SHERADIN BERISHA: KOSOVA MIDIS ÇLIRIMIT NGA TURQIA DHE PUSHTIMIT NGA SËRBIA, JANAR – 5 NËNTOR 1912 (II)

(Pashtriku.org, 20. 11. 2012) – Beteja e parë e përgjakshme në mes forcave kryengritëse shqiptare dhe forcave serbe u zhvillua nga 14/15 tetor 1912, në zonën kufitare të Merdares për t´u shtrirë mëpastaj në të gjitha hapsirat frontale. Në të vërtet në teritorin e Merdarit, sipas të dhënave serbe, aradhat çetnike pa lejen e Komandantit të Armatës III dhe Divizionit II të Moravës i sulmuan forcat kufitare shqiptare, mirëpo në këto luftime forcat shqiptare dolën fitues. Ndërkohë, komanda serbe mori masa mobilizuese, por megjithatë, një krahë të ushtrisë e përfshiu paniku dhe u larguan nga fronti.
Dhënia e alarmit për rrezikun nga coptimi i tokave shqiptare
Për ta alarmuar popullin shqiptar dhe të gjitha kancelaritë e Evropës, për rrezikun që po i kanoset trojeve etnike shqiptare, më 14 tetor 1912 në Shkup (në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka), Komiteti “Shpëtimi” që në popull njihej edhe si ”Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” dhe organizata ”Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mbajtën një mbledhje të jashtëzakonshme. Në këtë mbledhje, të kryesuar nga Nexhip Draga, e ku morën pjesë: Mithat Frashëri, Sali Gjuka, Nexhip Draga, Bedri Pejani etj, pasi u konkludua se ”Turqia po i numëronte ditët e fundit në Ballkan…” u morën këto vendime:
“1. Me ia drejtue një proklamacion Fuqive të Mëdha.
2. Me formue një delegacion për mi shkëputë Malet e Shkodrës prej lidhnisë që patën ba me Malin e Zi (Malësia e Shkodrës ishte lidhur me Malin e Zi për luftë të përbashkët kundër forcave osmane në Shkodër).
3. Ky delegacion ka me pas edhe një kompetencë të plotë për t´u marrë vesh me krahinat e tjera të Shqipnisë për të shpëtue atë prej rrezikut të coptimit.”31

Atdhetari Sali Gjuka

…………………………………………..

Në zbatim të këtyre vendimeve, më 16 tetor 1912 në Shkup konsullatës austro-hungareze dhe gjermane iu dorëzua një proklamat, ku thuhet: ”… Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim zgjerimi tokësore ose për përhapjen e ndikimit politik, prandaj edhe ne shqiptaret po rrokim armët për të mbrojtur tokën tonë. Përveç kësaj vemë në dijeni Fuqitë e Mëdha se nuk do të njohim emërtime të tilla si ”Stara Serbija” (“Serbia e vjetër”dhe “Epir”, ose forma politike dhe administrative të posaçme lidhur me disa pjesë përbërëse të atdheut tonë”. Ndërkohë edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë u është dorëzuar një proklamatë me vulë të ”Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: ”Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”. 32
Pas këtyre aktiviteteve, më 18 tetor 1912(në ditën e sulmit të Serbisë në Përpallac e Merdar)anëtarët e delegacionit të zgjedhur në mbledhjen e Shkupit: Mithat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, e lanë Shkupin dhe duke shkuar nëpër Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Has, Tejdrin, Guci, Plavë, Kurbin, Mirditë, Durrës, Tiranë, në Elbasan e gjetiu, i dhanë frymë idesë për thirrjen e një Kuvendi Gjithëshqiptar. Madje në Pejë, Gjakovë, Has, Guci, Plavë… kishin marrë nënshkrime nga paria, duke i autorizuar që të vendosnin për të mirën e Shqipërisë në emër të Kosovës. Këtij delegacioni prej katër vetësh, në Durrës iu bashkua Dom Nikollë Kaçorri, në Krujë-Mustafë Asimi (Kruja), në Tiranë Abdi bej Toptani e Syreja Vlora. Këta tetë(8)atdhetarë tashti përbënin Komitetin e Përkohshëm të Shqipërisë, për përgaditjen e Kuvendit për Shpalljen e Pavarësisë, para se të shkilej Shqipëria nga forcat e aleancës ballkanike. Për këtë qëllim Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi do të udhëtojnë në shtetet perëndimore. Kuvendi do të mbahet më 28 nëntor 1912 në qytetin e Vlorës.
Lufta e parë ballkanike-pushtimi dhe coptimi i tokave shqiptare
Shtetet ortodokse të “Aleancës Ballkanike” sipas një marrëveshjeje të fshehtë, në tetor 1912 nisën operacionet pushtuese, ndaj trojeve shqiptare. Luftën i pari e nisi Mali i Zi, më 8 tetor 1912 dhe angazhoi 34 mijë ushtarë të komanduar nga mbreti Nikolla I. Efektivat ushtarake të tij përbëheshin prej 4 divizioneve me 11 brigada këmbësorie (52 batalione) dhe 322 çeta territoriale. Kjo ushtri për pushtimin e Shqipërisë u nda në tri grupime:
– Grupimi Veri-Lindje u komandua nga gjenerali Janko Vukotiç dhe kishte për detyrë të marshonte mbi pjesën perëndimore të Sanxhakut, të kryente veprime luftarake sidomos në zonën e Novi Pazarit dhe pastaj të marshonte në drejtim të Pejës e Gjakovës. Repartet e këtyre njësive do të pushtonin edhe Plavën e Gucinë.
– Grupimi i Qendrës u komandua nga princi Danillo,i përbërë nga divizioni i dytë dhe i tretë me 6 brigada këmbësorie dhe veprimi ushtarak pushtues ishte drejtimi Tuz-Koplik-Shkodër.
– Grupimi i Jugut, ose i Bregdetit përbëhej nga divizioni i parë kishte 3 brigada këmbësorie me 11 mijë ushtarë dhe misioni i tij ishte pushtimi i portës së Shëngjinit, të Lezhës dhe të Shkodrës. Pas disa ditësh, pikërisht më 14 tetor edhe Serbia marshoi në drejtim të Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa përkrah saj më 17 tetor Bullgaria angazhoi një divizion prej rreth 40 mijë ushtarësh në drejtim të Maqedonisë, duke synuar Kumanovën, Shkupin e Luginën e Vardarit. Ndërkaq një ditë më vonë/18 tetor/ Greqia me një forcë mobilizuese prej 115 mijë vetash, sulmon Shqipërinë Jugore për të pushtuar Çamërinë.
Në operacionet për pushtimin e Kosovës Serbia angazhoi 286 mijë forca operative me 550 armë artilerike. Kjo forcë operative ishte e strukturuar në katër armata.
A) Armata e parë që numronte 126 mijë forca, komandohej nga princi trashëgimtar-Aleksandër Karagjorgjeviç, me qendër në Vranjë dhe kjo armatë kishte 6 njësi të mëdha që udhëhiqeshin nga shefi i shtabit Petar Bojoviqi. Në kuadër të kësaj armate ishin: Divizioni I i Moravës, Divizioni II i Timokut, Divizioni I dhe II i Drinës etj. Në Armatën e parë ishin këto efektiva: 76 batalione, 30 eskadrone, 40 batari etj.
B) Armata e dytë numëronte 75 mijë forca dhe komandohej nga gjenerali Stepan Stefanoviq. Qendra e kësaj armate e kishte zgjedhur vendkomandimin në Qystendil. Në efektivat e saj ishin: 40 bastalione, 5 eskadrone dhe 24 batari.
C) Armata e tretë përbëhej prej 63 mijë forcash, të komanduar nga gjenerali Bozhidar Jankoviç (udhëheqës i organizatës çetnike serbe “Narodna Odbrana”) dhe nga shefi i shtabit koloneli Dushan Peshiq. Kjo armatë vendomandimin e kishte në Kurshumli. Efektivat e kësaj armate ishin: 44 batalione, 9 eskadrone dhe 25 bateri…
D) Përveç këtyre forcave, vepronin edhe repartet ushtarake të Ibrit e Javorit dhe ato të Malit të Zi, që në fakt përbënin armatën e katërt, me një efektivë prej 35 mijë forcash, me komandant-gjeneralin Mihajlo Zhivkoviç. Ky grupim ushtarak vend komandën e kishin në Rashkë. Në këtë armatë përfshiheshin: 16 bateri dhe 2 eskadrone me 8 bateri të divizionit “Shumadia” me 23-mijë veta dhe brigada “Javori” e komanduar nga kolonel M.Angjellkoviq, që përbëhej nga 8 bateri, 1 eskadron dhe 3 bateri me gjithsej 12 mijë ushtarë. Komandant i përgjithshëm i ushtrisë serbe ishte vetë mbreti Pjetër Karagjorgjeviqi, ndërsa shef i Shtatmadhorisë gjenerali Radomir Putnik.33

Gjenerali famëkeq Bozhidar Jankoviç Komanndant i armatës së III-të serbe dhe udhëheqës i organizatës çetnike serbe “Narodna Odbrana”.

……………………………………………..

Armata e I dhe II serbe, me urdhër të shefit të Shtatmadhorisë gjeneralit Radomir Putnik, ndërmori mësymjen në drejtimin: Vranjë-Kumanovë-Manastir-Elbasan(për të kapur luginën e Shkumbinit), si dhe në drejtimin: Nish-Manastir-Selanik, të ndihmuar nga një divizion bullgarë, që operonte në kuadër të armatës së II serbe. Ndërkohë Armata e III kaloi në mësymje-në drejtimin Kurshumli – Prishtinë – Prizren – Orosh(Mirditë) – Durrës, ndërsa grupimi i IV në drejtimet Rashkë – Sanxhak – Mitrovicë – Pejë dhe Javor-Selenicë-Prijepojë. Objektivi i afërt i armatës së tretë dhe grupimit të katërt ishte kapja e luginës së Drinit, ndërsa objektivi i largët ishte lugina e Shkumbinit dhe dalja në detin Adriatik. E tërë kjo strategji e koncentrimit ushtarak ishte përcjellur me ndihmë logjistike dhe mjekësore nga Rusia dhe Franca si dhe prej disa shteteve të tjera evropiane.34
Sipas planeve strategjike, forcat serbe në drejtim të Kosovës operuan në dy etapa.
1. Etapa e parë e ndarë në dy faza, përfshiu operacionet për pushtimin e Rrafshit të Kosovës dhe më pas Rrafshin e Dukagjinit deri në Luginën e Drinit.
2. Ndërkaq etapa e dytë nis me mësymjen e forcave serbe në drejtim të Lumës për të dalur në Adriatik.35
Qëndresa shqiptare përballë ushtrisë pushtuese serbo – malazeze

Përballë ushtrisë pushtuese serbe u gjendën forcat kryengritëse shqiptare dhe disa efektiva të vogla turke. Kryengritësit shqiptarë ishin dislokuar në këto pozicione:
1. Në veriperëndim të Shqipërisë në gjerësinë frontale të qëndresës: derdhja e lumit Bunë – Hot – Kelmend, forcat shqiptare drejtoheshin nga Ded Gjo Luli;
2. Në veri, në drejtimet kryesore: Pejë – Beranë – Bjellopojë me thellësi mbrojtjeje nga Berana deri në Gjakovë dhe në gjerësi frontale të mbrojtjes: Guci – Beranë – Plavë, forcat e qëndresës shqiptare udhëhiqeshin nga Bajram Curri, ndërsa në vijim – drejtimin e Sanxhakut, Pazarit të Ri, me thellësi mbrojtjeje nga Senica deri në Mitrovicë dhe me gjerësi frontale: Selenicë – Jenipazar e mbulonte Isa Boletini.
3. Në verilindje, drejtimet Llap-Gollak me thellësi nga Merdari në Prishtinë dhe me gjerësi frontale: Permalinë-Bujanovc i mbronin forcat shqiptare në krye me Idriz Seferin.
4. Në Lindje, nga Presheva deri në thellësi të Shkupit me gjerësi frontale: Bujanovc – Gjystendil… flamurin e qëndresës e mbanin Hasan Prishtina, Mehmet Deralla i Tetovës dhe Elez Isufi i Dibrës.
5. Ndërkaq me kuadrin e një mbrojtjeje të shkallëzuar brenda territorit, ngrihej grupimi luftarak që mbulonte hapsirën e bashkimit të Drinit të Bardhë e të Zi (Lumë). Këto forca vullnetare udhëhiqeshin nga patriotët Ramadan Zaskoci, Islam Spahija e shumë të tjerë.36

Më 14 tetor 1912 forcat e Armatës III serbe ishin koncentruar në këto zona: Zona e Toplicës përfshinte Divizionin e Shumadisë në sipërfaqen Kurshumli – Bajë e Kurshumlisë; Divizioni i dytë i Moravës ishte i stacionuar në terenin Merdar – Raqë; Divizioni 2 dhe 3 i artilerisë ishte i koncentruar në zonën: Kurshumli – Bllacë. Në këtë teritor ishin përqëndruar edhe një bateri e rëndë topash dhe bateria 3 e të ashtuquajturave ”haubica” që kishin mundësi të gjuajnë me frekuenca të gjata. Ndërkaq, në zonën e Medvegjës ishin koncentruar: Brigada e parë e Moravës dhe Divizioni i dytë i Drinës në territorin Ratkocer – Merkonjë – Medvegjë; brigada e parë e Moravës ishte koncentruar në terenin Dukat – Maja e Topallës – Tullar, ndërsa divizioni i parë malor dhe bateria e 4-t e haubicave ishte e koncentruar në sipërfaqen Medvegjë – Lebanë. Nga grupi i Toplicës ishin koncentruar këto forca serbe: Divizioni I i Shumadisë nëpër Lumin e Bajës deri në Perpalac, me qëllim të depërtimit kah Podujeva dhe Prishtina. Regjimenti 11 (batalioni 1 dhe 2 me baterinë e 6 fushore)ishin përqëndruar në shkrepat e Dabishevcit; Regjimenti 12 ishte vendosur në nyjën strategjike Perpallac (batalioni 1 dhe 2) në Shushnjakë dhe Erëlishtë deri te Kërtoku (batalionet 3 dhe 4 me bateritë 4 dhe 5 fushore)duke marrë pozicione vrojtuese në lidhje me njësitë ushtarake në Dabinoc… 37 Të gjitha këto forca vetëm e pritnin urdhërinë për të sulmuar forcat kufitare shqiptare dhe për të depërtuar brenda në Kosovë.
Beteja e parë e përgjakshme në mes forcave kryengritëse shqiptare dhe forcave serbe u zhvillua nga 14/15 tetor 1912, në zonën kufitare të Merdares për t´u shtrirë mëpastaj në të gjitha hapsirat frontale. Në të vërtet në teritorin e Merdarit, sipas të dhënave serbe, aradhat çetnike pa lejen e Komandantit të Armatës III dhe Divizionit II të Moravës i sulmuan forcat kufitare shqiptare, mirëpo në këto luftime forcat shqiptare dolën fitues. Ndërkohë, komanda serbe mori masa mobilizuese, por megjithatë, një krahë të ushtrisë e përfshiu paniku dhe u larguan nga fronti. Deri më 18 tetor, me urdhër të komandës serbe, me qëllim të shkaktimit të konflikteve të vogla, krijimit të frikës në popull dhe depërtimit sa më lehtë në Kosovë, në brendësi të Kosovës(fshehtas) u futën katër aradha çetnike, si:
1. Aradhën Çetnike të Llapit, nën komandën e kapiten Vojisllav Tankosiqit,
2. Aradhën Çetnike të Lisicës, nën komandën e kapiten D.Sekuliqit,
3. Aradhën Çetnike të Llukovës, nën komandën e kapiten P.Bllazhariqit dhe
4. Aradhën Çetnike të Gjilanit nën komandën e kapiten B.Simiqit.”38

Dhe, më 18 tetor në të gjitha vijat e frontit u përhap zjarri i luftës. Gjatë këtyre luftimeve të përgjakshme, ushtria pushtuese serbe pësoi humbje të mëdha, ku pati 1400 të vrarë e të plagosur. Pas disa ditë luftimesh të përgjakshme, forcat e qëndresës shqiptare nën presionin shkatrrimtar të zjarrit artilerik të trupave pushtuese serbe, u tërhoqën në drejtim të Podujevës. Në afërsi të Podujevës (te Merçezi) divizioni i Shumadisë – hasi në rezistencë të forcave shqiptare, mirëpo për shkak të epërsisë ushtarake dhe artilerisë së rëndë, këto forca detyrohen sërish të tërhiqen. Gjatë këtij operacioni, forcat serbe duke e përdorur tërë artilerinë e rëndë, dogjën e rrafshuan me tokë shumë fshatra të Llapit.

Kryengritësit Shqiptar të vitit 1912

……………………………………

Përkundër rezistencës shqiptare, natën e 20/21 tetorit 1912 ushtria serbe e pushtoi Podujevën dhe menjëherë vendoset regjimi ushtarako-policor në tërë regjionin e Llapit. Komandanti i Armatës së tretë serbe gjenerali Bozhidar Jankoviq me qëllim të depërtimit sa më të lehtë në drejtim të Prishtinës dhe gjetiu, lëshoi një proklamatë të shkruar me germa çirilike në gjuhën shqipe të titulluar: “T Tona Fiseve n`Shqipni, or vllazni”, në të cilën i ftonte shqiptarët që të mos i bëjnë rezistencë ushtrisë serbe, sepse ajo kishte ardhur si “mike e shqiptarëve” për “të përzënë ushtrinë turke nga Ballkani”! Në fund të proklamatës porositen shqiptarët, që nëse do të shtinin në ushtrinë serbe “pushk n kemi me qit m qato, qi qetë në ne, elle na lasht Zoti, shkrum kemi me e bo qat shpi, e katundin, qi na kthen pushk n,e qato qi na pret vllaznisht, kemi me perqaf vllanisht, sikur vllau vllaun, se po bim m nji dor: Bes n e Zotit, dretën e njerzin, e në qetrën po bajim arm e zjarm…”39 
Gjatë kësaj faze bie në sy tërheqja dhe shmangia e efektivave turke nga ballafaqimet e armatosura me ushtrinë serbe… Kjo tërheqje pa qëndresë (e turqëve) sidomos e reparteve të Baftjar Pashës nga Mitrovica nëpër Drenicë për në Gostivar dhe e 12 reparteve të divizionit 21 të Xhavit Pashës nga Sanxhaku, nëpër Has e Lumë për në Dibër, dëshmojnë qartë, për arritjen e një marrëveshjeje serbo-turke: që këto forca të tërhiqen pa gjakderdhje nga tokat shqiptare. Më 22 tetor 1912, Divizioni i Shumadisë dhe ai i Moravës të armatës III e sulmuan Prishtinën dhe pas një lufte të përgjakshme në grykën e Teneshdollit, për munges municionesh Prishtina ra në duar të tyre. Menjëherë pas hyrjes së ushtrisë serbe në Prishtinë, filloi aksioni për çarmatimin e shqiptarëve nga kufiri deri në Prishtinë. Më 24 tetor pa u ndalur fare, ushtria serbe nis një operacion me përmasa shfarosëse në drejtim të Ferizajit dhe Kaçanikut. Pas luftimeve të përgjakshme, forcat serbe me përdorimin e gjithë arsenalit të artilerisë së rëndë, më 25 tetor futen në Ferizaj, ndërsa një ditë më vonë marrin nën kontroll edhe Kaçanikun.40
Krahas këtyre operacioneve (të armatës së III), në krahun lindor operonin 126 mijë trupa të armatës së parë(I). Këto forca gjatë marshimit në drejtim të Shkupit, hasën në rezistencë të forcave kryengritëse shqiptare dhe nga 22-24 tetor 1912 në Kumanovë u zhvillua beteja më e madhe deri atë kohë. Beteja e Kumanovës u zhvillua midis malit Kozjak në lindje, Malit të Zi të Shkupit në perëndim, midis lumenjve Pqinje dhe Lumit të Madh në jug, si dhe në veri të fshatrave Llojan, Karabiqan, Nikulan dhe Strezovc. Në Betejën e Kumanovës, e cila mendohet se ishte vendimtare për fatin e luftës së vitit 1912, armata serbe pati 21 oficerë dhe 702 ushtarë të vrarë. Qëndresa heroike e forcave shqiptare që drejtoheshin nga Hasan Prishtina, gjeneral Mehmet Deralla, Elez Isufi dhe Idriz Seferi, në saje të forcave serbe shumëfish më të mëdha dhe përdorimit të armëve artilerike, u thye më 24 tetor. Ato ditë, të gjitha fshatrat shqiptare mbetën të boshatisura dhe afër 150 mijë të ikur u përqëndruan në Shkup. 41
Pas betejës së Kumanovës dhe pushtimit të qytetit, më 26 tetor 1912 ushtria serbe pushton pa luftë edhe Shkupin. Gjatë rrugëtimit për në Shkup ushtria serbe vrau e masakroi pa mëshirë rreth 2 mijë shqiptarë. Ato ditë, pas rënjes së Shkupit, ushtria serbe i kap të gjallë, 13 krerë Kryengritjes Kombëtare Shqiptare si:
1.Hasan Prishtinën (ai u kap në rrethinën e Shkupit derisa po bënte përpjekje mbinjerëzore të rezistencës dhe me tërë qenien përpiqej të pengonte tërheqjen dhe shpërnguljen e popullit shqiptar nga friga e barbarisë serbe);
2. Nexhip Dragën nga Mitrovica;
3. Seid Efendin nga Shkupi;
4. Shaban Pashën nga Prishtina;
5. Qemajl Beun nga Shkupi;
6. Hurshid Omerin nga Prishtina;
7. Rushit Beun nga Dobratini i Prishtinës;
8. Muharrem Efendin nga Prishtina;
9. Xhemajl beun nga Prishtina;
10. Jashar Pashën nga Peja;
11. Ibrahim bej Kokola nga Prishtina;
12. Idriz Seferin nga Gjilani;
13. Kasum Seferin nga Gjilani;
14. Mustafë Muhsinin nga Stambolli, profesor i Gjimnazit në Shkup. Të arrestuarit internohen dhe izolohen në Kështjellën e Beogradit.42

Duke qenë në burg, komandanti i armatës së III (Bozhidar Jankoviç) me qëllim të “qetësimit” të gjendjes në Kosovën e pushtuar, kërkoj ekzekutimin e këtyre prijësve, ndërsa qeveria serbe për shkak të famës që kishin ata në popull, iu shmang një veprimi të këtillë. Pas qëndrimit disa muajsh, më 16 maj 1913 ata do të lirohen nga burgu me kusht “se do të bëhen qytetarë lojalë të mbretërisë së Serbisë”. Në ngjarjet e mëvonshme, ndonëse emrat e disave nga të liruarit nuk do të përmenden kurrënjëherë (ndoshta për shkak të lojalitetit ndaj pushtuesve), të tjerët në krye me atdhetarin Hasan Prishtina do t’i bashkangjiten qëndresës shqiptare deri në vdekje.43
Me betejën e Kumanovës gjegjësisht me pushtimin e Shkupit dhe përgjithësisht të Rrafshit të Kosovës, përfundon faza e parë e luftrave pushtuese serbe në Kosovë dhe fillon faza e dytë (e etapës së parë) për pushtimin e Rafshit të Dukagjinit.
Luftrat e përgjakshme në Rrafshin e Dukagjinit
Operacionet pushtuese të ushtrisë serbo-malazeze në drejtim të Rrafshit të Dukagjinit, filluan qysh më 30 tetor 1912, kur shërbimi i zbulimit të armatës së III njoftoj komandën supreme të saj “se prijësit shqiptarë po thërrisnin nën armë lumjanët dhe fiset përqark” në Dukagjin.44 Në operacionet mësymëse drejt Prizrenit dhe Gjakovës u angazhuan divizionet “Shumadia-1” dhe “Drina-2”, ndërsa Brigada “Morava” operonte drejt Tetovës, në krahun e majt të këtyre dy divizioneve. Përleshjet e para me forcat e qëndresës shqiptare nisën në rrethinat e Ferizajit, në fshatin Skullupovë dhe në Hanin e Zborcit për të vazhduar më pas në Shtimje e në Duhël-Grykë të Carralevës. Në pozicionet: Gryka e Carralevës – Qafa e Duhlës – Llapushë, që nga 21 tetori ishin rreshtuar forcat shqiptare të ardhur nga Luma, bajraku i Përdrinit e të Ostrozupit. Në krye të këtyre forcave ishin: Ramadan Zaskoci, Sali Spahija, Qazim Lika, Ahmet Qehaja, Cen Daci, Ramadan Çejku – nga Luma; Abaz Bajraktari nga Ostrozupi; Rexhë Bardhi e Ramadan Shabani nga Kijeva; Hasan Hyseni, Dostan Kabashi nga Suhareka, Rexhë Ali Mehmeti nga Hasi e shumë të tjerë.45
Njëkohësisht me këto beteja të përgjakshme, në pjesën veriperëndimore dhe verilindore të Kosovës, (në drejtim të Rrafshit të Dukagjinit), pasi e kishin pushtuar Beranën (Ivangradin), Plavën, Gucinë, Jeni Pazarin, Rozhajën, Javorin… ia mësynë forcat e grupimit lindor-malazez dhe ato të grupimit të katërt serb (njësia e Ibrit). Forcat serbo-malazeze pas thyerjes së qëndresës shqiptare në rrethinat malore të Pejës, me 30 tetor u futën në këtë qytet pa luftë. Në të vërtet qyteti i Pejës iu dorëzua forcave pushtuese, nga paria bashibozuke e prirë nga Sefedin Mahmut Begolli, pasi nënshkroi aktin e tradhtisë një ditë përpara (29 tetor) në Çafë të Paklenit – me gjeneralin e grupimit lindor malazez Janko Vukotiqin. Për këtë shërbim, me rastin e formimit të administratës “krahinore” në Pejë (më 3 nëntor 1912), Sefedin M.Begolli do të emrohet kryetar i gjykatës.46
Në operacionet pushtuese, drejt Deçanit e Gjakovës, gjatë datës 1-3 nëntor 1912, forcat serbo-malazeze, në malet e Junikut dhe te “Kërrshi i Mergegës” u përballën me forcat shqiptare të udhëhequra nga Bajram Curri, Bajram Daklani etj. Mirëpo për shkak të epërsisë numerike dhe përdorimit të artilerisë së rëndë, forcat e qëndresës shqiptare tërhiqen në vijën strategjike përgjatë Qafës së Morinës.47 Ndërmjet 5/6 nëntorit 1912, trupat serbe dhe malazeze pushtuan Gjakovën, dhe pas një grindjeje ndërmjet tyre, këtë qytet e ndanë në dy pjesë, sipas përroit të Taphanës (lumit Krena) që kalon mespërmes qytetit. Kjo grindje në mes të ushtrisë serbe e malazeze u bë se kush do ta zotëronte Gjakovën. Gjakova ndoshta ishte i vetmi qytet që atëkohë u nda nga forcat aleate, të cilat pushtonin bashkarisht tokat shqiptare. Forcat e Grupimit të gjeneral J.Vukotiçit nga 20 nëntori, do t´i shkojnë në ndihmë Grupimit të Qendrës, me rreth 5500 trupa në përforcim të rrethimit të Shkodrës.48
Derisa zhvilloheshin luftime të përgjakshme për mbrojtjen e Gjakovës, Divizionet “Shumadia-1” dhe “Drina-2” duke e përdorur tërë arsenalin e armatimit të rëndë ndaj fshatrave shqiptare në Shtimje e Grykë të Carralevës, synonin pushtimin e Prizrenit. Më 25 tetor 1912, ndonëse në Grykë të Carralevës ishin fortifikuar rreth 3-4 mijë kryengritës shqiptarë, në një përleshje triumfuan mbi forcat serbe, të cilat u detyruan të tërhiqen përkohësisht. Ndërkaq në sulmin e dytë ajo arriti t´i thejë forcat shqiptare. Pas thyerjes së qëndresës në Carralevë e në Qafë të Duhlës, forcat shqiptare tërhiqen drejt jugut, për t´u përqëndruar në zonat malore të Pashtrikut, Koretnikut, Gjallicës (Pikllimës) e të Sharrit.
Në mëngjesin e 3 nëntorit1912, ushtria serbe hyri në Prizren pa hasur në rezistencë nga shqiptarët, duke marshuar nëpër qytet, me qëllim të demonstrimit të forcës para popullsisë së paarmatosur shqiptare. Vetëm ditën e parë, ushtria serbe rrugëve të qytetit dhe nëpër shtëpitë e tyre vrau rreth 400 shqiptarë të pafajshëm. Më 5 nëntor, në Prizren u vendos edhe komanda e armatës së III serbe në krye me komandantin famkeq gjeneralin Bozhidar Jankoviq. Forcat e ushtrisë serbe (armata III dhe grupimi i katërt) dhe forcat e grupimit lindor malazeze, pas tri jave luftimesh të përgjakshme, të shoqëruara me vrasje e masakrime të shumta në gra, pleqë e fëmijë dhe shkatërrime e djegje të qindra fshatrave shqiptare, arriti ta pushtojë Kosovën. Forcat pushtuese serbe, në javën e parë të nëntorit 1912 qenë pozicionuar në gjerësinë frontale: “nga rrëza e qytetit të Shkodrës – Plavës e Gucisë – Rrëzë Qafës së Morinës në Malësi të Gjakovës – rrëzë Qafës së Prushit në Has – rrëzë Qafës së Zhurit në Lumë dhe rrëzë Gurit të Zi (Sharr) – Tetovë. Ndërkaq në gjerësinë e ngushtë frontale në drejtim të Lumës, dy divizionet e eskalionit të parë (Shumadia-1 dhe Drina-2) të armatës së III, shtriheshin në vijën “… Gjakovë – Ura e Fshejtë – Planejë – Kobajë – Leskovec – Guri i Zi në Sharr (pjerrësia perëndimore). 49 Këtu mbyllet faza e dytë e etapës së parë të luftimeve pushtuese dhe nis përgaditja e etapës së dytë të operacioneve serbe për pushtimin e Lumës dhe daljen e saj në Detin Adriatik, synim ky i kahmotshëm i saj.
________________
R e f e r e n c a t
1. Historia e Popullit Shqiptar II, Tiranë 2002, fq.370, 374.
2. Po aty
3. Po aty. * Në prill të vitit 1909 kur Sulltani i fundit turk Abdyl Hamiti II, nga presionet e shumta për vezir të ri kishte emruar Xhevat Pashën, dhoma e deputetëve të Parlamentit turk për Kryetar të Parlamentit do ta zgjedh Ismail Qemalin.(Nga kujtimet e Sulltanit Abdyl Hamiti II, botuar në librin e Mishel de Gres “Sulltani i fundit”, e që në shqip e botoi “Plejad” në Tiranë
4. Gazeta – Korrieri, Tiranë, mars 2004
5. ASHSH-Instituti i historisë ”Historia e popullit shqiptar” (II), Tiranë 2002-Toena, fq.463.)
6. Dr.T.Abdyli: Hasan Prishtina në lëvizjen kombëtare e demokratike shqiptare 1908-1933, Prishtinë 2003, fq.100.
7. ASHSH – Instituti i historisë”Historia e popullit shqiptar”(II), Tiranë 2002-Toena, fq.463. /G.Demiri(Ratkoceri), Kryengritja shqiptare e vitit 1912, Tiranë 1997, fq.11
8. Po aty, fq.467
9. Dr.T.Abdyli: Hasan Prishtina…monografi, Prishtinë 2003, fq108,/ J.Kadishani: Sadik Rama-Gjurgjeviku (1872-1944), Prishtinë 2003, fq.112.
10. I.Halilaj, Luma për pavarësinë e 1912-ës, Dy drinat (Revistë shkencore dhe kulturore), nr.8, Bicaj- Kukës , maj 2006, fq.29.
11. Në kuvendin e Junikut krahinën e Lumës e përfaqësuan: Islam Spahiu, Ramadan Zaskoci, Sheh Salihi, Alush Agë Luma, Nezir Bajraktari e tjerë.
12. Historia e shqipërisë dhe e shqiptarëve, Prizren 2001, fq.156. /Gazeta: Liria e Shqipërisë”, Sofje nr.43, 31.V.1912 J.Kadishani:vepra e cituar, fq.113./ Instituti i historisë:Isa Boletini dhe koha e tij, Prishtinë 1998, fq.42 ./Dr.F.Pushkolli:vepra e cituar,fq.63.
13. G.Demiri(Ratkoceri) , vepra e cituar, fq. 56 – 57.
14. Dr.T.Abdyli: Hasan Prishtina, në lëvizjen kombëtare e demokratike shqiptare 1908 – 1933, Prishtinë 2003, fq.116 /Dr.Xh.Shala: Marrëdhëniet shqiptaro – serbe 1912-1918, Prishtinë 1990; /Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1875-1912, Tiranë, 1978, fq. 240-241. /Dr.Sh.Rahimi: Lufta e shqiptarëve për autonomi (1897-1912)Prishtinë 1978, fq.206.
15. Instituti i historisë: Isa Boletini dhe koha e tij, Prishtina 1998, fq.80. Gazeta: Narodna Pravda, 16.06.1912; Albanskoto vstanie, Bulgaria – 10.07.1912
16. Istituti i historisë: Isa Boletini…vepër e cituar, fq.99.
17. po aty, fq.485
18. Historia e popullit shqiptar, Tiranë 1994
19. Në kohën kur kryengritësit shqiptarë e çliruan Prishtinën dhe zhvilloheshin bisedimet ndërmjet palës shqiptare dhe asaj turke në Prishtinë, në Fier u mbajtë një mbledhje e patriotëve shqiptarë e kryesuar nga Ismail Qemaili . Dhe nga kjo mbledhje i dërgohet një telegram Hasan Prishtinës, që t´i përfaqësonte ata në bisedime . (G.Demiri (Ratkoceri, vepra e cituar, fq. 66)
20. Dr.T.Abdyli: vepra e cituar, fq. 128-129
* Gjatë procesit të bisedimeve Isa Boletini, Riza Beu, beglerët e Pejës dhe turkoshakët tjerë, sollën pengesa serioze në imponimin e kërkesave të shtruara palës turke nga Hasan Prishtina. Të ndikuar nga propagandaantishqiptare, këta krerë të luhatshëm haptas deklaruan se: ”Na nuk duem autonomi dhe nuk mund të ndahemi prej osmanlive” (citat nga libri ‘Një shkurtim kujtimesh’ të shkruar nga Hasan Prishtina.)
16. Po aty
21. Dr.T.Abdyli: vepra e cituar, fq. 133 – 135 /cituar nga libri i Hasan Prishtinës :”Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912”, Bari 1925 ./J.Kadishani: Sadik Rama – Gjurgjeviku(1872-1944), Prishtinë 2003, fq.121-122. /Dr.F.Pushkolli: Mbrojtja kombëtare shqiptare e Kosovës 1878-1990, Prishtinë 1991, fq.64-65.
22. Dr.T.Abdyli: Vepra e cituar, fq.149-150. / Sh.Hoxha – Luma në luftërat për liri, Tiranë 2002, fq.152/153.
23. Prof.Dr.H.Bajrami: Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912 (1), Prishtinë 2003,fq.64.
* Sipas të dhënave të Islam Riza Spahiut nga Kolesjani i Lumës, nip i atdhetarit Islam Spahija,del se: ”Islam Spahija nuk ka qenë vet në Shkup në gusht të vitit 1912 ,për shkak se ishte i moshuar dhe se ai atje është përfaqësuar nga një i fisit të tij: Sali Spahija. Por në”Letrën e krenëve ”Saliu ka nënshkruar si përfaqësues i Lumës Islam Spahija, sepse ai njihej si udhëheqës i krahinës. (”citat i marrë nga libri i Shefqet Hoxhës: Luma në luftrat për liri, fq.166.
24. G,Demiri (Ratkoceri), vepra e cituar, fq.71 (Gazeta”Liri e Shqypnisë”, nr.53, më 16 gusht 1912).
25. Doktrinës politike agresive serbe për ta pushtuar Kosovën dhe viset tjera shqiptare, nuk i ka ndihmuar askush më tepër se sa politika dyftyrëshe e Austro-Hungarisë, edhe pse në historiografinë shqiptare dominon mendimi i rremë se Austrohungaria e ka ndihmuar popullin shqiptar. Për të argumentuar ndihmën asustrohungareze dhënë serbisë, nisemi nga konventa sekrete në mes të Serbisë dhe Austrohungarisë të bërë më 28 qershor 1881.
Në nenin VII të kësaj konvente thuhet: ”Nëse me krijimin e ngjarjeve, zhvillimi i të cilave nuk mund të parashikohet, Serbia do të jetë në gjendje që të zgjerohet në drejtim të kufijve të saj jugorë (duke përjashtuar Sanxhakun e Novi Pazarit), në këtë drejtim Austro-Hungaria nuk do ta kundërshtojë dhe njëherit do të angazhohet që edhe fuqitë e tjera të pajtohen për qëndrim të kënaqshëm për Serbinë”. (Shih: Dr.F.A.Probram: Die politischen Geheimvertrage Osterreich-Ungarns 1878-1914,I, fq.18-20) Citat i marrë nga libri i Prof.Dr.H.Bajrami: Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912, fq.27-28.
– Doktrinës politike serbe i kontribuo edhe Marrëveshja në mes të Rusisë e Austro-Hungarisë më 17 maj 1897, ku asnjë dokument tjetër i Fuqive të Mëdha s´ka qenë më tragjik se ky për shqipërinë. Në pikën 3 /b të kësaj marrëveshjeje tekstualisht thuhet: ”Pjesa e përfshirë midis Janinës në Jug dhe Liqenit të Shkodrës në veri me një shtrirje të mjaftueshme nga ana e lindjes, do të formojë një shtet të pavarur me emrin Principata e Shqipërisë, duke përjashtuar çdo sundim të huaj.
C) Pjesa tjetër e territorit disponueshëm do të ndahet në mënyrë të drejtë midis shteteve të vogla të ndryshme të Ballkanit që ekzistojnë sot. Në këtë ndarje Austro-Hungaria dhe Rusia ruajnë të drejtën që të merren vesh në kohën e duhur…” ( A.F.Pribram, Les treites politiques secrete de L Aitriche-Hongrie, I Pris 1923 fq. 109.) Duke u nisur nga citati i sipërtheksuar,shtrohet pyetja se a nuk u realizua kjo marrëveshje në Konferencën e Londrës më 1913, duke e pranuar një gjysëm Shqipërie….?!
– Më 1903 u realizua edhe konventa sekrete në mes Austro-Hungarisë dhe Greqisë, ku në një pasus thuhet: ”Austro-Hungaria e pranon sferën e interesit grek deri te lumi Shkumbin, në jug të Durrësit, kjo do të thotë në tërë Vilajetin e Janinës dhe një pjesë të Vilajetit të Manastirit dhe deri në ata kufijë monarkia i pranon interesat greke. Greqia nga ana e saj pranon sferën e interesit austriak në tërë Vilajetin e Shkodrës dhe në tërë Maqedonin deri të selaniku.Kjo konventë sekrete mbetet në fuqi edhe në rast të ndërrimit të status quos në Ballkan, deri në atë rast të shkatërrimit të integritetit të perandorisë osmane, me ç´´rast të dy shtetet obligohen që të ndihmojnë njëra tjetrën. ”Nënshkrimin në këtë Konventë e kanë vënë Cari Franc Jozef në emër të Austro-Hungarisë dhe Mbreti Gjorgje në emër të Greqisë. Këtë Konventë e ka botuar në qershor 1906 gazeta e Romës: ”Courrier des Balkans”. /Këto citate u morën nga libri i prof.Dr.Hakif Bajramit: Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912, Prishtinë 2003, fq.27-32.
26. Dr.Xh.Shala: Vepra e cituar, fq.45.
27. Dr.Xh.shala: Vepër e cituar më lartë.
28. Ideja për themelimin e një aleance të shteteve ortodokse ballkanike është bërë në vitin 1908 nga Ministri i punëve të jashtme të Rusisë Izvoleski, me qëllim të realizimit të planit pansllavist të Nikollaj Danillevskit. Fillimisht për këtë çështje do të bisedojnë Serbia me Bullgarinë, pastaj në prill 1911 do të bashkohet edhe Greqia dhe në këtë mënyrë do të krijohen konturat sllavo-ballkanike për bashkimin ushtarak të të gjithë ortodoksve, strukturë kjo me të cilën komandonte përfaqësia ruse në Stamboll, duke u bazuar pikërisht në programin e Nikollaj Danillevskit.
29. Instituti i historisë:Kosova, nr.20/21, Prishtinë 1998/1999, fq.84 /cituar: Vojna medždu Bulgarija u Turcija 1912-1913 god.,Tom i , Podgotovska na vojnata, Sofija 1937, str.47./
30. Sh.Braha: Beteja e Drinit kundër agresionit serb(nëntor 1912), Prizren 2000, fq.31; /Sh.Braha:Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare, (1844-1990), Gjakovë 1991, fq.135.
31. Dr.Xh.Shala- Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1912-1918, Prishtine 1990, fq.52; /A.Puto: Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Tiranë 1978; /Piro Tako: Luigj Gurakuqi, Tiranë 1980, fq.179;
32. Sh.Braha: “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1844-1990), Gjakovë 1991, fq.129. /Prof.Dr.H.Bajrami: Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912(1), Prishtinë 2003, fq. 66-67. R.Fiçorri: Ushtritë e huaja në Shqipëri-1912-1922, Tiranë 2002, fq.92
33.Prof.Dr.H.Bajrami: Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912, Prishtinë 2003, fq.36
34. Sh.Braha: Vepra e cituar, fq.139
35. Po aty, fq.138
36.Prof.Dr.H.Bajrami: vepra e cituar, fq.73-74.
37.Dr.L.Rushiti: “Rrethanat politiko-shoqërore në Kosovë 1912-1918 Prishtinë, Rilindja 1986, fq.17 /Prof.Dr.H.Bajrami:vepra e cituar, fq.78.
38. Prof.Dr.H.Bajrami:vepra e cituar, fq.37-38./
39. Dr. L.Rushiti: Vepra e cituar, fq.28; /Dr.Xh.Shala:Vepra e cituar, fq.56-57.
40. ASHSH- “Kosova në vështrimin enciklopedik”, fq.104. /Dr.Xh.Shala:Vepra e cituar, fq.58-59 /A.Stojiqeviq: Istorija nashih ratova, 1912-1918, Beograd 1932, fq.143.
41. L.Rushiti:Vepra e cituar, fq.134-135; Dr.Xh.Shala:vepra e cituar, fq.114. /S.Martinoviq – Qëndrimi i ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve… në vitet 1912 – 1913, Gjurmime albanologjike – VII-1977, Prishtinë 1978, fq259. / Shih: AV.II.Beograd P.2, K.13-1/2 ov 1141/13 (raporti i Panta Gavrilloviqit dërguar Komandës Supreme Serbe në Shkup më 27 nëntor 1912.) /Sh.Braha:Vepra e cituar , fq.191-192
42. Sh.Braha – vepra e cituar, fq.192.
43. B.Ratkoviç- “Prvi Balkanski Rat 1912-1913” Beograd 1975, fq.251
44. Sh.Braha: V.c., fq.144 . /Sh.Hoxha-Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, fq.171.
45. L.Rushiti: Vepra e cituar, fq.34-35
46. Po aty
47. R.Fiçorri-Ushtritë e huaja në Shqipëri 1912-1922, Tiranë 2002, fq.48
48. Sh.Braha: Vepra e cituar, fq.144 (cit. AIH, A.IV.114, fl.X, fq.43 – njoftim i konsullit austrohungarez nga Prizreni.)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura