AHMET QERIQI: KRERËT E PDK-së KANË BËRË GABIME TË PAPËRMIRËSUESHME!

Prishtinë, 18. 09. 2013 – Gabimet më të mëdha në riorganizim politik të pas luftës në Kosovë u bënë në radhët të parë nga krerët e saj, të cilët edhe gjatë luftës kishin krijuar klanet e tyre në hije. Asokohe krerët kishin pranuar demobilizimin pa kusht të UÇK-së, kishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ndërkohë që Qeveria e Kosovës nuk ishte kompletuar për shkak të mospranimit të saj nga Ibrahim Rugova, edhe pse ai kishte nënshkruar aktin e Rambujesë.
Radhët e çlirimtarëve pas luftës së UÇK-së filluan të shkapërderdhen për shkak se nuk pati asnjë përpjekje serioze nga kreu i saj, për të krijuar një forcë të re politike, gjithëpërfshirëse ku do të përfaqësohej kreu i luftës në të gjitha lokalitetet e vendit. Në muajt e fundit të luftës, shumë nga krerët e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë Politike ndodheshin në Tiranë ku edhe caktuan postet për Qeverinë e përkohshme. Pas luftës, erdhën dhe u vendosen në Prishtinë, të gjithë ata që ishin caktuar në pozita të ndryshme, ndërkohë që vendi po përballej me një anarki të përgjithshme, meqë UÇK-ja ndodhej në prag të demobilizimit, ndërsa administrata heterogjene e UNMIK-ut dhe KFOR-i nuk treguan zell, as ndonjë interes për të frenuar anarkinë, meqë nuk shprehen gatishmëri për një bashkëpunim të domosdoshëm dhe në interes të vendit.
Në kushte dhe rrethana të tilla, një pjesë e kreut të luftës u mobilizua në drejtim të krijimit të një partie të re, me përfaqësim nga krahu i luftës, e cila fillimisht u quajt Partia për Prosperitet Demokratik e Kosovës, ku u rreshtua një pjesë e krahut të luftës, dominuar nga ish-shefi i Drejtorisë Politike, Hashim Thaçi ish-zëdhënësi i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ish-komandanti i parë i UÇK-së,Azem Syla e të tjerë. Në këtë mes u inkuadruan edhe kuadro nga SHIK-u si dhe një segment i disa politikanëve që e kishin braktisur LDK-në dhe kishin shfaqur interesim t’i qepeshin PPDK-së, e cila dominohej nga një pjesë e kreut të luftës dhe nga disa ish-të dënuar politikë të kohës se regjimit serb.

Krerët e PDK-së që gremisën veten dhe Kosovën!

Për shkaqe, që mund të trajtohen si pretendime për ta marrë me çdo kusht drejtimin e partisë, kreu i luftës u përça dhe u degdis në disa formacione politike. Një pjesë e LPK-së nuk kishte pranuar të rreshtohej në PPDK, ose nuk ishte mirëpritur në atë mes dhe ata bënë përpjekje të vetorganizohen me shpresë se do të bëheshin një forcë serioze në spektrin politik të Kosovës. Kreu i PPDK-së la anash disa nga autoritetet e sprovuara të luftës dhe ata, të pakënaqur me rrjedhat krijuan partitë e tyre. Nga PPDK-ja tashmë ishte ndarë LPK-ja, kishte bërë përpjekje të ringjallej Partia Parlamentare e Kosovës dhe ishin formuar edhe disa parti të reja. LDK-ja për fillim dukej se ishte futur në ilegalitet. Kreu që ishte tubuar rreth Rugovës, ballafaqohej me krahun e luftës, që nuk i përfillte institucionet e improvizuara të para luftës, nuk e njihte autoritetin improvizues të Ibrahim Rugovës, ndërkohë që nga kjo parti ishte larguar edhe kreu i ish-Qeverisë në mërgim, Bujar Bukoshi me disa ish partiakë të “Tre-përqindëshit”, i cili po ashtu kishte krijuar një parti-klan.
Me rastin e formimit të PPDK-së, më vonë të PDK-së, krerët e saj lanë anash disa nga autoritetet më meritore të luftës dhe të para luftës. Në radhë të parë u la anash, emblema e Lëvizjes së rezistencës shqiptare të Kosovës, Adem Demaçi, për shkak se ai kishte kundërshtuar Marrëveshjen e Rambujesë, edhe pse deri në fund të luftës kishte udhëhequr zyrën e UÇK-së, në Prishtinë. Nuk u ftua për t’iu bashkuar partisë as akademiku dhe përkrahësi i gjithanshëm i luftës së UÇK-së,Rexhep Qosja. U lanë anash të gjithë gazetarët e luftës, me ndonjë përjashtim. Po ashtu u anashkaluan edhe komandanti i Dukagjinit, Ramush Haradinaj, pastaj Rexhep Selimi, Shaban Shala e shumë emra meritorë të luftës, të cilët për një kohë ishin inkuadruar në TMK.
Në krijimin e bërthamës së parë të PPDK-së, dukej se dominonin ithtarët e Jakup Krasniqit e të Hashim Thaçit dhe më pak ata të Azem Sylës. Sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi, që prej fillimit kishte forcuar pozitat edhe me mbajtjen afër të Fatmir Limajt, që ishte ndër autoritetet më të njohura të luftës në Kosovë. Fatmiri, asokohe ishte një figurë që unifikonte raportet mes Azem Sylës, Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.
PDK-ja, në fillim ishte vetë mjaftuar, e bindur se tashmë ishte partia më e madhe në vend, duke llogaritur se LDK-ja ishte margjinalizuar, ndërkohë që disa nga krerët fanatikë të LDK-së kishin bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës dhe me shumë shërbime të huaja të instaluara pas mbarimit të luftës, me qëllim për ta diskredituar krahun e luftës, duke u mbështetur në dosjet e Ministrisë së Drejtësisë të Serbisë, dhe duke bërë përpjekje për t’i njollosur të gjitha autoritetet e UÇK-së. Po ashtu, LDK-ja me shumë sukses luante rolin e viktimës së dyfishtë, duke e paraqitur veten si viktimë të regjimit të Milosheviqit, por edhe të UÇK-së. Duke vepruar në këtë drejtim ajo fitonte besimin e administratës ndërkombëtare, dhe të shumë autoriteteve të Evropës e më gjerë, që kishin për qëllim ta diskreditonin edhe UÇK-në si shkaktare të luftës në Kosovë dhe provokuese e regjimit kriminal të Milosheviqit.
E dehur nga përfitimet e shumta, në të gjitha segmentet, PDK-ja nuk merakosej për elektoratin dhe nuk tregoi sens për grumbullimin e anëtarësisë të krahut të luftës, e cila po shkapërderdhej, por me qëllim që të merrte simpatinë e administratës ndërkombëtare ajo pranoi në radhët e veta kundërshtarët e heshtur të luftës dhe mjaft kuadro nga ish-LKJ dhe LDK-ja.
Në zgjedhjet e para të pas luftës, për shkak të organizimit të dobët dhe anashkalimit të një pjese me ndikim të krahut të luftës, PDK-ja i humbi zgjedhjet, të cilat i fitoi LDK-ja duke u paraqitur si viktimë e dyfishtë. Mirëpo, edhe pse fitoi shumicën LDK-ja nuk e gëzoi pushtetin. E atakuar dhe e satanizuar si parti politike, që nuk e kishte përkrahur luftën, e frikësuar nga klane të ndryshme dhe e akuzuar për politikë kolaboracioniste, ajo nuk kishte krijuar aq forcë sa për ta margjinalizuar partinë e re, PDK-në, që kishte prejardhje nga lufta, kështu që u detyra ta ndante pushtetin me PDK-në, më vonë me AAK-në dhe kjo degradoi deri edhe në përçarjen e madhe dhe ndarjen e saj në dy parti. LDK-ja nuk arriti asnjëherë ta udhëheq Qeverinë e Kosovës, madje as me rastin e koalicionit me PDK-në.
Krejt gabimet që janë bërë pas luftës në raport me pamundësinë e unifikimit të faktorit shqiptar dhe degradimit të pozitës së Kosovës në raport me Serbinë dhe Brukselin, më shumë se të gjithë partitë e tjera i mbart PDK-ja, e cila jo vetëm që nuk e unifikoi faktorin e luftës, por e përçau edhe skenën politike të Kosovës. Edhe pse në zgjedhjet e fundit të vitit 2009, i fitoi zgjedhjet parlamentare e më pas edhe ato vendore, PDK-ja nuk arriti të krijojë një koalicion meritor qeveritar, meqë asnjëra nga tri partitë më të mëdha të opozitës: LDK-Vetëvendosje, AAK, nuk pranuan të bashkë-qeverisin me PDK-në. Ajo u detyra ta pranojë koalicionin me AKR-në e Behxhet Pacollit, e cila mezi kishte fituar shtatë ulëse në Kuvend me ndihmën e Partisë së Drejtësisë. Pikërisht duke qenë një koalicion i dobët qeveritar, nuk arriti ta përballojë presionin e Brukselit për rifillimin e bisedimeve me Serbinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pas legjitimitetit, që i kishte dhënë Kosovës së pavarur, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Po të kishte treguar PDK-ja, maturi, ndërgjegje të lartë atdhetare, kulturë politike dhe emancipim në nivelin e duhur, pozita e Kosovës do të ishte jashtëzakonisht më e favorshme, nuk do të ishin lejuar bisedimet me Serbinë, nuk do të ishte lejuar servilizmi aq i tepruar ndaj Brukselit, por do të kishte ndërtuar me kohë një identitet i mirëfilltë shteformues me një diplomaci të matur, të arsimuar dhe të orientuar në radhë të parë mbi interesin e Kosovës, në veçanti dhe interesin gjithë-shqiptar në Ballkan, në përgjithësi.
Gjithsesi mendoj se po të ishin bërë pjesë e PDK-së prej fillimit, Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ramush Haradinaj, Rexhep Selimi, Albin Kurti, e disa kuadro të tjerë me ndikim, Kosova do të kishte përfituar shumë më tepër dhe nuk do të përballeshim me diversionet, jo vetëm politike të Serbisë dhe përkrahësve të saj në BE e gjetkë. Me një politikë përjashtuese, me injorimin që iu është bërë dhe iu bëhet kuadrove të dëshmuar të kombit, të luftës dhe të paqes, PDK-ja po gremiset. Ajo nuk i shpëton dot përçarjes, aq më tepër kur kreu i BE-së në Bruksel, pas përmbylljes së bisedimeve me Serbinë, nuk do të ketë më interesim për të bashkëpunuar me Thaçin e Daçiqin, të cilëve edhe mund t’ua hapë dosjet e kohës së luftës, pavarësisht shërbimeve që të dy i kanë bërë Brukselit dhe nga të cilat ka fituar Serbia shumë më tepër se sa ka menduar dhe qindfish më shumë sesa ka merituar.
Tani është koha kur PDK-ja nuk mund të riparohet edhe për faktin se kjo parti nuk ka, ose nuk po gjen forcë morale as kombëtare për ta kundërshtuar EULEX-in, për ta stopuar ndjekjen e eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së, por si duket nuk ka as gatishmëri në këtë drejtim. Si e tillë, ajo nuk pret më ditë të mira, meqë sulmi i fundit i EULEX-it kundër kreut të luftës, paralajmërimi për fillimin e ndjekjeve edhe të shumë kuadrove të tjera të ish UÇK-së, është dhurata e fundit që BE-ja do t’i japë Hashim Thaçit për bashkëpunim të suksesshëm dhe për nxjerrjen e Serbisë nga bataku i krimeve një shekullore në një bashkëbiseduese të moderuar me shqiptarët, viktima 100-vjeçare të regjimeve serbe e ruse në Ballkan.
PDK-ja aktualisht
Partia Demokratike e Kosovës, në Konventën e fundit arriti kulmin e delirit, kulmin e protagonizmit të improvizuar, vetëkënaqësisë, dehjes dhe rrugës, që i ka quar drejt fundosjes të gjitha partitë e tilla unitariste në brendi e demokratike në formë. Konventa e fundit e PDK-së ishte një përpjekje për të improvizuar kulminacionin, ndërkohë që paraprakisht ishte margjinalizuar, sharë e përbuzur, sekretari i Përgjithshëm i saj, kryekunevdari, Jakup Krasniqi dhe ndodhej në arrest nga EULEX-i, Fatmir Limaj, nënkryetari i parë i Partisë. Në kushte dhe rrethana të tilla, delirantët e PDK-së, manifestonin fitoren, forcën virulente dhe vetëkënaqësinë, që edhe vizuelisht shënonte pikën kulmuese, nga e cila filloi degdisja, plasat e pariparueshme dhe tanimë përçarja, po ashtu e pariparueshme.
PDK-ja tashmë ka sforcuar kultin e individit, kultin e kryetarit “të pagabueshëm”, i cili vendos për Partinë dhe Qeverinë, për bisedimet me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së dhe për të gjitha proceset që kanë të bëjnë me fatin dhe ardhmërinë e vendit. Thaçi ka vepruar krejtësisht sikur Sali Berisha, duke u kursyer nga retorika e ashpër, kërcënuese dhe banale e mësuesit të tij. Ai, në këtë drejtim ka treguar aftësi për të eliminuar kundërshtarët, për t’i margjinalizuar ata, (tashmë ka margjinalizuar edhe bashkëpunëtorin më të ngushtë, Kadri Veselin), ka treguar aftësi të jashtëzakonshme për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, madje mu në maje, ka shfaqur poltronizëm për t’ iu nënshtruar çdo autoriteti ndërkombëtar (të cilin besoj se do ta bënin shumica dërrmuese e kryetarëve të pesë partive politike të vendit, me përjashtim të Vetëvendosjes), është shërbyer e po shërbehet me një retorikë tipike komuniste, e cila nuk pranon asnjë gabim, nuk pranon asnjë të metë, nuk pranon asnjë vizion tjetër, as një mundësi tjetër veprimi apo logjikimi. Me një homogjenizim të tillë, udhëhequr nga një mendësi tipike autoritare, Thaçi ka ushtruar dhe po ushtron autoritet të pakontestueshëm në Parti, e cila nuk është më ajo që ka qenë dhe nuk është as përafërsisht monolite në brendi, sikur paraqitet në formën e saj të jashtme. Ky autoritet i pakontestueshëm i Hashim Thaçit është sforcuar edhe nga mbështetja e pa rezervë që i ka dhënë Brukseli zyrtar, ambasada amerikane e sidomos ajo franceze, Turqia dhe disa vende të Evropës. Kjo mbështetje ndërkombëtare Thaçin e mban në krye të Piramidës, deri në momentin kur Brukseli kryen “obligimet” e veta ndaj Serbisë, për ta larë mëkatin e bombardimit në vitin 1999 dhe derisa konsideron se Thaçi nuk i nevojitet më. Pastaj fillon akti tjetër, akti i fundit, i rrokullisjes drejt ambisit.
Të gjithë në Kosovë e dinë se dy ndër autoritetet më të larta dhe më me influencë të PDK-së, me klanet e tyre, nuk janë më pjesë e PDK-së, por janë shkizma e saj e madhe. Realisht, ish-sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi, në postin e kryetarit të Kuvendit ndodhet jo si kandidat i pavarur, sikur edhe paraqitet, por si pjesë e koalicionit, që ka shumicën në Kuvend. Ai e di mirë këtë, por e di po ashtu se nuk ka çka humb më shumë edhe po të detyrohet të largohet. Thaçi mund ta ndërrojë atë nga posti, por nuk e bën dot, sepse me largimin e tij, mund të largohen edhe tre katër deputetë dhe kjo vë në pikëpyetje koalicionin, i cili po mbahet me shumë paterica.
PDK-ja nuk është më sikur ka qenë në kohën kur mbretëronte treshi i fuqishëm: Limaj, Thaçi, Krasniqi. Tani në PDK është tejfuqizuar klani i Pejës me Hajredin Kuçin, Xhavit Halitin, Adem Grabovcin, Agim Çekun, edhe pse asnjëri prej këtyre zyrtarëve të lartë e “meritorë” të PDK-së, nuk begenisi të ndalet në Pejë dhe konkurrojë për kryetar të komunës. PDK-ja nuk është më parti e krahut të luftës sikur ishte identifikuar me rastin e themelimit. Nuk është parti e djathtë e qendrës sikur pretendon, por realisht është parti e majtë e qendrës, e njëjtë me Partinë Socialiste të Edi Ramës dhe në këtë segment nuk ka asgjë të keqe, përveç frikës naive për ta pranuar pa asnjë paragjykim realitetin. Pavarësisht të gjithave, pavarësisht se na pëlqen apo jo, pavarësisht tronditjeve e plasaritjeve për brenda, PDK-ja ende po mbetet forca politike numër një në Kosovë, meqë në tërësinë e saj, ajo ka edhe shumë kuadro të aftë, të zhdërvjellët, kryesisht të rinj, “tereq” të fortë dhe të fuqizuar ekonomikisht, me të cilët nuk shtyhet dot, Jakup Krasniqi, Isa Mustafa, Behxhet Pacolli, po as Ramush Haradinaj e Albin Kurti. PDK-ja, deshëm apo nuk deshëm, na pëlqeu apo nuk na pëlqeu, edhe për një kohë do të mbetet një fuqi politike, pa të cilën nuk bën dot Kosova. Shkizma, megjithatë ka filluar. Një ditë edhe PDK-ja do të jetë ndryshe, ashtu sikur të gjitha partitë politike, të cilat kanë baticat dhe zbaticat e tyre, të cilat kanë kohën e ngritjes së ngadalshme dhe rënies së shpejtë.

– Autori është drejtor i Radios Kosova e Lirë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura