PSE U KRIJUA FONDI “VENDLINDJA THERRET”? NEVOJAT, ARSYET DHE RRETHANAT NË TË CILAT U KRIJUA 

Në 30 vjetorin e themelimit të Fondit “Vendlindja Thërret“

PSE U KRIJUA FONDI “VENDLINDJA THERRET”? NEVOJAT, ARSYET DHE RRETHANAT NË TË CILAT U KRIJUA 

Nga Emrush Xhemajli

Lëvizja Popullore e Kosoves që nga krijimi i saj më 1982 ndau mjete për përgatitje për luftë të armatosur: për blerjen e armëve, për stërvitje, për aksione kundër pushtuesve. Luftëtari pararendës i Ushtrisë Clirimtare të Kovoës, heroi Zijah Shemsiu para gjykatores në Beograd në vitin 1984 në pyetjen e gjyqtarit pse keni transportuar armë në Kosovë dha një përgjigje lapidare me plotë domethënie: “Më tepër i dua armët se sa të bëhem kryetar shteti”. Kjo shprehte bindjen e përhershme të veprimtarëve të LPK-së se çlirimi i vendit do të vjen me luftë të armatosur kundër pushtuesve. Por, për këtë duhej përgatitje dhe financa.

Nga fundi i viteve tetëdhjetë LPK krijoi një fond të veçantë për këtë qëllim. Ndërsa këtë fond LPK e pasivizoi në vitin 1991 me krijimin e Fondit „Humanitar Gjithëkombetar“ të krijuar nga Këshilli Koordinues i partive politike e jopolitike shqiptare në Zvicër, ku LPK bënte pjesë. Ky fond iu dorëzua Qeverisë pas krijimit të saj.

Bashkëpunimi i LPK-së me Qeverinë e Kosovës në ekzil, me qëllim çlirimin e vendit, u vendos menjëherë pas krijimit të saj në tetor të vitit 1991. Sidomos me resorët që kishin të bënin me Mbrojtjen, përkatësisht me takimet që për temë kishin përgatitjen për luftë të armatosur për çlirimin e Kosovës. LPK-ja, sipas vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë, përmes aktivistëve të ngarkuar, mbante kontakte sa herë ishte nevoja me ministrat e mbrojtjes së Qeverisë, Nikë Gjeloshin dhe Ramush Tahirin. Ne si LPK “Ashtu siç kemi deklaruar ashtu edhe kemi vepruar. … Në takimet që kemi patur me përfaqësuesit e Qeverisë (në atë kohë) kemi hasur në mirëkuptim të plotë”.

Më 23 gusht 1992 LPK-ja i është drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës me një shkresë në të cilën trajtohen dy çështje. E para nga Qeveria kërkohej Programi i saj Qeveritar dhe e dyta Qeveria njoftohet se kanë pushuar arsyet për të cilat qe formuar Këshilli Koordinues në Zvicër dhe vendet tjera në të cilat LPK ishte aktive. LPK – ja mendon, thuhej në këtë letër, se këtë punë, koordinimin, duhet ta kryej Qeveria…

Lëvizja Popullore e Kosovës me Qeverinë koordinohej në nivele të larta, por në formë paralele. Bazat e veta të armatosura në Kosovë, dhe njerëzit e LPK-së në rrafshin horizontal, vazhdonin të drejtoheshin nga organet e LPK-së brenda e jashtë vendit, sipas vendimeve të Mbledhjes së III-të të Përgjithshme (e mbajtur më 3-4 tetor 1991 në Ujmirë – shënim i pashtrikut). Lihej të kuptohej se qeveria të njëjtën marrëdhënie kishte dhe me subjektet tjera.

Në Kosovë, në terren, grupet që quheshin Ministri e Mbrojtjes dhe ato të Punëve të Brendshme nuk kishin kërkuar nga subjektet politike mbështetje me njerëz. Kështu që Ministria e Mbrotjes në Krye me Hajzer Hajzerajn dhe Ministria e Brendshme në krye me Avda Mehmedoviqin rekrutonin njerëz që kishin punuar në apartatin shtetëror të ish Jugosllavisë e që ishin larguar nga puna dhe i shmangeshin angazhimit të ish viktimave të ish sistemit, veprimtarëve me eksperiencë në rezistencë, siç ishin veprimtarët e LPK-së. Vija paralele që e mbante në lidhje Qeveria në Kosovë financohej nga ajo, ndërsa vija e aktivisëve luftëtarë të LPK-së nuk financoheshin nga Qeveria, ndërsa LPK priste angazhim në sistem dhe mbulimin me fondet e Qeverisë.

Veprimet pozitive të Qeverisë sado të vogla që mund të ishin LPK – ja i mbështeste. LPK në vitin 1993 mbështeti aksionin e Qeverisë për mbajtjen e ushtrimeve fizike të të rinjëve në Zvicër si vepim i dobishëm jo vetëm për arsye sportive. Kjo veprimari u bë “Me vendimin e ministrit të mbrojtjes përmes oficerit të karrierës Zeqir Lekaj, i cili kishte autorizimet e organit të sigurimit që nga shkurti i vitit 1993 të fillonte në Zvicër me organizimin e ushtrimeve fizike të të rinjëve, në sporte të ndryshme si karate, xhudo, fudboll e atletikë”.

– Pse atëherë në fund të vitit 1993 u krijua Fondi “Vendlindja Thërret”?

– Pse ndodhte kjo kur në vitin 1991 LPK ishte më e zëshmja që fondet për Kosovën t’i kalojnë në administrim Qeverisë së Kosvës të sapoemërtuar?

– Çka ndodhi ndërkohë që LPK – ja doli me fond të veçantë, fondin çlirimtar “Vendlindja Thërret”?

Kishte kaluar një kohë që Qeveria kishte marrë mjetet nga LPK – ja dhe subjektet tjera që kishin formuar Fondin Humanitar Gjithëkombëtarë. Qeveria pati kohë të mjaftueshme për t’u angazhuar në veprimtari konkrete për çlirimin e vendit, por nuk e bëri këtë, nuk u tregua e gatshme për angazhim dhe veprimtari çlirimtare. Veprimet që kërkonte koha për çlirimin e vendit nuk po bëheshin. Financimi në fushën e stërvitjes ushtarake ndonëse duhej të ishte prioritet, nuk po ndodhte. Për këtë arsye LPK-ja gjithnjë në gjendje gatishmërie, filloi të kushtëzonte mbështetjen e saj për Qeverinë për aqë sa ajo është aktive në aktivitet për çlirimin e vendit me luftë të armatosur.

Derisa LPK kishte marrë pjesë në mënyrë aktive në fushatën për Fondin Gjithkombëtar dhe kishte mbajtur qëndrim lojal e mbështetës për fondin e 3 përqinshit nga fundi i shtatorit 1992, pas Konferencës paqësore për ish – Jugosllavinë në Londër, dhe paknaqësisë me qëndrimin e mospunën e Qeverisë në përgatitjet për çlirimin e vendit, LPK, më 26 shtator 1992 rishqytroi çështjen e 3-përqinshit dhe mori vendim që anëtarët e vetë të mos e paguajnë atë deri sa Qeveria të japë prova se po punon për çlirimin e Kosovës.

Kundër LPK-së u ngrit stuhi dezinformuese negative nga kreu i LDK-së në Kosovë, në Tiranë dhe jashtë vendit. Megjithatë, kushtëzimi i LPK-së shkoi duke u rritur. Qëndrimi i LPK-së, i disa oficerëve të ish APJ-së dhe individëve brenda LDK-së, e shtynë Qeverinë të ndërmarrë disa veprime në drejtim të përgatitjes ushtarake të vullnetarëve.

Më 25 mars të vitit 1993 Qeveria e Republikës së Kosovës lëshoi Dekretligjin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës (01. Nr. 17/93). Në zbatim të këtij Dekreti pati përpjekje formale disamujore për përgatitje për luftë të armatosur, por pa kaluar në veprime konkret.

Në një nga takimet e radhës me LPK-në Ministri Nikë Gjeloshi kërkoi nga LPK – ja dy përsona kontaktues për një program të Qeverisë lidhur me mbrojtjen. Dhe këta dy persona kontaktues në Kosovë atij iu dhanë menjëherë. Nuk kaloi shumë kohë, z. Gjeloshi kërkoi 29 veprimtarë të LPK-së. Me nënkuptimin se kërkesë me të njëjtën përmbajtje u është drejtuar dhe subjekteve tjera politike. Sipas Ministrit ata do të përgatiteshin ushtarakisht dhe do të futeshin me detyra luftarake në Kosovë. LPK – ja e pranoi menjëherë kërkesën. Me vullnet të madh i hyri punës. Pasi bisedoi me secilin veprimtarë veç e veç për misionin që e priste, përgatiti listën me 30 veta, një pjesëtar më shumë se që ishte kërkuar. Më 6 prilll të vitit 1993, LPK i dorëzoi këtë listë Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës Nikë Gjeloshi. Ndër ta ishin edhe emrat e Xhavit Halitit, Sabri Kiqmarit, Ali Ahmeti, Adem Grabovcit, Iljaz Thaçit, Kadri Veselit…. Në këtë shkresë LPK kishte kërkuar edhe një takim me Kyetarin e Qeverisë me prezencën e Ministrit të Mbrojtjes, Nikë Gjeloshi. Kryeministri nuk reagoi, andaj ky takim nuk u realizua. LPK-ja po priste në gjendje gatishmërie lajmin e nisjes në detyrë të pjesëtarëve që kishte përgatitur. Por, ky lajm aqë i pritur po vonohej…

Ndërkohë, gjatë vitit 1992, 1993, LPK po kryente askione kundër forcës së gjallë të okupatorit (disa nga Këshillat e LPK-së në atë kohë kishin filluar të merrnin formën e njësiteve të armatosura). Krahas kësaj LPK përgatiti dhe në korrik 1993 (më 26 -27 korrik, shënim i pashtrikut) mbajti Mbledhjen e IV të Përgjithshme ku saktësoi Programin e vet për luftë të armatosur çlirimtare si dhe aprovoi rezolutë të posaçme për këtë qëllim.

Gjithashtu në Mbledhjen e Përgjithshme të Degës së LPK-së, që ishte mbajtur në Bazel më 3 e 4 korrik 1993 ishte vendosur të dilej me një Fond të Mbrojtjes deri sa të koordinohej me sukses puna me Qeverinë. Edhe pse në Këshilin e Përgjithshëm dhe në Kryesi u shtrua çështja e krijimit të një fondi, por nuk u mor ndonjë vendim konkret duke pritur se çfarë përgjigje po jepte Qeveria e Kosovës në angazhimet e përbashkëta.

Nga ana tjetër, okupatori serbë, në kërkim të luftëtarëve që po bënin veprime, nga muaji gusht 1993 ndërmorën fushatë arrestimi e përndjekjeje kundër LPK, LKÇK-së dhe pejstarëve të Ministrisë së Mbrojtjes të Repupublikës së Kosovës.

Me gjithë arrestimet LPK, tashmë kishte Programin, vendimet e nevojshme të organeve më të larta Statutare si dhe burimet njerëzore aqë të nevojshme për vazhdimin e luftës që praktikisht e kishte filluar në terren. Krahas aktivitetit të saj të pavarur LPK vazhdonte të priste nga Qeveria koordinim të aktiviteteve (ndihmimin e të burgosurve për çka kishte kërkuar një listë Zv. Kryeministri dhe Min. i Mbrotjes Nikë Gjeloshi dhe në radhë të par për nisjen e grupit të anëtarëve të saj për stërvitje ushtarake, sipas marrëveshjes me te.

Më në fund thirrja e shumëpritur e Ministrit Nikë Gjeloshi erdhi. Më datën 11 nëntor 1993 u mbajt takim në mes përfaqësuesve të LPK-së, Fazli Veliut, Emrush Xhemajlit, Ali Ahmetit, Xhavit Halitit dhe Jashar Salihut në Cyrih të Zvicrës me Ministrin e Mbrojtjes dhe Zv. Kryetarin e Qeverisë Nikë Gjeloshi, me thirrjen e këtij të fundit. Përfaqësuesit e LPK-së menduan se po thirren për koordinim, përkatësisht për dërgim në stërvitje dhe futje në veprime luftarake të vullnetarëve që LPK i kishte dhënë me listë Qeverisë më 6 prill 1993. Por nuk doli kështu. Ata u ftuan për t’u njoftuar me sa vijon:

E para, Nikë Gjeloshi, informoi LPK-në që ka dhënë dorëheqje nga Ministri i Mbrojtjes. Arsyeja e dorëheqjes, shpjegoi ai, ishte pamundësia për të vepruar. “Presidenti” Rugova kishte dërguar mesazh se nuk do të ketë ndryshim të kursit politik paqësor në raport me Beogradin. Andaj përgatitjet për luftë të armatosur nuk do të bëhen.

E dyta, për Listën prej 30 vetash, vullnetarëve të LPK-së, që i ishte dhënë Ministrit Nikë Gjeloshit, ai informoi se është e sigurtë dhe do të mbetet sekret.

E treta, Nikë Gjeloshi falenderoi LPK-në për bashkëpunimin dhe qëndrimin korrekt.

Ndërsa në fund tha se nëse ju do të vazhdoni me veprimet e armatosura unë personalisht, tashmë si individ, do të jem në dispozicion që t’ju ndihmoj.

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës në ekzil, Nikë Gjeloshi, në librin e tij “Ministria e Mbrotjes…” është treguar korrekt në pranimin e kësaj të vërtete: “Në pafuqi për të marrë vendime të drejta dhe në kohë vakumi institucional, i krijuar, – thotë ai – u hapi rrugë subjekteve tjera për veprim, kryesisht Lëvizjes Popullore të Kosvoës (LPK), e cila deri atëherë bashkëpunonte në mënyrë korrekte me institucionet e shtetit që po ndërtonim, dhe ishte vënë në shërbim dhe mbështetje të atyre institucioneve shtetërore”

***

Ndonëse qëndrimet e komunikuara nga Ministri Gjeloshi ishin të hidhura për Kosovën, për LPK-në dhe gjithë atdhetarët që donin çlirimin, ky takim e pati dhe një anë tjetër. Të vetmen të mirë që kishte ky takim ishte korrektësia e Nënkryetarit të Qeverisë dhe Ministrit të Mbrojtjes në doërëheqje. Ai e tregoi të vërtetën para LPK-së. Dhe kjo në atë kohë nuk ishte ndihmë e vogël. Ranë të gjitha maskat, shpresat dhe iluzionet. Insitucionet e Republikës së Kosovës, që thirreshin në Kushtetutën e Kaçanikut, nuk do të luftonin për çlirimin e vendit. LPK – ja mbeti vetëm në luftën çlirimtare. Po ta fshehte Nikë Gjeloshi një fakt të tillë jo se LPK do të ndalte luftën e nisur, por do të kishte konfuzion në radhët e LPK-së dhe nuk do të dihej cila do të ishte dinamika e veprimeve të luftës çlirimtare të udhëhequr nga LPK – ja.

Duhet theksuar se financat i ishin ndërprerë edhe grupimeve tjera që ishin deklaruar për luftën çlirimtare dhe që e quanin veten “institucionalistë”. Agim Mehmeti, koordinator i oficerëve të ish APJ jashtë vendit, me qendër në Zvicër e thotë se “në vitin 1993-1994 ne, si ushtarakë u gjendëm në situatë të pavolitshme. Me bllokimin e mjeteve shtetërore, ne u bllokuam plotësisht”. Edhe grupi i Salih Çekajt, siç e thonë anëtarët e grupit të tij, nuk financohej nga Qeveria Bukoshi.

***

Përfqësuesit e LPK-së, që morën pjesë në takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministër i Mbrojtjes, Nikë Gjeloshi, duke u kthyer rrugës nga takimi, biseduan për gjendjen e krijuar. Praktikisht për dëmin e pallogaritshëm që ka shkaktuar Presidenca dhe Qeveria me këtë qëndrim. Ku mbetën planet e përbashkëta, ku mbetën mjetet e përbashkëta që kishim tubuar, dhe mbi të gjitha ku mbeti koha e humbur? Puna e përbashkët me Qeverinë, një diçka që ishte menduar në fillim si përparësi, për shkak të këtij akti, mashtrimi e tradhtie, të krerëve të insitucioneve të Republikës së shpallur të Kosovës, tani u kthye në pengesë për ringritjen në kushte të reja të strukturës së armatosur për çlirimin e Kosovës.

Për tejkalimin e situatës së vështrirë dhe ristrukturimin për luftë të armatosur në kushte të mungesave materiale e financiare menjëherë u thirrën mbledhjet e organeve drejtuese të LPK-së.

Kryesia e LPK-së mbajti mbledhje urgjente të nesërmen, më 12 nëntor 1993. Pasi shprehu indinjatën për aktin e mashtrimit e tradhtisë të krerëve të insitucionecve të Republikës së Kosovës në raport me angazhimin e përbashkët me LPK-në dhe jo vetëm, mori këto vendime:

E para, rritja e përgatitjeve për luftë të armatosur në të gjithë parametrat, resurse njërëzore, logjistikë dhe stërvitje. Por, për këtë duheshin financa. Në këtë sektor, financat, çdo gjë duhej nisur pothuaj se nga e para. Ndërkohë ende nuk ishte zbatuar vendimi i M4P të Degës për Fondin e Mbrojtjes si pasojë e shpresave që u dëshmuan të kota, në financimin e Qeverisë. Andaj Kryesia mori vendim që Lëvizja Popullore e Kosovës menjëherë të krijojë fond të ri, mjetet e të cilit do të përdoreshin vetëm për strukturën ushtarake në krijim e sipër, pra vetëm për çlirimin e vendit. Meqenëse mbledhja në të cilën u mor ky vendim zgjati shumë mbeti që fondi të emërtohet dhe të regjistrohet në një bankë Zvicerane. Gjithashtu u mor vendim që të bëhet një thirrje për kurbetçarët që do të mbështesnin këtë fond. Ky fond u emërtua Fondi Vendlindja Thërret. Për hapjen e xhirollogarisë u ngarkuan Musa Xhaferi dhe Rexhep Halimi në konsultë me përgjegjësin financiar Gafurr Elshanin.

Menjëherë, 3 ditë pas mbajtjes së Mbledhjes së Kryesisë së Këshillit të Pergjithshëm, në numrin vijues të “Zërit të Kosovës”, më 15 nëntor 1993, në faqen 3 u publikua Kontonumri i Fondit “Vendlindja Thërret”. Në mbledhjen vijuese të Këshillit të Përgjithshëm të datës 4 dhjetor 1993 Kryesia raportoi ndër të tjera edhe për vendimin e saj për fondin “Vendlindja Thërret”. Këshilli i Përgjithshëm njëzëri e aprovoi këtë raport ku përfshihej themelimi i fondit “Fendlindja Thërret” dhe mori masat për mobilizim të anëtarësisë dhe bashkëatdhetarëve për të kontribuar në të.

Fondi Gjithëkombëtar dhe fondi i 3 % (Trepërqindshit) u shfrytëzua kryekëput për aktivitete që hynin në kuadër të autnonimisë kulturore e të instituiconeve arsimore dhe shëndetësore si dhe Alternativës politike pacifiste nën tolerimin dhe tutelën e Beogradit. Kushtetuta e Republikës që parashihte çlirimin e vendit u la anash, Kuvendi i Kosovës dhe insituiconet e mbrotjes dhe të sigurisë u bllokuan.

Pasi u përjashtua krejtësisht struktura më luftarake e popullit shqiptar në ish Jugosllavi ishte e natyrshme dhe e nevojshme që Lëvizja Popullore e Kosovës të gjente zgjidhje. Organizata që kishte sakrifikuar më së tepërmi për Kosovën, e kalitur në luftën e pabarabartë e duarthatë, që nga themelimi i saj më 1982 e deri në kohën për të cilën po flasim, nëntor 1993, duke lënë të vrarë në veprimtaritë e saj rreth 200 anëtarë dhe mijëra të burgosur, mblodhi forcat për të vazhduar, tashmë e vetme, luftën e armatosur çlirimtare.

Pra, duhet të nënvizohet se Lëvizja Popullore e Kosovës, jashtë dëshirës së vet, siç u përshkrua më lartë, u detyrua të përtrijë fondin për çlirimin e vendit, që e kishte më herët, para formimit të Qeverisë, por këtë radhë me emërtim tjetër, dhe kontonumër tjetër, Fondin “Vendlindja Thërret”, dhe të vazhdonte e vetme krijimin e mekanizmit ushtarak për të bërë luftën.

Fondi “Vendlindja thërret” ka qenë deri në fund të luftës financuesi i sigurt e kryesor i UÇK-së. Ai ishte një nga sektorët e UÇK-së, sektori financiar i UÇK-së dhe për te nuk mund të flitet ndryshe pos si pjesë e UÇK-së. Kjo dëshmohet edhe me Komunikatat e muajit janar dhe shkurt 1999 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kur Fondi kalon nga administrimi i LPK-së në administrim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

(Kjo Kumtesë është mbajtur në tryezën e organizuar nga Shoqëria LËVIZJA me rastin e 30 vjetorit të themelimit të Fondit “Vendlindja Thërret”).

© Pashtriku.org

_______________

FONDI “VENDLINDJA THËRRET” NË GJERMANI (DËSHMI ARKIVORE)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura