(Berlin, dhjetor 2012) – Mësoj se pushtimin e Jerusalemit në vitin 1831, e kishin bërë shqiptarët e primë nga Mehmet Ali Pasha, moshatar e sfidant i pashtruar i Bonapartës së famshëm. Madje, kishte marrë dhe nofkën e tij si Napoleoni i Orientit, pse, me strategjitë shkathtësore në fushëluftë, për një dekadë e gjysmë, do të vrante e kthjellte në viset që lagte Mesdheu jugor a në brigjet diellandritëse të Marmarasë.
1.
Shqiptarët pushtues?
E pamundur!
Kë vunë nën zinxhirë robnie? Ç’popull a territor? Ç’troje a fortesa dogjën apo ç’detra e ishuj kaptuan? Ndonjëherë, në persiatjet vetmitare, më kapullonte kënaqësia e thellë fisnike për këtë univers të përkorë të popullit tim. Por, poaq shpesh, megjithë bukurinë e paqme të ndjesisë, behte hidhshëm dhe një tis i zymtë dëshpërimi. Përse, përse gjithmonë kështu?
Kisha dëgjuar në shkollë për shtetarë e komandarë dhe kishte rastisur të gjeja në literaturën cinike jehun e bëmave të tyre me cilësimin mjegullor si mëkëmbës a shpatarë tokash e ushtrish të huaja, që vinin nga gjenealogji e largët shqiptare. Mirëpo libri i madh “Jerusalemi – një boigrafi”, i Simon Sebag Montefiore-s, historian e publicist i shquar britanik, do të hidhte një dritë tjetër që, i sfilitur nga fataliteti i viktimës së gjithmonshme, do t’më magjepste fundbotshëm.
Kopertina e librit në anglisht
Autori i librit: Simon Sebag Montefiore
Duke shfletuar me ëndje këtë vepër mjeshtërore – mbërrij e shoh mrekullinë, kapitullin e veçantë mbi një epokë të veçantë të qytetit të lashtë. Hoqa e vura dy – tri herë syzet, thuase ato mashtronin nën llampën e zbehtë të dhomës sime. Por titulli ishty aty, i pabesueshëm e real dhe i rëndë e ngushëllues: “Pushtimi shqiptar” (i Jerusalemit)! Ndalova gjatë. Iu riktheva disa herë. Kisha në dorë për herë të parë (së paku unë) të shkruar në një bestseller të paspostueshëm anglez dhe nga një penë e hollë vërtetësie, flakjen e guaskës së nxirë prej tregtarësh të historisë politike të atij moti të madh.
Mësoj se pushtimin e Jerusalemit në vitin 1831, e kishin bërë shqiptarët e primë nga Mehmet Ali Pasha, moshatar e sfidant i pashtruar i Bonapartës së famshëm. Madje, kishte marrë dhe nofkën e tij si Napoleoni i Orientit, pse, me strategjitë shkathtësore në fushëluftë, për një dekadë e gjysmë, do të vrante e kthjellte në viset që lagte Mesdheu jugor a në brigjet diellandritëse të Marmarasë. Montefiore flet me shumë kulturë, distancë intelektuale e konsideratë për pushtimin shqiptar apo shqiptarët pushtues, madje qahet pse ka rënë pameritueshëm në harresë prijësi i tyre legjendar që do të bëhej emblemë e epokës së tij. Ishte i rreptë në beteja, skicon ai me pak fjalë portretin e tij, por, njëkohësisht, adhuronte dijet dhe mbrëmjeve urdhëronte ti këndonin këshillat e Makiavelit dhe urtitë e Monteskjesë.
Pra – nuk paskësh qenë një qeveritar osman me prejardhje të dikurshme arbnore apo rebel që kishte uzurpuar legjione të huaja, si shkruajnë kronistët smirëzinj, por një sundimtar i iluminuar shqiptar, me bërthamën, poashtu, krejt shqiptare të elitës së tij ushtarake, kryesuar nga i biri, Ibrahim Pasha, i kuqi, si quhej për shkak të mjekrrës së tij të kuqe, si bjondin që ishte nga viset veriore. Kjo ushtri triumfatorësh, madje, duke vënë nën skeptrin e vet zona të tëra të perandorisë otomane, ishte shfaqur frikshëm një mëngjes pranë portash të dridhura të kryeqytetit. I trëmbur nga rivalizimi shqiptar, sulltani turk do të shtrëngohej ti njihte M. Alisë statusin e guvernatorit të Egjiptit, tashmë gati të shkëputur nga kurora imperiale stambollite, e që do të zgjaste deri kur dhe pinjolli i mbramë mbretëror do ta jetonte orën e lindjes nga hiri hyjnor i shtetit mëvetësor të Izraelit.
Mehmet Ali Pasha (1769 – 1649)
——————————————————–
2.
Një mik imi egjiptian (që përsëriste vazhdimisht se egjiptianët nuk janë arabë) më thoshte një ditë, posa ishim njohur: ah, ju shqiptarët, sundimtarët tanë shekullor! Si kështu?, do ta pyesja i habitur, ndonëse e dija pakëz aluzionin e tij. Të gjithë, do të vijonte pastaj, i madh e i vogël, e dijnë se mbreti Faruk ishte i fundmi nga vargoi i monarkëve shqiptarë që kishin themeluar e sunduar vendin e tij. Kur kryengritësit naserianë, rrëfente ai mëtej, ishin ngjitur në pallat, kishin takuar bashkëpunëtorët e tij, oborrtarë e shërbëtorë, tek flisnin në një gjuhë që s’e merrnin dot vesh. Ishte e kuptueshme që ata do të kenë qenë pasrendës luftëtarësh a mërgimtarësh nga ngulimet e hershme misiriane. Më pas më solli dhe një libër monografik nga biblioteka e tij, në faqen e pasme të të cilit ishte mbreti, tashmë, i rrëzuar: një portret njeriu me sy të kaltër e shikim të kulluar dashunor. Asnjë shenjë karakteriale e despotëve të përgjakur. Ndaj dhe ikja e tij ishte paqësore. Dinastia shqiptare, rrjedhimisht, nuk u rrokullis nga urrejtja për gjakun e huaj. Ajo do të humbiste legjitimitetin pse kishte degjeneruar në regjim të flashkur luksi, inert e ditësosur.
Por, sidoqoftë, kauza ishte sërish e huaj. Shqiptarët (e Montefiore-s) kishin pushtuar një qytet të huaj dhe ia kishin bashkuar atë një entiteti shtetëror, poashtu të huaj. Megjithatë, megjithatë kur vështrova me afsh titullin e kapitullit biografik të Jerusalemit, sikur m’erdhi një gjallërim fluturak. Një gëzim i dëlirë mbi fundinën e dhimbjes. Dhe, gjithsesi, një drejtpeshim i munguar!..
Thashë më vete: shqiptarët – pushtues të Jerusalemit!
Madhështore!
Historia e Jerusalemit, është, në fakt, historia e botës. E shqiptarët (e M. A. Pashës) do të hynin në lavrën dhe thëllimat e saj, nëpër shenjat e kujtesës së pavdekshme të qytetit të përjetshëm. Isha mërzitur deri në lodhje të lexoja dhe përjetoja vetë veç ankesa, vaj, padrejtësi, okupim, shtypje, plojë, flakë, tirani, poshtërim, çizme e huaj, popullvrasje, therje fëmijësh, shfarosje, tokë e djegur, nënshtrim, rrudhje trualli, varre të rrafshuar pa emër – dhe e gjithë krusma mortore shkaktuar nga armë, stema e gjuhë kolonizatorësh të shumtë të hapsirës jetike shqiptare.
Po shqiptarët? A ftillëzohej nyja përtej mbijetesës së tyre? Jo, asnjëherë! Mbeteshin prore të strukur në vetëmbrojtjen e pikëllueshme dhe të ngujuar në vetmi, helm e vdekje… Po rrokullima nuk mbaronte këtu. Shkrimtaria e zezë do ta shpallte vuajtjen si kurorën e të gjitha virtyteve që do të merrnin shpërblimin e epërm – këndej apo matanë jetës.
3.
E tani aty, në fletët e atij libri të bekuar, në një çast historie do të ledhatohesha flladitshëm nga një tjetër ndjenjë. Ishte një prush galdimi fluturak dhe krenie të sedeftë romantike. Mendova: ja, dhe ne shqiptarët paskëshim mësyrë perandorshëm toka të tjetrit dhe hiç me pak e më poshtë se – Jerusalemin, më të moçmin, më shenjtorin dhe më apokaliptikun e qyteteve të botës. Sikur provoja ngasjen e fshehtë që të kishim pasur shtegtime e zaptime dhe kalorës e shqytarë që marrin në dorëzim mure, kështjella, pasuri e gra të gjindjes së huaj, afër e larg etnikumit shqiptar.
Por, shpejt sakaq, e gjeja veten në faj. Rrjeshtat e shkrimit ku flitet për dhunën e gjakosur të Ibrahimit lavdidashës ndaj banorësisë lokale dhe shkretimi i jetës e faltoreve të tyre – do t’më hidhte, disi spontanisht, në anën e të nëpërkëmburve. Ndoshta është defekti i racës që, duke qenë gjatë, oh sa gjatë i palirë, ka rezervuar në shpirtin e vet bashkëndjesinë me ta. Me popujt e skllavnuar të botës. Them kështu, një defekt gati identitar, sepse, mjerisht, mirësia në politikë nuk shpaguhet kurrë. Përkundrazi. Ndëshkimi vjen përherë si alfabet pandryshueshme në pamëshirsinë e tij, gjatë përpjekjesh të ashpëra ekzistenciale të kombeve mbi këtë dhè!
Ndaj, së fundi, përsëri: sado çiltërisht i keqardhur për pushtimin shqiptar të qytetit të amshueshëm, një valëz e smeraldtë mburrjeje intime, nuk do t’më shqitej një kohë. Ajo, brymësi e heshtur dhe fine, strehon ende në mua tek mbyll këtë shkrim!.. Si një ëndërr që mbahet për vete e nuk tregohet dot…
====================================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
MBRETI I EGJIPTIT – MEHMET ALI PASHA –
Udhëheqësi i Egjiptit me origjinë shqiptare ishte i dyti më i lexuari në “Wikipedia” Mehmet Ali Pasha, shqiptari i cili u bë mbret i Egjiptit dhe që konsiderohet nga shumë si themeluesi modern i këtij shteti, duket se ka tërhequr së fundmi vëmendjen e së gjithë botës arabe, e cila është zënë në zgripin e tranzicionit në Egjipt dhe kërkimit për një model të mirë. Sipas një studimi të kryer, lexuesit e enciklopedisë popullore në internet “Wikipedia” në gjuhën arabe, kanë lexuar para së gjithash artikullin mbi përmbysjen e regjimit të Hosni Mubarakut në vitin 2012 dhe në vend të dytë për nga numri i leximeve, është renditur pikërisht artikulli për Mehmet Ali Pashën. Studimi i “Wikipedia”-s u krye nga inxhinieri suedez Johan Gunnarsson, si pjesë e projektit “Wikitrends”. Artikujt më të lexuar në “Wikipedia” në disa gjuhë të rëndësishme u renditën nga më i vizituari deri te më pak i vizituari. Gjuha shqipe nuk është në listën e renditur. Studimi vëren dallime të stërmëdha në interesat e popujve të ndryshëm. Anglishtfolësit këtë vit kanë lexuar artikullin e “Wikipedia”-s për “Facebook” më shumë se çdo gjë tjetër, ndërsa japonezët kanë lexuar artikullin për një aktore porno. Hua Shan, mali kinez që konsiderohet si shtegu më i rrezikshëm në botë për ecje në mal, ishte në krye të leximeve të artikujve në gjuhën holandeze. Renditjet e kërkimit zakonisht tregojnë edhe interesat realë të popullatës. Në gjuhën perse, artikujt më të lexuar ishin ato për Iranin dhe për Teheranin, por edhe artikuj mbi seksin, rrethprerjen femërore dhe homoseksualitetin ishin në listën e dhjetë faqeve më të lexuara të republikës islamike. Në gjuhën arabe, artikulli kryesor për Egjiptin zuri vendin e parë pasuar nga ai për Mehmet Ali Pashën. Ai ishte komandanti i ushtrisë osmane, i cili u bë sundimtar i Egjiptit më 1805 dhe nga shumë konsiderohet si “themeluesi” i shtetit modern. Shqiptarët kanë qeverisur në emër të Perandorisë Osmane pjesë të mëdha të Afrikës së Veriut, përfshirë Egjiptin, Libinë e sotme, Sirinë e rajone të tjera, por Mehmet Ali Pasha konsiderohet veçmas të tjerëve, për shkak se modernizoi ekonominë dhe ndërtoi një flotë detare të konsiderueshme. Ai e filloi karrierën si një bylykbash, (taksambledhës) dhe e fuqizoi shtetin e Egjiptit përmes krijimit të një monopoli ekonomik, ku fillimisht vendosi taksa qëllimisht të larta, gjë që solli konfiskimin e tokës private dhe detyrimin e fshatarëve të shisnin prodhimet e veta te shteti. Kjo i dha mundësi shtetit të rishesë prodhimet e fshatarëve në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar, duke krijuar një buxhet të konsiderueshëm që shërbeu për reformimin e ushtrisë dhe ndërtimin e infrastrukturës. Brenda tri dekadash, ai arriti të ndërtojë një industri të rëndësishme në Egjipt dhe u kthye në problem për Britaninë e Madhe, e cila krijoi një aleancë ndërkombëtare dhe e shpartalloi flotën egjiptiane gjatë luftës për pavarësinë e Greqisë. Ai njihet edhe si personi që dërgoi shumë egjiptianë për shkollë në Europë, gjë që i dha themelin një lëvizjeje letrare në këtë vend. Bota arabe është aktualisht në kërkim të një shembulli për të ndjekur pas rrëzimit të diktaturave laike në shumë vende, ku alternativat përfshijnë krijimin e shteteve islamike kundrejt krijimit të demokracive të bazuara tek ekonomia e tregut.
IBRAHIM PASHA – I BIRI I MEHMET ALI PASHËS
Nga shqiptarët më të njohur të Sirisë është Ibrahim Pasha, i biri i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit. Ai kishte nën administrim gati të gjithë Sirinë dhe një pjesë të Palestinës dhe mbahet mend si reformator që projektoi krijimin e një shteti arab të pavarur.Ishte i pari politikan që zgjoi vetëdijen kombëtare arabe, duke iu kundërvënë urdhrave të Portës së Lartë Ndërmori reforma për lirinë e fesë duke proklamuar se të krishterët do të ishin të barabartë me myslimanët. Dhe nuk ishin vetëm fjalë. Ibrahim Pasha futi në administratë një nga krishterët më të njohur të vendit, Hana Behkri. Ky i fundit jo vetëm u emërua kreu i financave publike, por mori edhe titullin bej. Ibrahim Pasha themeloi shtypshkronja në mbarë Sirinë dhe nxiti reforma në arsim. Periudha e sundimit të tij (pas 1830-s) ishte periudha kur numri i shqiptarëve që u vendosën në Siri u rrit shumë. Vetëm në ushtrinë e Ibrahim Pashës bënin pjesë rreth 15 mijë shqiptarë. Me një vëzhgim të thjeshtë të dokumentacionit historik kuptohet që gjatë kësaj kohe në Siri luftuan “shqiptarët me shqiptarët” për vetë faktin se një pjesë e ushtarakëve ishin me Ibrahim Pashën ndërsa të tjerët ishin pjesë e ushtrisë së Sulltanit. Por 12 mijë shqiptarë të ushtrisë perandorake morën anën e Ibrahim Pashës, pasi ky i fundit i shpërbleu me toka, prona të cilat me hartën e sotme korrespondojnë në Siri, Palestinë dhe Liban. Pjesa më e madhe e këtyre shqiptarëve ngelën aty. Futi në administrate një nga krishterët më të njohur të vendit.
MRETI FARUK – I -, STËRNIPI I MEHMET ALI PASHËS
Faruku i Egjiptit ose Faruku I (1936 – 1952) ishte Mbret i Egjiptit. Mbreti Faruk ishte sundimtari i dhjetë nga Dinastia e Mehmet Aliut dhe mbret i parafundit në Mbretërimin e Egjiptit dhe Sudanit, duke pasuar babanë e tij, Fuadin I që vdiq në 1936 dhe që ishte konsideruar mbreti i parë egjiptian. Titulli i plotë i tij ishte “Madhëria e Tij Faruk I, nga hiri i Perëndisë, mbreti i Egjiptit dhe Sudanit, Sunduesi i Nubias, Kordofanit dhe e Darfurit.” Faruku u përmbys nga një revolucion egjiptian, tip ala socialist që u mbështet nga BS dhe Tito në vitin 1952. Faruku u detyrua të abdikojë në favor të tij djalin e mitur, Ahmed Fuad, i cili e pasoi atë si Mbret duke u quajtur Mbreti Fuad II. Faruku vdiq në mërgim në Itali në rrethana shumë të dyshimta, për të cilën vdekje, kurrë nuk u bënë hetime. Motra e tij është Fevzia Shirin, si gruaja e parë dhe njëkohësisht ish Mbretëreshë e Iranit duke qënë bashkëshorte e Shahut të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi e cila rron akoma në Zvicër. Princi Faruk erdhi në fron në vitin 1936. Mbreti i ri në atë kohë ishte vetëm 16 vjeç dhe do të kontrollonte tërë punët e mbretërisë, megjithatë, derisa ai u bë 18 vjeç nuk i pati të gjitha kompetencat e Mbretit pasi një këshill prej disa vetësh bënte punën e tij. Si stërnip i të Madhit Mehmet Ali Pashë, Faruku ishte shqiptar nga babai dhe egjiptian nëpërmjet nënës së tij mbretëreshë e cila, në fakt kishte gjak të përzier egjiptian-francez-shqiptar. Para vdekjes së babait të tij, ai ishte arsimuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore, Uluiç, Angli.
……………………………………………………
(Përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)