REXHEP KASUMAJ: DISTANCË …

Berlin, 22 qershor 2018:
1.
Përherë jam përpjekur t’a shoh në sy, por e vërteta ka rastisur t’më ketë bishtnuar. Ajo, aspak e thjeshtë dhe e shtruar, ka shumë anë, ngjyra e kohë. Ndaj dhe, sado dritë e moral të investojë njeriu në gjurmët e saj, sërish i mbetet borxh përjetë.
2.
Për Hashim Thaçin nuk kam patur asnjëherë shkrim afirmativ. Aq më pak (na ruaj Zot) odë përfalëse. As, madje, në vitet e stuhishme të luftës tek shkruaja ndonjëherë për arsyen e saj historike.
Dhe tash, më shumë se kurrë, Personi i tij është vënë në thjerrëz negative nga fragmentë të arenës politike a të tregtizës mediale.Veçse janë ca gjëra që s’shkojnë dot dhe, ndanë të cilave, një distancë e kulluar ngjan higjienike.
E para, si formulohet tashmë me gjuhë juridike, ai nuk paskësh “legjitimitet” për t’i primun dërgatës kosovare në epilogun e Kuvendimeve të Brukselit. Në fakt, legaliteti e legjitimiteti, që n’krye të herës s’patën një përplotësi sipas definimit teorik. E, për pasojë, ende larg kulturës së arrirë demokratike, duken të patrollëzueshëm deri në deshpërim.

Për t’a mohuar prandaj, Presidenti paraprakisht duhet shkarkuar në log parlamentar. Ndërkaq, për sa kohë gjendet në kreun e punëve të shtetit, nuk mund të anashkalohet nga vullnete arbitrare. Ndryshe, do rezultonte njëlloj puçi institucional, tepër i kushtueshëm e komod për orën zymtore të Kosovës.
Pastaj, së dyti, në qarkullim hidhet e pashmangshmja dhe e përdala ironi e jetës. Më i refuzueshëm (përçmueshëm i tillë) nga të gjithë, është pozicionimi kontestimor i Lëdëkëistëve të Hotit, këtij figuranti impersonal që, saherë shfaqet, të zgjon një mëshirë të përvujtshme. A s’kje vetë grupimi i tij politik që i hapte udhë Thaçit drejt kulmit shtetëror? Por aherë kalkulimet politike dhe ëndjet pushtetëse urdhëronin formulë tjetër. Shefi i tij i atëkohshëm kishte një ëndërr të cilës i nënshtronte gjithçka: fronin kryeministral të Kosovës së shkretë. Kurse vartësi Abdullah, ushtarë i bindur e pa kurajon e ambicies së ndaluar politike, rreshtohej pranë tij. Mirëpo rrëzoma e hipokrizisë vete tutje, përtej karuselit regjimor. Pikërisht thika serbiane në trupin e Kosovës, Asociata e veriut, ka autorësinë e partisë dhe prijësit të tij që shquhen për frekuenca të përmallshme jugosllave. E tani ai ka nxjerrë kokën nga zalli e vështron në larginën mjegullore. S’do të jetë më struc i heshtur e i paemër. Kërkon protagonizëm. Gjahu ka nisur dhe ai nuhat e ndjekë gjurmët n’për shtigjet e errta…

Ndërkaq dhe një manjat medial i Sorosit shpejton hapin. Viktima ndoshta mund të humbasë udhën…Ndaj, me gjasë, synon t’a kurthojë prénë e trëmbur nga zagarët kujdestarë. Inercia e Rambujesë e shtynë t’a shohë veten në ballë të kosovarëve në selinë komunitare dhe, ndoshta, ka një shpresë. Ndesh tij do ulen po ata që, në fillimmotet e hershëm 90-të kur mbaheshin zgjedhjet vendore serbiane, bënin eshalonin besnik të serbit Sllobodan. E atëbotë, ky pretendent i një roli ajatollahu të veçantë të prapaskenës, kërkonte që shqiptarët, duke marrë pjesë në këto zgjedhje kolonialiste, të abrogonin vullnetin referendar për pavarësi dhe të ripohonin qenjen e tyre të lumtur në sistemin politik e shtetëror serbian. Dhe ai s’është i vetmuar. Është kult-simbol i një epoke dhe brezi komitetar që përvijohet shkallareve të pushtetit republikan dhe trukeve të kamjes prrallore.

Ky eshalon i Dedinjes i prijnë prapë Serbisë dhe i prijnë njësoj urrejtshëm, njësoj gllabërueshëm dhe njësoj rrezikshëm për shqiptarët. Por çështje është: si përskajohet ky rrezik dhe çka quhet i tillë?! Me sa duket, sorosisti ynë ka një përceptim tjetër, disi më të vakët të tij…

3.
Së fundmi, përflitet që Thaçi të ketë lidhje agjenturore me shërbime të huaja, i pajtuar prej tyre qysh në kulmin e dramës së përgjakur të popullit të tij.

Unë mund të dyshoj, por matanë dyshimit, si me thënë sokratik, nuk vete kurrësesi.

Që këtej, mbetem pa fjalë tek pyetja elementare: si, nga dhe pse disa ose ndonjë zhurmëtar dite, duhet t’a dijë e t’a thotë me kaq siguri e bindje këtë pandehmë? Përvojë, rivalitet, smirë, interferencë shërbimesh?

Mbase ngapak prej të gjithash, kushedi…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura