REXHEP KASUMAJ: ANËMARRJA GABIMTARE…

Berlin, 15 dhjetor 2017: (Afeksionet e Presidentit) – I pasfidueshmi për filozofi politike t’sundtarisë, Niccolo, flet diku (tek “Princi”) për Ushtarët e fatit. Do t’a transponoja këtë kategori, disi vetishëm, m’një tjetër formë e kohë. E, në heshtje do mendoja: a nuk i ngjan përherë e më shumë dhe Kosova Republikës së fatit?
“Për çfarë arsye ne duhet të mbajmë krahun e njërës apo tjetrës palë? Unë refuzoj nëse Kosova obligohet të bëjë një zgjedhje të tillë”, thotë Presidenti Hashim për shtypin francez që i hapte atij diskursin dredharak: Azi apo Europë!?
Dhe pikërisht kjo fjalë e tij bënte, si me thënë, atë frymëzimin e trishtë të fillimshkrimit. Si është e mundur, thoshja, një distancë, një mjegullnajë, a një terr i tillë Mefistoje?
Shqiptarët vuajnë, së voni, shpifërisht çorientimin e tyre identitar. Dhe Presidenti, tashmë, bëri zgjedhjen e vështirë. Të fundme. Një zgjedhje të çuditshme. Në dukje asnjanëse, pa ngjyrë e trajtë. Por, në fakt, aspak e tillë. E pra, nuk denjoi kurrësesi të jepte atë shenjën e anëmarrjes së prerë. Sidomos do t’i shmangej, si mëkatit, animit për Europën. E ftohtë e kalkulative, i dukej tepër e largët dhe e patrollzueshme në vendin e tij, që ka jetëgjatësi veterani të robnisë shekullore në Azi.

Për t’a kunorëzuar krejtësisht huqjen e ligë, i referohet, ashtu, natyralitetit si kriter udhërrëfimor në udhëkryqet e motit. Sipas qasjes së tij arsyetuese, Kosova dhe shqiptarët, qenkan gravitues të natyrshëm në rrethin e qytetnisë otomane. Ai këputë, ndaj, çdo fije, sado të brishtë, natyrale me kontinentin e tyre, Europën âmë. Rezulton që populli i Hashimit, të ketë lindur pas betejës së Kosovës dhe të jetë rritur përkujdesshëm në parzmin e ngrohtë sulltanor.
Kujtoj t’madhin kancelar Helmut Kohl, tek përseriste shpesh se Turkia s’mund të aderonte në Europën e bashkuar. Thjeshtë, sepse i përket një çarku tjetër civilizues. Nëse do pranonim atë, aherë pse jo dhe Marokon, pyeste me ton të mohues kancelari legjendar gjerman. Madje dhe pararendësi i tij Schmidt, duke qenë i proveniencës së majtë, më të hapur e çlirët, pohonte: Europa s’mund të ngryset në Dardanele dhe një mjes të hirtë të zgjohet në Hindukush!
Tani Presidenti kosovar, si për t’i dhënë provë marrëzisë në emër të interesit shumëpalësor, ngre lartë pikërisht epoletat e njësojshmërisë kulturore me turkun. I pajuar veç me instinktin rrezeshkurtër për pushtetin e verbër, por i vobektë në dije politike e rezon historik, nuk arrin të shohë se ku mbaron mirëkuptimi dhe ku nis vasaliteti tinzar. Domethënë nënshtrimi, tashmë, virtual i atdheut: pa shqytarë, fushime, tanke, gjeneralë e të vrarë. Po, si do të shkruante Sartëri, me vdekjen e tij në shpirt…
Dhe kumti është zezonshëm i qartë: do t’u dhurojë zotërinjëve të Europës justifikimin e fortë të përbuzjes, e rrjedhimisht, hezitimit që Kosova të shkelë një ditë pragun e shtëpisë së tyre. Sepse, ja, a nuk janë vetë shqiptarët që shpallin, përulshëm e të lumtur, ftyrën e vet të vulosur orientale?!
Vërtetë, qëkur lexoj libra e shkruaj ndonjëherë, nuk mbaj mend të jetë shprehur dikush kaq pabesisht e hënëmarrokshëm për fatet e kësaj toke..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura