Berlin, 26 Maj 2020: (Nga Notesi)
1.Shmagjepsje trishte…
Tek latonte pejsazhin e humbjes së Hagia Sophisë në Kostandinopojë, Edmond de Amiçis flet diku për “popullin e zhburrnuar” të Justinianit.
Pagëzimorja e spërkatur me gjakun sulltanor dhe shandanët e përlotur me qëndisma përreth, do të jepnin në qindvjetët e ardhmë mallëngjimin e lavdisë së shuar.
Kjo, natyrisht, ishte një disfatë armëtarësh, por sërish, kje “populli i zhburrnuar” që do vdiste Bazilikën dhe, madje, kujtesën e saj, më shumë se vetë gjaku pushtues a dora mjeshtërore e arkitekt Sinanit.
Mirëpo, në vende të tjerë e kohë të vona, për paradoks, tretja e virtytit – ky “zhburrnim popullor” ndodh nga një arsye e kundërt: jo nga armët e pushtimit, por në orën e çlirimit dhe, përshfaq, ashtu, anën më trishte të tij. Një popull që magjepset njëmijë vjet me idenë, me ëndrrën e bukur të lirisë, beftas, kur dielli beh në oborret plot terr, pëson në heshtje zhgënjimin e thellë. Është Rendi i horrave që shkakton thyerjen dhe krijon klasën e të mundurëve të saj. Dhe pastaj, në sferën e epërme ngjizet ngadalë alkimia negative: shmagjepsja me të m’një cikël të lodhshëm historie…
Të historisë që nuk i rezervon fatësi askujt, aq më pak atyre që kurrë s’patën epokë të artë në jetëshkrimin e vet kolektiv!
2. Populli pëshpëritës
Shekspiri thoshte se në teatër ndodh të fillosh si aktor i parë, të vijosh si dytësor dhe të përfundosh pëshpëritës…
Fajmëdhenjtë, rëndom, priren t’mos ngrejnë dorë kundër fronit që gëzojnë. Duan fuqi supreme me çdo kusht e çmim (dhunë, mashtrim, vjedhje, vrasje, mitosje të rolcaktuesit…). Kurse të tjerët poshtë tyre, për pasojë, përligjin n’heshtje këtë statu-quo të përhershmërisë. Pa zë e dukje, ata kanë mbaruar, tashmë, në pëshpëritës mbi fatkeqësinë së vet.
Sa rëndë vetëm t’a përftyrosh për një çast këtë dramë: një popull i tërë i shndërruar në pëshpëritës! Ankesë fshehatare pa akuzë dhe besim i shformuar pa etikë – kjo është vuajtja, nëma e panjohur, në pritje mjegullnajash që vijnë nga larg!..
3. “Ndërgjegje e dhjamosur”
“Kur Krezi të kalojë lumin Halis, do të shkatërrohet një mbretëri”.
Kjo ishte përgjigja që i dhanë priftërinjtë e Delfit sovranit të Lidisë në lutjen për profeci: si do të ftillohej e përfundonte beteja me persët flokëgjatë. Dhe ai u gëzua shumë e mori krahë. Por do të deshpërohej shpejt më pas. Nuk ishte e armikut, por mbretëria e tij që do të shkatërrohej!
Shenjat e kryepriftëreshës që shkumonte si e goditur hënëmarrokshëm tek jepte mesazhin fatthënës, interpretët i përçonin dinakërisht në mënyrë sugjestive: që ashtu të dilte prorë fjala e saj…
Ç’ishte rëndësore, prandaj, e parathënmja do të realizohej plotësisht dhe orakulli do vijonte të mbështillej me hirin e mistershëm…
Një “mbretëri”, tani do rrëzohet: ose myshku vjetran i kohës së hargjuar, ose, ndoshta, ajo që paralajmëron një fill të ri?!..
Ç’shënja dërgon Qielli?
Dhe si do t’a kap sensi kolektiv kumtin e epokës? Kur të heqësh dorë nga lufta, ke hequr dorë nga jeta e madhe…Dhe asgjë, do të pohonte Niçe në vend të përgjigjes, nuk është aq pak objekt i zilisë sonë sesa kopeja morale dhe lumturia e dhjamosur e ndërgjegjes së qetë!
Njëmend, a nuk thërret koha për jetë të madhe?..
Postime të Lidhura
CORONA SI GOGOL GLOBAL NGADALË PO ZBRET NË GRIP SEZONAL!
CORONA SI GOGOL GLOBAL NGADALË PO ZBRET NË GRIP SEZONAL! Nga Sheradin Berisha, Facebook 22.01.2022 – Pashtriku 22.01.2023…
DR.JAKUP KRASNIQI: A JEMI RASTËSISHT KËTU KU JEMI?!
Prishtinë, 21. 09. 2015: Ndoshta për shkakun se shumëkush nuk po sheh dritë-shprese në fund të tunelit, nga…
BEJTUSH ISUFI: SHTETI DHE PARTIA!
Prishtinë, 25 shtator 2017: Kur do ti ndajmë ato që nuk mund të bashkohen dhe kur do të…
MAKTHI I FUQISË…
MAKTHI I FUQISË… (“Arcana imperii” për prerjen e Ballkanit) Nga Rexhep Kasumaj, Berlin- Maj 2022 1. Kronikë Menelau…