REXHEP KASUMAJ: ËNDJE BOJHIRI … (Përpjekje letrare)

Berlin, 14 korrik 2018: Na erdhi sërish shiu. I prâjtë, i përhimtë e vjeshtor. Pa shtëllunga résh që, në pakt me diellin, dynden në horizont…
Është betejë e hershme mes tyre: për të ledhatuar a zymtuar fate, për të gëzuar lule a, në përbetim me erën, për të rrëzuar gjethnajë në vdekjen e baltës profane. E thuase thotë: kam orën time për të mbyllur qiellin. As këmbanat e lutjeve nuk do mbërrijnë të çajnë pëlhurën që nderet e errtë e pa shteg në pushtetin e hirësisë sime.

Por, ah ky s’është veç një trill kotnar i tyre: ré të vrugëta e shi i currilshëm. Sepse njeriu e do këtë errësinë mbi mëngjeset e tij. Beson të ketë prapa perdes një prehës ëndrrash, një parzmues dhimbjesh, një pranimtar mëkatesh…
Ndërkaq, kur syprina e kaltër duket aq e zbrazët në pafundësinë e pashpresë, ai lëbyret, meket e humbet në rravgimet e jetës së poshtme. As hëna s’i vjen dëshmitare e përbetimeve kundër shpirtësisë. I ndrinë kot e n’heshtje cinike, rrugicat, gropat, rrëzomat e tij.
Ndaj dhe, i bekuar qiell gri e i bukur shi, ejani e prapë ejani: në zemrën time ju pret përherë një strehë e përkorë e besnike…

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura