QYTETËRIMI PELLAZG I EPIRIT DHE RILINDJA EUROPIANE (I)
Nga Besnik Imeri, Vlorë – 9 shtator 2021
Nga ai vend, i cili rreth shekullit të IV p.e.s do të quhej Epir, trashëgohet një kulturë e fuqishme shpirtërore, rrezatimet shkëlqimtare të së cilës do të pasqyrohen ndjeshëm dhe dukshëm ne atë që quhet Rilindje Europiane, ku një pjesë dërmuese e veprave të artit, skulptura, piktura, vepra muzikore të gjinive të ndryshme, si dhe vepra të ndryshme letrare do të frymëzohen fuqishëm nga mitet dhe legjendat e dala edhe nga kjo trevë legjendare. Mjafton të përmendim këtu vetëm Iliadën dhe Odisenë, rrënja e të cilave është Epiri, por edhe dy protagonistët legjendarë Akili dhe Odhiseu, të cilët janë po nga Epiri. Europa e lënë në errësirrë për rreth 1000 vjet u kthye nga rrënja e saj, duke i kthyer sytë nga burimi i dritës, kultura pellazge në përgjithësi dhe ajo pellazgo-epirote në veçanti. Letërsia në të gjithë gamën e saj, piktura, skulptura dhe të gjitha artet pamore ju rikthyn mitologjisë pellazge, duke e rilindur edhe një herë atë në art, por edhe në kujtesën njerëzore si një nga krijimtaritë artistike më të bukura, më të paarritshme, më të sofistikuarat, më të ndritshmet që ka parë njerëzimi deri më sot. Arti i Rilindjes nëqoftëse shkëlqeu, këtë e arriti vetëm në saj të ndriçimit verbues të artit pellag. Rilindja Europiane nuk ishte gjë tjetër veçse një rilindje e kulturës dhe artit pellazg. Rilindja mori frymë dhe jetë nga arti pellazg, nga ajo kulturë e madhërishme pellazge.
Por jo vetëm Rilindja Europiane, por edhe vetë qytetërimi i shkëlqyer grek, që ka mahnitur botën e qytetëruar sot, por që njëkohësisht ndikoi fuqishëm në Rilindjen Europiane; ishte vet nga ana e tij, një Rilindje e artit, shkencës dhe kulturës pellazge. E kam thënë që qytetërimi grek, helenizmi, nuk është gjë tjetër, veçse maja e ajsbergut e qytetërimit pellazgjik, pjesa më e ndritshme dhe kupola sunduese e tij që e rezatoi fuqishëm këtë në të gjithë rruzullimin. Pjesa më e madhe e veprave të artit antik grek, skulpturat, mozaikët, letërsia lidhet me mitologjinë dhe me panteonin e perëndive pellazge. Me tragjedinë e Eskilit, “Të shtatët kundër Tebës”, mitologjia bëhet tema kryesore e tragjedisë klasike greke. Por edhe me veprat e tjera të Eskilit, “Lutëset”, “Prometeu i mbërthyer”; Euripidit, “Medea”; Sofokliut, “Edipi”, “Antigona”, etj. Statujat e Zeusit, Herës, Poseidonit, Athinasë, Apollonit, Afërditës, Hermesit, Artemisës etj, zbukuronin sheshet dhe tempujt e perëndive pellazge në qytet shtetet helene. Por jo vetëm në atë, që ne sot quajmë Greqi e Lashtë, por edhe në sheshet dhe tempujt në Apenine, Lindjen e Afërme, Afrikën e Veriut dhe gjithë brigjet e Mesdheut ku kishte luzmuar qytetërimi pellazgjik. Ja disa prej këtyre veprave:
Prometeu. Prometeu krijon njeriun. Sarkofag romak rreth vitit 220 e.j.Paris. Muzeu i Luvrit; Herakliu çliron Prometeun. Skenë e gdhendur në një sënduk etrusk, që gjëndet në Palestrina afër Romës, shek.V p.e.s. Paris, Muzeu i Luvrit; Poseidoni. Një nga thesaret e Muzeut Arkeologjik të Athinës.Statujë prej bronzi, viti 450 p.e.s. gjetur në detin e kepit Artemision; Afërdita. Venusi i Milos rreth vitit 100 p.e.s. Paris, Muzeu i Luvrit; perëndesha Afroditë. Statujë romake, shek.II; Grup skulpturor. Afërdita me Priapin. Periudha helenistike; Tezeu dhe miku i tij Pirito rrëmbejnë mbretëreshën e amazonave, Hipoliten. Vazo me figura të kuqe, rreth vitit 480 p.e.s; Statujë e Amazonës, kopje e skulpturës së Fidias, Romë, Muzeui Kapitolit; Tezeu vret gjigandin Sinid. Gotë antike me figura të kuqe rreth vitit 490 p.e.s. Mynih, Statliche Antikesammlung; Tezeu dhe Prokrusti. Pikturë në vazo antike, rreth viteve 470 p.e.s. Vjenë, Kunsthistorisches Museum; Akili vret Pentelisenë, amforë e Eksekias me figura të zeza, realizuar në Athinë 540 p.e.s, Londër British Museum; Silena me Dionizin e vogël në krah, statujë në mermer e periudhës helenistike, Romë, Antiquarium i Palatinit; Baku (Dionizi latin) mbi shpinën e një luani i prin një marshimi triumfal. Mozaik romak i shek.II, që vjen nga El-Xhem, në Tunizi (ish Kartagjena). El Xhem, Muzeu Arkeologjik; Dionizi mbi shpinën e një pantere. Mozaik i periudhës romake, Muzeu i Delos; Satirët dhe menadat e varganit të Dionizit. Amforë antike me figura të kuqe, rreth vitit 550 p.e.s, Paris, Muzeu i Luvrit; Udhëtimi në det i Dionizit me piratët. Gotë antike e Eksekias, rreth vitit 530 p.e.s Mynih Statliche; Menada dhe satiri duke kërcyer. Detaj i një mozaiku romak, zbuluar në Këln, Romisch-Germanisches Museum; Dioskurët. Statuetë greke rreth viteve 300 p.e.s. Napoli, Museo Nazionale; Dioskuri me kalë. Statujë e epokës romake vendosur para Kapitolit Romë; Dioskurët në kuaj. Vazo antike me figuratë kuqe, rreth viteve 450 p.e.s; Kokë statuje e një Dioskuri, vendosur në sheshin Kurinale në Romë; Dioskurët, grup monumental i shek.VI p.e.s, Muzeu i Delfit; Romë rreth shek V p.e.s u ngrit tempulli i Dioskurëve, Kastorit dhe Poluksit; Atena. Partenoni, Tempulli i Atenës shek.V p.e.s; Athena, statujë dymbëdhjetë metra e lartë realizuar nga skulptori Fidia në shek.V p.e.s. Tempulli partenon, në Akropolin e Athinës; Statuetë prej bronzi e Atenës, fillimi i shek.V p.e.s. Athinë, Muzeu Arkeologjik Kombëtar; Hadi dhe Persefona, detaj i një vazoje, viti 330 p.e.s, Mynih, Statliche Antikensammlung; Hermesi. Statujë prej balte të pjekur, shek.III p.e.s, gjetur në Jordani, Aman, Muzeu Arkeologjik; Hermesi i Veies, kokë figure bërë me baltë të pjekur. Gjetur në një faltore etruske, rreth viteve 500 p.e.s. Romë, Museo nazionale di villa “Giuilia”; Statujë e Hermesit me Dionizin e vogël në krah, vepër e Praksitelit, rreth vitit 325 p.e.s. Muzeu Arkeologjik i Olimpit; Demetra. Statujë romake e shek.I. Muzeu i Kartagjenës, Tunizi; Herakliu, i ndihmuar nga Atena mban kupën qiellore ndërsa Atlasi vjen me mollët e arta. Metopë e faltores së Zeusit në Olimp, rreth vitit 460 p.e.s Herakliu.Statujë, Napoli, Museo Nazionale; Herakliu perballet me centaurin. Shandan prej bronzi nga Efesi, shek. I p.e.s. Vjenë, Kunsthistoriches Museum; Centaurët. Centauri lufton kundër një Lapiti, grup skulpturor, Fidia, Metopë e Partenonit të Athinës, rreth vitit 430 p.e.s British Museum; Centauri Kiron, Hipokrati, Apoloni dhe i biri, Asklepi. Afresk i qytetit të Pompeit, Museo Nazionale; Edipi. Edipi dhe bariu plak. Reliev mbi një sarkofag romak, shek.III, Romë, Muzeu i Vatikanit; Edipi dhe sfinksi. Pikturë mbi një vazo greke me figura të zeza, shek.V p.e.s.Muzeu i Luvrit, Paris; Nioba vajza e Tantalit përpiqet të shpëtojë ndonjë nga fëmijët e saj, kopje romake e një statuje greke. Firence. Muzeu Ufici; Odiseu i lidhur te direku i anijes, përballë një sirene. Vazo me figura të zeza, rreth viteve 500 p.e.s; Uliksi kërcënon Circen, basoreliev mbi një sarkofag etrusk të fundit të shekullit të IV p.e.s, Orvieto, Museo dell’Opera del Duomo; Helena dhe Menelau, pasqyrë etruske prej bronzi, shek. IV p.e.s.Londër, British Museum.[1]
Por jo vetëm kaq, jemi të befasuar nga fakti, se gjatë Rilindjes Europiane, frymëzimi nga mitet pellazge hyri “dhunshëm” në objektet e kultit të krishterë, katedralet, duke “nxjerrë jashtë” prej tyre shenjtorët e krishterë dhe duke vendosur perënditë dhe heronjtë pellazgë. Përmendim disa të dhëna interesante, ku në qëndrën e krishtërimit, Katedralen e Shën Pjetrit në Romë, në Vatikan, adhurohen perënditë pellazge.
Skulptori dhe arkitekti italian Filareti (1400-1469) në dyert prej bronzi të Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë ka pasqyruar disa nga mitet pellazge: Artemisa me një pishtar duke vrapuar në pyll, pas e ndjek një buçe; Adhurimi ndaj Dionisit e ka shprehur duke trajtuar shndërrimin e piratëve (që rrëmbyen Dionisin) në delfinë; Adhurimin ndaj Hadit dhe Persefonës e ka shprehur duke treguar rrëmbimin e saj prej Hadit; Adhurimin ndaj Herës e ka paraqitur duke treguar Herën, Argusin (me njëqind sy) dhe Iojën. Mikelanxhelo i madh në tavanin e kishës sikstinë të Vatikanit ka paraqitur katër sibilat e orakullit të Delfit. [2]
Prandaj, nga të gjitha këto që përmendëm më lart, unë jam i mendimit se qytetërimi epirot është edhe ai burimi i ndritshëm i Rilindjes Europiane. Rilindjen e vet Europa ja detyron Epirit, pasi aty kemi pothuaj të gjithë panteonin e perëndive pellazge, por edhe selinë e tyre, Dodonën, kryeqëndrën e kulturës pellazge. Atij Epiri, që, Europa, pasi rilindi vet, me mosmirënjohjen më të madhe, për rreth 150 vjet e sakatoi, duke ja dhënë si ushqim hienave helene.
Përmendim disa nga artistët më të mëdhenj dhe veprat më të mëdha të Rilindjes Europiane që frymëzimin e kishin nga mitologjia dhe perënditë e Epirit dhe të Dodonës.
–Akili. Uiljam Shekspiri (1564-1616) e trajton në tragjedi-komedinë e tij Trilusi dhe Kresida; Johan Volfgang Gëte (1749-1832), në veprën e vet “Akili”; Pjer Paul Rubensi (1577-1640) ka pikturuar dy tablo, Tetida zhyt Akilin në Stiks dhe Zëmërimi i Akilit kundër Agamemnonit. [3]
–Leda-Me Zeusin lindi Poluskin dhe Kastorin. Leonardo Da Vinçi (1452-1519), tabloja, Leda dhe Mjellma; Romë, Galeria Borghese. [4]
–Poseidoni. Baldasare Peruci (1481-1536), tablo, Poseidoni dhe Amfitria, Palazzo Farnese në Romë; Zhan De Bulonjë (1529-1608), statujë bronzi që zbukuron një cezmë në Bolonjë; Erasmus II Quellinus, Poseidoni dhe dhuratat e detit, tablo, rreth vitit 1655, Pragë, Nationalgalerie; Pjer Paul Rubens (1577-1640), Neue Gemaldegalerie në Berlin; Pelegrino Tibaldi (1527-1596), tablo, Poseidoni dhe anija e Odisesë, Pallazzo Poggi në Bolonjë.[5]
–Artemisa. Dante Aligieri (1265-1321) në Komedinë Hyjnore; Bokaçio (1313-1375) poezia “Gjahu i Dianës”; Filareti, skulptori dhe arkitekti italian (1400-1469) e ka paraqitur në një prej dyerve prej bronzi të Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë; Ticiani në një pikturë që ruhet national gallery of Scotland të Edimburgut. [6]
–Hadi dhe Persefona. Jozef Hainc Plaku (1564-1609), tablo, Hadi duke hipur Persefonën në koçi, Drezden, Gemaldegalerie Alte Meister; Benini (1598-1680),tablo, Rrëmbimi i Persefonës, Romë, Galeria Borghese; Alesandro Alori (1535-1607, Tablo, Odiseja pyet Tirezian, Firence,palazzo Salviati; Fillareti (1400-1469), gravurë në bronz, rrëmbimi i Persefonës, zbukuron një nga dyert prej bronzi të Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë; Pjer Paul Rubens, idem, tablo, Museo Nacional del Prado të Madridit; Rembrand (1606-1669), idem, Neue Gemldegaleria në Berlin; Ticiani, tablo, Orfeu dhe Euridika tek Hadi, galeria e Akademisë Karrara të Bergamos. [7]
–Danaja (e bija e mbretit të Argosit epirot). Petrarka (1304-1374) e paraqet tek “Canzionere”; Riçard Shtraus, opera-dashuria e Danajës; Ticiani e ka paraqitur Danajën në katër vepra; Rembrandi ka pikturë që ruhet në muzeun e Ermitazhit në Shën Petërburg. [8]
–Dioskurët. Pjer Paul Rubens, rrëmbimi i vajzave të leukipit nga dioskurët; Mynih, Alte Pinakothek; Paraqitje klasike e një prej dioskurëve me kal nga Fridih Tiek (1776-1851), çatia e Alten Museum të Berlinit.[9]
–Pani. Pjer Paul Rubens (1577-1640), dy tablo, Ardhja e Panit në Olimp dhe Pani dhe nimfa Siringë; përkatësisht në Muzeun e Artit të Lashtë në Bruksel dhe në Galerinë e Mbretëreshës, në pallatin Bukingam në Londër.[10]
Por Epiri, Foinikja, që është dhe vendlindja e Zeusit, kryeperëndisë pellazge. Gjithashtu, ekzistenca e orakullit të Dodonës në Epir, e bën këtë të fundit kryeqëndrën e zhvillimit kulturor të botës së lashtë. Dodonën si qendrën kulturore, shpirtërore të qytetërimit të lashtësisë në të gjithë trevën e gadishullit të Hemit e më gjerë në Egje dhe Mesdhe; të cilën mund ta krahasojmë me Parisin, i cili shekujt e fundit u bë qyteti simbol i kulturës dhe qytetërimit europian.
Lidhur me kulturën dhe qytetërimin e Epirit të lashtë Zaharia Majani na thotë: “….m’u desh të përqëndrohesha në veprën e Johann George Von Hahn-it. Ishte krejt e natyrshme të hamendësoje se malet e ashpra dhe grykat e padepërtueshme të Epirit të lashtë mund të fshihnin disa mbetje të një kaluare të largët, ashtu sikurse edhe shumë muzetë e tjera natyrore; rërat e nxehta të Egjiptit dhe të Mesopotamisë, nëntoka e ngrirë e Siberisë, Kaukazit, pyjet e egra lituane…”[11]
Luigi Maria Ugolini lidhur me qytetërimin epirot pohon: “…ndërsa tradita e shkruar na flet për ilirët dhe epirotët si për një popull që jetonte në mënyrë primitive, nga Antioku mësojmë se ata Kaonë që banonin në Itali ishin një popull i qytetëruar dhe mjaft i ftilluar.” [12]
Kjo kulturë ishte rrjedhojë e një zhvillimi të fuqishëm ekonomiko-social, i cili shfaqet dukshëm në sistemet qeverisëse, të cilët ishin nga më të përparuarit e kohës, përsa i përket sistemit politik dhe atij juridik.
Lidhur me këtë Tuqididi thotë se: “…njëmijë barbarë kaonë qeverisnin pa mbret, e në krye të tyre kishin (dy) prostat, për një vit, Fotis e Nikanorin, që rridhnin nga familje e parë…”[13]
“…Pushteti i mbretit (tek molosët) kontrollohej nga një prostat që, ashtu si tek kaonët dhe thesprotët fqinjë zgjidhej çdo vit. Kjo bënte siç shprehej Aristoteli në “Politika” V II, duke ju referuar kushtetutës molose, që “vetë monarkët në këto raste të bëhen më pak despotë”…”[14]
Aristoteli, biri i Stagjirës, ku flitej pellazgjishtja, ka meritën e rrallë se e pat parë të domosdoshme të vinte në qarkullim shkencor “Kushtetutën e shtetit të epirotëve”, krahas asaj të Dyrrahut, Itakës etj, duke i shoqëruar me studime krahasuese dhe komente prej juristi të përkryer…i pavdekshëm do të mbetet sidoqoftë vlerësimi i shquar i këtij filozofi erudit për formacionin politik, njëzetekatër shekuj më parë, të stërgjyshërve tanë, me përcaktimin kuptimplotë: “Shteti i epirotëve”…kaq emër të mirë duhej të kishte fituar në shekullin e IV p.e.s “Kushtetuta e shtetit të epirotëve”, saqë dijetari i dëgjuar Ksenokrati (394-314p.e.s) do t’ia kushtonte pikërisht mbretit pellazg mollos, Arrybës (360-340 p.e.s), gjyshit të Pirros, të katër librat e veta mbi artin e të qeverisurit…për këtë arësye dijetari dhe diplomati francez Loran Pukëvili do ta përcaktojë Pasaronin molos: “…qytet ku u pa, mbase për herë të parë në botë, bashkëpunimi august i sovranit dhe i popullit, i pushtetit monarkik dhe i lirisë…”[15]
Nelson Çabej duke ju referuar Plutarkut na thotë : “Ishte e zakonshme për mbretërit, që pasi flijoni për Areiusin e Zeusit në Pasaron, një qytet i Molosisë, të këmbenin betime solemne, në të cilat mbretërit betoheshin të qeverisnin sipas ligjeve dhe populli ta mbante mbretërinë sipas ligjeve (Plutarrch I Pyrhus, 5, 2).”[16]
Nga sa më sipër arrihet në përfundimin se qeverisja e epirotëve nëpërmjet ligjeve ka qënë nga më demokratiket e kohës. Pra, kur popuj qeverisen nga sistemet politike dhe juridike nga më të përparurit e kohës, nuk mund të quhen kurrësesi barbarë. Këto ligje dhe kjo mënyrë qeverisje e epirotëve ka arritur deri në prag të shoqërisë moderne të shekullit të XX me kanunin e Labërisë dhe Pleqësitë, të cilat ishin ekzekutivët më të përparuar që njeh qytetërimi modern. Bota deri më sot nuk ka njohur një ekzekutiv me efikasitetin maksimal, gati 100 për qind, të padiskutueshëm dhe të zbatueshëm me ndërgjegje të plotë nga vet qytetarët.
Lidhur me këtë kanun Arsim Spahiu në veprën e vet “Shteti Epirot” thotë: “…Kanuni i Labërisë, njësoj si “Kanuni i Maleve”, ose Kanuni i Lekë Dukagjinit, përmbledh disa ligje, që janë nga më të vjetrit e Europës, sikurse ka thënë profesori i historisë së ligjës n’universitetin e Munchen, Baroni Claudius von Schverin … E dreja zakonore në Labëri e më gjerë, nënvizon Ismet Elezi, është produkt i pleqve ilirë anonimë të Kaonisë, dhe pse jo të mbarë Epirit e më gjërë…”[17]
Nga sa sipër, është me shumë interes fakti që përmend profesori gjerman, që ligjet e Kanunit të Labërisë janë nga më të vjetrit në Europë.Një popull që qeveriset me ligje të tilla, pa diskutim, që është një popull me aftësi shtetformuese, para popujve të tjerë. Pra, një popull që ka zotëruar qytetërimin, para popujve të tjerë. Kjo vetqeverisje është që në kohë të pellazgëve, pesë mijë, shtatë mijë apo dhjetë mijë vjet, e më shumë, më parë. Ndoshta, qysh me krijimin e shoqërisë njerëzore të qytetëruar. Që kur nuk mbahet mend.
Sami Frashëri, në prag të shpalljes së pavarësisë, u jep një këshillë shqiptarëve: “Straboni, dheshkronjës’ i math, duke shkruarë për vëndin tënë afro dymijë vjet më parë, thotë që: Maqedhonasitë, Ilyrianëtë e Epirotë (do-me-thënë gjithë shqiptaërëtë.S.F.), sado që çeku kanë disa mbretërira, po qever’ e tyre e vërtetë është një farë këshillesh prej të parëve, që këto këshilla i quajnë plakoni (do-me-thënë pleqësi.S.F.), edhe qeverisin’e gjykojnë në ata vënde. Përse, pra, ta lëmë këtë zakon të bukurë e të kaqë mijë vjeç, sot e të kërkojmë një njeri të huaj…Na të mos heqim dorë nga Plakoni e Strabonit, nga pleqësija, të cilënë e kemi ruajturë edhe gjer më sot, se kurdo pleqësija urdhëron në Shqipëri. Pleqësija t’urdhëronjë e të mbretëronjë gjithnjë.” [18]
Ashtu siç thotë edhe Samiu, të parët tanë kanë pasur Kuvendet, Këshillat apo Pleqësitë, të cilat kanë qënë qeveritë apo ekzekutivët më të përparuar që njeh qytetërimi; Kuvendet, ku çdo pjesëmarrës mund të fliste dhe të vendoste si i barabartë, është një nga format më demokratike që njeh njerëzimi; ku të drejtat e përfaqësimit të qytetarëve sot në perëndim, që pretendohet se janë nga më të mirat, duken si lojra kalamajsh. Pleqësitë si mënyrë qeverisje vijnë që nga Dodona, ku Plakitë ishin mënyra e vetme e qeverisjes.
Kjo mënyrë vetqeverisje e racës tonë ka sfiduar të gjitha pushtimet e kryera nga perandoritë më të fuqishme të kohës, qysh nga agimi i erës se re e deri në prag të shekullit të XX. Romakët kur pushtuan trojet tona kërkuan nga vendasit që të pranonin vetëm pushtimin dhe të paguanin taksa; por ata nuk e ndryshuan mënyrën e qeverisjes, madje nuk ndërhynë në të. Ata i lanë të vetqeverisen me strukturat tyre “shtetërore” vetqeverisëse ilirët dhe epirotët. Shqiptarët, sidomos ata të zonave malore, u qeverisën në bazë të kanunit të tyre dhe pleqësive deri në prag të shekullit të XX.
Nga ky kënd vështrim, sa qesharakë bëhen disa politikanë (dhe historianë njëkohësisht) shqiptarë filogrekë, që thonë se shqiptarët për herë të parë formuan shtet në vitin 1912.
Besnik Imeri (marrë nga libri “Epiri Pellazgjik”)
(VIJON)
[1] Gerold Dommermuth-Gudrich, MITET, Përkth.Nasi Lera, f,238,240,230,277,278,280,35,232,234,36,86,87,88,89,90,93,95,96,97,102,106,107,112,142,144,147,184,55,134,136,288,292,194,195,259,249,67,125.
[2] Gerold Dommermuth-Gudrich, MITET, Përkth.Nasi Lera, f, 83,91,119,133,202
[3] Gerold Dommermuth-Gudrich, MITET, Përkth.Nasi Lera, f, 25
[4] Gerold Dommermuth-Gudrich, MITET, Përkth.Nasi Lera, f, 77
[5] Gerold Dommermuth-Gudrich, MITET, Përkth.Nasi Lera, f, 228,229,231
[6] Gerold Dommermuth-Gudrich, MITET, Përkth.Nasi Lera, f, 83
[7] Gerold Dommermuth-Gudrich, MITET, Përkth.Nasi Lera, f, 113,115,117,119
[8] Gerold Dommermuth-Gudrich, MITET, Përkth.Nasi Lera, f, 78-79
[9] Gerold Dommermuth-Gudrich, MITET, Përkth.Nasi Lera, f, 94,96
[10] Gerold Dommermuth-Gudrich, MITET, Përkth.Nasi Lera, f, 211
[11] Zacharie Mayani,”Etruskët fillojnë të flasin”,Bot.FAN NOLI, Përkth.Krenar Hajdëri, f,37-38
[12] Luigi M.Ugolini, “Shqipëria e Lashtë” (Gjurmime Arkeologjike); “Albania Antica”,Vol.I, (Ricerche Archeologiche), S.E.A.I Roma-Milano,1927; Bot.Shqip.Migjeni, Përkth.Qemal Velia, red.Neritan Ceka, Tiranë-2009, f. 189
[13] Aleks Trushaj “Kaonia dhe kaonët në prehistori dhe antikitet”, Bot.EUROPEINT-2007, f.79
[14] Neritan Ceka “Ilirët, Bot.ILAR-2001,f, 72
[15] Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 399-400
[16] Nelson R.Çabej, “Epirotët:Shqiptarë të Lashtësisë”,Bot.F.Noli, Tiranë-2019, f.173
[17] Arsim Spahiu, “Shteti Epirot”, Bot.”Adelprint sh.p.k”,Tiranë-2011, f, 12
[18] Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qënë,ç’është dhe ç’do të bëhet”, Kostandinopojë -1899, Kreu.III, “Çdo të bëhetë Shqipëria”, artikulli VII,“Krei i qeverisë së Shqipërisë”, Bot.”Falcon”, f. 87-88