RROSH: DEKLARATË PËR SHTYP MBI GJYKIMIN E SHQIPTARËVE TË ORGANIZATËS “ILLYRICUM LIBERTAS”…

(RROSH, 19. 03. 2012) – Rrjeti i Organizatave Shqiptare proteston kundër farsave gjyqësore në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM), të cilat i konsideron me prapavijë politike dhe kërkon pushimin e çështjeve penale ndaj të rinjve shqiptarë. Jo vetëm që besojmë se atyre po u cenohen liritë themelore njerëzore dhe qytetare, por besojmë edhe se vazhdimi i gjykimeve me prapavijë politike në këtë situatë të ndezur etnike mund të ndikojë edhe më në çarjen midis shoqërisë maqedonase.

DEKLARATË PËR SHTYP MBI GJYKIMIN E SHQIPTARËVE TË ORGANIZATËS “ILLYRICUM LIBERTAS” NË ISH-REPUBLIKËN JUGOSLLAVE TË MAQEDONISË DHE GJYKIMIN E TË RINJVE PËR ÇËSHTJEN E KALASË SË SHKUPIT
     Kohët e fundit jemi dëshmitarë të rritjes së dhunës etnike ndaj shqiptarëve në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM). Vrasja e dy shqiptarëve në Gostivar nga një polic sllavo-maqedonas dhe rrahja e fëmijëve shqiptarë nga huliganë sllavo-maqedonas pikërisht ditën e 7 Marsit, nuk janë dhe nuk mund të jenë ngjarje të rastësishme. Ato janë maja e akullnajës së urrejtjes etnike që po kultivohet prej kohësh nga sllavo-maqedonasit ndaj qytetarëve shqiptarë të shtetit. Sllavo-maqedonasit e kapur prej etheve megalomane, që fshehin krizën e thellë identitare, nuk mund të pranojnë që shqiptarët në trojet e veta etnike të jenë qytetarë të barabartë të të njëjtit shtet. Ata e duan shtetin për vete dhe prandaj duhen sakrifikuar shqiptarët. Thirrjet masive në stadiume për dhoma gazi për shqiptarët shkojnë në të njëjtën linjë me përpjekjet e akademikëve sllavë për t’i paraqitur në enciklopedi shqiptarët si ardhacakë dhe banditë të zbritur nga malet.

     Në këtë klimë urrejtjeje më datën 20 mars 2012 zhvillohet seanca gjyqësore ndaj të rinjve shqiptarë që më 28.11.2011 vizatuan në publik hartën e Shqipërisë Etnike. Ndaj tyre është ngritur një akuzë penale, sepse shprehën grafikisht një të vërtetë që dihet botërisht, atë që shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Republikën e Shqipërisë dhe se në Ballkan shqiptarët jetojnë në një hapësirë të vetme e kompakte etnike, e cila është e ndarë politikisht në disa shtete. Harta e vizatuar tregon se shqiptarët janë një komb, kudo ku ata janë, si në Shqipëri, Kosovë, IRJM apo gjetkë. Ndaj kësaj të vërtete dhe kundër lirisë së shprehjes është ngritur një akuzë penale. Me anë të saj synohet që të heshten shqiptarët, që të trimërohen edhe më huliganët sllavo-maqedonas dhe sponsorët e tyre politikë. Në të njëjtën kohë vazhdojnë të zhvillohen edhe seancat gjyqësore edhe ndaj shqiptarëve që mbrojtën nga tjetërsimi dhe përdhosja trashëgiminë e tyre historike në Kalanë e Shkupit.
     Rrjeti i Organizatave Shqiptare proteston kundër vazhdimit të këtyre farsave gjyqësore, të cilat i konsideron me prapavijë politike dhe kërkon pushimin e çështjeve penale ndaj të rinjve shqiptarë. Jo vetëm që besojmë se atyre po u cenohen liritë themelore njerëzore dhe qytetare, por besojmë edhe se vazhdimi i gjykimeve me prapavijë politike në këtë situatë të ndezur etnike mund të ndikojë edhe më në çarjen midis shoqërisë maqedonase.
     Zhvillimet e fundit duhet t’i bëjnë shqiptarët e IRJM-së që të mendojnë politikisht. Para tyre paraqiten dy qëndrime. I pari është shikim nga e kaluara. Nëse dikur për Shqipërinë Etnike në IRJM janë pushkatuar njerëz pa gjyq, sot disa shqiptarë mund të ndjehen të kënaqur që “fajtorëve” u lejohet mundësia të mbrojnë veten në gjykatë. I dyti është shikimi nga e ardhmja. Nëse IRJM-ja realisht aspiron integrimet evropiane, duhet ditur se një shtet anëtar i Bashkimit Evropian është ai ku qytetarët ndjehen të barabartë dhe nuk i frikësohen etnisë së tjetrit dhe ku gjykatat nuk përdoren politikisht për të frikësuar bashkësitë etnike. Shqiptarët duhet të përpiqen për qëndrimin e dytë, ai i kërkimit dhe i realizimit të barazisë së plotë përballë sllavo-maqedonasve në kuadër të IRJM-së. 
     RROSH-i shprehet i brengosur për situatën në IRJM dhe me mosdëshirën e Tiranës e Prishtinës për të mbrojtur interesat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të këtij shteti. RROSH-i u bën thirrje të gjithë subjekteve politike dhe shoqërore shqiptare që të protestojnë kundër keqtrajtimit sistematik ndaj shqiptarëve në IRJM dhe që të solidarizohen me ato forca politike dhe shoqërore shqiptare në IRJM që mbrojnë interesin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.
Organizatat nënshkruese:
Forumi Demokratik për Integrim – Tuz
Illyricum Libertas – Tetovë
Klubi Kombëtar – Tiranë
Lëvizja Qytetare Zgjohu! – Shkup
Lëvizja Vetëvendosje! – Prishtinë
Shoqata Çamëria – Tiranë
Shoqata “Një dollar për Dibrën” – Dibër
Tifozat Kuq e Zi – Tiranë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura