XHAFER SHATRI: NË KTHETRAT E PRONTOMAFISË * LETRAT QË PO I KUSHTOJNË ME JETË MURAT JASHARIT (2)

Gjenevë, 30 prill 2019: Në verë të vitit 2012, në një hark kohor prej 5 muajsh, u shpërfaqën në medie letrat pa zarf të Murat Jasharit drejtuar Hashim Thaçit, Xhavit Halitit, Azem Sylës, Fatmir Limaj, Ali Ahmetit, Musa Xhaferit…

Këto letra ishin plot revoltë dhe shihet se burimin duhet ta kenë edhe në grindjet e kahershme të LPK-së, në luftën e egër brenda llojit, në të cilën dolën fitues Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti etj., por sidomos te abuzimet me luftën dhe më vonë me pushtetin nga Thaçi e C°. Ndërkaq, duhet nënvizuar veçmas se Fija e Kuqe që i përshkon tej për tej dhe që i lidhë këto letra gjithsesi është fati tragjik i Behadin Allaqit, sidomos zhdukja e tij mizore.
Sipas të gjitha gjasave këto letra janë prekur edhe nga ndonjë dorë tjetër, të paktën letra drejtuar Thaçit. Por nëse i referohemi edhe ndonjë paraqitjeje tjetër të Murat Jasharit, megjithatë letrat në thelb duken origjinale. Fundja autori kishte përgatitje shkollore superiore dhe gjërat që i shtronte i njihte përmendësh…, para së gjithash falë përvojës së gjatë politike. Çështje tjetër është se sa mund të jetë ndikuar ai nga njerëzit që i kanë ndejtë pranë, të cilët, sipas të gjitha gjasave, vinin nga e njëjta familje politike, sepse edhe kurthimi i tij në organizata fantome dhe cytja, veç tjerash, edhe në një akt të pafalshëm, kanë mundur të nxiten vetëm nga njerëz që ai u ka besuar.
Sidoqoftë, në letrat e Murat Jasharit, ka teprime, ka cënim të jetës private të atyre që u drejtohet, ka padyshim gjëra që nuk i bëjnë nder, ka detaje që dëshmojnë gjendjen e tij të rëndë shëndetësore, por ka edhe të vërteta të dhimbshme që veç toka i mban.

Thelbin e këtyre letrave, të cilat do t’i merrte për zemër vetëm ai që e ka ‘mizën nër kapuç’, po i përmbledh në vijim, pa i prekur fare, sepse pikërisht këto janë shkaku i tragjedisë së Murat Jasharit, të cilin, njerëz të veshur me pushtet absolut në Kosovë, për qëllime hakmarrëse, përmes funksionarëve shikistë të shtetit dhe çakejve provokatorë, duke shfrytëzuar gjendjen e tij të rëndë shëndetësore, e cytën për të kryer një akt të rëndë terrorist.
Letra e parë “e shenjtë“
Mban datën 30 maj 2012. Kjo është si parathënie e letrave të tjera që do të publikohen gjithandej nëpër media deri në nëntor të atij viti. Pasi e jep versionin që ia kanë servuar sistematikisht për ndarjet e Lëvizjes gjatë viteve ’80-të, Murat Jashari, prekë tema të nxehta që akoma rrijnë pezull në jetën politike të Kosovës. Ai nënvizon se mësuesit e tij të parë në politikë e në adhetari ishin Asllan Hasani dhe Hoxha i fshatit Orizare, Hajdar Jashari, që të dy pjesëtarë të NDSH-së dhe të burgosur politikë.
Sidomos për Hoxhën Murati thotë se ka pasur ndikim thelbësor në formësimin e tij politik e moral.
Ai thotë se një këshillë të Hoxhës, nuk e ka harruar kuurrë:
“Mbaj mend këto që do t´i them tani, se do të të duhen në jetë:
Mos ju beso dhe mos afro frymorë me dy këmbë, me surrat njeriu, që e kanë merak shumë pushtetin, paret dhe sidomos dilinxhinjtë (tipat që vrapojnë pas grave të huaja), – sepse, këto tri kategori nuk bëhen kurrë për popull e për Atdhe dhe të tradhtojnë!…“
Në këtë kategori, Murati fut ata që, në fund të qërshorit 1998, “të shtyer nga shërbime të huaja, kishin bërë puç në ‘Nënën biologjike’ të UçK-së, LPK-në duke formuar Drejtorinë politike, Njerkën e UçK -së!“
“Si fëmijët që gëzohen për karamelet dhe bonbonet kur i dhurohen nga më të moshuarit, ashtu edhe unë u gëzohesha si fëmijë kur e mbushja kamionin me material luftarak për luftëtarët e lirisë. Dita 24 orëshe më dukej shumë e shkurtër. Nga 15 minuta gjumë në ditë i bëja, e drekë e darkë i kisha vend-parqet e pompave të benzinës. Kishte shumë punë, dhe gëzimi e lumturia shpirtërore e imja dhe e nja 30 shokëve në Sektorë (sa ishim), të gjithë veteranë të mekanizmit politiko-ushtarak të LPK-së, ishte shumë e madhe. E kam vështirë dhe jo me shumë dëshirë të flasë në vetën e parë!
“Isha me kamionin plotë duke u kthye nga Lichtenstein për në banesë Murg/SG, fshat i vogël buzë liqenit të bukur Valense. Në rrugë e sipër m’u lajmërua vëllai im Ismet Jashari, – tani Luftëtarët i Lirisë, (bashkëluftëtarët dhe populli e kishin pagëzuar me pseudonimin “Komandant Kumanova”).
– E ndala Kamionin në një skaj rruge dhe po bisedonim të qetë, pa rreziqe nga ndonjë incident. Duke respektuar rregullat ushtarake, tim vëlla kurrë nuk e kamë pyetur se në cilën Zonë je dhe çfarë numri të mobilit ke.
Si zakonisht e prisja që ai të flas më shumë.
Dhe, gjatë bisedës po më thotë:
“Gaga Murat fol me Zekën (Xhavit Halitin, shën. i autorit) dhe le t´na dërgojë veshmbathje, – dhe ato t’i sigurojë!!!
… Dhe, ti dërgomi dy snajperë të mirë; një për mua dhe një për Flamurin (Gafurr Elshanin).“
– Unë i përgjigjem: -“Po, këto ditë jam te ai, do ti them dhe snajperkat në një magazinë i kam”.
“- Pastaj Ismeti vazhdoi: ‘Na i kanë pru këtu në Kleçkë dy vetë, i kemi në burg. Kishin qenë udhëheqës të Lëvizjes, dhe na kanë thënë se janë spiunë’!…
Unë e pyeta, si i kishin emrat? Behadin Allaqi dhe Shaban Shala.
Unë, fillova ta përdori memorien, – meqenëse isha shumë i lodhur, dhe më erdhi shpejt një mendim, ndoshta edhe jo më i miri, megjithatë, i fola:
‘Nuk e dijë gagës se si është organizimi momental tek ju, por mos zbato asnjë urdhër sa i takon atyre dy vetëve. Le të merren ata ma të “mëdhenjtë” me ta. Ky emër Behajdin pak më është i njohur, nuk e dijë nga po më vjen se nga kam dëgjuar, kurse për atë tjetrin nuk paskam dëgjuar’.
– E kreva bisedën me tim vëlla dhe menjëherë iu lajmërova Zekës (Xhavit Halitit). Zeka më tha se është i informuar për këtë punë. Kam informuar Abazin (Ali Ahmetin), ky nuk e kishte ditur dhe më tha: ‘Do të interesohem’ – më porositi që mos ta përhapi si lajm.
– Gjatë rrugës m´u desh të ndalojë në Walenstadt te Selim Haliti (vëllai i Xhavitit). Po sa u takova me të, menjëherë, po më tregon për Behajdinin se vëllai im (Ismeti) po e mbante në burg.
– Po, i thashë, sa më tregoj Ismeti.
‘Ata dy i ka dërguar ndokush aty’.
Se kush nuk e pyeta.
Selimi vazhdoi: ‘Po a e dini se kush është ai’?
‘Nuk e di në detaje se kush është, por është i Lëvizjes’.
Selim Haliti po më thotë: ‘Behajdini është shoku i Zekës’.
‘Mirë de, Zeka le të intervenoj te Jakup Krasniqi apo te ndonjë udhëheqës i UÇK-së në atë Zonë, në Kleçkë dhe le t´i lirojnë.“

“Dhjetor 1998
Ishte muaji i tretë që po e kaloja në burg, me akuzën ‘Blerje e furnizim me material luftarak për terroristët e UÒªK-së…’. Kështu e ka cilësuar veprimtarinë time atdhetare kryeprokurorja e shtetit më ‘demokratik’ Helvetia, znj. Karla del Ponte. Nga burgu i Bernit (ku isha), në fillim të dhjetorit 1998 më transferuan në një burg tjetër, dhe ndërkohë kam mësuar se më kishin sjellë në vendin e quajtur, Torberg.
– Më 15 dhjetor `98 aty rreth orës 10.00 paradite u hap dera e dhomës. Një gardian më njoftoi se kam vizitë dhe më tha menjëherë të shkoja pas tij. Më futi në një sallon ku ishin disa policë me uniformë, dhe disa të tjerë me rroba civile.
Në vizitë më kishte ardhur bashkëshortja.
Kur më pa, u ngrit në këmbë. Ia pashë sytë e saj të përlotur.
Pa u përshëndetur, e pyeta çka ke, pse po qanë?!
Ajo ma ktheu: “Po na kanë lajmëruar, para ca ditëve se Ismetin e kishin vra më 25 Gusht 1998”’.
Në atë moment më erdhi një forcë e madhe – e papërshkruar, dhe ju drejtova gruas:
– Asnjë lot! Për dëshmorët nuk duhet derdhur lot!
Lumë ne, oj Selvisha! Tani Kumanova qenka bërë Kosovë!“
Letrat tjera ‘të shenjta’
***
Letra e radhës mban datën 10 qershor 2012 dhe i drejtohet Fatmir Limajt me 372 pyetje.
Këto Pyetje – Testament, që sot po ia përcjelli z. Fatmir Limaj, paralajmëroj opinionin publik, se me pyetje të kësaj natyre – në ditët në vijim, do të përballen edhe: Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Azem Syla, Adem Grabovci, Hashim Thaçi, Emrush Xhemaili, Gafur Elshani, Ibrahim Kelmendi, Jakup Krasniqi, Fazli Veliu, Ramush Haradinaj (urojmë që sa ma shpejt të lirohet si i pafajshëm nga gjyqi i Hagës) dhe Musa Xhaferi (të cilin as kujdestar nëpër demonstrata nuk e kemi lënë)
89. Anëtarët e SHP të UÇK-së a e kanë analizuar si ra në pritë Mujë Krasniqi (KAPUÇI) me bashkëluftëtarët në kufirin Shqipëri-Kosovë, në dhjetor 1998? A bashkëveproi Azem Syla dhe Zeka me ata brenda se nisej kollona dhe a e dinit që përgjoheshit në telefon? Kur e dinit pse flisnit hapur?
114. Në natën e 24/25 Gusht 1998 për çka shkoi Elmi Reçica në Kleçkë?
115. Çfarë misioni kishte Elmi Reçica atë natë?
116. Më 25 Gusht është vrarë Komandant Kumanova, a po jo?
279. A ishte Komandant i Përgjitshëm i UÇK-së Azem Syla (Daja) dhe Kush e emroi?
280. Pse ky alamet Komandanti nuk kërkoi të bëhet Raporti përfundimtar për luftën?
284. Mjetet e mbetura të Fondit „Vendlindja Thërret“, që ishin pare të djersës e gjakut, ku i çutë?
288. Nga kush u erdhi urdhëri me i arrestu Behajdin Allaqin e Shaban Shalën kur ata mbrritën në Kleçkë?
289. Behajdin Allaqit e Shaban Shalës natën kush ja çojke qebet, e ditën ia merrke?
290. Kur erdhën me e marrë dy vetë te burgu i Kleçkës, Behajdin Allaqi e Shaban Shala a i kishin kambët të lidhura, sikurse i kishin edhe duart?
291. A e ke ditur se Behajdin Allaqi ka qenë anëtar i Komitetit Drejtues së LPK-së?
293. A e ke ditur se Afrim Zhitia në krahë të majtë ka pasur Behajdin Allaqin e Arif Seferin (ky i fundit nga Kumanova) në të djathtin?
353. Ma i varfëri prej shqiptarëve materialisht në Zvicër unë jam! A e dinë këtë? A e din se gjithë pasuninë teme ua dërgova juve atje në malet e Kosovës?
354. Me ndihma sociale jetoj. A e din këtë?
355. Kanjëherë nuk kam pare as për bukë e cigare, por kurrë nuk ju kam thënë dhe përkulur. A e din për këtë?
361. Ftyra, nderi e emri e mbajnë njeriun dhe njerëzimin. A është kështu?
***
Letra nr. 3, sipas të gjitha gjasave, i adresohej një anëtari të ‘Njerkës së UçK -së’, por ajo nuk u publikua, sepse ky herifi i ka ndejtë gati dhe e ka bindur që të mos publikohet.
***
Letra ‘e shenjtë’ nr. 4, datë 16 korrik 2012, i adresohej Ali Ahmetit dhe përmban 286 pyetje për të.
Abaz Ali, po fillojmë me pyetësorin pas 28 viteve që njihemi! Për hir të së vërtetës për të kaluarën dhe të ardhmen, jam i detyruar popullin ta sqarojë!
64. Unë, me shokët e logjistikës bënim plane për furnizim me të gjitha nevojat që do t´i duhen për 50 mijë ushtarë lirie dhe bëhet ndryshimi i Komunikatës së tanishme dhe lëshohet Komunikata Nr.7 a ka qenë kështu “muhabeti” o, Ali Rrenci…?
65. Pse pranuat të tërhiqen ushtarët e lirisë e UÇ Kombëtare nga Kalaja e Tetovës?
66. Cili qe qëllimi dhe pse e dorëzuat atë duke e lënë armatimin duke ikur kah sytë këmbët?
68. Ato armatime që i keni lënë duke ikur me lekë djerse dhe gjaku të MËRGATËS apo?
102. Që nga 15 Maji 2012 ora 03.26 jam më i fuqishëm se horrat, kodoshët dhe dilinxhitë, frymorë me dy këmbë, surat njeriu!
103. Këtë force ma ka dhënë Zoti dhe drejtësia!
222. Kush i dha urdhër Nazmi Beqirit, e ky e mori me vete Ulusi Beqirin dhe Menderez Zendelin (ky i fundit i rrethit të Preshevës) dhe shkuan në Shtrazë, e thyen derën e shtëpisë së Arif Seferit, më 18 Qershor 1992 dhe aty brenda në shtëpi ka pasur materiale, që ja kemi dërguar ne prej Zvicrës, shaptilograf e shumë materiale të tjera dhe Nazmiu ia ka dorëzuar oficerit të vet, pra, UDB-së dhe atë ditë Arifin e kanë arrestuar dhe mbas 5 ditëve nga torturat ka dhënë shpirt., -PSE?
253. Me sa dhoma e ke shtëpinë?
254. Rreth 12 dhoma i ka, apo?
255. Me ndihma sociale ke jetuar në Zvicër, apo ?
256. A për pushtet e kapital me surratet e tu janë vrarë më të mirët e invalidëve u kullojnë varrët a?
286. Fundi i jetës së Muhamer Ell Gadafi ka me ju dukur si film, çka ka me ju gjetur juve të gjithëve edhe të PDSH-së e të gjithëve që kanë luajtur me nderin e moralin e këtij hallemadhit popull qe 22 vjet.

Letra nr. 5, mban datën 28 korrik 2012, përmes së cilës i drejtohet Xhavit Halitit, me 510 pyetje:
“Fundi i vitit 1985 dhe fillim viti 1986 bëri një dimër shumë i madhë. Në një prej atyre mbasditeve m’u lajmëru Rrusta (Mustafa Xhemajli) dhe më tha: “Nji shok i Organizatës ka mbërij në Itali dhe duhet të shkosh patjetër me e marrë. Të lutem, gjejë disa pasaporta të moshës 28-35 vjeçarë”, dhe më dha adresën dhe nji numër telefoni fiks.
I telefonova Rashit Rashitit dhe Selim Sejdinit dhe u tregova se sonte na duhet të udhëtonim gjatë, për të kryer një detyrë të Lëvizjes.
Mirëpo, Unë e Rashiti nuk i kishim veturat të përgatitura teknikisht për këtë dimër aq të ashpër, ndërsa Selimi nuk kish fare veturë. Shkuam në Aeroport të Cyhrit e muarëm një veturë Rentakard (me qera). Paguajtëm nja 380 fr zviceriane dhe u nisëm.
Mbërritëm në Chiasso, te pika e fundit e karburantit që është. Pijtëm nga nji kafe. Rashitit i dhashë adresën dhe numrin e telefonit dhe ata të dy u nisën. Unë mbeta aty, jo se nuk kisha pasaportë, por më tha Rrusta të mos rrezikoja. Po prisja të ktheheshin. Mbas 3-4 orëve mbërrinën. Pimë kafe dhe nga nji sendviç dhe u nisëm.
Udhtari i ri, që ata sollën me vete, ishte i moshës time, por nji çik ma i rritur. Kishte nji mantil e nji “shapkë“ të „zhelezniçkëve”, si të atyre që presin trenat dhe u japin lejen me u nisë. Emrin ia mësova rrugës. Më quajnë Zeka, më tha, dhe unë nuk e zgjata më tepër edhe pse e pash që ishte pseudonim.

24. Në një emision të KTV, kur të pyetën për kapitalin e bërë mbas lufte, pate thënë se ke kursyer gjatë qëndrimit në Zvicër. Si munde me bë pare në Zvicër, ndërkoë që ty vetëm dy orë ke punuar dhe aspak më shumë? A është kështu ?
37. Më 16 Dhjetor (e premte) 1988, në Manedorf të Kantonit të Cyhrit, ishe pacient në Klinikën Neuropsichihatrike, a është kështu?
38. Si shef që të kisha në Celulë të OMLK-së, të raportova se dje një bashkëvendas e kam nisur për Kumanovë me nji koferë libra, gazeta Zëri i Kosovës dhe kaseta me inçizime të emisionit të Radios që u emitohej në çdo të diel në Cyhri, që emrin e kishte emisioni Radio Zëri i Kosovës. A është kështu?
39. Ti dhashë emrat se tek kushë kanë me mbëritë materialet, kush kish me i shpërnda, a është kështu?
40. Më 19 Prill (e mërkur) 1989 fillonë arrestimi i atyre emrave që unë t’i dhashë në Manedorf, dhe ata ishin: vëllau i im Xhemal Jashari (Orizare-Kumanovë), Haxhi Maliqi Likovë-(Kumanovë), Fuat Jashari (Orizare-Kumanovë), Fadil Uka (Podujevë), Die Uka (Podujevë), Haki Rexhepi (Hajvali), Nazmi Musa (Gjilan), Destan Ajdini dënohet në mungesë, Sabile Maliqi (Prishtinë) e shumë të tjerë. A është kështu?
77. A është e vërtetë që je ti ai, i cili i dërgove nga Zvicra Naitit Telefona Paeger, a është kështu?
78. Dhe Naiti ua shpërndajti antarëve të Shtabit Qendror të UÇK-së këta Telefona Paeger, apo jo?
79. UDB i përcjellke se ku po lipen numrat dhe shumica e Antarëve ranë në burg dhe disa u vranë, a është kështu?
93. A të lajmërova se Behajdin Allaçi e Shaban Rexhep Shala ishin të kindnapuar dhe po mbaheshin në Burgun e Kleçkës, pse nuk reagove që t’i lirojnë ?
95. Së paku, sa për fillim, tregonju familjarëve ku i kanë eshtrat Behajdin Allaçi e Shaban Rexhep Shala?
98. Më 10 Mars (e martë) 1998 kanë ardhë me linjën ajrore Cyhri-Tiranë, vëllau im (Ismet Jashari) me Fatmir Limaj dhe Haxhi Shala, ndërsa unë nëpërmjet tokës mbërrina në Tiranë më 12 Mars (e enjte) 1998, dhe të pyeta ti Zekë se ku mundem me e taku vëllaun. Dhe Ti më the: “Ismetin nuk ke më për ta parë.“ Doli fjala jote. Bravo! A është kështu?
99. Të pyeta se pse nuk kanë shku shokët me i ndihmu Adem Jasharit. U përgjygje shkurt: ‘Ne i kemi thënë me u largu, por ai ka dashtë me pi çaj’. A është kështu?
122. A e din se sa ushtarë lirie janë vrarë për mungesë municionit, i cili faktikisht nuk mungonte pasi paret u ishin dhanë?
125. Ndërkohë që ishin caktuar Halili dhe Ramizi, çka dojshe ti që i pranojshe çantat me Dollarë, DM, CHF etj? Kush i adresontë këta korjerët me këso çanta të vijshin veç te ju, kur dihej se ku duhej me u paraqit në Tiranë?
142. Cila dorë tradhtare shkrepi mbi Agim Bajramin, Sali Çekun, Agim Ramadanin, Tonin, Micin, e… ?
154. Sa bodigarda i ke ti Zekë dhe nga sa kanë antarët e tjerë të Drejtorisë Politike?
155. Prej kujt frigoheni dhe pse frigoheni nëse e ndjeni veten të ndershëm, sikundër mbureni nëpër televizona?
162. Në Zvicër a ke jetu me ndihma sociale, apo jo?
163. Sa hektarë tokë i ke ble tash në Kosovë?
164. Po pasuri tjetër, a ke vu pas lufte? A i ke tregu të gjitha shpijat që ke ble dhe që ende i ke në Tiranë?
165. Me çfarë paresh i ke vu tanë këto pasurina, apo me ndihmën sociale që merrshe në Zvicër ?
189. A është e vërtetë se Remzi Hoxha, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes dhe financues i UÇK-së, është vrarë nga SHIK-u sepse, sipas SHIK-ut, donte të prishte raportet me vëllezërit maqedonë, serbë dhe grekë ?
190. A është e vërtetë se zëdhënësi i UÇK-së, Ali Uka, është masakrua nga SHIK-u në banesën me Hashim Thaçin dhe kur ky ishte atje?
194. A është e vërtetë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë qenë punëtor të SHIK-ut ?
219. A është e vërtetë se në momentin kur populli ikte nga masakrat, ti bëjshe qejf me prostituta? Po Çekut (Agimit) a i regullutë një prostitutë të tillë (infermjere) kur mbriti në Tiranë?
224. A e dinë se 4 persona prej 5-ve të Drejtorisë Politike të UÇK-së i kanë lyer duart me gjakun e patriotëve?
237. A është e vërtetë se 99% e parave të Fondit “Vendlindja Therret“ janë vjedhur nga ju?
291. Pas luftës a erdhi i ndjeri Jashar Salihu, kryetar i “Fondit Vendlindja Therret“ në Tiranë?
292. Jashar Salihu a kërkoi të bënte bilancën e Fondit, apo jo?
293. Si u përgjegjen Adem Grabovci dhe Hashim Thaqi?
294. A e kërcënuan Jashar Salihun në familje?
295. A kërkuan paret e fundit, 9 milion franga të Zvicrës?
296. A e helmuat Jashar Salihun në Tiranë?
317. A është e vërtetë se SHIK-u ka financuar me qindra mijë euro për të dhënë dëshmi të rrejshme sikur për rastin e Ramush Haradinit?
329. Xhavit Halit, Azem Syle, Kadri Vesel, Hashim Thaçi a keni bërë propagandë gjatë vitit 1997-98, si në Zvicer ashtu edhe me klyshët tuj në Kosovë se Adem Jashari është njeriu i Serbisë, apo jo?
330. A keni shkuar tek arkatari i Levizjes Gafurr Elshani duke i thënë se nuk duhet të financohet Adem Jashari sepse është njeriu i Serbisë?
337. Ju keni thënë Behadin Allaçi, kordinatori kryesor i UÇK-së dhe anëtari i Komitetit Drejtues i LPK është spiun i serbëve, apo, jo?
338. Në fillim të muajit korrik, i vitit 1998, të lajmërova se Behajdin Allaçi e Shaban Rexhep Shala ishin të kidnapuar dhe po u mbajshin në Burgun e Kleçkës, a është kështu?
340. Kush është autori i Komunikatës Nr. 61 që është lëshuar në emër të SHP të UÇK-së, më 31 Tetor 1998?
342. Në Komunikatë, mes të tjerave, thuhet se, në betejë ranë 54 dëshmorë, në mesin e tyre edhe Behajdin Allaçi, a shkruhet kështu, apo jo?
343. Behajdin Allaçin e Shaban Rexhep Shalën, në një mbrëmje të fillim të korrikut 1998, në Kleçkë, i kanë marrë duar lidhur Hashim Thaçi e Kadri Veseli, kështu është, apo jo?
366. Ju jeni munduar me i përça familjet e forta, apo jo?
367. Ju pas luftës keni martuar disa komandanta si në kohën Serbisë, për t’i kontrolluar ma lehtë, apo jo?
368. Ju jeni munduar t’i fundosni personat e fortë që ishin kundër qëllimeve tuaja të mëshefta, apo jo?
375. Ju u munduat me i kthy Bekimin dhe Lulin kunder Muratit, apo jo?
376. Ju i shtini familjet dhe vllaznin njeni kundër tjetrit, apo jo?
383. Pse nuk është bërë shpallja me Referendum të Shtetit të Republikës së Kosovës dhe ndarja nga Serbia, pas tri vjetësh, sikundër deklaruat nga Rambujeja?
434. Kosova a është masakruar materialisht, ekonomikisht, politikisht nga ish përbërja e Drejtorisë Politike?
436. Sa herë Rose Mary di Carlo ka kërkuar më shumë lobim?
437. Qeveria serbe në vitet 2008-2009 a ka vizituar 92 shtete ?
438. Qeveria e Kosovës në vitet 2008-2009 a është e vërtetë se nuk ka vizituar asnje shtet për lobim ?
439. Mbasi nuk loboj Qeveria e Kosovës, Kryetari amerikane Bush a ftoj Hashim Thaçin dhe Fatmir Sejdiun për çeshtjen e 6 pikave të Samarqiqit, 6 pikat e Ban Ki Munit ?
440. Çka tha Bushi ?
441. A ju tha s’keni vepruar hiç për lobim ?

(VIJON…)

_____________________

XHAFER SHATRI: NË KTHETRAT E PRONTOMAFISË (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8727
***
XHAFER SHATRI: NË KTHETRAT E PRONTOMAFISË * LETRAT QË PO I KUSHTOJNË ME JETË MURAT JASHARIT (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8744
***
XHAFER SHATRI: NË KTHETRAT E PRONTOMAFISË * LETRAT QË PO I KUSHTOJNË ME JETË MURAT JASHARIT (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8745

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura