REXHEP KASUMAJ: E VËRTETA E TË KËQIJËVE

Berlin, 30. 03. 2015 – (Një çiltëri e pamohueshme negative) – 1. Një personazh i Sartërit (“Muri”), i thotë të birit se ai e ka për detyrim të jetë pasanik e ndërmarrës i madh. Gjithçka, ndaj, në ndjekje të kësaj teme, duket të fillojë nga një keqkuptim. Elitat politike të Prishtinës, a mbase shqiptare përgjithësisht, pretendojnë se janë cektinat e turmës që kanë keqkuptuar gjenin e tyre tejpamës, sepse, i tillë, ai bën të ndihen të detyruar për të qenë udhëheqës të Republikës. Mirëpo, nëse Kamy kishte të drejtë tek shkruante se kalimi nga fjala tek veprimi moral ka një përskajim – të bëhesh njerëzor, aherë, me gjasë, është e kundërta: janë ata që keqkuptojnë përherë e vrazhdësisht kohën, njerëzit dhe, madje, veten e tyre! A është kishte fjalë e tyre prirjen të pësojë shndërresën sublime në veprim moral, për të jetuar, ashtu, procesin e epërm të të bërit njerëzor? Asnjëherë, sepse në ngjizje të tij, krimbëron prore hipokrizia e pështirosur.
2.
“Pika zero” dhe mjegullnaja që mbështjell e terron hierarkinë vleftore, është, prandaj, formula fatkeqe e rrethecjes shqiptare. Motet para saj i vulosin të shenjuar akuze, dështakët e mashtruesit, dhuntarët e shpirtshiturit e ulur në ballë të parisë. E pasvajtësit e tyre, tashmë si një premtim fluturak i opozitarëve që duan fronësimin, brohorasin në kupë të qiellit me gërrithje e përgjakje, refrenin e lodhshëm që kishin deklamuar ethshëm pararendësit e rrëzuar: bërja përpara, harmonia sociale a përtrirja popullore.
Pastaj, marramendës e i paprerë, vijon shtegtimi në vetëngujimin e pambarim: akuzatorët pajisen mbifuqie politike, ndërkohë që, mujsharët e refuzuar në teatrin zgjedhor, zbresin poshtë duke gëzuar komoditetin, pasionin e stilin aty ku e kishin lënë, si një stafetë unike, të marrë në dorëzim nga kundërshtarët e lartëngjitur.

Dhe kështu, duke alternuar rolet njëjtësore, ata zhbëjnë vetë idenë e të Mirës dhe të Keqes. Atë që thotë njëra palë, me kumbonarët, militantët, medialistët, konvertitët, mutantët, parandyrësit, kartelistët e nëndheut, jermësit – mohon tjetra, me po atë vulg të çorientuar, injorant e të pabesë. E bardha, ose ajo që paraqitet e panjollë, është njëkohësisht e zezë, ose thuhet të jetë korb fare. Nuk ka një qendërmasë të vërtetë vlere se ç’është krimi e vrasja politike, korrupsioni e dorëvënja në votën a pronën publike, apo, tutje: ç’është interesi publik dhe kultura e legalitetit, qytetnia demokratike dhe patriotizmi kushtetues? Hajni i mitosjes a tatimor, tenderist a buxhetor, shenjëstrohet me emër e gjurmë, por po ky emër latohet përulshëm si flijimtar i zjarrtë për shtetin e së drejtës. E i vrari, ndërkaq, shpallet viktimë hajdutërie e, poaq, hero i mirësisë së përgjithshme, kurse dorasi i supozuar mbetet një fantazmë që, i yshtur nga loja e ekuilibrizmit politik, bredh ndër grupime e klane të mafiokracisë pa gjetur dot strehën dhe gurëvarrin e vet…
Por kur rastis të përafrohen për kohabitim politik, aherë s’është më zhurma, por heshtja që kurorëzon kalimin e humnerës dramatike. Veçse ajo, kësaj radhe, pushon të jetë e urtë dhe e artë. Duke qenë një tkurrje dinake nga parimet e shpallura, ajo sfidon pafytyrshëm inteligjencën e njeriut politik. Tabela e djeshme e qitjes, ku zbrazeshin breshëritë e denoncimeve, mohimeve e poshtërimeve, tani, papritmas, falë mosthënjes lukrative, shndërrohet në referencë të virtytshme. Hierarku folklorik, vjedhësi, i pamoralshmi ordiner, keqqeverisësi që dërgon të mjerët udhëve të botës, trafikanti i pasy, kooperativisti i mejhanes politike, serbofalësi, kolaboratori sllobodanjan, figuranti i djegur i së kaluarës, socialisti jugosllav, tagrambledhësi i pamëshirë e i fshehtë i diasporës, dialoguesi enigmatik brukselian, i pandehuri i gjyqeve speciale, despoti i paprekshëm i grupimit politik, neoliberalisti që shet pasurinë dhe, prandaj, grishësi i pushtuesve virtual të atdheut, – nuk janë më të tillë. Përkundrazi: rezulton të jenë hirësisht të denjë për aleancë kombëtare e koalicion sundimor!
3.
Ndaj, si për shumëçka tjetër, njohim sërish shfaqjen e veçanësisë shqiptare: të gjithë kanë të drejtë. Po si, kështu? Si ndodh që ti kenë të mirëqena fjalërëndat e grindjes dhe heshtjen e shurdhër të pajtimit? Ah, krejt thjeshtë: deduksioni elementar rrëfen se, ndërsa ankesat e hidhta për njëri-tjetrin janë të kthjellta si rrezja e diellit, ata do ti nyjëtojë e vërteta e çuditshme. Po cila e vërtetë, vallë? E vërteta tragjike e antikombtarizmës! E vërteta e të këqijëve!..Sepse kur godasin, natyrisht pa etiketë e me gjuhë primitive, thonë të njëmendtën për armikun e urryer të atdheut tjetër politik, i cili, nga ana e tij, shqipton po këtë njëmendësi tëpër të saktë për palën tjetër, andej barrikadës. Porse, nuk ngjajnë hiç më të fismë as kur, me kodin e species, s’bëzajnë e pajtohen në legjislaturën e përbashkuar. Antikombtarizma është prapë aty: po tani e nënshtruar rreth tymit të gënjeshtrës…
Vitet e ciklet e legjislaturave kuvendare ikin – por, si nga një hovzim i ri trishtues, përtëriten pamjet, vesi, kurthet, xyfjet dhe pandjeshmëria absolute për elektorët e harruar…Ndonjëherë përqaset bashkëformimi i guvernës që, poaq poshtërisht, shkrinë ngjyrat e rreme, duke mbuluar me hijen e gjatë të pushtetit të pabërat e tyre dhe pëshpërimat e tregtizës së shkretë provinciale!
Po a është dhe vetë koha me faj për këtë fatamorganë? Gjithësesi! Ajo jep, shpesh, fillesën rrethanore për të shpërthyer karakteret e liga dhe për të këputur fijen e hollë frymëmarrëse. Por, më shumë ende, rëndon durimi lapidar i turmës së paçliruar nga mendësia e robit dhe, gjithaq klientelizmi i vokacionit akademik, bashkë me brezin e mediokërve që ata, si pohonte Niçe, i prodhojnë në serrat e nxehta për fishkjen e instinkteve të shpirtit!..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura