PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / KOSOVA DHE LIRIA (2)
NGA SULEJMAN ABAZI
(Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime)
Kosova dhe Liria
Çdo njeriu të ndershëm, që e do dhe e respekton paqen, lirinë, demokracinë, përparimin njerëzor dhe e urren tiraninë, fashizmin e dhunën në çdo vend të botës, kur dëgjon ose kujton sot emrin e Kosovës, njëherësh i parafytyrohen ngjarjet e tmerrshme të periudhës tragjike 1998-1999-të. Drenica, Kosharja, Rahoveci, Prekazi i Skënderajt, Prishtina, Suhareka, Gjakova, Reçaku janë tablotë e përmasave rembraniane të betejave të përgjakshme, të një lufte të tmerrshme, të sakrificave dhe privacioneve të një populli kundër dhunës dhe ushtrisë së krimit.
Këto tablo sa tragjike, e po kaq heroike e madhështore, janë perludi i një përpjekje të filluar dekada më parë, të një populli të lidhur këmbë e duar me zinxhirë robërie, kundër një gjaksori të pangopur me gjak shqiptari, i cili me një nacionalizëm të shfrenuar i ishte vërsulur atij dekada vitesh më parë, me thikë ndër dhëmbë dhe me urën e zjarrit në dorë, për ta masakruar e shfarosur atë.
Pas këtij përbindëshi, në sfondin e përgjakur, dallonim qartë falangat dhe legjionet politike, me lloj – lloj formash e fytyrash të shëmtuara, që i jepnin kurajo dhe mbështetje këtij përbindëshi. Xhelati hijerëndë, komandonte dhe jepte urdhëra, për të marrë qindra e mijra jetë njerëzish, duke u përbetuar në ekranet televizive, mbi “të drejtën ndërkombëtare”, “agresionin ndaj vendit të tij”, “integritetin”, “legjitimitetin” e dokrra të tjera të fabrikuara në skutat e errëta të UDB-së etj.
Tashmë, kur flasim për luftën në Kosovë, përulemi me respekt para qindra e mijra djemve dhe vajzave shqiptarë kosovarë, që dhanë jetën e tyre për lirinë në lulen e rinisë, përulemi para shumë të tjerëve nga të gjitha trevat shqiptare, që ranë dëshmorë në emër të lirisë dhe të demokracisë. Këta vullnetarë të lirisë do të meritojnë në çdo kohë nderimin e respekt prej kombit shqiptar. Sot, populli i Kosovës ka fatin të jetë i lirë. Ai është i vendosur të mos lejojë kurrë më një tragjedi tjetër, më të tmerrshme nga e para.
Nuk marr përsipër të bëj analiza të thella politike, sepse të tjerë mendimtarë e burra shteti i kanë pasqyruar ato drejt të vërtetës, por jeta dhe përvoja e gjatë në strukturat ushtarake, më kanë bindur se ngjarjet në Kosovë nuk rrodhën ashtu rastësisht. Roli nismëtar i studentëve të Prishtinës në demostratat e përgjakshme të vitit 1981, me parrullën fondamentale “Kosova Republikë”, është sa heroik e po kaq historik. Këto demostrata do të pasonin me ato të 11-të marsit, të 26-27-të marsit, me demostratën gjithëpopullore të 1-2 prillit 1981, me tubimet masive në tërë vendet e Evropës Perëndimore e më gjërë. Ishte koha, kur populli i Kosovës shpalosi shpirtin dhe vlerat kombëtare dhe i hapi rrugën luftës për liri.
Gjendja e jashtëzakonëshme e shpallur nga shteti serb në Kosovë, veprimet e dhunshme ushtarako – policore, nxitën më shumë urrejtjen, forcuan shpirtin e bashkimit e të qëndresës në popull dhe i hapën rrugën shkatërrimit të ëndrrës së Milosheviçit për “Serbinë e Madhe“.
Rinia kosovare derdhi gjak, e mbi gjakun e të rënëve u betua, se do të flijohej për lirinë e vendit të vet dhe për bashkimin kombëtar. Vite të tëra më pas, ngjarjet evoluan dhe u zhvilluan mbi bazën e kërkesës për drejtësi, të jetës së lirë; ato ishin denoncim i hapur dhe një sfidë për vet falsitetin e krijimit dhe të ekzistencës së shtetit federativ jugosllav, të brutalitetit dhe superioritetit serbomadh mbi shqiptarët dhe etnitë e tjera.
Serbosllavizmi nuk mund të pajtohej me shpërbërjen, me erën e re të demokracisë perëndimore. Ai do të kërkonte të mbijetonte, duke nxjerrë dhëmbët, tanket, topat, avionët, diplomacinë deri dhe lëndët kimike helmuese mbi rininë shkollore. Bosnja dhe Kosova, në këto pak vite janë në vetvetë një aktakuzë e hapur, që edhe për shumë kohë në të ardhmen, do të akuzojnë dhe do të kërkojnë drejtësi.
Djemtë dhe vajzat e Kosovës që dhanë jetën në luftë, janë kurora e shqiponjës në fushën e flamurit kombëtar. Shpirti i tyre fluturon sot në qiellin e lirë të Kosovës, duke larguar retë e zeza dhe vështrimet e përgjakura të djajve të zinj. Gjaku i tyre është derdhur në themelet e çështjes sonë kombëtare. Shqiptarët nga të gjitha trevat dhe viset shqiptare, kanë kohë që shkojnë në Prekaz të Drenicës, e të gjithë duhet të shkojnë atje. “Sikur të kishte çmim NOBEL për sakrificë – thotë ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kushner – këtë do t’ja dhuroja pikërisht familjes Jashari”. Madhështia e këtij simboli nuk ka kufij.
“Ka raste në botë – thotë akademiku i nderuar Rexhep Qosja – që nga një familje janë sakrifikuar një apo disa njerëz, për t’u kthyer në simbol për interesat kombëtare, por nuk mund të gjëndet një rast i tillë, që një fis i tërë, me mbi 50-të martirë, deri dhe fëmijë, të kthehen në simbol të qëndresës dhe të lirisë, si Jasharajt e Drenicës. Drenica duhet të jetë “Meka” e shqiptarëve”. Mesazhi i mendimtarit të madh flet shumë. Atje gjithë brezat sot e në të ardhmen do të mësojnë historinë e Kosovës dhe Prekazi përherë do të rrezatojë shpirtin e qëndresës për liri e drejtësi. Shpirti dhe gjaku i dëshmorëve të Kosovës, siç thotë rapsodi i Labërisë, Lefter Çipa, ka buzëqeshjen e Adem Jasharit, bukurinë e Xheva Lladrovcit, ka vështrimin e Abedin Rexhës, shpërthimin e Indrit Carës. Ky nuk është murim për kalanë e Rozafës, por për Kosovën me një shekull robëri.
S’ka pikë dyshimi se çdo veprim i armatosur mbart në vetvete pasoja të tmerrshme, pasi në vorbullën e problemeve dhe fatkeqësive që shkakton lufta e pësojnë edhe të pafajshmit. Ata janë njerëzit e pambrojtur që e urrejnë luftën, ata janë qytetarët e thjeshtë që kërkojnë të respektohen liritë dhe të drejtat e tyre, ata janë të moshuarit që kërkojnë mbështetje e përkrahje, ata janë fëmijët që në momente të tilla nuk e marrin dot me mend marrëzinë dhe çmendurinë e të rriturve, ata janë populli që kërkon liri.
Privacionet e luftës për një popull janë të rënda, por në kushtet e kolonizimit në kohët moderne pacifizmi i pavend shpie ujë në mullirin e tiranëve dhe fanatikëve që i ndjekin nga pas. Ata nuk janë të aftë dhe nuk kanë asnjë skrupull moral që t’i ndalojnë dorën tiranit. Forca e të mirës ndaj të keqes qëndron në shpirtin liridashës të Njerëzimit, ajo buron nga shpirti dhe vullneti i popullit dhe i martirëve të tij, të cilët në çdo rast të tillë, bëhen simbol i shpirtit të revoltës, bëhen simbol i bashkimit, qëndresës, prosperitetit, fisnikërisë, bukurisë njerëzore, humanizmit për ta mundur të keqen.
Dhe e keqja është e destinuar të humbasë. Tash, pas kaq kohësh, i përcjell me emocion e respekt momentet e përkuljes me nderim para atyre që dhanë jetën në altarin e lirisë, takimet me ata që bënë historinë. Është ky një motiv më shumë, që na mobilizon dhe kurajon, për të thënë e shkruar të vërtetën. Kjo e vërtetë ju duhet të rinjve e fëmijëve tanë, që aspiratat e kombit shqiptar të nëpërkëmbura nga historia e kancelerive të kohës, të kenë “lokomotivën” e tyre në rrugën e gjatë drejt prosperitetit, integrimit dhe jetës më të mirë.

Tropojë, 1999: Sulejman Abazi – Komandanti i Divizionit të Tiranës së bashku me kolonel Hysen Ymerin dhe Agronin në Kam të Tropojës.
***
Publicistikë mbi luftën
Shqipëria sy e vesh nga Kosova, në Ministrinë e Mbrojtjes bien “kambanat” e alarmit
Ndodhemi në një situatë të veçantë. Është hera e dytë në historinë e Shqipërisë së pas-luftës që kufijtë shtetëror provokohen me forca të shumta ushtarake. Viti 1949-të, është viti kur ushtria shqiptare i jep një mësim të mirë trupave ushtarake të monarko-fashistëve grekë. Është koha kur përkrah forcave të Divizionit të Korçës, Rezerva e Komandës së Përgjithëshme është prezente në kufi dhe realizon me sukses misionin e vet. Drejtuesi i këtyre veprimeve ushtarake të nivelit të lartë të pasluftës, ish – komandanti i Divizionit të Korçës, Gjeneral Petrit Dume, e meritoi plotësisht yllin e gjeneralit për shërbimet çmuara ndaj Shqipërisë.
Vitet 1998- 99-të, janë vitet e një veprimtarie intensive të strukturave ushtarake për sigurimin e kufijve veriorë e verilindor shtetëror, përballë një agresioni të mundshëm të forcave ushtarake serbe, në kuadrin e tentativave të tyre për të mbytur në gjak dhe për të eleminuar lëvizjen çlirimtare të popullit të Kosovës. Sipas analistëve më në zë, ishte i mundshëm një destabilizim i Ballkanit, me të vetmin synim serb, që përgjegjësia e një genoncidi të përhapej gjithandej dhe të krijoheshin të gjitha kushtet për një zbrazje të përgjithëshme të trevave shqiptare të Kosovës.
Një situatë plotiko – ushtarake e përmasave të mëdha në kohët moderne të prag-shekullit e mijëvjeçarit të ri, e cila kërkonte një vëmëndje e vlerësim të veçantë. Në terrenin praktik, ushtria serbe, ishte angazhuar tërësisht në veprime luftarake operacionale të të gjitha shkallëve e mënyrave, duke manifestuar në terren një taktikë të kombinuar që kërkonte dhe një kundërvënje të kombinuar, në shumë raste larg formave klasike të zhvillimit të një beteje apo disa betejave.
Llojshmëria e strukturave të specializuara për të kryer në radhë të parë operacione luftarake të karakterit psikologjik dhe veprime të dhunshme me strukturat e rregullta të trupave ushtarake speciale, diktonin domosdoshmërinë e një analize të thellë mbi masat mbrojtëse që duheshin marrë dhe mundësitë e kundërveprimit, duke realizuar kështu kërkesat e një parashikimi me profesionalizëm të lartë.
Nga studimi i gjendjes në terrenin e luftës dhe ballanca e forcave midis strukturave ushtarake serbe dhe atyre të UÇK-së, shtatmadhoria Shqiptare arsyetoi të krijonte një dispozitiv ushtarak të qëndrueshëm, për të realizuar një mbrojtje me drejtime, e cila nuk do të përjashtonte vëmendjen në të gjithë shtrirjen e kufirit të përbashkët prej 186 km Kosovë – Shqipëri, pasi provokacionet tashmë po përhapeshin në të gjithë këtë gjatësi, në një vijë terreni të pashkëputur.
Të dhënat e organeve të zbulimit dhe vrojtimit të drejtëpërdrejtë në terren, saktësonin, se formacionet serbe në vijën e kufirit po merrnin masa, për të kryer një minim me dëndësi të plotë. Ishte koha, që ushtarakët shqiptarë të vepronin, por dhe të parashikonin, të bashkëvepronin në harmoni të plotë mundësitë që ekzistonin, të ishin në një mbështetje të plotë të shumë strukturave ushtarake të NATO-s, që ndërvepronin brenda territorit të Shqipërisë.
Një situatë e re, por dhe një përvojë e re. Në këtë kuadër janë të shumtë urdhërat dhe udhëzimet e Shtatmadhorisë Shqiptare, të cilat orientojnë komandat dhe shtabet për përgatitje serioze dhe masa të veçanta të karakterit organizativ e ushtarak. Strategjia serbe ishte e orjentuar dhe paracaktuar tashmë drejt luftës. Amanetet e famëkeqit Çubriloviç kishin errësuar mendjen dhe sytë e elitës drejtuese serbe, po e shtynte atë drejt krimit të veçantë në llojin e vet, të përmasave të mëdha. Por, tashmë jo gjithçka do të shkonte sipas parashikimeve të lobit serb. Një faktor tjetër kishte filluar të luante rolin e vet në fatin e Kosovës. Kjo ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ishte vënë përballë kriminelëve serbë, me bindje, se i kishte ardhur koha të bënte detyrën dhe të kthente në realitet ëndrrën shekullore të shqiptarëve, të fitonte lirinë.
Situata e ndezur luftarake matanë kufirit shtetëror, kishte kohë që jepte ndikimet e veta në tërë brezin kufitar. Goditjet e artilerisë serbe, penetrimet brenda kufirit të trupave komando, shkatërrimet e pasurisë, minimet e drejtëpërdrejta nga distanca, goditjet me snajper, shkëmbimet e ashpra të zjarrit, shkeljet e hapsirës ajrore, ishin bërë një ritual i zakonshëm, që na jepte të kuptonim e të vlerësonim, se çdo gjë mund të ndodhte.
Shtrirja e veprimtarisë luftarake të UÇK-së dhe marrja nën kontroll e mbi 40-të për qind të territorit të Kosovës, çlirimi i qyteteve të tilla si, Rahoveci, në pranverën e vitit 1998-të, ishin ngjarje të pazakonta që kërkonin vëmendje, analizë të thellë politiko – ushtarake dhe mbështetje. Në këto kushte, ishte i pritshëm një reagim i mënjëhershëm i makinës ushtarake serbe me të gjitha potencialet e saj ndaj kësaj ushtrie.
Dhe ajo që pritej ndodhi, megjithë paralajmërimet dhe sanksionet e komunitetit ndërkombëtar, të cilat kishin filluar të vepronin kundër regjimit të Milosheviçit. Ushtria serbe, jo vetëm kaloi në një ofensivë të përgjithëshme, por e shoqëroi atë më një genoncid të paparë mbi popullsinë e pambrojtur dhe me shpërngulje masive të tipit nazist, të padëgjuara ndonjëherë, “…me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga hebrejtë” (Vargasllosa, f:17)
Veprimet luftarake të Armatës Jugosllave, u përqëndruan në Kosovën perëndimore e jugperëndimore. U krijua një situatë e rëndë luftarake, kur në tërë Kosovën krimi kishte shfaqur një fytyrë të shëmtuar mbi popullin kosovar. Në këto kushte, detyrat e strukturave ushtarake ishin të shumta dhe të një natyre të veçantë. Detyrat kushtetuese të Sigurimit Kombëtar vunë tërë strukturat e drejtimit e të komandimit në Forcat e Armatosura në një gjëndje gatishmërie dhe alarmi. Detyrat operacionale në kohë për Divizionin e Kukësit dhe të Shkodrës, u pasuan me urdhërat para-operacionale dhe për njësitë e tjera ushtarake, të cilat mund të vepronin në zonën e luftës.
Ekipet e shumta të specialistëve ushtarakë u drejtuan në veri të Shqipërisë; u ndje nevoja e bashkërendimit të shumë problemeve me organet e pushtetit qëndror e vendor, me organizatat humanitare e jo-qeveritare. Shteti shqiptar po riorganizonte dhe mobilizonte potencialet e veta për të përballuar pasojat e spastrimit etnik dhe të një veprimi të mundshëm ushtarak serb. Ushtria ishte paracaktuar të luante rolin e saj dhe të përballonte peshën e vet në këtë situatë të rënduar politike dhe ushtarake. Në këto kushte, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura lëshoi direktivën komandës së Divizionit të 8K të Tiranës, Brigadës së Këmbësorisë së Mekanizuar në Laç, Brigadës Xhenjere dhe njësive e reparteve të tjera të vartësisë së drejtëpërdrejtë, për të marrë masa të plota operacionale për kryerjen e një manovre të mundshme në verilindje të Shqipërisë.
Rikonicioni i parë
Mjedisi ushtarak shqiptar do të përjetonte ngarkesat emocionale, psikologjike dhe ushtarake. Ai do të përfshihej në këto ngjarje, në kushtet e përmbushjes së misionit dhe detyrimeve kushtetuese të Sigurimit Kombëtar. Ky ishte misioni dhe detyra jonë. Ushtarakët e kanë vlerësuar tepër normale përfshirjen e strukturave tona në këto ngjarje, siç ndodhi dhe më pas.
Gjatë shpërthimit të këtij konflikti dhe të acarimit të tejskajshëm të situatës, në bazë të një detyre paraprake të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, hallkat e drejtimit e të komandimit shkuan disa herë në rajonin e Kukësit, për të njohur terrenin dhe për të përcaktuar në vija të përgjithëshme rajonet e mundshme të detyrave operacionale e luftarake, ku do të mund t’i vendosnim në terren njësitë dhe repartet, me idenë e një ndërveprimi të plotë me forcat e Divizionit të Kukësit dhe të njësive të tjera.
Analiza e gjëndjes në kufirin shtetëror, jepte të kuptonim nga komunikimet e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura, se ushtria serbe kishte kryer një minim të plotë të kësaj vije dhe e mbulonte atë me zjarrin e armëve të artilerisë. Veç kësaj, goditja në thellësi të vendit me raketa të tipit minë-kasetë, veçanërisht atje ku ata mendonin se kishte qendra të grumbullimit të luftëtarëve të UÇK-së, krijoi situata të rënda në radhët e popullsisë civile, situata këto që nuk kaluan pa pasoja deri në lëndime e në humbje të jetës së njerzve.
Ndoshta do të duhet shumë kohë, që këto zona të rrezikshme të kufizonen dhe të merren masa që njerëzit të mos viktimizohen prej tyre. Informohemi, se rajoni i një pozicioni zjarri artilerie në Fush Dukagjin, në jug perëndim të fshatit Kolsh, ishte goditur me një raketë të tillë “minë-kasetë” dhe kishte “mbjellë” me mina antipersonel një sipërfaqe të gjërë. Dhe ky rast nuk ishte i vetëm.
Minimi i vijës së parë të veprimit të një ushtrie të çon në përfundimin logjik se kjo ushtri nuk ka ndërmënd të kalojë në mësymje dhe merr masa për t’a mbajtur këtë vijë me çdo kusht. Mjeshtëria, që të fitojmë nga përvoja jonë n’a ndihmon që të zgjidhim problemet me intuitë. Shpesh intuita n’a ndihmon të shfrytëzojmë burimet e informacionit për të reaguar ndaj realitetit në mënyrë efikase. Në fakt, përpjekje të tilla për t’i bërë gjërat drejt janë më të suksesshme. Është kjo një nga arsyet, që e vuri lidershipin ushtarak në lëvizje.
Atëhere, ç’duhej të bënte ushtria jonë me strukturat e saj, çfarë mund të parashikohej dhe çfarë mund të ndodhte në të ardhmen, po strukturat e UÇK-së ç’fat do të kishin në rastin më të keq, të rrethimit të tyre dhe të mungesave logjistike për përballimin e situatave? Ishte koha kur hordhitë serbe vazhdonin të godisnin dhe të ushtronin presion të fortë mbi të gjithë formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e kishin kufizuar atë në rreth 20 për qind të territorit shqiptar, matanë kufirit shtetëror.
Ishte krijuar një situatë shumë e rëndë për popullsinë e pambrojtur. Ngado njerëz të traumatizuar, nën efektin e kryerjes së krimeve të çuditshme nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe, të cilat nuk ishin dëgjuar ndonjëherë. Kontakti ynë me oficerët dhe ushtarakët në përgjithësi, në zonën e Kukësit, sqarimi i situatës prej komandantit të këtij Divizioni, gjeneral Kudusi Lames, kolonel Selim Spahiut dhe nënkolonel Gafur Çorapit, na dhanë mundësinë që të ishim më afër situatës dhe realitetit të luftës. Takimet me Selimin, Ademin, Hanin, Gafurin dhe mënyra se si ata i trajtonin problemet e situatës, po na jepte të kuptonim se këtu mjedisi ishte i elektrizuar në pikpamje ushtarake. Pas mbarimit të punëve tona në shtabin e Divizionit të Kukësit, me komandantin vendosëm të shkonim në doganën e Morinës.
Momentet, kur me komandantin e Divizionit të Kukësit, gjeneral Lamen, shkuam në doganën e Morinit, më kanë lënë përshtypje për disa arsye të cilat nuk mund të rri pa i trajtuar. Drejtimi i Morinit ishte një rrugë e asfaltuar dhe e ngushtë, në një gjatësi rreth 24-tër kilometra, me shumë kthesa të forta. Para se të mbrinim në Morin, lamë në krahun e majtë fshatin Bardhoc.
Dogana ishte e mbyllur dhe nuk kishte personel në të. Në krahun e djathtë të rrugës automobilistike që del nga dogana jonë për në drejtim të Kosovës, në pjerrësitë malore buzë kufirit, ndodhej fshati Morin. Ishte ora e mesditës, kohë kjo kur fëmijët e fillores dhe të tetëvjeçares shkonin në shkollë. Çuditërish shikoja se ndiheshin të qetë, a thua se në këtë zonë për t’a nuk ekzistonte situata e luftës?
Na priti komandanti i postës kufitare, një oficer me uniformën e policisë me gradën kapiten. Pas përshëndetjeve sipas zakonit të vendit, na informoi për situatën. U mundova të “lexoj” diçka në fytyrën e tij, por ishte e pamundur. Shprehte qetësi dhe fliste ngadalë, pa u ngutur. Duke parë përreth, u trishtova shumë kur vërejta postën tonë kufitare, pa dyer e pa dritare dhe mbi konturin e saj, në një shtizë të gjatë, valëvitej flamuri ynë kombëtar. Me trishtim pyeta veten: përse duhet të ishte kjo gjëndje kështu?
E ndjeva veten ngushtë dhe i them komandantit të Divizionit: “…a nuk është e mundur që kjo postë kufitare, këtu në vijën e parë, të jetë në një gjëndje më të mirë, të paktën për këta djem kuksianë që rrijnë gjithë kohën këtu me shërbim“? Më pa drejt në sy, e kuptoi mirë shqetësimin tim dhe më thotë: ” …e shikon atë objektin atje lart, në faqen lindore, poshtë malit të Pashtrikut, atje ku i thonë fshatit Pogaj? Ajo është një postë kufitare dhe atje kryejnë shërbim 8-të djemë nga zona përreth, atë postë e kemi ringritur në kushte të vështira, mbasi këta të rendit nuk e kanë shumë mendjen për këto punë”.
Dija që intuita është kapaciteti ynë parashikues për njohjen e brëndëshme, është njohje e menjëherëshme e diçkaje pa arsyetuar ose analizuar. Ajo shpreh dhe zëvëndëson gjykimin duke i kapërcyer etapat e njohjes. Kjo n’a ndihmon shpesh të gjithëve “të njohim” se kemi të drejtë pavarësisht “në kemi apo jo realisht të drejt”. Kjo “epërsi” e ndihmonte gjeneralin të arsyetonte e të shprehej kështu. Nuk e zgjata më. Nga informacionet që disponoheshin, rreth 500-të metra përballë kësaj poste, matanë kufirit, ishte posta kufitare jugosllave, e cila kishte disa kohë që ishte bërë një bazë mbështetëse për një batalion këmbësorie të ushtrisë serbe, deri në 520-të ushtarë.
Ndërkohë që po bisedonim, u afruan tre policë kufitarë të postës sonë. Nga komunikimi me ta po kuptoja më mirë diçka nga situata në kufi. Te kufitarët vërejta qetësi e siguri të plotë, kuptova nga mënyra se si i tregonin dhe interpretonin ngjarjet dhe situatat, se morali i tyre, të paktën në pamje të parë, dukej i lartë. Ata e dinin shumë mirë se në çdo rast e kishin rrezikun mbi kokë.
Vazhdoja bisedën me komandantin, ndërkohë më vrau syrin një shkëlqim i fortë nga reflektimi i një objekti në vijën e kufirit. Vërejmë me kujdes dhe dallojmë ushtarët sërbë, të cilët qëndronin në këmbë, jashtë strehimeve të tyre. Kapardiseshin tamam siç thotë populli ynë “si gjeli në majë të plehut“. I tradhëtoi për momentin shkëlqimi i helmetave nga rrezet e diellit. Me sa duket kishin vrojtuar gjithçka që po ndodhte në pikën e doganës, i kishin fiksuar “vizitorët” dhe tashmë po tregonin hapur kapadallëkun e tyre.
Komandanti i Divizionit u revoltua, sepse me sa kuptova, ata kishin shkelur rregullat e qëndrimit në kufi. Ishin ushtarë të një ushtrie të huaj, që kishin filluar reprezaljet, spastrimet dhe vrasjet në Kosovë, e jo pak po e tregonin kriminalitetin e tyre dhe në anën këtej të kufirit. Për ata nuk kishte më rregulla e norma.
Ishte hera e parë që dilja direkt në vijën e kufirit në kushte të veçanta, mendimet më shkuan menjëherë larg, por që ndoshta shumë shpejt, do të reflektonin të kundërtën, mendoja të nesërmen, kur ndoshta do të na e impononte situata, të ndesheshim fytafyt me këta kriminelë, për jetë a vdekje, me këta njerëz të shkatërrimit të vetë jetës. Përballë postës sonë kufitare, në krahun lindor të Drinit të Bardhë ndodhej posta kufitare jugosllave me 36-të policë. U informova nga Kudusiu dhe për disa përqëndrime të tjera të ushtrisë jugosllave matanë vijës së kufirit.
Kuptova mirë se Gryka e Morinit matanë kishte kohë që ishte “populluar” nga shumë njësi dhe reparte ushtarake të ushtrisë serbe. Kjo ishte një situatë e veçantë, që duhet manaxhuar me shpejtësi. Natyrshëm lindte pyetja “A do të mundnin sërbët të hapnin front lufte në drejtimin tonë, pa synuar më parë në eleminimin e UÇK-së dhe nëse do ta bënin këtë, cilat do të ishin drejtimet më të mundëshme të veprimit në Morinë”?
Parafytyroja se çfarë bënin tani shumë formacione të UÇK-së, por megjithatë përsëri më mundonte pyetja: ” çfarë bënin ata në këtë situatë të rënduar, si e përballonin presionin ushtarak në atë pjesë të ngushtë të territorit të Kosovës ku po luftonin”? Ç’farë forma luftimi po përdornin? Si i përballonin mjetet e blinduara të armikut?
Më kujtohej diku një shkrim i mikut tim Dilaver Goxhajt në një të përditëshme të pavarur shqiptare në pranverën e vitit 1998-të, kur UÇK-ja çliroi qytetin e Rahovecit. Analiza ushtarake e këtij veprimi, na jepte të kuptonim se diçka kishte filluar të kristalizohej në strukturat ushtarake të kësaj ushtrie dhe mendimi ushtarak i drejtuesve të saj tashmë po kalonte në nivelin taktiko operativ të veprimeve në terren. Krahas rezervave se ky mund të ishte një veprim i nxituar në kohë, natyrisht kjo na gëzonte dhe na jepte shpresë.
Në po këtë periudhë më është dhënë rasti të jem në një bisedë të sinqertë, në shtëpinë e mikut tim në Tiranë, mjekut ushtarak Bajram Bega, me tre burra nga Kosova, të cilët ishin në rrugë e sipër për në frontin e luftës. Njëri prej tyre, me mbiemrin Krasniqi (më pas ia kujtova emrin, Rexhep), një burrë i shkurtër, i shëndetshëm e me mustaqe, kuptova që kishte një detyrë dhe përgjegjësi matanë, ishte shumë i vëmendshëm dhe mënyra se si i konceptonte veprimet e së ardhmes më befasonte.
Dy të tjerët në moshë të re, emrat e të cilëve tani nuk më kujtohen, ishin studentë që vinin nga Zvicra për tu përfshirë në formacionin luftarak në Kosovë. “Ne – më thoshte Rexhep Krasniqi – po përgatitemi për të përballuar deri edhe luftën frontale me ushtrinë serbe dhe në zonat e ashpra të Kosovës qysh sot po kryejmë punime për qëndra zjarri, transhe dhe vija mbrojtjeje. Strukturat tona janë të organizuara, besimi është i madh dhe përditë radhët tona po shtohen”.
Diskutonim mbi format e luftimit që mund të përdoren në kushte të tilla dhe në një moment e kundërshtova komandant Krasniqin duke i thënë me dashamirësi e sinqeritet, pa e lënduar se shumë gjëra do të imponohen nga zhvillimet dhe realiteti i luftës, nga koha, nga mbështetja dhe entusiazmi këtu nuk ka vend. Në një moment iu mbushën sytë me lot dhe rrotull kësaj tryeze familjare ne e ndjemë veten shumë ngushtë.
Vetë Krasniqi pasi u qetësua na nxorri nga situata. “Jam shumë i emocionuar – thotë – kur ju shikoj e dëgjoj se sa me pasion e sinqeritet flisni. Ju jeni ushtarakë të ushtrisë shqiptare dhe ne kemi shumë nevojë të flasim e të shkëmbejmë mendime me ju, ne kemi nevojë që të jemi së bashku”.
E nxisja bisedën qëllimisht drejt mendimeve të hapura sepse kishim nevojë që t’a dëgjonim njëri – tjetrin. Dy çunat e tjerë flisnin pak e dëgjonin të vëmendshëm bisedën. Një ndjesi psikologjike më bënte t’i shikoja këta njerëz të mirë me admirim. Mekanizmat e proçesit të njohjes kanë epërsi në krijimin e përshtypjeve për veten dhe për të tjerët. Por shpesh individi shfrytëzon edhe disa elementë që janë ose të pavetëdijshëm, ose tepër të shpejtë, por që, sidoqoftë, e ndihmojnë njeriun të parashikojë, të perceptojë, pasqyrojë dhe të kuptojë ngjarjet në rrugë sa më efektive, më të përshtatëshme, megjithëse ndonjëherë edhe të gabuara. Kështu ndodhi edhe me mua në këtë takim.
Vonë atë natë u përcollëm me këta njerëz të mirë të Kosovës duke më munduar përherë një pyetje “A do të mundja vallë t’i takoja përsëri dhe një herë në Kosovën e lirë”? Nga informacionet që qarkullonin, ishim të informuar se luftëtarët e lirisë ishin në vështirësi të mëdha, e megjithatë organizoheshin, luftonin dhe qëndronin burrërisht e deri heroikisht.
Po le të kthehemi tek detyra jonë. U larguam nga gryka e Morinit për të dalë pasdite në Bardhoc, ku mendonim që të përqëndromin një pjesë të mirë të reparteve të artilerisë dhe ato tankiste që ishin paracaktuar të vinin nga Tirana, për bashkëveprim dhe mbështetje të Divizionit të Kukësit. Tashmë e kisha të qartë, se shumë shpejt forcat e Divizionit të Tiranës dhe njësive të tjera do të vinin në Kukës. Kisha një parandjenjë të fortë, se në të ardhmen punët nuk do të shkonin fortë për mbarë.
U larguam nga Kukësi të ngarkuar mjaft emocionalisht e tepër të shqetësuar, për atë që po ndodhte matanë kufirit shtetëror dhe për detyrat që na prisnin në të ardhmen…
Ministri i Mbrojtjes: Duhet të shkosh komandant i Divizionit të Kukësit
Pas kthimit nga Kukësi informova hollësisht gjithë kuadrot kryesor të komandave të Brigadave dhe Shtabit të Divizionit, vura detyra plotësuese gjithë komandave të njësive vartëse dhe seksioneve në shtab, për të përsosur më tej masat e gatishmërisë luftarake dhe kërkesat për një përgatitje të plotë operacionale. Planizimi që kishim dhe çdo veprimtari tjetër që parashikonim, tashmë kryhej në interes të detyrës operacionale të pritëshme.
Veçanërisht i kushtuam vëmendje realizimit të programeve të stërvitjes. Situata dhe gjendja psikologjike tek njerëzit që drejtoja kishte pësuar ndryshime dhe këtë kisha filluar ta vija re, ta kuptoja dhe ta vlerësoja më mirë. Në mjediset e shtabit të Divizionit, vëreja, se oficerët bisedonin dhe shkëmbenin mendime për gjendjen në Kosovë. Ishin të vëmendshëm ndaj njoftimeve dhe informacioneve të medias dhe kërkonin informacione shtesë nga organet e specializuara për të gjitha zhvillimet në terren. Në opinionet e tyre, dalloja lehtë një vlerësim në rritje të vlerave ushtarake të UÇK-së, e cila realisht kishte kohë që ishte hedhur në veprim. U rrit mjaft interesi i tyre për të njohur më mirë Kosovën, e tashmë edhe në planin gjeografiko ushtarak.
Në një nga këto ditë të zakonshme, shefi i artilerisë së Divizionit nënkolonel Thomai (Konduri), më solli një material të vjetër në zyrë. Ishte platforma çubriloviçjane e ç’kombëtarizimit të viseve shqiptare brenda Jugosllavisë dhe shtrirjes së dominimit serb në Kosovë. Për herë të parë më binte në dorë një material i tillë. Ishte një platformë e zezë, e një mendjeje të ndryshkur tejet nacionaliste e shoviniste, e mbrujtur me një urrejtje të thellë etnike, që zor se mund t’a gjesh diku tjetër. I rekomandoj Thomait, që këtë material është mirë që oficerët ta njohin dhe më pas t’ua jepte mediave për ta publikuar në opinionin e gjerë. Me sa kuptova, ky ishte një material sekret i viteve 80-të, që dhe shumë të tjerë nuk e njihnin.
E ndiqja me kujdes situatën në tërë strukturën e Divizionit. Kishte kohë, që ushtarakët kishin filluar të ndryshonin e po orientoheshin pak e nga pak drejt psikologjisë së luftës. E megjithatë, ata ishin të mobilizuar dhe me korrektësi zbatonin detyrat e tyre. Divizioni i Tiranës ishte një nga njësitë kryesore të ushtrisë shqiptare. Strukturat e tij shtriheshin deri në Elbasan. Dispononte një arsenal të mirë të armatimeve të rënda, të cilat ishin në gatishmëri të mirë teknike. Shtabet e Brigadave në vartësi, bënin përpjekje të vazhdueshme për të rritur kapacitetet dhe për të forcuar elementët operacionalë.
Në të gjithë strukturat e shtabit të Divizionit mbizotëronte një klimë e mirë bashkëpunimi dhe kjo ishte një nga arsyet, që për sa kohë shërbeva në këtë njësi, e kam ndjerë veten përherë në një situatë të mirë pune. Oficerë me përvojë si Thomai, Haxhiu, Xhemali, Kujtimi, Agroni, Bilbili, Fatbardha, Çarçani, Agimi e shumë të tjerë, me impononin përherë vullnet, këmëngulje e vetësiguri, për t’u dalë punëve të shumta përballë.
Pjekuria dhe gjakftohtësia e tyre dhe në këtë situatë, kanë qënë një mbështetje e fortë morale, psikologjike e pse jo dhe shoqërore, që normalisht të gjithë së bashku të përballonim detyrat tona. Po kjo situatë mbizotëronte dhe në njësitë vartëse. Kopetenca profesionale dhe përvoja e komandantëve të Brigadave, kolonel Budjon Arapit, nënkolonel Kastriot Musabelliut, nënkolonel Tomorr Bajraktarit dhe nënkolonel Hysni Mullollit ishte një mbështetje më shumë në punët e drejtimit dhe të komandimit. Me të drejtë do t’i cilësoja oficerë të talentuar dhe me shumë përvojë. Respektimi i hierarkisë ushtarake, por veçanërisht fryma e bashkëpunimit, komunikimit dhe respektit reciprok na e bënte punën më të lehtë.
Më njoftuan, se të nesërmen duhet të paraqitesha tek Ministri i Mbrojtjes, në orën 10.00. Tashmë isha ambjentuar, dhe për mua një takim me Ministrin nuk ishte diçka e veçantë ose e papritur. Kjo nuk më shqetësonte, për situatat që po kalonim dhe detyrat që mund të na ngarkoheshin për të kryer në planin ushtarak. Kjo ishte një gjë normale, por nga përvoja e punës në ushtri kisha kuptuar, se dhe në situatën normale përherë ka diçka që mund të quhet “anormale”.
Me zotin Luan Hajdaraga isha takuar edhe disa herë më parë. Të paktën në pamje të jashtme, për normën e angazhimit në problemet tona e vlerësoja si një njeri të komunikueshëm. Në orën e caktuar u paraqita në zyrën e tij. Më priti i entusiazmuar dhe u fut drejtpërdrejtë në temën e bisedës që kishte menduar të bënte. Më kërkoi direkt mendim, nëse isha në gjendje të merrja dhe të kryeja detyrën e komandantit të Divizionit të Kukësit me gradën “Gjeneral Brigade”. Menjëherë më regëtiu në vetëvete mendimi: “…. zoti Ministër, unë jam ushtarak, nuk e kam për detyrë të mendoj por të veproj”.
U befasova jashtë mase, sepse kisha pasur shumë hamëndje për këtë takim, por që të më dilte kaq papritur në këtë vlerësim dhe të përballesha me një propozim të tillë, nuk më kishte shkuar ndërmend. Përvoja më impononte se gjithmonë, në raste të tilla, dihet që ka të papritura. E ndjeva veten shumë ngushtë dhe pa e zgjatur, i kërkova arsyet përse më bëhej një propozim i tillë, kur në atë Divizion ishte një komandant, i cili aktualisht po kryente detyrën. E kuptoi gjendjen dhe reagimin tim të menjëhershëm dhe nuk e zgjati shumë bisedën. E mbylli, duke më thënë, se do të më priste në zyrë pas tri ose katër ditësh, pasi të mendohesha mirë për këtë propozim. U ngrita dhe pa folur, pasi e nderova ushtarakisht, dola nga zyra. Një takim i shkurtër që nuk zgjati më shumë se 20-të minuta.
Nuk mund ta fshihja, më shqetësote fakti se “ç’farë kishte ngecur dhe nuk funksiononte midis Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantit në Divizionin e Kukësit”? Ende nuk isha në gjëndje të jepja përgjigje, por megjithatë e qetësova veten me idenë se kisha kohë për t’u menduar. Ka momente të jetës, kur njeriu ndijet shumë ngushtë dhe i duhet të marrë vendim, e ndonjëherë i duket vetja si në një udhëkryq, pa rrugëdalje e drejtim. Por gjithësesi, përherë gjenden zgjidhje.
Isha kontradiktor në vetëvete në arsyetimin e problemit: pranimin apo mospranimin, kundërshtimin, të tërhiqesha apo t’i jepja një drejtim tjetër karrierës sime ushtarake. Nuk më mundonte aspak çështja e së ardhmes së karrierës në ushtri, as ndjenja e frikës, se do të shkoja në zonën e luftës, nuk më mundonte stepja përballë sfidës së veriut, e cila nuk ishte e lehtë për t’u përballur. JO. Arsyetoja qetë dhe thjeshtë, për faktin se, në këtë periudhë të veçantë “ne të Tiranës“, nuk po shkonim pa një synim dhe objektiv të qartë në rikonicionet e shpeshta në zonën e Kukësit. Tashmë isha bindur, se në një kohë shumë të afërt, do të shkonim atje, me forcat e Divizionit të Tiranës…
Analiza e ngjarjeve, çdo ditë perceptonte në mendimin, se shumë shpejtë gjërat do të ndryshonin. Kjo ishte një logjikë bindëse dhe e pashmangshme. Kisha disa kohë që kisha ndjekur një intervistë të komandantit të Divizionit të Kukësit në TVSH për situatën që mbizotëronte në kufirin shtetëror. Komandanti shprehte siguri e besim dhe ky ishte një mesazh për të gjithë popullin shqiptar, i cili kishte kohë që i kishte drejtuar sytë nga Kukësi dhe Kosova. Konceptimi ushtarak i situatës nuk mund të shihej jashtë realitetit të asaj që po ndodhte në kufijtë e Shqipërisë.
Së brendëshmi, çdo ushtarak në Forcat tona të Armatosura e ndjente dhe e kuptonte se tashmë i kishte ardhur radha përdorimit të forcës. Ky moment detyronte oficerët dhe ushtarët, tërë strukturat ushtarake, të ishin në gatishmëri për të kryer detyrat e tyre kushtetuese. Ky ishte një moment që kishte shumë ndryshim nga e zakonshmja. Në kushtet e një rreziku dhe kërcënimi populli menjëherë kthen sytë nga ushtria e tij, ai e shikon dhe e bekon atë për misionin dhe detyrën. Në këto raste, si i zgjuar nga ndonjë ëndërr e keqe, “kujtohet” edhe dikush, deri ndonjë deputet në Parlament, që të pyesi në panik, ” …jemi në rrezik, ku e kemi ushtrinë.”?
E njihja situatën në Divizionin e Kukësit dhe kjo ofertë e Ministrit të Mbrojtjes, pse ta fsheh, nuk më pëlqeu. Përse duhej larguar komandanti nga drejtimi i Divizionit, çfarë kërkonte e çfarë bënte ai që nuk u pëlqente eprorëve të tij, vallë kjo mund të ishte zgjidhja apo kishte dhe mundësi të tjera”? Për këto e të tjera arsye, kisha shumë dilema, të cilat jo vetëm më befasonin, por më jepnin të drejtën të mendoja ndryshe.
Kisha kohë që studjoja praktikat e emërimeve në detyra të ushtarakëve, kisha një vit plot që kryeja “i komanduar” detyrën e komandantit të Divizionit të Tiranës dhe nuk kisha kërkuar ndonjëherë që të më emëronin në këtë detyrë. Dija, që detyrat në ushtri jepen dhe nuk kërkohen, e drejta për të kërkuar mendim, e drejta e eprorit për të vendosur etj. Etj., teori si këto, por gjithësesi, e lashë analizën e këtij takimi në vetë rrjedhën e ngjarjeve që do të pasonin…
Në Kukës, por me Divizionin e Tiranës
Pas 8-të ditësh shkova përsëri në takim me Ministrin. Gjatë kësaj kohe, isha konsultuar me shokë e dashamirës, në rreth shumë të ngushtë. U ula përballë tij dhe nuk u futa në bisedë, për t’i dhënë të kuptonte, se për propozimin që më kishte bërë, nuk isha dakort. E kuptoi dhe u fut vetë në bisedë. Ja theksova, se nuk isha dokort që të shkoja në Divizionin e Kukësit. U nxeh dhe kërkoi arsyet pse, duke më thënë: “se do të më ndihmonte me kohë për hallet e mia familjare”, e të tjera si këto premtime pavlerë, të cilat janë në modë e që dëgjohen shpesh në raste të tilla… Nuk e zgjata dhe në thelb i parashtrova:
- Të mos mendonte se kisha frikë të shkoja në Kukës në zonën e luftës, në të kundërt, nëse do ta kishte atë mendim, të më urdhëronte dhe do të zbatoja pa hezitim urdhërin për të shërbyer në krah ose në vartësi të komandantit të Divizionit të Kukësit.
- Situata në Kosovë po evolonte shumë shpejtë në sensin ushtarak, do të më duhej të paktën për më shumë se dy muaj të ambjentohesha me zonën e mbrojtjes së këtij Divizioni dhe të mos mbrrija kurrë në nivelin dhe shkallën e njohjes së problemeve që kishte aktualisht komandanti i Divizionit, gjeneral Lame.
- Nuk mund të isha dakort të përballesha emocionalisht me opinionin nga të gjitha drejtimet, në veçanti me psikologjinë e njerëzve në të tri rrethet veriore, për vetë faktin, se ata kishin të drejtë të mendonin dhe të kërkonin në këto kushte “përse na e hoqën gjeneralin tonë (djalë nga Kukësi) dhe na sollën në vend të tij një oficer tjetër nga jugu”?. I thashë se nuk mund t’a përballoja dot këtë moment, i cili mund të më sillte shumë vështirësi, pengesa e kokëçarje në kryerjen e detyrës.
- Nuk do të mund të përshtatesha dot ndaj disa veprimeve që mund të shkonin në kundërshtim me disa norma të shkruara. Unë – i thashë – jam mësuar të punoj ndryshe”. Nuk do të isha kurrë dakort që vetë ky Ministër, nesër mund të më thërriste e të më detyronte të bëja të kundërtën e asaj që mendoja unë.
- Ekzistonte vështirësia e kalimit të lidhjeve të UÇK-së në autoritetin tim, të cilat kishin kohë që funksiononin dhe vepronin me Gjeneral Lamën.
- Përse duhet të zëvëndësoja komandantin e Divizionit të Kukësit, kur shumë shpejtë Divizioni i Tiranës do të shkonte në Kukës? “Më lini – sugjerova – që të shkoj në Kukës me forcat e Divizionit të Tiranës, të cilat kam afërsisht dy vjet që i drejtoj dhe i njoh mirë. – Unë zoti Ministër kam shumë kohë që kryej dy detyra në Divizion dhe deri më sot nuk u kam kërkuar ndonjëherë të më emëroni komandant të Divizionit të Tiranës. Detyra nuk kërkohet por jepet”, etj..etj.
Sa për zgjidhjen e halleve të mia familjare nuk pranova të prononcohesha, sepse e dija që këto do të ishin vetëm farsë, sa për të kapërcyer momentin. Filloi të më fliste për qëndrimin e Gjeneralit të Veriut, për ankesat që kishte Ministria dhe Shtabi i Përgjithshëm për të, për marrdhëniet e acaruara të tij me pushtetin vendor, me mediat, misionarët e huaj…etj…etj.
Mmegjithëse unë e dija shumë mirë që në takimet zyrtare nuk është e lejuar të përdoren shprehje të thëna nga populli, i vura parakusht që të mos zemërohej për atë që do ti parashtroja. Më premtoi se nuk do të reagonte. Në fakt nuk e mbajti fjalën sepse u zemërua shumë kur në një moment i thashë: “…Zoti Ministër unë nuk kam ardhur këtu të dëgjoj se kush është Gjenerali i Kukësit, por kam ardhur për problemin tim, të më falni por do të ta them të shprehur në gjuhën popullore dhe të lutem të mos ma merrni për “kapital”, “Përse zoti Ministër më zgjodhët pikërisht mua, unë e di që në disa kandidatura i kam fituar “testet”, por unë do të vazhdoj t’i mbyll gjithmonë vrimat e Ushtrisë”?
Ai e dinte shumë mirë, se unë kisha shërbyer gjashtë vjet në Ishullin e Sazanit, me gjithë familjen time. Kaq u desh, që ai menjherë të kalonte në një zemërim të madh, se “gjoja si mund të fliste me këtë gjuhë një oficer madhor, se Divizioni i Kukësit nuk ishte “vrimë”, se unë po humbisja shanset e karrierës sime ushtarake etj…etj…”.
Me shumë gjakftohtësi, kurajo e këmëngulje i thashë të mos i ngatërronte gjërat.
– Po Ishullin e Sazanit zoti Ministër, meqënëse unë kam shërbyer dhe më janë rritur edhe fëmijët në atë vend të vështirë, si do t’a quanit ju “vrimë”? I thashë se koncepti im për njësinë e Veriut ishte ndryshe, i thashë se Divizioni i Kukësit ishte në ballë të frontit, njësia më e vlerësuar e ushtrisë, se atje shokët tanë ishin pothuajse në luftë dhe këto unë i vlerësoja realisht e jo me fjalë…
Në këto kushte euristikat nuk mund të vepronin tek unë për situatën që mbizotëronte në zonën e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit. Tendecioziteti për të vepruar në të dy krahët e në të njëjtën kohë, do të sillte vetëm dëm dhe asgjë tjetër. Ato e detyronin Ministrin të devijonte nga saktësia e mendimit dhe të gabonte me mua dhe me Gjeneral Lamen. Kjo ishte e papranueshme dhe nuk kishte se si të binin në një mendje nga të dy palët. Një analizë e tillë e thjesht, të çonte në përfundimin se motivet e imponimit të këtij propozimi ishin të pranueshme dhe lehtësisht të lexueshme.
E ndërpreu bisedën, duke më thënë të mendohesha përsëri dhe t’i shkoja më pas në takim. As që u mendova më për këtë çështje dhe as i shkova më në zyrë. Ia lash spontanitetit këtë “shans”, duke u bërë më i vëmendshëm ndaj ngjarjeve të mëvonshme….
Pse kaq i ftohtë gjenerali?!
Është dita e paracaktuar e analizës vjetore të Divizionit. Kishte ardhur në këtë analizë Gjeneral Andoni. Pasi lexova materialin dhe sa filluan diskutimet nga komandantët e njësive, ndjeva një lloj nervozizmi nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, megjithatë e përmbajta veten, duke u treguar në pamje i qetë. Nuk mund të mos më binte në sy qëndrimi në heshtje i oficerëve në sallë.
Në pushimin e parë të analizës ishim vetëm në zyrë. Kishte ditë që më mundonte një pyetje dhe ende nuk po i jepja dot përgjigje. Mirë që Ministri më thirri për të më marrë mendim, po Gjenerali nuk më jep asnjë shans për ta diskutuar këtë ngjarje? Gjeta rastin dhe i thashë për propozimin që më kishte bërë Ministri. “Diçka kam dëgjuar” – më tha dhe nuk i dha më rëndësi këtij problemi. Nuk e besova, sepse isha i bindur, se tashmë ai e dinte shumë mirë këtë problem. U binda më shumë për këtë dhe nuk u gabova, kur biseda shkoi më tej.
Tek ky njeri asnjëherë nuk kisha ndjerë afërsi e mbështetje në detyrën që kryeja. Arsyet e këtij qëndrimi kisha filluar t’i kuptoja. Nuk e kisha njohur më parë. Më dukej njeri i ftohtë dhe shumë i vështirë në komunikim (sikundër ishte). Ndoshta unë nuk i përgjigjesha “sërës” së shokëve e miqve të tij, sepse diferenca e moshës ishte e ndjeshme. Me kohë nuk u kam vënë veshin opinioneve të tilla, sepse mendoja dhe isha i bindur se së bashku me shokët e mi përgjithësisht nuk i linim gjë mangut punës dhe detyrave. Këta njerëz nuk donin të dinin shumë për detyrat.
Përpiqeshim në kushte të vështira të bënim maksimumin e të ishim sa më efektiv në punë. Megjithatë, gjykova se koha do të tregonte se si do të sillej ky njeri e se si do të reagonte ngaj problemeve të Divizionit. Punët përgjithësisht na ecnin mirë. Megjithatë, ç’kishte ky njeri që u soll në atë mënyrë në seancën e parë të analizës? Pse u kap kaq keq me komandantët e Brigadave, ç’farë i kishte ngelur mangut punës, ku “flinte lepuri”? Përse kishte ardhur në Divizion, për punët që kishim, apo për sherr?!
Në ushtrinë shqiptare rrallë gjen oficerë të paaftë e të papërgatitur. Këtë e dinë dhe e kanë konstatuar edhe ushtarakët e huaj. Por ende ne nuk po kuptojmë një gjë të rëndësishme dhe vazhdojmë të predikojmë për oficerë të përgatitur, se ne jemi të aftë të bëjmë ushtri, kemi qënë kështu e kemi qënë ashtu etj. etj.
Të tjerët (pra partnerët dhe aleatët tanë) nuk na vlerësojnë për këtë që dihet, por ata përpiqen të na vlerësojnë në një konceptim krejt ndryshe nga kjo. Ata kërkojnë, që pa e mohuar, por duke u mbështetur në traditën tonë edhe ne të mësojmë t’i konceptojmë problemet ushtarake ndryshe, të sillemi e të veprojmë si ata. A nuk mundet t’a ndryshojmë këtë sjellje në marrdhëniet dhe komunikimin në drejtim, e cila me shumë mundim bashkëjetonte midis të shkuarës dhe në emër “të ndryshimit”? Ndoshta do të vij koha shumë shpejtë, që këtë konstatim, ne duhet t’a respektojmë dhe vlerësojmë më realisht, në emër të kërkesave për ndryshim dhe integrimin e ushtrisë tonë në strukturat Euroatlantike.
Divizioni i Tiranës kishte marrë një detyrë paraprake dhe kishte shumë halle e probleme për të zgjidhur. Në këtë situatë auditori kishte nevojë për një fjalë të ngrohtë të Gjeneralit, kish nevojë për më shumë mbështetje, kish nevojë për disa zgjidhje, të cilat kërkoheshin pikërisht në emër të përgjegjësisë dhe detyrave që kishim marrë, e që ishin në dorë të liderit për t’u zgjidhur. Ku tjetër mund t’i shtronim këto probleme?
Megjithatë diku tjetër në një botim ia kam bërë analizën këtyre marrëdhënieve e kësaj ftohtësie. Ai kishte shërbyer në Ishullin e Sazanit dhe kur shkova atje mora informacion për të gjitha “bëmat” e tij në jetën në Ishull. Pra e njihja mirë se kush ishte dhe çfarë përfaqësonte. Gjithësesi, në ato çaste në heshtje pyesja jo pa tronditje veten: Pse kaq ftohtë gjenerali? …. Mendime të tilla shpesh më “çmendeshin” dhe më vinin në një gjëndje disi të tensionuar, aq më tepër që dhe opinioni i oficerëve në Divizion kohë pas kohe nuk qëndronte pa i “çukitur” nga pak …ec e merre vesh se me kë ke të bësh dhe puno po deshe …..!!
Ka mjaft raste kur askush nga “shefat” nuk “të fal“, nëse nuk i del në shteg në mendimet e veta, a thua se çdo gjë shkon “si në vaj“. Nuk e pranon njeri lehtë të shtruarit drejtë të problemeve tek ne. Është e çuditshme të mendosh (këtë e kam dëgjuar shpesh dhe nga shumë oficerë të tjerë), se nuk të përkrah njeri kur punon dhe je i lirë në inisiativën dhe vendimet e tua. Pretendojnë ende dhe sot të tillë njerëz se e kuptojnë kohën, demokracinë, pragmatizmin, kujtojnë se karrigia i bën të zgjuar dhe përpiqen të shfaqen të reformuar në opinion. Qenka shumë e vështirë të ndryshosh sjelljen…
(VIJON )
© Pashtriku.org
——————————-
Në 26 vjetorin e lirisë së Kosovës Dardane
PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / DREJT KUKЁSIT ATJE KU FILLON KOSOVA (3)
NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime)
https://pashtriku.org/psikologjia-e-luftes-kunder-luftes-drejt-kuk%d1%91sit-atje-ku-fillon-kosova-3/
———————————-