Pashtriku.org, 04. 04. 2016: (“E diel, 4 prill 1999) – Dita e Pashkëve. Për disa çaste Rugova e ndien veten përsëri si “president” i një populli prej dy milionësh. Me krenari ai rrëfen se si festën katolike të Pashkëve ai e kishte shpallur festë shtetërore në Kosovë. Si në perëndim edhe nxënësit shqiptarë në këtë kohë kishin pushim. E shoqja e Rugovës Fana ngjyros 30 vezë në një lëng me fletë qepësh. Vezët i kishte sjellur një ditë më parë policia serbe, gjithashtu edhe qumështin për fëmijë dhe ujin mineral. Fëmijët ngjyrosnin vezët derisa Rugova shpresonte në një telefonatë shpëtuese nga Beogradi. Dhe kjo telefonatë bëhet rreth mesditës. Mirëpo, vetëm me njoftimin se ai në mbrëmje duhet të takojë ambasadorin rus bashkë me Shainivoqin”) -kështu ka shkruar në ditarin e saj, gazetarja gjermane – Renate Flottau, të cilin e boton më 12 prill 199 në “Der Spiegel”. Në vazhdim lexoni ditarin e plotë:
***
E MËRKURË, 31 MARS
Pas shtatë ditë bombardimesh nga NATO-ja në Prishtinë mbretëron anarkia. Nëpër rrugë janë komandot frikëndjellës “Tigrovi” të çetnikut serb Arkan, duke bërë gjah ndaj shqiptarëve. Policia serbe ndihmon në dëbimin e shqiptarëve. Ajo sistematikisht kontrollon lagjet shqiptare të banimit.
Kuzhina e thashethemeve e njoftimeve të ankthshme zien. Një radiostacion perëndimor njofton se prijësi i shqiptarëve Ibrahim Rugova është plagosur apo madje ka vdekur. Edhe për Fehmi Aganin, një bashkëpunëtor i ngushtë i Rugovës, të cilin edhe unë e njoh shumë mirë, thuhet se është vrarë. A është kjo e vërtetë?
Me Rugovën kam folur dy ditë më parë. Fjala ishte për përshtatjen përfundimtare të intervistës sonë nga fundjava.
Aty prijësi i shqiptarëve, i dëshpëruar përballë dëbimit të popullit të tij nga Kosova, kishte apeluar te Alenaca Atlantike, që tashti gjithçka të vë në një kartë “dhe në rast urgjent të kërcënohet me shkatërrimin total të Serbisë”. Pra, edhe një vizitë te Rugova. Vetura ime që nga fillimi i sulmeve ajrore qëndron në autoparkun pranë “Grand Hotel”, Prishtinë. Shenja “40-P” në tabelat e veturës çdokënd sinjalizon se pronari i veturës është përfaqësues i shtypit gjerman. Të lëvizësh tashti me një etiketë të tillë nëpër Prishtinë do të ishte çmenduri. Andaj shkojë në këmbë në lagjen shqiptare Velania për të provuar thashethemet. Ora është disa minuta para njëmbëdhjetësisht (paradite). Rruga para rezidencës së Rugovës, e cila është gëlqerosur në të bardhë, duket çuditërisht e zbrazët dhe e boshatisur. Më vonë mësojë se të gjithë shqiptarët që banonin aty në mëngjes ishin dëbuar me dhunë nga policia serbe.
Vetëm pasi i bie disa herë ziles Rugova hap derën. Nuk u besoj syve, si është e mundur të ngelet ai vet! Ai është i gatshëm që në diktofonin tim të japë një lajm për popullsinë shqiptare, të tregojë se jeton dhe t’u bëjë thirrje të përndjekurve të mos humbim shpresën për një ardhmëri më të mirë.
Në çastin kur dua të largohem në dhomë futet me nxitim dhëndrri i Rugovës dhe si me paralajmërim vë gishtin mbi gojë. Nga kati pëvidhemi shkallëve teposhtë dhe pas një pjese muri vëzhgojmë se si veturat e policisë dhe automjetet e blinudara i afrohen shtëpisë dhe ndalen para saj. Dy dyzina pjesëtarësh të policisë speciale serbe kërcëjnë prej tyre. Ata lëkundin portën e hekurt, dikur e heqin brutalisht nga vendi. Tre të uniformuar vërsulen në shtëpi dhe të gjithë neve na shtyejnë në bodrum në një dhomë, e cila deri më tani shërbente për konferenca për shtyp.
Gjithsejt jemi 17 persona: Rugova, gruaja e tij Fana me tre fëmijë, dy motra me familjet e tyre dhe Adnan K.Merovci, truproja dhe shefi i protokollit i Rugovës, i cili këtë mëngjes rastësisht kishte qëlluar në shtëpinë e prijësit të shqiptarëve. Nga shtatë fëmijë njëri është akoma tetëmuajsh.
Ora është dymbëdhjetë.
Ne presim të heshtur dhe nuk tundemi vendit derisa dy policë me helmeta dhe antiplumb kërcënueshëm drejtojnë pushkët e tyre drejt nesh. Polici i tretë e rëndon Rugovën me fjalë: “E, zoti Rugova, politika, me sa duket, politika e prishi krejt punën”. Dy shokët e tij e ndërprejnë: “Mbylle gojën, kjo s’është detyrë e jona”. Me një goditje me pushkë hiqet nga vendi kamera mbikëqyrëse, që është e varur mbi portën e hyrjes.
Ç’do të ndodhë me ne tashti?
Qe disa ditë nëpër Prishtinë qarkullojnë thashetheme për likuidime të planifikuara nga komandot ekzekutuese.
Njëri nga të uniformuarit vendosë dy shishe limonadë mbi tavolinë:
“Edhe ne serbët jemi njerëz”, thotë ai, thua se dëshiron të shfajësohet. Përjashta vijnë automjete të tjera të blinduara.
A do të na marrin me vete?
Pastaj, rreth orës 16.00, vjen komandanti i policisë speciale. Urdhëri i tij është i shkurtër: policia zapton/pushton dhomat e poshtme dhe katin e dytë. Ne qëndrojmë në katin e parë “në mbrojtje policore”, të gjithë në një dhomë të vetme. Pëshpëritshëm këshillohem me Rugovën se është shumë rrezikshëm që tashti të shpalosë identitetin tim si gazetare. Mirëpo Rugova më tha se ti do të prezentohesh si e afërme e familjes sime. Adnani caktohet “ndërmjetësues” mes Rugovës dhe “mbrojtësve” të tij të rinj.
Nga jashtë dëgjohet trokëllima e xhamave të dritareve, shkatërrimi i dyerve. Me sa duket policia pushton të gjitha shtëpitë përreth. Antena satelitore hiqet, kabllot e televizorit dhe lidhja e telefonit shkëputet nga muri. “A keni radio?”, na bërtasin neve. Ne mohojmë.
Telefonat mobilë edhe ashtu nuk funksionojnë që nga fillimi i sulmeve ajrore.
Pastaj vërshon makineria propaganduese serbe. Rodovan Urosheviqi nga Media Qendra serbe vjen me disa kolegë/gazetarë besnikë qeveritarë. Rugova duhet të dalë para kamerave dhe të mashtrojë botën se është shëndosh e mirë dhe person i lirë. Çdo deklaratë tjetër assesi nuk do të emitohej nga radiotelevizioni shtetëror. Dhe ajo do të rrezikonte jetën e të gjithë neve. Mbrojtësit tanë serbë nuk duken aq të lumtur në gjithë këtë punë. Kemi frikë të madhe, pranon njëri prej tyre, si nga sulmet e NATO-s ashtu dhe nga ndonjë aksion i mundshëm çlirimtar i shqiptarëve të mbetur ende në Prishtinë.
Në orën 19.00, si çdo ditë, në Prishtinë ndalet rryma. Edhe ujë ka vetëm në orë të caktuara. Familja e madhe Rugova gjatë ditës mbush rreth 20 shishe si rezervë. Rrimë ulur para dritës së një gypi të ftohtë neoni, të cilën djali i Rugovës, M., që është gjeni i teknikës, e mban të ndezur me bateri për një orë. Pastaj në punë futet kombinimi tjetër i baterive, që i ngjan reflektorëve të stadiumit futbollistik.
Në orën 20 Rugova thirret përjashta. Atij i propozohet që mëngjesin tjetër të udhëtojë në Beograd. Presidenti jugosllav Slobodan Milosheviq do të bisedojë me të, “për t’u këshilluar mbi një zgjidhje të krizës”. Rugova duhej të pranon me gjysmë zemre dhe me vetëdije se nuk ka zgjidhje tjetër. Natën flejmë në dysheme, të ngjeshur si sardina, njëri pranë tjetrit. Rugova dremitet në kanape me një peshqir të shtrirë mbi kokë. Sulmet ajrore gjatë natës nuk janë aq të ashpra, duket se ato u drejtohen caqeve shumë larg qendrës së qytetit.
E ENJTE, 1 PRILL
Rugova është shumë i zemëruar. Fëmijët flasin vetëm shqip – në vitin 1990 shqiptarët në Kosovë kishin filluar të themelojnë shkollat e tyre në shtëpi private; “Serbishtja” për ta është gjuhë e huaj. Në orën 9.00 bëhet nisja në BMW e policisë serbe. Rugova është i shqetësuar se si do ta presë opinioni shqiptar takimin e tij me Milosheviqin. Tërë ditën rrimë ulur në karrige. Gruaja e Rugovës Fana pren bukën nga dita e djeshme dhe e rreshk në shporet. Të gjithë hanë nga një tepsi të madhe prej llamarine. Ka edhe supë të hollë makaronash nga pakoja. Kur Rugova kthehet aty rreth orë 18.30, ai duket i trazuar.
Me sa duket Milosheviqi e ka keqpërdorur atë për qëllime propagandistike. Një propozim konkret për një zgjidhje paqësore ai sidoqoftë nuk e kishte bërë. Opinionit të irituar botëror i prezentohen pamje të Rugovës që buzëqesh me përzemërsi gjatë bisedës me Milosheviqin.
Rugova, i cili nga zemërmi as që dëshiron të ulet, tregon se në fakt Milosheviqi kishte mallkuar si i çoroditur Klintonin, ndërmjetësit amerikan Hill dhe Holbrooke, por mbi të gjitha kancelarin gjerman Schröder. Me Helmut Kohlin, kishte thënë Milosheviqi, NATO-ja kurrë nuk do të kishte bombarduar vendin e tij.
Me zemërgjerësi cari i serbëve i kishte premtuar Rugovës: “As një qime floku nuk do t’ju preket, për këtë do të kujdesen njerëzit tanë.” Rugova nënshkroi një komunikatë të parapërgatitur, sipas së cilës ai gjithashtu përkrahte një zgjidhje me “mjete politike”. Kjo s’është gjë tjetër veçse “një frazë”. Kjo s’domethënë asgjë. Me “mjete politike” ai, siç dihet, kupton nënshkrimin serb në marrëveshjen e Rambouillet-it dhe sigurimin e autonomisë së Kosovës me trupa paqësore.
Përndryshe ai është i bindur se edhe politikanët perëndimorë nuk do t’i kushtojnë kurrfarrë rëndësie nënshkrimit të tij kur kuptojnë se ky ishte peng i Milosheviqit. Rugova jo vetëm që është i zemëruar shumë, ai sot duket thellësisht i dëshpëruar. Udhëtimi nga Prishtina në Beograd, nëpër fshatra me shtëpi të braktisura, e kishte tronditur atë.
As një qen i vetëm nuk shihej nëpër rrugë, thotë ai i tronditur dhe i rezignuar shton: “Unë jam president pa popull. Çfarë karte mund të luaj unë ndaj Beogradit?
Çfarë kuptimi ka që si hero i fundit të qëndrojë në Prishtinë?”
Ai dëshiron të lus Beogradin që atë dhe familjen e tij t’i evakuojë në Shkup për shkaqe humanitare dhe me përcjellje të sigurtë. Atje,beson prijësi i shqiptarëve, ai më mirë do të mund të influencojë zhvillimet në krizën e Kosovës, të ndikojë ndaj bashkëkombasve të tij që të kthehen përsëri. Atje qëmoti kanë shkuar edhe përkrahësit/bashkëpunëtorët e tij politikë.
Rugova nuk mund të marrë me mend se si OSBE-ja ashtu urtë e butë mundi t’i braktisë shqiptarët, që ata pa mbrojtje t’ua dorëzojë kasapëve serbë. Deri në orën një të natës rrimë përreth një tavoline të madhe. Flitet vetëm me ton pëshpëritës. Disave nga lodhja u përkulet koka në faqen e tavolinës. Të tjerët përpiqen që të ndryshojnë atmosferën me barcoleta të lehta. Djali i Rugovës M. këndon: “Ne jemi të fundit në qytet”.
E PREMTE, 2 PRILL
Puna jonë bëhet gjithnjë e më dëshpëruese. Zgurdullojmë muret, ku janë të varura dekoratat e Rugovës, piktura e një luftëtari avangardist të quajtur “Bogdan” (Pjetër Bogdani), flamuri i madh shqiptar, veshjen e drunjtë të tavanit. Nganjëherë i ngrejmë pak roletat për të parë nëse kordoni policor akoma është në rrugë në përbërje të plotë. S’ka ndryshim. Disa prej nesh ecnin të nervozuar nëpër dhomë. Kujdesshëm, me kufje, dëgjojmë radiostacionet e huaja.
Takimi i Rugovës me Milosheviqin nga shumica e mediave ndërkombëtare vlerësohet realisht si një mashtrim propogandistik serb. Në orën njëmbëdhjetë prapë instalohet linja telefonike. Por, kësaj radhe dëgjon edhe policia. Ajo ndërpren çdo thirrje të dyshimtë. Adnani arrin të marrë ambasadorin amerikan Hill në Shkup. Ai përpiqet t’ia interpretojë atij situatën, shpreson në përkrahje nga ana e tij.
Mirëpo, amerikani reagon më tepër i pavendosur.
Në qoftë se serbët organizojnë transportin e Rugovës deri në kufi, ai me dëshirë do të priste në anën tjetër të kufirit. Koleksioni i Rugoves me minerale është i jashtëzakonshëm. Me krenari ai thotë se Kosova me thesaret e saj nëntokësore numërohet ndër vendet më të pasura të botës. Disa kristale, zmeralde dhe gurë të tjerë të vlefshëm ai i ka shpërndarë në gota të vogla në trajtë vidhe.
Disa pika në fytyrë ndikojnë si një kurë rinimi, predikon ai. Adnani thërret në kabinetin e Milosheviqit. Ai pësëri lutet për një gjest humanitar, për një udhëitm të sigurtë për në Shkup. Mirëpo, Milosheviqi dëshiron t’i vazhdojë bisedimet në Beograd. Rugova ia kthen: Vetëm në Shkup, ku janë edhe këshilltarët dhe anëtarët e tij të LDK-së, ai mund të vendosë mbi vazhdimin e bisedimeve me Milosheviqin apo madje për ndonjë marrëveshje eventuale.
Do të telefonojmë (përgjigjen nga kabineti i Milosheviqit). Presim, natyrisht kot së koti. “Milosheviqi tashti po luan me mua lojën e macës dhe miut”, vëren Rugova me hidhërim.
“Ai dëshiron që pasi të ketë mashtruar mjaft botën me gjoja marrëveshjet tona të më diskriminojë para popullit tim si tradhëtar”.
Mirëpo, Rugova akoma e ndien veten si një peng të vlefshëm: vetëm nëse shqiptarët pranojnë një raund të ri bisedimesh NATO-ja do të mund t’i ndalte bombardimet. Deutsche Welle raporton mbi një iniciativë të SHBA-ve, Gjermanisë, Francë dhe Itali, sipas së cilës Rugovës dhe familjes së tij u bëhet ftesë për të provuar “lirinë” e tyre.
Por, kjo është vetëm një shpresë e vogël, e cila zbehet shpejt. Ndërkohë Rugova lufton me një grip, që e ka kapluar. Ne e quajmë “Virusi Milosheviq”. Në mbrëmje këshillohemi mbi mundësinë e arratisjes sime. Mirëpo, çdo shpalosje e idenitetit tim në këtë moment do të ishte tepër e rrezikshme. Fundja bota le të besojë se Rugova vullnetarisht ka kërkuar mbrojtje serbe. Rugova ende beson në udhëtimin për në Maqedoni. Në rast të tillë unë do të maskohesha me shami dhe me një fëmijë në krah do të sillesha si një anëtar familjeje.
E SHTUNË, 3 PRILL
Atmosfera është e ngrysur, ashtu si dhe moti. Të gjithë rrinë ulur në karriget e tyre dhe janë apatik. Milosheviqi përsëri kërkon udhëtimin e Rugovës (në Beograd). Kësaj here ai do të duhej të inskenonte një shou shtypi në Beograd me drejtuesin e delegacionit serb në
bisedimet paqësore në Rambouillet, Ratko Markoviq.
Prijësi i shqiptarëve refuzon. Zëvendëskryeministri jugosllav Nikola Shainoviq merr rrugën për në Prishtinë. Bota është e irituar, pasi tashti janë bërë publike deklaratat e Rugovës nga intervista në “DER SPIEGEL” me kërkesën për angazhimin e trupave tokësore. Kjo tingëllon krejt ndryshe se sa marrëveshja me Milosheviqin dhe gjoja thirrja e përbashkët për ndërprerjen e sulmeve të NATO-s.
Mua më duket se Rugova e mbivlerëson nivelin e informatave të Perëndimit, kur beson se “ata e dinë saktësiht se në çfarë situate gjendem.”
Shainoviqi vjen aty rreth orës 21, pa ndonjë propozim konkret. Vetëm bota le të mësojë të nesërmën se “bisedimet me shqiptarët” po vazhdojnë. Rugova, thotë ai me shpoti, është njeri i lirë. Ai lirisht mund të udhëtojë në Maqedoni. Mirëpo, më këtë rast duhet të ketë parasysh se gjatë rrugës serbët e tërbuar mund të “inskenojnë” të gjitha incidentet e mundshme. Një paralajmërim i qartë. Në radio dëgjojmë se sekretari i përgjithshëm i NATO-s Javier Solana dëshiron të vë kontakt me Rugovën për të qartësuar se a është ai për vazhdimin apo ndërprerjen e sulmeve të NATO-s. Rugova reagon i dezinteresuar.
Raportet në radio atij pothuaj se nuk i interesojnë. Ai përpiqet të fsheh hidhërimin e tij. Faktin se të gjithë ata që atë e kanë pritur me vite, e kanë dekoruar me çmime dhe janë fotografuar me të për shtypin, tashti shikojnë pafuqishëm se si diktatori serb e poshtëron atë, Rugova pothuaj se nuk e kupton. Po aq pak edhe lajmin se Perëndimi dëshiron të strehojë 100 mijë refugjatë shqiptarë. “Tashti edhe pjesa që ka mbetur do të arratiset nga Kosova”, thotë ai, “sepse çdonjëri ëndrron të gjejë strehim në Perëndim.” Asnjë s’do të kthehet më, thotë Rugova. Djali i tij M. këtë çka ndodhë me satirë e quan një “spastrim human etnik.”
E DIEL, 4 PRILL
Dita e Pashkëve. Për disa çaste Rugova e ndien veten përsëri si “president” i një populli prej dy milionësh. Me krenari ai rrëfen se si festën katolike të Pashkëve ai e kishte shpallur festë shtetërore në Kosovë. Si në perëndim edhe nxënësit shqiptarë në këtë kohë kishin pushim. E shoqja e Rugovës Fana ngjyros 30 vezë në një lëng me fletë qepësh. Vezët i kishte sjellur një ditë më parë policia serbe, gjithashtu edhe qumështin për fëmijë dhe ujin mineral. Fëmijët ngjyrosnin vezët derisa Rugova shpresonte në një telefonatë shpëtuese nga Beogradi. Dhe kjo telefonatë bëhet rreth mesditës. Mirëpo, vetëm me njoftimin se ai në mbrëmje duhet të takojë ambasadorin rus bashkë me Shainivoqin. Motrat e Fanës qëndrojnë ulur në dysheme dhe përziejnë miell me ujë që çdo ditë të pjekin dhjetë bukë. Krahas shporetit elektrik, ku ndalet rryma, përdoret një shporet me thëngjill. Foshnja tetëmuajshme shtrihet në një peshqir të lidhur banjoje, prindërit e përkundin me të për ta vënë në gjumë. Gjatë ditës, për të qenë e qetë, kalërohet nëpër dhomë me karrocën
e fëmijëve.
Ambasadori rus anulon takimin. Me sa duket këtë ditë ai nga Beogradi nuk kishte marrë garancë për siguri. Vizita e tij është shtyrë për të hënën. Të heshtur rrimë përpara “Menysë së Pashkëve”, pulë me oriz. Njëherë në ditë mbrojtësit serbë i lejojnë dhëndrrit të Rugovës që nga frigoriferi në bodrum të marrë rezerva ushqimore. Më vonë i hamë copat e bukës të lëna nga fëmijët, të cilat janë rreshkur në shporet. Rreth mesnatës bombardon NATO-ja, kësaj radhe shumë afër. Shtëpia dridhet. Të gjithë kërcejnë nga krevatet e tyre në dysheme, përsëri qëndrojnë përreth tavolinës. Kemi frikë se serbët mund të çojnë në ajër rezidencën e Rugovës dhe më vonë këtë t’ia mveshin NATO-s.
E HËNË, 5 PRILL
Pak para arritjes së ambasadori rus Jurij Kotov, Rugova sheh një shansë për arratisjen time. Pritet të vijnë shumë gazetarë në katin e dytë, ku duhet të zhvillohet takimi. Kur të niset Rugova unë duhet të shkojë pas tij dhe atje të përzihem me gazetarë. Plani ka sukses. Gazetarët prisnin lartë, unë si të ishte krejt normale qëndrojë mes tyre, pres disa minuta dhe pastaj e para e braktisë rezidencën. Një nëpunës policie më pyet prej nga po vija: “Nga konferenca për shtyp e ambasadorit rus”, përgjigjem unë. “Okay”, thotë ai dhe më lejon
të kalojë.
Për herë të parë frymojë ajër të freskët, pas gjashtë ditësh shoh diellin dhe eci në drejtim të Hotelit Grand. Vetura ime nuk është më në autopark. Bagazhi im është zhdukur nga dhoma. Në recepsion tregohen të përzemërt. Thonë se kanë qenë të shqetësuar. Bagazhi do të vijë menjëherë, vetura ime për shkaqe sigurie është sjellur me kamionë në autoparkun që gjendet 500 metra më larg.
Lehtësimi zgjatë pak kohë.
Shfaqen tre “pjesëtarë të sigurimit”, konfiskojnë pasaportën time, më dërgojnë në bisedë informative/hetim policor në sallën e ushqimit të Grand Hotelit. Janë dy burra, njëri me kësulë të zezë, tjetri me kasketë si çadër, dhe një bjondinë, rreth të tridhjetave. “Biseda informative” është brutale dhe me ton të pacipë. “Cili shërbim sekret qëndron prapa DER SPIEGEL-it?” “E dimë se Ju jeni spiune.” “Silluni me korrektësi, përndryshe duhet të llogarisni me më të keqën.” “Dimë gjithçka për Ju nga Interesi kryesor i pyetësve ka të bëjë me vendqëndrimin tim gjatë ditëve dhe netëve të fundit. Them se kam qenë te refugjatët në kufirin maqedon. Pastaj më konfrontojnë me pothuaj të gjitha kontaktet, të cilat unë i kam pasur me shqiptarët gjatë dhjetë viteve të shkuara dhe të cilët unë gjoja i kam keqpërdorur për “aktivitetet e mia spiunuese.”
Sidoqoftë raportimet e mia kanë qenë “antishtetërore”. Para së gjithash intervista me Rugovën njerëzit e sigurimit i zemëron pa masë. Ata dinë edhe për kontaktet e mia me komandantët e UÇK-së. Me sa duket biseda jonë transmetohet në lokalin tjetër përmes mikrofonit. Pas një ore njeriu me kasketë të zezë braktisë lokalin, pas disa minutave kthehet dhe kërkon falje për “sjelljen pak brutale të forcave të sigurisë” – thotë se ishin vetëm të irituar mbi zhdukjen time.
Si vetura ashtu dhe bagazhi do të vijnë menjëherë, premtojnë ata. Mirëpo, në “DER SPIEGEL” e ardhshëm presin diçka pozitive për serbët. Atëherë unë përsëri mund të punojë në Kosovë si gazetare. Me sa duket një “njeri nga lart” kishte vendosur të kenë mëshirë me mua. Por, as vetura as bagazhi nuk vijnë.
Një orë më vonë një nëpunës policie më rrok për flokësh: drejt në veutrën e policisë. “Ç’kërkon ti këtu si gjermane?” Pres në stacionin policor. Të uniformuarit janë në atmosferë të ndezur: veçse po presim trupat tokësore të NATO-s, sigurojnë ata me entuziazëm
dhe i bëjnë duart grushta. Të gjithë (ushtarët e NATO-s) do ta braktisin Kosovën në arkivole, mendojnë ata. Valigjet e mia kontrollohen. Kontrollim trupi. Pastaj kthimi i pasaportës – më porosisin të mos lëvizë jashtë Grad Hotelit. S’duam të kemi më probleme. Që nga arresti im i pavullnetshëm shtëpiak më 31 mars dhe kthimi im më 5 prill, Prishtina ka ndryshuar. Tashti çdo serb ka nga një armë, çdokush e ndien veten superhero patriotik. Gra me uniforma të zeza sillen si amazona të universit. NJë pjesë e madhe e personelit serb të hotelit qëmoti është arratisur, po ashtu edhe 20 punëtorët e Media Qendrës së etabluar në katin e parë. Hoteli është përplot me ushtarakë, polici, vullnetarë të Arkanit dhe polici speciale. Njërin prej tyre më duket se e njoh. Ai ishte në mesin e atyre që u vërsulën në rezidencën e Rugovës. Edhe ai duket se më ka vërejtur. Pasdite vonë: një punonjëse e hotelit më tërheq në një qoshe. “Duhet të largoheni, këtu Ju nuk jeni më e sigurtë. “Telefonojë në Beograd, lus sekretareshëm time të pyes te ministri i informatave Komneniq, se në rast se udhëtojë në Maqedoni a mund të kthehem përsëri në Jugosllavi. Komneniqi është anëtar i SPO-së, partisë së Vuk Drashkoviqit, e cila në Perëndim një kohë të gjatë shihej si alternativë demokratike ndaj Milosheviqit.
Por, ministri i informatave vetëm zemërohet për atë se si një serbe e vërtetë ka fytyrë të punojë për një redaksi gjermane. Ç’kërkon gazetarja gjermane në Kosovë! Nëse ajo nga frika do të dhihet në pantollona, atëherë vetë le të shikojë se si del nga kjo situatë, kështu tingëllon mesazhi tij ndihmës. Domethënë unë mbes edhe më tej në dhomën time 505 në Grand, si gjithnjë që nga fillimi i sulmeve ajrore flejë me këpucë, xhakavento dhe me baterinë/llambën e xhepit në dorë. Në të vërtetë sulmet ajrore këtë natë janë më të afërta, mirëpo raketat nuk flutorojnë përskaj dritareve të Hotelit. Jam e lumtur që afrohet mëngjesi.
E MARTË, 6 PRILL
Fytyrat e “personave të sigurimit”, të cilët më kishin premtuar kthimin e veturës dhe bagazhit, ndërkohë janë të ngrysura. Një punonjës i hotelit më këshillon që të largohem menjëherë. Ka dyshime mbi vendqëndrimin tim gjatë gjashtë ditëve të fundit. Me sa duket unë do të duhej të likujdohesha. Raza nga policia serbe në Beograd dëshiron të ndihmojë.
Sekretaresha ime e ka alarmuar edhe atë. Ai më këshillon që në vend se të pres veturën time dhe bagazhin bashkë me kompjuterin, pajisjet për fotografi dhe të hollat, “më mirë të shpëtojë kokën”.
Raza: “Ikë, merre menjëherë autobusin për në Beograd.”
Ai do të kujdeset që në postblloqet kontrolluese gjatë rrugës të më lënë të kalojë. Nisja e autobusit sipas planit është edhe 5 minuta, marshi në këmbë deri në stacionin e autobusëve zgjat së paku 40 minuta. Dhe përsëri është njëri nga serbët e pakët, që këto ditë nuk më shikojnë si “armike e shtetit”, i cili më sjellë atje. Biletat janë shitur që para disa ditësh.
Ndihmësi im arrin të sigurojë një biletë “jashtë planit”, i lutet shoferit të autobusit dhe më fut në autobusin Prishtinë-Beograd, në mesin e ushtarëve, policëve dhe patriotëve në rend të parë. Afër meje është ulur Dragani. I them se jam gazetare zvicerane. Sidoqoftë, Zvicra nuk bombardon bashkë me aleatët perëndimorë. Dragani thotë se nuk e kupton botën më që kur NATO-ja ka filluar të bombardojë. Në autobus zëri i radios sillet deri në fund. Klintoni
krahasohet me Hitlerin, NATO-ja me terroristët. Çdo njoftim propagande, qoftë mbi ndërtesat e shkatërruara serbe apo avionët e rrëzuar të NATO-s komentohet me një “Hallo” apo “Oooh” të zëshme. Befasisht gjendemi para kolonave disakilometërshe të mjeteve lëvizëse, kamionëve të vogël dhe veturave – të mbushur përplot me refugjatë shqiptarë. “Prej nga vijnë këta?”, pyet shoferi i habitur. Këta gjatë natës janë dëbuar nga kufiri maqedon, thotë një ushtar me uniformë të blertë. Vargu i mjerimit është i pafundshëm, nga Gjilani deri në Bujanoc. “Humbni në turqi!”, shpotisin udhëtarët e autobusit me zemërim.
Rruga më tutje na shpie pranë kazermës së shkatërruar të Leskocit. Pastaj në “Autoput” (autostradë), e cila shkon drejt Nishit. Rreth 15 autobusë me “vullnetarë” kalojnë pranë nesh (drejt Kosovës). Udhëtarët e autobusit i përshëndesin ata me duar të ngritura dhe brohoritje. M’u në qendër të Nishit, mes ndërtesave shumë afër njëra-tjetrës, është shkatërruar një qendër komanduese e policisë. Siguria goditëse e NATO-s është “fantastike”, pranon Dragani. Pastaj vazhdojmë drejt Beogradit. Tashti kontrollon vetëm policia ushtarake, dhe vetëm ushtarët në uniformë, të cilët udhëtojnë me autobus. Kërkohen dezertorë. Lajmet njoftojnë për 1500 ushtarë gjermanë në Maqedoni, të cilët gjoja kanë hedhur armët e tyre dhe janë arratisur në Greqi. Askush në autobus nuk dyshon, po ashtu as në njoftimet e tjera për përkrahjen e Serbisë nga mbarë bota. Rreth orës 20.30 shihen konturat e Beogradit – pothuaj Las Vegas pas disa javësh zymtësi totale në Prishtinë. Jeta duket se pulson normalisht. Askush nuk reagon në sirenat që paralajmërojnë sulmet e NATO-s. Duket se njerëzit janë mësuar me luftën.
***
DER SPIEGEL – 12.04.1999
HAU AB, RETTE LIBER DEINEN KOPF
Von Flottau, Renate
http://www.spiegel.de/spiegel/print/d-11616896.html