MILAIM SHEFKIU: ‘POLICA E SIGURIMIT’ NË KUFI – PLAҪKITJE KLASIKE E DIASPORËS!

Prishtinë, 05. 06. 2015 – Që nga paslufta, por edhe para saj, diaspora ka qenë dhe vazhdon të jetë stabilizatori kryesor i gjendjes sociale në Kosovë. Duke dërguar nga 600 milionë euro në vit, mërgimtarët tanë kanë arritur ta mbajnë në balancë ekonominë e këtij vendi bythëcullak. Mirëpo, si rëndom, bashkatdhetarët vazhdojnë të injorohen nga të gjitha grupet e shoqërisë kosovare, duke nisur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga Qeveria, nga bizneset e madje edhe nga dyqanxhinjtë e thjeshtë, të cilët porsa ta ndjejnë aromën e “shacave” i ngrenë çmimet dyfish.
Të gjithë e pranojnë faktin se diaspora është katalizator i zhvillimeve të Kosovë gjatë tri dekadave të shkuara. Ishin vëllezërit tanë nëpër botë, ata që mbajtën gjallë arsimin shqip gjatë administrimit të dhunshëm të Serbisë në vitet ’90, ndërsa janë pikërisht mërgimtarët ata që themeluan, financuan dhe mbajtën gjallë frymën e luftës çlirimtare, frytet e të cilës po i gëzon sot gjithë populli shqiptar.
Derisa të gjitha këto të mira vijnë nga mërgimtarët, pse ky shtet tregohet aq arrogant dhe aq bukëpërmbysët, duke ua kthyer me të keq atyre.
Bashkatdhetarët që përbëjnë një të tretën e trungut demografik, nuk e kanë asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës, që të paktën ta ngrejë zërin për të drejtat e tyre. Pra, në raport me mërgatën e shteteve të tjera, diaspora kosovare është e shkelur që në start. Madje edhe gjatë votimit me postë gjithmonë diaspora bëhet objekt talljesh, pasi që në shumë raste votat e bashkatdhetarëve vijnë pas formimit të qeverisë (me përjashtim të kësaj të fundit).
Prandaj në asnjë votim të deritanishëm nuk ka pasur më shumë se 3-4 mijë votues nga rreth 700 ose 800 mijë kosovarë sa jetojnë nëpër botë.

Në aspektin e investimeve janë premtuar lehtësira dhe infrastrukturë të duhur për mërgimtarët, por kjo nuk ka ndodhur në realitet. Të gjitha premtimet kanë mbetur në karvanin e leksikut demagogjik politik, ndërsa ka raste të raportuara edhe në medie, se disa investitorë nga diaspora kanë mbyllur biznesin në Kosovë dhe kanë ikur në shtetet fqinje, aty ku kanë gjetur klimë më të përshtatshme për biznes.
Ndërsa kulmi i marrëzisë institucionale është “polica e sigurimit” e cila paguhet në kufij për automjete, e që nuk mund të konsiderohet apo perceptohet ndryshe, veç si plaçkitje klasike e diasporës.
Që nga paslufta, mërgimtarët po vazhdojnë t’ua mbushin xhepat disa kompanive të sigurimeve që janë të lidhur me politikën dhe parapolitikën, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar i kanë inkasuar 14 milionë euro.
Derisa ishte një propozim që sivjet policat kufitare për bashkatdhetarët të zbriten për 50 për qind, dje në mbledhjen e Byrosë së Sigurimeve të Kosovës, ndodhi marrëzia. Nga 12 kompani sa operojnë në Kosovë, vetëm dy u deklaruan për zbritjen e çmimit për 50 për qind, ndërsa 10 kompani të tjerat u ndalen në 7 për qind. Pavarësisht që ishte propozim edhe i kryeparlamentarit të Kosovës ulja e çmimit, shoqatat dolën të jenë më të forta se shteti. Këtu dalin në shesh divergjencat ndërmjet njerëzve më të fuqishëm të shtetit dhe mbi të gjitha “shtrydhja e diasporës” për përfitime personale. Kjo me policat e sigurimit tregon më së miri se diaspora do të mbetet vetëm si remitencë, për mbushjen e xhepave e arkave dhe asgjë më shumë. Ata kur të vijnë në Kosovë, sërish do të mbesin “shacat” me pantallona të bardha, ndërsa trajtimi do të mbetet i mirë, derisa nuk i shpenzojnë paratë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

SNOBIZMI

SNOBIZMI Nga Xhelal Zejneli, Shkup – gusht 2023  Rrjedhat e kulturës gjithmonë e kanë mbartur me vete snobizmin…