Ferizja, 26 qershor 2017: (Arben KONDI, TMERRI, (roman – botim i katërt), ShB Shtypshkronja ILAR, Tiranë, 2016, 270 f.)
Romani “Tmerri” i Arben Kondit, është një roman i përjetimit të Luftës Çlirimtare 1999 në Kosovë. Ky roman flet për ngjarjet e dëbimit, më saktë të dhunimit të femrave shqiptare adoleshente nga oficerët e lartë serbë, pastaj edhe nga vartësit e tyre deri në alivanosje dhe vrasje. Këto ngjarje dhunimi i sheh Natalia franceze e martuar me serbin Zllatko Iviçin, me të cilin ka edhe djalin Ivin. Gruaja franceze pas dashurisë dhe martesës, si dhe lindjes së Ivit, ndryshojnë rrethanat politike e shoqërore në ish-Jugosllavi, ku burri i saj Zllatko, aktivizohet si një prej eprorëve serbë, i cili sipas urdhrave të lartë ushtarakë serbë, prej Nishit vjen në Kosovë, më saktë në Prishtinë dhe Gjakovë për të komanduar dëbimin e shqiptarëve.
Kryepersonazhja është Natalia franceze, grua e kriminelit Zllatko, tek i cili i sheh dhe bindet për të bamat e pabëra çnjerëzore, që i bënin serbët, por edhe oficerët dhe ushtarakët serbë mbi popullin e pambrojtur shqiptarë, duke i dhunuar, vrarë dhe dëbuar për në Shqipëri.
Arben Kondi, nga Shqipëria, shkruan me përjetimin e tmerrit të Natalisë franceze për ngjarjet e luftës çlirimtare në Kosovë, më 1999, si dhe të dhunës që udhtrohej edhe nga burri i saj.
Nga këndi im, edhe pse është botimi katërt i romanit, atij është dashur t’i bëhej një redaktorë e mirë gjuhësore, por edhe të përdorej leksiku i kosovarishtes, ku më bindshëm do të përshkruhej e përjetohej realiteti i ndodhur, tani e 18 vjet më parë. Sido që të jetë, brumi romanesk është shkruar mirë dhe me përmbajtje deri te përfundimi i tmerrit, ashtu si edhe quhet romani.
NATALIA NË MES BURRIT OFICER DHE SHQIPTARËVE TË DËBUAR ME DHUNË
Natalia, është një grua që e njeh të kaluarën mesjetare ballkanase, prandaj e njihte edhe këtë pjesë të Ilirisë, objektet kulturore-historike, por edhe trashëgiminë tjetër të shqiptarëve, të kaluar nëpër kohë të historisë, si dhe kultet e tyre, por nuk e kishte njohur mirë sadizmin serb, e posaçërisht as Zllatkon – burrin e saj, të cilin e zë në vepër duke dhunuar vajzën shqiptare 15-vjeçare.
Ardhja e familjes së Zllatko Iviçit në Prishtine dhe vendosja e tyre në një banesë të një familjeje artistësh shqiptarë, duke shfrytëzuar edhe të gjitha gjërat dhe mjetet e tyre, arrin të sheh dhe përjetojë skena të papara as në filma dhe as të imagjinuara ndonjëherë, se serbët mund të bëjnë skena të tilla me njerëzit, sidomos me vajza adoleshente, nuse e gra të bukura, të cilat kur kundërshtonin marrjen e tyre për dhunim vriteshin pa u hamendur. Natalia, gruaja e oficerit serb, në Prishtinë, përkatësisht më saktë në një bodrum të një shkolle sheh serbë ushtarakë e nënoficerë, duke marrë me dhunë vajzën 13 a 14-vjeçare nga nëna, e cila kundërshton me forcë marrjen e saj e vrasin para syve:
“- Pash atë zot lart në qiell! Nëse ke motër në shtëpi mos na e bëj këtë! Të lutem për atë perëndi!
-Ju s’keni fe. Ju jeni djaj. Djaj të vërtetë, – frëngëlloi nënoficeri që pasi tërhoqi xarrë vajzën trembëdhjetëvjeçare ngjiti shkallët përpjetë”, (“Tmerri”, f. 62). Kjo dhunë fizike, mendore e çka jo tjetër, që të rrëqeth trupin, nuk kishte përfunduar vetëm atë ditë, por kishte vazhduar për çdo ditë, duke e marrë vajzën e re e duke e dhunuar me radhë:
“-Çohu! – briti komandanti duke iu drejtuar vajzës së re. -Më ndiq pas si dje. E vendosa. Me ty do vë kurorë. Po a e di përse? Jo vetëm ngaqë je e bukur. Jo. Mbi të gjitha, se ti do të ma shtosh racën. Do pjellësh djem serbë, të cilët kur të rriten do të bëhen ushtarakë si unë e do vrasin sërish shqiptarët”, (“Tmerri”, f. 60).
Ky dhunim nuk ndodh vetëm nga pjesëtarët e policisë dhe të ushtrisë serbe, por edhe nga të ashtuquajturit tigrat e Arkanit, të cilët zgjedhin vajzat, nuset dhe gratë e bukura shqiptare, të cilat më parë i kanë zënë robër, i kanë rrahur e munduar, pastaj i përzgjedhin për t’i dhunuar.
“Edhe sot do merren po shtatë. Veç jo të njëjtat. Është mirë kur ndërrohen gjellërat? Më të mirën mbaje për vete. Zgjidh kë të pëlqejë. Ajo keçja atje është tamam për ty. Kurse gjashtë të tjerat janë për tigrat e Arkanit. Lërua atyre në dorë. Ata le të bëjnë çfarë të duan me to. Veç mos e ler hapur derën e jashtme! Dëgjon?! Mbylle mirë. Nuk dua kontrolle.”(“Tmerri”, f. 61).
Në Prishtinë, Natalia franceze, grua e oficerit Zllatko Iviç, sheh tmerret dhe padrejtësitë e serbëve që u bëjnë shqiptarëve, jo vetëm duke i dëbuar nga shtëpitë dhe pasuritë e tyre, por edhe duke i terrorizuar me forma dhe mënyra më sadiste çnjerëzore, që mund të bëjnë vetëm serbët, duke u befasuar me ushtarakë, siç ishte edhe burri i saj.
Natalia kishte acaruar marrëdhëniet bashkëshortore me Zllatkon deri në ndarje, por Zllatko nuk e linte djalin Ivin të shkojë me grua, se për grua nuk i jepte pesë para. Fillimi i bombardimeve të NATO-s, e vështirësojnë gjendjen e serbëve, sidomos të pozicioneve ushtarake policore serbe, të cilat ishin cak i tyre. Në një rast, duke shkuar për ta vizituar kishën e Graçanicës, veturën e oficerit e sulmojnë avionët e NATO-s, por nuk e goditin, ku shkathtësia e shoferit ishte e atillë, saqë edhe shpëtuan.
Rekomandimet ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, e transferojnë Zllatkon në Gjakovë. Ku rrugëtim bëhet në të njëjtën rrugë ku shqiptarët e bënin këmbë të dëbuar nga shtëpitë tyre, pa zgjedhur gjini, moshë dhe besim fetar, si dhe as gjendje shëndetësore. Ky rrugëtim për Natalinë ishte një përjetim i gjendjes reale dhe të padrejtë ndaj shqiptarëve, në të cilën organizim bënte pjesë edhe burri i saj, por nuk e kishte menduar se ai do të ishte edhe dhunuesi i femrave adoleshente shqiptare. Ajo, sheh kordonin e shqiptareve me traktorë “Zetor”, të mbuluar me plastmasa, gratë e vajzat shamibardha, burrat me plisa, që i torturonin në mënyra të ndryshme, duke i nxjerrë nga kolona, duke ua marrë të hollat, arin, foshnjat prej dorës, si dhe duke mos u kënaqur me to edhe ua vrasin para syve.
Oficeri Zllatko me familje vendoset në hotelin “Pashtrik” të Gjakovës, diku në katin e shtatë, prej nga shihej çdo lëvizje në rrugë. Zllatko vazhdonte detyrat e tij ushtarake, kurse gruaja Natalia mbyllej në dhomë me djalin Ivin, ku e vetmja rrugë jashtë dhomës ishte një ballkon që kishte hoteli. Në të njëjtin kat, pranë saj, banonte edhe Zvjetllana, gruaja e drejtorit të Radio Gjakovës, prej ku merrnin çdo informacion. Natalia me Zvjetllanën shoqërohen aq mirë, saqë bëhen edhe mikesha të intime, duke i qarë hallet e njëra-tjetrës. Zvjetllana ishte kroate e martuar për Sllobodanin, drejtor i radios në Gjakovë. Një ditë, për t’iu larguar skenave të papara të paramilitarëve e të militarëve serbë, Natalia me Zvjetllanën vendosin të vizitojnë manastirin e Deçanit. Millutini, shoferi i Zllatkos, duke dashur t’i largohej kolonave të shqiptarëve, e shmang rrugën kryesore duke u futur në ato dytësore dhe kështu e humb rrugën duke shkuar në Meje të Gjakovës, ku sheh edhe masakrën më të madhe në Kosovës, ku qenë vrarë 377 shqiptarë, disa prej të cilëve nuk janë gjetur as të vdekur. Pikërisht, për shkak të kësaj ngjarje më të madhe tragjike të Kosovës, 27 Prilli 1999, është shpallur Dita Kombëtare e të Pagjeturve të Kosovës, e cila përkujtohet për çdo vjet në datën e përmendur. Pra, Natalia sheh gjithçka, që bëjnë paramilitarët serbë mbi shqiptarët e pafajshëm dhe vendos të ikë me djalin.
NATALIA ME DJALIN NË KOLONËN E SHQIPTARËVE PËR VDEKJE A SHPËTIM
Me shumë peripeci dhe e trishtuar Natalia kthehet në hotel “Pashtriku” në Gjakovë, ku edhe rrinte me burrin e saj Zlatkon, por tejet e shqetësuar çka kishte parë. Kjo gjendje e shkaktuar edhe me urdhrin e burrit të saj, e kishte detyruar Natalinë të hiqte dorë prej tij, duke gjetur momentin më të përshtatshëm. Ditë prej ditësh, duke u ushqyer në hotel, i kishte bërë përshtypje një derë bodrumi, ku oficerët ndërroheshin me radhë, se çka kishte aty. Një ditë vendos të shkojë fshehtas dhe të shoh se ç’ka aty. Pa u hetuar, sheh se aty burri i saj përdhunonte një vajzë 15-vjeçare shqiptare, ku ia kishte hetuar tatuazhin e Kullës së Ejfelit, të cilën e kishte bërë kur studionim bashkë në Strasburg. Më pas, i kishte parë edhe rrobat e zhveshura ushtarake dhe gradat që bante në uniformën e tij, më ç’rast edhe u bind se dhunuesi i 15-vjeçares ishte burri i saj Zllatko Iviç. Ja përshkrimi i saj: “Një vajzë e mitur, as 15-vjeçare përpëlitej e rënkonte e lidhur atje. Përmbi të një trup i bëshëm burri. Shfrynte epshet shtazarake mbi kërthinë. Në dysheme qe plasur një uniformë e re ushtarake. U lemerisa. Me gjunjtë që dridheshin po tërhiqesha pa u ndjerë. Në çastin e fundit, sytë më ranë mbi një tatuazh të njohur. Në krahun e djathtë të mashkullit ishte vizatuar Kulla e Ejfelit. E njihja aq mirë atë tatuazh. Ishte e tim shoqi, i Zllatkos.” (“Tmerri”, f. 196).
Tani për Natalinë mori fund çdo gjë për bashkëjetese me Zllatkon. Fati i saj për t’u katandisur me kolonën e shqiptarëve ndodhi, kur një ditë Zllatkon e thërrasin për të shkuar në Beograd për nja tri ditë, kurse Millutinin – shoferin e vet, e kishte angazhuar ta përcillte çdo lëvizje të Natalisë, e cila i kishte shkëputur marrëdhëniet me të. Me ndihmën e Zvjetllanës, merr disa plaçka të mundshme dhe djalin dhe në çastin kur fillonin bombardimet e NATO-s, ajo përvidhet nga hoteli dhe i bashkohet kolonës së refugjatëve shqiptarë për të dalë në Shqipëri. Natalia franceze i kishte pa me sy kolonën e shqiptarëve dhe mundimin që ua bënin serbët, por nuk ishte si e përjetuar ose më mirë të themi sikur të jesh vetë me epitetin e refugjates. Millutini e hetoi dhe iu vu pas, por kjo ishte maskuar tamam si gratë shqiptare, duke e prerë çarçafin e hotelit për t’i bërë dy shami të bardha, që të ngjaj me shqiptare. Në këtë rrugëtim tmerri, rasti e kishte sjellë të njihet edhe me një mësuese të gjuhës frënge, që kësaj i mundësohet një komunikim i mirë, duke i rrëfyer të vërtetën e fatit të saj, si dhe të burrit Zllatkos dhe të Millutinit, shoferit që po e ndiqnin me xhip në kolonë, duke i hy kolonës në mes dhe duke kontrolluar çdo grua. Fati solli, që Natalia u takua dy herë me Millutinin ballë për ballë në kolonë, duke e njohur, por nuk e rrëmbeu për t’i dërguar të shoqit Zllatko. Arsyen nuk e di as Natalia, e cila lë të kuptohet, se kur oficeri nuk mendon për gruan dhe djalin e vetëm të tij, duke bërë çmos në familjen shqiptare si një oficer, vallë çka do të bënte me serbët, që nuk zbatonin urdhrin e tij.
Natalia me djalin Ivin dolën në Shqipëri me shumë peripeci, bashkë me kolonën e shumë shamibardhave shqiptare, që hoqën të zitë e ullirit dhe përjetuan tmerret të ndryshme.
Pra, kemi një roman, që përshkruan ngjarjen e ndodhur në Kosovë, e shkruar nga një autor i Shqipërisë dhe e përjetuar nga një grua franceze, e cila njëherit është edhe kryepersonazhe e tërë brumit lëndor të romanit, e cila lë burrin, duke ikur me kolonën e shamibardhave shqiptare në Shqipëri, kinse për t’i ikur tmerrit, por bëhet vetë tmerr i këtij dëbimi.
Ferizaj, më 18 qershor 2017