PROF.SHENASI RAMA: KATUNDARIZMI – PROBLEMI I MENDËSISË KATUNDARE SI SËMUNDJE E POLITIKËS BASHKOHORE (I)

New York, 18. 02. 2014: (Nga Libri Përrallat e Tranzicionit Shqiptar, Botimet Princi) – Në këtë shkrim do të përqëndrohem në analizimin e mendësisë katundare dhe në rolin që luan kjo mendësi në shoqërinë shqiptare. Në fushën e studimeve shoqërore, ka një traditë të dallueshme që i vendos kulturën dhe mendësitë popullore, mentalité populaires, në qendër të analizës së proceseve historike shoqërore. Në rastin shqiptar nuk ka analiza të thelluara të mendësive popullore, sidomos të evolucionit të mendësisë popullore gjatë tranzicionit. Mendësia popullore është analizuar gjerë e në thellësi gjatë kohës së sistemit enverist si, për shembull, kur sjelljet tipike katundare paraqiteshin si të gabuara apo të prapambetura. Por, përplasja midis mendësisë popullore dhe mendësisë që kërkonte të promovonte e të nguliste në shoqëri sistemi enverist, është subjekt që kërkon shumë vëmendje dhe një analizë më të thellë, se sa janë mundësitë këtu.
Në këtë shkrim, qëllimi është që të vihet në dukje natyra specifike e mendësisë sunduese popullore ndër shqiptarët gjatë tranzicionit. Paria flet për ideologji universaliste, si socializëm apo liberalizëm. Unë mendoj se mendësia sunduese është mendësia katundare. Argumenti im është se mendësia katundare është është problemi kryesor me të cilin përballemi. Problemi dhe pengesa kryesore në rrugën e transformimit dhe të modernizimit të vërtetë të shoqërisë është procesi i katundarizimit të gjithanshëm të shoqërisë. Mendësia katundare është në themel të sjelljes së popullit dhe të parisë sunduese. Mendësia katundare është tipari kryesor i kulturës tonë kombëtare dhe politike gjatë tranzicionit.
Megjithatë edhe pse ata janë katundarë apo sillen si katundarë, vetë paria dhe prijatarët e saj vijnë nga shtigje dhe përvoja të tjera. Në rastin e parisë sunduese, që vjen në masë të madhe nga njerëz të shkolluar dhe me përvojë pune shtetërore për një kohë të gjatë, mendësia katundare është vetëm një instrument kontrolli, për të ruajtur pushtetin e tyre mbi shqiptarët. Prandaj edhe duhet bërë dallimi midis katundarëve, që e shohin botën në një mënyrë të caktuar dhe parisë, që e ka përdorur dhe e përdor këtë mendësi pa besuar në të. Megjithatë, një pjesë e saj ka arritur deri në atë pikë sa e ka internalizuar këtë mendësi dhe janë kthyer në origjinë. Por, nuk ka dyshim se përdorimi dhe kultivimi i mendësisë katundare ka qenë një zgjidhje e qëllimtë e parisë, me synime të qarta të ruajtjes së pushtetit dhe të interesave të shtresës së parisë. Pavarësisht urbanizimit formal, d.m.th. të lëvizjes së masave të gjera nga katundet në qytete, në tri valët historike të viteve 1930-1942, 1950-70 dhe 1990-2000, mendësia e masës dërmuese të shqiptarëve ka qenë dhe ka mbetur një tipike mendësi katundare.

Drejtuesit e mendësisë katundare!

(Mendësia katundare është në themel të sjelljes së popullit dhe të parisë sunduese).

*  *  *

Argumenti këtu mund të përmblidhet në pak fjali. Në vitin 1990, paria dhe intelektualët e kanë pasur shansin historik që të ndaheshin me këtë mendësi dhe të drejtonin shqiptarët në rrugën e duhur. Ata qëllimisht zgjodhën rrugën më të keqe, vendosën të ndjekin mendësinë katundare. Në vend që të udhëhiqnin popullin, ata ndoqën vetëm interesat e tyre të ngushta. Zgjidhja e tyre i ka sjellur shqiptarët në këtë gjendje kritike. Rruga që zgjodhën i bënë përgjegjës të padiskutueshëm të këtij krimi historik, sepse ata e zgjodhën këtë rrugë me vetëdije të plotë dhe pa brejtjen më të vogël të ndërgjegjes.
Ibn Khalduni, katundaria dhe teoria e qarkullimit të parive
Në Prolegomenonin e tij të famshëm, Al Mukaddima, mendimtari i shquar arab i shekullit të 14-të, Ibn Khaldun paraqet një teori ciklike të konfliktit shoqëror të bazuar në përplasjen midis qytetërimit e barbarizmit. Në thelb, teoria e tij thotë se barbarët (në rastin e tij, beduinët që vijnë nga shkretina) pushtojnë zonat e qytetarizuara, që tashmë janë të sofistikuara, por që janë të zhytura në degjenerim.
Barbarët e rinj, që edhe këta vijnë nga shkretina, i pushtojnë qytetet, të frymëzuar nga një fe e re, apo nga interpretimi i ri i fesë, që ata kërkojnë që të ripërtërihet. Barbarët e radhës (në kontekstin e Ibn Khaldun, beduinët, katundarët e shkretinës) fitojnë, sepse ata kanë kurajo, guxim dhe vlera. Mbi të gjitha, ata fitojnë sepse, për të jetuar në shkretinë, ata kanë zhvilluar organizim e strukturë të mbështetur në lidhje të fuqishme tribale e të gjakut. Kur e përdorin fenë si ideologji mobilizuese, ata ia arrijnë që të krijojnë kohezionin e nevojshëm e masën kritike, për të marrë kontrollin e shtetit. Barbarët bëhen pakica e re e organizuar dhe kompakte që hyn si thika në gjalpë në një shoqëri në dekadencë morale dhe politike. Barbarët i rivitalizojnë këto qendra. Ata e rindërtojnë shtetin dhe e bëjnë efektiv. Mirëpo, për tre-katër breza edhe ata vetë degjenerohen e bëhen të pazotët për të mbajtur pushtetin. Duke u mbështetur tek e njëjta fe, barbarët e rinj organizohen në katundet e tributë e tyre dhe marrin kontrollin e shtetit. Kjo teori njihet si teoria e qarkullimit të parive.
Një aplikim sipërfaqësor i teorisë së Ibn Khaldun në rastin shqiptar do të paraqitej kështu. Çdo tre-katër breza, një masë katundarësh, të etur për prona e për pasuri, turma malësorësh heroikë, të lidhur në strukturë tribale apo me një ideologji të caktuar, të drejtuar nga një grup individësh që kërkojnë pushtet, merr me forcë kontrollin e shtetit. Kur fitojnë, këta zhvendosin parinë e vjetër dhe e vënë shtetin në shërbim të këtij grupi. Katundarët e thjeshtë nxjerrin kunjat e vjetër në nivelin e katundit me bashkëkatundarët e tyre respektivë e, natyrisht, grabisin, vrasin e vjedhin çka iu del përpara, në emër të barazisë e të ligjit të më të fortit. Por, dalëngadalë, paria e asaj mase njerëzish sofistikohet dhe fillon që ta përdorojë shtetin për qëllimet e veta. Për më tepër, ajo vepron kështu duke ndjekur logjikën e forcimit të shtetit. Në rastin tonë, një shembull i mirë është Ahmet Zogu, aristokrati katundar nga Burgajeti i Matit. Një rast tjetër është Enver Hoxha, nipi i kryekatundarit të Gjirokastrës (siç përcaktohet në një dokument të vitit 1916), apo Mehmet Shehu, i biri i sheikut të Çorrushit. Gjatë tranzicionit, kryekatundarët më të njohur janë Sali Berisha nga Viçidoli, Gramoz Ruçi nga Salaria, Fatos Nano nga Lunxhëria dhe Ilir Meta nga Skrapari.
Brezi i parë i shtresës sunduese e mban pushtetin me forcë. Ata i kthejnë katundarët në vendin e tyre, i mbajnë me rrogë, iu japin pasurinë e humbësve, apo bëjnë një reformë agrare. Kur kanë mundësi, ndërtojnë shtetin efektiv. Brezi i dytë i parisë bëhet politik dhe sundon me dinakëri e me zgjuarësi. Ky brez e mban pushtetin duke përdorur monopolin e dijes e rrjetin e lidhjeve, që e bëjnë të pazëvendësueshëm e legjitim, në sajë të fitimit të pushtetit nga ana e brezit të parë. Brezi i tretë bëhet artistik. Këta i harrojnë origjinat e veta katundare e sinqerisht besojnë se janë kryeqytetas të vërtetë. Në vijim, brezi i katërt, vjen i degjeneruar e i zvetënuar. Ky brez është kozmopolit në vlera, i prirur për qejfe dhe i pazoti të sundojë. Në këtë pikë, simbas teorisë së Ibn Khaldun, pritet vërshimi i një masë tjetër malokësh e katundarësh, që i zhvendos edhe këta pjestarë të parisë. Kështu, cikli i qarkullimit të parive fillon prej fillimit. Ai duhet të rinisë me tribu të reja e me një ideologji të re. Gjithnjë, në dukje, por vetëm në dukje ama, shteti është në shërbim të interesit të katundarëve të rradhës. Në fakt, fitimtarja e vërtetë është gjithmonë paria sunduese e grupit të katundarëve, të mobilizuar në bazë të interesave të veshura me ideologjinë e kohës. Problemi shqiptar është se katundarizimi ka shkuar në drejtim të kundërt. Tashmë edhe paria sillet simbas mendësisë katundare, duke mos lejuar as formësimin e daljen e alternativave, por edhe duke e zvetënuar shoqërinë deri në atë pikë sa gjendja duket tërësisht e pashpresë.
Ibn Khalduni dhe rasti shqiptar
Në rastin shqiptar, përvojat tona tregojnë se kjo teori e qarkullimit të parive nuk është e aplikueshme apo e vërtetueshme për disa arsye. Nga një anë, gjatë një shekulli që e kemi pasur shtetin tonë të pavarur, ne i kemi ndrruar paritë sunduese shumë shpesh. Nga ana tjetër, paritë janë zëvendësuar përmes një lufte formale ideologjike të pamëshirshme. Projektet që janë ndjekur kanë qënë modernizuese, por kanë rrjedhur nga tradita krejtësisht të kundërta ideologjike dhe kanë qenë të mbështetura në konceptime krejtësisht të ndryshme të realitetit. Në dy raste (1944 dhe 1990) paritë nuk janë marrë thjesht me kontrollin e shtetit, por me ndryshimin rrënjësor të shoqërisë. Në vitin 1912 e deri më 1939 në krye të shtetit ishin bejlerët e vërtetë, mehmurët me shkollë, dhe figurat e bashkësive fetare. Në vitin 1944 në krye erdhën katundarët dhe pinjollët e shtresave të mesme me gjysëm shkolle në Perëndim. Në vitin 1990 në krye mbeti paria sunduese, tashmë shumë e sofistikuar në përvoja dhe e zgjeruar me intelektualët dhe profesoratin universitar. Asnjëri grup nuk ka ndenjur në kontroll të shtetit më shumë se dy breza. Tradita jonë, në kohë kaq të shkurtër, njeh zëvendësimin, zgjerimin, transformimin, por edhe eliminimin e parive nga fitimtarët e radhës. Grupi i ri fitimtar, jo vetëm që e ka spostuar parinë sunduese të deriatëhershme nga rolet kryesore, por edhe shpesh i ka mënjanuar apo zhdukur fizikisht. Kështu ndodhi në vitin 1944 me ata elementë të parisë sunduese të deriatëhershme, që nuk u larguan. Metoda e preferuar e eliminimit të parisë gjatë tranzicionit ka qenë kooptimi ose mërgimi i detyruar.
Struktura e veçantë e organizimit tonë shoqëror ka çuar në formësimin e disa paradokseve unike shqiptare. Përfundimi kryesor që duhet vënë në pah është se, në vend që në vend të ndërtimit të shtetit, qoftë edhe në shërbim të vet, paria sunduese e rradhës është treguar po aq, në mos më shumë e katundarizuar se vetë katundarët që e sollën dhe që e mbajnë në pushtet. Ky është paradoksi i vërtetë i politikës shqiptare. Ndërtimi i shtetit dhe i strukturave nuk bëhet për të ndërtuar një shtet, që do të ishte në shërbim të të gjithëve. Ndërtimi i shtetit dhe i strukturave bëhet për të ruajtur kontrollin e klanit të caktuar katundar, ose të aleancës së disa klaneve katundare, mbi ngastrën e pushtetit. Politika që luhej në krye të shtetit ishte një ripërsëritje e sjelljes së katundarëve në katund. Kjo ndodh për shkak se shoqëria shqiptare e mbi të gjitha, paria sunduese, ka mbetur pre e mendësisë katundare që nuk i lejon shqiptarët që të bëjnë shtetin që duhet. Mungesa e shtetarëve të mirëfilltë, mungesa e një etike dhe morali publik, të rrënjosur në një ideologji që iu shërben të gjithëve, sundimi i një mendësie arriviste dhe materialiste katundareske, janë karakteristika të parive shqiptare. Prandaj edhe teoria ciklike e Ibn Khaldun nuk është e aplikueshme në rastin shqiptar.
Katundi si forma më e përhapur e organizimit të shoqërisë shqiptare
Katundi ka qënë forma më e përhapur e organizimit të shoqërisë shqiptare dhe ka mbetur si i tillë edhe sot. Ka një dallim thelbësor midis fshatit dhe katundit. Ky dallim nuk zhvillohet sa duhet në literature, por ia vlen që ta diskutojmë këtu. Thënë përmbledhtas, fshati është një numër familjesh, që merren me blegtori apo me bujqësi dhe që janë në varësi ekonomike dhe politike prej parisë sunduese të kohës. Niveli i solidaritetit dhe i vetëdijes si shtresë është i pranishëm, por jo përcaktues deri në atë pikë sa fshati të transformohet në një entitet të mbyllur në vetvete. Katundi është një bashkësi e organizuar dhe kompakte, me struktura të forta shoqërore, me vlera, me hierarki dhe me një mendësi të dallueshme edhe nga katundi tjetër. Në mesjetë katundet tona kanë qenë edhe shtegtare, por me kohë, nën trysninë e shtetit, ka pasur një stabilizim të vendbanimeve dhe të familjeve në katundet e caktuara. Ruajtja e lëvizjeve në bazë të katundit mbështetej në ciklet bujqësore dhe blegtorale por kjo nuk e cënonte thelbin e vetë katundit. Edhe sundimi i familjeve të bejlerëve ishte shumë sipërfaqësor, sepse katundi kishte gjithnjë pronën e vogël apo të madhe të familjes dhe jeta e ritmi i jetës në bashkësinë katundare ishte autonom prej shtetit osman dhe vetë parisë.
Por, katundi shqiptar nuk ka qenë i izoluar. Në parantezë, nëse ka ndonjë gjë që mund të thuhet lidhur me shqiptarët si komb është se, historikisht, në grup ose veç e veç, kudo që ata kanë jetuar, në katund apo në kryeqytetet e perandorive, shumë prej tyre e kanë provuar veten si njerëz të lirë, të aftë, të zgjuar, e krijues. Mbi të gjitha, shqiptarët janë të sprovuar si njerëz që kanë ditur të krijojnë shtete e të mësojnë edhe të tjerët se si të bëjnë shtete e perandori. Ky është një kontribut historik që sado poshtë që të bien shqiptarët si komb edhe po të shkojnë më keq se sa janë tash, askush nuk mundet që t’ua heqë.
Mirëpo, ikja e këtyre figurave të shquara politike e kulturore nga katundi respektiv, nuk e ka ndrruar ritmin e jetës në katund. Nga ana tjetër, autonomia e katundit ka qenë e theksuar, por katundi shqiptar nuk ka qenë asnjëherë i shkëputur nga shteti. Lidhja e kandarëve shqiptarë me shtetin ka qenë jetike. Punësimi i katundarëve nga shteti, si bashibozukë, jeniçerë, apo dervenxhinj ishte një formë mërgimi nga katundi. Jeta e vërtetë zhvillohej në katund. Katundi ishte, në një farë mënyre, qendra e universit të tyre,madje edhe e atyre shqiptarëve që punonin për shtetin osman dhe të gjithë synonin që të ktheheshin atje, të gjallë a të vdekur. Kështu, Sinan Pasha kërkoi të varrosej në Kaninë, Mehmet Pashë Qyprilliu ngriti xhaminë e Roshnikut, Koxha Sinan Pasha ngriti xhaminë e Prizrenit, Mustafa Koçibej kërkoj të varrosej në Mborje e me radhë.
Prandaj, duhet theksuar se nga të gjithë figurat që iu bëjnë nder shqiptarëve në historinë e tyre, shumica e kanë rrënjën në një nga katundet e panumërta të trojeve shqiptare. Ashtu ishin kohët, katundi shqiptar, i madh apo i vogël, ishte djepi që lindi figura madhore të historisë e të mendimit politik, shoqëror, dhe kulturor të shteteve, ku ishin të përfshirë edhe shqiptarët. Kështu, Mustafa Koçibej, Volteri i Lindjes, ishte nga Mborja, Frang Bardhi ishte nga Nënshati, Pjetër Bogdani nga Hasi i Thatë, Shemsedin Samiu ishte nga Frashëri, Arkitekt Sinani ishte nga Bicaj i Kukësit, Gjergj Fishta nga Fishta, Binak Alia nga Krasniqja, Sefë Kosharja nga Kosharja, Petro Nini Luarasi nga Luarasi, pa numëruar këtu figurat politike, si Skënderbeu nga Kastrioti, Iljaz Mirahori nga Panariti, Ajaz pasha nga Himara, Qyprilijtë nga Roshniku i Beratit, Ismail Pashë Velabishti nga Velabishti, Bushatllinjtë nga Kosmaçi, Zef Ndok Illia nga Jubani, Anastas Kullurioti nga Salamina, Mustafa Pashë Bajraktari, që ishte po nga Mborja e Korçës, Mehmet Ali Pasha ishte nga një katund afër Mesarës, Ahmet Zogu nga Burgajeti, Bajram Curri nga Malësia e Gjakovës, Fan Noli nga Ibrik Tepe, Isa Boletini nga Boletini, Lleshi i Zi prej Oroshit e me rradhë. Mund të thuhet pa frikë se nuk ka një katund të banuar me shqiptarë, që nuk e ka një figurë të njohur që ka lënë gjurmë në histori. Historia e shqiptarëve është historia e katundarëve fisnikë, me largpamësi, mençuri, me aftësi të rralla drejtuese, me dinjitet, e me zotësi shtetformuese. Ky lloj shqiptari i është imponuar botës. E jo vetëm në politikë. Mirëpo, problemi është se këta që bënë shtete për të tjerët, ishin vetëm katundarë ndër shqiptarë. Historia e shqiptarëve është historia e katundit të tyre.
Mund të thuhet pa frikë se katundari shqiptar ka kenë figurë me interes e historisë shqiptare edhe në fushën kulturore, qoftë kur ka kenë jeniçer, si Hasan Zyko Kamberi nga Leskoviku apo Nezimi i Frakullës, klerik si Mulla Hysen Dobraçi nga Dobraçi, enciklopedist si Shemsedin Samiu nga Frashëri, apo poet politik si Dritëro Agolli prej Menkulasit.Në historinë e shtetit shqiptar, natyrisht që ka edhe shumë katundarë, që kanë bërë dëm sa s’thuhet. Këtu mund të përmenden, bie fjala, Haxhi Qamili nga Sharra, Lalë Krosi prej Klosit, Mehmet Shehu nga Çorrushi, Hysni Kapo nga Tragjasi, Gramoz Pashko nga Vodica, Pjetër Arbnori prej Shirokës e shumë e shumë katundarë e stërnipa katundarësh të tjerë, që kanë lënë emër shumë të diskutueshëm në jetën politike shqiptare.
Duhet thënë se ne të gjithë shqiptarët i njohin dhe i dinë origjinat katundare, pavarësisht se kur janë shkëputur prej katundit. Kur nuk e pranojnë hapur, origjinën e tyre katundare e tregojnë mbiemrat e llagapet, sidomos ato që u ndrruan gjatë kohës së Enver Hoxhës e që askush nuk don t’i përmendë më. Kur nuk e tregojnë mbiemrat, origjinën e tregojnë njerëzit që japin intervistat për familjet e “shquara” dhe “fisnike”. Në këto intervista, shihet se si këta individë nuk munden të shkojnë as tre-katër breza më larg ,pa ndeshë stërgjyshër që kanë qenë katundarë. Shembulli më i mirë i ilustrimit të origjinave tona katundare ishte mbledhja e familjeve “fisnike e aristokrate”, që u bë në Tiranë disa vite më parë. Shumica dërmuese e pjesëmarrësve ishin trashëgimtarët e reshperëve, esnafëve e të bakallëve të dikurshëm.
Më e keqja është se edhe qytetet tona, deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, ishin katunde të zgjeruara. Familjet jetonin si në katund. Dyert më të njohura qytetare rrisnin edhe fiq, rrush, hudhra, spinak e kastraveca në bahçen e shtëpisë. Mirëpo, për shkak të nevojave ideologjike të sistemeve që kaluam, dallimi midis katundit dhe qytetit është i theksuar më shumë se sa duhet në literaturë. Ky dallim është i bartur deri në ekstrem edhe në mendësinë e njerëzve, që shohin një mur të pakalueshëm midis qytetarëve dhe katundarëve. Ky mur ndoshta ekziston në Francë apo në Itali, por ndër ne ka qenë një rrugë dykalimshe. Për këtë arsye, d.m.th., që edhe kur iknin nga katundi, nuk shkëputej katundi prej tyre, mendësia katundare ka qenë mbisunduese ndër shqiptarët. Origjinat e njohura të shumicës shqiptare janë në katunde. Prandaj edhe nuk duhet të habitemi aspak që në krye të politikës shqiptare, ishin e janë kryesisht njerëz, familjet e të cilëve kanë jetuar në lagjet e katundet paksa jashtë qyteteve, disa të tjerë që blenë pasuritë e zotnive të tyre të deridjeshëm, apo disa të tjerë që u pasuruan në mënyra të dyshimta dhe me spekulime të hapura. Në krye të politikës shqiptare kanë dalë gjithnjë katundarët e stërnipat e katundarëve, në veçanti ata që e morën pronën me pushkë në dorë, qoftë si jeniçerë, si bashibozukë, si xhandarë, si partizanë, apo si antikomunistë. Historia shqiptare është e mbushur me katundarë, që duan të jenë të famshëm e të mëdhenj në katundin e në klanin e vet.
Edhe sot realiteti shqiptar, jo vetëm në shtetin shqiptar, është se partitë kryesore e shteti drejtohen nga katundarë, sado të fisëm në katundin e tyre, por katundarë gjithsesi. Asnjëri prej atyre që na drejton nuk i kalon dy breza në zona qytetase: Gramoz Ruçi e Valentina Leskaj vijnë nga Salaria e Tepelenës, Sali Berisha vjen nga Viçidoli i Tropojës, Ilir Meta vjen nga Skrapari, Fatos Nano nga Lunxhëria, apo Skënder Gjinushi nga Kurveleshi, pa llogaritur të tjerët, që nuk duan të tregojnë se çfarë janë. Ka shumë që ende nuk e dinë se a janë shqiptarë, çobanë, palikaris, konjarë apo jeniçerë të adaptuar. Megjithatë, të gjithë e dinë se janë katundarë, por refuzojnë që ta pranojnë këtë. Duhet pranuar se kur vjen puna me e bërë biografinë e vet, dhe për këtë i kemi biografitë që kanë lënë në Arkivin e PPSH-së, kur kanë qenë anëtarë partie, tre breza e poshtë, të gjithë liderët tanë dalin ose katundarë safi ose të ardhur nga shtresa të varfëra qytetare, që bartin mendësinë katundare. Por problemi është tjetërkund. Problemi është se përtej lustrës së qytetërimit provincial, sjellja e të gjithëve është e sunduar prej mendësisë katundare.
Si shembull ilustrimi do të përmendja përplasjen lidhur me legjitimitetin e grupeve të ndryshme në Tiranë. Deri në vitin 1920, Tirana, në rastin më të mirë, ka qenë një katund i zgjeruar. Në vitin 1945 e mbas, Tirana u popullua me të ardhurit nga Toskëria. Në vitin 1990 u popullua me të ardhurit nga Gegnia. Përkundër vulgarizimit në shtypin e përditshëm, por edhe përkundër thashethemnajës së Tiranës, problemi nuk shtrohet se erdhën katundarët e na zunë tokat apo se na morën shtetin. Në një farë mënyre, është qesharake që të dëgjosh katundarët e malokët që erdhën nga Toskëria në Tiranë e ranë në qytete të tjera në vitin 1945, që të ankohen me sinqeritet të pastër për katundarët e malokët që nga Gegnia ranë në Tiranë e në rrethe të tjera mbas vitit 1991. Shteti shqiptar është i të gjithë katundarëve e malokëve shqiptarë dhe askush nuk ka më shumë të drejta se të tjerët. Askush nuk ka të drejtë që ta ndjejë veten superior ndaj të tjerëve. Para shtetit e para ligjit duhet të jenë të gjithë të barabartë, si katundarët e rinj ashtu edhe të vjetrit.
Natyrisht që jetesa në qytete për disa breza i ka ndryshuar dhe i ka qytetëruar deri në një farë mase shumë prej këtyre katundarëve. Në radhë të parë, duhet theksuar ndryshimi i pësuar prej vetë parisë, si dhe prej intelektualëve dhe profesoratit universitar. Mirëpo, problemi është se edhe pse këta i kanë ikur katundit, nuk ka ikë katundi prej tyre. Gjatë kohës së sistemit të mëparshëm, mendësia katundare ka qenë e mbuluar me një zhguall të ngurtë të ideologjisë enveriste, një moral dhe sjellje që formalisht këta e praktikonin me fanatizmin e nevojshëm në sferën publike. Por, përtej lustrës së jashtme, problemi kryesor me parinë është se e ka pranuar dhe e pranon logjikën e mendësisë katundare si legjitime.
Ka pasur edhe një rrugë tjetër perverse, përmes shkollimit e stërvitjes profesionale, që e ka përforcuar këtë mendësi katundare. Sistemi i mëparshëm ka punuar me intensitet, që t’i thyejë si individë dhe t’i vejë në përdorim të shtresës sunduese. Individualizmi dhe arrivizmi i tyre është në ekstrem. Kjo sjellje individualiste, e acaruar edhe nga jeta e gjatë dhe e vështirë në konvikte e zbore, me një riskë buke të zezë, me shtatë lekë marmalatë fiku apo molle, e me çaj pa sheqer, si dhe përvojat çnderuese e çnjerëzuese në mjerimin e sistemit të kaluar, që synonin me i kthyer në vegla të pashpirt të sistemit, kanë përcaktuar e përcaktojnë sjelljen e tyre edhe në politikën e sotme.
Prandaj edhe problemi themelor i politikës së sotme shqiptare është sundimi i pakundërshtuar i mendësisë katundare. Kjo mendësi është evidente qysh nga fshatrat më të humbur të majave të thepisura të Toskërisë e të Gegnisë, deri në zemër të institucioneve shtetërore. Shteti shqiptar është i drejtuar prej katundarëve, që nuk kanë një pikë ndjenje kombëtare e njerëzore. Këta janë individë që e urrejnë popullin e vet. Mirëpo, nëse populli e pranon mendësinë katundare si legjitime dhe të natyrshme, në rastin e parisë, ajo e ka bërë zgjedhjen e tillë, që të përdorë mendësinë katundare për të ruajtur sundimin e vet. Si duhet kuptuar ky paradoks?
Paradoksi i sundimit të mendësisë katundare në politikën shqiptare
Duke e qëmtuar me vëmendje origjinën e këtij paradoksi, duhet theksuar se, historikisht, katundi ka qënë e mbetet strukturë shumë e fuqishme e sunduese në shoqëritë e në politikën shqiptare. Qytetet e vërteta si qendra politike, kulturore e rrezatimi vlerash e mendësie shtetare kanë qënë të pakta, e këtu mund të përmenden Shkodra, Peja, Gjakova, Prizreni, Shkupi, Berati, dhe Janina. Po ashtu, perandoritë, me të cilat shqiptarët kanë qënë të lidhur, i kanë pasur qendrat vendimmarrëse larg prej trojeve shqiptare. Si pasojë, qytetet shqiptare ku ka qënë përqëndruar fuqia politike e shqiptarëve kanë qënë më shumë qendra tranziti dhe udhëkryqe politike ku familjet sunduese nuk kanë zgjatur më shumë se tre-katër breza.
Shumica e këtyre familjeve me pushtet kanë qënë të lidhura më shumë me qendrën e perandorisë se sa me katundet rreth e rrotull, edhe pse këta i sundonin në emër të asaj perandorie. Bile, edhe kur ato familje, të lidhura si me qendrën e perandorisë, ashtu edhe me shoqërinë e katundarëve e malokëve të krahinës, pra edhe kur kanë pasur rrënjë e mbështetje në shoqërinë e kohës, kane ndenjur në katunde. E në fakt, në Toskëri, katunde si Frashëri apo Libohova kanë pasur më shumë pushtet, kultivim mendësie shtetare e influencë se sa qytetet vetë. Si ilustrim, bie fjala, mund të përmendet Gjirokastra, një qytet që ka qënë i mbushur me duaxhijt e derës së Asllanpashallinjve, aq sa për 50 vjet u sundua me dorë të hekurt prej një gjeorgjiani të adaptuar në atë familje, si Javer Hurshit. Për më tepër, qytetet e tilla kanë qënë shpesh qendra të sunduara e të populluara nga të huajt. Shpesh qytetet e asaj kohe nuk kanë qënë gjë tjetër pos katunde të shtrira e më të populluara se katundet e tjera si Tirana apo Kavaja, ku një pjesë e mirë e të ardhurave të familjes vinte nga bahçja e shtëpisë.
Po ashtu, prej krijimit të shtetit të pavarur e deri tani, paritë e vjetra, veçanërisht ato familje që ishin shumë të lidhura me perandorinë osmane, sepse edhe origjinën e kishin nga kapikulutë, ishin pa rrënjë të thella në popull. Kështu, duke qënë një pakicë e papërfillshme numerikisht, paritë me influencë shtetare, edhe kur ishin nga familje qytetare apo me pasuri të madhe, qofshin nga shtresat tregtare e reshpere muslimane, bektashiane, katolike apo ortodokse, ishin e u bënë edhe më të katundarizuar se ndjekësit e tyre. Pavarësisht pasurive, e pavarësisht formimit sipërfaqësor kulturor, edhe kur e luajtën rolin kryesor në politikën shqiptare, pinjollët e këtyre familjeve e luajtën si katundarë të sofistikuar. Për më keq, me ndejë në majë të pirgut të politikës shumë të turbullt të shekujve të fundit, ata nuk lanë gjë pa bërë. Sot, shumë prej pinjollëve të tyre duhet që të mos harrojnë se shumë prej tyre, edhe kur rrjedhin direkt nga shërbëtorët e shumëkujt, u shkartisën me katundarët fitimtarë të rradhës. Kështu, në një rrugë apo në një tjetër, atapërfunduan duke u kthye indirekt në origjinat e tyne katundare.
Po ashtu, duhet mbajtur në mend se cikli i zëvendësimit të parive ka kenë i tillë, që gjatë ekzistencës së shtetit shqiptar, asnjë pari sunduese nuk ka zgjatur më shumë se dy breza. Për ta përsëritur argumentin, edhe kur kanë sunduar më shumë se dy breza, paritë sunduese kanë rënë pre e katundit dhe kanë sunduar si në katund, me një fjalë, lufta politike e parisë së radhës është zhvilluar për të kontrolluar katundarët e vet besnikë, e jo për t’i transformuar në shtetas e në qytetarë të lidhur pazgjidhshmërisht e parësisht me shtetin. Përjashtim bën, deri-diku, periudha e fillimit të sistemit të partisë-shtet, por, me dështimin e vet të hershëm ekonomik e politik, edhe ai sistem përfundoi në një luftë të mundimshme nga klanet sunduese për të kontrolluar katundarët. Nga ana e tyre, paria sunduese dhe strukturat shtetërore, u sollën si katundarë të vërtetë.
Me të gjithë përjashtimet, me shumë shmangie të përkohshme nga norma, mendësia katundare ka kenë sunduese edhe në krye të partisë-shtet. Udhëheqja kryesore përbëhej, në masë të konsiderueshme, nga katundarë safi. Mjafton të shihet përbërja e Komitetit Qëndror apo e qeverisë. Edhe kur nuk ishin katundarë, influencat mbas këtyre individëve, klanet që i mbështesnin ishin thelbësisht katundare në mendësi. Kjo mendësi u përforcua edhe më shumë, qoftë përmes martesave e familjeve, përmes rrethit shoqëror, strukturave politike-shoqërore apo edhe të vetë traditës sunduese politike. Instrumenti përmes të cilit është arritur mobilizimi e sundimi i masave katundare ka qenë manipulimi i paskrupullt i mendësisë katundare, si dhe ushqimi i kësaj mendësie përmes të gjitha mjeteve e mënyrave të mundshme, derisa është bërë mendësia sunduese ndër shqiptarët. Prandaj, sëmundja e katundarizimit mbetet sëmundja kryesore e politikës së sotme shqiptare. Shkaku kryesor i lëngatës ku jemi, është paria e Tiranës dhe instrumenti i saj i preferuar është mendësia katundare e shoqërisë shqiptare. Paria lufton që të kontrollojë shoqërinë, duke e mbajtur peng të mendësisë katundare. Si pasojë e kësaj përpjekjeje intensive nga ana e parisë për të kontrolluar shtetin e shoqërinë, vetë shoqëria shqiptare ka rënë viktimë e mendësisë së vet. Edhe më keq se aq, paria e ka përvetësuar këtë mendësi dhe, përditë e më shumë, po manifeston sjellje të pastra dhe të të qarta të rrënjosura në mendësinë katundare. Aq thellë kanë shkuar efektet e kësaj politike afatgjatë të parisë sa, sot po ecet simbas parimit katundar se e keqja nuk ka fund. Dhe, në fakt, nuk po merret vesh se ku është fundi i së keqes.

( VIJON… )

===========================

– PJESA E DYTË –
PROF.SHENASI RAMA: KATUNDARIZMI –

PROBLEMI I MENDËSISË KATUNDARE SI SËMUNDJE E POLITIKËS BASHKOHORE
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=243
2

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura