RESHAT AVDIU: SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE NGA KOSOVA LINDORE ALARM PËR INSTITUCIONET SHQIPTARE

Prishtinë, 17. 05. 2016: (Ky fjalim ishte përgatitur për t’u lexuar para protestuesve në Prishtinë, më 14 maj 2016, por nuk u lejua nga organizatorët e protestës!) –
Të nderuar qytetarë të Prishtinës,
Të nderuar bashkëkombës të Kosovës Lindore,
Arsyet janë të shumta që sot unë gjendem para jush në këtë protestë me opozitën, sepse në qytetin e Prishtinës dhe të Fushë Kosovës një pjesë e madhe qytetarëve të Luginës së Preshevës, përkatësisht, Bujanocit Preshevës, dhe Medvegjës janë larguar nga regjimi represiv i Millosheviqit gjatë periudhës së luftës së vitit 1999 në Kosovë, dhe shumica prej tyre tashmë kanë mbetur të jetojnë këtu, pa dëshirën e tyre, por edhe pa ndonjë vullnet të mirë që të kthehen në vatrat e tyre stërgjyshore.
Mbi 30 mijë qytetarë të Luginës janë shpërngulur nga ato troje për shkaqe të krizës së konflikteve dhe tani shumica jetojnë këtu në Kosovë, por dhe në Evropë e gjetiu. Jemi dëshmitarë të kohës se të drejtat e kësaj popullate nga ato regjione po nëpërkëmben dhe po shkelen edhe këtu. Njëherë nga regjimet pushtuese, ndërsa tani nga institucionet tona në të gjitha poret e jetës së tyre. Ata para se gjithash nuk po trajtohen si të barabartë me të gjithë qytetarë tjerë të Kosovës. Ata janë radhitur njëjtë sikur edhe qytetarët e Kinës, Banglladeshit, Eritresë dhe të shumë shteteve tjera aziatike dhe afrikane.
Njëra ndër padrejtësitë që po u bëhet qytetarëve të Kosovës Lindore është dhënia e dokumenteve të ndryshme, si ato të pajisjes së tyre me letërnjoftime, fitimi i nënshtetësisë kosovare, por dhe dokumente tjera si të pronës, shkollimit, shëndetësisë etj. Ku të njëjtit janë të detyruar të deponojnë një dyzin dëshmish të panevojshme për ta fituar shtetësinë kosovare, ku pas gjitha këtyre peripecive atyre në të shumtën e rasteve kjo nënshtetësi u refuzohet dhe kjo për arsyen shumë të thjeshtë se jeni qytetarë nga Kosova Lindore me arsyetimin shumë banale të zyrtarëve të këtij vendi, kinse këto regjione po zbrazen nga popullata shqiptare.

Shteti serb, shqiptarët e Luginës së Preshevës po i fshin nga evidencat në mënyrë arbitrare dhe praktikisht po ua merr shtetësinë, ndërsa për minoritetin serb në Kosovë është e siguruar edhe e drejta e vetos në Parlamentin e Kosovës. Për serbët e Kosovës janë siguruar të drejtat maksimale, asnjë pakicë në Evropë nuk ka më shumë të drejta se kjo e cila në Kosovë përbën më pak se 5 për qind.
Andaj, kërkojmë nga institucionet dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që të mos i nëpërkëmbë të drejtat e shqiptarëve të Luginës, sepse Lugina ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës. Kosova, sa është e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim etnie, aq është edhe e të gjithë shqiptarëve tjerë në rajon.
Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës reciprocitet të të drejtave me pakicën serbe në Kosovë dhe nuk mund të tolerohet që ndaj pakicave të njëjta, Bashkësia ndërkombëtare të ketë dy qasje, më shumë të drejta për pakicën serbe, kurse më pak të drejta për shqiptarët e Luginës.
Shqiptarët e Luginës edhe me rezistencë kishin dëshmuar për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, por fatkeqësisht nuk e kemi një gjendje të kënaqshme. Lugina e Preshevës kërkon mbështetje nga dy qeveritë shqiptare, ajo në Tiranë dhe kjo në Prishtinë që të sensibilizojnë edhe më tutje çështjen e saj të pazgjidhur, ndryshe ky problem do të mund të rëndohet edhe më shumë në të ardhmen.
Në fund shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës kërkojnë nga shteti i Kosovës, por dhe nga Shqipëria ta kenë një Fond kombëtar financiar në mënyrë që të mbrohet qenia e tyre kombëtare, i njëjti si ai i Serbisë për serbët e Kosovës, e që këta shqiptarë të Preshevës, Bujanocës dhe Medvegjes të mbeten dhe mbijetojnë sfidat e Serbisë koloniziatore. Kjo shpërngulje e dhunshme e qytetarëve shqiptarë nga Kosova Lindore duhet të jetë alarm i fundit dhe paralajmërues për të gjithë faktorët vendimmarrës, këtu në Kosovë, rajon e më gjerë.
Ju faleminderit.

Reshat AVDIU ish i burgosur politik nga Presheva.
Prishtinë, 14.05.2016.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura