Nga Rexhep Kasumaj – Dhjetor, 2023
PUSHTIMI SHQIPTAR I JERUSALEMIT
(Mbi drejtpeshimin e munguar)
1.
Shqiptarët pushtues?
E pamundur!
Kë vunë nën zinxhirë robníe? Ç’popull a territor? Ç’troje a fortesa dogjën apo ç’detëra e ishuj kaptuan?
Ndonjëherë, në persiatjet vetmitare, më kapullonte kënaqësia e thellë fisnike për këtë univers të përkorë të popullit tim. Por, poaq shpesh, megjithë bukurinë e paqme të ndjesisë, behte hidhshëm dhe një tis i zymtë dëshpërimi.
Përse, përse gjithmonë kështu?
Kisha dëgjuar në mësime e ligjërime për shtetarë e komandarë dhe kishte rastisur të gjeja në literaturën cinike jehun e bëmave të tyre me cilësimin mjegullor si mëkëmbës a shpatarë tokash e ushtrish të huaja, që vinin nga gjenealogji e largët shqiptare.
Mirëpo libri i madh “Jerusalemi – një boigrafi”, i Simon Sebag Montefiore-s, historian e publicist i shquar anglez, do të hidhte një dritë tjetër që, i sfilitur nga fataliteti i viktimës së gjithmonshme, do t’më magjepste fundbotshëm.
Duke shfletuar me ëndje këtë vepër mjeshtërore, mbërrij e shoh mrekullinë: kapitullin e veçantë mbi një epokë të veçantë të qytetit të lashtë. Hoqa e vura dy-tri herë syzet, thuase ato mashtronin nën llampën e zbehtë të dhomës sime. Por titulli ishty aty, i pabesueshëm e real dhe i rëndë e ngushëllues: “Pushtimi shqiptar” (i Jerusalemit)! Ndalova gjatë. Iu riktheva disa herë. Kisha në dorë për herë të parë (së paku unë) të shkruar në një bestseller të paspostueshëm anglez dhe nga një penë e hollë vërtetësie, flakjen e guaskës së nxirë prej tregtarësh të historisë politike të atij moti të madh.
Mësoj se pushtimin e Jerusalemit në vitin 1831, e kishin bërë shqiptarët e primë nga Mehmet Ali Pasha, moshatar e sfidant i pashtruar i Bonapartës së famshëm. Madje, kishte marrë dhe nofkën e tij si Napoleoni i Orientit, pse, me strategjitë shkathtësore në fushëluftë, për një dekadë e gjysmë, do të vrânte e kthjellte në viset që lagte Mesdheu jugor a në brigjet diellandritëse të Marmarasë.
Montefiore flet me shumë kulturë, distancë intelektuale e konsideratë për pushtimin shqiptar apo shqiptarët pushtues, madje qahet pse ka rënë pameritueshëm në harresë prijësi i tyre legjendar që do të bëhej emblemë e epokës së tij. Ishte i rreptë në beteja, skicon ai me pak fjalë portretin e tij, por, njëkohësisht, adhuronte dijet dhe mbrëmjeve urdhëronte ti këndonin këshillat e Makiavelit dhe urtitë e Monteskjesë.
E pra, nuk paskësh qenë një qeveritar osman me prejardhje të dikurshme arbnore apo rebel që kishte uzurpuar legjione të huaja, si shkruajnë kronistët smirëzinj, por një sundimtar i iluminuar shqiptar, me bërthamën, poashtu, krejt shqiptare të elitës së tij ushtarake, kryesuar nga i biri, Ibrahim Pasha, i kuqi, si quhej për shkak të mjekrrës së tij të kuqe, si bjondin që ishte nga viset veriore.
Kjo ushtri triumfatorësh, madje, duke vënë nën skeptrin e vet zona të tëra të perandorisë otomane, ishte shfaqur frikshëm një mëngjes pranë portash të dridhura të kryeqytetit. I trëmbur nga rivalizimi shqiptar, sulltani turk do të shtrëngohej ti njihte M. Alisë statusin e guvernatorit të Egjiptit, tashmë gati të shkëputur nga kurora imperiale stambollite, e që do të zgjaste deri kur dhe pinjolli i mbramë mbretëror do ta jetonte orën e lindjes nga hiri hyjnor i shtetit mëvetësor të Izraelit.
2.
Një fqinj imi egjiptian (që përsëriste vazhdimisht se egjiptianët nuk janë arabë) më thoshte një ditë, posa ishim njohur: ah, ju shqiptarët, sundimtarët tanë shekullorë!
Si kështu?, do ta pyesja i habitur, ndonëse e dija pakëz aluzionin e tij. Të gjithë, do të vijonte pastaj, i madh e i vogël, e dinë se mbreti Faruk ishte i fundmi nga vargoi i monarkëve shqiptarë që kishin themeluar e sunduar vendin e tij në kohën e re. Kur kryengritësit naserianë, rrëfente ai mëtej, ishin ngjitur në pallat, kishin takuar bashkëpunëtorët e tij, oborrtarë e shërbëtorë, tek flisnin në një gjuhë që s’e merrnin dot vesh. Ishte e kuptueshme që ata do të kenë qenë pasrendës luftëtarësh a mërgimtarësh nga ngulimet e hershme misiriane.
Më pas, më solli dhe një libër monografik nga biblioteka e tij, në faqen e pasme të të cilit ishte mbreti, tashmë, i rrëzuar: një portret njeriu me sy të kaltër e shikim të kulluar dashunor. Asnjë shenjë karakteriale e despotëve të përgjakur. Ndaj dhe ikja e tij ishte paqësore. Dinastia shqiptare, rrjedhimisht, nuk u rrokullis nga urrejtja për gjakun e huaj. Ajo do të humbiste legjitimitetin pse kishte degjeneruar në regjim të flashkur luksi, inert e ditësosur.
Por, sidoqoftë, kauza ishte sërish e huaj. Shqiptarët (e Montefiore-s) kishin pushtuar një qytet të huaj dhe ia kishin bashkuar atë një entiteti shtetëror, poashtu të huaj. Megjithatë, kur vështrova me afsh titullin e kapitullit biografik të Jerusalemit, sikur m’erdhi një gjallërim fluturak. Një gëzim i dëlirë mbi fundinën e dhimbjes. Dhe, gjithsesi, një drejtpeshim i munguar!..
Thashë më vete: shqiptarët, pushtues të Jerusalemit!
Madhështore!
Historia e Jerusalemit, është, në fakt, historia e botës. E shqiptarët (e M. A. Pashës) do të hynin në lavrën dhe thëllimat e saj, nëpër shenjat e kujtesës së pavdekshme të qytetit të përjetshëm.
Isha mërzitur deri në lodhje të lexoja dhe përjetoja vetë ankesa, vaj, padrejtësi, okupim, shtypje, plojë, flakë, tirani, poshtërim, çizme e huaj, popullvrasje, therje fëmijësh, shfarosje, tokë e djegur, nënshtrim, rrudhje trualli, varre të rrafshuar pa emër – dhe e gjithë krusma mortore shkaktuar nga armë, stema e gjuhë kolonizatorësh të shumtë mbi hapsirën jetike shqiptare.
Po shqiptarët? A ftillëzohej nyja përtej mbijetesës së tyre?
Jo, asnjëherë!
Mbeteshin prorë të strukur në vetëmbrojtjen e pikëllueshme dhe të ngujuar në vetmi, helm e vdekje…Po rrokullima nuk mbaronte këtu. Shkrimtaria e zezë do ta shpallte vuajtjen si kurorën e të gjitha virtyteve që do të merrnin shpërblimin e epërm, këndej a matanë jetës.
3.
E tani aty, në fletët e atij libri të bekuar, në një çast historie, do të ledhatohesha flladitshëm nga një tjetër ndjenjë. Ishte një fresk galdimi fluturak dhe krenie të sedeftë romantike.
Mendova: ja, dhe shqiptarët do t’kenë mësyrë perandorshëm toka të tjetrit dhe hiç me pak e më poshtë se Jerusalemin, më të moçmin, më shenjtorin dhe më apokaliptikun e qyteteve të botës. Sikur provoja ngasjen e fshehtë që të kishim pasur shtegtime e zaptime dhe kalorës e shqytarë që marrin në dorëzim mure, kështjella, pasuri e gra të gjindjes së huaj, afër e larg etnikumit shqiptar.
Por, shpejt sakaq, e gjeja veten në faj. Rrjeshtat e shkrimit ku flitet për dhunën e gjakosur të Ibrahimit lavdidashës ndaj banorësisë vendore dhe shkretimi i jetës e faltoreve të tyre, do t’më hidhte, disi spontanisht, në anën e të nëpërkëmburve. Ndoshta është defekti i racës që, duke qenë gjatë, oh sa gjatë i palirë, ka rezervuar në shpirtin e vet bashkëndjesinë me ta. Me popujt e skllavnuar të botës.
Them kështu, një defekt gati identitar, sepse, mjerisht, mirësia në politikë nuk shpaguhet kurrë. Përkundrazi. Ndëshkimi vjen si alfabet i përhershëm gjatë përpjekjesh të ashpëra ekzistenciale të kombeve mbi këtë Dhè!
Ndaj, së fundmi, përsëri: sado çiltërisht i keqardhur për pushtimin shqiptar të qytetit të amshueshëm, një valëz e smeraldtë mburrjeje intime, nuk do t’më shqitej një kohë. Ajo, brymësi e heshtur dhe fine, ende strehon në mua tek mbyll këtë shkrim.
Si një ëndërr që mbahet për vete e nuk rrëfehet dot…