PUSHTETI SI BORDELLO
Nga Prof.Enver Rexhaj, Prizren 20 shkurt 2023
Të kritikosh është ndoshta e vetmja veprimtari në të cilën menjëher lind pyetja: kush të jep në të vërtetë të drejtën të shqiptosh gjykime, të kritikosh, apo edhe të lavdërosh? Në çdo veprimtari tjetër, kjo çështje rregullohet ose nga mekanizmi shoqëror ekzistues ose nga vetë natyra e punës; askujt nuk do t’i shkojë mendja t’i bëjë një pyetje të ngjashme një matematikani apo një filozofi; askush nuk do të pyeste një artist: në emër të kujt dhe për çfarë arsye krijon? Ekspozimi i vazhdueshëm i disa njerëzve të veshur me pushtet, dhe me bishtin e krehur nga partitë që i kanë vendosur në poste drejtuese, por që mjerisht janë të zhveshur nga pikëpamja morale, intelektuale, dhe njerëzore, nuk është vetëm diçka e keqe, por edhe shumë fyese për qytetarët, që përpiqen në vazhdimësi t’i mbysin zërat e hutuar në stuhinë e këtij sistemi ku jetojmë. Gjërat kryesore që ne duhet t’i mësojmë janë: guximi qytetar, vetëkontrolli, arsyeja dhe, ç’ është më kryesorja, ajo që përmblidhej dikur në thelbin e filozofisë së Platonit rekomandimi “Njih vetveten”. Në parim, për mungesë të njohjes së vetvetes, censura, edhe pse si term na shqetëson, është ilaçi më i mirë në mbrojtje të një lirie të shëndoshë dhe të vlerave që na servon demokracia si sistem.
Një nga këto vlera pa dyshim është dhe hapësira mediatike si një aset që na e mundëson të shprehim mendimet, preokupimet dhe shqetësimet tona. Por, njëkohësisht edhe të kuptojmë përmes tyre se çfarë niveli profesional dhe intelektual kanë njerëzit me pushtet që drejtojnë dikasteret e ndryshme duke e shprehur edhe përmes shkrimeve, fjalimeve, diskutimeve, hipokrizinë, demagogjinë, dhe dallkaukllëkun e tyre. Në jetën private, një njeri naiv mund të jetë një qenie e fuqishme simpatike, por, në jetën politike nëse nuk mund t’i plotësosh premtimet politike, pra je naiv, atëherë kjo merr konotacionin e krimit politik. Në politikë nuk janë të rëndësishme motivet, por rezultatet. Konformizmi dhe politikat e ulëta janë dy anë të të njëjtit proces: humbja e ndjenjës së përgjegjësisë morale. Ajo që bie në sy dhe vesh, është fakti që disa njerëz me pushtet i japin mundësinë vetes që t’i kënaqin edhe disa epshe të ulëta, pa çarë kokën se si ndjehen njerëzit, kur marrin përsipër të vlerësojë, gjykojë, moralizojnë, t’i drejtojnë gishtin ndonjë subjekti politik, të akuzojnë, dhe, çka është më skandalozja, të japin cilësime për politika në nivel nacional madje edhe global!
Të jesh kritik është diçka e shëndetshme kur kritika mbështetet mbi themele të autokritikës, dhe jo ad’hominem në kuptimin negative të fjalës ”kur të pret gjuha hekur”. Nëse e shikojmë në aspektin sociologjik, kritika është gjithmonë shprehja më e mprehtë, më e spikatur e shijes dhe e kuptimeve ideologjiko-estetike të një mjedisi të organizuar: në kuptimin më të gjerë të një klase, dhe atë të ngushtë – të shtresave dhe grupimeve të ndryshme që bëjnë dhe plotësojnë kornizën e klasës së larmishme. Ashtu sikurse arti, edhe kritika, dhe politika, e fitojnë vlerën e tyre vetëm kur bëhen akt shoqëror; të mbyllura për një rreth të dashuruarish në klan, ato s’janë gjë tjetër veçse një grumbull shkronjash të vdekura në letër. Pse ndodhë kjo? Sepse mbi çdo ndërgjegje kolektive, mbi çdo interes publik ose kolektiv, mbi çdo ideal vihet interesi i ngushtë i klanit.
Realiteti politik dhe sjelljet e tilla politike janë të kushtëzuara nga mungesa e kulturës politike, nga mungesa e moralit dhe – në mënyrë dramatike – nga mendësia partiake dhe klanore. Kjo ka bërë që funksioni publik i shumicës nga njerëzit të cilët kanë pushtet, që nga kryetarët e Komunave që pushtetin komunal e kanë shndërruar në feud të tyre, e deri tek drejtorët e shkollave që dhe ata ta shohin pushtetin si një mjet për të favorizuar klanin e tyre partiak në kuptimin e ngushtë të fjalës. Pra, njerëzve të tillë politika ose pushteti iu shërben vetëm si një fushëveprim për t’u pasuruar vetë ose njerëzit e afërt përreth tyre, por që në esencë kjo fare thjeshtë mund të quhet prostitucion administrativ.
Civilizimi, për të qenë më korrekt me gjuhën shqipe: qytetërimi, thuhet se ndryshon botën, kurse kultura ndryshon njeriun. Kultura ku përfshihen filozofia, mendimi, morali e arti, i shërbejnë njeriut për të përqafuar vlerat qytetëruese perëndimore që na janë servuar përmes demokracisë si sistem i vlerave. Në të kundërtën mungesa e moralit i bën dëm kulturës, dhe si e tillë i bën dëm edhe këtij qytetërimi. Siç duket, politika tek ne ka një marrëdhënie specifike ndaj moralit. Politikanët nuk janë as të moralshëm e as të pamoralshëm, ata thjesht janë amoralë. Këta njerëz moralin e përdorin vetëm për kalkulime se sa politikisht mund t’iu shërbejë. Mirëpo, me gjithë brishtësinë e saj, demokracia si sistem e ka levën më të fuqishme në ndryshimin e pushtetit përmes zgjedhjeve, por për të qenë më i drejtpërdrejtë, për mungesë të vetëdijes “dhe moralit që përfaqësojnë pushtetarët” po ua kujtoj se aty ku nuk punon “bordelloja” duhet të zëvendësohen “punëtorët e sojit të tyre”, e jo të ndërrohen çarçafët.