Berlin, 26 Maj 2020: (Nga Notesi)
1.Shmagjepsje trishte…
Tek latonte pejsazhin e humbjes së Hagia Sophisë në Kostandinopojë, Edmond de Amiçis flet diku për “popullin e zhburrnuar” të Justinianit.
Pagëzimorja e spërkatur me gjakun sulltanor dhe shandanët e përlotur me qëndisma përreth, do të jepnin në qindvjetët e ardhmë mallëngjimin e lavdisë së shuar.
Kjo, natyrisht, ishte një disfatë armëtarësh, por sërish, kje “populli i zhburrnuar” që do vdiste Bazilikën dhe, madje, kujtesën e saj, më shumë se vetë gjaku pushtues a dora mjeshtërore e arkitekt Sinanit.
Mirëpo, në vende të tjerë e kohë të vona, për paradoks, tretja e virtytit – ky “zhburrnim popullor” ndodh nga një arsye e kundërt: jo nga armët e pushtimit, por në orën e çlirimit dhe, përshfaq, ashtu, anën më trishte të tij. Një popull që magjepset njëmijë vjet me idenë, me ëndrrën e bukur të lirisë, beftas, kur dielli beh në oborret plot terr, pëson në heshtje zhgënjimin e thellë. Është Rendi i horrave që shkakton thyerjen dhe krijon klasën e të mundurëve të saj. Dhe pastaj, në sferën e epërme ngjizet ngadalë alkimia negative: shmagjepsja me të m’një cikël të lodhshëm historie…
Të historisë që nuk i rezervon fatësi askujt, aq më pak atyre që kurrë s’patën epokë të artë në jetëshkrimin e vet kolektiv!
2. Populli pëshpëritës
Shekspiri thoshte se në teatër ndodh të fillosh si aktor i parë, të vijosh si dytësor dhe të përfundosh pëshpëritës…
Fajmëdhenjtë, rëndom, priren t’mos ngrejnë dorë kundër fronit që gëzojnë. Duan fuqi supreme me çdo kusht e çmim (dhunë, mashtrim, vjedhje, vrasje, mitosje të rolcaktuesit…). Kurse të tjerët poshtë tyre, për pasojë, përligjin n’heshtje këtë statu-quo të përhershmërisë. Pa zë e dukje, ata kanë mbaruar, tashmë, në pëshpëritës mbi fatkeqësinë së vet.
Sa rëndë vetëm t’a përftyrosh për një çast këtë dramë: një popull i tërë i shndërruar në pëshpëritës! Ankesë fshehatare pa akuzë dhe besim i shformuar pa etikë – kjo është vuajtja, nëma e panjohur, në pritje mjegullnajash që vijnë nga larg!..
3. “Ndërgjegje e dhjamosur”
“Kur Krezi të kalojë lumin Halis, do të shkatërrohet një mbretëri”.
Kjo ishte përgjigja që i dhanë priftërinjtë e Delfit sovranit të Lidisë në lutjen për profeci: si do të ftillohej e përfundonte beteja me persët flokëgjatë. Dhe ai u gëzua shumë e mori krahë. Por do të deshpërohej shpejt më pas. Nuk ishte e armikut, por mbretëria e tij që do të shkatërrohej!
Shenjat e kryepriftëreshës që shkumonte si e goditur hënëmarrokshëm tek jepte mesazhin fatthënës, interpretët i përçonin dinakërisht në mënyrë sugjestive: që ashtu të dilte prorë fjala e saj…
Ç’ishte rëndësore, prandaj, e parathënmja do të realizohej plotësisht dhe orakulli do vijonte të mbështillej me hirin e mistershëm…
Një “mbretëri”, tani do rrëzohet: ose myshku vjetran i kohës së hargjuar, ose, ndoshta, ajo që paralajmëron një fill të ri?!..
Ç’shënja dërgon Qielli?
Dhe si do t’a kap sensi kolektiv kumtin e epokës? Kur të heqësh dorë nga lufta, ke hequr dorë nga jeta e madhe…Dhe asgjë, do të pohonte Niçe në vend të përgjigjes, nuk është aq pak objekt i zilisë sonë sesa kopeja morale dhe lumturia e dhjamosur e ndërgjegjes së qetë!
Njëmend, a nuk thërret koha për jetë të madhe?..
Postime të Lidhura
SKËNDER SADRI KAPITI: ARSYET PSE FITOI VETËVENDOSJA DHE ALBIN KURTI
Durrës, 11 tetor 2019: Arsyet pse doli A.Kurti dhe Levizja “VETËVENDOSJE” si forcë e parë politike në Kosovë…
SKËNDER SADRI KAPITI: FEDERICA MOGHERINI …
Durrës, 16 shkurt 2019. Federika Mogherini të shpallet person “non grata “në Kosovë, pasi ajo duke shpërdoruar rëndë…
Përparim Demi: Morali i zbatimit / shkeljes së ligjit
Bukuresh, 4 prill 2020: Kundravajtësit e ligjit përdorin shprehjen se ligji bëhet për tu shkelur. Kjo shaka mund…
PËRPARIM DEMI: MORALI I NDJENJAVE TË NDALUARA!
Bukuresht, 21. 03. 2014 – Si çdo njëriu që arrin në moshën time, kur flitet për dashurinë më…