s’duhet prekur” – P. Xh), për shkak se shqiptarët do të reagonin ashpër ndaj çdo përpjekje për aneksimin grek të tij. Në fakt, bisedimet greko-turke mbi këtë çështje, në Prevezë, më 6 shkurt 1879, u bënë nën presionin e Kuvendit mbarëshqiptar të Prevezës, i cili zhvilloi një aktivitet të ethshëm politik, ushtarak e diplomatik për të parandaluar aneksimin e Epirit. Në përfundim të tratativave, Greqia mundi të marë vetëm një rezultat minimal, duke përfituar territoret e Epirit në lindje të vijës Artë-Janinë-Meçovë.
Pretendimet e tejskajshme të Athinës dhe tentativat, shpesh herë trashanike, për të implikuar Fuqitë e Mëdha në realizimin e ambicjeve të veta, rezultuan në ftohjen dhe irritimin e këtyre të fundit. Vetë sponsori kryesor i pretendimeve greke në Kongresin e Berlinit, kryeministri e njëherësh ministër i Jashtëm i Francës, Waddington deklaroi në një rast se fajin për mosrealizimin e synimeve të tyre e kishin vetë grekët, “të cilët u dhanë një interpretim shumë të ekzagjeruar në përfitim të tyre sygjerimeve të Protokollit 13”. Sidoqoftë, prapaskenat që lidhen me aktivitetin e Karapanosit e të dërguarve të Patrikanës greke të Stambollit gjatë punimeve të Kongresit të Berlinit më 1878, tregojnë se si politika shqiptare e Fuqive të Mëdha u ndërtua shpesh mbi bazën e informacioneve e sygjerimeve të ofruara nga intrigantë të vegjël të Ballkanit, klientë të tyre.
Shumë vjet më vonë, më 1919, në prag të një Kongresi tjetër, që ashtu si ai i Berlinit, ishte mbledhur për të rregulluar çështje kufijsh, një tjetër kryeministër francez, François Clemenceau, i mbështetur kësaj radhe edhe nga kolegu i tij britanik, Lloyd George, e njohën Shqipërinë dhe shqiptarët nëpërmjet informacioneve dhe hartave që u ofronte “Karapanosi i radhës”, kryeministri grek E. Venizellos. Dhe akoma njëherë, e sponsorizuan kauzën e Greqisë për aneksimin e “Vorio-Epirit”, dmth. të Epirit të veriut, pasi ai i jugut ishte pushtuar tashmë nga ushtritë greke në rrëmujën e Luftrave Ballkanike 1912-1913.
…………………………………………………
ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)