DILAVER GOXHAJ: KU, KUR DHE NGA KUSH ËSHTË MARRË VENDIMI PËR GJYKATËN SPECIALE?!

Tiranë, 03. 07. 2015 – Për mosmiratimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së nga Kuvendi i Kosovës, në datën 26 Qershor 2015, ka një javë që zhvillohen debate “pro” dhe “kundër” në të gjitha mediet në Kosovë. I gjithë debati është përqëndruar kryesisht në diskutimet: “Për” apo “kundër” Perëndimit? Do jetë ndërkombëtare, apo veç kosovare? E kanë kërkuar qarqet antishqiptare në Evropë, apo Rusia? U kemi dhënë fjalën pratnerëve ndërkombëtarë apo po tradhëtojmë Amerikën? Është tentuar me u kriju në vitin 2003 apo menjëherë pas formimit të institucioneve të reja? Si shpjegohet që Hashimi dhe gjithë ish-Drejtoria Politike janë për Gjykatën Speciale? E plotë dilema të tjera. Me një fjalë, po ndodh si në përrallën e kungulleshkës.
Mirëpo harrojmë që çdo gjë ndodh në kohë e hapësirë. Harrojmë që çdo ngjarje ka një datë dhe një vend ku ka ndodhur. Harrojmë që çdo ngjarje rrjedh nga një ngjarje e mëparshme. Kështu ka ndodhur edhe me Gjykatën Speciale: duhet të ketë ndodhur një ngjarje e madhe e cila kërkon patjetër krijimin e Gjykatës Speciale. Gjë që e bën ngritjen e kësaj gjykate diçka shumë të madhe. Duke qenë ngjarje shumë e madhe edhe pasojat e saj do të jenë shumë të mëdha.
Duke i ndjekur me radhë ngjarjet që kanë lidhje me objektin e kësaj Gjykate, është e thjeshtë të përcaktohet se kur është marrë vendime për krijimin e saj. Dhe duke e kthyer “orën” e kujtesës mbapsht gjendet se: vendimi për ngritjen e Gjykatës Ndërkombëtate kundër UÇK-së është marrë vullnetarisht në datën 18 Mars 1999, në Rambuje, e pranuar unanimisht nga përfaqësuesit e Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Azem Syla, Xhavit Haliti (UÇK); Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Edita Tahiri, Bujar Bukoshi, Idriz Ajeti (LDK); Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi, Mehmet Hajrizi (LBD); Blerim Shala, Veton Surroi, të këshilluar nga specialisti ushtarak, z.Agim Çeku, të cilin e morën me vete dhe, porsa arritën në Kosovë, e emëruan Shef të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Sikundër shihet, Kosova drejtohet nga ata që pranuan vullnetarisht mundjen dhe që kanë gjithçka, të cilat i fituan nën emërin e UÇK-së, të shpallur prej tyre të mundur. Jo më kot thonë se djalli, politikanët dhe jezuitët jetojnë mirë e gjatë nga që njerëzit besojnë në ta.

Dhe konkretisht ai vendim gjendet në atë që quhet: “Marrëveshja e Përkohëshme e Rambujesë për Paqe dhe Vetëqeverisje në Kosovë”, kreu “Korniza”, Nenin II, nënçështja: “Arrestimi i luftëtarëve dhe çështja juridike”, paragrafi Nr.13, pika “a”. Në të, midis të tjerave, shkruhet e zeza mbi të bardhë: “palët të bashkpunojnë plotësishtë me Gjyqin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës duke përfshirë zbatimin e kërkesave të Gjyqit dhe ndihmesën rreth hulumtimeve.” Dhe më hollësishtë shpjegohen në Nenin V të asaj Marrëveshjeje: “Gjyqësia”. Derisa kjo Gjykatë është pranuar vullnetarisht nga vetë udhëheqja politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë, bazuar në Konventën e Kopenhagës 1988, Kosova është e detyruar ta zbatojë funksionimin e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, duke qenë se ky vendim është marrë vullnetarisht në praninë e Fuqive të Mëdha, në 18 mars 1999 në Rambuje, posaçërisht edhe kundër UÇK-së, është më se e qartë se kjo Gjykatë Speciale nuk ngrihet “për individë të inkriminuar”, sikundër kërkojnë të na bindin, por është dënimi me vdekje i UÇK-së, ngaqë “na shqetësoi kot së koti bashkësinë ndërkombëtare”. Tashti pas 16 vjetësh si është marrë ai vendim, me të drejtë që të jesh kundër dënimit me vdekje, është shembulli më i mirë kundër atij absurditeti. Ndaj me të drejtë opozita dhe disa deputetë të PDK e kundërshtuan me forcë në 26 qershor 2015.
Paradoksi qëndron në faktin se atë nënshkrim të datës 18 mars 1999 e mbështetëm të gjithë ne, edhe pse ishte një çoroditje politike. E pëlqyem të gjithë atë çoroditje pasi e shikonim nga para dhe, kur çoroditjet i sheh nga para duken tërheqëse, – thotë Viktor Hygo -, por po i pe nga prapa duken të liga e të shëmtuara. I vetmi që e pa atë çoroditje politike nga prapa ishte z.Adem Demaçi, i cili thirri si dikur Laokonti i Trojës: “Mos e pëlqeni, është e ligë”. Ai na tha ashtu ngaqë dihet se e liga asnjëherë nuk është bërë në emër të të mirave. Na u deshën 16 vjet që ta shihnim nga prapa e të bindemi se ajo marrëveshje ishte e shëmtuar dhe e ligë, por s’na pëlqen ta themi se nuk jemi të ndershëm. Gjë që tregon se të gjithë ne si popull jemi të paktën 16 vjet prapa z.Adem Demaçi. Edhe Demaçi, ngaqë foli si Laokonti, e pësoi si ai. Mbase Kosova ka fat e nuk e pëson si Troja…, 3000 vjet nën Serbi.
Dihet që në analizë kanë rëndësi hollësitë. Po përmend një të tillë. Ata qytetarë dhe parlamentarë që kanë qenë të vemendshëm duke ndjekur punimet e asaj seance plenare të datës 26 qershor 2015, duhet ta kenë kuptuar se kjo Gjykatë e ka fillesën në Rambuje, në momentin kur z.Albin Kurti, gjatë debatit nga vendi me z.Hashim Thaçi, i tha: “Rambujeja dështoi.” Dhe heshti. Nuk e di pse nuk e shpjegoi më tej. Ndërsa Hashimi iu largua asaj replike si djalli nga thimjani.
Ç’donte të thoshte Albini me këto dy fjalët: “Rambujeja dështoi”? Po, po, dështoi. Dështoi sepse Mbledhja Ndërkombëtare e Rambujesë u organizua që “të çarmatoste UÇK-në, ta mbante Kosovën brenda Jugosllavisë dhe do t’i jepte mundësi ushtrisë së saj të vazhdonte të patrullonte kufirin.”, sikundër e pohon vetë zonja Medlin Ollbrajt në librin e saj, f.464, gjë që nuk ndodhi ashtu.
Si ta kuptojmë këtë?
Kush ka dy pare mend e kupton. Nëse delegacioni i Serbisë do të kish nënshkruar atë Marrëveshje në Rambuje, hapi i parë do të ishte: UÇK-ja të braktiste malet, të vihej në rresht si ushtri e mundur, të dorëzonte armët me turp dhe t’i nënshtrohej qysh atëherë Gjykatës Speciale që kërkohet të ngrihet sot. Prandaj z.Albin i tha z. Thaçi: “Rambujeja dështoi”, me nëntekstin: ndaj dhe kjo Gjykatë duhet të quhet e dështuar.
Nëse serbët do ta kishin nënshkruar atë Marrëveshje, UÇK-ja do të kapej mat në befasi, dhe me siguri që nuk do ta pranonte kurrësesi një çarmatim dhe gjykim të tillë në ato momente kur, si rrjedhojë e sukseseve ushtarake kish kaluar edhe në suksese politike, (kish kapur robë 8 ushtarë serbë dhe i pat ndëruar me 9 luftëtarë tanët të kapur prej serbëve rob), duke u njohur në këtë mënyrë edhe nga vetë Serbia si ushtri e barabartë ne ushtrinë e saj. Nëse serbët do të kishin nënshkruar si dhe ne atë Marrëveshje, në datën 18 Mars 1999, UÇK-së do t’i jepej paralajmërim nga të gjitha Fuqitë e Mëdha pjesmarrëse në Rambuje si dhe nga NATO-ja që të dorëzohej, duke i caktuar edhe një kohë pesë ditore, sikundër iu caktua Millosheviçit ngaqë “Rambujeja dështoi”. Ky ultimatum do t’i jepej UÇK-së ngaqë vetë udhëheqja e saj politike kish nënshkruar vullnetarisht kapitullimin pa kushte, me përjashtim vetëm të z. Demaçi, i cili për këtë arsye pat dhënë dorëheqjen si Përfaqësues Politik i saj. UÇK-ja detyrimisht që nuk do të tërhiqej në atë mënyrë, sepse nuk do të shikohej me kënaqësi dhe as nuk do të ngjallte nderim në popull; si e tillë do ta ndjente veten të poshtëruar e të përulur. Kështu që ajo me siguri që nuk do ta zbatonte ultimatumin e NATO-s. Atëherë në datën 24 Mars 1999 aviacioni i NATO-s do të ndryshonte shënjestrat, do të godiste vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Por tashmë jo e vetme. Bashkë me aviacionin e NATO-s do të lejohej të godiste nga ajri edhe aviacioni luftarak i Serbisë.
Po e ritheksoj: kjo do të ndodhte nëse Millosheviçi do të kish urdhëruar delegacionin e vet që ta nënshkruanin Marrëveshjen në Rambuje. Të gjithë ata që e kanë mësuar atë çka tregon znj. Ollbrajt për Marrëveshjen e Rambujesë, shtrojnë pyetjen: Si mund të shpjegohet që Millosheviçi e kish të qartë atë çka thotë zonja Ollbrajt dhe nuk e dha urdhërin që të nënshkruhej ajo Marrëveshje prej delegacionit të tij?! Le t’ia lëmë arkivave, historisë dhe historianëve përgjigjen e kësaj pyetjeje.
Ngaqë e vërteta është e tillë, prandaj dhe ish-anëtarët e Drejtorisë Politike dhe Shefi i Shtabit të UÇK-së nuk reagojnë sot kundër asaj Gjykate Speciale, me përjashtim të z.Jakup Krasniqi, i cili, me sa po duket, e kuptoi fajin porsa u kthyen nga Franca, ndaj dhe qëndroi në Tiranë dhe nuk erdhi në Kosovë, sepse i dukej sikur çdo gur e lis në Kosovë do t’i thoshte: “Edhe ty Jakup?!” Kjo është edhe arsyeja pse z.Jakup ka dalë sot me forcë kundër asaj Gjykate.
Meqenëse mosnënshkrimi i Marrëveshjes në Rambuje nga pala serbe bëri të mundur mosnxjerrjen e atëhershme të UÇK-së para Gjykatës së Posaçme Ndërkompëtare, sot edhe sikur Amerika të mos jetë dakort, nuk e lënë rehat Fuqitë e Tjera të Mëdha me në krye Rusinë, përmes Këshillit të Sigurimit. Bazuar në Marrëveshjen që është nënshkruar vullnetarisht nga në në Rambuje, Gjykata Speciale, nuk ka detyrë tjetër veçse të bëjë të mundur qëllimin për të cilën është pranuar në Rambuje: që fajësia të jetë e njëjtë si për Serbinë edhe për UÇK-në. Dhe i është dhënë afat 10 vjeçar, me besimin se gjatë kësaj periudhe do të dalë “e vërteta” se lufta jonë “ishte e kotë” dhe, si rrjedhojë, do të bjerë urrejtja e ndërsjelltë midis Kosovës e Serbisë, me shpresë që të arrihet në atë çka pas për qëllim organizmi me urgjencë i Mbledhjes Ndërkombëtare në Rambuje.
Përfundimisht mund të themi se, deputetët opozitarë që folën dhe argumentuan mosmiratimin e kësaj lloj Gjykate, të pranuar në Rambuje, tregon se e kanë lexuar dhe e kanë kuptuar qëllimin e saj. Por, me gjithatë, Gjykata Speciale ka shumë gjasa të krijohet: së pari, ngaqë ajo është e tashmja e historisë së Rambujesë, histori që ende ndërkombëtarët e quajnë të pambaruar; së dyti, lufta kundër UÇK-së është shndërruar në një lloj epidemie e borgjezisë politike europiane si rrjedhojë e frikës së ndjenjës se po nuk u ndëshkua UÇK-ja inkurajohet separatizmi në vendet e tjera; së treti, ngaqë palët kundërshtare në Kuvendin e Kosovës kanë si objektiv t’i bëjnë Ferrin njëra-tjetrës, gjë që ka gjasa se nuk do të kenë përputhje mendimesh e zgjidhjesh; dhe, së katërti, kemi të bëjmë me një drejtësi shumë të lartë, e cila na kujton thënien e famshme të Ciceronit: “Drejtësia më e lartë është padrejtësia më e madhe”.
Urojmë dhe shpresojmë që palët politike në Kosovë të lënë mënjanë interesat partiake dhe ato individuale të drejtuesve të tyre dhe të mbrojnë nderin e Kosovës dhe të luftës së saj. Vetëm në këtë mënyrë ato forca politike do të korigjojnë atë çfarë nuk duhej të kishin bërë në Rambuje.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura