QEVERIA E KOSOVËS E SFIDUAR NGA JASHTË DHE NGA BRENDA!
Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Tuneli pa asnjë dritë
Nuk ka qeveri në Kosovë , që nga përfundimi i luftës e që është sjellur në mënyrë më përbuzëse ndaj opozitës dhe mediave se kjo e fundit që po udhëhiqet nga Albin Kurti , kryeminstër që e ka marrë rolin e Mesias dhe nuk njehë tjetër përveç vetes së tij. Ndjenja e madhështisë i ka ndihmuar të fitojë mbi 50 përqind të votave dhe ka krijuar të gjitha mundësitë që të bëjë punë të mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj , pa dallime partiake apo etnike. Karizma e tij e pakundërshtueshme e ka bërë politikan që do të duhej të kishte peshë të rritur specifike edhe në vendet tjera ku jetojnë shqiptarët , po të kishte qasje konstruktive. Përqindja e madhe e votave të fituara ia shtoi dukshëm adrenalinën e arrogancës , shpërfilljes dhe përbuzjes , në radhë të parë ndaj opozitës të cilën brutalisht e keqtrajtoi sikur edhe përkrahësve të orëve të para kur e kishte më së vështiri e që tash nuk pajtohen politikisht më këtë Mesia të hipotetikuar nga mosdurimi dhe urrejtja ! Se Albin Kurti ka kapacitet intelektual as dhe kundërshtari më i egër i tij nuk mund ta mohoi. Se ka kapacitet dhe shkathtësi oratorike , shihet gjatë çdo interviste apo debati me kundërshtarët politikë të cilët i sheh si armiq , në veçanti këta që e bënë luftën çlirimtare e që tani po mbahen si pengje në Burgun Racist të Hagës . Pas një kohe , kur të hapen letrat do të shihet se kontributi i disa anëtarëve të LVV që çlirimtarët të dërgohen në Hagë është bukur domethënës. Albin Kurti ka deklaruar publikisht se baba biologjik e ka Zaim Kurtin kurse baba politik e ka Adem Demaçin. E para nuk kundërshtohet kurse e dyta nuk është aspak e vërtetë . Albin Kurti nuk njehë asnjë baba politik por konsideron se është baba politikë i të gjithë shqiptarëve sikur edhe kosovarëve me prejardhje shqiptare . Krenaria e menaxhuar dhe e sinqertë t’i hapë të gjitha rrugët kurse mendjemadhësia të kurthon edhe brenda brekëve tuaja . Albin Kurti është rast tipik për këtë ! Keqpërdorim i skajshëm i karizmës së pakontestuar , në funksion të dhunimit të kundërshtarëve politikë ! Nuk ka politikan në historinë shqiptare dhe kosovare që ka pësuar një transformim apo shpërfytyrim të tillë sikur që e ka bërë kryeministri Kurti duke i ndërruar të gjitha qëndrimet , premtimet elektorale apo parimet nëse këto i konsiderojmë si kategori morale. Po pse ndodhi kështu ?
As në ëndrrën më optimiste, Albin Kurti nuk ka besuar se do t’i fitojë mbi 50 përqind të votave. Kur kjo u jetësua nuk diti si të veprojë . Në vend se në postet politike të emërojë anëtarë të subjektit fitues që është edhe normale ndërsa në postet profesionale të zgjedhë profesionistë të fushës , pa kritere politike , Albin kurti e bëri lesh punën ; në politikë zgjodhi kuadro që nuk marrin fare vesh nga politika kurse në poste profesionale emërojë politikanë të dështuar , injorantë , ish – bashkëpunëtorë të Jugosllavisë dhe të Serbisë , spiuj të UDB-së , KOS –it dhe fundërrina njerëzore dhe kombëtare . Nuk kishte njerëz të mjaftueshëm kompetentë për t’i mbushur të gjitha ato poste dhe vende që ia siguruan mbi 50 përqind të votave prandaj mori çdokend që ishte me te dhe që kundërshtonte luftën e sidomos ata që ishin kundër udhëheqësve të UÇK-së . Në opinion e krijoi një narrativë se këta janë kriminelë lufte , hajdutë të paqes dhe shkatërrues të shtetit të cilin nuk e bëri Albini e as këta yryshnikët të shitur si gazetarë , shoqëri civile apo analistë. Hakmarrjen e bëri model të qeverisjes , frikësimin si qershizë i kësaj torteje qeveritare kurse injorancën dhe nënshtrimin e përligji , deri te Akademia e Shekncave dhe e Arteve, në me krye një mendermethënë kryetar Akademie , me një të kaluar projugosllave dhe proudbashe. E caktoi një Ekip për bisedime teknike në me krye një tabula razë për bisedime politike , Besnikun ndaj Albinit , deri në shtrirje për toke . Në vend se të bëjë karrierë dhe të kontribuojë në fushën ku është profesionist , Besniku i Albinit u shndërrua në kukull shetitëse Prishtinë – Bruksel e që , më shumë i ngjante një gogoli se një kukulle . Besnikut të Albinit ia caktoi një grup këshilltarësh , disa prej tyre familjarisht dhe personalisht mercanarë të dëshmuar që “ honë dhe donë “ kishin qenë në shërbim të Jugosllavisë dhe të Serbisë dhe asnjëherë në shërbim të popullit , gjuhën e të cilëve edhe e flasin , madje e konsiderojnë edhe gjuhë amtare . Pastaj , për ta trashur edhe më shumë m..ja..n , ua punësuan edhe fëmijët në kohën kur fëmijët dhe familjarët e ushtarëve të UÇK-së , heronjve , ish të burgosurve politikë përndiqen apo terrorizohen duke i larguar nga puna . Sot në ministri të kësaj qeveria , ndërmarrje publike , borde keni ish bashkëpunëtorë të Jugosllavisë dhe të Serbisë që kanë përndjekur atdhetarët shqiptarë madje janë shumë të respektuar dhe të privilegjuar . Nga përvoja e them se çdokush që është ngritur duke keqpërdorur emrin e Bacës Adem Demaçi , pashmangshëm ka përfundur i shtrirë për toke . Kam frikë se kjo do t’i ndodhë edhe Albin Kurtit . Do ta shohim shumë shpejtë këtë ndonëse nuk do ta dëshiroja .
Antiamrikanizmi dhe antievropianizmi i Albinit, pushkë e zbrazët e opozitës
Kur qeveria Kurti 1 u rrëzua me ndihmën e Grenellit , Albinit vetëm sa iu rritën votat . Opozita atëherë bëri gabim që luajti në këtë kartë të djegur . Të njëjtin gabim po e bënë edhe tani ! Në vend se ta sulmojë për shkak të rritjes së varfërisë të qytetarëve , korrupsionit të profilit të lartë , nepotizmit atronomik , kapjes së pamoralshme të të gjitha institucioneve , të varura apo të pavarura qofshin ato , defaktorizimin në politikë të jashtme për shkak të një ministreje që këtë ministri e ka shndërruar në pornografi diplomatike , të një presidenteje që urrejtjen e ka modus vivendi , të një ministri të financave që ishte deklaruar si komandant i përgjithshëm i mercenarëve dhe margaritarëve tjerë , opozita po me akuzon Kurtin se i ka prishë raportet me amerikanët dhe me evropianët dhe këtë po ia konsideron mëkatin më të madh që e paska. Sidomos pas zhvillimeve të fundit në Veriun e Kosovës. Realisht , në aspektin ligjor dhe kushtetues , çdo kryeminister e ka për detyrim ta shtrijë sovranitetin brenda kufijve të integritetit territorial që është njohur ndërkombëtarisht. Këtë edhe e ka bërë Albin Kurti prandaj për këtë nuk duhet të sulmohet por duhet të përkrahet . Nga të gjithë , pa përjashtim . Ose ke shtet , ose nuk ke shtet . Nuk jam përkrahës i asaj se çdo gjë që vjenë nga ndërkombëtarët është e mirë dhe se duhet të pranohet pa asnjë kundërshtim. Ndërkombëtarët janë pragmatikë dhe politikanët e vendeve të vogla i konsiderojnë si material shpenzues , material për një përdorim . Albin Kurti po del jashtë këtij stereotipi nëse do të qëndrojë deri në fund . Unë shumë dyshoj se do të qëndrojë sepse , siç thoshte Millovan Gjillasi : pushteti është pasioni më i madh i njeriut . Albin Kurti nuk ka alternativë , ose do të dorëzohet , ose do të përjashtohet . Zgjidhje të tretë nuk ka. Ndërkombëtarët i pranuan zgjedhjet lokale në katër komuna të Kosovës veriore , lavdëruan institucionet e Kosovës për organizimin e tyre kurse tani po e përdorin si armë kundër Albin Kurtit . Thuaja të gjithë . Kjo tregon se nuk ka miq dhe miqësi të përjetshme në politikë por se ka interes dhe vetëm interes. Interesi aktaulisht po shihet te Serbia prandaj ndërkombëtarët po e luajnë lojën që iu duhet për të mbrojtur këto interese . Situata nuk është aspak e mirë , madje është shumë e keqe . Sa më shumë po kalon koha , oferta për Kosovën po varfërohet dhe lehtësisht mund të vijmë në situatë që duhet të parnojmë , jo ate që e meritojmë dhe na takon , por ate që do të na japin të fortit !
Po opozita, ç’bëri
Opozita e Kosovës , shkaku i deficitit të madh në vota dhe mungesë të fuqisë politike duroi sjelljet poshtëruese të pozitës; të gjitha propozimet e opozites u mbivotuan, shumica e lidjeve u miratua pa pëlqimin e opozitës Opozita nuk kishte asnjë gatishmëri dhe vullnet ta rrëzojë qeverinë Kurti 2, madje i dha përkrahje të plotë gjatë procesit të bisedimeve me Serbinë. Nga informatat që i kam , jam i sigurt se as LDK e as PDK nuk kishin qëllim rrëzimin e qeverisë Kurti 2 dhe nuk kishin asnjë interesim për zgjedhje të jashtëzakonshme . As për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës. Opozitës nuk i konvenonin zgjedhjet e parakohshme sepse përsëri LVV do t’i fitonte këto zgjdhje por asessi me rezultatet e mëparshme. Tash, pas ndërhyrjeve ultimative të ndërkombëtarëve kundër Albin Kurtit, opozita u trimërua duke shpresuar se ndërkombëtarët do të votojnë për ta . Po besojnë se u krijua një mjedis më i favorshëm për ta. LDK-ë po angazhohet për një rrugë të tretë duke u përcaktuar për takime me personalitete me ndikim , media dhe shoqëri civile. pordhë e ftohtë është kjo, nuk ka asnjë lidhje me një aktivizëm opozitar. E vetmja risi është mospjesëmarrja në punët e Kryesisë së Kuvendit që, nëse përcillen nga partitë tjera do ta sjellë paralizimin e punës së Kuvendit të Kosovës, edhe ashtu të falimentuar , më shumë nga pozita se nga opozita. PDK–ë doli me një Dekalog prej 10 pikëve që është një opozitarizëm më aktiv se i LDK-së. Jo se Albin Kurti dhe Vojsa Osmani fort mërziten pse PDK–ë nuk i takon deri në një vendim tjetër por se , nëse do të jenë konsekuent në qëndrime puna e mexhlisit të Glauk bin Sherifit do të ikën për lesh dhe zgjedhjet janë të pashmangshme. PDK–ë nuk ka pasur tjetër mundësi reagimi madje edhe ky reagim është shumë i butë , është dashur të reagohet më heret . Në emër të reformimit dhe shkaku i nokautit të pësuar në zgjedhjet e fundit parlamentare , opozitarizmi u ngulfatë . Rezultatet e zgjedhjeve lokale ishin një infuzion domethënës për ringjallje të opozitarizmit por se kjo nuk ndoshi e që për mua nuk ka asnjë kuptim. Jam i sigurt se sot , as LDK e as PDK vullnetarisht nuk do të pranoni të bëhen pozitë por se , më shumë po e përdorin si mënyrë për ta shtyrë Albin Kurtin të veprojë në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve . Sa më shumë t’i bëhet presion Albin Kurtit nga ndërkombëtarët dhe vendorët të bëjë lëshime politike , aq më shumë do të dobësohet pozita e Kosovës. Sa më shumë që Albin Kurti , në vend të një racionalizimi të mundësive ekzistuese për veprim , ta përdorë ndjenjen e madhështisë për t’u kurorëzuar si baba i Kombit , Qosja tashmë është babagjysh i Kombit , hendeku do të thellohet duke u shndërruar në një greminë ku do të përfundojmë të gjithë . Nëse Albin Kurti do të veprojë në përputhje me mundësitë që i ka Kosova , do ta ketë edhe përkrahjen e opozitës dhe të tjerëve , në të kundërtën ikëm për lesh. Për rrethana aktuale është një zgjidhje e ndërmjeme që besoj se do ta pranojë edhe Albin Kurti. Presidentja e Kurtit paralajmëroi se do të tejkalohet ngërçi me ndërkombëtarët dhe i besoj kësaj . Albini është prapa këtyre fjalëve prandaj edhe e thirrën Lajçakun , serbosllovakun fluturues që sot erdhi në Kosovë. Në situatën që jemi pushteti nuk i duhet asgjë , as pozitës e as opozitës prandaj të gjithë duhet të përbashkohen të shpëtohet çka mund të shpëtohet . Kosovës i duhet një lider që merr vendime të rënda , jo për të fituar çdo gjë sepse kjo mundësi ka ikën me erën por që humbjet t’i bëjë sa më të vogla dhe sa më të përballueshme . Asgjë tjetër . Të tjerat janë përralla !
4 korrik 2023 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA