DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (PSE U ORGANIZUA ME URGJENCË RAMBUJEJA? PËR TA SABOTUAR ASAMBLENË KOMBËTARE TË KOSOVËS!) (5)

Pashtriku, 27 shkurt 2019: Pse u organizua me aq urgjencë Rambujeja?
Thirrja me urgjencë e Konferencës së Rambujesë diktohej më tepër nga një llogari e menduar mirë, sesa nga zemërgjerësia. Kjo rezulton nga fakti që dihet se UÇK-ja prej 20 Dhjetorit 1998 e në vijim kish pasur disa suksese të njëpasnjëshme në luftimet me ushtrinë serbe, e cila rezultoi edhe me kapjen dhe shkëmbimin e robërve midis Ushtrisë së Serbisë dhe UÇK-së, në 13 Janar 1999. Kapja rob prej UÇK-së e 8 (tetë) ushtarëve serbë dhe shkëmbimi i tyre me 9 (nëntë) ushtarë robër të UÇK-së (të kapur më 17 Dhjetor 1998 nga Serbia), ishte një ngjarje që as shqiptarët më optimistë nuk e kishin marrë me mend që të arrinte UÇK-ja në një stad të tillë ekuilibrimi me ushtrinë e rregullt serbe. Me këto suksese UÇK-ja po e përforconte besimin ndaj saj në gjithë popullsinë e Kosovës, (edhe në atë të qyteteve). Ky sukses i UÇK-së sillte një rend tërësisht të ri të gjërave. Kurorëzimi i atyre arritjeve të saj me shkëmbimin e robërve duket se ngjalli dyshime në mendjet e shumë politikanëve europianë e serbë lidhur me fuqinë e UÇK-së, të cilët nisën të mendonin se nuk kish më asnjë pengesë për UÇK-në për arritjen e ambicjeve të saj.

Në këto kushte edhe Serbia e kuptoi plotësishtë pafuqinë e saj, ndaj dhe ajo u kërkoi ndihmë miqve të saj në Evropë. Këto arritje të UÇK-së i vunë miqtë e saj në Evropë përpara një dileme: ose Evropa duhej t’i thoshte Serbisë të largohej nga Kosova, duke e ndërprerë luftën, ngaqë qenë praktikisht të sigurtë se SHBA do të ndërhynin ushtarakisht me anë të NATO-s, ose ta nxisnin Serbinë të kryente ndonjë masakër dhe, nëpërnjet intrigave dhe propagandës panserbe ta përdornin atë për një mbledhje ndërkombëtare urgjente, ku të imponoheshin të merrnin pjesë edhe amerikanët, me të vetmin qëllim që Kosova të qëndronte përsëri pjesë e Serbisë.
Ndaj dhe u organizua kryerja e masakrës së Reçakut, të cilës mediat ndërkombëtare i dhanë shumë publicitet, (pavarësisht se disa muaj më herët serbët kishin kryer masakra edhe më të mëdha në Kosovë), dhe kjo për të eklipsuar arritjet e UÇK-së, të kurorëzuara me shkëmbimin e robërve, duke e ngritur UÇK-në në nivelin e një ushtrie guerile të rregullt. Sikundër dihet, ajo masakër u krye 40 orë pas shkëmbimit të robërve midis dy ushtrive ndërluftuese. Franca dhe mbështetësit e tjerë të Serbisë, e shfrytëzuan bukur fort këtë masakër, për ta nxjerrë Serbinë nga situata diskriminuese ku kish rënë me shkëmbimin e robërve me UÇK-në. Masakra e Reçakut u shfrytëzua me urgjencë për të organizuar Rambujenë, ku “Qëllimi ishte i qartë: procesi politik i zhbllokimit të situates në Kosovë të shkonte përpara atij ushtarak dhe… UÇK-ja të izolohej e t’i ngushtohej hapësira e veprimit.” 1), sikundër e pat vlerësuar edhe shkrimtari Mehmet Kraja.
Propozimi i Rambujesë nxori në pah, por jo në mënyrë të dukshme, konfliktin e përgjithshëm që ziente nën rrogoz midis BE-së dhe Amerikës. Shtetet propozuese të Rambujesë ftuan për atje edhe LDK-në, me synim që të thellohej edhe më shumë armiqësia midis asaj dhe UÇK-së dhe se, me riaktivizimin e LDK-së shpresonin që Kosova të mos i shkëputej kurrë Serbisë. Politika përça e sundo.
Në kurthin e masakrës së Reçakut, ndoshta edhe nga interest e ngushtë personalë (?), ra edhe Drejtoria Politike, duke u justifikuar se “këtu filloi vlerësimi i luftës çlirimtare të shqiptarëve” 2), ndërkohë që Adem Demaçi e kuptoi që ajo masakër ishte thjesht një kurth, ndaj dhe e anashkaloi, duke mos iu referuar fare, pasi nuk dëshironte të largohej vemendia nga Asamblea Kombëtare.
Mirëpo, miqtë e Serbisë e të Rusisë, për ta thelluar më tej përçarjen brenda UÇK-së, bënë të pamundurën për të sabotuar Asamblenë Qytetare (Kombëtare). Dhe ky qëllim arrihej duke organizuar urgjentisht një konferencë ndërkombëtare. Nëse ajo konferencë nuk mblidhej, por mblidhej Asambleja Qytetare e Kosovës, UÇK-ja do të arrinte të inkurajonte ndikimin e vet edhe në trojet e tjera shqiptare, dhe atëherë do të ngrihej gjithë kombi shqiptar në përkrahje dhe mbështetje të saj, me të gjitha format. “Konflikti në Kosovë rriti frikën se ai mund të përhapej në Shqipëri, Maqedoni dhe pastaj edhe në Greqi, Bullgari e Turqi, duke e shkatërruar paqen e brishtë të arritur nga marrëveshjet e Dejtonit.” 3), theksonte analisti anglez Henry H.Perritt Jr. Pa vepra të mëdha, lufta s’fitohet dot dhe kombi që s’është i zoti për vepra të tilla ka për të humbur në shekullin e luftës.
Madje 4 ditë më herët se Dr.P dhe ShP të merrnin vendimin për të shkuar në Rambuje, lëshuan komunikatën nr.71, datë 26 Janar 1999, ku theksohej: “Shtabi i Përgjithshëm, në bazë të kërkesave të komandave të zonave operative, si dhe kërkesave që shtron koha, ka marrë qëndrim që deri në 10 Shkurt 1999, të bëhen konsultime me subjektet politike rreth krijimit të Asamblesë Qytetare dhe të Qeverisë së Kosovës.” 4)
Mirëpo, anullimi i Asamblesë prej Dr.P e SHP dhe pranimi prej tyre i dhjetë pikave të panegociueshme të asaj projekt-marrëveshjeje, duke mos u marrë parasysh pasojat e atij pranimi, të cilat i theksonte me forcë Demaçi, ishin baraz me një kapitullim, pasi, sikundër konkludon edhe diplomati i mirënjohur amerikan H. Kissinger: “kushtet që nuk do të mbrohen përbëjnë dorëzim”. Dhe kjo ndodhte ngaqë anëtarët e Drejtorisë Politike, duke mos patur përvojën e nevojshme, si dhe të prirë nga interesa meskine, shihnin në atë projekt-marrëveshje vetëm makjazhin politik të saj, ndërsa Demaçi shikonte fytyrën e vërtetë të saj. Vetëm naivët mendojnë se politika e të fortëve udhëhiqet nga humanizmi.
Drejtoria Politike, me marrjen e kësaj përgjegjësie historike, duke u konsultuar vetëm me veten e saj, e shkëputi përfundimisht drejtimin e UÇK-së nga Lëvizja Popullore për Kosovën (LPK), pavarësisht se sot pas 15 vjetësh zoti Bedri Islami kërkon të mbuloi Diellin me shoshë, duke na thënë të kundërtën: LPK-ja udhëhoqi edhe luftën 5), gjë që nuk është e vërtetë, pasi ai bie ndesh me atë çka ka shkruar vetë para tre vjetësh 6) “UÇK-ja nuk ishte LPK dhe ajo asnjëherë nuk u bë krah politik i këtij formacioni” 7), shprehet edhe shkrimtari dhe analisti kosovar Mehmet Kraja, por që e pat vënë re edhe gjithë inteligjenca në Kosovë. Duke u shkëputur nga LPK-ja si dhe nga LKÇK-ja, por edhe nga Demaçi, ajo Drejtori krijoi një sistem mosdhënie llogarie dhe moskontrolli të veprimtarisë së saj. Kjo ishte dhe pika më e fortë e asaj Drejtorije: vetë vendoste, vetë vuloste; “vetë Ali, e vetë Kadi”.
Për t’ia arritur këtij qëllimi, ajo Drejtori shfrytëzoi dobësitë e udhëheqjes së LPK-së, ku difekti kryesor i saj ishte se ajo vijonte të qëndronte jashtë atdheut dhe, përveç kësaj, në vend që të merrej drejtpërdrejt me çështjet e organizmit dhe zhvillimit të luftës në Kosovë, merrej me emra të përveçëm, se kush duhet të hyjë në Kosovë, e kush jo, sikundër u veprua me Fehmi Lladrovcin e disa të tjerë 8). Një organizëm politik e luftarak si LPK-ja, që i kishte vënë vetes detyrën e rëndësishme historike: çlirimin e Kosovës, – nuk duhej të qëndronte përgjithënjë jashtë atdheut, sido që të ishin rrethanat e luftës. Ajo duhej të futej në terren, të drejtonte në luftë, dhe të bënte gjithçka për rregullimin e gjëndjes ku puna nuk ecte, dhe jo të merrej se cili person mund të ishte më i përshtatshëm për kryetar i LPK-së, si shteg jo për forcimin e unitetit në udhëheqjen e saj, sesa me qëllimin që të mos i prishej qejfi asnjë klani ambicios. Duke qëndruar jashtë Kosove, anëtarët e udhëheqjes së LPK-së nuk do të bëheshin as luftëtarë më të mirë dhe aq më pak politikanë të mirë e të vërtetë të luftës çlirimtare.
Sikur të bazohemi vetëm në deklaratën e fundit të zotit Hashim Thaçi, se nuk ka qenë kurrë në frontet e luftës 9), vetëm me kaq kuptohet pse ajo Drejtori nuk ishte në gjendje të gjykonte kushtet në të cilat ndodhej UÇK-ja në periudhën e Janarit të vitit 1999; ndaj ajo Drejtori nuk ishte në gjendje të gjykonte reagimin e atyre që luftonin nëpër frontet e luftës. Edhe nëse e pranojmë se Drejtoria Politike përbënte udhëheqjen e vërtetë politike të UÇK-së, de fakto, antarët e paktë të saj nuk mund ta njihnin gjendjen e vërtetë të saj ushtrie 10), përveç Jakup Krasniqit. Kjo ishte edhe arsyeja pse zoti Jakup ishte më aktivi në bisedimet në Rambuje.
Gjersa 4 nga 5 antarët e delegacionit të UÇK-së, që u vetëpërzgjodhën për në Rambuje, nuk kishin qenë në frontet e luftës, nuk mund të pranohej nga Demaçi vendimi i tyre, pasi ata gjykonin jashtë kufijve të Kosovës, ndërkohë që drejtimi duhej bërë nga brenda, sikundër Demaçi. Madje ata nuk e njihnin edhe gjendjen politike në Prishtinë. Vetëm Demaçi i njihte të dy anët e gjendjes në Kosovë, si atë ushtarake, ashtu edhe atë politike.
Me t’u shpallur ai vendim i Drejtorisë Politike prej zëdhënësit të Shtabit të Përgjithshëm, (J. Krasniqi, njëkohësisht ai edhe antar i Dr.P), Demaçin filluan ta sulmonin të gjitha forcat politike mbarë shqiptare, të qiellit e të tokës. Edhe kjo luftë bënte pjesë në strategjinë e thirrjes me urgjencë të asaj Konference dhe thyerjen morale të Demaçit.
Ne edhe mund ta qortojmë Adem Demaçin për atë durim të tij, por ai nuk kish fuqi që ta anullonte atë vendim, pasi edhe pjesa e mbetur e Shtabit të Përgjithshëm po robërohej vullnetshëm ndaj dhunimit që i bëri Drejtoria Politike. Njëkohësishtë Demaçi e ndërpreu sulmin ndaj Dr.P, pasi u nis nga mendimi që të paqëtonte kryengritjen e UÇK-së, duke u përshtatur më shumë me rrethanat se sa me të vërtetën. Ai vendosi ta duronte me vendosmëri fatkeqësinë që po pësonte UÇK-ja dhe u vu në pritje për rastin që mund të sillte një çast më i mirë, sikundër u përpoq në 1 Mars 1999.
Antarët e SHP të UÇK-së zgjodhën të bënin rrugën e kthesës që mori Drejtoria Politike, edhe pse fuqia e saj nuk kish pse t’i frikësonte. Shtabi u tut nga ajo Drejtori edhe pse ajo nuk kishte asnjë lloj force për t’i frikësuar ata. Por, e tillë qënka dobësia e shoqërisë sonë njerëzore: e shtrënguar që të bindet ngaqë është e përçarë mes veti. Si e tillë, nuk gabojmë të themi se, ndër ne, asnjëherë nuk mundet me qënë masa më e fortë se individi apo një grupi njerëzish, edhe pse ai individ apo ai grup njerëzish nuk kanë asnjë lloj mjeti dhune për të na nënshtruar.
Mirëpo, kur dhe si i dha kjo Drejtori Politike provat e përsëritura se ishte e pajisur me largpamësi të madhe, që të imponohej e t’i zihej kaq besë nga SHP dhe tërë UÇK-ja? Ku i dha ajo Drejtori provat e guximit të madh intelektual e qytetar për mbrojtjen e UÇK-së, apo mos vallë kur kryesori i saj, zoti Xhavit Haliti, shtatë muaj më herët pat deklaruar botërisht se UÇK-ja nuk mundet me e fitue luftën? Si dhe kur e fitoi Drejtoria Politike atë lloj epërsie intelektuale, morale dhe guximi ndaj SHP dhe tërë UÇK-së, apo kur përcaktoi strategjinë e luftës mbrojtëse frontale dhe atë të mbrojtjes së “territoreve të lira”? Si dhe kur e fitoi Drejtoria Politike atë lloj epërsie politike e intelektuale dhe largpamëse ndaj simbolit të rezistencës sonë, Adem Demaçit? Nuk e marr guximin të them se në këtë rast Shtabi i Përgjithshëm ka vepruar me urtësi.
Por, ja që ka edhe nga ata persona që kanë më shumë dhunti se të tjerët, që e ndjejnë peshën e zgjedhës, që nuk mësohen dot me robërinë e paraardhësve të tyre. Një i tillë mëndjekthjellët e largpamës ishte Adem Demaçi, si dhe ajo pjesë e popullsisë që rrëmbeu armët dhe mbushi radhët e UÇK-së, duke mos e dëgjuar më LDK-në pacifiste 800 mijë anëtarëshe (!), e cila e mallkonte luftën çlirimtare. Ndaj dhe nuk duhet të habitemi pse në këtë kryengritje, në luftën çlirimtare të viteve 1997-1999, vetëm 1% e popullsisë rrëmbeu armët, ndryshe nga çdo kryengritje tjetër e këtij populli, ku gjithherë pjesmarrja më e ulët me armë në dorë ka qenë mbi 5% e popullsisë. Por, duke qenë se 82% e UÇK-së ishin me arsim të mesëm e të lartë, bindemi se ata ishin ajo pjesë e popullit shqiptar në Kosovë që e kish ushtruar veten me mësime dhe dije për mënyrën e fitimit të lirisë dhe rëndësinë e saj, sado që robëria e LDK-së së Rugovës ishte stolisur e maskuar mirë. Ky 82 përqindëshi i mirëarsimuar i UÇK-së tregon forcën e edukimit, e cila e mohon zakonin tradicional të nështrimit. Jo më kot Serbia dhe LDK-ja ua mbyllën shkollat shqiptarëve e i futën nëpër bodrume, atë që kërkonte dikur shpesh e me ngulm nëpër kongreset e LKJ akademiku Dobrica Qosiç 11).
Kur antarët e delegacionit të UÇK-së u nisën për në Francë, Demaçit nuk i mbeti rrugë tjetër veç të bënte sqarimin politik të popullit me anë të shtypit, rreth vendimit të Dr.P e SHP, duke bërë dallimin midis asaj që ishte e regullt dhe jo e regullt, duke shprehur pikëpamjet e tij mbi rezultatet e pritshme të Konferencës së Rambujesë, me bindjen se argumentat e tij do t’i detyronin delegatët e UÇK-së të ndryshonin qëndrimin.
Shpesh herë është hedhur pyetja: pse u vendos mos ekzistenca e mëtejshme e UÇK-së para se të fillonte mbledhja e Rambujesë?
Përgjigjia është shumë e thjeshtë: sepse UÇK-ja nuk ishte aleate me askënd; ngaqë e kishin anatemuar jo vetem të hujat por edhe vetë shqiptarët dhe, së treti, qarqet sunduese serbe dhe ato LDK-iste në Prishtinë përhapnin pikpamjen e gënjeshtërt se gjoja UÇK-ja ishte organizatë marksiste terroriste, e shprehur kjo edhe nga ministri i jashtëm i Italisë, Lamberto Dini, dhënë agjensisë ANSA në 15 Janar 1999, 12), etj. E gjithë kjo propagandë anti UÇK edhe prej forcave politike dhe shtypit shqip, bëhej për të mashtruar jo vetëm opinionin publik mbarë shqiptar, por edhe atë botëror. Prandaj UÇK-në nuk pranonin ta njihnin si ushtri çlirimtare as gazetarët, as diplomatët, as pushtetarët dhe as politikanët e Tiranës dhe të Prishtinës. Si rrjedhojë, ajo askujt nuk i jepte shkas për mëshirë ose keqardhje, përderisa eleminimi i saj nuk i sillte dëm personal askujt prej tyre, veç popullit të thjeshtë, luftëtarëve të UÇK-së, Kosovës dhe vetë emërtimit UÇK. Propaganda kundër UÇK-së ishte aq e madhe sa që në një pjesë të konsiderueshme të popullit shqiptar në Kosovë dhe jashtë saj, si dhe në shumicën e diplomatëve shqiptarë e të huaj, kur flitej për UÇK-në kish diçka që i bënte ata të kishin mendime të gabuara për të. Dhe, për të qenë realistë, duhet të pranojmë se njoftimet që kishin diplomatët e huaj rreth UÇK-së mbështeteshin kryesishtë në ato që thoshte propaganda dhe shtypi i LDK-së e ai “i pavarur” i Prishtinës, (“Koha Ditore”, “Kosova sot”, etj.), i cili në verën e vitit 1999 i quajti fashistë shqiptarët që luftuan; por edhe në shkrimet e gazetave “RD”, “Rilindja”, “Tema” dhe satelitët e tyre në Tiranë.
Për këto dhe të tjerë “argumeta” të ngjashëm, diplomacia europiane dhe ajo e Rusisë kishin vendosur t’i jepnin fund luftës që bënte UÇK-ja në Kosovë. Si rjedhojë, askush prej atyre që ishin mbledhur në Kështjellën e Rambujesë nuk donte t’i dëgjonte emërin UÇK-së dhe luftës që ajo bënte, përjashtuar zonjën Medlin Ollbrajt, të cilën na e tregon vetë Komandanti i NATO-s, Uesli Klark: “Medlin Ollbrajt, e cila gjat një takimi në katër sy, duke ngrënë mëngjes, pak më shumë se katër javë para fillimit të luftës, më tha: “Pra, Ues, e tëra varet nga ti”, tha ajo, në momentin kur u ul. “Kam bërë çdo gjë që ishte e mundur, por ata e kanë cilësuar këtë si luftën time dhe janë kthyer kundër meje. Tash ata do të kthehen në drejtimin tënd!”. Nuk dëshiroja të pyesja se kush ishin “ata”; kjo ishte gjë tejet e dhimbshme.”13) Kjo vërteton atë që zonja Ollbrajt e përkrahu Kosovën dhe UÇK-në për shkak të vullnetit të saj të lirë dhe jo për shkak të ndonjë trysnie. Për të tjerët ishte e pamundur t’i kuptonin si ajo vuajtjet dhe psikologjinë e popullit shqiptar në Kosovë e të luftëtarëve të UÇK-së, e cila i kish parë me sy krimet serbe disa vite më herët në Bosnjë. Dhe kjo epërsi e zonjës Ollbrajt ndaj gjithë diplomatëve të tjerë qëndronte edhe për faktin se ajo, para së gjithash, ishte nënë dhe dihet që, zemrat e nënave kur shohin krime lotojnë e qajnë dhe veç dritë ato shpërndajnë.
VIJON

Pjesë e shkëputur nga libri i Dilaver Rezo Goxhaj “DRAMA E UÇK DHE E ADEM DEMAÇIT (Analizë e politikës në UÇK për periudhën 7 Mars 1998 – 2 Mars 1999) – Tiranë, 2014”
___________________
1) Mehmet Kraja “Mirupafshim në një luftë tjetër”, f. 170.
2) Jakup Krasniqi, “Kthesa e madhe”, f. 131
3) Henry H.Perritt Jr. “Rrëfim prej brenda për një kryengritje”, Koha, Prishtinë, 2008, f. 194
4) Arkivi RKL, v.1, f. 122
5) Gazeta “Dita”, Tiranë, datë 18 Prill 2014
6) Bedri Islami “Lëvizja-lindje e përgjakur”, f. 374-378
7) Mehmet. Kraja “Mirupafshim në një luftë tjetër”, Prishtinë, 2003, f. 163
8) Bedri Islami “Lëvizja-lindje e përgjakur”, f.353-355.
9) Më 14 Shkurt 2014, në intervistën dhënë “Global Conversation”, e transmetuar në Euronews.
10) “….. Disa prej tyre, shkonin e vinin në Shqipëri e në zona të luftës, disa të tjerë i shihnim shumë rrallë, meqë ata kishin “punë të thella” dhe disa kurrë nuk pranuan të futen në Kosovë, derisa mbaroi lufta, jo mbase, sepse u frikësuan mos po i godet ndonjë plumb qorr, por sepse “kishin” aq shumë punë në Tiranë, sa nuk mund të largoheshin, as edhe për një apo dy ditë. Ç’ është e vërteta, jo pak prej tyre nga Tirana shkonin e vinin pandërprerë deri në Kukës, në Bajram Curr e në pikat e kufirit, kuptohet “gjithnjë me punë”, por hyrja në frontet e luftës dhe në kufirin e vdekjes, ishte e rrezikshme për ta, sepse ata mendonin për veten e tyre se po të vriteshin, do të vihej në pikëpyetje fati i luftës dhe i Atdheut.(!)Andaj, tutje kufirit mrizuan të gjithë ata që prisnin pa durim të mbaronte lufta dhe t’i qepeshin institucioneve. Atje mrizonin edhe “FARK”-istët, “mërgimtarët” e ikanakët e Tahir Zemës, oficerët “me nam” të APJ-së, apo disa të Republikës së Shqipërisë, që luanin shah e domino në zonat e kufirit, në kohën kur këndej kufirit luftohej për jetë a vdekje……. Ky lloj i këmbë-fortëve të luftës, i rrugëtarëve të rrugëve të gjata të atdheut, ky lloj i të vetë-vlerësuarve gjithnjë në lëvizje, që nuk më hiqet dot nga mendja, ky taraf special njerëzish me kohë ishte pozicionuar në kreun e luftës, në Shtab, në Operativë, në krye të shtabeve lokale të brigadave e batalioneve. Disa syresh, meqë nuk kishin punë tjetër, po i ndanin postet e ministritë, madje duke iu premtuar poste edhe shokëve të tyre, që ditët e netët i kalonin nëpër hotelet e Prishtinës dhe në shtëpitë e tyre të ngrohta e të rehatuara. Disa syresh, mrizonin në ambientet e Shtabit në Kleçkë, e në Divjakë ndërsa nga telefonat satelitorë na raportonin se ata sapo kishin krijuar zonën NN dhe po luftonin në ballë të frontit kundër forcave ushtarake e policore serbe.
Disa prej tyre, së bashku me familjet, ia kishin mbathur për në Shqipëri, meqë konsideronin se ishin “kuadro” me influencë dhe duhej doemos të kurseheshin, për ta qeverisur Kosovën pas luftës, sepse ky ishte dhe mbeti qëllimi i tyre kryesor. Disa, edhe pse nuk ishin parë kurrë në zonat e luftës, nga shokët e tyre në shtab ishin caktuar në poste me rëndësi, disa kishin lënë familjet në Kosovë, dhe sapo kishin arritur në Tiranë kishin ndarë poste ministrash e zëvendësministrash, drejtorësh e zëvendës-drejtorësh, etj. Disa nga ata konsideronin për veten e tyre se ishin të zgjedhur e të përzgjedhur, dhe nuk duhej lejuar kurrsesi që të vriteshin, nga arma armike qoftë edhe fare rastësisht, jo për tjetër, por sepse nuk kishte kush i zëvendësonte pas luftës, sepse po të vriteshin ata, vaj halli për Kosovën…..
Të tillët që qëndruan në Shqipëri, të cilët, gjatë luftës ia mbathën për ta shpëtuar prapanicën, për “meritat” e tyre, pas luftës u postuan dhe u vetë-postuan në vende të ndryshme udhëheqëse, nëpër institucione dhe sapo mbaroi lufta, u turrën drejt Prishtinës. Nuk pati forcë që ta ndalojë marshimin e tyre ngadhënjimtar në Kosovë. Ata gjetën njëri tjetrin, u riorganizuan, u pasuruan qoftë nga paratë e fondit “Vendlindja thërret”, nga “Fondi i 3-përqindëshit”, qoftë nga “haraçi” apo trafiqet, qoftë nga pasuria që kishin trashëguar ku di nga ku e nga kush. Ata nuk e krijuan “lobin”për ta ndërtuar Kosovën, por “Lozhën e masonëve” për ta qeverisur atë, për ta zhvatur dhe për ta katandisur ashtu sikur e kanë katandisur”., analizon Ahmet Qeriqi, shkrimtar, analist, përkthyes, ish i përndjekur politik, drejor i Radio Kosova e Lirë gajtë dhe pas lufte; 23.10.2013: “Ikanakët gjatë luftës, matrapaqzë e profiterë pas lufte”, (www.radiokosovaelire,com, 23.10.2013)
11) Rexhep Qosja: “Ditari”, v.1, Tiranë 2014, f. 110
12) Fehmi Baftiu, vepër e cituar, f. 295
13) Uesli Klark: “Të bësh luftë modern”, f. 295. Shtojmë se, ajo çka thotë zonja Ollbrajt për gjithë Departamentin e Shtetit, (përjashtuar atë dhe z.Klinton), vërtetohet edhe pas 15 vjetësh nga ish zevendësi i saj, prej 1993-2001, Strobe Talbott, i cili në 22 Mars 2014 ka botuar një shkrim tek gazeta “Ëashington Post “, (ndërsa tek “Evropa e lirë” u botua më 24. 3. 2014), ku gjat komentimit të analogjisë së Putinit mes Krimesë dhe Kosovës, ai shprehet se, “për serbët Kosova është tokë e shenjtë, e krijuar nga gjaku i paraardhësve të tyre, që kishin pësuar disfatë nga invaduesit otomanë, derisa pasardhësit e tyre myslimanë, që flasin sot shqip, përbëjnë shumicën në Kosovën moderne”.

_____________________________
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8459
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUNDËRSHTITË DHE PRANIMI I KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8481
***
DILAVER R.GOXHAJ: DRAMA E UÇKsë DHE E ADEM DEMAÇIT (PRAPASKENAT E KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8488
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“REFERENDUMI” I PREMTUAR NË RAMBUJE) (4)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8494

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura