LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (V)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

7. Letër për Nuhi Sylejmanin, janar 1981

      I dashur shok, Nuhi!

      Herën e kaluar nuk patëm si të ishim të kënaqur nga takimi. Unë e kisha marrë me mend krejt ndryshe. Por, ne edhe më tej, në këto kushte, do të ballafaqohemi me vështirësi pasi kemi pak gjë në dorë.

      Tani, me keqardhje, ju bëj me dije se kësaj jave nuk mund të takohemi fare. Bardhi, qysh të hënën në mëngjes, ndodhet në Bon, në një seminar, ku i duhej të merrte pjesë patjetër. Natyrisht, ne do të mund të takohemi, nëse ju do të vendosni të vini këndej nga unë.

      Ndërkohë, e kam përgatitur edhe një material. Por, nuk kam si t’jua dërgoj, sepse më parë do të duhej ta fotokopjoja, e për këtë nuk kam mundësi pa qenë këtu Bardhi.

1.Deri në takimin e ardhshëm do të kish qenë mirë që ju t’i jepni zor pak më konkretisht e më energjikisht në mbledhjen e ndihmave për shokun H. Nuk është mirë ta vonojmë këtë punë. Dhe sa më shpejt duhet ta gjejmë një shok të përshtatshëm, i cili do t’i dorëzojë në vend. Besoj se nuk e keni harruar dhe nuk e keni bërë “nazgjë” këtë punë.

(shokun H. = Hysen Gega)

      2.Ju porosis të shikoni ndonjë shok me bibliotekë të pasur dhe të merrni prej tij e ta lexoni librin e V. I. Leninit: “Ç’të bëjmë?”. E gjeni në vëllimin 5 të kompletit të veprave të Leninit, nga faqja 401 deri në fund. Unë besoj se do ta gjeni, po të përpiqeni. Kurse leximi i kësaj vepre është i domosdoshëm.

      Ju porosis, mbi të gjitha, që ta ruani sekretin, si jemi marrë vesh, për ato që kemi biseduar. Ne ndonjëherë mund të mos punojmë si duhet, si tash që i kemi rralluar takimet, gjë që dëmton vullnetin dhe moralin tonë. Por, të mos harrojmë se çështja kryesore mbetet ajo që është, dhe ajo asnjëherë nuk humbet asgjë nga shenjtëria e vet. Këto t’i keni parasysh, dhe jo ndonjë qëndrim të ndonjë shoku, se kështu mund të bëjmë gabime të pafalshme, duke e barazuar rëndësinë e vet çështjes me qëndrimet e përshtatshme a të papërshtatshme të shokëve.

      Me përshëndetje të ngrohta vëllazërore,

      “Lajmëtari”

      P. S. Nuk e di a e keni adresën time: Habichthöhe 40, – 7101 Untergruppenbach.

      Në qoftë se vini, atëherë më shkruani ndonjë letër. Mundësisht me makinë shkrimi, për arsye që dihen. Dhe, në letër, të shtroni pyetjet lidhur me materialet e përpunuara deri më tash, apo për gjëra të tjera që na interesojnë.

  • Nuhi Sylejmani

8. Letër për Nuhi Sylejmanin, kah fundi i janarit 1981

      I dashur shok, Nuhi!

      Më vjen keq që një nga bisedat tona të para serioze u bë duke kritikuar punën e të tjerëve, madje pa qenë ata prezentë. Ka mundësi të dalin keqkuptime dhe gjithë puna të merret si përgojim, por këtë gjë do ta bëjmë edhe ndërsy njerëzve që do t’i marrim në thumb, kurdo që të na ipet rasti.

1.Aq më parë është e rëndësishme ta sheshojmë mënyrën e punës së “Frontit…”, sepse është në kundërshtim të rreptë me veprimtarinë revolucionare marksiste – leniniste, pa marrë parasysh që vetë ka si pikënisje idenë marksiste – leniniste. Por, vetëm formalisht

      2.Por, këtë gjë, tash e tutje do ta bëjmë më me themel.

      3.Takimin e parë po e mbajmë të dielën (më 1 shkurt) në ora 18:00, në Ludwigsburg.

4.Takohemi te zyra e B., aty ku i mbanim provat e dramës. Takimi do të jetë i shkurtër. (Duhet të kujdesemi që takimet tona të mos shndërrohen në “ndeja të pasdarkes dimërore”.)

(Takohemi te zyra e B.=Bardhoshit=       Arbeiterwohlfart

Solitudestr. 44,

Ludwigsburg)

      Mendoj unë se duhesh t’i marrësh me vete nja 400 DM nga ato të fondit të krijuar deri më tash.

5.Me I. dhe H. kemi pasur një marrëveshje konkrete, që unë të shkruaj për “Bashkimin”, t’i përpunoj materialet e shkruara prej të tjerësh dhe ta shtyp gjithë materialin në makinën time të shkrimit. Unë i jam përmbajtur marrëveshjes, ata jo. Deri më tash, ata më kanë dhënë vetëm 200 DM për shtypjen në shtypshkronjë të “Lajmëtarit të Lirisë”, kurse marrëveshja ka qenë që të hollat për shtyp t’i sigurojnë ata, meqë unë nuk jam në gjendje të paguaj nga xhepi im.

(Me I. dhe H. =Me Ibrahim Kelmendin dhe Hysen Gegën)

6.(Deri më tash, dy numrat e revistës i kam paguar me të hollat e mia, sikurse edhe makinën e shtypit, gjithsejtë mbi 9.000 DM, kurse kontribute nga shokët kam marrë gjithsejtë 1.300 DM.) Për këtë arsye, numri i parë (për këtë vit) më ka ndenjur qe më se dy javë i gatshëm, sepse nuk kisha të holla ta dërgoja në shtyp.

      Merri me vete, nëse mundesh, edhe ato disqet e gramafonit me recitime, të cilat i përmendi Mejdiu. Është mirë t’i incizojmë dhe t’i shpërndajmë sa më parë.

      Në takim të vish në formacionin për të cilin jemi marrë vesh herën e kaluar.

      Mirupafshim, të dielën!

      (nënshkrimi origjinal i Jusuf Gërvallës)

      “Lajmëtari”

      Të fala të përzemërta edhe shokëve, që s’po ua përmend emrin!

7.P. S. Po të dërgoj edhe numrin më të ri të “Bashkimit”, nëse nuk e keni marrë ende. Por, ju lutem të ma ruani, sepse është e vetmja kopje që e kam.

9. Letër për Nuhi Sylejmanin, 10 shkurt 1981

      I nderuar shok, Nuhi!

      Druaj mos jam vonuar në këtë letër, për arsye të caktuara.

      1.Në qoftë se e merr brenda ditës së sotme (e martë, 10 shkurt 1981), atëherë, të lutem që në përbërjen e herës së kaluar, të dalësh po në atë kohë dhe po në vendin e përparshëm në takim. Shpresoj se e keni lexuar me shokë materialin që more herën e fundit, se do të keni marrë edhe ndonjë qëndrim të caktuar lidhur me të, dhe se kësaj radhe do të mund të kalojmë konkretisht në sqarimin e gjërave të panjohura lidhur me materialin e parë dhe në punën e mundimshme po të shenjtë që na pret në të ardhmen. Unë jam duke punuar në një material të ri me rëndësi dhe besoj se do të jetë i gatshëm për këtë takim.

2.Po kështu, ka qenë e parashikuar që brenda ditës së sotme të dalë edhe numri i ri i “Lajmëtarit”, kështu që, nëse del, do ta marrim me vete edhe atë.

      3.Nëse është kthyer M., merrja ato pllakat e gramafonit dhe pyete a ka marrë gjë vesh lidhur me shokun H., pasi, me gjasë, M. ka qenë në shtëpi dhe, sipas informatave, është dashur të kthehej pardje.

(Nëse është kthyer M.=Mejdi Rexha nga fshati Korishë, shok pune i Nuhi Sylejmanit

shokun H=Hysen Gegën)

      Besoj të kesh biseduar me shokët për ndihma që patëm thënë t’i mblidhnim për H. Po kështu, qysh tash ne duhet të mendojmë hollë e hollë se kush do të jetë njeriu i përshtatshëm, që do t’i dërgojë në vend ato, kur të mblidhen. Kjo ka rëndësi të madhe.

      Me shpresë se letra arrin me kohë, ju përcjellim të fala vëllazërore, ty dhe shokëve!

      “Lajmëtari”

10. Letër për Nuhi Sylejmanin, mesi i marsit 1981

      1.I dashur shoku Vullnet, dhe të tjerë,

      E mora letrën tuaj dhe listën e fjalëve të panjohura që duan shpjegim. Pikërisht për ta kryer këtë punë, ndenja në shtëpi dhe nuk dola sot të takohem me ju, sado që e dija se do të dilnit në Ludwigsburg. Prandaj e porosita Bardhin të merreni vesh. Ai sapo u kthye nga puna dhe më tregoi se jeni takuar. Edhe për të tjerët më tregoi. Natyrisht, do të bëhet shumë mirë nëse do të keni rast të shkoni për ndonjë ditë për në shtëpi. Edhe do të çmalleni edhe do të kryeni ndonjë punë.

      2.Merret vesh se nuk do të shkoni pa më treguar dhe pa u takuar.

Duhet të merremi vesh për ndonjë send, helbete. Pos kësaj, meqë njeriu i pritur nga Kosova nuk erdhi ende, s’është keq të mendoni pakëz si ta organizojmë edhe nxjerrjen përtej kufirit të këtyre revistave të grumbulluara.

3.Pos kësaj, mendoj që ka ardhur koha të caktojmë një njeri i cili do të realizojë kontaktin me krahun e Lëvizjes në Kosovë. Pra, kemi shumëçka për t’u marrë vesh.  

      Më njoftuat për demonstratat. Uashingtoni thotë se kanë qenë 500 demonstrues.

      „Frankfurter Allgemeine Zeitung“ (data 12.03.1981) thotë se demonstrata ka qenë e fuqishme, kurse pjesëmarrës kanë qenë 2000, disa shokë që gjoja e paskan dëgjuar me vëmendje Radio-Këlnin, thonë se Këlni paska thënë se kanë marrë pjesë 32 mijë demonstrues. Ndërkaq, me valën e parë të informatave, disa shokë nga Kosova na kanë dhënë njoftime jo të plota. Ata thonë se kanë qenë së paku 4000 demonstrues. Një polic është plagosur rëndë (gazeta gjermane thotë se ai ka vdekur), kurse prej djelmoshave tanë 13 janë të plagosur. Demonstratat kanë filluar të mërkurën më 11 mars 1981 në ora 17:00, dhe kanë vazhduar deri ditën e nesërme në ora 4. Së shpejti do të na arrijnë informata të hollësishme.

      Sido që të jetë, demonstratat nuk i mohon as “Rilindja”, as „Borba“ (13 ose 14 mars), sado që e zvogëlojnë përmasën dhe numrin e pjesëmarrësve, në një mënyrë aq të mjerë, e cila është karakteristike vetëm për fashizmin jugosllav.

4.Lidhur me efektin e tyre do të flasim posaçërisht pasi të marrim informata të plota. Po një gjë dihet me siguri: ato kanë rëndësi shumë të madhe. E vërtetojnë edhe njëherë vitalitetin e popullit tonë dhe faktin se mes nesh dhe fashizmit jugosllav nuk do të ketë kurrë pajtim, deri te liria e plotë dhe bashkimi me vendin amë.  

      5.Përshëndetje shqiptare e komuniste

      „Lajmëtari“ 

(VIJON)

© Pashtriku.org

____________________________________

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS

Janar 1980 – Janar 1982 (VI)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura