REFLEKSIONE NË TRI KOHË HISTORIKE: 1944 – 1945, 1968, 1981 E 1989 DHE 1998 – 1999

Refleksione në tri kohë: për qëndrimin e shqiptarëve në revoltën e dimrit të viteve 1944-1945, në demonstratat e viteve 1968, 1981 e 1989 dhe në luftën e Kosovës të viteve 1998-1999

Nga Marenglen VERLI, Pashtriku 17 korrik 2022

 Kohë të ndryshme por synime të njëjta, si nga shqiptarët dhe nga serbët, prandaj dhe përpjekjet pavarësisht nga veçoritë e nuancat kanë qenë të ngjashme. Le të bëjmë një skicë të shkurtër pa zbritur në kohë më herët se viti 1944, vit kur shqiptarët u ballafaquan me regjimin komunist të shtetit të ri jugosllav të RFSJ.

Revolta e dimrit 1944-1945

Situata e brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare në vitet 1944-1945 nuk janë të panjohura. Pas disa vjet betejash të ashpra, të fuqive botërore, të grupuar në dy blloqe, që kishin startuar që nga viti 1939, të pasuara me vdekje, shkatërrime, ndryshime kufijsh e pushtetesh, në gjysmën e dytë të vitit 1944, Lufta e Dytë Botërore po i afrohej fundit. Blloku Fashist, nuk e kishte më pjesë të tij Italinë, që kishte kapitulluar e dalë nga lufta një vit më parë dhe që ishte bërë terren zbarkimi e territor i kapur nga Aleatët në pjesën më të madhe, kurse Ballkani po zbrazej me shpejtësi nga armata gjermane, e cila tërhiqej drejt kufijve të ngushtë të Rajhut hitlerian të paraluftës. Forcat politike dhe ushtarake të popujve ballkanas në këtë ndryshim të raporteve globale po humbisnin ose po fitonin terren. Në varësi të madhësive territoriale e demografike të këtyre popujve apo kombeve, dhe të qëndrimit të deriatëhershëm të orientimeve të ndryshme politike brenda tyre, por natyrisht edhe mbi bazën e parimeve të shpallura nga Fuqitë e Mëdha të Bllokut Antifashist (ndër të cilat ai i mosnjohjes së ndryshimit të kufijve në Ballkan nga Blloku Fashist), si edhe të axhustimit të interesave të tyre, të konkretizuara në Konferencat e Jaltës dhe të Potsdamit, këto fuqi ndërtuan qëndrimet specifike konkrete.

Në këtë kuadër rreth 1.5 milion shqiptarët e Ballkanit të rrudhur në rreth 50-60 mijë km2, përballë 5-6 milionë serbëve që kishin drejtuar, në mos sunduar Mbretërinë Jugosllave prej 12-13 milionë banorësh, me territor rreth 255 000 km2 nuk llogariteshin faktorë potencialë në Ballkan nga fituesit e mëdhenj të luftës. Ata veçanërisht në Kosovë e në trevat shqiptare lindore, vlerësoheshin se nuk ishin angazhuar masivisht në luftën antifashiste. Klanit serb që do të ishte me pushtet potencial në Federatën, që po formatohej nga mareshali kroat Tito, iu la ndërkohë, duke filluar nga mesi i vitit 1944, dorë e lirë në Vojvodinë e Kosovë, me sa duket edhe me OK-ein e Perëndimit për të ndenjur “urtë” e për t’u pajtuar me faktin që Sllavonia, Lika e Kurduni, të banuara masivisht nga serbët, nuk do të përfshiheshin në Republikën e Serbisë.

Por, me viset shqiptare do të kënaqeshin edhe synimet e elitave të tjera të grupimeve më të vogla kombëtare në Federatë. Viset shqiptare lindore do të bëheshin pjesë e Republikës së Maqedonisë dhe ato veriore e veriperëndimore pjesë të Republikës së Malit të Zi. Në të gjithë këto treva e jo vetëm në Kosovë, popullsia shqiptare herë nën etiketimin si “balliste”, apo “bashkëpunëtore e fashizmit”, herë thjesht nën përbuzjen kombëtare ose fetare, u denigrua dhe u vu nën trysninë permanente politike dhe ekonomike. Kuadrot shqiptarë të aktivizuar në luftën antifashiste u anashkaluan e shpërfillën, madje, kur reagonin, edhe u goditën me arsye të stisura, kurse popullsia dhe krerët popullorë nacionalistë u masakruan dhe likuiduan si armiq. Në të gjitha nivelet në administratë, ekonomi, kulturë etj., shqiptarët në tërësi e panë veten të shfrytëzuar e të diskriminuar.

Reagimi masiv i shqiptarëve të asaj gjenerate është i njohur. Revoltat që shpërthyen në dimrin e viteve 1944-1945, veçanërisht Revolta e Drenicës, nën drejtimin  e Shaban Polluzhës, të cilat u mbytën me gjakun e dhjetëra mijëra viktimave, treguan se urat e pajtimit e bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe udhëheqjes së re të Beogradit, mbi një bazë të re botëkuptimore, mbi parimet e “bashkim-vëllazërimit” që ishte propaganduar se do linte pas të kaluarën, ishin shembur ende pa u ndërtuar nga regjimi i ri komunist i Federatës. Pas vitit 1948 ai u kujdes të vijonte më tej, të likuidonte kuadrot e tij shqiptarë, që i konsideronte rrezik potencial, duke i etiketuar herë si informbyroistë e herë si “bartës të nacionalizmit shqiptaromadh”.

Demonstratat e vitit 1968 – prelud i kthesës pozitive të viteve ‘70-të

Armiqësia Tiranë-Beograd ishte shfrytëzuar nga klani serb në Federatën Jugosllave dhe nga bashkëpunëtorët e tyre maqedonas e malazezë, për të shtypur, terrorizuar e shpërngulur masivisht shqiptarët, gjatë gjithë viteve ‘50-të dhe në gjysmën e parë të viteve ‘60-të, xderi në vitin 1966.

Me mbështetjen e BRSS veçanërisht pas vitit 1964, klani serb e rriti mjaft presionin mbi konkurrentët e grupimit kroato-slloven, duke shfrytëzuar koniunktura rajonale e ndërkombëtare të favorshme që iu krijuan pas rënies së Nikita Sergejeviq Hrushovit dhe ardhjes në krye të udhëheqjes sovjetike të dorëfortit agresiv Leonid Brezhnjev. Por, ai do të merrte edhe goditjen e njohur në Plenumin e Brioneve, kur numri një i Serbisë, Aleksandër Rankoviqi dhe pasuesit e tij u shfuqizuan, u larguan nga pushteti dhe u dënuan. SHBA-ja dhe demokracitë perëndimore po përplaseshin me BRSS-në në disa rajone të botës, veçanërisht në Vietnam dhe nuk mund të toleronin ndryshimin e raportit të forcave në Ballkan dhe Evropë.

Duke gjetur mbështetjen e Perëndimit, Titoja filloi spastrimet në PKJ e në administratën shtetërore të cilitdo individi apo grupimi që rrezikonte Federatën Jugosllave dhe pushtetin e tij.

Më 1966-1968, grupimi i Titos, përballë agresivitetit të Moskës, me OK-ein e Perëndimit, realizoi goditjen e klanit serb të Rankoviqit . Njëkohësisht gjeti interesa të njëjta mbrojtëse në Tiranë, ku gjithashtu i trembeshin përsëritjes së një ndërhyrjeje ushtarake ruse si në Çekosllovaki . Superfuqitë ndërkohë, ndërsa ishin pajtuar për status quo-në në Evropë, balanconin njëra-tjetrën në rajone të ndryshme të botës, veçanërisht në Azi ku po punonin për të krijuar raporte të reja. Kështu do të ndodhte afrimi i SHBA-së me Kinën, të cilës iu ofrua ndihmë për forcimin e ekonomisë dhe iu dha mbështetje diplomatike për të lehtësuar presionin politik dhe ushtarak të BRSS-së.

Në situatën ndërkombëtare të sipërpërmendur, pavarësisht nga sloganet, shqiptarët e Kosovës panë dritën jeshile për të avancuar statusin e tyre në Federatë, sa guxuan për herë të parë publikisht të shtronin edhe kërkesën për t’u njohur si republikë. Edhe pse kjo kërkesë nuk u miratua dhe demonstratat e vitit 1968 u dënuan si veprime destabilizuese për shtetin në 1974-në, Kosova fitoi statusin më të lartë me Kushtetutën e atij viti dhe u shndërrua në një element (faktor) konstituiv në RFSJ. Koniunktura ndërkombëtare  stabilizuan në vijim, për një dekadë, marrëdhëniet pa tension të dukshëm midis Tiranës dhe Beogradit dhe në këtë kuadër, forcim të bashkëpunimit Tiranë-Prishtinë.

Demonstratat e vitit 1981: përplasje pa fitimtarë dhe fillimi i prishjes së ekuilibrit të brishtë të RSFJ-së

Në fund të viteve ‘70-të, Blloku Lindor ishte në dekompozim. Kishte filluar “muzgu i perëndive të stepës”. Udhëheqësit e BRSS-së, pas Brezhnjevit, si Susllovi dhe Andropovi, ishin shumë të moshuar dhe e mbajtën fare pak kohë pushtetin, që do t’i kalonte më pas grupimit të Mihail Gorbaçovit, realist dhe liberal. Gjithsesi pas vdekjes së Titos 1980, serbët dhe shqiptarët po tregoheshin aktivë, për një përballje të re të ashpër, serbët duke shpresuar të rikuperonin ato që i quanin “humbje kombëtare” (shih Memorandumin e akademikëve serbë të vitit 1996), kurse shqiptarët të pakënaqur nga arritjet e viteve ‘70-të, veçanërisht të ndjerë inferiorë në ekonomi e fusha të tjera të jetës, ndoshta edhe duke ndjerë se do të forcohej presioni serb shpërthyen në demonstrata, që, në segmentet e tyre jo spontane, pra në grupimet e organizuara, llogaritën se mund të protestohej për të avancuar arritjet e fituara deri atëherë.

Sot e kësaj dite diskutohet, çfarë duhet konsideruar, apo si duhet emërtuar, ajo që ndodhi në pranverën e vitit 1981: demonstratë, revoltë, kryengritje, apo diçka tjetër? Së dyti, diskutohet a ishin spontane apo të organizuara, ose sa ishin spontane e sa të organizuara dhe kush i organizoi? Gjithashtu, analizohet se kush brenda ose jashtë Krahinës së Kosovës, apo edhe Federatës, ishte i interesuar për atë që ndodhi? Së fundi, kush pësoi dhe kush përfitoi në nivel krahinor, republikan apo federativ dhe kush përfitoi në botën e jashtme?

Por çfarë ndodhi realisht në Kosovë në mars-prill 1981?Gjatë viteve ‘70-të, një numër organizatash ilegale, brenda e jashtë Kosovës (“Grupi revolucionar që pas 1976 mori emrin Grupi Marksist-Leninist i Kosovës” me në krye Kadri Osmanin dhe Xhaferr Shatrin, “Lëvizja Kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare”, “Fronti i Kuq”, “Zëri i Kosovës”, “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” me në krye Abdulla Prapashticën, ku bënte pjesë edhe organizata e Jusuf Gërvallës), ndihmuan në krijimin e situatës së paqetë te shqiptarët e pakënaqur që prodhuan ngjarjet e vitit 1981. Pavarësisht nga flamuri ideologjik, përveç atij kombëtar, që kishte lëvizja ilegale, dhe nuk mund të ishte ndryshe përderisa në programe kërkohej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, organizatat ilegale kishin gjetur mbështetës, veçanërisht në shtresa e grupmosha të caktuara të popullsisë.

Mandej gërshetimi i lëvizjes ilegale me atë legale, spontane ose të organizuara, kishte shërbyer për sensibilizimin e gjithë popullsisë shqiptare. Hapësirat e krijuara nga Kushtetuta e 1974, masivizimi i veprimtarive kulturore dhe i arsimit, veçanërisht atij universitar, si edhe leksionet patriotike të profesorëve të ardhur nga Tirana, kishin ndikuar që të dilte në pah diskriminimi flagrant në të kaluarën, që ende kishte mbetur i pakapërcyer edhe pas 1974, dhe të synohej afirmimi i mëtejshëm i shqiptarëve në të gjitha fushat, për të shkuar drejt një përfaqësimi proporcional në institucionet politiko-administrative, ekonomike, arsimore, kulturore etj., të Kosovës. Hapat pozitive të sipërpërmendura ndikuan në forcimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Udhëheqja politike e shqiptarëve të Kosovës, duke afruar me kujdes inteligjencien shqiptare favorizoi me pragmatizëm zhvillimet pozitive.

Synohej nga pothuaj të gjithë shqiptarët e Kosovës, por edhe shqiptarët e trevave të tjera shqiptare në Maqedoni, në Malin e Zi e më gjerë, që KSA Kosovë të fitonte statusin e republikës, por nuk kishte gjasa që ai të pranohej. Nga viti 1974 deri në vitin 1981 ishin arrestuar për “veprimtari nacionaliste mbi 600 shqiptarë dhe çdo kërkesë së synonte republikën quhej herezi”.

Por të pakënaqur me Kushtetutën e vitit 1974 që i jepte autonomi të gjerë Kosovës, ishin edhe serbët. Proceset decentralizuese në Federatë dhe tendenca e thellimit të sistemit të vetadministrimit, gjatë viteve ‘70-të e bënë agresiv nacionalizmin serb. Për të ruajtur pozitat dominuese në Federatë, pas goditjes që kishte marrë më 1966 ai nuk shihte rrugë tjetër përveç forcimit të diktatit të Serbisë duke shkelur mbi të drejtat e të tjerëve, përkatësisht, në rastin e Kosovës për t’i hequr asaj të drejtat që ndërkohë kishin forcuar autonominë e saj.

Pakënaqësia e të dy palëve, edhe e serbëve edhe e shqiptarëve për statusin e Krahinës, të arritur me Kushtetutën e vitit 1974, e bënte konfliktin të pashmangshëm. Pas një tentative fillestare më 1975, për të kundërshtuar zgjidhjet kushtetuese të vitit 1974, për krahinat e saj autonome, Kryesia e RS të Serbisë, arriti më 1977 që pikëpamjet për këtë çështje t’i paraqiste në një botim që u titullua “Libri i Kaltër”. Në këtë kohë, Titoja në krye të RSFJ, me prestigj të padiskutueshëm dhe fryma politike e Federatës binte ndesh me idetë e shfaqura në botimin e sipërpërmendur, kështu që ai u hoq nga qarkullimi, por më 1986, ato ide do të ridilnin në skenë në tezat e Memorandumit të Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Serbisë.

 Gjithsesi, fakte të prekshme dhe determinante për qëndrimin e njerëzve ndaj situatës politike si ecuria ekonomike e reflektuar në të ardhurat kombëtare për banorë, që më 1980 arrinin me vetëm 28,1% mesataren jugosllave, dhe shumë tregues të tjerë flisnin për dështimin e sloganit të “bashkim-vëllazërimit”. Shqiptarët nuk mund të pajtoheshin me justifikimet, sido qofshin ato, që të ishin në marrëdhënie pune në sektorin vetadministrues në raportin 1 në 18 banorë, kur te serbët e malazezët raporti qe 1 në 3-4 banorë.

Pabarazia nacionale në Kosovë e dukshme jo vetëm në fushën ekonomike por edhe politiko-shoqërore, që buronin nga statusi ende i pamjaftueshëm i Kosovës, e kishin forcuar kështu gjatë viteve ‘70-të aspiratën e shqiptarëve për të kërkuar një jetë më të pavarur, pra për të kërkuar republikë. Statusi i krahinës, ishte i pamjaftueshëm për të përmirësuar situatën dhe për të fashitur vlimet sociale e politike që ishin shfaqur pas vitit 1968 edhe në 1971, 1975, 1979.

Demonstratat e pranverës së vitit 1981, ishin kështu rrjedhojë e një procesi që vijonte.

Unë nuk do të ndalem në ngjarjet konkrete të vitit 1981, jo vetëm sepse ato nuk janë të panjohura por edhe nuk janë objekt i kësaj kumtese. Nuk do të flas për datat dhe vendet ku pati protesta (protestat nisën më 11 mars në Prishtinë, vijuan më 25 mars në Prishtinë e Prizren, më 26 mars Prishtinë, më 1-2 prill edhe në Podujevë, Vushtrri, Viti, Lipjan, Ferizaj, Mitrovicë dhe u tentua në Pejë, Gjakovë, Gjilan) as për kërkesat sociale e më pas politike të demonstruesve, as për trefishimin e forcave të armatosura dhe përfshirjen e mjeteve të rënda të luftës (45 000 ushtarë, 20 000 milicë, 352 tanke) as për fajësimin edhe të Shqipërisë si organizatore nga qarqet drejtuese të Serbisë e të Jugosllavisë, as për elitën politike të Kosovës që u godit (M. Bakalli, Xh. Nimani, B. Oruçi, P. Nushi, Y. Jaka, as për “diferencimin ideologjik e politik” që futi në burgje 1-3 muaj mbi 300 intelektualë shqiptarë, që largoi nga PKJ e nga puna mijëra njerëz.x

Ajo që nuk mund të kalohet pa u theksuar është se demonstratat e vitit 1981 duke u mbytur me dhunë dëshmuan se bashkëjetesa shqiptaro-serbe kishte qenë ndërtuar mbi raporte pabarazie. Bota konstatoi se rregullimi i deklaruar i marrëdhënieve nacionale në Jugosllavi mbi baza gjoja demokratike kishte qenë një fasadë false, që mbulonte trajtimin kolonial të Kosovës.

Demonstratat zgjuan edhe Tiranën zyrtare që për herë të parë në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore përkrahu të drejtën e vetëvendosjes së popullsisë shqiptare të Kosovës. Por, e dobët si rrallëherë pas vitit 1978 dhe e varur ekonomikisht në tregtinë e jashtme përreth 70% nga Jugosllavia ajo nuk guxoi të prononcohej drejtpërdrejt në forumet ndërkombëtare në mbrojtje të kërkesës së demonstruesve për statusin e republikës. Kartën e nacionalizmit udhëheqja e PPSH-së, që në kushtet e izolimit të plotë kishte filluar ta propagandonte qysh në vitin 1979, pas prishjes së marrëdhënieve miqësore me P. K. e Kinës, e shfrytëzoi më 1981 për të fituar përkohësisht simpatinë e popullit, duke postuar vëmendjen e tij nga kriza e përgjithshme që kishte përfshirë vendin. Gjithsesi heshtja për Kosovën qe thyer përgjithmonë.

Nga distanca e mjaftueshme kohore 40-vjeçare prej vitit 1981, ne mund të gjykojmë se në plan ndërkombëtar, Blloku Lindor po binte kështu që Federata e Titos nuk kishte më rolin e faktorit ekuilibrues midis dy blloqeve, sikurse i qe paracaktuar në Konferencat e Jaltës e të Postdamit nga të Mëdhenjtë e palës fituese të Luftës së Dytë Botërore, rol që e kish pasur edhe në vitet 1918-1941 në një kontekst të përafërt të gjeopolitikave botërore. Edhe pse në gjysmën e parë të viteve ‘80-të, të dy blloqet ishin për ruajtjen e Federatës Jugosllave, për të penguar gjallërimin e lëvizjeve të tjera kombëtare që mund të destabilizonin Ballkanin dhe Evropën, dhe prandaj Kosovës iu ofrua vetëm “mbrojtja e të drejtave të njeriut”, kjo situatë ishte e përkohshme.

Shtetet shumëkombëshe si BRSS dhe Jugosllavia do të ishin të destinuar të shpërbëheshin. Ato nuk kishin arritur të organizoheshin mbi baza barazie e të shmangnin nacionalizmin, përkatësisht imponimit dhe shtypjes të dikujt mbi dikë dhe tani po përballeshin me pasojat. Në këtë situatë, në kuadër të Federatës Jugosllave, Serbia synonte ekspansion, kurse Kroacia dhe Sllovenia përpiqeshin, duke i bërë lëshime në kurriz të njësive të tjera federative, lëshime të llogaritura, që sa më pak t’i preknin ato vetë, të fitonin kohën e nevojshme për të dalë me kushte sa më të mira nga Federata si shtete të pavarura. Tito nuk kishte arritur të eliminonte dasitë nacionale, fetare, ekonomike etj., në RSFJ. Përpjekjet e tij shumëvjeçare ishin përballur me interesa të kundërta, jo vetëm të elitave por edhe të shtresave më të gjera të popullsisë së kombeve të ndryshme, ishin penguar nga diferencat e kulturave, diferencat fetare e trashëgimi historik i mbushur me konflikte të përgjakshme, pushtime, aneksime, keqtrajtime të dhunueshme gjithfarësh etj., pa llogaritur edhe oscilacionet në koniunkturat ndërkombëtare.

Mareshali x Tito bëri sa diti e sa mundi për të strukturuar një Jugosllavi të qëndrueshme shumëkombëshe, madje ai përcaktoi edhe rotacionin e pushtetit me afat njëvjeçar për të shmangur disi faktorët dizintegrues.

Rotacioni i pushtetit në krye të RFSJ (që i dha rast edhe Sinan Hasanit të Kosovës të figuronte për një vit numri një i Federatës) ishte një periudhë transitore që e deshën të gjithë, por që nuk mundi të zgjaste më shumë se 10 vjet. Skifterët e Serbisë pas vitit 1987, me në krye Sllobodan Milosheviqin shmangën Ivan Stamboliqin e moderuar dhe do të hidheshin në sulm për të siguruar sundimin në territoret e Federatës që, të ndihmuar edhe nga akademikët nacionalistë serbë, trumbetonin se i takonin Serbisë. Kosova zinte në këtë projekt të tyre vend parësor.

Rrënimi i autonomisë së Kosovës, 1989-1990

Përballë trysnisë që kulmoi pas vitit 1987, Kosova reagoi me mitingje e demonstrata në dimrin e vitit 1988-1989. Me portrete të Titos, me kërkesa për të ruajtur arritjet e deriatëhershme, përkatësisht Kushtetutën e vitit 1974, pothuaj gjithë shtresat dhe moshat e popullsisë shqiptare ishin (përfshi edhe elitën politike shqiptare të Kosovës) të pranishme në kundërvënien ndaj ekspansionit të strukturave partiake e pushtetmbajtëse serbe në Kosovë e të Serbisë për të penguar kthimin e Kosovës në një koloni klasike duke eliminuar e çmontuar arritjet në të drejtat nacionale demokratike të Krahinës dhe posaçërisht të kombësisë shqiptare të saj. Presioni erdhi në rritje gjatë 10 vjetëve me radhë, që nga viti 1981, edhe ndaj shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë, të Malit të Zi, dhe të komunave shqiptare brenda Republikës së Serbisë (Serbia e ngushtë pa krahinat), përkatësisht të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës.

Reagimi mospajtues i shqiptarëve ndaj ekspansionit të gjithanshëm të nacionalizmit serb, por edhe maqedonas e malazez, shërbeu si shkak që në Kosovë e në viset e tjera shqiptare të ndërmerreshin përsëri masivisht arrestime, diferencime e largime të shumë drejtuesve shqiptarë nga skena politike, pushime nga puna etj.

Në një situatë të tillë refraktare, Kuvendi i Serbisë, më 23 shkurt 1989 miratoi 40 projekt-amendamente, ndër të cilët edhe atë nr. 47 që parashihte ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë pa miratimin e krahinave autonome. Greva nën dhe, në galeri (apo në zgavellat e minierës, sikurse thuhet në të folurën e këtushme)x e minatorëve të Trepçës, ndërprerja e punës në shumë ndërmarrje prodhuese, institucione kulturore e shkolla të çdo niveli, nuk e ndali revanshin e Beogradit, përkundrazi. Të gjitha republikat apo njësitë e tjera të RSFJ heshtën, e ndërkohë Kosova u mbush me trupa ushtarake (15 000) dhe policore dhe më 1 mars u vendos në situatën e “gjendjes së jashtëzakonshme”.

Më 23 mars 1989, në një mbledhje farsë, Kuvendi i Kosovës në kushte të dhunës shumëformëshe, të diktatit e të falsifikimeve, nuk mund të mos miratonte (sikurse edhe Kuvendi i Këshillit Popullor të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, më 8-10 korrik 1945, kur u mor vendimi formal që Kosova t’i bashkëngjitej Serbisë si pjesë e saj), amendamentet serbe, të cilat më 28 mars i miratoi edhe Kuvendi i Serbisë. Shqiptarët dolën në sheshe, por u masakruan dhe të paktën 25 prej tyre humbën jetën nga plumbat e policisë.

Dihen ngjarjet që pasuan të cilat e kthyen Kosovën në një koloni klasike të Serbisë. Më 1 janar 1990, Kryesia e Federatës i hoqi Kosovës statusin e elementit kushtetues federativ, domethënë shkëputi lidhjen e saj të drejtpërdrejtë me Federatën dhe e transformoi atë në një aneks të Serbisë. Ecuria e tillë e zhvillimeve politike në Jugosllavi ishte në kah të kundërt me proceset liberalizuese e demokratike që po transformonin shtetet e Evropës Qendrore e Lindore.

Pakënaqësia ndaj politikës diskriminuese e akumuluar te shqiptarët në Kosovë e më gjerë në Federatë, përcakton në këtë moment decidiv shkëputjen e tyre ideologjike nga udhëheqja e tyre komuniste, që ishte njësuar me krerët e Beogradit.

Të drejtuar nga elita e vet intelektuale shqiptarët e Kosovës e më gjerë shtruan pa drojë kërkesat e tyre kombëtare, politike, ekonomike e shoqërore. U artikuluan kërkesat për zgjedhje të lira për liri të fjalës, të shtypit, për aplikim të ekonomisë së tregut të lirë etj.

Në kuadër të gërshetimit të kërkesave kombëtare e demokratike më 23 dhjetor 1989 u formua në Prishtinë “Lidhja Demokratike e Kosovës” (LDK) e para parti antikomuniste shqiptare me në krye shkrimtarin e publicistin e njohur Ibrahim Rugova, që do të pasohej nga shumë parti e shoqata të tjera demokratike (Partia Social Demokrate, Partia Fshatare, Partia Parlamentare, Partia Demokristiane).

Në Maqedoni startoi Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore, në Preshevë, Partia për Veprim Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare, në Malin e Zi, Lidhja Demokratike e Shqiptarëve etj.

Në këtë kohë, çështja shqiptare filloi të merret në konsideratë më seriozisht edhe nga një faktor ndërkombëtar perëndimor. Në korrik 1990, deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës nuk u pajtuan me kushtetutën e re jugosllave dhe kushtetutën e Serbisë, që e përjashtonte Kosovën si njësi politike më vete. Është i njohur fakti që 114 deputetë shqiptarë të drejtuar nga Bujar Gjergjeala shpallën jashtë sallës së Kuvendit, më 2 korrik, “Deklaratën Kushtetuese”, në të cilën theksohej pavarësia e Kosovës nga Serbia dhe barazia e saj me njësitë e tjera të Federatës ose Konfederatës së ardhshme Jugosllave.

Por, në Serbi e kishin ndarë mendjen për të ecur pa kthim në asgjësimin e autonomisë së Kosovës. Më 5 korrik 1990, Kuvendi i Serbisë shpërndau Kuvendin e Kosovës dhe shkarkoi qeverinë krahinore. Në kuadër të së ashtuquajturës “situatë e posaçme”, u dekretuan ligje që e vendosnin Kosovën nën një administrim të veçantë. Duke zbatuar një politikë të pastër prej pushtuesi, u futën nën kontrollin e plotë të Serbisë, Gjykata Supreme e Kosovës, Sekretariati i Punëve të Brendshme, Radio-Televizioni, ndërmarrjet e mëdha ekonomike, objektet shëndetësore etj.

Shqiptarët përmes deputetëve të tyre reaguan më 7 shtator 1990 në Kaçanik, duke shpallur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ku këmbëngulej se në Federatën Jugosllave të rindërtuar, ata do të ishin sovranë dhe të barabartë me popujt e tjerë, si edhe përcaktoheshin territori i Kosovës, simbolet kombëtare (flamuri, stema, himni) organizimi shtetëror, qëndrimi ndaj pakicave etj. Në mbështetje të kushtetutës së shpallur, pasuan tubime masive. Edhe pse për shtypjen e zërit të shqiptarëve u ushtrua dhunë ekstreme, u vranë 28 shqiptarë të tjerë, u flakën nga sektori shtetëror, ose “vetadministrues”, siç quhej, mbi 80% e të punësuarve shqiptarë dhe u dëbuan nga shkollat mijëra nxënës e studentë (60% e studentëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës), madje u arrit deri në helmime masive të nxënësve shqiptarë (7 000) me gazra nervo-paralizues, dukej se Serbia po shkonte drejt absurdit që nuk prodhon zgjidhje Referendumi i 26-30 shtatorit 1991, për t’i dhënë Republikës së Kosovës legjitimitet si shtet sovran, tashmë jashtë Federatës Jugosllave, formimi i qeverisë Bukoshi në tetor dhe instalimi i saj në mërgim, zgjedhjet parlamentare e presidenciale më 24 maj 1992 (president u zgjodh I. Rugova) bojkoti ndaj administratës serbe, si dhe ndaj zgjedhjeve që organizonte Serbia mandej ndaj arsimit serb, shëndetësisë serbe dhe, në një farë mënyre, organizimi i strukturave shtetërore paralele thjesht shqiptare, si edhe politika paqësore, sensibilizuese e këtyre strukturave, tërhoqën si asnjëherë vëmendjen e botës për gjendjen dhe kërkesat e një populli të nëpërkëmbur përreth 80 vjet me radhë në mes të Evropës.

Por, ndërsa u mirëprit karakteri paqësor i rezistencës shqiptare, ndërkohë që Federata shpërbëhej me konfrontime të përgjakshme në Kroaci e në Bosnjë, në Evropë e më gjerë Republika e Kosovës nuk u njoh.

Në Konferencën e Dejtonit 1995, u diskutua për shumëçka për të ardhmen e territoreve dhe kombeve të ish-Federatës, por asgjë për Kosovën dhe shqiptarët. Natyrshëm një lëvizje radikale nga poshtë u materializua me aksione, organizime, gjallërim të elementëve dinamikë brenda vendit e në diasporë, dhe, së fundi, ajo prodhoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nismëtaren e një lufte të organizuar kundër sundimit serb. Pas disa vitesh, ku përmes atentateve kundër politikanëve dhe policëve serbë, UÇK-ja afirmoi prezencën, këmbënguljen dhe platformën e saj, alternativa e re u bë atraktive për shumëkënd, veçanërisht për rininë.

Në mars 1998 pas vrasjes së Adem Jasharit dhe masakrimit të familjes Jashari, bazë e UÇK-së, në Prekaz, veprimet sporadike precipituan në një luftë të vërtetë çlirimtare. Faktorit ndërkombëtar iu dogj ideja dhe angazhimi për ruajtjen e integritetit të Jugosllavisë së mbetur (Serbi – Mali i Zi) duke ofruar për shqiptarët status minoriteti ose komuniteti etnik, apo restaurim të njëfarë autonomie për Kosovën (Konferenca e Hagës 1991, Mbledhja e Ministrave të Jashtëm në Luksemburg 1992, Konferenca e Londrës 1992, Konferenca e Dejtonit, 1995) apo njëfarë “as statuskuo as pavarësi, por vetëqeverisje të zgjeruar brenda RF të Jugosllavisë” çka rekomandonte Grupi i Kontaktit më 1998 (mars, qershor).

Dialogun e nxitur nga faktori ndërkombëtar Serbia e S. Milosheviqit e përdori si fasadë për të mbuluar veprimet që synonin shkatërrimin e plotë dhe zbrazjen e Kosovës nga popullsia shqiptare. Represioni serb gjatë vitit 1998 deri në masakrën e Reçakut në janar 1999, i kish kushtuar Kosovës bombardimin e 2/5 e fshatrave (398 nga gjithsej 945 fshatra që ka Kosova), dëmtimin e 23 044 shtëpive, vrasjen e 1 215 vetëve etj. Precipitimi i dhunës serbe deri në nivelin e një katastrofe humanitare, që mund të sillte situata të pakontrolluara dhe të prishte ekuilibrin në Ballkan, diktoi më në fund ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

Shqiptarët, nga vetë zhvillimi i ngjarjeve u vlerësuan si viktima të agresionit serb, që luftonin për vetëmbrojtje e për çlirim ndaj një pushtuesi që përpiqej t’i shfaroste. Pasi ranë tezat e sponsorizuara se gjoja shqiptarët ishin terroristë, nuk do të ishte aq e vështirë të harmonizoheshin qëndrimet e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë etj., me ata anëtarë të NATO-s që për arsye të ndryshme hezitonin ose kundërshtonin.

Pasi Konferenca e Rambujesë (6-23 shkurt 1999) dhe e Parisit (15-19 mars 1999) ku parashikohej një vetëqeverisje substanciale për Kosovën, duke lënë hapur në perspektivë shtegun e një pavarësie, e çori përfundimisht maskën e S. Millosheviqit përballë histerisë së tij gjenocidale, të injektuar masivisht edhe në popullin serb, që e zbrazi Kosovën nga gjysma e popullsisë së vet shqiptare (1 000 000 të depërtuar me dhunë) dhe e çoi numrin e viktimave në dhjetëra mijë, NATO më 24 mars u detyrua të ndërhynte. Pas 78 ditë bombardimi “kasapi i Ballkanit” kapitulloi dhe më 12 qershor 1999, trupat serbe ishin larguar tërësisht nga Kosova. Ajo që pasoi nuk është pjesë e temës së kësaj kumtese.

 Çfarë mund të konkludojmë me pak fjalë për gjithë situatat dhe përplasjet shqiptaro-serbe në vitet 1945, 1968, 1981, 1988-1990 dhe 1998-1999?

Zhvillimi i momenteve historike që u përmendën përkatësisht të revoltës së dimrit të vitit 1944-1945, të demonstratave masive të viteve 1968, 1981, 1988-89, dhe të luftës së viteve 1998-1999, pavarësisht rrethanave të favorshme apo të pafavorshme ndërkombëtare në të cilat u zhvilluan, pavarësisht nëse ishin të natyrshme e të mirorganizuara apo të provokuara për të nxitur veprime spontane të shqiptarëve që do të justifikonin dhunën dhe revanshin e programuar serb, luajtën një rol të madh për të mbajtur gjallë moralin e popullit shqiptar për të ngritur nivelin dhe format e organizimit të elitës së tij politike intelektuale, për të sensibilizuar diasporën shqiptare kudo, për të aktivizuar edhe Tiranën zyrtare që ta shikonte edhe ajo të shtruar për zgjidhje problemin kombëtar shqiptar, si dhe për të tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar deri në aktivizimin e tij për të pranuar e finalizuar zgjidhjen e duhur. Mesazhi është i qartë: pavarësisht nga situatat, por veçanërisht kur ato janë të favorshme, është aktivizimi dhe roli i faktorit të brendshëm ai element i pazëvendësueshëm që çon në arritjen e qëllimit. Uniteti dhe pjekuria e këtij faktori përcaktojnë kohën e kësaj arritjeje. Kjo aksiomë me vlerë universale gjeti mishërim edhe në historinë më të re të kombit shqiptar.

_______

Bibliografia

1.      Ana Lalaj, Kosova – rruga e gjatë drejt vetëvendosjes, 1948-1981, Tiranë: Mësonjëtorja 2000.

2.      Çështja e Kosovës-një problem historik dhe aktual (përmbledhje studimesh), botim i Institutit të Historisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1996.

3.      Dëbimet e shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës (1887-1995), Prishtinë 1997.

4.      Dimitrije Bogdanović, Knjiga o Kosovu, Belgrade, 1985.

5.      E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi (Përmbledhje me studime dhe dokumente), botim i Institutit të Historisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1990.

6.      Eqerem Zenelaj, Shtypi i Austrisë për demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1968, 1981 dhe 1989, Prishtinë: Faik Konica, 2011.

7.      Fadil Hoxha, Jemi në shtëpinë tonë, Prishtinë, 1974.

8.      Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëll.II, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Zëri “Kosova” etj., Tiranë: 2008.

9.      Historia e Popullit Shqiptar, vëll.IV, Tiranë: Toena, 2009.

10.   Ivo Banac, The nacional question in Yugoslavia origins, histori, politics, Ithaca and London, 1984.

11.   Jakup Krasniqi, Kthesa e madhe. Ushtria çlirimtare e Kosovës, Prishtinë, 2006.

12.   Jens Reuter, Die Albaner in Jugoslavien, Munchen 1982.

13.   Konferenca e Bujanit, Materiale të Sesionit Shkencor kushtuar 55-vjetorit të Konferencës së Bujanit, Tiranë, 1999.

14.   Konferenca e Jaltës (4-11 shkurt 1945), Tiranë, 1996.

15.   Konferenca e Postdamit (17 korrik – 2 gusht 1945), Tiranë, 1998.

16.   Kosova dikur dhe sot – Kosova nekad i anas, Beograd, 1973.

17.   Kosova në vështrim enciklopedik, Tiranë, 1999.

18.   Lefter Nasi, Ripushtimi i Kosovës, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 1994.

19.   Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova – Historia e një aspirate, Vëll.I, II, Tiranë: Botimpex, 2007.

20.   Marenglen Verli, Ekonomia e Kosovës në vargonjtë e politikës jugosllave 1945-1990, Tiranë: Botimpex, 2000.

21.   Marenglen Verli, Kosova – sfida shqiptare në historinë e një shekulli, Tiranë: Botimpex, 2006.

22.   Milovan Gilas, Në cilat rrethana Kosova duhet t’i takonte Shqipërisë, Intervistë dhënë “Zërit të Kosovës”, 9 shkurt 1991.

23.   Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Tiranë, 1997.

24.   Ndreçi Plasari, “Politika e udhëheqjes së PKSH ndaj çështjes së Kosovës”, në revistën Studime Historike, nr.1-4, 1992, Tiranë, 1995.

25.   Noel Malcolm, Kosova, një histori e shkurtër, Prishtinë: Koha, 2001.

26.   Ramiz Abdyli, Zhvillimi i industrisë në Kosovë, Prishtinë, 1978.

27.   Rexhep Qosja, Çështja shqiptare, historia dhe politika, Tiranë, 1998.

28.   Sabile Basha Keçmezi, Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë (1981-1989), Prishtinë, 2003.

29.   Sabit Syla, Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës 1939-1981, Prishtinë, 2017.

30.   Shaban Braha, Genocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1912-1990, Tiranë, 1992.

31.   Shaban Murati, Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës, Tiranë, 2007.

32.   Shqiptarët e Maqedonisë, Simpozium i mbajtur në Shkup, 20-22 shkurt 1991, botim i Meshihatit të Ri në RM, Shkup, 1994.

33.   Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare, Prishtinë, 1977.

34.   Xhelal Gjeçovi, Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës, Tiranë, 1998.

35.   Ymer Minxhozi, Letra të panjohura të Enver Hoxhës mbi Kosovën. Dokumente në arkivat ruse, Tiranë, 2002.

36.   Zekeria Cana, Spastrimi etnik.Dokumente historike mbi një ideologji serbe, Prishtinë, 2002.

© Pashtriku.org, Korrik 2022

Marenglen Verli i ftuar në “Kronikë e Pambaruar” – YouTube

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura