PSIKOPATËT NË POLITIKË

Psikopatët në politikë

Nuk keni nevojë t’i mendoni Hitlerin, Stalinin e të tjerë të tillë si psikopatë në politikë. Mjafton të shikoni përreth! Ç’është më e keqja, do të vëreni se shoqëria e Kosovës tashmë është e “psikopatizuar”! Me lehtësi mund t’u ofroj shembuj për këtë, por lexojeni artikullin dhe mendoni vetë!

Tado Juriq / Globus, Zagreb; Nga kroatishtja: Dush Gashi

Meqë ka kohë që është krijuar dhe kultivuar korniza e përshtatshme në shumë korniza politike të Evropës (sidomos në vendet në tranzicion), ajo është ideale për paraqitjen në skenë të atyre që këtë e kanë mjedis të natyrshëm – psikopatëve. Ky profil i njerëzve karakterizohet me mungesë të plotë të ndërgjegjes dhe opsesionin për pushtet dhe kontroll krahas vanitetit të bollshëm. Lobaczewski e tregon qartë se në rast të psikopatit nuk bëhet fjalë për një “monstrum me brirë:, por për njerëz të sjellshëm të cilët duken madje edhe më normalë se normalja. Në fakt, psikopatët, në kundërshtim me bindjen e përgjithshme, rrallë gjenden në burg, ata zakonisht janë në poste qeveritare, më së shpeshti në mesin e elitave politike dhe ekonomike.

“Nëse je mjaft i kthjellët, di të vishesh mirë; ke dhuntinë e të folurit; je i edukuar në familje të pasur; [atëherë] nuk shkon në bankë dhe e plaçkitë, shkon në bankë dhe bëhesh drejtor (Hare, 2006).” Paaftësia për ndjeshmëri dhe mungesa e ndërgjegjës janë mu tiptaret kryesore të cilat ua bëjnë të mundshëm suksesin në politikë, ekonomi e të ngjashme. Shumë studime në ShBA e kanë dëshmuar mu këtë tezë.

Cleckey ka identifikuar disa veçori të psikopatëve, të cilat u japin përparësi ndaj të tjerëve. “Përparësia” e tyre themelore është që nuk kanë ndërgjegje, përkatësisht kanë ndjeshmëri të zhvilluar dobët, ndërsa karakteristikë kryesore kanë se dëshirojnë pushtet dhe se janë plotësisht të kënaqur me vetveten, Duke mos pasur ndërgjegje, psikopati gjendet në situatë në të cilën ka “përparësi” të madhe mbi të ashtq. njeri normal, të cilin ndërgjegja nuk e lë të qetë nëse mëkatnon ndaj tjetrit. Me këtë ai është në rolin e grabitqarit, ndërsa “njerëzit normalë” dhe institucionet e shoqëërisë e shtetot janë pre e rëndomtë.

Nga njëra anë psikopatët sipërfaqësisht janë sharmantë dhe shpesh me inteligjencë të mirë, janë të liruar nga noervozizmi dhe ankthi, janë narcisoidë dhe u mungon ndjenja e turpit. Po ashtu kanë ndjenjë patologjikë se kanë të drejtë në diçka më shumë se të tjerët (kompleksi i vlerës më të madhe) dhe ushqejnë iluzione mbi madhështinë e tyre. Psikopatët kanë gjithë atë që është e nevojshme për t’i mashtruar të tjerët: flasin shpejt, janë sharmantë, kanë vetëbesim, janë të qetë në situata shoqërore, ndërsa gjakftohtë në presion (Hare 2006).

Ata e shohin ndjeshmërinë, pendesën dhe ndjenjën e përgjegjësisë si shenja të dobësisë dhe dhe tipare të të dobëtit, të cilat duhet shfrytëzuar. Konfuzion të mad krijon ajo që psikopatët kanë mjaft tipare të cilat njerëzit normalë i konsiderojnë të dëshirueshme. Për shembull, ata shpesh lënë përshtypje të vetëbesimit dhe të karakterit të fortë (Cleckley). Studimet e përmendura nga ShBA-ja se ata janë madje të dëshiruar në pozita udhëheqëse në shumë fusha. Konfuzion krijon edhe fakti se në çdo pikëpamje duken si njerëz normalë – vetëm se, shprehur me gjuhë të rëndomtë, u mungon “shpirti”. Atë që njerëzit e tjerë do ta merrnin si katastrofë, për ta paraqet aksident të vogël apo “thjesht imtësirë”. Gjithmonë janë në gjendje që ta relativizojnë situatën. Ata janë ekspertë që të manipulojnë me përshtypjet, ndërsa mungesën e përmbajtjes së paraqitjeve ë tyre e mbulojnë me elokuencën e tyre. Narcisoizmi është vetëm njëra prej tipareve të tyre të karakterit, të cilin e përcjell kryelartësia e madhe dhe etja për lavdi, rëndësi e të ngjashme.

Vaniteti për nga definicioni është pangopësi për pushtet, deri sa situatat kaotike sociale i joshin vëçanërisht psikopatët për angazhim politik (Torre) sepse aty më së shpejti arrijnë prenë dhe kanë atë që është e nevojshme për këtë – funksionimin e shkëlqyeshëm nën presionin e stresit. Shpesh janë edhe sadistë, madje edhe kënaqen në vuajtjet e vartësve të tyre, qofshin të punësuarit e tyre apo në rastin e politikanëve – populli. Shkurt, psikopati është grabitqar, i cili kamuflohet me ndihmën e “maskës së maturisë e normalitetit”. Uji i akullt i cili rrjedh nëpër venat e tij është aq bizar, aq jasht përvojave personale të njeriut mesatar sa rrallë kujt i shkon mendja të dyshojë në gjendjen e tij psiqike. Ata që në rininë e tyre do të vërejnë atë veti “të çuditshme: të moralitetit dhe ndërgjegjes te të tjerët dhe këtë problem do ta kapërcejnë bukru shpejt intelektualisht, ndërsa me viktimat e tyre shpesh do të manipulojnë ashtu që do të mbështeten apo të apelojnë në ndërgjegjen e tyre (STout). Meqë mund të gënjejnë pa mundim, farë nuk mërziten kur kapen në rrenë. Atëherë thjesht e përpunojnë tregimin e tyre, duke i lënë të hutuar ata që e dinë të vërtetën, e nëse duhet, mund të aktrojnë pendesën (Babiak e Hare, 2006).

Ndërsa sjellja e tyre gjithnjë e më e pacipë mbetet e pandëshkuar, ata vazhdojnë të shtyjnë kufijtë derisa më në fund është tepër vonë për të ndryshuar diçka më shumë. Njerëzit normalë zakonisht largohen nga një mjedis i tillë, sepse në çdo ndërveprim midis një psikopati dhe një personi normal, psikopati gjithmonë fiton. Në një botë të tillë, psikopatët vazhdimisht bëhen më të fortë. Ashtu si një psikopat i korporatave shfrytëzon kaosin organizativ, ashtu edhe një psikopat politik shfrytëzon kaosin shoqëror. Për shkak të përqendrimit kaq të madh të fuqisë dhe ndikimit që ka politika, ajo është joshje e vërtetë për individët psikopatologjikë, sepse është skenë ideale për të kënaqur tiparet e tyre narcisoide (ndonjëherë sadiste). Në fakt, për psikopatët “jeta normale”, sipas gjithë asaj që dihet nga literatura, është “e marrë dhe e mërzitshme”, një botë e tillë është pa shije për ta. Psikopatët në politikë e dinë mirë se janë të ndryshëm nga të tjerët, prandaj preferojnë të shoqërohen në qarqe të mbyllura. Por, si grabitqari midis preve të tij, psikopatët duhet të maskohen për të shmangur zbulimin. Po t’i zbulonin motivet e tyre, të tjerët do të tmerroheshin. Prandaj, që në moshë të hershme ata mësojnë se si të përshtaten, duke kopjuar reagimet normale njerëzore, shprehjet e fytyrës dhe sjelljen. Mësojnë kur është e përshtatshme për të qarë, për të treguar trishtim, faj, shqetësim dhe dashuri – dhe madje pendim të rremë. I mësojnë të gjitha shprehjet e fytyrës, frazat e zakonshme dhe shenjat shoqërore për ato emocione që nuk i ndiejnë (Hare, Stouth). Kjo “praktikë” e të dukurit si njeri është ushtrim që ata e mësojnë që në moshë të vogël.

Meqenëse kanë aftësinë të njohin dhe të shoqërohen, shpesh gjenden në shoqëri dhe klube të ndryshme gjysmë sekrete dhe sekrete. Shpesh, me ndihmën e këtyre shoqërive përparojnë nëpër të gjitha poret e komunitetit dhe shtetit dhe zënë funksione kryesore, duke shtrirë njëri-tjetrin. Ashtu si psikopatët “më të suksesshëm” janë ata që shmangin zbulimin, psikopatët më të mirë politikë funksionojnë duke qëndruar në pushtet për aq kohë sa të jetë e mundur. Teoria thotë se në çdo shoqëri ka rreth 40% konformistë dhe 3-4% psikopatë – që është lajm i mirë sepse shumica e njerëzve janë “të shëndetshëm”. Megjithatë, këta “të shëndetshmit” nuk arrijnë të dalin në pah. Pse? Pjesaq më e madhe e shoqërisë me vetëdije bllokon ndryshimet dhe pengon ata që veprojnë për to. Është kjo pjesë e shoqërisë që “politikanët psikopatë” e shfrytëzojnë më me sukses në manipulimin e tyre.Me këtë arrijmë në qendër të problemit – në mënyrë që të fitojnë në lojërat e tyre, psikopatët përdorin ndihmën e konformistëve. Konformistët janë ata që janë indiferentë ndaj gjithçkaje që ndodh rreth tyre. Ata kanë bërë “kontratë korruptive shoqërore” me “psikopat-politikanë”. Njerëz të tillë janë të gatshëm të jenë “ushtarë” të tyre në këmbim të koncesioneve të vogla. Te konformistët, ndërgjegjja duket se ka rënë në gjumë. Është pikërisht ky skenar që bën që njerëzit të ndjekin verbërisht udhëheqësit e motivuar vetëm nga interesat personale. Por, problemi i vërtetë fillon atëherë kur konformistët përballen me kontrapuktin e tyre – njerëzit të cilët ndërgjegjjen e kanë zgjuar. Kur konformistët shohin dikë që ngrit zërin dhe tërheq vërejtjen për padrejtësi, ata ndiejnë shqetësim të fortë. Ata në fakt i shikojnë njerëzit e tillë si ata që krijojnë probleme, sepse në një farë mënyre ata ua zgjojnë atë që ka fjetur në ta apo që e kanë shitiru në “kontratën shoqërore të korruptuar” – ndërgjegjen e tyre.

Qëllimi i tyre kryesor është që personin me ndërgjegje të zgjuar ta poshtërojnë, ta trishtojnë dhe ta vënë në në pozicionin e luftëtarit të vetmuar – shpesh duke i vënë etiketën e “të çmendurit”. Ndonëse shumica prej nesh kënaqet duke parë filma dhe duke lexuar libra për heronjtë që nuk pranojnë të ndjekin masat, që sugjeron se ka diçka të admirueshme tek njerëzit që kanë qëndrim të guximshëm, në jetën reale ne në të vërtetë i dënojmë. Sokrati helmohet, Buda është është hedhur me gurë, ndërsa Krishti është kryqëzuar. Njerëzit e ndërgjegjshëm shpesh e gjejnë veten të rrethuar nga dekurajimi, në situatë kur nuk janë të vetëm kundër psikopatëve, por shpesh edhe kundër “ushtrisë së konformistëve”. Situata zakonisht përfundon keq për qytetarët e ndërgjegjshëm, por ndonjëherë edhe për konformistët. Ndërsa gjitha kjo luftë vazhdon, është zhgënjyese që psikopati zakonisht mbetet pa u ndëshkuar. Gjëja “më e keqe” që mund t’u ndodhë atyre është të jenë temë në portalet vendase për disa ditë – gjë, në fakt, nuk i eksiton ata negativisht. Përkundrazi, shumë kënaqen me atë që t’i zhgënjejnë njerëzit përreth tyre, por edhe kombin e tërë – më çka shpesh shfaqet sadizmi i tyre.

Ndërsa përgjigjet dhe veprimet e qytetarëve të ndërgjegjshëm u sigurojnë argëtim të madh dhe konfirmim të “rëndësisë” së tyre. Kur psikopatët i marrin funksione kyçe në shtet, atëherë fillon procesi i “psikopatizimit” të popullit – bëhet fjalë për transferimin e tipareve psikopate dhe mënyrave të të menduarit tek njerëzit “normalë”. Kështu, psikopatia ka disa tipare të një sëmundjeje “infektive”. Transmetimi i “simptomave” të kësaj sëmundjeje tek popullata e përgjithshme bëhet kryesisht me ndihmën e mediave dhe partive, të cilat shpesh janë nën kontrollin e tyre të drejtpërdrejtë ose indirekt. Pas një “larje të trurit” të tillë, “njerëzve normal” të zakonshëm u duhet shumë kohë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe për të folur fare. Ndjenja e përgjithshme e shumicës është se diçka e çuditshme u ka zënë mendjen ndërsa në të njëjtën kohë diçka e çmuar po rrjedh nga ata në mënyrë të pakthyeshme. Njenjë e përgjithshme e shumicës është se diçka e çuditshme i ka pushtuar mendjet e tyre deri sa njëkohësisht diçka e çmueshme ka rrjedhur pakthyeshëm prej tyre. Pas “larjes së trurit” pason faza tjetër: seleksionimi negativ. Të gjithë ata që janë tepër kritikë ndërrohen me persona të cilët nuk janë në gjendje të gjykojnë në mënyrë kritike dhe me ata që tregojnë nënshktrueshmëri më të madhe (Lobaczewski). Kjo do të thotë që kur “politikani psikopat” të bijë në pushtet, ai i zgjedh individët e caktuar sipas “shijes” së tij dhe i vë në funksione kyçe shtetërore.

Zyrtarë të tillë të zgjedhur negativisht marrin administratën e shtetit dhe shpesh gjenerojnë zgjedhje të mëtejshme negative. Kështu zhvillohet nepotizmi, ndërsa në të njëjtën kohë mbështet korrupsioni dhe klientelizmi. Kulmi i mashtrimit të tyre del në pah në zgjedhje kur krijojnë një formë të rreme gjoja të lirisë së zgjedhjes në të cilën “mund të zgjidhni vetëm midis asaj që ne ju ofrojmë”. Ata më pas vendosin “lojtarët” e tyre në atë mënyrë që votuesit të mund të zgjedhin midis dy ose tri aspekteve të ndryshme të së njëjtës gjë, ndërsa mbeten të bindur se po jetojnë një demokraci. Pavarësisht nga rezistenca sporadike, njerëzit mësohen gjithnjë e më shumë me prirje të vendosur drejt të menduarit patologjik dhe në përjetin e gjërave. E gjithë kjo shoqërohet nga përbërësi themelor dhe kryesor i shoqërive para-totalitare – mbjellja e frikës. Megjithëse për këtë nuk ka studime ekspertësh në Kroaci, BeH, Serbi dhe më në juglindje, sipas hulumtimeve të disponueshme nga shoqëritë e tjera në tranzicion (Lobaczewski), do të ishte shumë e dobishme të inkurajohet diskutimi profesional edhe në këtë pjesë të botës. Me analogji me studime të ngjashme, në fakt, këto shoqëri kanë konsumuar material psikopatologjik për një kohë të gjatë, së bashku me mënyrën joreale të të menduarit dhe logjikë dhe moral të përmbysur, si dhe me të kuptuarit të “politikës”.

Lobaczewski thotë se në shoqëritë e psikopatizuara, grupi i psikopatëve prej 4-6% të popullsisë përbëjnë elitën e re të fisnikërisë, ndërsa grupi prej 12-15% ndërton gradualisht një ndarje të re të konformistëve që arrijnë të përfitojnë nga “shitja e ndërgjegjes së tyre”. Kjo, nga ana tjetër, do të thotë që, në fakt, shumë konformistë kurrë nuk përfitojnë nga “bashkëpunimi i tyre kuisling” dhe humbin gjënë më të rëndësishme në atë tradhti – “shpirtin” e tyre. Megjithatë, në një moment të caktuar njeriu i zakonshëm i vogël që ëndërron jetë të lumtur dhe të qetë, dhe me këtë qëllim origjinal lejon të tjerët të qeverisin shtetin dhe shoqërinë në emër të tij, fillon të vë në dyshim simulimin. Konflikti rritet progresivisht, veçanërisht kur qarqet e gjera shoqërore fillojnë të dyshojnë se ata njerëz që supozohet se veprojnë në emër të ndonjë ideologjie të madhe ose idealesh të tjera vërtet besojnë në to (Lobaczewski). Atëherë protesta e “njerëzve të vegjël” fillon të burojë nga thellësia e shpirtit të tyre dhe natyra e tyre e paepur njerëzore dhe fillon të zgjojë vetëdijen kolektive të njerëzve në të cilën është akumuluar kujtesa e vlerave të vërteta dhe ndjenja e sakrificës për një shoqëri më të mirë. Ky është gjithmonë fillimi i kohës, kur dëshira e masave të njerëzve të zakonshëm për të jetuar përsëri në paqe dhe me gëzim çon drejt ndryshimit. Ky ndryshim në këtë fushë, për fat të keq, nuk ka qenë kurrë evolucionar, por gjithmonë revolucionar. Megjithatë, sot korniza është më e mirë se në kohërat e mëparshme të perandorive të ndryshme ose Jugosllavisë, kështu që shumë popuj në Evropën Juglindore mund të përjetojnë ndryshime evolucionare për herë të parë.

Prania ose mungesa e ndërgjegjes/ ndjeshmërisë krijon ndarje themelore, të thellë midis njerëzve që sjell shumicën e popullsisë në një nga dy pozicionet: sunduese dhe të nënshtruara. Nëse kjo teori është e drejtë, atëherë kjo ndarje në bashkësitë kombëtare në Evropën Juglindore është shumë më e madhe se ndarjet ideologjike dhe kombëtare. Sipas kësaj paradigme, lufta aktuale është midis njerëzve pa ndërgjegje dhe ndjeshmëri kundër njerëzve me ndërgjegje dhe ndjeshmëri – e cila është e kamufluar dhe e drejtuar keq si një luftë e ideologjive. Ndërsa ideologjia e vetme e “psikopatëve politikanë” është interesi vetjak. Meqenëse jemi dëshmitarë që në këtë zonë për dekada individët pa ndërgjegje pothuajse gjithmonë fitojnë në këtë luftë, është e nevojshme të ndihmohet shoqëria me zgjidhje ligjore. Prandaj, në një shoqëri të shëndetshme, “politikanët psikopatë” nuk duhet të lejohen të kryejnë dhe mbajnë funksione nga të cilat mund të rrezikojnë jetën dhe mirëqenien e kombit më të gjerë.Si ta arrijmë këtë?

Zgjidhja e këtij problemi ndoshta do të përfshinte atë që politikanë që zënë dhe që në të ardhmen do të mbajnë pozicione kryesore qeveritare t’i nënshtrohen testimit të detyrueshëm për tiparet e personalitetit psikopatologjik para se shoqëria të ekspozohet ndaj nxitjeve të tyre shkatërruese (testin e ka zhvilluar dr. Hare). Në situatën ku pesimizmi strukturor mbizotëron në një shoqëri të caktuar për shkak të zbulimeve të përditshme të medias në lidhje me shkallën në të cilën elita është e korruptuar, kjo është ndoshta më e pakta që qytetarët mund të kërkojnë. Nga psikologjia evolucionare, motoja e një shoqërie të shëndetshme është e qartë: ndëshkimi i mashtruesve dhe shpërblimi i përpjekjes. Është e rëndësishme të theksohet këtu: nëse dikush diagnostikohet me shkallë të lartë të tipareve patologjike, kjo nuk do të thotë që personi është i sëmurë mendërisht. Kjo nuk do të thotë që ky person duhet të diskriminohet mbi asnjë bazë, as që të mbrojmë “psikologjizimin” e shoqërisë dhe shtetit, por vetëm që ai të mos jetë në pozicione qeverisjeje – sepse pikërisht në pozicione të tilla fitojnë karakteristikat e tyre karburanti i tyre dhe ndizet në dëm të komunitetit.

Me testimin ligjor të detyruar të të ashtq. elita një numër psikopatësh paraprakisht do të dëboheshin prej levave kryesore të shtetit e ato financiare. Ndonëse shumica e artikullit i është kushtuar patokracisë dhe psikopatisë politike, rruga e rimëkëmbjes së shqërisë së psikopatizuar në tërësi qëndron në duar të konformistëve. Janë ata të cilëve duhet zgjuar ndërgjegjen e fjetur. Ata duhet të gjejnë forcë për të kaluar përtej rehatisë së tyre, sepse edhe nëse nuk kujdesen për komunitetin e gjerë, ata duhet të jenë të vetëdijshëm se këtë situatë do t’ua lënë edhe fëmijëve dhe nipërve të tyre. Edhe pse qëndrimi kryesor i konformistëve është: “Çfarë do të më sjellë e vërteta? Unë nuk mund ta ha dhe as ta shndërroj në para të gatshme”, shpesh është treguar se njerëzit janë të gatshëm të bëjnë ndryshime serioze në botëkuptimin e tyre për të mirën e fëmijëve të tyre.

Së fundmi, duhet të pyesim veten nëse katastrofat e mëdha njerëzore mund të ishin parandaluar nëse psikopatët që i drejtonin dhe i kryenin ato do të ishin identifikuar me kohë. Vetëm prej “më të rinjve” mund të përmendim Hitlerin, Karaxhiqin, Mlladiqin, etj. Një problem i veçantë mbetet pas vdekjes së tyre, sepse njerëzit e zakonshëm priren të identifikohen me udhëheqësit e tyre. Kështu gjenerata të tëra të reja rriten me deformime për sa i përket ndjenjës dhe kuptimit të moralit, realitetit shoqëror, politik dhe psikologjik. “Kjo botë është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të atyre njerëzve që janë të këqij, por për shkak të atyre që nuk bëjnë asgjë për këtë.” (A. Einstein).

_______

PS: Nuk jam thelluar shumë për të gjetur një fjalë shqipe për fjalën “vanitet”, e cila në anglisht, vanity, e ka kuptimin krenari e tepruar ose admirimi i pamjes ose arritjeve të veta. Mbase mund të thuhet “kryelartësi”, “sqimë”, apo ndonjë sinonim tjetër. (Facebook, 6 janar 2022)

___________

ERËRAT E GJITHË BOTËS

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura