REXHEP A.AHMETI: ESTETIKA E REVOLUCIONIT DHE E NDRYSHUARA ESTETIKE

Pashtriku.org, 23. 01. 2013 – (Me rastin e përurimit të kompletit të parë të botuar të veprave letrare të Adem Demës për 100 vjet të Pavarësisë së një pjese të Shqipërisë) – Gëzim i vërtetë kulturor për tërë kombin: Qeveria e Republikës së Kosovës ka financuar dhe Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka botuar në një vend 10 vepra të Adem Demës dhe vet Ademi ynë i ndan falas shqiptarëve/e veprat e veta.
Por kot kërkova në këtë komplet të veprave të veprimtarit tonë kombëtar edhe një vepër që është e shkruar nga ai në fushën një lëmit të filozofisë. Është fjala për veprën “Filozofa e jetës”, të cilën e kam gjetur në,
http://pashtriku.beepworld.de/files/libra/adem_demaci_filozofia_jetes_21.10.08.htm ,f.1. Këtë libërth e kam cituar në shkrimin tim prej 28 faqesh (1) lidhur me titullin FILOZOFIA ÇLIRIMTARE KOMBËTARE DHE ESTETIKA NË ROMANIN “GJARPINJTË E GJAKUT” TË ADEM DEMAÇIT.
Kjo mungesë më ra në sy por nuk më çuditi. Nuk më çuditi sepse ende kritika letrare dhe botuesit nuk janë të vetëdijshëm për një pjesë të madhe të veprimtarisë së Adem Demës, filozofisë së tij, pa të cilën assesi nuk mund të kuptohet as letërsia e Demës, e lërë më jeta e tij prej veprimtari veteran politik e kombëtar.
Për ta vënë në pah anën filozofike a estetike të veprimtarisë (edhe letrare) të Adem Demës, në përvjetorin e 100-të të pavarësisë së një pjese të Shqipërisë, po marrim në shqyrtim, të shkurtër, librin e 10-të: “Tung vargu im” (poezi).

Duket interesant se edhe titulli i këtij libri me poezi lidhet me një fjalë kod që është shumë e vërejtshme (dhe një pjesë e esencës kuptimore) edhe në fazën e parë të krijimtarisë së Adem Demës, në ” fazën e tregimeve dhe të Gjarpinjve të gjakut” siç e ka theksuar Rexhep Qosja. Fjala lidhëse për dy fazat e krijimtarisë është fjala TUNG që te romani “Gjarpinjt e gjakut” e kemi, me kodin mohjeta. Kjo tregon se që nga fillimi i krijimtarisë, që prej moshës 21 vjeçare Adem Dema ka qenë i lidhur dhe ka shprehur e vepruar përmes filozofisë së jetës. Edhe në këtë përmbledhje poezish Adem Dema, shtyllë kryesore e ka filozofinë jetësore dhe artistike, estetikën e ndryshimit pozitiv, revolucionit dhe estetikën e së ndryshuarës.
Por tash vargu im
Ti linde në kohë të pakohë
Në territor pa kufij
Dhe në hapësirë me përmbajtje
tulbuke
Me këto fjalë poeti shënjon, pra, kohën tonë ende të pakohë, territorin pa kufi dhe përpëlitjet për ekzistencë të thatë, elementare, tulbuke. Pra, që në vargjet e para të poezisë, si edhe te romanet, e veprat filozofike, Adem Dema merret me tema të mëdha si: ekzistenca-jeta, vargu, poezia (arti) në kohë, pa kufij dhe me përmbajtje të veçantë. Sikur tërë poezia e këtij libri i kushtohet dhe i bënë homazhe, nder a i krijon një përmendore poetike Esad Mekulit, “kopshtarit të palodhshëm të letrave tona, i cili para dyzet e sa vjetësh “ i ka thënë Adem Demës: “tash kultivoje rreshtin tënd e sa për vargun ka kohë”. (2) Dhe në poezitë e thjeshta dhe të shkurtra me mjeshtri artistike, autori i librit që po shqyrtojmë, në vijim zbulon pseudonimin e Esad Mekulit:
Tung vargu im
Dëgjoje dëgjoje zërin e poetit
Dëgjoje dhe të lutem përcille
Dëgjoje dhe shikoje afishen e parë
Afishen e qëndisur të Sat Nokshiqit
Mu në shkëmbin e parë të Grykës
të Grykës, të Grykës së Rugovës.
Pra, më 2002 kur janë shkruar këto poezi, po edhe tani, më 2012, e në ta ardhmen poeti Adem Dema, kërkon nga arti i tij poetik, në rend të parë që ta dëgjoj, ta përcjellë, ta shikon zërin e poetit, zërin e njeriut që do të përballet me gryka të jetës dhe do të shkruaj afishen e parë mu në shkëmbin e parë të Grykës së Rugovës, sepse edhe ai si prijësi i tij, poeti, artisti revolucionar, Esad Mekuli do të shkruaj afishe të përjetshme shpirtërore revolucionare. Dhe vazhdon Adem Dema me vargjet:
Një afishe shkruan
Rugovë pishat tua maje shkëmbinjve
ende nuk kanë filluar vallen
vallen e shtojzovalleve
Ju shkëmbinj qëndroni të ngrysur
Ju shkëmbinjë qëndroni të mërrolur
Ju shkëmbinj nuk flisni
E fjalët kemi pasur që edhe ju
Edhe ju të lëvizni
Që të fluturoni gjithandej Kosovës
Kosovës së rrënuar e të shkrumbuar
Të ripërtërini kullat e motit
Besën e Kastriotit
E fjalën e Zotit
E bukura e madhërishme do të lëviz, do të fluturoj sepse janë, besa, burrëria fjala e zotit (filozofik) kodi i shqiptarëve. Ja baza e estetikës origjinale, vazhdimësisë së procesit, revolucionit objektiv për realizimin edhe estetik të qenies shqiptare.
Poeti, pra, shkruan afishe sepse nuk e do “Kosovën e rrënuar e të shkrumbuar”, por do që të “të ripërtrini kullat e motit, besën e Kastriotit” dhe që shkëmbinjtë të mos qëndrojnë të ngrysur, të mërrolur, por të flasin, të lëvizin. Shkruan këso afishesh poeti sepse ai e do LËVIZJN (me besë të Kastriotit) për lirinë e plotë të kombit, për jetën e kombit në lirinë e krijuar a të arritur prej tij.
Dhe i thotë, poeti, esencës sonë shqiptare (e jo pseudoesencës sonë ibrahimrugoviane):
Qëndro Rugovë aty e
e le të mos derdhen rugovasit në rrafshe
se kujt do ti mbeten malet
ku do t’i mbeten majat tona
Është, në këto vargje porosia që e madhërishmja e bukur, kjo trashëgimi e rrallë e qenies shqiptare duhet të ruhet dhe të zhvillohet gjithsesi, në lartësinë e zotit (filozofik sipas konceptit të Adem Demës, të shkruar në veprën e tij FILOZOFIA E JETËS)
Pra qëndrimi në lartësi të njeriut, në lartësi të kombit, në lartësi të besës së Kastriotit janë majat tona që duhet ruajtur e mbrojtur. Këtë na e thotë gjeografia poetike e Atdheut, na thotë natyra jonë shqiptare, na thotë Rugova e moçme me pisha në maje të shkëmbinjve. Edhe në rreshtat e romanit të parë “Gjarpinjtë e gjakut”, përmenden majat, kodrat, malet, pra e madhërishmja natyrore që lidhet me të madhërishmen shpirtërore.
Këtu estetika e së madhërishmes bëhet e afërt, është edhe estetikë gjeografike revolucionare sepse poeti Sat Nokshiq (e Adem Dema) nuk pajtohet me asnjë robëri aktuale, me asnjë padrejtësi që i bëhet Atdheut e Kombit. Ndaj në këtë libërth me poezi shohim afishen poetike jo vetëm në Rugovë, por edhe në Prishtinë, Mitrovicë, në Drenicë, në Gjakovë, ndërsa afisha e fundit e poetit është afishja-rrap që lë poeti në Prizren te Kalaja. Nga “ Prizreni i bukur perla e Kosovës “, siç e quan poeti sheh, shikon e thekson pjesët tjera të Atdheut, lartësitë malore si janë Luboteni, Qyqavica, Berisha, Bjeshkët e Jezercit, Shalën e Bajgorës, Zllashën, Bjeshkët e Nemuna, Dukagjinin, Rugovën tërë Dardanin. Dmth. nga lartësia e qenies sheh më kthjelltë tërë qenien shqiptare, fenomenologjinë e shpirtit kombëtar
Poeti me vargun e tij, poezinë ka shkuar në lartësi karakteristike të Kalasë së Prizrenit për t’i parë më mirë lartësitë tjera të Atdheut e Kombit, por nuk i harron as dobësitë aktuale. Prandaj na e kthen shikimin kah e larta, kah e madhlrishmja që në këtë rast e shenjuar është me kalanë e një qyteti që asociacon me lashtësinë e idealen kombëtare. Prandaj poeti dëshiron që mu nga ky qytet i shenjës kombëtare ta nis për ta lartësuar raketën e së madhërishmes së bukur, së cilës, domosdo i duhet për t’u shkëputur, i duhet për t’u ndarë nga llumi i së ultës, nga gërditja me të shëmtuarën:
Leri harrnat leri pandlat
Leri ckandlat leri drogat
Leri skutat e zefkut leri modat
Leri hokat leri rraqet leri hekurishtet
Leri o Prizreni im i dashur dhe
Kthe shikimin kah kalaja
……………………
Se nga kalaja do të shohim do të shohim
Tërë Dardanin
Do të shohim diturinë,
Do të shohim jetën,
Do të shohim lirinë
Do të shohim jetën
Do të shohim pasurinë
Do të shohim Gjithësinë
Tung vargu im
Pra, në Kosovën 2002-tës por edhe më vonë kur frytet e revolucionit nuk po janë aq të ëmbla dhe komplete, poeti thërret për vlera e fryte që duhen kultivuar në gjendjen e re të çliruar, deri diku, fizikisht por shpirtërisht ende jo pasi, që, ende shumë shqiptarë nuk e shohin tërë Atdheun, nuk e shohin e përvetësojnë diturinë, jetën në katror, lirinë, pasurinë, gjithësinë. Domethënë se tani vargun e tij poeti e angazhon për ndërtimin e lirisë, realizimin e saj të plotë, pasi që ende dikush është që e pengon lirinë tonë; është kjo edhe vetvetja jonë (por jo vetëm kjo)
Pasi që vargu thotë se nuk kemi ende liri të plotë as fizike as shpirtërore, poeti i tregon dhe ia thotë Prishtinës kushtet (standardet) që duhet t’i krijojë për ta realizuar të madhërishmen e bukur apo të bukurën e madhërishme:
Prandaj Prishtinë
mendo, mendo, mendo
se sot është koha për të menduar
se sot është koha për të mësuar,
se sot është koha për të ditur
se sot është koha për t’u ngritur
se sot është koha për tu organizuar
sepse pa dije s’ka vetëdije
pa vetëdije s’ka frymë vetorganizuese
dhe pa organizim s’ka force
dhe pa force s’ka lëvizje
s’ka ndryshim të realitetit
s’ka pastrim
s’ka lulëzim
Pra ja filozofia a estetika e domosdoshmërisë së vazhdimit të ndryshimit të realitetit ekzistues për ta bërë ate më estetik, më të pastruar e të lulëzuar. Këtu pra, në këto vargje të thjeshta, por kuptimplota, nga del si parakusht domosdoshmëria, ndryshimi i realitetit, pas të cilit vjen ajo e dëshiruara, ajo e planifikuara, e ndryshaura e pastër, e lulëzuar.
Kështu Sat Nokshiqi apo Adem Dema i cili del pas poetit më të dashur të tij, i ka vënë detyrë vargut të tij, artit ademdemian, që të katrrithet pas punëve të vështira të Revolucionit, pas së ndryshuarës së dëshiruar apo së kajshmes, siç i thotë populli.
Katrrithu o vargu im
Edhe atje ku të tjerëve s’ua mba
E nuk ua marr mendja
Është i dashuruar poeti pas majave, ndaj niset për atje ku të tjerëve nuk ua maerr mendja.
Drejtimi kah e madhërishmja, arritja e së ndryshuarës ka edhe esencën e saj logjike, pasi pa madhështinë e lirisë jeta nuk ka kuptim Ja si e shpreh poetikisht këtë filozofi të jetës, poeti ynë:
Merr ajrinë vargu im
Merr qiellin e lirisë
Se pa liri jeta s’ka kuptim
Tung vargu im.
Prandaj poeti me vargun e ti i godet dhe largoht nga fenomenet e ulta të aktuales negative, të së ultës, të së shëmtuarës me manifesimet e sa siç janë: llumi i ilizioneve, egoizmi e lakmia, padija e jokompetenca, të korrupsioni e mitomania, gjelozia e smira, urrejtja e indiferenca etj. E poeti i thotë vargut të tij:
Mblidh energjitë vargu im
Dhe me forcën e dhembjeve
Bëhu raketë due shkëputu
Nga forcat tërheqëse të llumit
Vetëm një varg, një poezi a një art i tillë i fortë, si raketë, që shkëputet nga forcat tërheqëse të llumit të aktuales negative, është madhështor e në shërbim të ecjen së mëtejshme të revolucionit i cili e realizon të ndryshuarën më përparimtare, pak nga pak, sepse ekzistuesja ekzistenciale (jetësore) e tanishmja nuk është ajo që të jep kënaqësinë e dëshiruar fizike e shpirtërore. Gjithnjë kemi nevojë që të bëhet më e mirë, më e bukur, më lehtë. Gjithnjë kemi nevojë që e tashmja të bëhet më e mençur, më humane, më e pasur, më largpamëse dhe më e fuqishme se që është. Adem Dema jep edhe një filozofi a sintezë për këtë. Ai në një roman të tij ALB PROMETEU ka shkruar: “Mirëpo, duhet të mos harrojë se rruga drejt lirisë së plotë është e pafund….sepse ne do ta shkëpusim një nga vargojtë që na robërojnë sot, mirëpo koha e ardhme do të sjellë vargoj tjerë, të cilët gjthashtu në njëfarë mënyre do të na kufizojnë lirinë tonë.” (3)
Prandaj ky fenomen i ndodhi edhe revolucionit tonë kombëtar në vazhdimësi. Në ketë kuptim i ndodhi edhe Kosovës që edhe pse e bëmë një lloj çlirimi nga pushtuesi, ish-shteti Jugosllavi – Serbi Mitrovica me një pjesë goxha të madhe të Kosovës Veriore nuk u çliruam plotësisht, sepse siç shkruan Adem Dema (më 2002) për lumin Ibër (për Atdheun):
Të cunguan emrin o Ibardhë
Na i cunguan na i kollofitën
Na i rrumbullakosën hapsirat tona
Na i curruan trojet tona
Na i dhunuan kufijtë tanë
E tash me porosinë e Dobricës
E me kthetrat e Koshtunicës
Ia vunë thikën mu në fyt edhe Mitrovicës
O vargu im….
Lexo më tutje dhe mos vajto
Se s’është koha e vajeve due kujeve…..
Edhe çka nuk do të shohë dardania ime
Edhe çfarë s’e pret Dradanin time
Atje në Bajgorë bie borë
Vallë a mos tash kur nuk duhet
Burrat e Kosovës dë të bëhen horë ( Libri 10 Adem Dema: Tung vargu im, botoi LSHK, (pozi) Prishtinë 2012, f.21,22,23, 25)

Pa e pasur komplet, të botuar, të trupëzuar, tërë veprën shumëdimensionale të Adem Demaçit dhe të Adem Demës nuk mund ta analizojmë mirë, nuk mund ta rrumbullakojmë mirë asnjë temë a dimension të artit, filozofisë dhe të kombëtarisë së krijimeve dhe të krijuesit të tyre; prandaj as për estetikën e revolucionit dhe të së ndryshuarës estetike, që e bëra temë të veçantë në këtë shkrim, nuk mendojë se munda të bëjë ndonjë analizë dhe sintezë gjithëpërfshirëse dhe të thukët.
Mitrovicë – 07. 01. 2013
—————–
1. Një pjesë e këtij shkrimi është botuar në Jeten e re, nr, 1 2012, ndërsa, në tërësi ky shkrim gjendet aty ku gjendet edhe libri elektronik i Bacit (Adem Demës) dmth, në www. pashtriku.org.
2. Libri i 10 ’’Tung vrgu im’’ botoi LSHK, (pozi) Prishtinë 2012.
3. Libri i 9 Adem Dema: ALB PROMETEU (roman), botimi i parë, f.64, botoi LSHK, Prishtinë, 2012.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura