ARBAN BISLIMI: ‘TË RESPEKTOJMË VETVETEN QË TË JEMI TË RESPEKTUAR NGA TË TJERËT’

Pashtriku.org, 09. 01. 2013 – (Arban Bislimi: “Aktualisht, jam anëtar i grupit për mediatizimin dhe masivizimin e arsimit në Diasporë si ekspert por edhe përfaqësues i Mërgatës në Francë si Kryetar i Shoqërisë “Bashkimi Shqiptar” në këtë komision. Kemi pra një vullnet politik të madh për një politikë të njësuar Kombëtare në drejtim të Diasporës dhe flitet se është vendosur që edhe Qendrat e kulturës në Diasporë të jenë gjithëkombëtare. Gjë të cilës nuk mund ti gëzohet askush më shumë se ne që kemi hedhur këto ide në Memorandumin 30 faqesh dorëzuar Ministrit Ibrahim Makolli me 15 shkurt 2012 në mbledhjen e organizuar me mërgimtarët në lokalët e shkollës shqipe “Fan Noli”.”)
“Fjala”: Z. Bislimi na përshkruani një kronologji tuajën jetësore, profesionale e shkencore dhe në çka konsiston angazhimi juaj i theksuar për të drejtuar një organizëm i cili tubon mërgimtarët tanë në Francë e më gjerë?
Jam i lindur në Prishtinë në vitin 1986. Familja ime ka emigruar në Francë në qytetin e Lyonit kur isha në moshën tre vjeçare për arsye të angazhimit politik të prindërve për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare nën Jugosllavi me Shtetin amë. Me vijimin e mësimit të shkollës republikane franceze, paralelisht kam vijuar edhe mësimin plotësues të gjuhës shqipe në shkollën “Fan Noli” që organizohej nga Shoqata me po të njëjtin emër. Duhet theksuar se kjo shoqatë ishte vënë në ballë të rezistencës së kohës, derisa ajo fatkeqësisht u mbyll pas ishte arritur zeniti i qëllimeve të saj, çlirimi ushtarak i Kosovës.
Dikur, një gjeneratë e re e dalë nga bankat e Shkollës shqipe “Fan Noli” rimori prapë iniciativën e aktivizimit të faktorit shqiptar me 9 nëntor 2003 kur edhe u formua “Rinia Iliria” në adresën “2 chemin du Mont Gerbier, 69120”. Asokohe isha ndër udhëheqësit e organizatës e cila bashkonte rreth 40 të rinj aktivistë dhe pagues anëtarësie si dhe afro 100 anëtar simpatizantë tjerë.
Në shtator të vitit 2005 jam detyruar të vazhdojë studimet në Paris në të famshmin IEP të Parisit (Sciences Po). Ndërkohë, organizimi shqiptar me gjithë vullnetin e mirë dhe sakrificat e aktivistëve nuk kishte gjetur mbështetjen e as dashamirësi ndër gjeneratat e vjetra dhe u detyrua të pushoj gradualisht duke arritur kulmin e mungesës së aktivitetit në vitin 2009 kur nuk u mbajtën as festat e Nëntorit.
Në aspektin sociologjik gjërat kishin ndryshuar për komunitetin i cili kishte tani gjithmonë më shumë karakteristika transnacionale në jetën kolektive dhe individuale të tij. Në Lyon tani vinin të studionin student nga e gjithë hapësira e Atdheut dhe të rinjtë e Lyonit angazhoheshin në studime dhe në sipërmarrje të suksesshme, numri i popullatës shqiptare po rritej njëherazi me nevojat e komunitetit. Në prag të diplomimit (magjistratit), në biseda me njerëzit tanë të komunitetit, me studentët dhe ndërmarrësit përparimtar vendosëm të gjithë së bashku se kishte ardhur koha për një “Rilindje” të institucioneve të komunitetit që përmes vlerave të solidaritetit gjeneratat e ardhshme të kenë fatin të arsimohen në gjuhën shqipe. Po ashtu synohej të rritej suksesi i tyre në shkollën republikane franceze dhe në tregun e punës që të faktorizohet komuniteti shqiptar në Lyon dhe mërgatë.
Kështu me 30 maj 2010 pas një organizimi dhe mbledhje të buxhetit disa mujore u themelua zyrtarisht Shoqëria Bashkimi Shqiptar në Universitetin Ndërkombëtar Profesional të Lyonit (UPIL) René Cassin ku edhe do nënshkruhej kontrata për vënien në dispozicion të lokalëve Shkollës Shqipe që dikur do emërohej “Fan Noli” si shenjë homazhi e përkujtimi ndaj shkollës së parë shqiptare në Lyon.
“Fjala”: Cilat janë aktivitetet konkrete, por edhe vështirësitë e Shoqatës « Bashkimi Shqiptar» ?
Shoqëria “Bashkimi Shqiptar” ka pasur në qendër të vëmendjes rihapjen e Shkollës Shqipe për komunitetin dhe këtë e siguroj me datën historike të 14 nëntorit 2010 në përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Me këtë rast Lavdosh Jaupaj, një doktorant i dalluar nga Fieri, asokohe në përfundim Magjistrature në Universitetin Lyon II, ishte ngarkuar të organizoi mbledhjen e parë me prindërit. Po atë ditë ishte nënshkruar sigurimi i lokalëve dhe hapur zyrtarisht Shkolla Shqipe, të cilës i ishin ndarë tre salla moderne për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Për të ndihmuar në integrimin dhe avancimin profesional të të rriturve Shoqëria organizon edhe kurse frëngjishte dhe kurse të gjuhës angleze të cilat i udhëheqin respektivisht Albulena Ismajli dhe magjistri i gjuhës angleze nga Loxha heroike e Pejës Skënder Shala.
Shoqëria ka ngritur edhe dy grupe muzikore me artistë që jetojnë në qytetin Lyonit, njëri në fushën e muzikës folklorike udhëhequr nga Hajriz Berisha dhe tjetri i muzikës popullore i cili është autonomë dhe udhëheqet nga “Napoleoni” grupi i të cilit quhet “Napoleonistët”. Në këtë rast, përqendrimi është që njerëzit e komunitetit të kenë aktivitete kulturore dhe zbavitëse jashtë kohës së punës duke ngritur edhe talente nga komuniteti. E bukura është që sa i përket grupit folklorik talentët e pasionuar mbas këtij arti ia kaluan këtë pasion më të rinjve. Vërtet, Ansambli folklorik i Lyonit përbëhet sot nga mbi 15 artistë ndër të cilët ka po aq shumë adoleshentë sa të moshuar dhe ka treguar vlerat e tij të larta njerëzore dhe artistike.
Vërtet duhet përgëzuar për dhënien e këtij pasioni dhe talenti gjeneratave të reja, aty është suksesi i komunitetit. Shfrytëzoj rastin të urojë të gjithë artistët që na kanë ndjekur pa harruar edhe Nexhat Hasanin, si shërbëtor të devotshëm të komunitetit që vullnetarisht gëzojnë dhe kënaqin çdo zemër të bashkatdhetarëve në festat kombëtare dhe janë krenaria e komunitetit.
Shoqëria njëherazi shënon edhe datat e mëdha të Kombit Shqiptar me solemnitetin por, edhe gazmendin më të madh. Në këtë mesë shënohet dita e Pavarësisë “28 Nëntori”, shënohet manifestimi tashmë tradicional i Lyonit i quajtur “Ditët e lirisë” i cili përkujton (Ditën e mësuesit shqiptar (Petro Nini Luarasin), ditën e gruas shqiptare, Epopenë e UÇK-së, përvjetorin e demonstratave të 81-shës) nën moton “Njerëzve të mëdhenj të Kombit, Atdheu përjetësisht mirënjohës”. Njëherazi, përkujtohen edhe ditëlindja e Shoqërisë me 30 maj gjatë të cilës promovohet një çështje me rëndësi të veçantë për kombin përmes ftesës së një personaliteti dhe promovimit të veprës së tij por edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit me datën 10 qershor.
Në përvjetorin e parë të Shoqërisë me 28 dhe 29 maj 2011 ishte organizuar vizita e Shkollës Shqipe nga dy ambasadat Shqiptare dhe promovimi i librit të Nusret Pllanës në një kontekst ku hidhej qymyr mbi UÇK nga qarqet e idiotësisë serbe dhe filoserbe. Me këtë rast, vullneti ynë ishte që të kujtohej se në Kosovë ka pasur një gjenocid ndaj popullit shqiptar të cilit egërsirat Ballkanase i kanë kushtuar më shumë plane për shfarosjen e tij se ç ‘janë shkruar për cilindo popull.

Këtë vit kishim Prof.Dr Mathieu Arefin dhe promovimin e çështjes Pellazge ku Lyoni qe pika e nisjes e një promovimi në shkallë Evropiane që kaloi në Universitetin e Lausannës në bashkëpunim me shoqatën e studentëve shqiptar atje, pastaj në Prishtinë në Institutin Albanologjik dhe në UP në bashkëpunim me këto institucione dhe Shoqërinë 28 Nëntori organizatore e “javës Pellazgjike në Prishtinë” me 14/18 Nëntor 2012.
Aspekti i informimit, frymëzimit rreth historisë sonë kombëtare, kulturës sonë, nevojave tona kombëtare, ekonomike e shoqërore kanë qenë brengë e veçantë për Shoqërinë Bashkimi Shqiptar. Këtij synimi i është përkushtuar edhe një faqe zyrtare në facebook e cila ka sot rreth 9500 fansa dhe ndërmjet 20000 dhe 30000 lexues ditorë. Në këtë faqe jo vetëm se publikohen materialët e Shoqërisë por edhe materialët e mirëfillta mbi kulturën, historinë, kinematografinë, Rilindjen Shqiptare etj. Ashtu Shoqëria ka mundësuar lexuesve tanë të orientohen drejtë materialëve me interes në një kohë kur fluksi i informacionit është aq i madh sa seleksionimi merr kohë më shumë se leximi i materialëve.
Tani Shoqëria “Bashkimi Shqiptar” paraqitet edhe me gazetën e saj “Fjala” që synon ta përmbushë edhe më mirë këtë mision fal komunikimit sa më të shpeshtë të opinioneve dhe vizionit të saj duke mundësuar edhe frymëzimin dhe formimin e rinisë dhe më të vjetërve për të shkruar artikuj, poezi, etj.
Do të kujtoja edhe aktivitetet sportive ndër të cilat organizimi i turnirëve të futbollit në rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare por edhe organizimet javore të ndeshjeve sportive zbavitëse në fundjavë në kuadrin e Shoqërisë të cilat mundësojnë mbajtjen dhe zgjerimin e lidhjes shoqërore, afërsisë dhe dashamirësisë brenda komunitetit.
“Fjala”: Sa ka arritur Shoqëria “Bashkimi Shqiptar” të sensibilizoj opinionin kulturor e politik francez rreth çështjes shqiptare dhe cilat janë të arriturat në këtë drejtim?
Shoqëria dhe njerëzit tanë i kanë ikur komunikimit rreth sensibilizimit të të huajve në komunikatat e Shoqërisë edhe përkundër faktit se edhe aty qëndron një nga prioritetet tona. Kur Shoqëria u formua mendohej në opinionin e gjerë, ndoshta mendohet ende në disa qarqe, se një sensibilizim i tillë bëhet duke u dukur simpatik ose duke krijuar një simpati te të huajt përmes tregimit emocional të vuajtjeve tona historike.
Gjë që na dukej dhe na duket ende karikaturale, aq më shumë kur shohim edhe ndër qarqe qeveritare dhe elita tona iluzione të tilla. Në tjetrën anë me një kohë si komunitet vuanim nga një vështirësi për të kuptuar mënyrën e sensibilizimit të të huajve për arsye se ndër më të vjetrit nuk ishin shumë të njohur me Shoqërinë e vendit mikpritës dhe kishin një statut shoqëror prej punëtori. Stigmatizimi dhe stereotipet e shpërndara nga mediat mbi Shqiptarët si të lidhur me trafiqe të ndryshëm dhe të varfër përforconin vështirësinë për të gjetur mënyrën e afirmimit të mirëfilltë të krenarisë dhe arritjeve tona kombëtare.
Realiteti ishte që edhe i huaji i rëndomtë nuk ishte i njohur me Shqipërinë dhe shqiptarët, prandaj nga vullneti i mirë secili u mundohej ta kapte çdo të huaj për krahu që ti tregojë për vendin tonë, gjë që nuk është mënyra e duhur e kurrsesi efikase. Në këndvështrimin tonë, kur flitet për sensibilizimin e të huajve duhet pasur sysh se për të sensibilizuar të huajt është dashur në rend të parë të sensibilizohen shqiptarët për vlerën tonë dhe barazinë tonë në mesin e Kombeve të qytetëruar.
Ky mision është kryer me një sukses të madh nga faqja zyrtare e Shoqërisë, deklaratat e saj në media, nga Shkolla Shqipe dhe promovimet me bujë të Shoqërisë por edhe nga ndryshimi i gjendjes faktike të komunitetit ku Shoqëria ka sjellë provën e barazisë përmes veprës. Vet fakti se fëmijët e Shqiptarëve mësojnë shqip që tani tre vite në Universitetin Ndërkombëtar Profesional të Lyonit ku fëmijët e të pasurve francezë paguajnë nga 5000 deri në 8000 euro vitin e studimeve për tu ulur në ato salla në atë godinë prej 40000 metra katrore ultra-moderne tregon se Shqiptarët konsiderohen si të barabartë dhe të respektueshëm nga opinioni francezë.
Vet fakti, që Shqiptarët bëjnë kokteje elegante në vende prestigjioze si ky dhe dallohen për mirësjellje nga personeli i një institucioni të kësaj rëndësie tregon se opinioni i ngritur francezë është arritur të sensibilizohet dhe i respekton shumë ata sot. Nuk do lë pa përmend edhe sukseset e ndërmarrësve tanë, e studentëve tanë që treguan opinionit shqiptar dhe të huaj se suksesi në sipërmarrje, suksesi në studime, suksesi në integrim (në tregun e punës) nuk janë diçka që nuk është për ne.
Në këtë mesë, dua të përmendi edhe ndërmarrësin Skender Berisha nga Peja që ka korrur një sukses të mirë duke ngritur një ndërmarrje (garazh) shumë të suksesshme në Lyon por nuk mungojnë edhe shumë shembuj tjerë. Do dëshiroja të përmendi edhe suksesin e shumë të rinjve nga Shkolla shqipe që janë regjistruar në gjimnazet më elitiste të Lyonit dhe të një ushtrie studentësh e kuadrosh të suksesshëm që ka Lyoni sot, qofshin ata autoktonë apo nga Atdheu.
Për të përfunduar dua të theksojë se ka komunitete në Francë që nuk mundohen për një sensibilizim të të huajve e as nuk vrasin mendjen për atë gjë, por kanë autoritet të madh siç është komuniteti çifutë apo ai kinez fal organizimit të tyre. Edhe Shqiptarët respektohen përderisa kanë një organizim për tu lakmuar nga të tjerët, përderisa me një organizim të tillë, me kultivimin e kulturës dhe vlerave më të ndritura shqiptare dhe universale imponojnë respektin mendësive përparimtare franceze dhe botërore. Për sa i përket sensibilizimit të opinionit francezë, në kuptimin e aksioneve promovuese, lobuese (term në modë), mediatike, logjika jonë nuk është të mundohemi të bindim pensionistët apo francezin e rëndomtë në treg apo në sheshe se jemi popull apo njerëz të mirë. Në çdo popull ka lider të opinionit por edhe institucione lidere të opinionit që përçojnë më fortë dhe në mënyrë më efikase imazhin e mirë për Shqiptarët se metoda të tilla të vjetruar dhe jo efikase. Ata janë shënjestër e jona.

Sa isha studentë në Paris kam organizuar nga tri konferenca në vit mbi çështjen shqiptare në Sciences Po, në Sorbonë, në fakultete të ndryshme, teatro dhe institucione tjera me spektaklin “Something always happens in Albania”. Një konferencë e tillë u organizua edhe nga Shoqëria “Bashkimi Shqiptar” me 29 mars 2011 në Sciences Po me titull “Shqipëria flet në Sciences Po” dhe shumë kontakte janë marrur edhe me të zgjedhur vendor, grupin e miqësisë franko-shqiptare në Kuvendin dhe Senatin francezë, poetë, intelektual dhe studentë francezë dhe global.
Aktualisht, historiani i Artit nga CNRS Gilbert Gardes po shkruan një libër enciklopedik mbi trashëgimin kulturore shqiptare në Kosovë dhe vise tjera. Nuk është ndonjë sekret që Gilbert Gardes i cili është Drejtori i kulturës i Shoqërisë Bashkimi Shqiptar bashkërisht me Mark Dodanin dy ditë në javë i kalon në lokalet e Shoqërisë ku ndihmohet nga vullnetarët tanë, sidomos Labinot Bislimi, në gjetjen dhe përkthimin e materialëve adekuate për të punuar këtë libër enciklopedik.
Ka edhe shumë aktivitete që kryejmë në bashkëpunim me shoqata studentore, lëvizje qytetare franceze sidomos në aspektet e promovimit të kulturës. Një bashkëpunim i tillë gjendet edhe te aktiviteti i ndihmës shkollore fëmijëve. Enri Merolli nga Pogradeci organizoi me shumë sukses këtë aktivitet duke angazhuar edhe profesor francezë që vullnetarisht ndihmonin dhe ndihmojnë fëmijët shqiptar për ti kuptuar dhe kryer detyrat në kuadër të Shoqërisë.
Për ta përfunduar përgjigjën besoj se Shoqëria Bashkimi Shqiptar ka kryer aq shumë punë në sensibilizimin e shqiptarëve por edhe në atë të huajve sa nuk do mjaftonin rreshtat për ta përshkruar siç e meriton suksesin e vullnetarëve. E bukura e gjithë kësaj arritje është se sensibilizimi është kryer duke bashkëpunuar në shërbim të komunitetit me institucionet, personalitetet më dashamirëse brenda kornizave të barazisë absolute duke iu referuar vlerave përparimtare dhe humaniste të përbashkëta. Suksesi tregon se logjika jonë ka qenë e arsyeshme. Nëse Shqiptarët janë të organizuar, të përpiktë në korrektësi, fisnik dhe të zotë edhe opinioni i huaj i don, bashkëpunon me ta; mos edhe do admiron aftësinë dhe fisnikërinë e tyre?
“Fjala”: Mendoni se diaspora dhe roli i saj është bërë dytësorë nga klasa jonë politike apo është kundërta?
Për hir të vërtetës do thosha se edhe përkundër vështirësive për tu njohur me Mërgatën dhe realitetin e saj kompleksë, Mërgata nuk është kurrsesi çështje dytësore për politikbërësit tanë. Duhet pasur parasysh se për herë të parë në histori kemi një politikë të dedikuar diasporës nga Qeveritë Shqiptare, prandaj diaspora nuk është bërë dytësore, mos qoftë për gjë tjetër për vet faktin se është hera e parë që interesohen Qeveritë Shqiptare aq shumë dhe të bashkuara për të.
Aktualisht, Ministria e Diasporës e Kosovës dhe Ministria e Arsimit e Shqipërisë administrative kanë nënshkruar një marrëveshje me të cilën është hapur konferenca mbarëkombëtare mbi arsimin plotësues në gjuhën amtare në Diasporë. Aty marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha trojeve shqiptare natyrale por edhe një numër përfaqësuesish nga Diaspora kanë qenë të ftuar.
Aktualisht, jam anëtar i grupit për mediatizimin dhe masivizimin e arsimit në Diasporë si ekspert por edhe përfaqësues i Mërgatës në Francë si Kryetar i Shoqërisë “Bashkimi Shqiptar” në këtë komision. Kemi pra një vullnet politik të madh për një politikë të njësuar Kombëtare në drejtim të Diasporës dhe flitet se është vendosur që edhe Qendrat e kulturës në Diasporë të jenë gjithëkombëtare. Gjë të cilës nuk mund ti gëzohet askush më shumë se ne që kemi hedhur këto ide në Memorandumin 30 faqesh dorëzuar Ministrit Ibrahim Makolli me 15 shkurt 2012 në mbledhjen e organizuar me mërgimtarët në lokalët e shkollës shqipe “Fan Noli”. Mbetën ende shumë gjëra për tu caktuar për sa i përket strukturimit institucional dhe operativë por ia kanë nisur me biseduar dhe rregulluar këtë unifikim dhe shkojnë në drejtimin e duhur.
Shpresat janë të mëdha për një politikë të fortë të diasporës, ku fokusimi jonë është te jetësimi i “Shqipërisë globale”. Synimi për ne nuk mjafton të jetë vetëm që të lidhet diaspora me Shtetet shqiptare. Diaspora duhet të lidhët edhe horizontalisht përmes një rrjeti global ku do merrnin pjesë të gjitha komunitetet që jetojnë në vendet e ndryshme gjë që do favorizonte shkëmbimet fal gjuhës shqipe që flasim të gjithë dhe e cila ka sot një karakter dhe një fuqi transnacionale në Evropë dhe botë.
Gjuhë me të cilën mund të udhëtoni në çdo qytet të Evropës madje edhe botës dhe të mirreni vesh, të orientoheni nga një dashamirës shqiptar. Ekziston pra një hartë Shqiptare në Evropë dhe botë, le ta institucionalizojmë, le ta shfrytëzojmë për të mirën tonë, le të gjejmë mënyrat për të arritur krijimin e “Shqipërisë globale”. E gjitha varet nga zotësia jonë si Komb, Qeveri dhe institucione dhe nga vullneti politik i elitave tona. Barrierat tjera nuk janë aq të mëdha sa mund të jenë mos aftësia, mosinteresimi apo mos organizimi i jonë.
“Fjala”: Çfarë vullneti angazhues e veprues shihni ju në mesin e të mërguarve tanë dhe sa keni arritur që Shoqata “Bashkimi shqiptar” të jetë një artikuluese e denjët e kërkesave të tyre?
Vullneti angazhues e veprues i të mërguarve është shumë i madh. Gjithandej në mërgatë janë me mijëra veprimtar vullnetar që punojnë për të mirën e komunitetit duke angazhuar edhe mjetet vetjake për të mbajtur dhe zhvilluar aktivitetin shqiptar. Përkundër asaj që mund të mendohet ndokund edhe vullneti i prindërve shqiptar për të arsimuar fëmijët është i madh por ata duhet të bëjnë sakrifica të mëdha për të arritur ti arsimojnë fëmijët.
Problemi numër një i arsimit shqiptar në veçanti dhe i aktivitetit shqiptar në përgjithësi mbetët çështja e financimit të aktivitetit. Për sa i përket çështjes së arsimit njëra ndër çështjet thelbësore mbetët ajo e transportimit të fëmijëve. Jemi duke punuar shumë aktivisht që problematikat e shtruara gjer e gjatë në Memorandumin drejtuar institucioneve Shqiptare ti jetësojmë në kuadër të institucionalizimit të arsimit plotësues në Mërgatë.
Por gjërat duhet parë më gjerë, duhet institucionalizuar i gjithë rrjeti institucional në Mërgatë, duhet rregulluar zinxhiri institucional ndërmjet aktorëve të Mërgatës dhe Qeverive shqiptare por edhe ndërmjet aktorëve të komunitetit në një nivel global. Vullneti ynë është që duke përdorur të gjitha institucionet Shtetërore në vendet e ndryshme, duke koordinuar aktivitetin ndërmjet institucioneve të Shoqërisë civile në një nivel Evropian dhe global të mundësojmë jetësimin e “Shqipërisë globale”.
Me këtë nënkuptojmë që në çdo qytet të institucionalizohen grupet e studentëve, prindërve, afaristëve shqiptar, veprimtarëve kulturor (etj) që të arrijmë dikur që çdo shqiptar që udhëton nga një Shtet në tjetrin, nga një qytet në tjetrin në mbarë Evropën dhe në hapësirat ku ka shqiptar të gjejë një derë ku pritet dhe udhëzohet shqip. Nuk mendojmë se mund të vazhdojmë të humbasim potencialin e jashtëzakonshëm të këtij Kombi që shtrihet sot në çdo qytet të Evropës, Mërgata e të cilit është edhe pjesë e zgjidhjes së sigurisë Kombëtare, ekonomike dhe shoqërore të vendit dhe çelës edhe i proceseve lobuese dhe integruese në Evropë e më gjerë.
Në këtë mesë një rolë të veçantë kanë edhe “Eprorët e gjuhës shqipe” (mësuesit) dhe kuadrat global shqiptar të cilët kanë për detyrim moral, kombëtar por edhe ligjor ti shërbejnë komunitetit në çdo vend ku të jenë. Gjuha dhe komunitetit shqiptar duhet faktorizuar. Sa më i fortë dhe i strukturuar të jetë Atdheu aq më të fortë jemi edhe ne në Mërgatë, sa më të fortë dhe të strukturuar të jemi ne në Mërgatë aq më i fortë dhe influent do jetë edhe Atdheu.
“Fjala”: Cili mendoni se është roli dhe detyrat e rinisë sonë sot në mërgim?
Rinia duhet të jetë në ballë të ndryshimit, ajo është më pak e ngarkuar me paragjykimet ideologjike, me paragjykimet e të kaluarës por edhe më e integruar në rrjedhat shoqërore, teknologjike, profesionale dhe globale aktuale; prandaj i takon, duhet dhe mundet të shtroj dorën e pajtimit dhe të zhvillojë bashkimin në një shkallë që nuk arrin për arsye të klivazhëve të së kaluara ta bëjë gjenerata më e vjetër. Në maj të këtij viti kemi themeluar rininë e Shoqërisë Bashkimi Shqiptar në Lyon e cila ka sot rreth 60 aktivistë dhe simpatizantë. Fjalët e mija në këtë rast ishin se gjenerata ime është munduar shumë të thej akullin dhe ka arritur ta sjellë deri këtu organizimin shqiptar por se megjithatë suksesi ynë do të shihet te ju që kapeni sot Flamurin siç shihet te gjenerata ime suksesi i paraardhësve tanë të lavdishëm. I porosisja njëherazi të kujdesën për më të rinjtë, fëmijët tanë, të cilët janë pronarët e vërtetë të gjithçka kemi bërë deri sot dhe ndaj të cilëve jemi qiragjinj që kemi për obligim moral dhe kombëtar t’ua trashëgojmë një organizim të mirëfilltë, një komunitet dhe një shoqëri shqiptare të shëndosh dhe të suksesshme në çdo kohë dhe në çdo vend.
Kaq është porosia dhe amaneti ynë si “shërbëtor” (titulli më i lartë që kemi) të një çështje që na ka ardhur si trashëgimi nga gjenerata të tëra dhe të cilën shpresojmë t’ua lemë më të përparuar gjeneratave të ardhshme. Gjeneratat e kaluara kanë çliruar trojet shqiptare me shumë vuajtje, mundim dhe gjak, gjenerata ime ka për detyrë ta bëjë Shqipërinë të barabartë në mesin e Kombeve, të respektohen dhe merrën parasysh interesat e saj në Ballkan, Mesdhe dhe Evropë, gjeneratat pas meje kanë për obligim Shqipëria të jetë ndër fuqitë e pashmangshme dhe të pyetët dhe kontribuoj edhe një rendi botëror më të drejtë, më njerëzor për të gjithë njerëzimin. A do jemi ende gjallë kur kjo e fundit të arrihet? Nuk mund ta dijë, por ideali ynë do të jetojë, Shqiptarët do të bashkohen dhe do të japin kontributin e tyre njerëzimit të lirë dhe një bote që shpresojmë më të drejtë, më njerëzore dhe me jetë harmonizuese ku të ketë vend për secilin. Mund të na quan lexuesi idealistë apo ëndërrimtar, por nuk jemi të vetmit dhe herët apo vonë mirësia do të fitojë dhe paraardhësit tonë do ta jetojnë, do ta gëzojnë dhe vendi ynë do të lulëzojë.
“Fjala”: Cila do të ishte porosia juaj për njerëzit tanë në diasporë me theks të veçantë ata në France?
Përballemi aktualisht me një krizë morale, një krizë idealesh, një krizë ku njerëzit jetojnë “pa fund pa shprese” do thoshte Fan Noli. Si rrjedhojë e të fundit, shtrohet shpesh sot pyetja në media se çfarë është patriotizmi? Patriotizmi në historinë shqiptare ka qenë gjithmonë i lidhur me tempullin e Kombit shqiptar që është Shkolla shqipe rreth të cilës sillet jeta e komunitetit si në Atdhe si këtu, patriotizmi është kontributi vullnetar këtij organizimi. Njeriu që është patriotë kontribuon me mirësi vendit dhe njerëzve të kombit të tij duke dëshiruar të njëjtën mirësi kombeve tjerë, njerëzve pa dallim origjine.
Sot, shqiptarët nuk kanë nevojë për ceremoniale folklorike, retorika patriotike. Ajo që kërkohet nga secili është që të kryejmë detyrat tona ndaj komunitetit pa zhurmë e me mund të përditshëm, të orientojmë gjeneratat e reja, të afrojmë kategoritë e ndryshme shoqërore dhe ti institucionalizojmë në dobi të komunitetit. Nëse flitet për Francën, ju kujtojë se Franca ka një popullatë aktive pak mbi 26 milionëshe (gjë që ka ndryshuar pak me ngritjen e moshës së shkuarjes në pensioni). Ajo njëherazi, ka një popullatë vullnetarësh (benevol) në organizata të Shoqërisë civile prej 13 milionëshe, proporcionet e angazhimeve vullnetare në dobi të komunitetit janë jo të largëta edhe në shumicën e vendeve të zhvilluara të OSBE-së.
Askush nuk ju kërkon që për Atdheun të betoheni pesë herë në ditë para Flamurit, të kapni pushkën e të dilni në male e as të vdisni për të… Sot kërkohet një angazhim i vogël vullnetar nga secili brenda javës apo muajit për të mirën e komunitetit, besoj se nuk është kërkesë e tepruar?


Intervistën e zhvilloi: Avni Azizi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura