PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / PЁRSЁRI DREJT KUKЁSIT
NGA SULEJMAN ABAZI
(Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime
Them se çdo gjë është gati…
Ndodhem në Brigadën e Këmbësorisë të Elbasanit, për të pritur Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Andonin, pasi ai kishte vendosur t’a inspektonte këtë Brigadë, gjatë rrugës së tij për në qytetin e Korçës. Pasi mbaruam takimin në shtabin e Brigadës, shkuam në garnizonin e Mjeksit, ku kishim të dislokuar një batalion artilerie obuzz të kalibrit 122 mm. Morëm takim me të gjithë ushtarët dhe oficerët. Ata e kishin parandjerë më kohë dhe tashmë e dinin se çfarë detyre do të merrnin. Shikoja dhe konstatoja një farë hutimi në radhët e tyre.
Pasi përcollëm gjeneral Andonin, kërkova të mblidheshin të gjithë oficerët në klasë dhe fillova të dëgjoja problemet e tyre për gjendjen e personelit dhe të elementeve të tjerë të gatishmërisë luftarake. Ndërkohë më kërkojnë urgjent nga Divizioni në telefon.
Më informuan se tashmë kishte mbritur në shtabin e Divizionit urdhëri operacional për çvendosje në zonën verilindore të Shqipërisë.
Divizioni i 8-të i Këmbësorisë i Ushtrisë Shqiptare shtrihej në rrethet Tiranë, Elbasan dhe Berat. Në këtë periudhë kishte në funksion 4-tër shtabe të Brigadave të Këmbësorisë, shtabet e Brigadave të Artilerisë dhe Tankeve si dhe mjaft struktura të tjera ndihmëse e mbështetëse, të cilat në tërësi prezantonin një potencial ushtarak që duhej marrë në konsideratë, pas pasojave të Marsit të 97-tës, vit ky që i goditi rëndë strukturat e kësaj njësie. Kishim plot një vit e gjysëm që punonim intensivisht për ringritjen e strukturave të Divizionit dhe arritjet ishin të dukshme. Kishim mobilizuar dy rejse ushtarësh dhe dispononim një personel të kompletuar ushtarakësh dhe specialistësh civilë.
Shtabi i Divizionit kishte kryer disa stërvitje metodike me dalje në terren dhe në përbërjen e vet kishte oficerë të talentuar e me përvojë të gjatë pune në strukturat ushtarake. Veprimtaria përgatitore për vënien në gatishmëri luftarake të disa shtabeve, të dy batalioneve të artilerisë së rëndë, të kalibrit 152 mm dhe 130-të mm, e batalionit të tankeve, e një batalioni këmbësorie dhe disa reparteve autonome, si dhe thirrja dhe përgatitja e kontigjenteve të para rezerviste në BrK Yzberish, pas 9-të vitesh ndërprerje, na jepnin të kuptonim dhe vlerësonim se kjo forcë do të mund të ndryshonte situatën dhe raportin e forcave në drejtimet më të rëndësishme të mbrojtjes së zonës së Divizionit të Kukësit. Qitjet e reparteve të Divizionit të fundmarsit të vitit 1998-të, një vit plot pas shkatërrimit, dhanë rezultate të larta. Ky ishte Divizioni i Tiranës në prag të manovrës dhe veprimit të tij operacional në drejtim të Kukësit.
Ishte paracaktuar fillimi i lëvizjes të nesërmen në mëngjez. Nuk e bëra të gjatë, por transmetova disa udhëzime paraprake oficerëve të shtabit, që të fillonin menjëherë nga përpunimi i urdhërit operacional deri sa unë të kthehesha në Tiranë. Përfundova bisedën me shefin operacional të Divizionit dhe ende nuk po më besohej se kisha marrë një njoftim. Të nesërmen do të ishim të gjithë në lëvizje.
Fillova të ndjej emocion. Nesër niseshim për në Kukës. Kishim akoma punë për të bërë. Ende nuk po më largohej shqetësimi për makinat që do të transportonin ushtarët artilierë nga Mjeksi për në Brigadën e Artilerisë në Tiranë, të cilat ende nuk kishin mbritur për të kryer detyrën. Në repartin e Mjeksit për të ndjekur detyrat kishte ardhur dhe specialisti i drejtorisë së Artilerisë, nënkolonel Bashkim Avdia. U dhashë porosi komandave të reparteve nën drejtimin e nënkolonel Hysniut, komandantit të Brigadës, dhe u ktheva menjëherë në Tiranë. Deri të nesërmen së bashku me shokët kishim shumë punë për të bërë.
Një pasdite deri natën vonë, që nuk e kisha imagjinuar se mund të më ndodhte edhe kështu. Problemet dhe peripecitë me ushtarët dhe oficerët e reparteve të Elbasanit po më sillnin shumë shqetësime. Nga Brigada e Tankeve dhe e Artilerisë raportimet ishin për një gjendje normale, sipas urdhërave e detyrave të dhëna. Në shtëpi më prisnin në merak. Shkova vetëm 4 orë për të pushuar. A thua se më zuri gjumi? Djali dhe vajza më “mbytën” me pyetje.

Përsëri drejt Kukësit
Kjo ditë për mua e për të gjithë shokët e mi do të ngelet e veçantë. Ishte një moment që rrallë mund ta përjetojnë ushtarakët në karrierë. Pamvarësisht se në çfarë mase i konceptonim këto veprime, një gjë ishte e qartë: kjo tashmë nuk ishte një situatë normale. Filluam lëvizjen me trupa në drejtim të Kukësit. Forcat e Divizionit tashmë filluan zbatimin e urdhërit operacional.
Shtabi i Divizionit në një kohë shumë të shkurtër realizoi planizimin e lëvizjes, duke parashikuar një marrshim të vështirë, por të realizueshëm. Në orën 03.00 kishte filluar lëvizjen batalioni i artilerisë së rëndë 152 mm, në drejtimin Babrru – Kamëz – Ura e Milotit – Qafa e Malit – Kukës dhe në orën 05.00 batalioni i artilerisë së “katjushave” 130 mm, me pikënisje nga Mëzezi.
Vazhdoja të ndiqja situatën dhe ndër kohë shtabi i Divizionit po përgatitej për të filluar lëvizjen. Kisha disa ditë që me shokët e mi po përballoja ngarkesë të madhe pune, shikoja shqetësimin e njerëzve dhe tashmë po kuptoja, se të gjithë punët e tyre i kishin marrë shumë seriozisht. Nuk më mbante vendi dhe dola disa herë jashtë për të parë se çfarë shkonte e çfarë nuk shkonte.
Në orën 08-të më vjen në zyrë kapiten Përparimi, specialisti i transportit, shumë i shqetësuar dhe i zverdhur. U befasova se e dija që po shoqëronte kollonën e dytë të artilerisë. Në orën 05-së të mëngjezit në Kamzë kishte goditur mjetin e karrofiçinës një makinë transporti civile. E qetësova, i vura një makinë tjetër në dispozicion dhe e nisa përsëri.
Në orën 09-të u nis dhe autokolona e shtabit të Divizionit. Gjatë kësaj kohe kisha qënë edhe dy tri herë të tjera në Kukës me grupe oficerësh për rikonicione. Kollonën e dytë të artilerisë e kapëm në maloret e dushkajave të Rrëshenit. E kishim parashikuar që do të na ndodhnin shumë difekte rrugës, sepse makinat e batalionit 130 mm kishin mbi 9-të vjet që nuk lëviznin dhe përgjithësisht ishin lënë pas dore nga ata që e konceptonin shpesh reformimin e ushtrisë shqiptare me letra e sllogane. Gjatë një viti e gjysëm, kishim punuar shumë me këtë batalion, për ta vënë në gatishmëri.
Rrugë e vështirë, sidomos në drejtimin matanë Rubikut. Në orën 18.00 mbrita në Divizionin e Kukësit. Artileria e rëndë e kalibrit 152 mm, kishte mbrritur me kohë e pa probleme dhe ishte vendosur në Myç Manzë, në rajonin e paracaktuar të pozicioneve të zjarrit.
U lidha me Tiranën dhe mora informacion. Nuk po më mbante vendi, sepse e dija që kollona e “katjushave” ishte e shkëputur dhe po lëviste me mjaft vështirësi. Ishin marrë masa të plota për ta siguruar me personel teknik dhe pjesë këmbimi, por gjithësesi shumë nga shoferët ishin ushtarë rekrutë dhe çdo gjë mund të ndodhte. Në dalje të Fush – Arrëzit ishte paracaktuar një pikë pushimi dhe rigrumbullimi të këtij batalioni.
Në orën 24.00 ndodheshim në kthesën e rrugës për në Myç Manzë. Deri në atë kohë aty kishte mbritur vetëm një pjesë e makinave luftarake të batalionit të artilerisë 130 mm. Tashmë isha larg Tiranës dhe e kisha stakuar veten nga hallet e përditshme. Së bashku me shokët mendonim se përpara kishim të panjohura dhe të papritura, të cilat do të na shoqëronin për shumë kohë në qytetin verior. Në hapsirën e zezë qiellore ndjenim zhurmën e avionëve luftarake të NATO-s, dallonim momentin e shkëputjes së raketave luftarake të tyre dhe nata na diktonte ndriçimin e shpërthimeve të fuqishme matanë kufirit. U mbështeta për tri katër orë duke dremitur në kabinën e një makine.
Mesazhe sigurie nga Kukësi
Zona e Kukësit për ne vlerësohej në tre drejtime kryesore, në atë të grykës së Morinit, të Qafës së Prushit dhe të Shishtavecit, kjo e fundit pa ndonjë interes dhe vëmendje të veçantë për situatën që zhvillohej në terren.
Nga të dhënat e zbulimit disponoheshin mjaft fakte të “mbipopullimit” në të gjithë gjatësinë e kufirit matanë, me një llojshmëri të forcave militare serbe, të kompletuara dhe të mbështetura mirë.
Nisur nga kjo gjendje dhe zhvillimet e mundshme, vlerësohej se nga gryka e Morinit është një distancë më e shkurtër për të dalë më shpejt në qytetin e Kukësit, por dhe në krahun tjetër të drejtimit Qafë Prush – Helshan, duke shfrytëzuar kurrizin e Pogajt – mali i Tregtanit.
Mbi bazën e kësaj analize, në kushtet e një veprimtarie ushtarake të pritshme, ky drejtim ofronte shumë avantazhe për kundërshtarin. Historia e ndeshjes me shqiptarët në kohën e kryengritjeve të viteve 1913-të u kishte lënë një shije shumë të hidhur serbëve në grykën e Morinit. Vetëm të vrarë e të plagosur mbi 12-të mijë vetë.
Në këto kushte, Divizionit të Tiranës, ju dha detyrë që të mbulonte me forca dhe mjete drejtimin e grykës së Morinit dhe të organizonte bashkëveprimin me forcat e Divizionit të Kukësit në atë drejtim. Repartet tankiste dhe artileria 130-të mm u vendosën pranë vijës së kufirit, duke vendosur një ekuilibër ushtarak të pranueshëm nga ana jonë mbështetur në kapacitetet e terrenit, ndërsa artileria e rëndë e mbështetjes u vendos në rajonin e Myç Manzës, duke siguruar mbështetjen e veprimeve luftarake në disa drejtime.
Populli i zonave të veriut e ndjeu nga afër prezencën e forcave ushtarake të ardhura nga drejtime të tjera dhe kjo nuk linte pa emocionuar dhe banorët e rinj të këtyre zonave, të ardhurit nga Kosova. Koncepti dhe kryerja e manovrës së njësive dhe reparteve rezervë të Shtabit të Përgjithshëm dhe prania e tyre në Kukës e Tropojë, jepnin tashmë mesazhe sigurie për pushtetin vendor dhe popullsinë vendase, por dhe shpresë për të ardhurit nga Kosova.
Treva dhe popullsia në këtë zonë me historinë e tyre të lavdishme, na jepnin një mbështetje të fuqishme morale e psikologjike, për të cilën ne kishim shumë nevojë. Kisha marrë disa takime me komandantin e Divizionit të Kukësit, gjeneral Lamen dhe shefin e shtabit, kolonel Spahiun. Kisha ndjerë nga afër mbështetjen dhe dashamirësinë e tyre, më kishin dhënë informacion të hollësishëm për gjendjen dhe situatën dhe ramë dakort që të kryenim takime të përditshme midis njëri – tjetrit. E megjithatë ishte e kuptueshme se shumë probleme ne do t’i zgjidhnim vetë.
E çuditëshme dhe e pabesueshme…
Tentuam të vendosnim shtabin e Divizionit në një dushkajë, e cila na siguronte një vendkomandë të fortifikuar nëntokësore dhe ujë të pijshëm. Organizova punën nën drejtimin e nënkolonel Thomait dhe u nisa për në shtabin e Divizionit të Kukësit. Kur kthehem pas disa orësh, i gjej oficerët duke shkulur çadrat dhe duke ngarkuar materialet mbi kamiona. U befasova dhe ndjeva çudi.
Pronari i vendit nuk lejoi që shtabi i një njësie ushtarake të ngrihej në “pronën” e tij. Ishte një kapter që punonte në policinë ushtarake të Kukësit. Edhe më pas duke hedhur këto rreshta nuk doja t’a besoja atë që na ndodhi në ato momente, me një vendali që vetëm u kishte dhënë ultimatumin vëllezëve të tij ushtarakë dhe kishte ikur nga sytë këmbët për mos t’u përballur më tej me ta. Mblodha oficerët, u konsultuam dhe vendosëm që, për të mos krijuar probleme, të largoheshim në një drejtim tjetër.
Shumë e çuditëshme me këta njerëz, si janë shpërfytyruar kështu deri në armiqësi, a thua se ushtria e kishte vendin vetëm në ajër. Gjithë oficerët, por dhe ushtarët, që në pamje dukeshin të qetë, e ndjenë veten shumë ngushtë.
Nuk dinin se si t’a shprehnin zemërimin, sepse në këto kushte kërkohej vetëm vetpërmbajtje e gjakftohtësi. Nejse, kjo ishte punë e tij. Ky kuksian u tregua shumë “mikpritës” me ne të Tiranës. Ka shqiptarë, por ka edhe serbë, maqedonas, e ku e di unë se çfarë që ndoshta nuk duan të na shikojnë me sy!!
Ndoshta shprehem pak ashpër për një ndodhi të tillë, por me këtë rast nuk dua të ngatërroj aspak popullin e mrekullueshëm të rrethit të Kukësit, i cili e ka shprehur hapur simpatinë dhe respektin për njësitë e Tiranës, por kjo ne na ndodhi kështu. U vendosëm në një rrëpirë pranë Fush-Dukagjinit. Mora njoftim se batalioni 130 mm kishte mbrritur në rajonin e detyrës me të gjithë mjetet dhe paisjet e tij. Në orën 06.00 ishte nisur nga Tirana kollona e parë e batalionit të tankeve.
Ishim të gjithë në pritje, ndërkohë që oficerët dhe ushtarët e shtabit, vazhdonin punën për të vendosur në fushim çdo gjë në vendin e vet. Marrshimi kryhej në një rrugë shumë të vështirë dhe përgjegjësia ishte e madhe. Në çdo hap gjatë lëvizjes njerëzit ishin ndeshur dhe po ndesheshin me të papritura nga më të ndryshmet. Vetëm në batalionin 130 mm gjatë marrshimit në rrugë ishin zëvendësuar 8 guarnicion testate të makinave.
Personeli dhe logjistika e Brigadës së Tankeve kishte filluar qysh paradite punën dhe po ngrinin fushimin e tyre në Gjegjan. Në çdo hap lëvizjen dhe veprimtarinë e reparteve e ndiqte një ekip i Drejtorisë Operative. Vura një moment hartën topografike përpara, e orjentova dhe fillova të kundrojë majat e Gjallicës, Koritnikut, Pashtrikut, Tregtanit dhe grykën e Morinit, të cilën pothuajse e kishim si në pëllëmbë të dorës, në vijë të drejtë përballë vendosjes sonë.
Ngado maja e gryka, kreshta që mbanin mbi vete ende dëborë. Vetëm liqeni i Drinit të Bardhë që shtrihej nën këmbët e Tregtanit dhe qytetit të Kukësit ta zbuste disi shpirtin dhe të jepte ndjesinë dhe sensin e jetës. Duke vrojtuar majat e maleve përballë, e merrja me mend se matanë tyre ishte një FERR i vërtetë. Kosova prej këtu është sa afër po aq dhe e largët. Afër dhe larg, përse kështu?
Jam shumë i prokupuar për vendosjen e tërë elementëve të rendimit të luftimit në vendet e tyre. Kisha besim të plotë në aftësitë e komandave dhe shtabeve. Punë kishim shumë për të bërë. Mbeteshim në mendimet tona, se çdo të na sillte e nesërmja……
Duhet të kuptosh se ku je dhe çfarë duhet të bësh…
Sot jam shumë i shqetësuar por dhe shumë i zemëruar. Pasdite po sistemoja dokumentacionin në çadër dhe kisha planifikuar të punoja me të. Nënkolonel Thomai, nënkolonel Haxhiu dhe shokët e tjerë kishin filluar nga planifikimi i detyrave dhe dokumenteve të tjera të vendosjes dhe të planizimit. Major Luani sapo kishte përfunduar hapjen e qendrës së ndërlidhjes dhe kishte vendosur komunikimin e radiondërlidhjes me Tiranën, me repartet vartëse dhe me hallkat e bashkëveprimit të Divizionit të Kukësit.
Pas raportit të parë e ndjeva veten më të qetë. Më njoftuan se në fushimin e shtabit të Divizionit mbërriti Drejtori Operativ, kolonel Alia me tre instruktorët që ndiqnin veprimet e Divizionit. I prita me qetësi në çadrën time. U raportova për situatën në përgjithësi dhe për probleme të veçanta që kishin të bënin me vendosjen e shtabit në Fushë Dukagjin.
U hap problemi i vendosjes së batalionit të artilerisë 152 mm. Raportova se ishte vendosur sipas përcaktimeve dhe koordinatave të miratuara në urdhrin operacional të Shtabit të Përgjithshëm të FA. Më kundërshtoi, duke më thënë se batalioni duhet të dilte në tjetër vend. Nuk e pranova dhe i kërkova arsyet përse duhet të bëhej një veprim i tillë.
Kuptova se gjithë problemi ishte tjetërkund. Të nesërmen do të inspektohej zona me helikopter nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Andoni dhe një ushtarak amerikan, prandaj batalioni duhej të vendosej atje “ku ia kishte marrë mendja shefit se mund të vendosej”.
E kundërshtova përsëri me forcë, duke i thënë se “ne nuk kemi ardhur në Kukës të vendosim artilerinë për paradë e në pozicione të dukshme buzë rrugëve, por për ta vendosur atë në pozicionet e mundshme për të realizuar detyrat luftarake në drejtim të kufirit shtetëror. Kjo që më kërkoni ju është jashtë kërkesave të urdhrit operacional që kam marrë me shkrim dhe unë urdhër tjetër nuk zbatoj”.
Nuk i erdhi aspak mirë. Nuk e kuptoj me këta njerëz. I ka mbytur servilizmi dhe bëjnë njërën për të qënë vetë në “rregull” me eprorin. Kur e pa që unë nuk bindesha, atëhere doli menjëherë në “konkluzion” se, “gjoja unë nuk isha në gjendje të drejtoja Divizionin”!!
Më kujtohej një ngjarje e hershme me këtë drejtor, kur kryeja detyrën e komandantit të Ishullit të Sazanit në vitin 1989-të. Kishte ardhur të verifikonte një “cënim marrëdhëniesh“, që kishte ndodhur midis disa ushtarëve në Ishull. Në një moment të caktuar drejtori e humbi durimin dhe filloi të më bërtiste. Me qetësi ja ktheva “…shoku drejtor unë nuk jam ushtar në Ishullin e Sazanit por komandanti i këtij Ishulli, ju nuk duhet të vazhdoni komunikimin tuaj me këtë ton”.
Vonë u bind se argumentet e mia ishin të sakta. Përsëri ky drejtor i rikthyer në ushtri mbas disa viteve, donte “të bindte njerëz” të pabindur. Diku në një botim të mëparshëm, kam analizuar mendimet dhe qendrimet e një pjese të këtyre oficerëve të rikthyer nga emigracioni në ushtri, të cilët jepnin “opsione” njëra pas tjetrës, se si duhej reformuar ushtria shqiptare. Po le të kthehemi përsëri tek situata në Kukës.
Kishim dy ditë që ndiqnim marshimin e vështirë të forcave e megjithë lodhjen, streset dhe stërmundimin tashmë edhe kjo na duhej ose më saktë, vetëm kjo “ishte mangut”. E vështrova ashpër dhe me kurajo i thashë: ” Ku e gjeni ju të drejtën të dilni në këtë konkluzion kur Divizioni po realizon hap pas hapi kërkesat e urdhrit operacional? Kush jeni ju që më pengoni të kryej detyrën time dhe përse keni ardhur këtu, të ndihmoni apo të dekurajoni mua dhe njerëzit që komandoj? Lajmëroni menjëherë Ministrin e Mbrojtjes se unë jap dorëheqjen nga kjo detyrë dhe deri sa të më zëvëndësojnë jam këtu”!!
“Të lutem shumë – tha – unë nuk kam ardhur për këtë punë“. “Atëherë – i thashë – nëqoftëse nuk jeni këtu për të parë zbatimin e urdhërit operacional dhe kushtet në të cilat Divizioni po realizon detyrën, ju duhet të largoheni nga shtabi i Divizionit”. Nuk e priste këtë reagim. Doli jashtë dhe po qëndronte së bashku me oficerët e tij para çadrave. E kuptova që oficerët e shtabit kishin dëgjuar gjithë komunikimin tonë dhe ishin shumë të shqetësuar. Këmbngula që të largoheshin nga fushimi. Ikën ….
Në çaste më të qeta fillova të riprodhoj gjithë “përplasjen” për të konstatuar se ku kishim gabuar. Servilizmi nuk ka brirë. Megjithatë nuk e lashë problemin me kaq. Vendosa ta çoja “lojën” deri në fund, për ta bindur që jo vetëm nuk kishte të drejtë, por dhe se sa vlente kjo ndërhyrje në këto kushte. Në orën 19.00 u futa në zyrë të gjeneralit të Kukësit. Kolonel Alia ishte brenda. Nderova dhe iu drejtova komandantit të Divizionit, – “..Zoti gjeneral – i thashë – më duhet shifra juaj për të komunikuar me Ministrin e Mbrojtjes, urdhrin e kam të mbështetem tek ju për këtë problem“. Kudusiu, që nuk dinte gjë se çfarë kishte ndodhur midis nesh disa orë më parë, me të drejtë më tha se shifrën e kisha në dispozicion për ta përdorur kur të më lindte nevoja. Kaq desha, nderova gjeneralin dhe u largova. Reagimi i kolonelit ishte i menjëhershëm. Sa poshtë bien “burrat” kur e shikojnë se si marrin udhë punët. Nejse, nuk kisha ndërmend t’a bëja veprimin me shifrën. I dhashë një mësim të mirë që të kishte kujdes në këtë situatë.
Ne kishim plot detyra të tjera më të rëndësishme për të bërë. Kishim filluar të ambjentoheshim me situatën dhe tashmë kishim përcaktuar se çfarë duhet të bënim. Kishim ende shumë probleme që kërkonin të trajtoheshin me mjaft kujdes. Me shokët e mi shkuam në fushimin e shtabit të Divizionit. Do t’i dilte një ditë “tymi” edhe kësaj merseleje…
Për hir të së vërtetës…
Gjithë natën realizonim konsulta, debate e diskutime me njëri-tjetrin dhe përpiqeshim të ishim sa më të saktë në ato që mendonim të planizonim. Urgjentisht vlerësuam vendosjen e saktë të pozicioneve të zjarrit të artilerisë dhe përgatitjen e të dhënave për veprim të menjëhershëm. Koordinimi me shtabin e Divizionit të Kukësit, shfrytëzimi i të dhënave të zbulimit dhe të punës përgatitore të oficerëve artilierë të këtij Divizioni, na dhanë të kuptonim se shokët tanë në këtë kohë të qëndrimit në ballë të frontit, kishin bërë një punë të mundimshme, por shumë të vlefshme, gati – gati të shkëlqyer.
Shprehja se “shkjau e don vetëm me artileri” tashmë në gojën e oficerëve nuk ishte një sllogan, por një realitet. Në këto kushte, repartet e artilerisë ishin përparësi operacionale për punën e shtabit të Divizionit.
Paradite shkova me një grup oficerësh në fushimin e Brigadës së Artilerisë. Në pamje të jashtme gjendja dukej normale. Isha në një kontakt të lirë me oficerët artilierë. Në një moment komandanti i batalionit 152 mm major Arqileja më shprehu shqetësim për gjendjen e ushtarëve, sidomos për atë kontigjent që kishte ardhur nga Brigada e Elbasanit. Ishin mbi 90-të ushtarë. Pasi u informova më saktë e vlerësova menjëherë dhe vendosa të komunikoja me ta.
E parandjeva se nuk do ta kisha të lehtë. Kisha informacion edhe më parë, se ata kishin shfaqur pretendime për ardhjen e tyre në Kukës, në veçanti për mënyrën se si ua kishin transmetuar këtë detyrë komandantët e tyre. Mora përsipër ballafaqim të drejtpërdrejtë, sepse ishte e vetmja rrugë që do të më çonte në arritjen e synimeve, por dhe me besim se do t’ia dilja mbanë. Qysh në shkëmbimin e fjalëve të para kuptova qartë se midis tyre kishte filluar një lloj rebelimi i lehtë dhe ishin të pakënaqur për mënyrën se si ua kishin komunikuar vendimin për ardhjen në Kukës. Pretendonin për mashtrim.
Ndërkohë që komunikoja me ushtarët kisha në vëmendje të plotë dhe oficerët. Kuptova se diçka më shumë tregonte qëndrimi i tyre. Kishte probleme që nuk shkonin e ndoshta nuk ishin zgjidhur drejt në këtë mes. Mbajta një qëndrim elastik përballë tyre. Shtrëngoja dhe liroja. U premtova se disa probleme do të zgjidheshin me autoritetin tim.
U largova me merakun se diçka e pazakontë mund të ndodhte me këta ushtarë dhe nuk u gabova. Në rrugëkalimin për në qytetin e Kukësit, në anë të rrugës dallova tri ushtarë që sa panë makinën time u munduan të fshiheshin në dushqe. Ndalova dhe u bëra thirrje që të afroheshin. Përkundrazi ata u çuan në këmbë dhe ja dhanë vrapit përpjetë kodrës.
E kuptova se gjendja në një pjesë të tyre mund të dilte jashtë kontrollit. Vazhdova lëvizjen dhe në hyrje të urës së dytë mbi liqen, në anë të rrugës gjeta një ushtar tjetër. Ndalova dhe e mora në makinë. Nuk kishte më dyshim, këta ishin nga dezertorët e parë nga fronti i luftës. Shumë turp, por për hir të së vërtetës kjo ishte e rëndë, por jo e papritur.
Sinjalet e para të një fenomeni të tillë i kishim kuptuar qysh në muajin mars, kur kishim për të pritur në qëndrat stërvitore rekrutët e rinj në bazë të planit të kompletimit të reparteve. Në atë periudhë, në veçanti në repartet e artilerisë, kompletimi i radhës u plotësua si rrallë ndonjëherë vetëm 13%. E dinim që pas tyre ishin familjet, të cilat me sa duket ishin të shqetësuara se ndoshta “djemtë mund t’i çonin në luftë”. Në veçanti më pak ushtarë u paraqitën pikërisht në Brigadën e Artilerisë, sepse ajo përflitej më shumë nga vet llafazanët e Qëndrave të Mobilizimit se mund të shkonte me detyrë në Kukës.
Ky qëndrim ndaj detyrës ushtarake asnjëherë nuk ka qënë në traditën tonë. Por tashmë ndodheshim në kohë tjetër. Nuk thotë kot populli “kohë e re, zakon i ri“. Zakone të tilla të reja nuk kishin filluar shfaqeshin vetëm në ushtri. Ato kudo po bëheshin përherë e më shumë pjesë e reflektimit të përshpejtuar të shoqërisë dhe e jetës sociale në vendin tonë.
Tashmë kohët e reja po shfaqeshin me të mirat por dhe me të këqiat e tyre. Nëse do të mund të bashkëbisedojë ndonjëherë me anë të rreshtave të këtij botimi me këta njerëz, jam i bindur se ata prindër do të skuqen nga turpi për atë që bën fëmijët e tyre. Në të njëjtën kohë të vështirë që shumë djem u rreshtuan në krah të njëri – tjetrit në kufi përballë rrezikut, këto familje i fshehën djemtë e tyre, i nisën jashtë shtetit, paguan para me ngut, vetëm e vetëm që fëmijtë e tyre të mos shkonin në frontin e luftës. Turp.
Nuk më mbante vendi. U ktheva përsëri në repartin e artilerisë. Kërkova nga komandanti i Brigadës që të rreshtonte gjithë personelin dhe nuk pranova që të më shoqëronte njeri nga afër. Nxija në fytyrë dhe u dhash të kuptonin të gjithëve se nuk do ta kishin të lehtë përballë autoritetit tim, qofshin këta ushtarë apo dhe oficerë.
Komunikova shumë ashpër sa dhe shumë oficerë që më njihnin mirë, nuk më kishin parë ndonjëherë në këtë gjëndje. Nuk komunikova më shumë se disa minuta dhe u largova menjëherë, duke lënë prapa shijen disiplinës së rreptë, të ligjit, të forcës së tij dhe të qëndrimit e ashpërsisë profesionale. Rrugë tjetër nuk kishte. Duhej parandaluar me çdo kusht një fenomen i poshtër dhe shumë i rrezikshëm, i cili mund të ishte me pasoja të pariparueshme. Nuk mund ta konceptoja dhe aq më keq ta pranoja një gjendje të tillë në këto kushte. Megjithatë u fut në veprim dhe policia ushtarake. Në mbrëmje më raportuan se si pasojë e këtij fenomeni numëroheshin 16-të ushtarë të larguar nga detyra. Të tjerët nuk kishin pretendime dhe i ishin nënshtruar punës së bashku me oficerët.
Shumë mirë, i dhash karar vetes siç thotë populli, “më mirë djepi bosh se sa shejtani brënda“. Isha i bindur se dhe këta ushtarë që u larguan shumë shpejt do të pendoheshin për atë ç’ka bënë në kurriz të detyrës e të shokëve të tyre dhe nuk dyshoja aspak, se nuk do të ishte e largët dita e do të vinte momenti, që ata të ktheheshin në detyrë.
Konstatova se në këtë “mersele” nuk ishin pa gjë edhe një takëm oficerësh, të cilët kishin dy – tri ditë që kishin shfaqur pretendime dhe qëndronin indiferentë përballë gjendjes. Nga praktika e punës në Divizion isha ndeshur dhe me tipa të tillë “të dërrmuar” nga reformat maratonë të tipit “Zhulali” dhe ishin të vrarë në shpirt e shpresëhumbur. Ata ende nuk e konceptonin dot se ku ishin dhe çfarë duhet të bënin. Nejse koha do ta bëjë të vetën dhe ai që nuk e meriton të rrijë këtu në vijën e parë, në sheshin e burrave e të luftës, shumë shpejt do të dilte “si tapa mbi ujë“.
Shkëmbeva informacion me komandantin e Divizionit të Kukësit dhe kisha kuptuar se serbët kishin kohë që godisnin me artileri vijën tonë të kufirit, e sidomos fshatrat e brezit kufitar. Emrat Cahan, Qafë e Prushit, Dobrunë, Letaj, Golaj, Pogaj e ndonjë tjetër po bëheshin çdo ditë e më të njohur. Po i mbyll shënimet e kësaj dite tejet të lodhshme.
Disa “grimca” psikologjike të realitetit të luftës…
Në Europë në fakt, me përfundimin e “luftës së ftohtë”, kërcënimit tradicional iu shtuan, kryesisht në rajonin ballkanik, një sërë situatash me rrezik që kanë të bëjnë me tensione etnike, nacionaliste, fetare si dhe me dukuri të paqëndrueshmërisë politiko – sociale. Këto tensione, edhe pse është vështirë të konkretizohen me një kërcënim të fortë ushtarak (edhe vetë agresioni serb në Kosovë, megjithëse tragjik, sipas analistëve nuk mund të konsiderohet një konflikt i madh), janë në gjendje të pasqyrohen dhe të veprojnë në rajone të rëndësishme nga pikëpamja gjeografike dhe me rreziqe të konsiderueshme për të gjithë shtetet dhe popujt në këtë rajon e përreth tij.
E gjithë kjo ka sjell detyrimisht kalimin nga një politikë e mbrojtjes, e cila synon të ruajë ose të rivendosë një gjëndje të pandryshueshme, në një politikë dinamike të sigurimit, të zhvilluar edhe jashtë kufijve kombëtar, dhe kryesisht në kuadrin shumëkombësh, e cila është e prirur të mënjanojë rrezikun që situata krizash etnike, sociale, politike, ekonomike dhe të tjera që mund të zhvillohen brenda një shteti ose midis shtetesh të ndryshme, të mund të prekin ose të kërcënojnë interesat e përbashkëta në rajon. Siguria dhe stabiliteti në Ballkan tashmë nuk ishin më e njëjta gjë.
Në këto kushte del evidente përgatitja e strukturave ushtarake për të përballuar ngarkesa të tilla. Përgatitja e këtyre strukturave, duhet të realizohet brenda marrveshjeve, dokumenteve ndërkombëtare që kufizojnë veprime të vetmuara, nisur nga momente të çastit e pa synime të perspektivës. Përgatitja e strukturave ushtarake për të kryer misione të tilla psikologjike e ushtarake, nuk është e rastit ose e arritshme në një kohë të kufizuar. Kjo do të ishte e pamundur dhe sigurisht që kërkon zbatimin e masave e programeve përgatitore në kohë.
Kjo nuk ishte e mundur të realizohej në Forcat e Armatosura Shqiptare sipas kërkesave të tilla. Në një situatë të tillë, i gjeti strukturat tona ushtarake shpërthimi i konfliktit në Kosovë, një situatë kjo, që nuk do të përjashtonte angazhimin e këtyre strukturave përballë veprimtarive ushtarake agresive të ushtrisë serbe. Në kushtet e njohjes së dukurive dhe fenomeneve të karakterit psikologjik, qoftë në aspektin e përgatitjes së trupave pjësmarrëse për të përballuar ngarkesa të tilla, qoftë në karakterin e fenomeneve që shfaqen në terrenin konkret dhe që duhen përballuar nga ushtarakët, është më se e nevojshme që operacionet psikologjike dhe ushtarake të konceptohen drejt në radhë të parë në pikpamje profesionale, për të qënë një orientim i saktë për eprorët dhe masën e ushtarëve.
Është kjo një nga arsyet, që duhet t’a shikojmë në fokusin e një analize të tillë tërë veprimtarinë operacionale të strukturave tona ushtarake, gjatë përballimit të pasojave të luftës në Kosovë. Aktualisht trainimi dhe asistenca e ushtrive partnere na e bën më të mundshme e më të lehtë një situatë të tillë sot. Një element i rëndësishëm që vlerësohet është dhe kredibiliteti i FA. Kredibiliteti i një ushtrienë kushtet e një ndërveprimi shumdimensional me një aleancë të caktuar është vendimtar për rolin që duhet të luajë kjo ushtri, në kuadrin e përgjithshëm të dobishmërisë së veprimeve të planizuara.
Çfarë gjetën dhe vlerësuan forcat e Aleancës në strukturat ushtarake shqiptare gjatë luftës në Kosovë?
A ishim ne të besueshëm dhe të aftë për të përmbushur detyrimet tona në kushtet e një ndërveprimi të plotë në raport me zhvillimet e situatës?
Kjo periudhë e tensionuar për Forcat e Armatosura Shqiptare në të dy anët e kufirit ishte dhe do të jetë dhe në të ardhmen “nota“, që strukturat euroatlantike do t’i vënë atyre në kuadrin e transformimeve dhe të integrimit. Vlerësimi, planizimi dhe zbatimi i masave të Shtatmadhorisë Shqiptare gjatë këtij konflikti ushtarak, në fund të fundit ishte një test, i cili me të gjithë anët tregues të tij mendojmë dhe gjykojmë se u kapërcye me sukses për periudhën që analizojmë.
Nëse vlerat e këtij testi, një ditë do të evidencohen realisht nga institucionet ushtarako – shkencore akademike shqiptare në të dy anët e kufirit, vlerat dhe përfundimet e tij do jenë të pazëvendësueshme, sepse ato do të pasqyruan potencialin intelektual e profesional të komandave, shtabeve dhe oficereve në kohë, gjendjen e lartë moral-psikologjike, lidhjet shpirtërore, përkushtimin dhe përvojën e tyre, vendosmërinë për të bëre çdo sakrificë, përballimin e privacioneve në terren, pra një mekanizëm total të vënë tërësisht në funksion për inetresat dhe çështjen kombëtare.
Them se nëse do të bëhet, sepse realisht duhet të ishte bërë nga institucionet ushtarako – shkencore të ushtrisë sonë dhe të futej në memorien e historisë sonë ushtarake, si një periudhë e veçantë, që duhet të zerë vendin që i takon. Është ky një moment i përcaktimit të vlerave të kredibilitetit të forcave, i cili duhet të jetë në bazë të platformës dhe filozofisë së integrimit euroatlantik.
Momente të tilla nuk mund të kalohen në heshtje, aq më tepër kur situata të tilla janë me vlera shumdimensionale për vet fushën e veprimit dhe të pjesmarrjes së forcave për zgjidhjen e tyre. Ende një gjë e tillë nuk ka ndodhur, kur mjaft oficerë të talentuar shërbejnë në strukturat ushtarake dhe i kanë të gjitha mundësitë të kontribuojnë në pasqyrimin e vlerave të kësaj periudhe. Atë nuk duhet kurrësesi t’a zërë pluhuri i harresës.
Nuk është aspak e tepërt të citojmë një përcaktim të shkrimtarit të njohur Ernest Heminguej se; “E ardhmja nuk mund të jetë kurrë as e qetë dhe as e drejtë, pa nxjerrë mësime nga e kaluara. Mësimet janë të vlefshme për mendjen dhe për shpirtin”. Ato duhet të jenë përherë mësime për mendjet dhe shpirtrat e trazuar por dhe “të vullkanizuar” të shumë ushtarakëve nga koha në të cilën jetojmë dhe peripecitë e imponuara prej saj.
Ky moment, i cili ka e do të ketë vlera historike, ishte një nga rastet e rralla, ku historia na vuri përball faktit të një situate të vështirë për krejt rajonin e kombin shqiptar dhe në të cilën oficerët e ushtrisë treguan dhe shfaqën vlerat më të mira të tradicionalizmit ushtarak, profesionalizmit, qëndresës, por edhe të kohës që po jetojmë.
Motivimi ishte një nga faktorët kryesorë psikologjik, që na jepte të drejtën të pasqyronim vlerat e ushtarakëve në një situatë të veçantë. Familja dhe atdheu, u bënë për t’a dy gjërat më të shtrenjta. Ky është motivimi bazë e më i respektuari prej tyre, treguesi më i ndjeshëm që meriton të respektohet nga të gjithë.
Këto dukuri të mrekullueshme, nuk u shfaqën vetëm tek ushtarakët, që situata i gjeti buzë kufirit shtetëror dhe atyre që u ra shansi të shkojnë atje me repartet e tyre, por ato u shfaqën tek gjithë të tjerët, ushtarakët e Divizioneve të Korçës, Gjirokastrës, Brigadës së Fierit, Burrelit etj, të cilët shprehën gatishmërinë dhe vendosmërinë e tyre, për të qenë në çdo rast, në krah të reparteve të veriut e të njëri – tjetrit në këtë situatë delikate për Shqipërinë dhe Kosovën.
Kjo ishte një shprehje e vullnetit të personelit në Forcat e Armatosura për të kryer detyrën karshi vendit të tyre. Personalisht së bashku me shumë oficerë të tjerë që sot militojnë në njësitë dhe repartet e Forcave të Armatosura, kemi përjetuar mjaft momente të veçanta të veprimtarisë së reparteve të ushtrisë, pranë por dhe brenda zonës aktive të luftës, pranë kufirit shtetëror.
Krahas realizimit të detyrave të gatishmërisë luftarake, ne jemi dëshmimtarë të drejtëpërdrejtë të situatës komplekse, të tragjedisë e të dhimbjes njerëzore, të cilën pa vështirësi e lexonim hapur në sytë e njerëzve, burrave, fëmijëve, të moshuarve, grave të shpërngulur me dhunë nga Kosova. Në këto kushte, diçka zgjohej e lëvizte brenda vetëdijes tonë njerëzore e kombëtare.
Në përgjithësi, populli i zonës verilindore të vendit dhe ushtarakët, u treguan njerëz bujarë, trima dhe heroikë. Ata kanë mahnitur e befasuar të huajt me qëndrimin dhe sakrificën e tyre, përballë represionit serb, por mbi të gjitha, me përkushtimin e tyre në zbutjen e dhimbjeve të tragjedisë kosovare.
Vështirësitë e përditëshme të frontit dhe hallet e shumta që kishin, “nuk u hynin më në sy“, përballë dhimbjes së përbashkët që po përjetonin. Janë të shumtë oficerët, që sot me krenari, e jo pa emoncione, përkujtojnë ditët e nxehta të luftës dhe të dramës së dhimbshme kosovare. Kjo situatë, në të cilën u vu në provë gjithë kombi shqiptar, u përballua me suksese nga Forcat tona të Armatosura.
(VIJON)
© Pashtriku.org
————————————–