REXHEP KASUMAJ: FARE E LIGË…

Berlin, 29. 11. 2016: Ndërsa në zemrën time gëlonte gëzimi fisnik për Kremten e shtrenjtë, një pyetje e hidhur, ndonëse e spostuar për një gjasë tjetër, përpiqej të çante rrethim. E pasprasme, ajo megjithatë, mori formën e saj: athua do tu vente mëndja Korifenjëve të Pavarsisë se, pas njëqind e sa vjetësh, trualli shqiptar do mbetej ende i grimcuar? “Na coptoi Europa, por djemtë do të dijnë ti kërkojnë një ditë livadhet e veta”, i thoshte Plaku i Flamurit poetit e mikut Ali Asllani. Disa, njëmend, do arrinin të kthenin diçka nga copat e grabitura, ndërkohë që të tjerë nuk do i kërkonin fare. Ata që, të ndihur nga armët vendimtare të aleatëve, i rimorën pjesërisht, për ironinë e fatit, i mbajnë për vete. I kullotin, gërryejnë e zgavrojnë me pejzit e vdekjes, si hijena të frikshme në shkallën dhe mënyrën e zezë që zgjojnë padashje mallin e kohëve të ikura…
“Si babai, ashtu edhe mësuesi, prifti, klasa shoqërore, princi, shohin në çdo qenie njerëzore një rast për zotërime të reja”!
Ndoshta kjo është natyra e njeriut. Sidomos e atij të pajisur fuqie politike. E ligë. Posesive. Çoroditëse.
Por sërish disa eksperienca të botës së lirë që kanë absolvuar, tashmë, kulturën e lirisë, sikur i bëjnë vërejtje mendimtarit të madh.

Dhe kjo është një dritë fanari në furtunë që dridhet e nuk shuhet. Por ja që Niçe akoma gjen provë saktësie dhe e gjen, mjerisht, ndër shqiptarë.
Ndaj dhe, megjithëse nuk e kanë lexuar atë, meqë librat i blejnë prorë me metër, sipas gjeometrisë së orendive dhe simetrisë provinciale – prapë rast më pjellak s’mund ta imagjinojë fantazia njerëzore. As e Friedrich-ut, poashtu. Oligarkët primitivë të Kosovës, kanë jo vetëm një qenie, jo vetëm “livadhet e vjedhura”, por një shtet dhe një popull të tërë për ta zotëruar.
Dhe e zotërojnë, vërtetë, kapërdishëm, e kjo domethënë plotësisht. Pastaj ballëlartë, se thonë të jenë çlirimtarë! Dhe, së fundmi, egërsisht, sepse bërtasin në kupë të qiellit: ne jemi pronarët tuaj!
O Ju Burra të Indipendencës e Lirisë dhe ju shpirtëra të djegur të Përvujtnisë. Kjo tokë do ta firojë dhe këtë farë të ligë dhe aherë, vetëm aherë do të gjeni prehjen e amshuar.
Nuk është ky veç dëshirim, shpresë e brishtë. Është urdhër i kohës. I dialektikës fuqimtare të saj…
P. S. Këtë skicë, s’di pse, e shkrova dje. Por, për pietet të thellë ndaj Ditës së Flamurit, nuk më bëri zemra ta editoj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura