QAZIM NAMANI: PROJEKTET PANSLLAVISTE GJATË VITEVE 1804 – 1878 DHE ROLI I SHQIPTARËVE NË ZBATIMIN E TYRE!

Prishtinë, 17. 07. 2016: Në shekullin XVIII Rusia fuqizohet duke u bërë faktor i rëndësishëm në skenën politike dhe ushtarake të Evropës e sidomos në Gadishullin Ilirik. Në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX Qeveria ruse në Ballkan shpërndante para dhe kishte dërguar priftërinj rus për ta zhvilluar propagandën kundër Austrisë dhe Turqisë. Të inspiruar nga propaganda ruse në këtë kohë, Sava Tekelia dhe mitropoli i Karllovcit Stratimiroviqi kishin shprehur aspiratat e tyre për tu liruar nga Perandoria Osmane (P.O.) dhe për ta themeluar një perandori sllave në Ballkan. Në vitin 1804 shpërtheu kryengritja nën udhëheqjen e Karagjorgje Petroviqit. Jovan Tomiq në librin e tij mbi shqiptarët shkruan se disa shqiptarë u bënë shumë të njohur në kryengritjen e vitit 1804. Madje shumë studiues pajtohen se udhëheqësi i kësaj kryengritje, i pari i dinastisë së Karagjorgjeviqëve, Karagjorgje Petroviq ishte me origjinë shqiptare.
Në vitin 1806 filloi lufta turko-ruse që zgjati 6 vite. Kjo luftë përfundoi në vitin 1812, me marrëveshjen e arritur në traktatin e Bukureshtit. Sipas nenit 8 të këtij traktati serbëve ju njiheshin disa privilegje. Në vitin 1808 u propozua projekti për ndarjen e territoreve të Evropës jug-lindore ndërmjet Rusisë, Francës dhe Austrisë.
Pas disfatës së Napoleon Bonapartës me 1814 dhe themelimit të Aleancës së Shenjtë në kongresin e Vjenës 1815, me inicimin e Rusisë ku qëllimi i saj ishte për ti shuar dhe kontrolluar lëvizjet e popujve për pavarësi që kishin filluar në Evropë. Turqisë ju krijuan kushte të volitshme që ti shuajë pashallëqet shqiptare. Në vitin 1815 doli ne skenë Millosh Obrenoviqi i cili i nxitur nga Rusia e vazhdoi kryengritjen. Kara Gjorgji duke e parë forcimin e kryengritjes dhe dobësimin e P.O. u kthye nga Austria me disa përkrahës të tij.
Në afërsi të Beogradit Millosh Obrenoviqi së pari e bastisi Kara Gjorgjin së bashku me 16 përkrahësit e tij dhe pastaj i vrau, ua preu kokat të gjithëve dhe ia dërgoi valiut e i cili më pastaj ia dërgoi portës së lartë në Stamboll. Në vitin 1820 Millosh Obrenoviqit sulltani ia dha titullin knjaz por Milloshi e refuzoi. Më vonë Milloshi u pendua që e kishte refuzuar titullin knjaz, andaj e dërgoi në Stamboll një delegacion për ta ripërtëritur besnikërinë e tij ndaj sulltanit.
Sulltani ia lejoi që Milloshi të mbajë një delegat në Stamboll për ti përfaqësuar serbët. Pas deklarimit të kryetarit amerikan James Monroe, më 1823 para kongresit amerikan se duhet ndjekur principin Amerika Amerikanëve, tani më u kuptua se Rusia nuk rrezikohej nga perëndimi. Duke i parë rrethanat të volitshme Danillevski e krijoi idenë pansllaviste të quajtur “Lëvizja filosllave”.
Millosh Obrenoviqi luante një politikë dyfytyrëshe dhe qëllim kryesor e kishte shpërnguljen e shqiptarëve nga 6 nahijet të cilat në atë kohë ishin jashtë kufijve të Serbisë që e fitoi autonomin në vitin 1830. Në vitin 1824 Milloshi shpërnguli një numër të madh të shqiptarëve nga Aleksinci. Gjatë këtyre viteve shumë shqiptar ishin shpërngulur nga Beogradi, Kraleva, Uzhica, dhe qytete tjera të Serbisë së sotme.
Në vitin 1826 me zhdukjen e sistemit ushtarak të jeniçerëve mbeti pa forca ushtarake te rregullta. Këto reforma në ushtri i kundërshtuan pashallarët konservativë shqiptarë dhe tjerë. Mustafa Pasha kërkonte ti forcojë lidhjet me feudalët e Bosnjës. Për qëndrimin e tij ai e fitoi mbështetjen nga Rusia. Mustafa Pasha kërkoi të forcojë lidhjet me Millosh Obrenoviqin në Serbi. Mustafa Pasha kërkonte përkrahjen e Rusisë përmes knjazit të Serbisë – Milloshit.

Mustafa Pasha kërkonte 500.000 grosh nga knjaz i Serbisë Milloshi, por ai me këshilla të rusëve ia ofroi gjysmën e groshëve të kërkuar duke i propozuar Mustafa Pashës se kur ta merr Sofjen ti lejohet Milloshit që ta merr qytetin e Nishit. Qyteti i parë që Serbia atë kohë e mori ishte Krusheci që në atë kohë ishte me një numër të madh të banorëve shqiptarë. Kur filloi lufta Ruso-Turke në vitin 1828 Rusia përmes knjaz Milloshit kërkoi që Mustafa Pasha të mos kyçet në këtë luftë me premtim se në rast fitoreje do ta bënte zotërues të gjitha trevave shqiptare.
Mustafa Pasha duke mos dashur ti ndërpres raportet me Sulltan Mahmudin e II, trupat e tij i dërgoi me vonesë në frontin Ruso-turk duke u arsyetuar para Sulltanit se trupat e tij nuk kanë përgatitje të duhura të hyjnë në luftë gjatë stinës së dimrit dhe se do të kyçet në pranverë. Kyçja e Mustafa Pashës me vonesë në luftë ia mundësoi ushtrisë ruse që të depërtoi në territorin e Bullgarisë së sotme.
Kjo gjendje i detyroi Turqinë dhe Rusinë që të lidhin marrëveshje për paqe. Në konferencën e paqes rusët fare nuk e përmendin autonominë për shqiptarët. Mustafa Pasha i revoltuar me 20.000 ushtarë ju kundërvu ushtrisë ruse në rrethinën e Arnaut Kaleshit me 4 tetor 1829. Mustafa Pasha pësoi humbje dhe i ndërpreu raportet me Rusinë.
Rusia duke e parë dobësimin e P.O. kërkoi që të rishqyrtohet traktati i Bukureshtit, me ç’rast ju dhanë disa privilegje shtesë vllahëve dhe serbëve. Serbisë ju njoh autonomia dhe ju mundësua zgjerimi i kufijve në dëm të trevave shqiptare. Në vitin 1835 Milloshi vizitoi Stambollin, ndërsa u detyrua të jep dorëheqje (1839) duke ia lëshuar vendin te birit të tij Mihailit i cili po ashtu u soll në Stamboll u nderua jashtëzakonisht shumë dhe iu dha dekorata dhe diamante nga vetë sulltani.
Serbët që në vitin 1836 kishin arritur pëlqimin nga Perandoria Osmane që të hapin dy shkolla fillore në Prizren. Në vitin 1848 serbët kishin hapur shkolla edhe ne Gjakovë, Pejë, Vushtrri dhe Graçanicë. Programi pansllavist i hartuar nga A. S. Homajkovi “Për të vjetrën dhe të renë” që u botua në vitin 1839, pastaj projekti për themelimin e një perandorie pansllaviste hartuar nga Nikollaj Danillevski i cili parashihte shpalljen e patrikut të Moskës person që përfaqëson zotin në tokë, synonin që të zgjerohen në dëm të tokave shqiptare.
Këto projekte u inspiruan në idetë pansllaviste të Çartoriskit dhe Franjo Zahut për përqendrimin e sllavëve të Ballkanit në një perandori. Bazuar në këto projekte dhe ide u përpiluan në vitin 1844 “Nacertanja” e Ilia Garashaninit, “Megalo idea” greke e Jani Kolës dhe programi i “Otoçenstvos” bullgare. Me projektin e Nacertanjes serbët bënin propagandë se nuk po bënin diçka të re, vetëm se po i përtërijnë tokat e gjyshërve të tyre dhe ky program nuk mbështetej në parim popullor apo kombëtar, por në të drejtën historike.
Serbia i përfshiu trevat shqiptare veriore në planin e saj nacional dhe propagandistik pas aprovimit të projektit “Nacertanje” të Garashaninit të vitit 1844. Dokumentet arkivore të kësaj kohe tregojnë se Serbia pas projektit të Garashaninit filloi të ndihmoi përtëritjen e kishave, manastireve dhe shkollave në Shqipërinë veriore.
Ilia Garashanini që në vitin 1844 e dërgoi Stefan Verkoviqin në trevat shqiptare për të mbledhë të dhëna dhe për të vu kontakte me personalitete shqiptare. Garashanini kishte vu kontakte dhe me njerëz me ndikim ne trevat tjera të Ballkanit dhe njëri ndër ta ishte Matija Bani nga Dubrovniku i cili së shpejti u bë njëri nga personat më të dalluar të propagandës politike të Serbisë pas Garashaninit.
Serbia vendosi lidhje edhe me disa persona të Shqipërisë veriore. Në vitin 1846 u vënë kontaktet me priftin shqiptar Gaspër Krasniqin, Bibë Dodën dhe Naum Sidon me origjinë nga rrethi i Dibrës i cili ishte vu në shërbim të propagandës ruse. Gaspër Krasniqi mbante korospodencë me Garashaninin në gjuhën latine. Në vitin 1848 në Beograd u themelua klubi demokratik pan sllavist, ndërsa në vitin 1849 u hartua kushtetuta e propagandës politike.

Gjatë viteve 1852-53 u keqësuan marrëdhëniet serbo-malazeze, ndërsa në prag të luftës së Krimesë 1853-1856 u keqësuan edhe raportet serbo-ruse sepse Rusia ndërhynte me dhunë në punët e brendshme të Serbisë. Rusia e shkarkoi nga detyra Ilia Garashaninin dhe Serbia u detyrua të pranoi kërkesat e Rusisë. Pas luftës së Krimesë në vitin 1856 u lidhë traktati i Parisit. Rusia shfaqi synimet e saj për mbrojtjen e popullatës së krishterë në lindje.
Në vitin 1868 u formua këshilli arsimor për ndihmë shkollave dhe mësuesve serb në trevat shqiptare që ishin në sundimin e Perandorisë Osmane. Shkollat laike serbe në atë kohë punonin sipas planit e programit të shkollave të Serbisë duke përdorur tekste të njëjta, organizim, metodat e mësimit dhe administrimit. Në trevat shqiptare u hapën shkolla të reja me mësuesit Nikolla Musolini, Millan Kovaqeviq dhe Millan Popoviq. Në këto shkolla nxënësit fitonin njohuri më të mëdha se në disa shkolla në Serbi.
Rusia e kishte emëruar Ivan Stepanoviq Jastrebovin në detyra të rëndësishme diplomatike në Shkodër dhe Prizren. Në Sarajevë si diplomat rusë ishte emëruar Hilferdingu i edukuar në frymën pan sllaviste ruse. Koordinimi i aktiviteteve politike dhe diplomatike mes Ignjatevit, Hilferdingut dhe diplomatit rus Jastrebovit i cili veproi në trevat shqiptare frymëzuan nacionalizmin serb në kohën e krizës lindore për pushtimin e territoreve që banoheshin me popullatë autoktone shqiptare
Në vitin 1860/61 Qeveria greke ju drejtua Qeverisë serbe për lidhjen e aleancës së përbashkët për ndarjen e territoreve në Ballkan. Princi i Serbisë Mihajli deri sa u vra në qershor të vitit 1868 kishte vendosur lidhje me disa individ konservativ shqiptar si: Naum Sido, Xhelal pashë Zogu etj., të cilët ishin bërë vegla të tij.
Serbia për të vepruar ndër shqiptarët e Shqipërisë Veriore, e kishte ngarkuar priftin katolik Franc Maurin me origjinë sllovene nga Gorica. Mauri e mësoi gjuhën shqipe kur shërbeu si ipeshkëv katolik në Shkodër. Ai interesohej që të përfitoi disa personalitete të dalluara shqiptare për të punuar në shërbim të propagandës politike të Serbisë.
Mauri ndër shqiptar pohonte se Serbia do ti ndihmonte shqiptarët për tu liruar nga P.O. Ai ia doli të bindë disa krerë shqiptar për të bashkëpunuar me Serbinë si: Mirash Hasin, kreu i Hotit, Prenk Staka, kreu i Kelmendit, si dhe krerët e kastratit, Triepshit, Traboinës e Grudës. Mauri pohonte para shqiptarëvë se Serbia nuk kishte qëllime të këqija ndaj shqiptarëve kështu që në vitin 1866 ai përfitoi edhe disa krerë tjerë.
Pas misionit të tij Mauri u kthye në Beograd i cili e përshkroi një raport në gjuhën gjermane, në të cilin e nxjerr në pah esencën e politikës së Serbisë si dhe gjendjen ekzistuese ndër shqiptar. Në këtë kohë nëpër trevat shqiptare ishin dërguar shumë studiues sllav të cilët si detyrë e kishin të përshkruajnë gjurmët e lashtësisë së kulturës dhe civilizimit. Ndër ta mund të përmendim M.S. Milojevic i cili me ndihmën dhe shoqërimin e plakut Zymer të cilin edhe e quante “Zymeri i jonë” i kishte shkruar tri fletore të cilat i botoi në Beograd në vitin 1871.
Në muajin shkurt të vitit 1868 për të lidhë besën e bashkëpunimit me Serbinë te Mihajli në Beograd shkuan 5 shqiptar: Kurtaliu i Matit i cili vdes pas 2-3 dite që kthehet dhe varroset si “turk”, Ahmet Çetani nga fshati Bederianë, Zahir Isufi nga Macukuli, Mer Kalici nga Selita, Hasan Beu nga Dibra e epërme, dhe në fund të sundimit të Mihailit në Beograd shkoi Leka Plak, vëllai i tij dhe djali Prenku nga Podgorica. Këta shqiptar që shkuan në Beograd i dhanë besën Mihailit se nuk do të luftojnë kundër Malit të Zi, bullgarëve dhe grekëve dhe se do të bashkëpunojnë me serbët. Sipas burimeve arkivore serbe vërehet se Mihajli ju paska dhënë dhurata të ndryshme dhe nga 250 dukat.
Mark Milani për shqiptarët shkruan se nga praktika është vërtetuar se shqiptarin ma lehtë mund ta pushtosh me të mirë se sa me të keq. Mark Milani shkruan shqiptarit duhet ti kërkosh besë, fjalën e nderit ta përvetësosh me ndonjë dhuratë e pozitë të vogël, sidomos parinë e fisit dhe të fesë, pastaj ai do të shërbej sipas qejfit tënd, madje edhe kundër interesave të tij kombëtare, ai “do të futet në ujë dhe në zjarr për ty”. Në të vërtetë këta janë individ të tipit të Sokol Bacit, Ujkiqve, Iveziqve, Kukiqve dhe njerzëve të tjerë të ngjashëm, që për një grusht groshash dhe një uniformë të vjetruar me pulla vezulluese laramane të xhandarëve të “Knjazit”, e kanë hedhur qeleshen e bardhë dhe e kanë vënë mbi sy kapicën e zezë, për tu bërë kështu vegël qorre e politikës shoviniste të Kral Nikollës.
Këto lidhje me Beogradin u ripërtërinë edhe pas vdekjes së Mihajlit, kështu që në dhjetor të vitit 1868 në Beograd shkoi Xhelal pashë Zogu, i cili e vizitoi edhe Kragujevcin dhe ishte mysafir në shtëpinë e Milivoje Bllaznoviqit, ministër i njohur serb në atë kohë. Xhelal Pasha në këtë kohë zhvillonte bisedime për situatën në viset Shqiptare edhe me gjeneralin rus Ignijatevin.

Xhelal Pasha Zogu

Xhelal Pasha në vitin 1868 i kishte ndërpre raportet me Turqinë dhe tani plotësisht i shërbente Serbisë. Në mars të vitit 1868 Xhelal Pasha e kishte nënshkruar futjen në shërbim të propagandës serbe me kusht që të vendosej diku në shtetet Evropiane. Me 5 mars 1869 ai udhëtoi për Cyrih, pranoi të ndërroi emrin e mbiemrin dhe të quhet Stanko Ivanov, bashkëpunëtori i tij si duket shqiptar e mori emrin Avram. Qeveria serbe këtyre 2 shqiptarëve jua caktoi shoqëruesin tjetër i cili quhej Gjorgje Dimitrijeviq nga Sarajeva. Xhelali kishte për detyrë që nga Cyrihu të dërgoi letra në adresë të tregtarit Arsenije Llukiq në Beograd, kurse brenda letrës të shkruaj se ma në fund letra duhet ti dërgohet Milovan Vojinoviqit. Beogradi Xhelalin e paguante 120 dukat në muaj ndërsa Gjorgje Dimitrijeviqin 10 dukat.
Në vitin 1870 Austro-Hungaria i ofroi qeverisë serbe projekt propozimin për marrëveshje dhe aleancë kundër Perandorisë Osmane. Serbia edhe gjatë vitit 1871-1874 kërkoi të vazhdohen kontaktet me disa krerë fisesh e feudalësh të luhatshëm siç ishin:
– Xhelal Pashë Zogu nga Mati,
– Ali Agë Galiqi nga Rozhaja,
– Ibrahim Zajmi nga Peja,
– Hasan Koka i Matit,
– Kapiten Marku i Mirditës,
– Vëllai i Bib Dodës,
– ndoshta edhe Leka i Podgoricës.
Me 8 korrik të vitit 1876 pikërisht 6 ditë pasi kishte filluar lufta Serbo-malazeze kundër Perandorisë Osmane u lidh marrëveshja e Rajhshtatit, e formatizuar me konventat e Budapestit me 15 janar të vitit 1877 që kishin si qëllim ndarjen e Ballkanit. Në këto rrethana Vilajeti i Kosovës u formua në vitin 1877 me qendër në Prizren.
Në bazë të rrethanave politike dhe burimeve të shkruara në emërtimin e Vilajetit të Kosovës luajti rol ndikimi i Rusisë dhe politika pansllaviste që Rusia i zbatonte përmes ambasadorit të emëruar në vitin 1864 në Stamboll Nikola Pavlovic Ignatievit, i cili iu ofrua shumë sulltanit sa një ditë padishahu tha: Nuk paskam mik tjetër të vërtetë përveç ambasadorit rus. Igniatevi për një kohë të shkurtë shkëputi bullgarët dhe serbët nga vartësia fetare e patriarkales në Stamboll. Rusia e kishte fituar përkrahjen nga të krishterët që jetonin në Perandorinë Osmane, kurse në anën tjetër e kishte bërë për veti edhe opinionin politik të Evropës, kështu që me 12 prill të vitit 1877 i shpalli luftë P.O.
Serbia e nxitur nga Rusia e filloi luftën me 2 dhjetor 1877. Ushtria serbe e ndihmuar nga vullnetarët rusë arriti me shpejtësi të pushtojë trevat shqiptare të Sanxhakut të Nishit që nga Piroti, Nishi, Prokupla, Kushumlia, Leskoci, Vranja duke depërtuar në drejtim të Jabllanicës së epërme. Gjatë kësaj ekspedite ushtria serbe bëri shumë vrasje therje e djegie masive të popullatës së pambrojtur autoktone shqiptare. Përveç qyteteve gjatë kësaj lufte u shpërngulën rreth 700 fshatra shqiptare. Në janar të vitit 1878 Milan Obrenoviqi e kishte marrë në kontroll qytetin e Nishit. Sahit Pasha nga Llapashtica e Medvegjës duke e parë se çdo gjë kishte përfunduar me 22 janar të vitit 1878, e braktisi ushtrinë turke dhe kërkonte të hyjë në bisedime me oficerë serbë dhe me vet Milan Obrenoviqin. Sahit Pasha më datën 29 janar të vitit 1878 u takua në qytetin e Nishit me Milan Obrenoviqin.
Gjatë takimit u arrit marrëveshja që Sahit Pasha të ftojë shqiptarët që ti ndërpresin të gjitha luftimet kundër forcave serbe. Forcat serbe arritën të depërtojnë në shumë fshatra tjera shqiptare. Sahit Pasha u kthye ne fshatin Llapashticë të Medvegjës dhe i ftoi që të mos shpërngulen shqiptarët e fshatrave Llapashticë, Kapit, Tupallë, Dediq, Gjylekreshtë, Siarinë, Sfircë, dhe Gërbac. Në këtë luftë ushtria ruse e mundi ushtrinë turke dhe arriti në Shën Stefan, 9 km në perëndim të Stambollit. Duke e parë rrezikun e Rusisë më 31 janar të vitit 1878, flota angleze erdhi në Marmara. Qeveria turke u detyrua të nënshkruaj traktatin me Rusinë, ku Turqia duhej të hiqte dorë nga Rumelia. Traktatin më 3 mars 1878 e firmosën delegatët nga pala turke Safet Pasha dhe Abdullah Beu ambasador në Berlin, ndërsa nga ana ruse ambasadori i Rusisë në Stamboll Igniatevi dhe Nelidovi. Kjo ishte një fitore e madhe për pansllavistët, sepse Rusia tani e mori në kontroll një pjesë të detit Mesdhe.
Traktatin e Shën Stefanit e kundërshtoi Anglia, Gjermania dhe Austria duke kërkuar që të organizohet një konferencë e re.
Me 13 qershor 1878 u mbajt kongresi i Berlinit.
Ndër pikat kryesore të këtij traktati ishin:
1. Pavarësia e Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, këtyre të dyjave duke iu mundësuar zgjerimin e kufijve në dëm të trojeve shqiptare.
2. Okupimi i përkohshëm i Bosnjës dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria.
3. Formimi i Bullgarisë si principatë autonome.
Duke e parë rrezikun më 10 qershor 1878 delegatët e të gjitha trevave shqiptare e formuan Lidhjen Shqiptare të Prizren. Sahit Pasha nga Llapashtica e Medvegjës pasi arriti që ta mbrojë një bërthamë të vogël të shqiptarëve në këto fshatra, ai u inkuadrua në jetën politike të Serbisë. Me formimin e komunave të reja u emërua kryetar komune në Bucë-Ramabajë, dhe pas suprimimit të saj u zgjodh kryetar i komunës së Medvegjës. Pas mbetjes nën Serbi, Halil Islami nga Sfirca ishte zgjedhur deputet në Parlamentin e Serbisë në kohën e princit Milan Obrenoviqit.
***
Nga kjo që u përmend më lartë mundë të pohohet se shqiptarët gjatë kësaj periudhe nuk ishin koordinuar sa duhet mes veti, por as të pozicionuar si duhej në skenën e politikës ndërkombëtare. Përçarja e shqiptarëve u shfrytëzua shumë mirë nga fqinjët e tyre, por edhe nga Rusia dhe Perandoria Osmane Kështu Kongresi i Berlinit i gjeti shqiptarët të përçarë dhe pa platformë unike kombëtare, kjo bëri që Kongresi i Berlinit ti injoroi ata, duke deklaruar se Shqipëria është vetëm një nocion gjeografik dhe asgjë më tepër!

…………………………………………………..

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura