Berlin, 1 qershor 2017: Partizanët sunduan gati gjysmë qindvjeti në emër të “pushkës kryengritëse”. Në fakt, Europën e çliruan aleatët nga fantazma ariozofike, por shqiptarët bënë mirë që u rrjeshtuan në krah të fitimtarëve.
Pastaj, papritur, nga hiri epror i të mëdhenjëve të Jalltës, do të etablohej diktatura dhe, ndaj, në sistemin e saj s’mund të prisje një jetë ndryshe. Opozita ishte ndaluar. Shtypi i lirë poashtu. Duhej t’i pritej koka në Moskë, për të rënë bishti i zgjatuar në Ballkan.
Ndërkaq, në shestimet historike, një paralele priret të marrë formën e saj të errtë. Tash gati 20 vjet në Kosovë sundojnë sërish çlirimtarët dhe, sërish, në emër të “pushkës kryengritëse”. A do të dilte Kosova më vete pa armët sipërore të aleatëve? Vështirë. Shqiptarët, sidoqoftë, dëshmuan flijueshëm vullnet të hekurt lirie kundër pushtimit serbian.
Tani, ndryshe nga aherë, në messhekullin e ikur, është kohë e rend tjetër. Demokracia parlamentare ushtrohet mundimshëm në poligonet e mësimnxënjes politike. Por indi i t’vjetrës nuk këputet dot. Opozitë alternative nuk sheh kund, kurse shtypi klientohet vazhdimisht në tregtizën e rivaliteteve provinciale. Dhe ata, në reliefin e tillë pjellor, herë vetë e herë me ish-komunistët, vijojnë të sundojnë me të drejtën e paradhënë. Si pajë lufte. Dielli perëndon e lind prapë me ta. Lodhshëm sa një jetë…
Megjithatë, dyngjyrësia e fizionomisë ngjan me qenë një kurth. Distinkcioni ideologjik mes tyre është fiktiv, e pra krejtësisht mashtrues. Sepse, a nuk janë të dy palët një e vetme me ca retushime ftyrash të motit të ri? Gjenealogjia e Lëdëkëistëve vete drejt e në rrënjët e Lidhjes komuniste, kurse mbanë tjetër, pëdëkëistët vijnë si mbetje e kulluar e lëvizjes ilegale marksiste-leniniste që dmth pjesë, madje e quajtur burimore, jezuitiste, e komunizmit internacional.
Rrjedhimisht, miljeu ynë, hiç stemën e përgjakur serbe, duket ende më i trishtë. Ndërsa aherë kishte dhunë të një “pushke”, tani bën ligjin simbioza dhunëtare e të dy “pushkëve kryengritëse” bashkë. E të parës, pak të shurdhuar, që përvijohet fshehtë njëj tingulli të ndryshuar dhe, e të dytës, që gjëmon krenisht si aheng jevgjish në sfondin e një rruge që sa më shumë e vështron në larginë, aq më tepër mbulohet terrine të pashpresë!
Postime të Lidhura
FATMIR BRAJSHORI: BELBËZAKU BATON HAXHIU DHE RRËFIMI I SHKUMBIN MEHMETIT NË ‘KLAN KOSOVA’
Zürich, 12. 01. 2018: Praktika e demokracisë është praktika e mendimit të lirë. Çdo gjë që ekspozohet publikisht…
BESNIK MUSTAFAJ: JU RRËFEJ DOKTOR ADHAMUDHËT E POLITIKËS SHQIPTARE
Tiranë, 18. 11. 2016: Pas prezantimit të romanit, “Ëndrra e doktorit”, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, shkrimtari Besnik…
HAJRO HAJRA: KUPTIMET E FJALËVE KYÇ, KYÇEM, (I, E) KYÇUR
Prishtinë, 14 qershor 2018: Ambasadori rus në Beograd: “Është e mundur që Rusia të kyçet edhe më thellë…
ADNAN ABRASHI: NACIONALIZMI “I BUKUR” SHQIPTAR!
Prizren, 03. 07. 2012 – (“Nacionalizmi shqiptar është i “bukur”, i dëshirueshëm, i detyrueshëm, i padebatueshëm”- Koço Danaj)…