BEHXHET SHALA BAJGORA: KOSOVA, KUBËZ E MUNGUAR NË MOZAIKUN POLITIK TË NDRYSHUAR TË BALLKANIT, DREJTË TË SË MAJTËS

Prishtinë, 11 shkurt 2021: Gjeopolitika e korruptuar në Ballkan : Shtetet e Ballkanit deri vonë janë konsideruar si zona gri e Europës prandaj i janë dhe po i nënshtrohen eksperimenteve të ndryshme . Vendimmarrja europiane ka efekte zero pa koordinim dhe përkrahje amerikane . Europa merr vendime por SHBA-të e bëjnë noterizimin e këtyre vendimeve. Edhe amerikanët , ashtu edhe europianët janë pragmatikë në trajtimin e problemeve të Ballkanit duke i anashkaluar parimet e korrektësisë dhe të drejtat , nëse janë në kundërshtim me inetereset e vendimmarrësve të vërtetë. Të dyja palët , për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje të bashkëpunojnë me “ djallin dhe të birin “ për t’i shtyrë para projektet e tyre. Deklarohen kundër krimit të organizuar ndërsa mbështesin qeveritë puro kriminale për aq sa kanë nevojë e pastaj i hedhin , ose në burgje ose në shportën e hedhurinave. Deklarohen kundër korrupsionit në kohën kur të gjitha privatizimet dhe tenderët qindra miliona eurosh i marrin për përfaqësuesit e shteteve nga vijnë prapa të cilëve qëndrojnë politikanë të fuqishëm ndërkombëtarë . Deklarohen kundër krimit të organizuar , për drejtësi dhe kundër nepotizmit kur vet ata janë , në hije , spiritus movens i këtyre dukurive. Deklarohen kundër pastrimit të parave kur këto vende i përdorin për pastrim të parave dhe i shndërrojnë në deponi të mjeteve radioaktive dhe materialeve me rrezikshmëri të lartë. Deklarohen kundër ekstremizmit politik dhe fetar kur këto dukuri fillimisht i përkrahin e pastaj i përdorin për diferencime dhe gjeografi politike. Deklarohen për respektim të vullnetit të popullit ndërsa nuk lejojnë të bëhet rendi i ditës për mbledhje të institucioneve , që nga niveli i ulët e deri te ai i larti. Vet marrin vendime për ofrmim të qeverive të këtyre vendeve dhe vet marrin vendime kur duhet të rrëzohen këto qeveri . Të shkojmë me radhë :
1. SERBIA : Në momentin kur më nuk patën nevojë për Sllobodan Millosheviqin , Bashkësia ndërkombëtare nxiti trazira dhe demonstrata në Serbi duke e dërguar “ kasapin e Ballkanit “ në Hagë. E shfrytëzuan luftën e UÇPMB –së , jo për të drejtat e shqiptarëve por për ta lehtësuar rrëzimin e Millosheviqit. Pas kësaj e hoqën rripin e sigurisë prej 5 km. midis Kosovës dhe Serbisë duke iu lënë duar të lira xhandarëve dhe paramilitarëve të Serbisë të arrestojnë , vrasin dhe shpërngulin me dhunë shqiptarë të Luginës. Ia hoqën Serbisë embargon e furnizimit me armë duke kushtëzuar disa shtete që prodhojnë armë që një pjesë të armatimit ta blejnë nga Serbia. Në Kosovë ia lanë të gjitha mundësitë për të ndërhyrë në çështjet e brendshme e që prodhoi pasiguri të vazhdueshme. Ia liberalizuan vizat , pa e kushtëzuar me asgjë. Ia rehabilituan të kaluarën dhe të tashmen kriminale. Ndonëse e kanë të qartë se Aleksandar Vuçiqi ishte dhe është kriminel lufte , me përkrahjen që ia dhanë dhe po ia japin ia forcuan autokracinë absolute sikur që i mbyllën sytë për zgjedhjet e manipuluara nga krimineli i luftës , Aleksandar Vuçiq. E lejuan që Serbia , përveç ndërhyrjes flagrante në Kosovë , të ndërhyjë edhe në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Një kriminel të luftës e shndërruan në lojtarin numër 1 sikur dikur kur Sllobaodan Millosheviqin e konsideronin si paqebërësinë kryesor në Ballkan , peace maker .
2. Maqedonia e Veriut : Dikur përkrahnin Georgievskin , më vonë Nikolla Gruevskin kurse tani , për nevoja politike dhe strategjike po e përkrahin Zaevin. Për ta luftuar Gruevskin dhe për ta forcuar Zaevin , e pajisën me dosje sekrete dhe përgjime që iu kishin bërë , kryesisht shqiptarëve e që pastaj , varësisht nga nevoja politike eksplodonin si “ bomba të Zaevit “ . Këto bomba , për politikanët maqedonas e kishin efektin e pordhës kurse , për politikanët shqiptarë vërtetë ishin bomba me të cilat e siguruan heshtjen dhe dëgjueshmërinë e tyre , kryesisht në dëm të shqiptarëve . Këto “ bomba të Zaevit “ nuk e zbardhën asnjë krim që u bë ndaj shqiptarëve dhe asnjë proces të montuar përveçse e blenë dëgjueshmërinë absolute të shqiptarëve që , për t’i ikur burgut , bënë ç’kërkohej nga ta. Këto “ bomba “ ishin mjet shantazhi që do të dënoheshin në çdo shtet dhe me këto “ bomba “ shqiptarët ( politikanët , kryesisht ) shantazhohen edhe sot. Tash , Zaevi është i paprekshëm në Maqedoninë e Veriut dhe do të jetë i tillë për aq kohë sa kanë nevojë për te, ata që marrin vendime . Maqedionisë së Veriut iu liberalizuan vizat , jo se i përmbushën kriteret e parapara por se e kaluan provimin e dëgjueshmërisë dhe përshtatshmërisë politike.
3. Mali i Zi : Fillimisht e përkrahën Millo Gjukanoviqin i cili e jetësoi pavarësinë e vërtetë të Malit të Zi duke e nxjerrë nga ndikimi i Serbisë dhe Rusisë . Millo Gjukanoviq e përligji identitetin malazias dhe e forcoi Malin e Zi deri në kohën kur bashkësia ndërkombëtare e vlerësoi se nuk ka më nevojë për te dhe shërbimet e tija . Tash po e akuzojnë për korrupsion , nepotizëm dhe krim të organizuar në ndërkohë që , kur kishin nevojë për te , këto dukuri as që i vërenin ! E lejuan që të rikthehet ndikimi i Serbisë dhe i Rusisë duke e bërë Kishen Ortodokse serbe partner të shtetit. Në zgjedhjet e fundit i përkrahën rrymat “ reformistee “ duke ia hapur varrin politik Millo Gjukanoviqit , identitetit malazias sikur edhe vet shtetësisë së Malit të Zi. Një Dritan Abazoviq po e përdorin si shpatë për heqje të kokave të kundërshtarëve politikë . Si politikan që deklarohet se flet edhe gjuhën shqipe , këtë shpatë e përdori pikërisht për t’i prerë kokat e politikanëve shqiptarë në Mal të Zi. Bashkësia ndërkombëtare ia hoqi vizat Malit të Zi ndonëse ishte larg përmbushjes së kritereve të kërkuara . Edhe atëherë Millo Gjukanoviq ishte në pushtet por se në atë kohë bashkësia ndërkombëtare kishte shumë nevojë për shërbimet e Millos kurse tani ka nevojë për shërbimet e Krivokapiqit , Abazoviqit që po e përdorin si marionetë sikur edhe për ndikimin e Serbisë në Mal të Zi. Shqiptarët në Mal të Zi nuk janë asgjëkundi. Po të mos ishte Gjyste Vulaj , askush nuk do të dinte se në Mal të Zi ka shqiptarë !
4. Bosnja dhe Hercegovina : Bashkësia ndërkombëatre e ndau dhe e bëri shtet jofunksional Bosnjen dhe Hercegovinen . E lejoi që të bëhet Republika Serpska në Bosnje sikur një të korruptuar dhe bartës të të gjitha krimeve në Bosnje , Mirosllav Dodig –un e bëri mbret. I ka bërë tri entitete territoriale , etnikisht të pastra që , nëse paraqitet nevoja lehtësisht i bashkohen Serbisë dhe Kroacisë kurse , pjesën e mbetur e ndajnë si të duan. Tash , pasi që u kanë dalur probleme tjera kanë vendosur që ta dobësojnë pakëz Dodigun , jo për ta larguar nga pushteti por për ta bërë pak më të dëgjueshëm. Edhe Bosnja dhe Hercegovina , ndonëse ka qenë dhe është shtet më jofunksional se Kosova pameritueshëm përfitoi nga liberalizimi i vizave dhe në proceset integruese.
5. Shqipëria : Bashkësia ndërkombëtare Shqipërinë e konsideron si shtet të korruptuar , vend të kanabisit , shpërlarjes së parave , prostitucionit dhe krimit të organizuar pa e pranuar se pikërisht bashkësia ndërkombëtare ka luajtur rolin vendimtar për të gjitha këto dukuri. Edhe Shqipëria përfitoi nga liberalizimi i vizave ndonëse heqjen e liberalizimit të vizave ia mbajnë mbi kokë , për të siguruar dëgjueshmëri politike. Bashkësia ndërkombëtare Shqipërinë e përdorë më shumë për të bërë presion mbi politikanët kosovarë se që duan që Shqipëria të jetë pjesë e zgjidhjes së problemeve. Në Shqipëri në pushtet është Edi Rama dhe pas zgjedhjeve të ardhshme përsëri do të jetë Edi Rama. Për aq kohë sa do të ketë nevojë bashkësia ndërkombëtare për te.
6. Kosova : Nuk ka shtet që është dhunuar në shumë se Kosova nga bashkësia ndërkombëtare. Eksperimentet me të fëlliqura janë bërë në Kosovë. Kinse jemi shtet kurse vendimet i marrin ndërkombëtarët. Nuk ka qeveri që është formuar pas luftës ku nuk kanë ndikuar ndërkombëtarët. Nuk ka qeveri që është rrëzuar në Kosovë e që nuk ishin si mami ndërkombëtarët ! Deri vonë pushtetin absolut në marrje të vendimeve e kishin ndërkombëtarët kurse përgjegjësia iu adresohej vendorëve. Sikur edhe në shtetet e tjera të Ballkanit ndërkombëtarët ndikuan në mënyrën e qeverisjes dhe garnituren qeverisëse për faktin se i njihnin mirë ata që “ qeverisën “ por se tërë kohën , për aq kohë sa kishin nevojë bashkëpunuan me ta . Ndërkombëtarët e lejuan dhe po e lejojnë Serbinë të bëjë ç’të dojë në Kosovë. E imponua decantralizimin në baza etnike , demarkacionin , Asociacioni e Serbisë në Kosovë dhe Marrëveshje tjera për të cilat as që është pyetur Kosova. Vetëm Kosovës nuk ia lejuan lëvizjen e lirë në Kosovë dukie e futur në rrugë qorre. Vazhdimisht kërkonin kritere të reja duke e mëshehur faktin se kriteri kryesor është Marrëveshja me Serbinë . E ndanë Mitrovicën në dy qytete , 15 vite pas përfundimit të luftës. Krimet e luftës po i trajtojnë duke arrestuar dhe dënuar shqiptarë në 90 % të rasteve. Për të prodhuar sa më shumë pasoja politike , arrestuan ish – krerët e UÇK-së dhe udhëheqësit më të lartë të institucioneve të vendit : Hashim Thaçin , Kadri Veselin , Jakup Krasniqin , Rexhep Selimin , Salih Mustafën , Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin të cilëve , edhe si të arrestuar në mënyrë flagrante po ua shkelin të drejtat e njeriut. Me arrestimin e tyre duan ta ndërtojnë një gjeografi dhe arkitekturë të re politike që do e përdorin për qëllime dhe nevoja politike. Ate që deri dje e ndoqën , e dhunuan , e burgosën si policia e UNMIK-ut , ajo e EULESH-it , një pjesë e policisë së Kosovës , politika vednore dhe sidomos ajo ndërkombëtare , Albin Kurtin tani duan ta promovojnë duke e rikthyer nëpër dyer të mëdha dhe të arta , për qa kohë sa kanë nevojë për te. Me arrestimin politik të të burgosurve që janë grabitur dhe dërguar në Hagë, po i hapin rrugë të gjithë atyre që kanë vlerësuar se kanë nevojë për ta në arritjen e marrëveshje me Serbinë. Nëse iu del ashtu ! Nëse jo , e provojnë me një garniturë tjetër nga menyja e sajuar nga ndërkombëtarët. Kosovës nuk po i hapin rrugë sikur shteteve tjera që ua kanë njohur lëvizjen e lirë. Kosovën po e fusin në krizë për ta lehtësuar arritjen e marrëveshjes me Serbinë , si kusht për përkrahje. Do të bindeni , shumë shpejt !
Ballkani i rreshtuar në të majtë : Është një tendencë që shtetet e Ballkanit të radhiten në të majtën , në emër të një socialdemokracie të rrejshme. Në Serbi , në pushtet është regjimi çetnik i Vuçiqit i cili përdorë politika sociale ( të majta ) për ta mbajtur pushtetin . Në Mal të Zi majtistët erdhën në pushtet por se përdorin politika të djathta dhe kishtare të mbesin në pushtet. Në Bosnje dhe Hercegovinë nuk dihet çka është e majtë apo e djathtë por se oligarkët e mbajnë pushtetin. Në Shqipëri e majta është në pushtet , thirren në drejtësi sociale kurse ka më shumë milionerë se në shumë vende kapitaliste . Në Maqedoninë e Veriut , Zaevi është i majtë por se xhirollogarinë e ka puro kapitaliste ( djathtiste ) sikur edhe pjesa më e madhe e atyre me të cilët bashkëqeverisë.
Në Kosovë LV –ë që llogaritet favorit kresor për fitore në zgjedhjet e 14 shkurtit , llogaritej si e majtë kurse lista e propozuar për deputetë përmbanë milionerë , djathtistë , anarkistë , “ nacionalistë”, hajdutë të fondeve , mashtrues , ish – titistë , blerës të shërbimeve seksuale dhe , maja e të gjithë këtyre është “ Hasan Prishtina “ i Mitrovices . Nëse deri dje LV ishte e majtë , e themi të vërtetën. Nëse deri dje flisnim për idealizmin e këtij mish – leshi politik , kishte një kuptim . Sot nuk ka asnjë kuptim. Nëse deri dje LV e konsideronim si strehë për idealistë të bashkimit kombëtar , sot lirisht mund ta konsiderojmë si strehë të horrave që kanë manipuluar me këtë ideal. Mirëpo , kjo LV sot iu duhet shumë ndërkombëtarëve prandaj po e përkrahin si mekanizëm për ta luftuar korrupcionin , nga të pakorruptuarit . Unë votën time nuk ia jap askujt sepse nuk e meritojnë . Uroj që ta kem shumë gabim dhe , nëse vërtet do e kem gabim, do iu kërkoj falje , deri te Zoti. Mirëpo , i njoh që nga koha kur ishin embrion politikë, shumë mund kam bërë për ta ! Nuk është kjo LV që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e që tani janë në listën për deputetë të trajtuar si shumë të nderuar . Kushdo që më tregon se Albini e ka përmendur Bacën Adem Demaçi do e qarros një kafe , për fillim. Nëse nuk e përmend fare , do i qarros nga dy kafe. Definitivisht nuk është kjo LV q[ e ka përkrahur Baca Adem Demaçi . Aty janë pakicë që e njohin Bacën kurse një numër jo i vogël janë urryes të Bacës e që janë shumë afër Albinit.
10 shkurt 2021 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura