REAGIM I KMDLNj’së: DY DENONCIME TË PANEVOJSHME DHE NGATËRRIMI I PËRGJEGJËSIVE!

Pashtriku.org, 20. 10. 2015: Javën e kaluar ishin dy denoncime që i ngritën tensionet në një mjedis edhe ashtu të tensionuar të cilit i mungon vetëm shpërthimi. Ati Sava Janjiq, i pari i Manastirit të Deçanit si në aspektin shpirtëror, material dhe përfaqësues, duke u thirrur në raportet e shërbimeve informative dhe kundërinformative të huaja deklaroi se skena politike në Kosovë udhëhiqet nga grupet kriminale dhe krimi i organizuar me të cilët ndërkombëtarët po detyrohen të bashkëpunojnë shkaku se nuk kanë alternativë tjetër përveç “neonazistëve të VV”. Me një fjalë, ati Janjiq i cili “angazhohet” për bashkëjetesë me shqiptarët konstaton se shoqëria kosovare udhëhiqet nga kriminelët dhe neonazistët prandaj po lobon fuqishëm kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO! Ati Sava Janjiq e pati denoncuar edhe KMDLNj-në përkatësisht Musë Berishën si udhëheqës i NKMDLNj në Deçan dhe Behxhet Shalën, drejtor ekzekutiv sepse në raportet e KMDLNj-së shkruante se Manastiri i Deçanit ishte shndërruar në çerdhe të krimit kundër shqiptarëve para dhe gjatë luftës për faktin se aty kishte paramilitarë dhe forca serbe të armatosura ku strehoheshin, shpërndanin armë dhe torturonin qytetarë të pafajshëm. Denoncimin e kishte bërë te misioni i OSBE-së në Prishtinë i cili kërkonte nga KMDLNj një kërkim falje publike për atin Sava në të kundërtën do të përballej me gjyq.
KMDLNj nuk e bëri atë që u kërkua nga OSBE-ja por e ripublikoi reagimin i cili mbështetej në deklaratat e dëshmitarëve.

Sava Janjiq, i pari i Manastirit të Deçanit dhe Isa Musafa i pari i Qeverisë së Kosovës!

Ati Sava Janjiq, para se të merret me udhëheqësit e kriminalizuar kosovarë dhe neonazistët e VV, duhet të distancohet qartazi nga krimet që i kanë bërë bashkombësit e tij me bekimin dhe përkrahjen e Kishës Ortodokse serbe e cila edhe sot e kësaj dite nuk ka lëvizur nga pozicionet shoviniste serbe duke e inkurajuar politikën e Beogradit që ta destabilizojë Kosovën dhe duke e bërë atë jofunksionale. Ati Sava Janjiq nuk e ka të drejtë njerëzore, materiale, morale dhe shpirtërore të akuzojë për krim dhe neonazizëm shqiptarët sepse vet ka qenë dhe është vazhdimësi e krimit të regjimit serb kudër çdo gjëje shqiptare aq më parë Kisha Ortodokse serbe ka qenë dhe mbetet spiritus movens i të gjitha të këqijave ndaj shqiptarëve dhe joshqiptarëve që nuk janë pajtuar me regjimin serb.
Isa Mustafa, kryeministër aktual i Kosovës, në vazhdën e konfrontimit verbal me opozitën, në një postim në Facebook-un e vet, duke iu përgjigjur kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, ia kujton atij liqenin e Radoniqit për çka kryetari i AAK-së ishte gjykuar dy herë para Tribunalit të Hagës dhe ishte shpallur i pafajshëm. Adresimi publik i përgjegjësisë ndaj Ramush Haradinajt për viktimat e Radoniqit është gjëja e fundit me të cilën do të duhej të merrej Isa Mustafa, si kryeministër apo ndonjë politikan tjetër apo është gjëja e parë me të cilën nuk duhet të merren nëse e duan pavarësinë e gjyqësorit. Akuzat për vrasje politike të kundërshtarëve politikë është gjithashtu një retorikë për përfitime politike dhe ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit. Adresa përgjegjëse për liqenin e Radoniqit, vrasjet me motive politike dhe etnike është hetuesia, prokuroria dhe gjyqësori e jo kryeministria, ministritë, presidenca, Kuvendi apo ndonjë lider politik. Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës ka deklaruar se postimi nga faqja e tij nuk është shkrim apo qëndrim i tij por se dikush ka ndërhyrë i paautorizuar në administrimin e faqes që është në emër të tij.
Akuzat në adresë të Ramush Haradinajt janë shumë të rënda dhe shumë serioze andaj, nëse vërtetë dikush ka ndërhyrë në faqen elektronike të kryeministrit (mundësitë teknike ekzistojnë) atëherë kryeministri Mustafa duhet të kërkojë nga organet e hetuesisë të ndërmarrin veprime të menjëhershme për zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht t’i kërkojë falje publike Ramush Haradinajt. Kështu e kërkon korrektësia në rast se ka keqkuptime sikur ky dhe do të ishte kontribut konkret që, përmes këtij veprimi të zbuten tensionet që aq shumë po e rëndojnë jetën e qytetarit sikur që po e ndanë dhe thellon edhe më shumë hendekun pozitë-opozitë. Politikanët duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm për fjalorin që e përdorin !

Shërbimi për Informim i KMDLNJ’së
Prishtinë, 19 tetor 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura