Pashtriku.org, 12 shtator 2017:
Të Nderuara familje të Dëshmorëve!
Të Nderuar Invalid të Luftës!
Të nderuar bashkëluftëtar/e! dhe ju të gjithë të pranishëm!
Tash e 18 vite më parë, më 31 Maj 99, ranë për të mos vdekur kurrë këta dëshmorë për të cilët sot kemi ardhur t’i nderojmë, dhe të përurojmë këtë Kompleks Memorial.
Janë këta dëshmorë që nuk kursyen as jetën e tyre për lirinë e Kosovës, ndërsa Kosovës i është dashur të kalojnë 18 vite për ta ndërtuar këtë Kompleks Memorial. Vërtet e turpshme kjo!
Pas 18 vitesh mora guximin të dalë në skenë, jo për t’u ekspozuar,
por për t’i thënë disa nga padretësitë që ju bënë Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës e në veçanti femrës ushtare, edhe pse zëri i femrës i dha jehon luftës çlirimtare, por më pas u shua!
Kanë kaluar 18 vite, dhe femra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk e gëzon asnjë të drejt, pëkundrazai përbuzen nga disa matrapaz, e këtë përbuzje ja mundësuan qeveritarët – bashkëluftëtarët tanë të cilët nuk e morën në mbrojtje për të treguar sakrificën dhe trimërinë e femrës ushtare, e cila u përfshi vullnetarisht në luftën çlirimtare!
Pashtrik – Gorozhup, 31 maj 2017: Veteranja e UҪK-së, Ramize Sinanaj Shala.
Njoh disa nga bashkëluftëtaret që nga paragjykimet nuk kanë krijuar as familje!
Qeveritarët tanë nuk janë kujdesur për këtë kategori femrash,
nuk i kanë ofruar as punë, sepse fillimisht i kanë punësuar familjarët e tyre!
Për t’u punësuar në istitucionet qoftë qeveritare apo komunale, duhet t’i përmbushësh disa kushte, pos kualifikimit shkollor, duhet të kesh lidhje familjare me njerëzit në pushtet!
Në këtë rast po ju rikujtoj se, gjatë mobilizimit për çlirimin e atdheut nuk ka pasur asnjë kusht për ta veshur uniformën e UÇK-së një femër!
E cila qëndroi besnike deri në fund të luftës çlirimtare.
Qeveritarë, e di se jeni mësuar të dëgjoni fjalë të bukura dhe fjalimi im mund të mos ju pëlqej, por unë nuk do t’i mohoj të arriturat e juaja për shtetndërtim, ju ndërtuat rrugën e kombit, mbase ndërtuat edhe shumë komplekse banesore…, por në anën tjetër privatizuat fabrikat duke e lënë popullin pa punë, dhe pa të ardhme!
Ju ndërtuat edhe objekte Shkollore, por rrënuat diturinë, duke punësuar njerëz jo profesionist në lami të ndryshme.
Ju ndërtuat aq shumë pasuri për vete, për familjarët e juaj, sa nuk e keni ndërmend të ngopeni!
Prandaj mjaft ju lutem, se nuk luftuam për një Kosovë të tillë, luftuam për një Kosovë me të drejta të barabarta shoqërore, për një shoqëri me barazi sociale, për një shtet ku mund të funksionoj ligji i njejtë për të gjithë, sepse Kosova është edhe e jona.
Por keni të drejt ju pushtetarë, se vërtet Kosova është më shumë e Juaja se e Jona, sepse një pjesë bukur të mirë e shitët e një pjesë tjetër e uzurpuat pas luftës, ndërsa Ne kemi vetëm një shtëpi të vogël që na ka lënë trashigim Gjyshi!
Po, drejtësia ku mbeti, u vranë ushtarë e komandant pas luftës, dhe ende nuk janë gjetur fajtorët për t’u dënuar nga drejtësia!
Ndërsa Ju Qeveritarë – shkoni dhe i vizitoni vetëm atëherë kur ju nevoitet vota! Vërtet mjerim.
Bashkëluftëtarë falë votës sonë fituat tituj të ndryshëm, arritët të jeni deputet, kryeparlamentar, kryeministra e besa edhe kryetar shteti!!!
Ju votuam duke menduar se do e mbani betimin që dhamë para flamurit kombëtar, menduam se do ta mbronit Kosovën, dhe nuk do e falni asnjë pëllëmbë toke!
Pa më thuani ku mbeti Mitrovica?!
Po me Demarkacionin e “Zajednicën” çka po ndodh ???!!!
A ju kujtohet sakrifica e luftës, fitoret që korrnim gjatë luftimeve sa të gëzuar ishim…
A ju kujtohet sa shumë e donim dhe e respektonim njëri tjetrin…
A ju kujtohet kur nënat tona në orët e vona të natës na e shtronin sofrën për të na ushqyer…
A ju kujtohen sa herë kishim të ftohtë natën nëpër male, e mbronim njëri tjetrin, duke rrezikuar jetën…por ia dolëm – luftën e fituam.
Ndërsa sot Kosova po copëtohet në paqe nga keq qeverisja e juaj!
Qeveritarë, bashkëlufëtari im – për 18 vite me radhë nuk erdhe për ta vendosur një lule pranë dëshmorëve që ranë për liri, gjatë betejave të një pas njëshme gjatë luftimeve të përgjakshme këtu në Frontin e Pashtrikut, ku luftohej për jetë a vdekje në Operacionin “Shigjeta”,
opoeracion ky luftarak – i ideuar nga vetë ju Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, që sot qeverisni me vendin!
Por ju nuk keni faj sepse na varfëruat aq shumë, sa mendoni se mund të na bleni fare lehtë atëherë kur ju duhet vota!
Bashkëluftëtarë respektone Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse shteti i Kosovë do të ketë Ushtrinë e saj, por asnjëherë nuk do të ketë çlirimtarë si ishim ne dikur!
Dhe krejt në fund kam një porosi.
Bashkëluftëtaret e mija ju bëj thirrje, ashtu siç patëm guximin të marrim armët në duar për mbrojtjen e Atdheut në luftë, të marrim guximin t’i shërbejmë atëdheut edhe në paqe. Jam e bindur se do t’ia dalim!
________
P.S. Ky shkrim është lexuar më 31 Maj 2017 në Gorozhup, me rastin e 18 vjetorit të rënies së dëshmorëve të UÇK-së kundër pushtuesit jugosllavo-serb, në Operacionin “Shigjeta” në Pashtrik, ku njëherit është përuruar edhe Kompleksi Memorial në Gorozhup të Hasit.
Vajzat – ushtare të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës: