REIS MIRDITA: SHKËLQIMI I BASRIE SAKIRI – MURATIT, BRAHIM AVDYLIT DHE MODERATORES BRIKELA ANDREA – NË MBRËMJEN LETRARE TË BERNIT

Bern, 13 nëntor 2017: Mbrëmjen e së premtes (10. 11. 17) në Bern (CH) nën patronatin e Iterckulturelle BIBLIOTHEK, Zentrum5 dhe nën përkujdesjen e sofistikuar të Zonjës Brikela Andrea, u mbajtë mbrëmja letrare ku ishin të ftuar autorët Basrie Sakiri – Murati dhe Brahim Avdyli që prezantuan veprat e tyre duke lexuar fragmente e poezi të zgjedhura për rastin.
Të them akoma se mbrëmja kaloi në një atmosferë të jashtëzakonshme miqsore dhe nivel të lartë intelektual. Prezenca e fytyrave nga lëmi të ndryshme si: Behide Hasanaj, Fatmire Musliu, Gani Bytyqi, Mirela Duka-Xoxi, Sh. Sadiku, Sh. Aliu dhe shumë intelektual të tjerë të cilët me diskutimet dhe pyetjet e tyre autorëve, i dha begati kësaj mbrëmje.
Më poshtë do të jap fjalën e plotë të Zonjës Andrea e cila më së miri e vlerësoi evenimentin në fjalë.
„Të dashur dhe të nderuar miq. Ne emër te qendrës të integracionit qendrës se 5 kontinenteve ju uroj mirëseardhjen. Unë jam Brikela Andrea dhe gëzohem që midis shumë aktiviteteve në gjuhën gjermane të kem rastin të përshëndes sot edhe në gjuhen time. Për këtë dua të falënderoj dy krijuesit që janë ftuar për mbrëmjen e sotshme, Basrie Sakiri dhe Brahim Avdyli dhe patjetër juve të nderuar të pranishëm që ju intereson kultura dhe gjuha shqipe dhe jeni sot këtu. Faleminderit.

Për ata që kanë interes të informohen me programin kulturor dhe informacione të tjera të qendrës, mund të shkruajnë emrin në listën që ndodhet mbi tavolinë.
Dua të falënderoj edhe grupin muzikor “Vicianum” dhe dy artistët e grupit: Ramiz Qizmolli dhe Skender Kelmendi që do të përmbyllin këtë mbrëmje letrare me muzikë të përzgjedhur.
Një falënderim të veçantë dua t’ju përcjell atyre që kanë kontribuar për pjesën e dytë që është edhe pjesa e shijshme e programit të sotshëm, për atë të aperitivit. Faleminderit Artila Berisha, Basrie Sakiri dhe Behide Hasanaj.
Më tutje Znj. Adrea foli për veprën e autores Basrie Sakiri:
“Nuk është rastësi që librin e saj të parë zonja Basrie Murati ja dedikon historisë së vendlindjes së saj. Ajo e nis thjeshtë, duke venë në dukje se mbi pasionin e saj për letërsinë, ekziston një dëshirë e brendshme për të shkruar sa më parë, sa më saktë dhe sa më realisht, atë që ajo dhe brezi i saj përjetuan në ato vite të zjarrta të historisë së Kosovës që nisën pikërisht në fundin e viteve 80′.
Libri ka formën e një autobiografie, por autorja dashur padashur ka bërë autobiografinë e të gjithë Llapashticës së saj të dashur. Ka përshkruar bujarinë e njerëzve, të njohur e të panjohur të cilët strehonin atë e shumë të tjerë si ajo, që përndiqeshin nga regjimi. Trimërinë e pashoq të burrave e grave që merrnin në sy rrezikun e jetës së tyre e të fëmijëve të tyre, për të kontribuar dhe përkrahur lëvizjen për liri e pavarësi. Familjet shqiptare, me traditat e tyre liridashëse. Thjeshtësinë madhështore të heroizmit, sakrificës atdhedashurisë dhe mbi të gjitha etjen për liri.
Ajo kohë është përcjellë, me emocione, me dhimbje e krenari, por jo gjithkush e ka njohur atë periudhë jashtë trajtimit historik, në atë që është edhe më thelbësorja, në trajtimin human.
Heronjtë tanë kanë jo vetëm historinë patriotike, por edhe jetën e tyre të përditshme, ndjenjat e tyre, rrethanat në të cilat u rritën, familjen, mjedisin dhe shoqërinë që i mbështeti dhe që ndikoi në karakterin dhe formimin e tyre. Pikërisht këtë na ka dhuruar autorja me librin e saj Gjurmë të pa shlyeshme”. Një dimension të cilin pak kush e di në detaje të tilla, e ajo, duke qenë pjesë e asaj lëvizjeje shoqërore e ka përshkruar dhe përjetësuar me një gjuhë të pastër, të qartë e të drejtpërdrejtë.
Më shumë se libër artistik ngjan me rrëfim gazetaresk, megjithatë Basria duket që ka dell për të shkruar e mbase gazetaria mund të jetë shumë me afër.
Përshkruan me detaje çfarë ndodhi atëherë, demonstratën, peripecitë në ilegalitet kur i duhej të lëvizte nga një shtëpi në tjetrën dhe largimin nga Kosova. Këtu e ndërpret rrëfimin, por shkruan se historia vazhdon në pjesën e 4. Pra duhet të ketë një pjesë tjetër.
Libri është botuar ne 2016″.
***
Unë nuk do të ndalem enkas të flas për Brahim Avdylin, i cili u prezantua me disa poezi të zgjedhura që u duartrokitën nga pjesëmarrësit. Nuk do të ndalem të shkruaj rreshta këtu sepse Avdyli është poet dhe historian i njohur për lexuesit me shumë tituj në prozë, poezi dhe histori. Është letrar të cilin në shkrimet e mia më të hershme por edhe sot, e konsideroj si njohësin dhe përdoruesin më të përpiktë të drejtshkrimit shqip.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura