REXHEP KASUMAJ: DAULLET E LUFTËS QYTETARE…

Berlin, 19. 02. 2016: (Karta gjakpirëse e hashimisëve) –
1. Zhgënjimi idhnak.
Regjimi i hashimisëve hoqi parzmoren hijeshuese të gjentilencës politike dhe të përgjegjshmërisë pushtetare.
Kam ndjekur gjatë si gazetar i lajmeve ndërkombëtare zhvillime dramatike: rebelime, konflikte civile, tiranë autistë që kanë vegime amshimi, gjeneralë puçistë a prijës autokratë me shpirtëra të shfytyruar që përflakin tokën për kupolën e epërme..!
Por pozicionimi i djeshëm i juntës hashimiste kapërcente parathënmet më të errta. Ishte, vërtetë, e vështirë, gati e pamundur, të gjeje një aluzion apo, më saktë, një përskajim identik në botë. Ishte proverbiale në meskinitetin e saj për të shpallur të drejtën atnore mbi truallin, mbi shtetin dhe mbi popullin e Kosovës.
2. Thirrja tragjike.
Në paraqitjen e përbashkët kërcënuese, Premieri minak hartonte numëratore të kampeve politike dhe tabelë të hierarkisë morale të antarësisë së tyre. Kurse tjetri, dytësi i tij i kryengrirë, deklaroi habitshëm se i paskësh pritur protestuesit në qeveri, por ja që ikën qyqarisht me bisht nën këmbë. Ç’hipokrizi! Kur protestat e mëparme patën elementë përplasjesh – ata akuzonin me gëzim barbar opozitën për dhunë, ndërkohë që tani kur ajo ishte paqësore, do ti kaplonte çuditërisht një zhgënjimi i thellë. Si kështu? Ç’ishte ky dyzim moral? Arsyeja ngjan, dhimbshëm e bajatshëm, krejt e tejdukshme. Madje dhe për syrin e pafajshëm fëminor. Sepse, thjeshtë, maskës së prostituimit politik do ti binin përfundimisht ngjyrat mashtruese. Me ç’afsh kriminal e paskëshin dëshiruar një konfrontim fizik, si levë akuzimi dhe, më pas, kompromitimi të Lëvisjes opozitare!

Pastaj, tutje, ndërsa i pari i bënte ofezë të ulët elektorëve që nuk duan të frekuentojnë shkollën e tij, i dyti, Hashimi i Brojës, ndërkaq, kumtonte strategjinë e gatshme dhe të fshehtë, të përleshjes fatale. Këtë rezervë alternative do ta provojë fjala e tij rrezikzezë e që i binte daulleve të luftës qytetare: besonim të vinit me joshje e padurim, por s’do mirëpriteshit me kafe! Po me çka tjetër, vallë? Me tytat e armëve për të derdhur sërish gjakun e njomë shqiptar…Veçse, tashmë jo nga serbë e pushtues të gjithandejmë, por nga uzurpatorët e autorsisë së luftës dhe vjedhësit e lirisë.
3. Shëmbëllesa trishtuese.
Ndaj dhe, në kërkim shembëllese, do t’më vinte si tundim i frikshëm një paralele e dyfishtë e interesante. E para nxirrte krye që nga lashtësitë e mugëta me figurën e Lemurëve, këto hije të vdekjes që mbjellin tmerr e mort saherë behin nga terri i përtejmë. A nuk ftuan ngjashëm hashimisët për përballje forcash dyluftuese? Po për dallim prej tyre, këta janë të këndejmë, realë dhe terri i vdekshëm vetë. E si të mos mjaftojë kjo, një tjetër simbiozë e kësojetshme, pretendon nyjëtimin fatkeq. Dhe do thoshja mendueshëm e gjithë deshpërim: ky klan juntist ka asimiluar lakmueshëm dy biografi të mnershme nga vende e kohë të ndryshme. Nuk është e lehtë të njësosh ato për të dhënë një definim, a farkim fjalëformues që do të kapërthente botën e tyre. Por ngjashmërinë sikur simbolizojnë çuditërisht dhe vetë emrat e tyre. Esadi dhe Asadi – ja referencat krahasimore dhe idhujt e admiruar! Rrjedhimisht, prandaj, ata do jenë esadistë – sepse tregtojnë troje të kombëtare, kurse poaq dhe asadistë, sepse shtyhen drejt implozionit të përgjakshëm në Kosovë.
Si do të përfundojë i pari në Paris, kjo është krenarisht e njohur. Po dhe i dyti në Damask, megjithë rrethansinë e ndërlikimeve
globale, nuk është e pritshme të ketë fat tjetër.
Ndonëse i veçantë në llojin e tij, dhe klika e Kosovës, ky regjim i “thinjur nga neveria”, sërish nuk del dot nga shtrati i tipilogjisë së një diktature: identifikimi dramatik me fuqinë politike, ideja e misionarizmit, truku i pazëvendsueshmërisë, propaganda shurdhuese, veshtarët përgjues, armiqësimi për vdekje i “atdheve politikë”, frika nga statusi i qytetarit të lirë, kooperativat oligarkike tribale, demonizimini i rivalëve dhe, më pas, persekutimi i tyre dhe, së mbrami, flijimi unikal e i fundjetshëm: flijimi i popullit për fronin e tyre…
Duke qenë pjesë dhe viktimë e doktrinës tiranike, dinastët primitivë të Prishtinës si shemra zelltare e një pararendësi të vrarë dhe një tjetri të rrethuar – inauguruan dilemën apokaliptike me shpresën mizore se do të shmangin të njëjtin, të pandryshueshmin fund: heshtja do ti betononte, kurse rezistenca do të kërkonte tagrin e gjakut.
A mund të përtrolliset kjo dilemë e ligë e shpifarake? Pa as më të voglin dyshim: me përtrollisjen e tyre vetë! Duke shpalosur fytyrën e pjellës më të poshtër që ka parë ndonjëherë ky dhé, ata legjitimuan vetë arësyen e lartë sublime të rrëzimit të tyre…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura