OSMAN OSMANI: PORTRETE MARTIRËSH – JETA DHE VEPRA E AFRIM ABAZIT

Pashtriku, 22 mars 2021: Jeta dhe vepra e Afrim Abazit, anëtarit aktiv dhe njërit nga udhëheqësit e Organizatës së Rinisë (ORK) të PKMLSHJ, lidhet ngushtë me lëvizjen revolucionare e atdhetare në Kosovë dhe luftën e paepur të popullit tonë për liri, barazi e pavarësi të vazhduar ndër shekuj e dekada për të arritur në ditën e një agimi të pritur ndër mote. Pjesëtarë në jetësimin e kësaj aspirate të dashur e të ndritur, në të cilën u lidhën brezat njeri pas tjetrit, i ra nderi të bëhej edhe Afrimit.
***
Afrim Abazi u lind më 7 qershor 1963 në fshatin Slivovë, komuna e Ferizajt. Babai i Afrimit, Kadriu, ishte mësues i dalluar dhe këtë profesion e ushtroi me dashuri dhe përkushtim plot 40 vjet. Nënë Ajshja ishte një nënë shembullore, e cila gjithnjë ishte pranë të birit, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e saj aktive në demonstratat e Ferizajt, më 3 prill 1981.


AFRIM K. ABAZI (07.06.1963 – 19.03.1982)

Të shkruhet për rininë aktive, atdhetare e revolucionare shqiptare të periudhës para dhe pas vitit 1981 është një detyrë e domosdoshme, njëkohësisht është edhe një punë që evidenton argumente dhe dëshmi të rëndësishme, të cilat kanë vulën e punës dhe veprimtarisë heroike të djemve dhe vajzave që për Atdheun, lirinë, barazinë e prosperitetin kombëtar e shoqëror nuk kursyen aspak shpatullat e tyre të njoma dhe u vunë tërësisht në shërbim të rrugës së mundimshme, por krenare madhështore për lirinë, çlirimin kombëtar e shoqëror. Ngjarjet e rëndësishme të zhvillimeve politike dhe atdhetare kanë lënë gjurmë të thella në të gjithë ecurinë e jetës dhe punës, veprimtarisë të asaj pjese të popullit shqiptar nën pushtimin e atëhershëm jugosllav. Në këtë vijueshmëri roli dhe gatishmëria shpirtërore e shumë të rinjve e të rejave atdhedashëse po shtronin të fortë tabanin në rrugët revolucionare për çlirimin e kësaj pjese të Atdheut, që qe nën pushtimin jugosllav.
Afrim Abazi, duke shtegtuar në rrugëtimin drejt lirisë, në rrugën e pakthyeshme shoqërore e kombëtare për të cilën ishte përcaktuar me kohë, më 11 mars 1982, kur po bëheshin përgatitjet e fundit për të shënuar dhe për të kremtuar njëvjetorin e demonstratave historike të 3 prillit 1981, u rrëmbye nga Sigurimi Shtetëror serbo-jugosllav, me dorën e shqiptarëve kuislingë, bashkë me shokun e tij, Ymri Ilazi, dhe u dërgua në UDB-në e Ferizajt, prej nga pas pak ditësh doli i mbytur në tortura, kurse shoku i tij, Ymri Ilazi, u dënua me burg të gjatë.
Familje me traditë atdhetare e përparimtare
Pra, Afrimi u rrit dhe u edukua nën përkujdesjen, sidomos, të babë Kadriut, i cili dikur kishte qenë anëtar i Partisë Nacionale Demokratike Shqiptare. Nga të gjitha mësimet e babait, Afrimit të vogël i kishte lënë mbresa të thella shembulli i Mic Sokolit, i cili ia kishte vënë kraharorin topit të armikut duke u shndërruar në simbol të guximit dhe të sakrificës për të gjitha brezat. Shpeshherë, Afrimi me babë Kadriun ia rregullonte varrin Heroit dhe mbillte lule mbi varrin e tij. Gjatë shkollimit të mesëm në Ferizaj, ku i ndiqte mësimet në Shkollën Teknike, shpeshherë u thoshte shokëve: “Slivova ka një nder të veçantë, që mban në gjirin e vet Heroin kombëtar, Mic Sokolin”.
Anëtarë i ORK të PKMLSHJ dhe bashkë-organizator i demonstratave
Marsi e prilli i vitit 1981 e gjejnë Afrimin në ballë të veprimeve revolucionare të rinisë shqiptare të Kosovës. Si anëtarë i OR së PKMLSHJ dhe Komitetit Drejtues të saj u angazhua aktivisht në organizimin e demonstratave.
Një kontribut shumë të rëndësishëm u tij ishte në fund të muajit mars 1981 kur u bënë përgatitjet e shpërthimit të demonstratave në Ferizaj. Afrimi bënte pjesë në grupin e ngushtë të shoqeve e shokëve që do të nisnin demonstratën. Çdo gjë ishte zhvilluar sipas parashikimeve deri në momentin e fundit, kur erdhi urdhri i prerë që demonstrata të mos shpërthente, meqë policia ishte në dijeni dhe kishte marrë të gjitha masat që ajo të shuhej me gjak. Afrimi kishte shtangur. Atë shtangie të tij, atë fytyrë plotë dritë e zjarre, shokët e shoqet e tij nuk do ta harrojnë kurrë. T’ia fillonte e shtynte një zjarr i brendshëm rinor, ndërsa mësimet e Organizatës e mësonin të ishte i disiplinuar. Afrimi e zbatoi urdhrin e Organizatës për të heshtur me 29 mars e për të ngritur lartë zërin me 3 prill 1981, kur në ballë të popullit ferizajas, me flamurin kuq e zi në dorë i priu masës në betejën me serbomëdhenjtë.

Në shkrimet e tija revokuese për demonstratat e vitit 1981 në Ferizaj, Faton Topalli si njëri nge bashkëveprimtarët kryesorë të Afrim Abazit revokon: “Më kujtohet si sot ai moment kur Afrim Abazi më pyeti se si do të fillojmë demonstratën pa transparente. I thashë: – Ja ku i janë transparentet ja ktheva duke i treguar me dorë nga to me mbishkrimet: ‘Rroftë shoku Tito’, ‘Rroftë 25 Maji’ e tjera të ngjashme. Po bënë shaka, më tha. Jo, i thash: – Ato janë transparente të dyfishta. Prapa parullave që duken janë të shkruara kërkesat tona ‘Duam Republikë, Barazi, etj.’. Posa të filloi demonstrata do ti heqim të parat dhe do të dalin në pah ato me kërkesat tona. Afrimi vetëm sa nuk më përqafoi nga gëzimi”.
Afrimi qëndroi në ballë edhe në përleshjet e egra me forcat policore të Beogradit. Atij nuk iu drodh zëri kur foli para masës për luftën që po bëhej. Afrimi më pas veproi vazhdimisht në masivizimin e radhëve të ORK, ndërsa veprimtaria e tij prej revolucionari do të intensifikohej përmes shpërndarjes dhe propagandimit të trakteve dhe materialeve tjera të Organizatës së Rinisë dhe Partisë, si gazetat “Revolucioni”, “Zëri i Atdheut”, “Teoria dhe praktika e Revolucionit” si dhe materialet tjera.
Me dashurinë e tij për atdheun dhe me guximin për të sakrifikuar çdo gjë për lirinë e atdheut, Afrimi me kohë u bë njëra nga shtyllat kryesore të veprimtarisë atdhetare ilegale në kuadër të Organizatës së Rinisë (të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi), bashkë me shokët dhe me shoqet e tij më të ngushtë, si: Faton Topalli, Ymri Ilazi, Fehmi Hajrullahu, Sejdi Sejdiu, Fatmir Bajrami, Rafiz Haliti, Fatime Gjinollin, Lumnije Azemin, Naim Ramadani, Gazmend Bajra, Lirie dhe Fitim Ramadani, Agron Ramadani, duke e zgjeruar rrethien edhe me Teuta Zymberin, Fatmir Avdullahun, Naim Nuredinin, Halit Osmanin, Naser Kukën, Hysen Shehun, Xhevahire Avdullahun, Hanumshahe dhe Isak Begeshollin, Mikreme Demirin, Shyqeri Gjinollin, Vehadin Azemin,e të tjerë, veprimtarinë e të cilëve e koordinonte drejtuesi i ORK (dhe sekretari për rini i PKMLSHJ) Faton Topall, paraqisnin bërthamën, e cila do të jepte kushtrimin për shpërthimin e demonstratës së 3 prillit 1981 dhe aktivitetet pasuese atdhetare e revolucionare në Kosovë e më gjerë.
Të gjitha organizimet për demonstratat e 3 prillit 1981, në Ferizaj, ishin kryer. Ora e madhe e demonstratave, e caktuar me kohë nga organizatorët, erdhi.
Më 3 prill 1981 qyteti gumëzhinte nga njerëzit që në orët e para të mëngjesit. Mes ferizajasve sikur ishte arritur një marrëveshje në heshtje: Demonstrata do të fillonte sot. Punëtorët trima të Kombinatit të Drurit “Tefik Çanga” me grevën e tyre sikur kishin lëshuar kushtrimin. Demonstrata filloi në ora 13:45, mes dy ndërrimeve të shkollave. Sado që organizatorët kishin caktuar grupi nismëtar për fillimin e demonstratës, brohoritjen e parë e bëri Nexhat Tërstena, ndërsa e shoqëruan me brohoritje qindra zëra të shkollarëve që po prisnin padurim këtë moment.
Në grupin dhe rendin e parë të demonstruesve u shpërndanë disa dhjetëra trakte të ardhura disa ditë më parë nga Komiteti Qendror i PKMLSHJ, në të cilat ishin të shënuara parullat dhe kërkesat që duhej të brohoriteshin në demonstratë. Nga Lista e parullave dhe kërkesave të përpiluara nga shtabi për demonstrata i Organizatës (PKMLSHJ) në Traktin e shpërndarë po veçojmë: ‘Kërkojmë Republikë’, ‘Kërkojmë pavarësi’, ‘Kërkojmë kushte’, ‘Kërkojmë barazi’, ‘Kërkojmë bashkimin e mbarë trevave shqiptare në një Republikë’, ‘Poshtë dallimet sociale’, ‘Poshtë eksploatimi i Kosovës’, “Poshtë hegjemonizmi’, ‘Poshtë kolonializmi’, ‘Poshtë tradhtarët’, ‘Poshtë kolonialistët’, ‘Nuk ka paqe pa liri’, ‘Nuk ka barazi pa pavarësi’, ‘Nuk ka barazi pa Republikë’, ‘Nuk do të ketë paqe për tradhtarët e mashtruesit’, “Rroftë Adem Demaçi!”, etj. Siç dihet shumica e këtyre kërkesave dhe parullave edhe u brohoritën zëshëm dhe u përdorën nga demonstratat masive në Prishtine, në Ferizaj dhe në qendrat e tjera të Kosovës në demonstratat e mars-prillit 1981. Kështu platforma e Organizatës bashkë me kërkesat e saja dominuan dhe u bënë kërkesa të masave popullore.

Faqja e parë e aktgjykimit të grupit të PKMLSHJ nga Kaçaniku e Ferizaj dhe faqja e parë e Aktgjykimit të grupit të nga Vitia e Gjilani të drejtuar nga Vahedin Azemi e Shyqeri Gjinolli
Siç dihet ky grup i parë u shpërnda shumë shpejt nga ndërhyrja e policisë. Me rastin e sulmit të parë të policisë u godit njëri nga organizatorët e demonstratës, veprimtari e drejtuesi i ORK – Fatmir Bajrami, i cili po ashtu ishte në ballë të demonstratës. Këtu filloi edhe përleshja me policinë e armatosur deri në dhëmbë dhe e demonstruesve duarthatë e popullit të pambrojtur, të cilët megjithatë me gurë disa herë arriti të zmbrapsë policinë që po sulmonte duke shti me armë.
Afrim Abazi ndodhej në grupin tjetër që ishte tubuar tek shkolla teknike. I tërë qyteti ushtonte nga brohoritjet REPUBLIKË! Kur ky grup arriti në qendër të qytetit, Afrim Abazi ndodhej në ballë të tij.
Pranë Parkut të qytetit, demonstruesit e tubuar filluan një duartrokitje të gjatë frenetike. Disa demonstrues e ngritën Afrim Abazin në duar, kurse Afrimi brohoriti me zë të fuqishëm: “Kush s’bashkohet, është tradhtar!”.

Afrim Abazi propozoi që të hynim në një shitore aty pranë dhe të merrnim një flamur kombëtar për të dalë me te në ballë të turmës. Asokohe përballë shtëpisë së mallrave “17 nëntori” gjendej një shitore zanatlinjsh që shiste jorganë. I zoti i shitores nuk ngurroi për t’ua dhënë flamurin demonstruesve. Pasi nuk dispononte shtizë, flamurin fillimisht në njërën anë e mbante Afrim Abazi e në tjetrën Faton Topalli, të cilin pas një kohë e zëvendësoi një shok tjetër.
Demonstruesit e tubuar u nisën në drejtim të shkollave të mesme të qytetit dhe drejt fabrikave. Në anën tjetër nga ndërtesa e Shtëpisë së Kulturës, pasi thyen derën e hyrjes, Nexhat Tërstena, Naim Ramadani dhe Isuf Lipovica hipin në katin e dytë dhe marrin flamurin kombëtar. Nexhati, me flamur në duar, i prin demonstratave deri te fabrika e mobileve “Tefik Çanga”. Udhëheqësit e Komunës bënin përpjekje t’i bindnin punëtorët e fabrikës që të mos u bashkoheshin demonstruesve, por nuk arritën t’i bindnin ata. Punëtorët i thyen dyert kryesore të fabrikës dhe iu bashkuan demonstruesve.
Bashkë me Afrim Abazin, në demonstratat e Ferizajt të 3 prillit 1981, u dalluan edhe dëshmorët Rizah Matoshi dhe Sherif Frangu. Gjatë demonstratës, Afrimi, së bashku me shokët e tij dhe me nënë Ajshen, që nuk iu nda për asnjë çast, ishte në ballë të tyre. Në orët e pasdites së 3 prillit, kur forcat e mëdha të policisë speciale kishin ardhur nga Serbia, pothuaj e kishin vënë qytetin e Ferizaj në shtetrrethim të plotë. Kur u vranë demonstruesit Rizah Matoshi dhe Sherif Frangu, kur u plagosën me armë zjarri së paku 15 demonstrues dhe kur filloi arrestimi në masë i demonstruesve, organizatorët vendosën që demonstruesit të shpërndaheshin, duke mos iu ekspozuar edhe më tutje rreziqeve të mëdha nga policia kriminale serbo-jugosllave.
Atë ditë, sipas informatës interne të zyrtarëve të KK të Ferizajt, u vranë dy demonstrues dhe pati së paku 15 të plagosur.
Shënimi i përvjetorit të parë të demonstratave e kryengritjes shqiptare të vitit 1981
Policia dhe UDB-ja serbe nuk kishin arritur të zbulonin shumë veprime të ilegales në Ferizaj dhe rrethinë. Nuk kishin arritur të zbulonin se kush i kishte vënë zjarrin makinave të policisë në vitin 1980, para hundëve të policisë. Nuk dihej, plotësisht, kush ishte implikuar në organizimin e demonstratës së 29 marsit dhe të 3 prillit 1981. Nuk dihej kush i kishte vënë zjarrin shtëpisë së shefit të UDB-së në Ferizaj, në vitin 1981. Nuk dihej, po ashtu, kush po i përgatiste demonstratat e reja, më 3 prill 1982, për të shënuar përvjetorin e demonstratave të një viti më parë. Afrim Abazi bashke me shoke e shoqe kishte marrë pjesë, i kishte propozuar dhe i kishte organizuar disa nga veprimet e lartpërmendura.
Inspektorët e UDB-së kishin nuhatur apo kishin informacione të pjesshme për veprimtarinë e Afrim Abazit dhe të shokëve e të shoqeve të tij, prandaj kishte bërë çmos për ta kuptuar dhe për ta zbuluar gjithë të vërtetën. Në aktivitete atdhetare, të viteve të tetëdhjeta, nuk kishte ndodhur ndokund tjetër në Kosovë që t’u vihej zjarri makinave të policisë para dyerve të policisë, apo t’i vihej zjarri shtëpisë së kryeudbashit të qytetit, e të mos zbuloheshin ato veprime. Prandaj, edhe trysnia për t’i zbuluar aktorët e veprave të tilla, ishte tepër e madhe. Për zbulimin e këtyre aksioneve, që kishin zhvilluar anëtarët e Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi në qytetin e Ferizajt, të cilës i takonte edhe Afrim Abazi, regjimi serb dhe kuislingët nga radhët e shqiptarëve vendosën të shkonin deri në atë shkallë sa të ushtronin tortura të tmerrshme ndaj Afrim Abazit, të burgosur më 11 mars 1982.
Në nëntor të vitit 1981 filluan burgosje të reja. Ato përfshinë e dhe shumë anëtarë të PKMLSHJ, por Afrim Abazi mbeti jashtë tyre. Ai do të vazhdonte me intensivet aktivitetin e tij deri në mbrëmjen e ndërmjetme të 10 e 11 marsit 1982, kur në Kosovë filloi një valë e gjerë burgosjesh e cila përfshiu edhe Afrimin. Pikërisht në kohën kur PKMLSHJ kishte
Në ketë kohë Organizata ku militonte aktivisht Afrimi kishte ftuar përmes një thirrjeje që të shënohet përvjetori i demonstratave madhështore të vitit 1981. Edhe Afrimi me shokë e shoqe ishte në ballë të këtij organizimi për shënimin e përvjetorit. Për organizimin e këtij përvjetori kryesisht në qendrat si Ferizaj e Prishtinë flitej gjithandej. UDB-ja e frikësuar për të frenuar këtë organizim reagoi me një valë të egër arrestimesh karshi veprimtarëve të eksponuar të këtij organizimi, duke krijuar një rrëmujë në Kosovë. Megjithatë u bojkotua mësimi në shumë shkolla dhe u ndërpre puna dhe prodhimi në shumë fabrika.
Përgjigja e masave thirrjes për shënim të përvjetorit i dha UDB-së të kuptoi se ishte mashtruar me vlerësimin se përmes arrestimeve kishte arritur të shkatërroi rrjetin operativ dhe veprimtarinë e organizatave revolucionare e atdhetare, që tanimë me bashkimin e tyre në Lëvizjen për Republikë (LRSSHJ) ishte bërë edhe më i fortë.
Arrestimi i Afrimit ishte bërë me vendim personal të Sekretarit Krahinor të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Mehmet Maliqi. Në përvjetorin e këtyre demonstratave, më 11 mars 1982, Afrimi, së bashku me shokun e klasës, Ymri Ilazi nga Shtimja, kishte organizuar të gjithë nxënësit e Shkollës Teknike të Ferizajt që të dilnin në qytet për t`i përkujtuar demonstratat historike të një viti më parë. Mirëpo, kolaboracionistët i kishin dhënë sinjalin e alarmit policisë serbe dhe UDB-së se në Shkollën Teknike vetëm sa nuk kishin shpërthyer demonstratat. Pas këtij alarmi, policia e kishte rrethuar shkollën dhe kishte vënë nën pranga militantët Afrim Abazi dhe Imri Ilazin.
Afrimi gjatë hetimeve u përballë me tortura e represalie të egra të ushtruara ndaj tij. Edhe përkundër kësaj, UDB-ja nga Afrimi nuk mundën të nxjerrin asnjë emër bashkëveprimtarësh. Ai qëndroi si guri. Me 19 mars 1982, pas nëntë ditë tortura çnjerëzore, në orën 13.30, UDB-ja hodhi trupi i pajetë i Afrimit nga dritaret e katit të pestë të ndërtesës së re Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Ferizajt.
“Bëri vetëvrasje”: nën këtë shpifje u munduan të fshehin duart e krimit gjakpirës shovinistët ndër të cilët shefi i UDB-së së Ferizajt Milorad Stankoviq – Lacki e bashkëpunëtori e tij me emrin Serboljub, e kuislingët servil të tyre si Adem Goga, Halit Loku, Hafet Rexhallari e të tjerë.
Bijtë e Kosovës e kanë dashur dhe e duan jetën dhe ata vdesin për të jetuar, por kurrë duke vrarë veten!
Emri i Afrim Abazit është i pandashëm nga kryengritja shqiptare e vitit 1981
Pas demonstratave të 1 e 2 prillit në Prishtinë dhe të 3 prillit 1981, në Ferizaj, ku pati të vrarë, të plagosur dhe shumë të burgosur, asgjë më nuk ishte si më parë. Njerëzit ishin trimëruar dhe kishin fituar guximin se, për lirinë e qytetit të tyre të dashur, Ferizajt, por edhe të tërë Kosovës, ia vlente të vazhdoheshin aktivitetet e organizuara atdhetare. Andaj, viti 1981 dhe viti 1982 ishin vite të kthesave të mëdha në jetën e veprimtarisë ilegale atdhetare.
Veprimtaria atdhetare e revolucionare dhe protestat, demonstratat e kryengritja e vitit 1981/82 në Kosovë e veçanërisht në Ferizaj dhe emri i Afrim Abazit, janë gjëra të ndërlidhura ngushtë mes veti, ndaj edhe është pamundshme të shkruash për njërën e të mos përmendësh tjetrën.
Bashkëveprimtari Faton Topalli në një shkrim të tij revokues për Afrimin, ndër të tjera shkruan: “Në vitin 1981 në rrugën e Gjilanit në Ferizaj familja jonë kishte një shitore, në të cilën shisnim xhemperë që i thurte nëna ime. Shpesh, pas orarit të mësimit, më binte të punoja në shitore. Aty mund të kamuflonim mirë edhe takimet tona, pa ra në sy të organeve të ndjekjes. Një ditë tek sa bisedoja në shitore me Afrimin për situatën dhe detyrat që na prisnin, mes tjerash më tha: – Po pate nevojë për dike që duhet të ngrejë gishtin, më thirr mua. Afrim Abazi ishte nga ata njerëz që e mbanin fjalën dhe siç do ta dëshmonte koha më vonë, ishte i gatshëm në çdo sakrificë. Nëntori i vitit 1981 solli me veti edhe valën e burgosjeve masive. Pikërisht në mes të nëntorit u burgosën edhe Lumnije Azemi, Fatime Gjinolli e shumë shoqe e shokë tjerë që vepronin në kuadër të Organizatës PKMLSHJ. Si Lumnija ashtu edhe Fatimja me qëndresën e tyre heroike shpëtuan nga burgosja një grup të tërë shokësh e shoqesh, mes të cilëve bënte pjesë edhe Afrim Abazi.
Shtypi jugosllavë, por edhe ai në gjuhën shqipe në Kosovë, sikur edhe institucionet tjera si gjyqësia e asaj kohe, por edhe zyrtarët shqiptarë ishin tërësisht në shërbim të pushtuesit, të cilët edhe kur raportonin apo prononcoheshin, shpesh nuk druanin edhe të dezinformonin, të heshtnin kërkesat, të ndërronin, ngatërronin e shtrembëronin qëllimisht e faktet, bile shkonin aq larg, sa edhe shpifnin e fyenin siç është më së keqi, kundër kërkesave dhe veprimtarëve. Kjo shihet edhe me rastin e mbajtjes së gjykimeve kundër grupeve të ndryshme të veprimtarëve atdhetarë shqiptarë gjithandej. Disa nga gjykimet e dënimet as që bëheshin publike, as për opinion vendës e as për atë të jashtëm. Veçanërisht gjykimi i grupeve, që vepronin duke u bazuar në platformën politike të PKMLSHJ, bëhej pothuajse i fshehur. Ato gjyqe zhvilloheshin ne fshehtësi të plotë.
Armiku dhe veglat e tij, pos tjerash, në pamundësi të asgjësimit të veprimtarisë atdhetare dhe të luftimit me argumente të kërkesave të drejta e të arsyeshme, që dilnin nga platforma politike e Organizatës për Republikë – PKMLSHJ, bënin një luftë speciale propagandistike e shoqëruar me intriga, shpifje e shtrembërime të ngjarjeve dhe kërkesave objektiveve shqiptare të kohës.
Krimi as nuk vjetrohet as nuk harrohet
Edhe pse kanë kaluar 39 vite, autorët e krimit janë të lirë. Vepra kriminale as nuk vjetërsohet e as nuk harrohet, andaj organet përkatëse duhet të ndriçojnë mbytjen me torturë dëshmorit të parë ferizajas e të Kosovës pas vitit 1981, vetëm pse për herë të parë publikisht në demonstrata kërkoi që Kosova të bëhet republikë. Autorët duhet domosdoshmërish të përgjigjen para organeve të drejtësisë së Republikës së Kosovës!

Afrimi nuk ka vdekur. Asi jeton me ne, në zemrat e Ferizajasve, jeton në zemrat e Kosovës dhe Kosova e shqiptarët do ti thurin lavdi të përjetshme.
Tanimë emri i Afrim Abazit dhe i dy të rënëve në demonstratat e vitit 1981, Sherif Frangut nga Sllatina e Vitisë dhe Rizah Matoshit nga Nikadini, ndër të tjera ndodhen të skalitur në pllaka të vendosura në murin e Bibliotekës Publike të Ferizajt.
Edhe miqtë zviceran (Andi, Mathias dhe Michi) bashkë me autorin e përmbledhjes në shenjë nderimi e solidariteti fotografohen pranë pamjes me dëshmorin Afrim Abazin (të vendosur në Pallatin e Risisë në Prishtinë)
Bashkëveprimtarët e Afrim Abazit konsekuent në veprimtari atdhetare e luftë çlirimtare
Shumica e bashkëveprimtarëve të Afrimit ose janë arrestuar e dënuar me vite burgu, ose janë përndjekur e detyruar të emigrojnë, apo më pas kanë luftuar me armë në dorë për çlirimin e Kosovës e viseve tjera shqiptare. Të gjithë ata ruajnë kujtime të shumta dhe më të mira për të.
Në fotografi bashkëveprimtarët pranë varrit te Afrim Abazit: në anë të djathtë është ish i burgosuri politik dhe dëshmori i luftës çlirimtare Sejdi Sejdiu, ndërsa ne anën e majtë janë ish të burgosurit politik e pjesëtarët e UÇK Imri Ilazi dhe Fehmi Hajrullahu! (Foto e huazuar nga Fehmi Hajrullahu)
Sqarim: Ky përshkrim përmbledhës paraqet një strukturim kronologjik bazuar në shkrime të ndryshme të bashkëveprimtarëve të Afrim Abazit të botuara fillimisht në gazetën “Punëtori” -organ i Organizatës Sindikale Bashkimi i Punëtorëve të Kosovës në kuadër të Lëvizjes për Republikë Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (OS BPK e LRSSHJ); nga shkrime e fjalime të bashkëveprimtarëve më të ngushtë të Afrim Abazit në rast përvjetorësh, si Faton Topalli e Fatmir Bajrami; nga revokime të bashkëveprimtarëve të tij – ish të burgosurve politik Ymri Ilazi e Fehmi Hajrullahu; nga shkrime të gazetarëve shqiptar të botuara me rastin e përvjetorit të vrasjes së Afrim Abazit nga ana e UDB-ës; si dhe nga një shkrim të veteranit të lëvizjes atdhetare Selatin Novosellës botuar në shtypin e kohës me rastin e njërit nga përvjetorët e martirizimit të Afrim Abazit.
Përmblodhi, përshtati dhe përditësoi Osman Osmani,
Prishtinë e Neuhausen, 16 – 20 mars 2021
***
(Me rastin e përvjetorit e 39’të te dëshmorit e heroit Afrim Abazit, këtij shkrimi po ia bashkëngjisim edhe vegën e FB me një këngë të kënduar nga rapsodi lezhjan Gjon Frroku, interpretuar me 19 mars 2016 me rastin e Akademisë përkujtimore mbajtur në Sallën e Kuqe të Qendrës së Rinisë dhe Kulturës në Prishtinë: https://fb.watch/4jl89xxOXN/)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura