PROF.ISMET JONUZI – KROSI:”ME VDEK PËR ATDHE, ËSHTË E NJËJTË SIKUR ME LE…”

Tetovë, 21. 04. 2016: (Në shenjë përkujtimi me rastin e 17 Vjetorin të zhdukjes së atdhetarit Alishefik Ismajl Sapahiu nga Tetova) – Alishefik Ismail Spahiu, lindi më 18 Gusht 1935 në Tetovë ku kreu shkollën fillore e të mesmen, kurse studimet i mbaroi në 1968 në Fakultetin e Drejtësisë ne Shkup. Alishefiku ishte njëri prej katër djemve të Ismail Ejup Spahiut. Ismaili kishte edhe vëllain e vetëm Hysenin i cili gjithashtu i dha kombit shqiptarë një mëndje tjetër të ndritur – politikanin Arben Xhaferin.
Kjo familje me mbiemra të ndryshëm që i kanë ndërruar nga presionet e pushtetit, rrjedh nga trungu i familjes së Islam Spahiut i cili ne krahinën e Lumes njihej si Baba Lami dhe shquhej për nga aktivitetet politike dhe udhëheqje të malësoreve të Lumës në luftime kundër gjeneralëve turq dhe hapjen e shkollës së parë shqipe në Lumë nga i biri i Islamit – Riza Spahiut. Familja e Alishefikut që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte në shënjestër të qarqeve shoviniste maqedonase, e më vonë edhe nga pushteti komunist maqedon. I ati i tij, Ismaili, është simboli i Flamurit Kombëtar të demonstratave të 1968 dhe njëherit edhe anëtar e nismëtar aktiv i Organizatës Ilegale Politike Kombëtare BESA, dega Tetovë, që veproi nga 1935 deri më 19.11.1944. Ismaili, për rezistencë kundër sundimit të egër serbo-maqedon dhe për kundërshtimin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, burgoset më gjithë burrat e tjerë të familjes. Ende në kujtesën e tetovarëve mbahet mend atdhetari dhe njeriu i devotshëm Ismaili, i njohur me nofkën Ismail Terziu. Në dyqanin e tij në Tetovë, për herë të parë që nga Lufta e Dytë, valoi flamuri shqiptar më 1968.

ALISHEFIK ISMAIL SPAHIU (18.08.1935-20.04.1999)

Alishefiku u shqua që në ditët e rinisë si njeri sy patrembur ndaj sundimit të egër të komunizmit jugosllav, i frymëzuar dhe edukuar për kauzën kombëtare dhe gjithmonë ishte i pari aty ku mbroheshin të drejtat e shqiptarëve. Edhe pse i përndjekur nga shërbimet sekrete të komunizmit, ky atdhetar kurrë nuk nënshtrohej e as dorëzohej, por ishte shembull dhe frymëzues i denjë edhe për të tjerët.
Pasi mbaroi studimet me shumë peripeci dhe ndërkëmbëza të komunizmit, u punësua fillimisht në fabrikën e atëhershme Jedinstvo (fabrikë e tekstilit në Tetovë), ku pa i bëri as dy vjet e lëshoi vendin e punës duke mos u gjunjëzuar nga kurthet e shërbimeve të UDB-së famëkeqe.
Në demonstratat e 1968, e hasim Alishefikun në ballë të demonstruesve, pasi siç dihet në punëtorinë e prindit të tij Ismailit u ngrit flamuri kombëtarë. Më pas vazhduan burgosjet, përndjekjet e dëbimet nga vendet e punës dhe Alishefikunuk kishte zgjidhje tjetër,pos të shpërngulet në Kosovë më saktë në Ferizaj, ku edhe u punësua në Gjykatën e këtij qyteti. Ishte nga gjykatësit e parë shqiptarë në Gjykatën e Ferizajt të viteve gjashtëdhjetë, kohë kur në institucionet e pushtetit vështirë dhe me mund të madh inkuadroheshin intelektualët shqiptarë. Alishefiku ishte gjykatësi i parë në Ferizaj që kishte përdorur gjuhën shqipe në procedurë gjyqësore, pasiqë gjer atëherë vetëm gjuha serbe ishte gjuhë zyrtare e procedurave gjyqësore.
Pasi u punësua në Ferizaj, së bashku me bashkëshorten e tij mësuesen Bedrije,rritën dhe edukuan në frymën e atdhedashurisë vajzën e tyre Arjetën. Por, UDB-ja famëkeqe edhe atje sikur nuk e kishte lënë të qetë, pasi e dinte mirë karakterin e tij prej atdhetari. Pas ngjarjeve të Pranverës së Studentëve të Demonstratave të 1981, Alishefik Spahiu edhe psee kishte dëshmuar veten si intelektual dhe profesionist i denjë, pushteti okupues serb e largoi nga puna me pretekstin e njohur si nacionalist. Aktivitetin e tij profesional nuk e ndaloi, punoi me tërë qenien e tij si avokat në shërbim të kauzës sonë kombëtare deri ne frymën e fundit të jetës së tij. Mbahet mend nga shokët, kolegët dhe familjarët si njeri që kurrë nuk i nënshtrohej regjimit dhe gjithmonë u printe aktiviteteve kombëtare në Ferizaj dhe Kosovë si dhe person që ndihmonte çdokënd që kishte nevojë qoftë për këshillë qoftë për mbështetje.
Gjykatësi Alishefik Spahiukishte vlera të larta kombëtare i cili ishte ipa kompromis në ndarjen e drejtësisë dhe i pamëshirshëm me servilët e pushtetit,duke rrezikuar kështu edhe veten në dhënien e krahut të të shkelurve nga pushteti. Ai me guxim të pashoq lironte nga akuza të varfrit, pjesëtarët e familjeve atdhetarë dhe intelektualë, të cilët ishin pre e montimeve policore nga politikat e atëhershme. Kjo i irritonte pushtetmbajtësit, por nuk kishin si t’i hakmerreshin, pasiqë ai ishte i kujdesshëm, inteligjent, profesionist dhe i guximshëm në ndarjen e drejtësisë. Politikanët e kohës në qytetin e Ferizajt, sidomos ata të pa kurriz në karrierë, edhe pse e urrenin, as guxonin t’i kundërviheshin pasiqë guximi i tij ishte paralizues. Alishefik Spahiu, kontestet i gjykonte drejt, me përgjegjësi morale e profesionale, sa që askush nuk mund të mos u bindej vendimeve të tij.
Drejtësinë që ndante ai nuk e donte regjimi, pasi ai ishte njeri që nuk i përkulej dhe nuk lejonte që politika hegjemoniste ditore t’i bëjë presion e të ndërhyj në ndarjen e drejtësisë. Pas ngjarjeve të vitit 1981, regjimi komunist antishqiptar që zgjati ndikimin dhe i vëndoi gjykatat nën diktat, nuk mundi ta thyente Alishefik Spahiun. Për Alishefikun u debatuea edhe në Komitetin Krahinor të LKJ nga Llazar Vujoviqi cili vinte nga Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe njihej si iniciues i aksioneve kundër shqiptarëve në Kosovë. Vujoviqi ishte funksionar politik në Rrafshin e Kosovës dhe njihte intelektualët shqiptarë, kështu që mjaftoi vetëm fjalia e tij në Komitetin Krahinor të LKJ-së: “Si të tolerohet në institucionet e pushtetit ai gjykatësi i Ferizajt që nuk zbaton urdhrat e Komitetit për gjykime” që pikërisht Alishefik Spahiu të suspendohet nga detyra e gjykatësit, për të mos vazhduar këtë profesion më. Por Alishefiku nuk dorëzohej pasiqë që nga fëmijëria ishte kalitur me sulmet e shtetit, kështu që hap avokaturën e pavarur.
Pasi Kosova ishte në okupim klasik,që në vitet 1990 Alishefik Spahiu nuk mundi të pajtohej assesi me rrethanat e krijuar, kështu që e hasim në radhët e të parëve të lëvizjeve politike në Kosovë dhe atë si një ndër intelektualet më të çmuar që përbënin hallkën e zinxhirit të kroseve siç ishin shokët e tij të idealit. Që me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alishefik Spahiu formon degën e kësaj lëvizjeje në Ferizaj ku shërbeu si Kryetarë për qytetin e Ferizaj. Por angazhimi në LDK nuk zgjati me shumë se 3 vjet, pasiqë Alishefiku ishte më radikal në veprime dhe synime sa që nuk u pajtua me lëvizjen pacifiste, duke kërkuar me këmbëngulësi një qëndrim më radikal ndaj regjimit policor të Serbisë. Liria e Kosovës për të ishte mbi gjithçka materiale e personale dhe ishte ithtarë i konceptit se liria duhej fituar e jo dhuruar.
Avokatura e tij, përpos punës profesionale me palë, ishte bërë edhe një altar dhe vendtakim i atdhetarëve të rrethit të Ferizajt. Ai çmonte dhe ndihmonte çdo aktivitet kombëtar, por ishte kundër çdo lajthitjeje ideologjike që rrënonte ideologjinë kombëtar. Në ndërkohë Alishefiku mbronte pa kompensim punëtorët e Fabrikës së Tubave të përjashtuar nga puna dhe derisa disa nga kolegët e tij merrnin shuma marramendëse parash për t’i mbrojtur njerëzit që ziheshin nga policia serbe duke futur armë në Kosovë, Alishefik Spahiu refuzonte edhe shpërblimin minimal në këso rastesh. Gjithashtu në Shkurt të vitit 1999 në gjykimin e grupit të atdhetarëve të Ferizajt, kërkoi në mënyre publike të ndiqej penalisht inspektori i SDB-së në Ferizaj Rajko Doder për vrasje dhe maltretime të shqiptarëve nën hetime, gjë që ishte një veprim tejet i guximshëm për atë kohë. Deri atëherë asnjë avokat nuk i ishte kundërvënë regjimit në atë mënyre në gjykimet anti-shqipëtare, por Alishefiku ishte i tillë dhe nuk e njihte frikën gjer në masë të skajshme. Ai ishte i bindur se arma në dorën e shqiptarit do t’i duhej Kosovës, si u desh shumë shpejt, kur në skenë doli UÇK-ja.
Së bashku me plakun e urtë prof Anton Çetën aktivisht ishte i angazhuar për pajtimin e gjaqeve në rrethinën e Ferizajt. Ishte strateg i pashoq dhe e dinte se Kosovën e pret lufta me okupuesin serb, e cila edhe realisht ndodhi, dhe duhej te ishim te bashkuar me shume se kurrë.
Atëherë kur lufta për liri jehoi, Alishefik Spahiun e gjejmë aktiv në Ferizaj dhe gjithkund nëpër Kosovë për ta dëbuar okupatorin hegjemonist serb. Me fillim e luftës, ky intelektual e atdhetar, përpos që nuk e lëshoi Ferizajin, ai u bë simbol i qëndresës duke u dhënë forcë e moral popullit dhe ushtarëve të lirisë, edhe pse kishte kërcënime të vazhdueshme nga okupuesit serb si ato të forcave paramilitare, të milicisë e ushtrisë. Ai kurrë nuk pranoi që të largohej nga Ferizaj edhe pse tetovar, ngase ishte thellë i bindur se po ta lëshoj pragun e derës, kjo për të ishte tradhti para atdheut, kombit dhe zotit.
Alishefik Spahiu e kuptoi se me rënien e bombave të avionëve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë serbe, liria e Kosovës ishte e pashmangshme dhe ai me qëndresën e tij, u bë vetë pjesë e ardhjes së kësaj lirie. Në pranverën e lirisë së Kosovës, Alishefiku qëndroi stoikisht në shtëpinë e tij në Ferizaj bashkë me zonjën e tij dhe vajzën. Të afërmit dhe miqtë e tij i luteshin që të largohet nga shtëpia pasi e dinin inatin e serbëve ndaj tij, por ai në mënyrë kategorike u thoshte se ai nuk ikë nga asnjë okupator. Ai qëndroi i palëkundur si familja e tij gjysmë shekulli më parë kur Jugosllavia me presion shpërngulte shqiptarët për në Turqi, cila familje u dergj nëpër burgje pse kundërshtoi shpërnguljen e shqiptarëve nga Tetova. Pas disa përpjekjeve të okupuesve serb që ta lëshojë shtëpinë e të largohej, Alishefiku përkundrazi qëndronte krenar e sypatrembur duke mos e lëshuar Ferizajin që ia fali mundin, dijen, shkriu tërë pasurinë dhe në fund dha edhe jetën.
Policia e Serbisë disa herë e bastisi shtëpinë e tij në Ferizaj, duke tentuar t’ia rrëmbejnë vajzën e vetme Arjetën për ta thyer Alishefikun shpirtërisht, por fatmirësisht Arjetën nuk kishin mundur ta gjenin. Në mëngjesin e 20Prillit, policëte maskuar të stacionit policor të Ferizajt, e kidnapojnë Alishefikun dhe që nga ai mëngjes ai zhduket pa gjurmë. Ai tashmë zë vend ndër personat e zhdukur në Kosovë. Orvatjet e Alishefikut për kombin tonë dhe për ta ruajtur dinjitetit shqiptarë nuk e shënoi asnjë institucion i qytetit e më gjerë.
Që nga 20 Prilli i vitit 1999, familja Spahiu nuk di asgjë për kryefamiljarin e tyre, i cili është zhdukur me urdhër zyrtar dhe të paramenduar të organeve serbe. E bija e avokatit të zhdukur, Arjeta, ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-eprorit policor serb, Dragan Mitic. Ky kallëzim penal është mbështetur mbi faktin se në gjykimin e Millosheviqit në Hagë të datës 27 Maj 1999 lënda me numër IT-02-54-T dëshmitari i mbrojtur K5 ka pranuar se Alishefiku ishte në listën e intelektualëve të rrezikshëm
që duhej likuiduar së bashku me vajzën e tij Arjetën, për me tepër:
“Pyetje: Dëshmitar, a e mbani mend një avokat nga Ferizaj?
Përgjigje: Po. Ka qenë avokat në Ferizaj. Më duket Abduljseljam (vërejtje plotësuese se bëhet fjalë për Alishefikun ). E kishte shtëpinë në Lagjen e re në Ferizaj.
Pyetje: Dhe a ishte ai në listë?
Përgjigje: Po. Ai ishte në listë. Ne e kishim ….Ai duhej të vritej. Mitiqi kishte dhënë urdhërin që ai të likuidohej. Dhe nëse ai nuk do te ishte aty, ne duhej të ja merrnim vajzen e tij.
Pyetje: Dhe a e bëtë këtë?
Përgjigje: Unë shkova me ta në shtëpinë e tij. Ne kishim tre vetura me ne: Mercedes, BMW i dhe veturën tjetër. Dimitri edhe dy ose tre njerëz tjerë erdhën nga policia. Ne ishim të gjithë bashkë. Ata hynë brenda dhe ne pritëm 5 ose 10 minuta. Por Dimitri dhe të tjerët hynë në shtëpi, dhe ne të tjerët shkuam prapë në Bankos të shtabi qendror i policisë.
Pyetje: Edhe a e dini se çka ka ndodhur me te ose vajzën e tij?
Përgjigje: Jo. Nuk e di se çka ka ndodhur.
Pyetje: A e dini nëse e kane raportuar si punë të kryer?
Përgjigje: Nuk e di se cka ka ndodhur, nuk e di se a e kane kryer punën ”
Familjarët e Alishefik Spahiut kanë bërë çmos për ta ndriçuar fatin e tij. Kanë rrëmihur varreza duke u munduar të gjenin varrin e këtij heroi, por sot e kësaj dite nuk ju gjet asnjë shenjë. Vajza Arjeta, e cila ka trashëguar të atin edhe për nga profesioni dhe një kohë punonte tek Fondi për të drejtat njeriut të Natasha Kandiqit, ishte munduar të gjente të vërtetën për babain e saj duke e kërkuar fillimisht nëpër burgjet e Serbisë dhe duke shpresuar se mund të ishte së bashku me të burgosurit shqiptarë të tjerë, por regjimi i atëhershëm e dinte se një intelektual dhe trim si Alishefiku ishte i rrezikshëm dhe pengesë e qëllimeve të tyre shoviniste.
Mësuesja Bedrije tregon se pas kidnapimit të Alishefikut dhe me rastin e përfundimit te bombardimeve të NATOs, Kryetari i atëhershëm i Gjykatës Toma Petkoviq i cili ishte njëherit edhe Shef i Shtabit të Krizës Serbe për Ferizaj, lëvizte lirshëm nëpër Ferizaj, gjersa pushtetarët ishin të preokupuar pas kolltukëve dhe interesave personale e materiale dhe harruan se ka familje që me gjenerata janë flijuar për çështjen e kombit.
Më 20Prill 1999, Alishefik Spahiu është rrëmbyer nga policia serbe dhe u zhduk pa gjurmë, u flijua me vetëdije të lartë kombëtare dhe atdhetare, pa e lëshuar për asnjë çast pragun e shtëpisë, qëndresë kjo që mbetet frymëzim dhe krenari e përjetshme.
Vendi ku njëherit ka qenë avokatura e Alishefikut e që ishte simbol dhe altar i shpirtit të pathyer, ku mijëra shqiptarë të nëpërkëmbur nga serbët vinin tek ky burrë i dheut që t’ju jepte guxim dhe t’ju kthente dinjiteti, duket vend i thate – duket se thërret në ngritjen e përmendores për këtë trim të kombit.
I vetmi gjest nga pushtetarët që përkujton shëmbëlltyrën e tij është emërtimi i rrugës përskaj shtëpisë së tij “Alishefik Spahiu”. Nipi dhe mbesa e tij Aulona dhe Alisi luajnë në rrugën me emrin e gjyshit pa pasur mundësi asnjëherë ta nderojnë me lule tek varri.
Lavdi jetës dhe veprës së intelektualit dhe atdhetarit Alishefik Spahiut, i cili vërtet ende është varrhumbur…Lavdi!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura